VOAL

VOAL

Dëshmia: Më 1990, para se të largohesha për në Bashkimin Sovjetik, teksa rrija me shokët në Tiranë të Re kaloi mbesa e Enverit, një vajzë esmere…

December 14, 2022

Komentet

Ushtari holandez kërkon Samirin: “Ishte roja ime në Srebrenicë”

Meliha Keshmer

Një lodër në formë kitare, një kuti me një copë letër të Kryqit të Kuq me emrin në të dhe fotografinë e Samir Mujanoviqit, ushtari nga Holanda, Ad van Alphen, i ruajti për gati 30 vjet.

Ai i mori ato në Srebrenicë, disa muaj para se forcat e ushtrisë së atëhershme të Republikës Sërpska të kryenin gjenocid ndaj më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.

Ky qytet i Bosnje e Hercegovinës ishte atëherë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Sot, 80-vjeçari Ad van Alphen, ish-anëtar i ushtrisë holandeze dhe batalionit të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte i vendosur në Srebrenicë, kërkon Samirin.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, nëse do ta gjente, do t’i bënte një pyetje të thjeshtë: si është jeta e tij?

Samir Mujanoviq në Srebrenicë më 1995.

Samir Mujanoviq në Srebrenicë më 1995.

“Ai vërtet u kujdes për makinën time”

Ad van Alphen arriti në Srebrenicë në janar të vitit 1995, për të vepruar si negociator midis serbëve dhe boshnjakëve.

Bashkë me anëtarë të tjerë të batalionit holandez të OKB-së u vendosën në fabrikën e baterive, ku sot ndodhet Qendra Përkujtimore e Potoçarit.

Çdo ditë shkonte me makinë në zyrat e OKB-së në Srebrenicë dhe Samiri e ruante makinën e tij përpara ndërtesës.

“Ai u kujdes vërtet. Do të rrinte aty për orë të tëra dhe do të sigurohej të mos i ndodhte asgjë. Unë i jepja fruta ose ndonjë ëmbëlsirë kur kisha mundësi”, kujton Ad.

Dokumenti valid i Ada van Alphenit gjatë qëndrimit të tij në Srebrenicë më 1995.

Dokumenti valid i Ada van Alphenit gjatë qëndrimit të tij në Srebrenicë më 1995.

Ai thotë se Samiri ishte i lumtur që e bënte këtë dhe e quan roje të veten.

“Kështu u krijua një lidhje mes nesh. Ai ishte një fëmijë shumë i sjellshëm dhe i mirë”, thotë Ad.

“Më kërkoi ta çoja në Holandë”

Samiri ishte një nga mijëra fëmijët në Srebrenicën e kohës së luftës.

Dhjetëra mijëra njerëz nga zonat përreth kërkuan strehim në Srebrenicë, për të ikur nga sulmet e forcave serbe të Bosnjës.

Ad kujton se Samiri e pyeti disa herë nëse mund ta merrte me vete në Holandë.

“Më duhej t’i thosha jo. Nuk mund ta bëja këtë. Ai donte të largohej nga Srebrenica. Unë isha në pushim për një javë në shkurt dhe ai më kërkoi ta merrja me vete”, thotë Ad.

Ushtari holandez nuk e di saktësisht se nga është Samiri. Gjithçka që di për të dhënat e tij personale, është shkruar në një copë letër nga Kryqi i Kuq.

Bazuar në informacionin për datën e lindjes dhe sendet që Ad ruan, Qendra Përkujtimore u përpoq ta gjente djalin. Drejtues të saj i thanë Radios Evropa e Lirë se deri më tani nuk kanë informacione konkrete.

REL-i, gjithashtu, u përpoq ta gjente Samir Mujanoviqin në disa mënyra, por pa sukses.

“Unë nuk kam asnjë informacion. Nga Qendra Përkujtimore thanë se do të bëjnë gjithçka që munden. Ne nuk dimë asgjë. As nëse është ende gjallë”, thotë Ad gjatë bisedës telefonike me Radion Evropa e Lirë.

Tash e njëzet e nëntë vjet, ai i mban sendet nga Samiri, duke ruajtur kështu kujtimin e një djali gazmor dhe shpirtmirë në një qytet që, sipas tij, dukej i dëshpëruar dhe pa të ardhme.

Dokumenti me të dhënat e Samirit më 1995, atëherë 12 vjeç.

Dokumenti me të dhënat e Samirit më 1995, atëherë 12 vjeç.

Ad nuk ka ndonjë shpjegim të qartë se përse i ka ruajtur sendet, por thotë se për to i ka treguar edhe familjes së tij, duke i thënë se Samiri ka ruajtur makinën e tij në enklavën e mbrojtur nga OKB-ja.

“Më bënte dhurata. Më thoshte që nuk duhet t’i refuzoja, sepse edhe unë i kam dhënë disa gjëra të vogla. I kisha fëmijët e mi dhe i kam akoma dhe gjithçka që ndodhte me ta, më ndikonte shumë”, thotë Ad dhe tregon sesi, një ditë, Samiri shkoi në shkollë dhe një tjetër fëmijë u kujdes për makinën.

“E pyeta: ku është Samiri, roja ime?”, kujton ai.

Sot, thotë Ad, sikur të takohej me Samirin, do ta pyeste: si është, a është i lumtur, a ka familje, punë të mirë…

“Në atë kohë në Srebrenicë ai nuk kishte të ardhme, kështu dukej. Askush nuk mund të shkonte askund, ishte shumë e vështirë, të gjithë ishin në vështirësi. Do ta pyesja për veten dhe fëmijët e tjerë, njerëzit e tjerë që kam takuar atje”, thotë Ad dhe shton se do të trishtohej shumë nëse Samirit i ka ndodhur diçka e keqe.

Ai përmend disa skenarë që mund t’i kenë ndodhur Samirit, duke thënë se refugjatët shkuan në qytetin e Tuzllës, se ai ishte 12 vjeç dhe se kishte mundësi të mbijetonte. “Ndoshta ka shkuar në Simin Han”, thotë veterani 80-vjeçar.

Ad van Alphen në rrethinën e Srebrenicës më 1995.

Ad van Alphen në rrethinën e Srebrenicës më 1995.

“Të gjithë na thanë: është faji juaj”

Misioni negociues në Srebrenicë ishte përvoja e parë e huaj për Ad van Alphenin.

Ai arriti në qytetin e vogël në lindje të Bosnje e Hercegovinës me qindra holandezë të tjerë, për të ndërmjetësuar në bisedimet midis përfaqësuesve të serbëve dhe boshnjakëve.

Ai pranon se po i shkonte shumë keq dhe se e pa që në fillim se nuk do të arrinte asgjë. Madje, thotë se pa se gjërat po bëheshin edhe më keq.

“Më pas na thoshin: ju nuk keni bërë asgjë, ju jeni fajtorë, jeni po aq fajtorë për atë që ka ndodhur sa ata që kanë bërë gjenocidin. Ishte shumë e vështirë”, thotë Ad.

Ai kujton se në udhëzimet e rrepta përpara mbërritjes u është thënë se nuk mund të bëjnë shumë, se mund të qëllojnë vetëm nëse dikush qëllon mbi ta.

Ai, gjithashtu, thotë se armët që kanë marrë, kanë qenë të pakta dhe të dobëta.

Në korrik të vitit 1995, kur filloi gjenocidi, Ad nuk ishte në Srebrenicë, por në Zagreb.

Ai thotë se u përpoq të arrinte me rreth njëqind ushtarë, por ata morën informacione se nuk do të lejoheshin të hynin në Potoçari dhe Srebrenicë.

Lodra që Samiri ia dha Adit në Srebrenicë mb 1995.

Lodra që Samiri ia dha Adit në Srebrenicë mb 1995.

Për herë të parë në Qendrën Përkujtimore

Gati tridhjetë vjet më vonë, në fillim të qershorit të këtij viti, ai dhe disa ish-kolegë hynë për herë të parë në Qendrën Përkujtimore në Potoçari dhe vizituan përsëri Srebrenicën.

Në vendin në Potoçari ku dikur qëndroi, tani ka një muze që ruan kujtimet e të vrarëve dhe të të mbijetuarve.

“Jam 80 vjeç. Erdha për të mbyllur atë kapitull dhe gjithçka që ndodhi. Por, erdha edhe për të sqaruar disa gjëra për veten time dhe për të tjerët. Ka shumë keqkuptime dhe informacione të gabuara. Doja të tregoja se çfarë kam kaluar”, thotë Ad.

Ai thotë se i vjen keq për mohimin e gjenocidit, që bëhet gjithnjë e më shumë nga udhëheqësit e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

“Kam shkuar në vendin ku kam fjetur pesë muaj. Kam parë se e kanë rregulluar shumë mirë objektin. Më ka bërë përshtypje ajo që kam parë, të gjitha ato fotografi, video, kujtime”, thotë Ad.

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës dhe Instituti Holandez për Veteranët organizojnë vazhdimisht vizita në Potoçari.

Çdo vizitë përfshin qëndrimin te monumenti dhe biseda me anëtaret e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës. Ushtarët japin informacione dhe dhurojnë fotografi dhe objekte nga koha e tyre në Srebrenicë dhe të njerëzve që kanë takuar.

Varrezat në Potoçari ku janë varrosur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Varrezat në Potoçari ku janë varrosur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Barra e gjenocidit në Holandë

“Të gjithë në Holandë mendonin se ne ishim fajtorë në verën e vitit 1995”, përsërit Ad gjatë bisedës.

E gjithë kjo, thotë ai, ishte e tepërt për disa nga kolegët e tij, të cilët, ndryshe nga ai, ishin në Potoçari atë korrik.

Shumë prej tyre sot vuajnë nga stresi post-traumatik dhe disa prej tyre kanë bërë vetëvrasje.

Ad thotë se e ka pasur pak më të lehtë, sepse nuk ka qenë në vendin ku është kryer gjenocidi në korrik.

Shkuarjen në Potoçari thotë se e sheh si shans për ish-kolegët e tij që të përballen me atë që ka ndodhur atje.

“Kishte shumë momente emocionale kur ishim në Potoçari. Një ushtar e njohu një djalë që në atë kohë ishte në Potoçari. U përqafuan me njëri-tjetrin, thjesht u shikuan dhe u njohën”, thotë Ad, tani pensionist.

Ai është disi i zemëruar me ushtrinë holandeze, për shkak të asaj që ai dhe kolegët e tij kaluan në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në vende të tjera anembanë botës.

“Ata na dërguan, na premtuan dhe kur gjërat shkojnë keq, thonë: mësime të nxjerra. Asgjë nuk mësuan”, thotë Ad.

Kur pyetet se çfarë do të bënte ndryshe nëse do të mund të kthehej në vitin 1995, ai fillimisht hesht dhe më pas përsërit se cilat ishin detyrat e tij në Srebrenicë dhe për çfarë punonte.

Ai, gjithashtu, përsërit se sa të vështira ishin negociatat dhe se dikush ankohej gjithmonë.

“Nuk mund të bëja asgjë”, thotë Ad.

Dy vjet më parë, Qeveria holandeze u kërkoi falje ushtarëve që u dërguan si pjesë e forcës paqeruajtëse të OKB-së për të mbrojtur Srebrenicën – me armë dhe fuqi të pamjaftueshme për të ruajtur paqen.

Qeveria tha atëkohë se ushtarët e saj po përballeshin me forca shumë më të armatosura të serbëve të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, më pas iu drejtua qindra veteranëve të batalionit Dutchbat III dhe u kërkoi falje në emër të Qeverisë – atyre dhe familjeve të tyre.

Ai tha se ishte mirënjohës për mënyrën sesi Dutchbat III u përpoq të bënte mirë në rrethana të vështira – edhe kur nuk ishte më e mundur.

Ish-kryeministri holandez, Wim Kok, dha dorëheqje në vitin 2002, kur një raport kritikoi autoritetet holandeze për dërgimin e ushtarëve në zona të rrezikshme pa aftësi ose armë të duhura.

Më 19 korrik të vitit 2019, Gjykata e Lartë e Holandës konstatoi se ky vend kishte përgjegjësi “shumë të kufizuar” për gjenocidin e kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska në Srebrenicë në vitin 1995.

Gjykata tha se probabiliteti që njerëzit e likuiduar mund të kishin mbijetuar nëse batalioni holandez do t’i mbronte pas rënies së Srebrenicës, ishte 10 për qind.

Disa mijëra boshnjakë nga Srebrenica dhe qytete të tjera kërkuan strehim në bazën e mbrojtur nga OKB-ja në Potoçari, pas hyrjes së Ushtrisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë.

Burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe më pas u likuiduan. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i cilësoi vrasjet masive si gjenocid.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, u dënuan me dënimin më të lartë – burgim të përjetshëm.

Deri më tani, 6.652 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

 

The Washington Post (1938) Një rrëfim për Faik Konicën nga Gerald G. Gross: “Pasionet, urrejtjet, paraardhësit e tij, reforma agrare, Ahmet Zogu, shqiptarët e Amerikës…”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Qershor 2024

“The Washington Post” ka botuar, të dielën e 13 shkurtit 1938, në faqen n°4, një rrëfim asokohe për Faik Konicën nga gazetari amerikan Gerald G. Gross, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Ministri Konica, i Shqipërisë, mbetet beqar; Pasionet e tij janë muzika, teatri dhe filologjia

Nga Gerald G. Gross

Në mesin e shefave të misionit në Uashington, beqarët janë po aq të rrallë sa burrat në mëngjes. Ata mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, zbulon një sondazh i shpejtë dhe beqari më i paprekshëm nga të gjithë duket se është ministri shqiptar Faik Konica.

“Gjithmonë e shtyj për vitin e ardhshëm”, thotë ambasadori me zë të butë, të cilit iu desht të bënte një deklaratë zyrtare një muaj më parë për të shuar zërat se ai dhe një balerinë amerikane kishin synime martesore. “E vërteta është se nuk do të martohem kurrë.”

Ai nuk jep arsyet e tij dhe askush nuk e ka pyetur, por mund të supozojmë se ai e kupton se gratë nuk mund t’i durojnë sënduket e librave të stërmbushur me libra, fonografë kolosalë në dhomën e ndenjes dhe dorëshkrime të shpërndara në të gjithë ambientet. Lulet e portokallisë, pranon ai, kanë vendin e tyre, por lërini atij bibliotekën e tij, muzikën e tij, bojë dhe të drejtën e pakundërshtueshme për t’i shijuar kur dhe si të dojë.

Plumbi nga këmbanat e dasmës (varieteti B, nëntipi 2) ishte i pashmangshëm për këtë tip të veçantë, jo vetëm për shkak të zgjedhshmërisë së ministrit Konica dhe romancës së sipërpërmendur të gazetës, por për shkak se Shqipëria, për të cilën pak dëgjohet ndonjëherë, është bërë material në faqen e parë që nga Mbreti Zog I, javën e kaluar njoftoi fejesën e tij me konteshën hungareze Apponyi, nëna e së cilës është e lindur amerikane.

E gjithë kjo na çon në një pikë tjetër, dhe më pas do të trajtojmë një taktikë të re. Ligji i ndalon diplomatët shqiptarë që të martohen me të huaj. Megjithatë, asnjë kufizim i tillë nuk duket se e shqetëson monarkun, edhe pse ai, një mysliman, dhe nusja e ardhshme duket se janë në mes të ndërlikimeve fetare. Kjo nuk duket si kriket, veçanërisht duke pasur parasysh që diplomati në Uashington, i cili është i martuar me një grua fshatare, është përjashtim dhe jo rregull.

***

Faik (shqiptohet Fi-eek) Konica është një njeri që do dhe urren shumë. Në kategorinë e parë mund të përmendim kërkimet filologjike, teatrin, muzikën klasike, ushqimin dhe pijen e mirë, shkrimin krijues dhe vetminë. Aversionet (neveritë) e tij janë turmat, ushtrimet, kafshët, ritmet e xhazit, mashtrimet e shoqërisë dhe bisedat me zë të lartë.

I pyetur për të shkruar një portret të tij për këtë artikull, ai shkroi :

“Edhe pse ka një mospëlqim të fortë ndaj turmave dhe distanca prej tyre është vënë re si karakteristikë e tij kryesore, Faik Konica ka treguar gjithmonë një simpati të vërtetë për masat. Në vitin 1930 ai iu lut mbretit Zog që të shqyrtonte një projekt për rishpërndarjen e tokës në Shqipëri dhe projekti u mishërua shpejt më pas në një reformë gjithëpërfshirëse agrare, e cila, pas një debati të gjatë në parlamentin kombëtar, u bë ligj.

I vetëdijshëm për karakterin e tij të rezervuar, ndonëse nuk është as i turpshëm dhe as i turpëruar, të afërmit e konsiderojnë “asket”. Ai shprehet qartësisht i matur për moshën e tij, por vlen të përmendet se shumë nga kolegët e tij ministra dhe ambasadorë gjithashtu preferojnë të heshtin për këtë temë. Ai nuk është kthyer në shtëpi prej gjashtë vitesh, sepse vizita të tilla “e bëjnë atë të rraskapitet fizikisht”.

Vëllezërit diplomatë le të golfojnë, të kalërojnë, të ecin sipas dëshirës së tyre, por çdo formë e ushtrimit fizik është mallkim për zotin Konica. Kjo neveri, si dhe neveria e tij ndaj kafshëve shtëpiake, ndoshta do të ishte e kuptueshme për një psikanalist, kur mëson se një kal e hodhi në tokë Faikun 15-vjeçar dhe e detyroi të mbante paterica për një vit. Sot, ai i urren kuajt, qentë dhe macet. Qentë, mendon ai, janë shumë servilë dhe macet shumë të pavarura.

“Ndoshta nëse do të kishte një krijesë shtëpiake, prirja e së cilës do të ishte midis asaj të qenit dhe asaj të maces, unë do të kisha një të tillë,” thotë ai.

***

I dërguari nga Tirana në Uashington ka lindur në qytetin e Konicës, nga i cili ka marrë edhe emrin familja, në kufirin e Shqipërisë dhe Epirit grek. Babai i tij ishte një pronar i madh tokash, që i përkiste një prej 30 familjeve feudale, të cilat për disa shekuj me radhë kanë formuar klasën sunduese të këtij rajoni malor që shtrihet në bregun perëndimor të gadishullit Ballkanik. Stërgjyshi i tij ishte mik i ngushtë i Sir Hudson Lowe, në atë kohë Guvernator i Ishujve Jon, dhe i destinuar të bëhej i famshëm si guvernator i Shën Helenës dhe kujdestar i Napoleonit. Ndër veprat që ministri po përgatit për botim është edhe vëllimi i korrespondencës mes paraardhësve të tij të shquar dhe anglezit të titulluar.

Ministri Konica studioi në kolegjin jezuit në Shkodër (Shqipëri), në Liceun Perandorak në Kostandinopojë dhe në Francë. Në vitin 1909 ai erdhi fillimisht në Shtetet e Bashkuara për të propaganduar për autonominë shqiptare brenda Perandorisë Osmane, për të ndihmuar refugjatët atje dhe për të studiuar për Masterin e Arteve në Filologji Romantike në Universitetin e Harvardit.

Njerëzit e tij, mjaft të kënaqur me regjimin e Kostandinopojës, shpresonin se ai do të hynte në l’Ecole des Sciences Politiques në Paris me synimin për të shërbyer në trupin diplomatik të Sulltanit. Por Konica i ri, i shtyrë nga zelli i çlirimtarit, sapo kishte marrë diplomën e tij bachelor në Francë, ai filloi lëvizjen nacionaliste shqiptare të krijuar për të siguruar autonominë nga sulltani. Megjithëse në fillim ishte i moderuar, programi i zemëroi aq shumë autoritetet osmane, saqë tokat e themeluesit të tij u konfiskuan dhe ai u dënua me vdekje — në mungesë.

Disiplina shërbeu vetëm për intensifikimin e lëvizjes, jo vetëm brenda por edhe jashtë saj. Ndërsa Konica po kërkonte mbështetje dhe simpati në këtë vend dhe ithtarët e kauzës po bënin të njëjtën lojë gjë në vende të tjera, rebelimet kundër sundimit osman po shuheshin në shtëpi (atdhe). Pika e kthesës erdhi në vitin 1912, kur u dha autonomia nga turqit dhe, më vonë në të njëjtin vit, pavarësia e Shqipërisë u shpall nga Ismail Qemal Vlora. Konica u emërua një nga delegatët e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila, më 20 dhjetor 1912, njohu në parim pavarësinë e Shqipërisë. Shtatë muaj më vonë konferenca e shpalli Shqipërinë një shtet sovran të pavarur.

Në vitin 1925 Konica, si udhëheqës i opozitës Nacionaliste Liberale, këshilloi kundër një kryengritjeje të armatosur për të rrëzuar qeverinë e atëhershme konservatore, ku Ahmed Zogu sapo ishte zgjedhur president për një mandat shtatëvjeçar. Më pas, i diplomuari i Harvard-it me sy të zinj u nderua me emërimin si i dërguari i parë në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria. Ai ia paraqiti letrat kredenciale Presidentit Coolidge në tetor 1926 dhe shërbimi i tij këtu ka qenë i vazhdueshëm.

Në lidhje me mbështetjen e tij për reformën agrare, ministri thotë :

“Pronarët e mëdhenj të tokave ishin të hidhëruar në denoncimin e tyre. Ata fajësuan Faik Konicën për tradhtinë e klasës së tij dhe lanë të kuptohet për hakmarrje të dhunshme. Por ligji nuk ishte i padrejtë, sepse parashikonte kompensim të plotë monetar për pronarët e tokave të rishpërndara, dhe pikërisht për këtë ligji nuk ka arritur ende në fazën e zbatimit, shteti nuk ka arritur ende të lirojë disa miliona të nevojshme për kompensim.”

Ministri shqiptar është ndoshta në fund të të pesëdhjetave, ka flokë të thinjura, të holla dhe me gjatësi mesatare. Beethoven, Mozart dhe Bach janë kompozitorët e tij të preferuar.

“Kur isha i ri, e doja Wagnerin, por tani më duken veprat e tij shumë të gjalla dhe të bollshme”, thotë ai.

Ai i shmang pritjet në radio, për shkak të muhabeteve reklamuese, por ndjek transmetimet javore të Toscanini-t që transmetohen aktualisht. Rezidenca dhe legata e tij janë të kombinuara në një apartament shërbimi të mobiluar thjesht në Hotel Mayflower.

***

Në Amerikë janë 30.000 shtetas dhe 100.000 burra, gra e fëmijë me origjinë shqiptare. Shumica më e madhe e tyre janë të shpërndarë në një vend pak më i madh se Belgjika, me jo më shumë se 1.500.000 banorë.

Ministri Konica ka 2.500 libra në bibliotekën e tij këtu dhe po aq të tjerë në atdhe. Disa vizatime origjinale të Rodin-it zbukurojnë muret e dhomës së tij të gjumit. Ai ka njohuri të leximit të italishtes, spanjishtes, rumanishtes, portugalishtes, turqishtes, gjermanishtes, greqishtes së vjetër dhe moderne, latinishtes, hebraishtes dhe arabishtes, si dhe shqipes, frëngjishtes dhe anglishtes, të cilat i flet me lehtësi.

Ai pi në mënyrë diskrete dhe selektive dhe pi rrallë para darkës sepse nuk i pëlqen të ndërpresë pijen për t’iu përgjigjur telefonit ose për të kënduar (lexuar) një letër. Ai shqetësohet për ndikimin që ka duhani tek ai. Ai pi tre paketa cigare amerikane në ditë.

Filmat që ai i ndjek “vetëm kur nuk ka asgjë tjetër për të shikuar”, por le të përpiqet këdo që të mos e shohë “Borëbardhën!”

MEMORANDUMI  I GERÇËS 10/23 QERSHOR 1911- Pergatiti Fritz RADOVANI

Ishte viti 1911…:

Asht mirë me marrë harten e Shqipnisë dhe shikoni ku bjen Gerça! 

Janë mundue disa deri tashti me fshijë Bratilen, Kelmendin, “Beslidhjen e Veriut”, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Kanunin e Skenderbeut”!

E tashti, si per faktet tjera, po punohen me fshij nga faqet e Historisë së Lavdishme të Maleve të Veriut edhe “Memorandumin e Gerçës së 1911”.

Ky Memorandum 113 vjet perpara asht thirrë “Libri i Kuq” vetem nga kopertinat. Ishte data 10 Qershor 1911, pra dy muej mbas 6 Prillit 1911 në Bratilen e Dedë Gjo’ Lulit, kur At Mati Prennushi, hapi në dy kapakë dyertë e çeles së Tij në Gerçë, për miqtë e vet të shtrenjtë e besnikë me të cilët e lidhte përjetsisht Formula “Atdhé e Fé”, per të cilen ishin gati me ba vdekjen si me lé! Nana Drande e At Matisë ishte në kambë me ua gatue buken dhe me ua shtrue sofrat Burrave të Malësisë, që ishin tek Frati si në shtëpinë vet! Armët Ata i kishin të varuna tek Dera e çelës, ashtu ishte rregulli i Kuvendit të Burrave.

Klerikët dhe miqtë ishin në krye të vendit, mandej rreshtoheshin Burrat e Malësisë së Veriut ashtu si kishin rregullat e veta simbas Kanunit. Memorandumi i Gerçës (ose Libri i Kuq) asht nënshkrue me datën 23 Qershor 1911, dhe në Hymje ka këte tekst në dy gjuhë, Shqip e Frengjisht: “MEMORANDUM mbi vendimet e dhanuna prej Kuvendit të pergjithëshem të Krenëvet Shqyptarë në Gerçë me 10/23 të Qershorit 1911, si përgjegje të reklamacjonit të Shekjet Turgut Pashës.”

Këte Memorandum e firmojnë Burrat e Nderuem të Maleve tona:

Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjo Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin).

Ky dokument Ju asht paraqitë Kuvendit të Krenëve të Kryengritjes i shkruem me një gjuhë të përbashket Gegënisht dhe Toskënisht nga Luigj Gurakuqi, i cili ishte nder të paktit letrarë Shqiptarë që dinte me i shkrue dhe me i folë pa vështirësi të dy dialektet e Gjuhës Shqipe.

Qellimi ishte që këte Memorandum shumë shpejtë ta përkrahte edhe Shqipnia e Jugut, ashtu sikur edhe ngjau. Materiali pasqyrohet edhe në të gjitha dokumentat historike të asaj kohë.

Të pranishem aty ishin edhe Klerikët Katolik Shqiptar të atyne krahinave që perfaqsoheshin aty, tue fillue nga i zoti i shtëpisë At Mati Prennushi, organizator i këtij takimi me Ipeshkvijtë e njohun Imzot Luigj Bumçi e Imzot Lazer Mjedja, që kanë ndihmue edhe në përgatitjen e tekstit.

Aprovimi asht marrë edhe nga Imzot Jakë Serreqi, Argjipeshkëvi i Shkodres. Ishin aty të pranishem edhe Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Pavarësi.

Memorandumi pat jehonë në të gjitha Trojet tona tue perfshi aty edhe Arbëreshët e Italisë.

Memorandumi ju dorzue perfaqsuesit turk në Cetinë me 25 qershor 1911 nga Këta Perfaqesues të Kuvendit: Ded Gjon Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dod  Preçi (Kastrat), Prekë Gjetja (Kelmend) dhe Luigj Gurakuqi (Shkoder).

Nga Kujtimet e Imz. Luigj Bumçit kemi një dokument me randësi që tregon se kur “Perfaqsuesi” turk në Cetinë, Sadredin Beu e pyetë Dedë Gjo’ Lulin se, “a i dueni për vete a për gjithë Shqipninë pikat e “Librit të Kuq”? – I Madhi prijës i Kryengritjes së Malësisë Dedë Gjo’ Luli i ishte pergjegjë: “Ato pika që janë në Librin e kuq  i dona ma parë për vedi, e mandej, për Shqipninë  mbarë!..” E fjala mori dheun.

Gazeta e parë që botoi Memorandumin ishte ajo Austriake  “Neue Freie Presse” e Vjenës, që ka shkrue  12 kerkesat që me 25 qershor 1911, vetëm dy ditë  mbas perfundimit të Kuvendit në Gerçë.

Gazeta e dytë  që i bani jehonë të madhe Memorandumit me 12 kerkesat e Shqiptarëve të Veriut, ishte ajo franceze “Le Moniteur Oriental” me daten 26 qershor 1911.

6 korrik 1911, Gazeta e Shkupit “Vardar” e boton të plotë Memorandumin e Gerçës.

Gazeta “Corriere d’ Italia” njofton per Memorandumin e  Gerçes  me 12 korrik 1911, se: “Memorandumi asht një program politik që kerkon me shkëputë Shqipninë nga Turqia.”

Kuvendi i Gerçës nuk kishte mbetë jashtë vemendjes së komuniteteve Shqiptare në Bullgari, që botojnë “Librin e Kuq” në gazetën e tyne “Liri e Shqipërisë” në Sofje, me datat 7 e 20 korrik 1911.

Gjithashtu Arbëreshët e Italisë e botojnë italisht në Gazeten e tyne “La  Nazione Albanese” Memorandumin e plotë, që plotsohej edhe me komente shumë shpejtë nder shumë gazeta italiane.

Nuk vonojnë Vlona, Gjinokastra e shumë qytete të tjera të Trojeve Shqiptare, me botue dhe me publikue “Memorandumet” e veta per Pavarsinë e plotë të Shtetit Shqiptar.

Krasniqe e Tepelena me Malësitë e Gjakovës edhe Durrësi, rrokin armët e Lirisë. Çohet në kambë Mirdita e Don Nikoll Kaçorrit, e mbas Tij Shqipnia e Mesme. Nuk rri pa u pergatitë as Gjin P. Pervizi e as Isa Boletini, as Hasan Prishtina dhe as Bajram Curri.

Memorandumi i Gerçës i paraprinë Pavarsisë së gjithë Shqipnisë, në Vlonen Heroike të ditës së 28 Nandorit 1912! Shqipnia u shpall Shtet i Pamvarun nga Turqia!

***

Këta Emna Shqiptarësh të Nderuem, shumica nuk janë fare në Historinë e Shqipnisë! Dhe, as nuk dihet as sot deri kur !?

MEMORANDUM

Mbi vêndimét é dhânuna préj

Kuvêndit te pergjitheshem te Krénevét

Shqyptare ne Gerçé me 10/23 te Qershorit 1911

Si pergjigjejé te proklamacjonit te Shefqet Turgut Pashes.

1. – Garantie kundra perseritjés pas sodit [6] te véperimévét é te menyravét antikonstitucjonaré nga ana é Qévéries qéndrore e t’ Auktoritétévét vendoré ne te gjithe Shqyperien. Ndérim per te gjitha féet é per zakonét é vjétra te garantuara nga konstitucjoni é te konshakruara nga kanunét e zakonét.

2. – Te njohunit é plote te kjénejes se kombit shqypetar mé atò te dréjta qe kane kombét é t’jéra te Mbréteries.

3. – Lirie te plote per Shqypetaret te zgjédhin pa ndo-nji pengim a ngushtim députétet é véte, numri i te cilevét do t’i pergjigjét popullsies.

4. – Lirie te plote per Shqypetaret te mesohén é te perparojne ne gjuhe te véte, é te thémélojne shkolla shqypé te véçanta é te boteshmé te cilat te kéne te gjitha ato te drejtat qe kane shkollat é Qévéries. Ndérim per te dréjtat qe u jane njohune Krérevét fétare te kershténe per sa i perkèt mesimit ndé shkollat qe jane nen sundimin e tyné.

5. – Organizim i administrimit te Vilajétévét, ku ndodhén Shqypetare, i cili te kéte per thémél nje systéme déqéntralismi administrator, qe t’u pergjégjét névojevét te vêndit é zakonévét te vêndasvét, é qe t ’afrojne rrégullat é pergjitheshmé t’administrimit te njohuna préj konstitucjonit mé praktikat é konshakruara préj kohes ne disa visé.

6. – Te zgjédhunit é Valinjvét é te tjérevé nepunes te larte te shtétit nde  mést mâ te mirevét é mâ te vjéfshemvet zyrtare te shtetit [7]  tué pelqyé mâ téper atà qe dijne gjuhen é zakonét é véndit. Emnim i te tjerevé nepunes civile é financjére é te gjygjetarevét nde mést t’atyné qe jane shqypetare é qe te kéne cilesiét é njohesiet é lypuna. Xhéndaret é agjéntét é policies ashtu dhè nepunesit t’jér te zgjidhén nde mést mâ te zotevét nga njérezit é véndit.   

7. – Emnim i nje perfaqsonjesi te Sulltani si inspektor i pergjitheshem per nje périudhe vjétesh mé barren qe te shekonje te vuemit bésnikisht n’udhe te nomit organik te mbaruarit é detyres se Valinjvet é te t’jérevét nepunes, é té mbajtunit é qétesies é te harmoniés nde mést t’éléméntévét te ndryshmé éthniké qe ndodhén nde Vilajétét bashkarisht.

8. – Perdorim i gjuhes shqype nde marrevéshjét ne mést te t’administruarvét é t’administratorevét te vêndit, é nde kuvêndét é gjykimét perpara gjygjévét per krah mé turqishtén qe âsht é mbétét gjuha zyrtaré e qévéries qendroré.

9. – Sherbim ushteriak i detyreshem per te gjithe Shqypetaret mé systéme skânjésh (systéme de cantonnement), ne kohe paqe; é nje organizim té veçante per vêndasit é visévét qe ndodhén ne kufî te Shtétévét Balkaniké, tué u dhâne léhtesien qe te munt te bâjne sherbimin ne vênt é te ruajne shegurien e kufinjvét. Ushtaret do t’a kéne te liir sherbimin é besevét te tyné é te mbajtunit é zakonévét te véta.

10. – Te lidhunit per névojet é vèndit te te gjitha t’ardhunavét, pervéç sé atyné te Gjym – [8] rykut, te Postes é te Télégrafes, te Duhanit, te Shpirtravét, é te Pullavét, te cilat jane dhâne per disa sherbimé te véçanta.

Te lânunit per ndertim udhash, é hékurudhash me nderâshtjé vêndoré é per mbajtjén é shkollavet te boteshmé te nje pjésè te téprices t’ardhunavét te permenduna sypri ashtù é dhé te te gjitha pagésavét per udha, te pagéses shtimoré per mesim é te 3 % te se dréjtes se hyrjés.

Tu njihet komunévét é dréjta é te prérit dréjt per se dréjti osé mé anen é t’jérevé, te pyjévet te véndit me detyre per komunét mé marre per barre ruajtjén é tyné, mé rregulluar te prérit, pas urdhnavét téknike, é mé i paguar fiskut nje pagése qe do te shênjohét pas llojit te drunjvét é pas largimit te pyllit nga limani osè nga vêndi i shitjés.

11. – Te dréjta per Keshillat é pergjitheshmé te munt te japin vêndimé mbi budgétin é Vilajétévét é te bâjne kontroll te prishunat.

12. – Kerkim i fundévét te névojeshmé qe te shegurohét mbledhja é te te hollavét qe lypsén per goditjén rishtazi te shtepiavét é te ndertésavét te djéguna; e thémélim i nje komisjoni te perziém (comission mixte) é te mosvarme qe te véshtronje kethimin ne vênt te njéresvét te dâmtuare é goditjén é shtepiavét te djéguna.

 Te kthéhén armet e marruna me detyre per atà qe i mbajne qe t’i shtarohen kanumit te posaçem.

Faqe 9 – 13 të Revistës ”Leka”, Nr. 1 – kallnduer 1937 Nga:  Bep M.Pjetri.

***

Shenim nga F.R.:

 Ajo “Histori” e shkrueme pa ngjarjet e Maleve tona të vitit 1911, nuk pranohet sot në fletët e sakta të Historisë së Shqipnisë. Mbas vitit 1944, disa “dr. prof e akademikë” e kanë fallsifikue Historinë, dhe e kanë shtremnue si ua kanë kerkue “disa…”, e fatkeqsisht ashtu asht edhe sot!

Detyra e sejcilit Atdhetar Shqiptar asht që “Memorandumi i Gerçes 1911”, duhet njoftë sakt nga të gjithë Ata që njohin edhe vedin per Shqiptar!

 

         

                                                                                  Foto Marubi 1911. 

            Melbourne, 17 Qershor 2024.

Kush ishte polici famëkeq i burgut të Burrelit: “Me sytë e shqarthit” dhe i besuari i Ministrit të Brendshëm të diktaturës Nga Bedri Çoku

Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Si u bë personazh në një film perëndimor pasi e përshkroi Arshi Pipa në një tregim të tij. “Ali Kurti“, në film, ia kishte kaluar në tortura edhe vetë xhelatëve nazistë, aq sa një oficer gjerman kishte zbrazur koburen në drejtim të ekranit…

Ali Kurti ishte polici më famëzi i burgut të Burrelit. Nuk dihet sa mund të jetë numri i të burgosurve politikë, vdekur dhe torturuar nga duart dhe shpirti i tij i pa mëshirshëm. Madje thonë se ishte aq i besuar e i mbështetur nga Ministri i Brendshëm i diktaturës, sa që, për çfarëdo që kërkonte e thoshte Aliu në atë burg, komandantët ishin të detyruar t’i bindeshin. Madje cilido që vinte dhe ikte si drejtues i burgut gjëmëmadh, rrinte gatitu përpara Aliut, që shërbente aty qysh nga dita e popullimit për herë të parë me kundërshtarët e komunizmit, nacionalistët, klerikët dhe ajkën e inteligjencës shqiptare. Kisha dëgjuar për këtë përbindësh nga të burgosurit e hershëm, kur u gjenda midis maleve të shkretuar të burgut të Spaçit, por vetëm aq. Asnjë detaj, asnjë karakteristikë tjetër për të. Vetëm si njeri me një shpirt katran, të zi në fytyrë, siç është zakonisht përfytyrimi për një katil që vret dhe torturon njerëz të pa fajshëm. Pata dëgjuar, mandej, se ai ishte edhe një nga personazhet kryesorë në LIBRIN e Arshi Pipës, botuar në Perëndim, sapo ky qe arratisur nga Shqipëria. Rrëfenjat e të cilit kishin tërhequr regjisorët më të mirë perëndimor dhe libri ishte xhiruar film, brenda një kohe rekord. Thoshin se ai, filmi, kishte lënë nam, duke revoltuar shumë qytetarë të botës së lirë për masakrat e komunistëve shqiptarë në burgun e Burrelit. “Ali Kurti“, në film, ia kishte kaluar në tortura edhe vetë xhelatëve nazistë, aq sa një oficer gjerman kishte zbrazur koburen në drejtim të ekranit…

 

Ndërsa kur u gjenda vetë në Burgun e Burrelit, menjëherë, sapo mora dënimin e dytë e të rëndë për shkak të kryengritjes që bëmë ne, të burgosurit politikë në burgun e Spaçit, e pashë dhe e njoha nga afër Aliun e tmerrshëm. Krejt ndryshe nga ç’e përfytyroja unë dhe shumë të tjerë si unë, vetëm nga të dëgjuarat. I thatë, biond, me sytë të zbardhur si hirra që sapo del nga napa e djathit, ai të kujtonte shqarthin që kacavirret pas pemës për të kapur gjahun e vet, ose dhelprën e cila, në pamundësi për ta rrëmbyer pulën e ngjitur në pemë, e vështron atë gjatë me sytë e hirrët, deri sa ajo rrëzohet në tokë, në mënyrë tepër të çuditshme. Këtë çudinë e dytë e pashë me sytë e mi në një nga rastet kur i burgosuri, trim i çartur, siç ishte Adem Allçi, gjithmonë i uritur, sa herë zemërohej dhe revoltohej me njerëzit e komandës, hipte në tarracën e banjave në mes të oborrit rrethuar nga muri i lartë 12 m., mbi të cilin rrinin si kurorë gjembaçët e fabrikës së Kavajë, nuk zbriste prej andej pa iu realizuar kërkesat që paraqiste. Përleshej me policët, gjakosej me ta, por tarracën nuk e lëshonte. Ndërsa kur i afrohej Ali Kurti, pasi kishte urdhëruar policët e tjerë të largoheshin nga rrethimi i tarracës çuditërisht, habiteshin të gjithë se si Ademi i llahtarshëm zbriste qetë-qetë shkallët që ia mbarte vetë kapter Aliu deri aty, ecte para këtij që çoç i thoshte me zë të ulët dhe pa kërcënime, deri sa kyçej në dhomën e vet, ndërsa famëziu vazhdonte shërbimin, sikur të mos kishte ndodhur asgjë…

Kisha dëgjuar që sa herë Adem Allçi i çartur, ngjitej mbi tarracë, po të mos ndodhej Ali Kurti në shërbim, dërgonin njerëz për ta marrë atë në shtëpi…

 

Një rast ndodhesha në birucë… Kisha pesëmbëdhjetë ditë që vuaja nga uria dhe të ftohtit, në dimrin e paharruar të vitit 1975. Në birucën përbri meje, nga e djathta, ndodhej Koço Tashkoja, vëllai i Tefta Tashkos, këngëtares së famshme, njeriu më i rëndësishëm i themelimit Partisë Komuniste në Shqipëri, më 1941, i pleqëruar, i cili rënkonte nga dhimbjet dhe të ftohtit, ndërsa në krahun tjetër kisha Gjin Markun, një nga gjeneralët kryesorë të luftës nacional-çlirimtare, siç e quanin komunistët, i cili nuk pushonte së bëri talim, duke kënduar pa u lodhur internacionalen e tyre… Për shkakun e këtyre, të dyve, Aliu më kishte lidhur dy herë në hallkat e hekurave të ngulur në mur, pse bërtisja për Koçon që e linin të vuante në birucë nga të ftohtit dhe uria, ndërsa qortoja gjeneralin e famshëm me zë të lartë për të mos e kënduar më atë dreq kënge, që i frymëzonte torturuesit për të na shtuar vuajtjet më tepër…

Image result for burgu burrelit

Ndonëse nuk isha rraskapitur ende deri në fazën që të flisja me vete, apo të shikoja nëpër muret e birucës figura njerëzish të vdekur e fantazma… siç ndodhte zakonisht me të gjithë të burgosurit politikë që vuanin dënimet ekstra në birucat e akullta të Burrelit, si në rastin tim, Koço Tashkos e Gjin Markut, ngaqë rregullorja për dënime të tilla ishte e pamëshirshme; që jepeshin kastile në palcën e dimrit për t’i torturuar armiqtë sa më shumë në birucat që kishin formën e gjashtëkëndëshit, me beton e mur të akullt…me një dritare të ngushtë mbi kokë, ku natën vegullonte e varur një llambë e nxirë nga tymrat e cigareve dhe pezhishkat e merimangave, ishin gjithçka që mund posedonte një njeri në “Siberinë” e krijuar nga sivëllai për të torturuar vëllanë e racës së vetë…

Çdo vaktë në biruca pritej me padurim për të kollofitur lëtyrën që sillte komanda dhe një copë bukë të përtharë ose të mykur. Pas kësaj përpirje, që s’të ngopte kurrë, sa hap e mbyll sytë, merrje edhe një cigare nga të tuat të cilat i ruante polici para derës së birucës. (Nga përjashta, kuptohet ).

Një ditë që Ali Kurti ishte në shërbim, për vaktin e mëngjesit, më kishte dhënë një letër cigareje dhe duhan, aq sa mendonte ai se ishte mjaftueshëm për kapacitetin e letrës që unë do të dridhja. Më kishte dhënë edhe dy fije shkrepëse, me qëllim që, nëse nuk do të ndizte njëra, të më shërbente tjetra. Për fat, e ndeza duhanin me shkrepësen e parë. Edhe në drekë, sipas rregullit, Aliu më dha prapë një letër cigareje dhe një puqër duhan sa ç’e mendonte ai se duhej. Më dha edhe dy fije shkrepëse, sepse kapakun me zhivë e mbanim brenda në birucë. I thashë sinqerisht, pa prapamendim se nuk më duheshin dy fije shkrepëse, ngaqë më kishte mbetur njëra, e mëngjesit. Ai më vështroi me vëmendje e, kur pa fijen e shkrepëses që e mbaja në dorë, u ul poshtë, mori tufën e letrave që kishin mbetur dhe një grusht duhan dhe m’i dha të gjitha, së bashku me fijet e shkrepëses së zbrazur…

 

Dhe iku.

Mbeta i çuditur nga veprimi i tij, të them të drejtën më futi në mendime, por nuk e vrava shumë mendjen, sepse, në çast m’u kujtua rasti i tij edhe me Adem Allçin…

Thashë me vete :

“Sa do kriminel qenka njeriu, gjithsesi, ardhka një çast dhe u bëka… i besueshëm. E mposhtka, siç duket, edhe atë e vërteta dhe

e ndershmja…”

Kjo që tregova më lartë s’ ka nevojë, mendoj unë, për t’u betuar nëse është e vërtetë apo jo. Ka plotë të jetuar nga ajo kohë dhe ai vend, madje edhe vetë Adem Allçi, që është i gjallë, i tregon këto gjëra po njëlloj siç i tregoj unë…

Nuk është qëllim im, për të çuditur lexuesin pikërisht me historitë e pa treguara. As për të mallëngjyer nostalgjikët e “trimave” të luftës për fitoren e komunizmit në Shqipëri, siç i ka treguar dhe i tregon sot e kësaj dite rrëfimtari i “Heronjve të Heshtur”, Mark Dodani… Mua më ngjall krup sjellja dhe mënyra se si sillen dhe flasin sot, në demokraci, bijtë e nipërit e “Heronjve të Heshtur…” ndaj viktimave të komunizmit, duke e krahasuar sjelljen e tyre, qoftë edhe me një polic të rëndomtë, kriminel, siç ishte në diktaturë, Ali Kurti …

“Është shtëpia ime e dytë”- Dëshmia e ish-ushtares kanadeze që shërbeu më 1998 në Drenas

Sophie Boisvert Levesque, ishte ushtare kanadeze që shërbeu në Kosovë gjatë luftës së fundit, megjithatë, për të Kosova u bë shumë më tepër se një zonë lufte, kurse kosovarët ishin shumë më tepër se refugjatë e të përndjekur.

Ajo tregon në detaje përjetimet e saj gjatë dhe pas mbarimit të misionit të saj në Kosovë dhe për mënyrën se si fëmijët kosovarë, e ndryshuan jetën e saj përgjithmonë…!

Më poshtë gjeni rrëfimin e saj të plotë.

Dëshmia e Sophie Boisvert Levesque:

I jam bashkuar Ushtrisë Kanadeze, në vitin 1990, kur isha 18 vjeçare, me pritshmërinë që një ditë do të dërgohesha diku në botë, për të ndihmuar. Zgjodha të krijoja familje në një moshë të hershme, vajzën e linda kur isha në moshën 20 vjeçare dhe djalin tim të parë, në moshën 23 vjeçare.

Prandaj, nuk pata mundësi të shërbeja diku, para se të bashkohesha në “408 Tactical Helicopter Squadron in Edmonton”, Alberta, Kanada.

Në fillim të vitit 1999, na thanë të bëheshim gati, sepse do të vendoseshim në Kosovë. Kushërira ime erdhi që të kujdesej për fëmijët e mi dhe unë atë kohë, fola me majorin, për t’u siguruar se do të vija. Kjo ishte ëndrra ime dhe me lajmet që na vinin nga Kosova, e dija se ishte koha të ndihmonim.

Supozohej që të niseshim në fund të qershorit të vitit 1999, por për shkak të zgjedhjeve në Greqi (atje do të merrnim kamionin tonë dhe pajisjet tjera), u detyruam të niseshim më herët. Përfundimisht e lamë Greqinë më 8 qershor.

Atë kohë, për mua çdo gjë ishte, aksion, ngazëllim dhe aventurë. Kur vjen nga një vend i qetë dhe nuk ke pasur mundësi ta shohësh asnjëherë luftën në sy, të duket sikur diçka e re.

Kur mbërritëm në Greqi, dëshiruan që ne të largoheshim që nga dita e parë. Nuk na deshën atje gjatë zgjedhjeve, prandaj i shkarkuam pajisjet dhe prisnim anijet, që të arrinin me kamionët tanë.

Posa i morëm të gjitha gjërat, u vendosëm në Maqedoni. Derisa po linim Greqinë, kishte shkrime grafitë kudo, me parulla, në të cilët shkruhej: “Kthehuni në shtëpinë tuaj, vrasës”, “U kthefshi në arkivole”.

Qëndruam në Maqedoni për disa javë, përpara se të vendoseshim në Kosovë. Nuk më kujtohet data e saktë, por nuk do ta harroj kurrë, se çfarë kam parë atë ditë. Të shohësh refugjatët dhe shkatërrimet në lajme, është gjë e keqe, por ta shohësh atë me sytë e tu, është e tmerrshme. U ndamë në grupe.

Të fluturoja mbi tërë ato shkatërrime, ishte zemër-thyese. Burra, gra e fëmijë, që lëviznin nëpër kampet e refugjatëve. Tenda të bardha të vogla, varre masive, shtëpi të djegura….! Më shumë se një tmerr…!Për mua si kanadeze, më mbeti e shkruar në zemër përgjithmonë. E kjo ishte, vetëm dita e parë.

U vendosëm në Kosovë, afër Gllogocit (tashti Drenas), në një kamp 1 kilometër katrorë, që do të bëhej shtëpia jonë, për pesë muajt e ardhshëm, gjatë shërbimit tonë atje. Posa aterruam, fëmijët u afruan afër telave dhe na kërkuan ushqim. Një prej nesh, kishte bonbone dhe çokollata dhe ua dha atyre.

Një nga fëmijët, më pyeti se pse nuk po buzëqeshja. Përgjigja ime ishte e shkurtër dhe e thjeshtë: “Më jep pak kohë, derisa ta përpijë tërë këtë gjendje”. Instinkti i nënës, që ndodhej brenda meje, u lëndua shumë. Atë botë, e ardhmja ime, po ndryshonte.

Gjatë ditëve në vijim, në shtëpinë tonë, që e krijuam larg shtëpisë sonë të vërtetë, erdhën dy policë ushtarakë dhe po kërkonin një udhëheqëse grua, për t’u marrë me fëmijët refugjatë, dhe më pyetën, nëse doja të bëhesha unë lidere e tyre.

Meqë i dua fëmijët, i doja edhe në atë kohë, si dhe dëshiroja të bëja diçka të mirë, pranova menjëherë. Shefi im i ushtrisë më dha leje që të shkoja me ta një herë në javë.

Dita e parë që vizitova fëmijët, ishte pak e çuditshme. E çuditshme sepse ata, kishin sy të mëdhenj dhe të pikëlluar, e nuk dinin çfarë të prisnin, megjithatë ishin gati.

Ne i fotografuam të gjithë fëmijët dhe në to dukeshin si kur të burgosur lufte. Pa buzëqeshje, fytyra të drejta dhe shumë të pasigurt. Kurse, për mua, ishte fillimi i një rrëfimi dashurie, të përjetshme.

Ata 21 fëmijë, u bënë të mitë. Ishin të çiltër dhe inteligjentë. Unë nuk isha trajnuar asnjëherë më parë dhe nuk dija edhe aq nga veprimet, që duhej të bëja me fëmijë, por bënim aktivitete të ndryshme. Një ditë u thashë fëmijëve, të vizatonin se çfarë do të bëheshin kur të rriteshin.

Në Kanada, kjo ishte një pyetje e zakonshme. Kur i pyesje fëmijët kanadezë, ata donin të bëheshin policë, zjarrfikës, mësues. Por, nga fëmijët e mi kosovarë, mora një shikim të trishtë. Dy prej tyre, më dhanë përgjigje, kurse të tjerët, nuk e dinin.

Erdha në përfundimin se; kur nuk e di nëse do të jesh nesër, nëse do të kesh çfarë të hash, kur shtëpia jote, nuk ka çati, ajo se çfarë do të bësh, pas 20 vitesh, është plotësisht e parëndësishme.

Çdo javë më jepnin lule dhe biskota. Sa herë që i mbaja lulet, më vinte një ndjesi çlirimi, sepse edhe një ditë, fëmijët e mi kishin shpëtuar nga minat dhe do të kisha më shumë kohë t’i doja.

Isha e mrekulluar nga fakti, se sa pak kishin ata fëmijë dhe sa shumë donin t’i ndanin gjërat me mua. Nuk munda t’i merrja lulet me vete, por asnjëherë nuk i kam hedhur dhe nuk i kam ngrënë çokollatat e dhuratat tjera, që mora. Madje, i ruaj ende. Po të mos i ruaja, do të më dukej sikur po shkatërroja, lidhjen me fëmijët.

Dy nga vajzat e mia, një ditë më erdhën me dy kukulla. Donin t’ia jepnin vajzës sime. Përmes përkthyesit, u thashë që, me shumë gjasë, vajza ime, kishte më shumë kukulla, kështu që do të ishte më mirë, t’i mbanin.

Nuk do ta harroj asnjëherë, përgjigjen e tyre. Ato po m’i dhuronin ato kukulla, për ta falënderuar vajzën time, që e kishte ndarë nënën e saj me to, për gjashtë muaj.

Ditët e mia u bënë më të lumtura, kur ishim në gjendje të shihnim dritat, që po ktheheshin në fshatrat përreth. Kur shihnim se jetës së tyre, po i kthehej realiteti, ishte një ngushëllim për mua dhe shumë njerëz të tjerë.

Fëmijëve më në fund, po u kthehej buzëqeshja. Më kujtohet se nuk ishim të lejuar për të dhënë ilaçe apo, ndonjë gjë tjetër, për njerëzit rreth nesh, por ne e bëmë.

Një nga fëmijët e mi, erdhi njëherë në tendë dhe më kërkoi. Nëna e tij kishte një dhimbje të fortë dhe nuk mund të shkonte tek dentisti. E takova dentistin tonë dhe i tregova të vërtetën, se kisha nevojë për ndihmë, porse ilaçi, nuk ishte për mua, e ai prapëseprapë më ndihmoi. Ishte mashtrim, por nuk mund të rrinim pa bërë asgjë.

Pastaj, njëra nga vajzat e mia, kishte lytha në duart e saj. Unë e kisha një të tillë, kështu që kisha mundësi, të merrja ilaçe. Ia dhashë asaj. Përkthyesi ynë më ndihmoi, t’ia shpjegoja asaj se si ta përdorte atë. Ne i thamë asaj, që ta përdorte çdo ditë pas dushit.

Për ne, një dush në ditë, ishte normale. Ajo më shikoi dhe më tha që ajo, nuk mund ta bënte dush çdo ditë, kështu që ne i thamë të lante duart me kujdes çdo ditë dhe pastaj ta përdorte ilaçin që i dhamë.

Ishim dy botë plotësisht të ndara, sepse neve kurrë, nuk na u desh t’i mbijetonim asnjë lufte. Po më mungonin shumë fëmijët e mi, por e dija se duke i ndihmuar fëmijët kosovarë, edhe ndarja kishte vlerë.

Takimi i fundit ishte shumë i vështirë. Ne ishim renditur në rresht, për të thënë lamtumirën dhe i shtrënguam duart. Unë isha gruaja e vetme dhe ndodhesha në fund të rreshtit.

Fëmijët filluan të qajnë para meje dhe unë i mora në krahët e mi. Kjo po e ngadalësonte procesin, por isha aq e lënduar, sa nuk kisha zgjidhje tjetër, pos t’u thosha lamtumirë, në atë formë.

Ferri filloi kur u ktheva në shtëpi. Unë nuk dija të bëhesha nënë për fëmijët e mi dhe isha e frikësuar, për ata që lashë prapa. Për mua lufta nuk mbaroi sepse, isha në shtëpi dhe kisha frikë se ata ishin lënduar, ose në rastin më të keq, fëmijët e mi, ishin vrarë.

Para se të largohesha, i dhashë adresën time të gjithë fëmijëve, që të mund të shkruanin. Isha në një periudhë shumë të errët të jetës sime, kur mora një letër, nga Labinoti im i vogël.

Unë kurrë nuk iu përgjigja letrës së tij dhe pendohem për këtë gjë. Të gjitha kontaktet u ndërprenë, për 19 vitet e ardhshme. Doja të dija, por isha shumë e frikësuar, nga përgjigjja që mund të merrja. Kështu m’u shfaq një çrregullim stresi post-traumatik dhe nuk kam qenë kurrë më në gjendje, të jem e njëjtë me fëmijët dhe familjen time.

Çdo ditë, çdo javë, pa i treguar familjen time, po mendoja për 21 fëmijët e mi, fëmijët e mi nga Kosova. Më është dashur një kohë e gjatë, për të mbledhur guximin, për të bërë diçka. Unë isha luftëtare krenare dhe e fortë atje, por u ktheva, u bëra një person i pafuqishëm dhe i mërzitur.

Më 8 qershor 2018, i thashë vetes mjaft! Postova në një grup të cilit, i isha bashkuar disa javë më parë, “Young People of Kosovo” dhe kërkova ndihmë prej tyre, për t’i gjetur fëmijët. Kam ndjenjën sikur i gjithë vendi, më ndihmoi, të gjithë ishin të gatshëm.

Një polic kishte shkuar derë më derë në Drenas, për të gjetur informacion. Disa më thirrën, të tjerët më shkruan, por u deshën vetëm 72 orë, për t’i gjetur të gjithë gjallë dhe mirë.

Kosova është si shtëpia ime e dytë. Kam kontaktuar me fëmijët e mi, përmes internetit, por dua t’i marr në krahë përsëri dhe të mos i lë më kurrë të më ikin.

Ndjehem sikur i kam dhënë ata për adoptim dhe tash i kam gjetur vite më vonë. Unë e di se ata kishin prindër, familje dhe dashuri, por më kishte lënë një plagë të pashërueshme tek unë, fakti nuk e dija se çfarë kishte ndodhur me ta…!

Fëmijët e mi biologjikë, duhet të më falin. Unë nuk isha një nënë e mirë për ta, për shkak të asaj që po ndodhte në kokën dhe zemrën time. Por, tani unë jam e plotë përsëri. Kam familjen time këtu dhe familjen time atje. Po e lë prapë shtëpinë, për t’u kthyer në shtëpinë time të dytë, në Kosovë.

Shumë prej kosovarëve, më falënderojnë për kontributin tim dhe më trajtojnë si heroinë, por heronjtë e vërtetë, jeni ju. Ju përjetuat dhe i mbijetuat një lufte të tmerrshme. Falënderimi më i mirë për ne, është që t’ju shohim juve teksa, përparoni në jetë. Jam krenare me të gjithë ju. Memorie.al

DATA  DHE  FAKTE- Nga Fritz RADOVANI

 

1854 – 1909

 

1858 Kisha Katedrale Shkoder

 

Fakte historike: Në vitin 1856 vijnë në Shkoder pesë austriakë, per me bisedue me sundimtarin turk dhe ikin pa u marrë vesh prej askujt bisedimet e zhvillueme në Shkoder.

Edhe nga Stambolli po atë vit, vjen një i derguem me bisedue me konsullin austriak në Shkoder. Ai u takue me Ipeshkvin e Shkodres dhe Pashen.

Në vitin 1858 hidhet Guri i Parë i Kishës Katedrale të Shkodres (Kisha e Madhe Shkoder, ma e madhja në Ballkan).

Në vitin 1854 Kushë Micja lejohet me hapë shkollë per vajza.

Asht viti 1859, kur themelohet Seminari Papnor i Shkodres. Në Gusht të vitit 1861, Françeskanët ndertojnë Kuvendin e tyne në Shkoder.

Lejohen me u botue librat e Don Ejëll Radojës, të gjithë me karakter kombtar e historik, në gjuhen shqipe.

Në shkurt 1867, Shkodra bahet Seli Argjipeshkvnore.

Me 1 Shtator 1871 zhvillohet Konçili i II Shqiptar.

Në Tetor 1874, hapet shkolla e parë laike në Shirokë, prej Don Zef Ashtës, ku mësohet gjuha shqipe dhe aritmetikë. Shkolla u hap në shtëpinë e Tom Mark Radovanit.

Në Shkurt 1878, Malet e Veriut protestojnë kunder qeverisë Athinës, per çeshtjen e Epirit.

Në 1899, Abati i Mirditës Imz. Preng Doçi krijon në Shkoder Shoqninë Letrare “Bashkimi”.

Në vitin 1902 Shkolla Françeskane e drejtueme nga At Gjergj Fishta, jep mësimet në gjuhen Shqipe.

Në vitin 1903 Shoqnia “Agimi” në Shkoder, fillon botimin e librave me Alfabetin e vet.

Në vitin 1908, Shkodra dergon në Kongresin e Manastirit At Gjergj Fishten, Don Ndre Mjedjen, Luigj Gurakuqin, Mati Logorecin dhe Hilë Mosin, ku aprovojnë Alfabetin e Gjuhës Shqipe të krijuem nga At Gjergj Fishta.

Po në Shkoder, formohet klubi “Gjuha Shqipe”.

Në vitin 1909 në Shkoder dalin gazetat “Koha” e “Bashkimi”, me karakter letrar e Atdhetar.

 

Shenim F.R.: (Datat dhe faktet janë marrë nga studjuesi shkodranë Mësuesi Gjush Sheldija.)

Ndihma e madhe e Austro – Hungarisë nder këto vite edhe sot, asht e pakjartë dhe shumë e errtë e shkrueme nder libra.

Shqiptarët vazhdojnë mos me shkrue Historinë si asht n’ fakt!

          Melbourne, 13 Qershor 2024.

Kokainë direkt nga Sinaloa- Shpërthen skandali: Duçka rekrutoi gjeneralin që këshillonte Ramën, FBI po heton rrjetin

Një skandal i madh ka tronditur Rumaninë këto ditë.

Në qendër të kësaj furtune është një ish-gjeneral i shërbimeve sekrete rumune.

Bëhet fjalë për Florian Coldea-n, emri i të cilit është shfaqur edhe në median shqiptare përpara disa vitesh.

Por si është historia?

E shpjeguar me pak fjalë, Coldea dyshohet se është përfshirë në një rrjet të trafikut të kokainës direkt nga karteli i frikshëm i Sinaloas meksikane.

Gjenerali rumun ofronte mbrojtje për rrjetin që e sillte kokainën nga Meksika drejt Shqipërisë dhe më pas në Rumani ku shpërndahej kryesisht në zonat e pasura.

Sipas gazetës rumune, EVZ, gjenerali rumun ishte rekrutuar në këtë rrjet nga famëkeqi Dorian Duçka. Ndërmjetësja e kësaj historie të frikshme trafiku ishte e dashura e gjeneralit, e quajtur Marina Pandarof.

Gazeta ka publikuar edhe një foto ku shfaqet gjenerali së bashku me Dorian Duçkën dhe të dashurën e tij, të cilën mediat e etiketojnë si ‘biondja fatale’.

“Fotoja është bërë në Berlin, ku të tre u takuan për të bërë pazare droge në zinxhirin Meksikë-Shqipëri-Bukuresht’. Siç mund ta shihni, gjenerali ishte shumë i dashuruar me bionden e tij fatale,” shkruan gazeta.

Ndërkohë, Romania TV raporton se gjenerali kishte fituar një kontratë konsultimesh në Shqipëri, madje këshillonte edhe vetë Edi Ramën, të cilin televizioni e cilëson si ‘një nga politikanët më kontrovers në rajon’.

“Shqipëria është e famshme për faktin se bandat shqiptare kanë zhvilluar “industri” reale të armëve, alkoolit, kontrabandës së cigareve dhe naftës, trafikut të drogës dhe prostitucionit. Sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine sillen në Shqipëri, të cilat shpërndahen në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas transportohen në Perëndim.

Dhe ky Dorian Duçka njihet për gazetarët shqiptarë si njeriu që ndihmon kryeministrin Edi Rama në marrëdhëniet e tij me biznesin dhe mjedisin kriminal shqiptar. Për shkak të afërsisë së tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama, karriera e Dorian Duçkës nuk ka qenë pa polemika, duke u dyshuar për dy raste korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar,” raporton Romania TV.

Këtu historia bëhet edhe më interesante. Kjo për shkak se mediat rumune raportojnë se Edi Rama e ka vetë një lidhje direkte me kartelin më të rrezikshëm në planet, Sinaloa.

“Në shtator 2022, gazeta meksikane “El Universal” botoi një raport të forcave meksikane kundër drogës, sipas të cilit Karteli Sinaloa (dikur i udhëhequr nga famëkeqi Joaquín “El Chapo” Guzmán) krijoi një aleancë me mafien shqiptare, si rezultat i së cilës trafikantët meksikanë filluan të pastrojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri. Sipas autoriteteve meksikane, lideri i kartelit, Ismael Zambada García, i njohur si El Mayo, ka krijuar marrëdhënie të ngushta me vëllezërit Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa, biznesmenë të njohur shqiptarë me lidhje në nivel qeveritar. Lidhjet e tyre në nivel qeveritar janë pikërisht ai që mendoni ju, Dorian Duçka, njeriu i kryeministrit Edi Rama,” raporton Romania TV.

Më tej, gazeta EVZ shpjegon se ka një foto që shpjegon gjithçka.

“Fotoja e bërë në vitin 2020, tregon se si tre persona—Mark Hauptmann, një ish-deputet i partisë CDU-CSU të Gjermanisë; Luftar Hysa, partner i kartelit Sinaloa; dhe Besnik Lulaj, një biznesmen i njohur shqiptar që zotëron Marina Bay, një firmë e madhe ndërtimi hotelesh dhe resortesh në Shqipëri, po largohen nga zyra e kryeministrit Edi Rama. Dorian Duçka, i cili raportohet se është në kontakt me përfaqësues të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të kartelit meksikan, organizoi takimin, sipas mediave shqiptare. Ne e kemi përshkruar me detaje këtë tablo politike në Shqipëri që të kuptoni dhe shihni nivelin e korrupsionit në krye të shtetit dhe kuptoni më mirë pse, në këtë mjedis, Florian Coldea ia dilte si peshku në ujë në mjedisin e tij,” raporton gazeta.

Në shkrim theksohet se jo vetëm kaq, por Edi Rama dhe Dorian Duçka kanë korruptuar edhe një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane. Bëhet fjalë për Charles McGonigal.

“Shtypi shqiptar pohon se ish-kreu i FBI-së ishte pranë Edi Ramës, i cili ishte përpjekur t’i organizonte politikanit shqiptar një takim me përfaqësuesit e një kompanie amerikane (pa emër) për të nisur një projekt antikorrupsion, një operacion i pa miratuar nga udhëheqja e FBI-së. Më shumë nga sa kemi treguar tashmë, sipas faqes shqiptare Syri.net, McGonigal jo vetëm që ka vizituar Shqipërinë, por ka regjistruar edhe një kompani në emër të tij në Tiranë. Fotoja e mëposhtme është publikuar nga Syri.net për të demonstruar lidhjet e trekëndëshit Edi Rama – Dorian Duçka – Charles McGonigal,” shkruan gazeta.

Sipas Romania TV dhe medieve të tjera rumune, FBI po e heton intensivisht këtë rrjet të trafikut.

ImageImage

Lidhja e Prizrenit, cilët ishin hartuesit e programit politik dhe tri detyrat! Çfarë ndodhi me 10 qershor të 1878-ës

Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.


Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë, siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane.

Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi. Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin Pashë Dino, me veprime të shkathëta diplomatike penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë.

Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali Pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokoli, të cilat u shkaktuan humbje të rëndë forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën. Të gëzuar për fitoret e arritura, shqiptarët shprehën vendosmërinë që të mos lëshonin qytetin e Ulqinit.

Nën presionin e flotës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha dhe të rrethuara nga trupat osmane dhe malazeze, komandanti osman Dervish Pasha theu më në fund qëndresën e shqiptarëve dhe më 26 nëntor 1880, Ulqini iu dorëzua forcave malazeze. Rezistenca e shqiptarëve kundër Portës së Lartë vijoi edhe më pas. Në muajin maj 1881 pas një numër arrestimesh të drejtuesve të saj dhe persekutimi të popullsisë shqiptare, Lidhja e Prizrenit, u shtyp nga Porta e Lartë.

VULA E LIDHJES SË PRIZRENIT

Droja e shqiptarëve se mos territoret e tyre do të ndaheshin mes Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i mbushi me zell për të bërë qëndresë. Në traktatin e parë të pasluftës, në Shën Stefan, u nënshkrua dorëzimi i disa territoreve të Perandorisë Osmane, ndër to edhe territore të banuara nga shqiptarë. Perandoria Austro-Hungareze dhe Britania e Madhe e bllokuan marrëveshjen, duke qenë se do t’i jepte Rusisë pozicione kyçe në Ballkan, duke prishur kësodore peshoren e fuqive. Për ta zgjidhur këtë çështje, një konferencë paqeje u mbajt po atë vit në Berlin. Krejt situata çoi në organizimin e shqiptarëve me këshillimin e Stambollit në këshilla vendorë për të mbrojtur territoret e banuara nga shqiptarët.

Të nxitur nga rrethanat, në dhjetor të 1877-s Abdyl Frashëri organizoi Komitetin e Stambollit – anëtarët bënë një mbledhje të përgjithshme majin e 1878-s. Më 10 qershor 1878 përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajraklie të Prizrenit për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit. Në mbledhjen e parisë më 18 qershor u radhitën qëndrimet e mbajtura në një shkresë të vendimeve quajtur Kararnamé, që u firmos nga 47 përfaqësues të kazave të vilajetit, ku në krye janë firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit. Po atë ditë paria e Shkodrës i telegrafoi shtabit të Lidhjes se do t’i bashkohej lëvizjes dhe se së shpejti do të dërgonte delegatët.

Më 23 qershor do të ishin të pranishëm krejt delegatët e qyteteve shqiptare në Prizren. Më 30 qershor u paraqitën edhe delegatët e Shkodrës me Jusuf agë Sokolin me një delegat të Podgorica dhe 7 krenë prej Malësie. Në Kararnamé u dokumentua vullneti nistor i organizimit, ku flitej për tërësinë territoriale të perandorisë dhe t’u rikthehej status quo-ja e para Luftës Ruso-Turke. Synimi kryesor ishte mbrojtja ndaj rreziqeve të menjëhershme, lakohej mbrojtja e Dinit, Devletit dhe Vatanit, mosnjohja e Bullgarisë dhe rikthimi me armë i territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi nëse nuk do t’i dorëzonin me vullnet të lirë. Delegatët ngritën një organizim, Lidhjen e Prizrenit, që kishte fuqinë të vendoste taksa dhe të mobilizonte një ushtri. Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.

Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut. Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Qorr Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës. Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese. Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtina, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj. Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme.

Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit që kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit. Lidhja në korrik u nda në komitete, të cilat kishin dy degë madhore: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut. Dega e Prizrenit drejtohej nga Iljaz pashë Çoku me përfaqësues nga Kërçova, Tetova, Prishtina, Mitrovica, Vuçitërna, Shkupi, Gjilani, Manastiri, Dibra dhe Gostivari. Komisioni i Degës së Shkodrës përbëhej kryetarit Daut efendi Boriçit, Selim efendi Çoba, Shaban beu i Bushatllinjve, Haxhi agë Lohja, Selim agë Gjyrezi, Et’hem agë Kazazi, Ibrahim efendi Dragusha, Ibrahim Idriz Hoxha, Osman Bekteshi, Filip Çeka, Ndrekë Shiroka, Gjon Muzhani e Zef Simoni. Për këtë degë, Et’hem agë Kazazi qëndronte gjithnjë në Prizren. Dega e jugut që kishte mbajtur një takim po të tillë në Gjirokastër, drejtohej prej Abdyl Frashërit dhe përbëhej prej përfaqësuesve të Kolonjës, Korçës, Artës, Beratit, Pargës, Gjirokastrës, Përmetit, Paramithisë, Filatit, Margëlliçit, Vlorës, Tepelenës dhe Delvinës.

Në këto vise lëvizja mbështetej më shumë tek elementi mysliman, për arsye se elementi ortodoks ishte më së shumti nën ndikimin grek. Nga ana tjetër, në veri myslimanët me katolikët ishin bërë palë për synimet e Lidhjes. Të dy komitetet hynin në kontakt me njëri-tjetrin nga njerëz të besuar që piqeshin në Elbasan.

ÇËSHTJA E VISEVE SHQIPTARE NË KONGRESIN E BERLININ

Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbeteshin vilajetit të Shkodrës. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf agë Sokoli, Selim agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj. Memorandumi nuk u përfill nga Kongresi, që ua njohu kërkesat Serbisë dhe Bullgarisë ndaj territoreve të lëshuara nga Perandoria Osmane krahas kërkesave shqiptare.

Kancelari prusian, Bismark, e çmoi Ballkanin si pjesë e Çështjes Lindore se “i gjithi nuk ia vlen as sa eshtrat e shëndetshme të një granadieri të vetëm pomeranez”. Qëndrimet e Lidhjes u përkrahën po ashtu edhe nga kolonia shqiptare e Stambollit, e përbërë prej nëpunësish të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët më 20 qershor 1878 i nisën një memorandum ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare: «Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj.

Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. Më 21 qershor, ish-deputeti i Podgoricës në Mexhlisin Osman, Jusuf Efendiu u drejtoi një telegram fuqive të mëdha dhe një Kongresit që Podgorica t’i mbetej Perandorisë Osmane. Rilindasi Jeronim de Rada i dërgoi një letër kryeministrit britanik, lordit Beaconsfield me të cilën i lutej që të interesohej për të drejtat shqiptare.

REZISTENCA USHTARAKE

Marshalli osman Mehmed pashë Maxharri, pjesë e delegacionit osman në Kongresin e Berlinit, u caktua të mbikëqyrte përcaktimin e kufijve të rinj në viset veriore shqiptare, përkatësisht kazanë e Gucisë. Me të vajtur për të përcjellë lajmin e ardhur nga Stambolli, ana më e bindur e Lidhjes i kërkuan që të largohej, mirëpo ra mik tek kryetari i degës së Lidhjes në Gjakovë, mikut të tij Abdullah pashë Drenit. Ndodhia u përshkallëzua ngaqë Abdullah Pasha nuk e dorëzonte dot mysafirin, si pasojë u rrethua dhe u vranë të dy pashallarët në atë që njihet si Aksioni i Gjakovës.

Kjo gjakderdhje mbahet si veprimi i parë ushtarak i Lidhjes kundër nismës së dorëzimit të një territori të banuar nga shqiptarë. Fuqitë e Lidhjes u përplasën me njësitë malazeze nga tetori i 1879 deri në janar të 1880 në Plavë e Guci, me në krye Ali pashë Gucinë. Pas qëndresës për lëshimin e atyre viseve, u mendua t’i jepej Malit të Zi një rrip toke buzë lumit Cem sipas kompromisit i Kortit, delegat i Italisë në Kongres. Porsa u mor vesh ndërrimi i Plavës dhe Gucisë me Hotin, 2/3 e Grudës dhe stane e kullota të Kelmendit, bajraktarët e viseve i dërguan lutje konsullit austro-hungarez në Shkodër.

Me datën 11 prill 1880 në një mbledhje Dega e Lidhjes në Bibliotekën e Pazarit u vendos mbyllja e Pazarit dhe u lajmërua populli të ishte gati për luftë. Më 22 prill komandanti i ushtrisë së Tuzit, Haxhi Osman Pasha, ndoqi urdhrin e dorëzimit të territoreve ndaj malazezëve, por u shpërndau fishekë e armë vullnetarëve shqiptarë. Nga Shkodra u mobilizuan 1500 burra të armatosur, të drejtuar nga Hodo Begu dhe më pas iu shtua kapidani Preng Bibë Doda. Beteja e parë mes forcave u zhvillua te Ura e Rrzhanicës. Pas qëndresës së radhës, Fuqitë e Mëdha ripërcaktuan lëshimin e territoreve duke i dhënë Malit të Zi, Ulqinin me rrethet e tij deri në Bunë. GSH

Gjenerali britanik kujton momentin shmangies së Luftës së tretë Botërore në Kosovë

Komandanti parashutist në pension, Adrian Freer, kujton kohën kur kaloi një 24 orësh “të çuditshëm” me forcat ruse që vërshuan në aeroportin e Prishtinës në qershor 1999 në fund të luftës në Kosovë dhe “katastrofën” që u shmang.

Nga Serbeze Haxhiaj, BIRN

Deri më 11 qershor 1999, plani ishte që parashutistët e Brigadës së 5-të Ajrore të komandantit Adrian Freer të zbarkonin në aeroportin jashtë Prishtinës, por komandantët e NATO-s kishin ndryshuar mendim dhe, në vend të kësaj, i dërguan ata të siguronin hyrjen jugore në Kosovë, në Qafën e ngushtë të Kaçanikut.

Kush e di se ç‘do të kishte ndodhur, nëse s’do të ishin ridrejtuar. 250 trupa ruse ishin nisur tashmë drejt aeroportit nga toka nëpërmjet Bosnjës dhe Hercegovinës, duke fituar avantazh mbi 50,000 ushtarët e udhëhequr nga NATO-ja që po vinin nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Ishte një fillim ogurzi për vendosjen e NATO-s pas 11 javësh sulmesh ajrore për të dëbuar forcat nën sundimin e presidentit të atëhershëm serb Sllobodan Millosheviç.

Ndërsa NATO-ja vendosej, forcat jugosllave dhe serbe duhej të tërhiqeshin njëkohësisht, por asgjë nuk ishte e garantuar.

“Trupat e NATO-s vendosën që nëse Ushtria Jugosllave dëshironte të bënte të vështirën, gryka e Kaçanikut mund ta bllokonte atë”, kujton Freer, 25 vjet më vonë, në një intervistë nga shtëpia e tij në Skoci.

Por ata nuk kishin llogaritur rusët.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Pati shumë pak vonesa në kalimin në grykën e Kaçanikut dhe më pas m’u kërkua të shkoja në aeroportin e Prishtinës shumë shpejt”, kujton Freer. “Situata ishte jashtëzakonisht e tensionuar.”

Historia e vërshimit të rrufeshëm të trupave ruse në Prishtinë dhe ajo që pasoi u bë legjendë kur, muaj më vonë, doli se gjenerali britanik përgjegjës për forcat e NATO-s të vendosura në Kosovë, Michael Jackson, refuzoi një urdhër nga komandanti suprem amerikan i NATO-s, Wesley. Clark, për të dëbuar rusët.

“Nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, raportoi Newsweek t’i ketë thënë Jackson komandantit Clark, duke ngritur shqetësime serioze në atë kohë mbi zinxhirin e komandës në aleancën ushtarake perëndimore.

Përpara 25-vjetorit të përfundimit të luftës së Kosovës dhe vendosjes së NATO-s, 71-vjeçari Freer i tregoi BIRN për 24 orët “e çuditshme” që kaloi me gjeneralin rus Viktor Zavarzin dhe për bindjen e Jackson se ngërçi mund të zgjidhej në një ” mënyrë prej ushtari”.

“Kontingjenti rus ishte i vogël, por ata ishin mjaft të armatosur dhe nëse do të kishte pasur një luftë, ajo mund të ishte përshkallëzuar shumë lehtë”, tha ai për BIRN.

Rusia dhe Serbia “dorë për dore”

Sipas Freer, NATO-ja e dinte se rusët ishin rrugës për në aeroport. “Rusët kishin përparuar me shpejtësi të konsiderueshme”, tha ai.

Detyra për t’u përballur me ta i ra forcave britanike dhe Freer, veteranit të Falklands.

“Unë arrita atje dhe pati një bllokim”, tha ai. “Filluam bisedimet me gjeneralin rus në një lloj karvani ushtarak në aeroportin e Prishtinës. Ishte një takim shumë i tensionuar. Askush nuk e dinte se si do të shkonte.”

U bë shpejt e qartë, tha ai, se nuk mund të flitej për dëbimin e rusëve “për njëfarë arsyeje diplomatike”.

“Marrja e një pjese toke shihej si dobi taktike dhe operacionale për forcat ruse”, tha ai.

Zavarzin, i cili ishte përfaqësuesi ushtarak i Kremlinit në NATO në atë kohë, ishte “shumë i qartë në objektivin e tij”, tha Freer. Prania e gjeneralit i jepte operacionit rus peshë të konsiderueshme.

“Siç dihet, Rusia dhe Serbia duke qenë dorë për dore, ishte më shumë Rusia që vinte në ndihmë Serbisë, nëse mund ta them kështu.”

Teksa kujton atë kohë, Freer tha se pozicioni britanik për shmangien e konfrontimit të drejtpërdrejtë me forcat ruse “ishte absolutisht i drejtë”.

“Në fund të ditës, mbizotëroi logjika. Do të kishte qenë thjesht një katastrofë”, tha ai.

Ndërsa Jackson u kthye në Maqedoninë e Veriut, Freer qëndroi në aeroport.

“Hëngra me rusët dhe duhet të them se racionet e tyre ishin shumë pak ftues”, tha ai. “Ishte një natë interesante e pasluftës.”

Rusët mbajtën një prani në aeroport për katër vjet përpara se të tërhiqeshin në korrik 2003. Pesë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia me mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore, por jo atë të Rusisë dhe Serbisë.

Jehona në Ukrainë

Ndërsa lëvizte nëpër Kosovë menjëherë pas vendosjes, Freer kujton se pa “një sasi të madhe shkatërrimi”, fshatra të rrafshuar dhe civilë të vdekur.

“Jo larg Prishtinës, në një fshat pamë se kishin vrarë rreth 50 fshatarë të të gjitha moshave”, tha ai, duke iu referuar forcave serbe.

Por edhe pse shqiptarët e Kosovës i përshëndetën autokolonat e NATO-s në avancim me lule dhe buzëqeshje, Freer tha se dislokimi ishte i mbushur me sfida operacionale dhe “gabime planifikimi” ndërsa ai kërkonte të garantonte një zonë tampon midis avancimit të trupave të NATO-s dhe tërheqjes së forcave jugosllave dhe serbe.

Pavarësisht incidenteve sporadike që përfshijnë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Freer tha se NATO-ja “garantoi që tërheqja e forcave serbe të mos pengohej nga UÇK-ja”.

“UÇK-ja e kuptoi se mes tyre kishte elementë mashtrues, fanatikë që mendonin se duhej të tregonin diçka. Por nëse të kanë vrarë familjen, nuk do të jesh i predispozuar të jesh dashamirës.”

Një çerek shekulli më vonë, në mes të një lufte të re në Evropë, Freer tha se ai dhe ushtarët e tij që u vendosën në Kosovë mendonin se ata “po merrnin pjesë në diçka të qëllimshme, me një qëllim të vërtetë”.

“Kishte padyshim një spastrim të tmerrshëm etnik dhe njerëzit ishin traumatizuar”, tha ai për BIRN dhe tha se kishte paralelizma me Ukrainën që nga pushtimi i plotë i Rusisë ndaj fqinjit të saj në shkurt 2022.

“Nuk ka dyshim. Ne po mbështesnim një operacion humanitar pas mizorive të kryera”, tha Freer. “Është qartazi e ngjashme me atë që po ndodh tani në Ukrainë, ku popullsia civile është në vijën e parë dhe vuan.”

I pyetur nëse ai parapëlqente më shumë një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë nga Perëndimi në luftën në Ukrainë, Freer tha se do të ishte “e pamend” nga ana e tij të përpiqej të hamendësonte drejtimin e ardhshëm të NATO-s në lidhje me konfliktin.

“Megjithatë”, tha ai, “nuk ka absolutisht asnjë dyshim se pa mbështetjen e plotë të NATO-s, veçanërisht trajnimin e saj të ushtarëve ukrainas dhe sigurimin e armatimeve dhe materialeve, Ukraina nuk do të ishte në gjendje të mbështeste operacionet e saj aktuale.”

“NATO-ja, jam i sigurt, do të monitorojë vazhdimisht situatën në mënyrë që të jetë në gjendje të vlerësojë qeveritë anëtare mbi atë që duhet bërë për të arritur një rezultat pozitiv në një sërë skenarësh të dhënë.”

Përplasja mes NATO-s e Rusisë për Aeroportin e Prishtinës

Trupat ushtarake ruse në Sllatinë, më 12 qershor 1999.

 

Valona Tela

“Tradhti ruse” e quan gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, dislokimin e befasishëm të rreth 200 trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës, më 12 qershor të vitit 1999. Rusia donte të turpëronte NATO-n, por edhe të shpërfaqte ambiciet e saj imperialiste, thotë Clark, 25 vjet pas incidentit.

Në kohën kur ndodhi, ai ishte komandant suprem i NATO-s dhe po vëzhgonte vendosjen e një misioni paqeruajtës të aleancës ushtarake në Kosovë.

“Ky është, në thelb, një problem politik dhe është duke u trajtuar në mënyrë politike. Nuk është duke ndikuar në dislokimin e forcave tona apo në aktivitetet tona, kështu që le ta zgjidhim në nivel politik”, tha atëkohë Clark.

NATO-ja do të vendosej në Kosovë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës – më 9 qershor, 1999 – me të cilën mori fund lufta në Kosovë dhe forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën.

Misioni paqeruajtës KFOR u miratua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Rezoluta 1244 e tij i autorizoi shtetet anëtare të OKB-së për të mbajtur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

Rusia – e cila luajti rol në bindjen e presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për t’i dhënë fund luftës – synonte një sektor të vetin në Kosovë, të pavarur nga NATO-ja, kujton gjenerali Clark.

Dhe, natën mes 11 dhe 12 qershorit, 1999, një kontingjent prej rreth 200 ushtarësh rusë u shkëput nga misioni paqeruajtës SFOR në Bosnje dhe Hercegovinë, e zëvendësoi shkronjën “S” me “K” për ta bërë KFOR, dhe u nis drejt Kosovës.

Në anën e kundërt, nga Maqedonia e sotme e Veriut, trupat britanike të NATO-s po bëheshin gati, po ashtu, për të hyrë në Kosovë.

Garën e fituan rusët. Ata arritën të parët në Prishtinë dhe okupuan aeroportin në Sllatinë mëngjesin e 12 qershorit. Pak orë më vonë arritën edhe britanikët, e pastaj edhe francezët, por rusët nuk i lejuan të hynin në aeroport, duke i kërcënuar me përdorimin e armëve.

“Misioni ynë ishte të vendosim një depo karburantesh këtu në aeroportin e Prishtinës, por kur mbërritëm, pamë rusë dhe serbë, dhe rusët na thanë se është e pamundur të futemi në aeroport”, tha asokohe një komandant i një kontingjenti francez të KFOR-it për agjencinë e lajmeve AP.

Gjenerali Clark, duke folur për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë, kujton se hyrja e tillë e trupave ruse në Kosovë e zuri NATO-n në befasi – ajo nuk ishte pjesë e planit të dakorduar paqeruajtës.

“Ishte një lloj i tradhtisë ruse. Kjo është e gjitha që mund të thuhet. Por, kush e di… ndoshta rusët i kishin thënë Millosheviqit që të mos shqetësohej dhe ta pranonte marrëveshjen për paqe, sepse ata do të merreshin [me Kosovën]. Por, nuk ia dolën”, thotë Clark.

Shtëpia e Bardhë, atëkohë, njoftoi se presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe ai rus, Boris Yeltsin, ishin dakorduar që t’ua linin gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të Rusisë ta zgjidhnin mosmarrëveshjen rreth aeroportit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, bëri të qartë se NATO-ja nuk do ta ndajë komandën në Kosovë dhe se Rusisë nuk do t’i jepet kontrolli i ndonjë sektori.

“Nuk besojmë se duhet të ketë një sektor të veçantë rus, sepse nuk duam të shohim ndarje të Kosovës. Por, jam e bindur se do të bëjmë marrëveshje me rusët, që ata të bëhen pjesë e forcës paqeruajtëse”, tha Albright.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana (në mes) në konferencë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Richard Hobrooke (djathtas) dhe shefin ushtarak të NATO-s, Wesley Clark (majtas) në selinë e NATO-s, Bruksel, 22 mars 1999.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana (në mes) në konferencë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Richard Hobrooke (djathtas) dhe shefin ushtarak të NATO-s, Wesley Clark (majtas) në selinë e NATO-s, Bruksel, 22 mars 1999.

Gjenerali Clark, me të marrë vesh lajmin për hyrjen e trupave ruse në Kosovë, urdhëroi trupat britanike dhe franceze që të viheshin në gjendje gatishmërie për të marrë kontrollin e aeroportit. Për këtë tha se kishte edhe mbështetjen e shefit të atëhershëm të NATO-s, Javier Solana.

Por, plani i tij u bllokua nga komandanti britanik i KFOR-it, Mike Jackson, i cili ishte i përfshirë edhe në negociatat për paqe në Kosovë.

“Unë nuk dua që ushtarët e mi të jenë përgjegjës për fillimin e Luftës së Tretë Botërore”, u raportua të ketë thënë Jackson në një debat të nxehtë me Clarkun.

Mes frikës dhe shqetësimeve se avionë rusë me përforcime po niseshin drejt Prishtinës, gjenerali Clark planifikoi pastaj t’i urdhëronte trupat britanike t’i bllokonin pistat. Por, as ky plan nuk shkoi përpara dhe SHBA-ja kërkoi nga Hungaria, Rumania dhe Bullgaria të mos i lejonin avionët rusë të fluturonin mbi territorin e tyre.

Gjatë bllokadës në aeroport, Rusia kërkonte që trupat e saj t’u përgjigjeshin vetëm komandantëve të saj. Por, NATO-ja refuzonte ta pranonte këtë, nga frika se do të çonte në ndarjen e Kosovës – në jugun me shqiptarë dhe veriun me serbë.

Pas negociatave disajavëshe, dy palët u pajtuan në fillim të korrikut që trupat ruse të vepronin si pjesë e KFOR-it në sektorë të kontrolluar nga shtetet e NATO-s, por jo direkt nën komandën e NATO-s.

Clark thotë se nuk është e qartë se kush ishte në vendimmarrje në Moskë, kur trupat ruse u futën në Kosovë në qershor të ’99-ës. Sipas tij, kishte “shumë dredhi, mashtrime dhe keqkuptime” brenda Qeverisë ruse. Ai kujton se shefi i diplomacisë ruse asokohe, Igor Ivanov, tha se hyrja e rusëve në aeroportin në Prishtinë ishte “gabim”.

Por, gazeta amerikane, Washington Post, duke u thirrur në burime të inteligjencës, shkroi se “në mesin e zyrtarëve rusë në Moskë, përfshirë edhe presidentin Yeltsin, kishte një konsensus të fortë se trupat ruse duhej të luanin një rol në Kosovë, pasi presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, pranoi kushtet e paqes”.

I pyetur nëse plani i tij për të zgjidhur mosmarrëveshjen me rusët në aeroportin e Prishtinës, do të rrezikonte nisjen e luftës së tretë botërore, siç kishte thënë Jackson, Clark përgjigjet:

“Gjenerali Jackson bëri vërtet një deklaratë hiperbolike, që nuk kishte asnjë bazë në realitet. Por, unë kam simpati për të, ka qenë i rraskapitur, ka punuar shumë për të negociuar marrëveshjen e paqes. Ai, po ashtu, ka menaxhuar lëvizjen e trupave [brenda Kosovës] dhe ka qenë shumë i lodhur dhe tepër emocional”.

Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me gjeneralin Jackson, por bisedoi me Agim Çekun, i cili – në kohën e incidentit në aeroportin e Prishtinës – ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në javët e fundit ne ishim në komunikim të drejtpërdrejtë me komandën e NATO-s në Kumanovë dhe atë ditë e morëm një telefonatë nga gjenerali Jackson, i cili na njoftoi se forcat ruse, që do të bëheshin pjesë e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, ishin nisur në drejtim të Kosovës. Ai kërkoi nga ne që të mos i pengonim, pra të mos i sulmonim, sepse NATO-ja do të merrej me to. Unë, pastaj, e njoftova komandantin e Zonës së Llapit për zotimin që ia dhashë gjeneralit Jackson”, kujton Çeku.

Gjenerali Agim Çeku.

Gjenerali Agim Çeku.

Ai shton se situata ishte tensionuar shumë dhe se UÇK-ja ishte në kontakt të vazhdueshëm me Jacksonin, ndonëse, sipas tij, ushtria ruse atëkohë ishte e dobët.

Çeku thotë se ka pasur informacione se në mesin e kontingjentit rus që u fut në Kosovë, kishte “edhe ushtarë e oficerë serbë me uniforma ruse”.

Për mospajtimet e Jacksonit me Clarkun, ai thotë të ketë dëgjuar më vonë, pas zgjidhjes së situatës.

“Gjenerali Jackson vlerësoi se nëse do të sulmoheshin rusët, atëherë do të prishej edhe ai partneritet që u krijua me ta brenda Grupit të Kontaktit për çështjen e Kosovës. Mund të prishej dhe të shkaktonte situata të ndryshme”, thotë Çeku për Exposenë.

Clark u largua nga posti i komandantit suprem të NATO-s tre muaj më herët, me urdhër nga Uashingtoni. Ai e përshkroi këtë veprim si rutinë, ashtu si edhe Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni.

Trupat ruse, ndërkaq, mbetën në Kosovë për plot katër vjet. Më 2 korrik të vitit 2003, NATO-ja njoftoi se kontingjenti ushtarak rus do të tërhiqet nga forca paqeruajtëse e KFOR-it në Kosovë. NATO-ja tha se Qeveria ruse e mori vendimin pas përmirësimit të situatës së sigurisë në rajon.

Për gjeneralin Clark, i cili u pensionua nga ushtria në vitin 2000, Rusia vazhdon të ketë ambicie imperialiste.

“E keni Serbinë – aleaten historike dhe tradicionale të Rusisë. Serbia është magnet për tërheqjen e ambicieve imperialiste ruse në Evropë dhe sot shërben si agjente infektimi në rajon”, thotë Clark.

Se taktikat dhe intrigat ushtarake të Rusisë janë burim konstant i tensioneve e tregon edhe lufta e saj në Ukrainë, që vazhdon për më shumë se dy vjet dhe i ka çuar marrëdhëniet mes Moskës e Perëndimit në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Radio Evropa e Lirë

Journal de la Côte d’Or (1847) Rrëfimi për Ali Pashë Tepelenën — Letra e 26 shkurtit 1806 që François Pouqueville i dërgoi bibliotekarit personal të Napoleon Bonapartit nga Janina, e cila botohet për herë të parë në gazetën tonë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Qershor 2024

“Journal de la Côte d’Or” ka botuar, të martën e 28 shtatorit 1847, në faqen n°3, letrën ekzkluzive të François Pouqueville (i emëruar asokohe nga Napoleon Bonaparti konsull i përgjithshmë pranë Ali Pashë Tepelenës) dërguar Louis Ripault, bibliotekarit personal të Bonapartit, në lidhje me Ali Pashë Tepelenën, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në numrin tonë të fundit, duke raportuar për banketin e mbajtur në Fixin pas inaugurimit të statujës kushtuar Perandorit nga z. Noizot, shprehëm keqardhjen që nuk mundëm të riprodhonim dollinë e propozuar nga zoti gjeneral Boyer dhe që u mirëprit me ngrohtësi nga të gjithë të ftuarit. Më të lumtur sot, ne ofrojmë tekstin besnik për lexuesit tanë, të cilëve u kishim dhënë vetëm një ide të papërsosur :

Zotërinj, dollia që kam nderin t’ju propozoj është për Mbretin!

Mbretit, çdo mendim i të cilit, çdo vigjilencë e të cilit i kushtohet lumturisë së vendit! Mbretit! mbrojtës i ndritur i arteve, i cili donte që i njëjti pallat të bashkonte të gjitha lavditë e Francës! Mbretit, më në fund, që e kuptoi aq mirë ndjenjën kombëtare, kur dërgoi me devotshmëri njërin nga djemtë e tij për të mbledhur në tokë të huaj eshtrat e njeriut të madh për nder të të cilit jemi mbledhur sot!

Për Mbretin !”

— Festa e Fixin-it ka bërë natyrshëm shumë njerëz të riprodhojnë një mori kujtimesh të ruajtura në mënyrë të devotshme të ngjarjeve që lidhen me lavdinë e perandorit. Mes gjallërisë së transporteve të manifestuara në solemnitetin e datës 19 (shtator), ne kthyem sytë pas me gëzim në kohën kur Franca nuk ishte i vetmi komb i prirur të entuziazmohej për triumfuesin e lumtur që e kishte ripërtërirë dhe e kishte vendosur mbi të gjithë popujt; dhe, me shikimin e këtij entuziazmi spontan të turmës, ne kujtuam se me çfarë brohoritje unanime u përshëndet emri i Napoleonit edhe në vendet më të largëta. Letra e mëposhtme, e cila nuk është botuar kurrë më parë dhe që gjendet me shumë autografe kureshtare për epokën e perandorisë në portofolin e një bashkëqytetari tonë, meriton të lexohet me mjaft interes.

***

Janinë, 26 shkurt 1806.

Zotëri,

Unë hyra në Shqipëri më 3 shkurt dhe më kishin paraprirë lajmet për fitoret e Shkëlqesisë së Tij perandorit tonë; nuk dija asgjë për ditën e lavdishme të Austerlitz-it. E bëra të njohur duke e përkthyer në greqisht, në Porto-Palermo, ku zbarkova, ishte pika e parë nga u përhap fama. Epirin e kalova deri në Xhixhë (Dzidza); Veziri Ali Pasha shkoi në këtë vend dhe në këtë takim të parë, ai e përqafoi Besierin (Bessières) si një mik të vjetër. Ai pyeti për shëndetin e Shkëlqesisë së Tij dhe u emocionua kur mori vesh për bëmat e mëdha të armëve të kësaj fushate. Ai e mori dhe e puthi pushkën që Bessières i paraqiti, duke thënë se donte ta përdorte për kauzën e Shkëlqesisë së Tij perandorit Napoleon, të cilin e quajti disa herë “perandori i mbinatyrshëm, zotëria i tij (1). Unë, shtoi ai, dhe dy djemtë e mi, jemi ushtarë të Bonapartit; Unë ia kushtoj djemtë e mi.”

Unë nuk do të hyj në detajet e misionit me të cilin jemi ngarkuar dhe ju do të miratoni heshtjen time. Muktar Pasha, duke marrë armët që i dërgoi perandori, i mbajti në kokë dhe tha : “Le t’i përdor në shërbim të tij! Vel Pasha pohoi të njëjtat ndjenja dhe tha “se Perandori Napoleon, zoti i tij, nuk do të kishte kurrë një ushtar më besnik.”

Ja tani disa detaje mbi ndjenjat e veçanta të vezirit. Kohët e fundit ai mbante një portret të perandorit në mes të oborrit të tij të mbledhur; pasi u mendua, foli : “Pse nuk jam unë vëllai yt”, tha ai, “kur duhet të kem fenë tënde!” Më pas, duke u kthyer nga djemtë e tij : “Ja një portret që duhet ta keni gjithmonë para syve, për të imituar Bonapartin. Është jeta e këtij njeriu që ne duhet të studiojmë, dhe jo romanet tuaja greke, as librat tuaj. Imitoni vetëpërmbajtjen, maturinë dhe aktivitetin e tij.” Këto janë fjalët e Ali Pashës, fjalë që i dinë të gjithë. Sa i përket fesë së tij, ai thotë se është profet në vendin e tij dhe kjo e bën të qeshë.

Ali Pasha është një burrë 56-vjeçar, i fortë, vigan, mjekër të bardhë, me fytyrë të plotë, me trup atletik. Për të përdorur shprehjen e grekëve vendas, ai u hedh mjaltë fjalëve të tij. Ai fle maksimumi tre ose katër orë dhe e shfrytëzon kohën e tij për punë. Shëtitjet, gjuetitë apo udhëtimet e tij kanë gjithmonë biznesin si qëllim. Ai hyn në detajet më të vogla të brendshme. Bessières ishte njeriu që u mor me të dhe shpresoj të vazhdoj me sukses. Pres të vrapoj, sepse ai vazhdimisht udhëton, dhe kjo përshtatet në mënyrë të përkryer me vizionin tim.

Shqiptarët janë një racë burrash të ndarë në Evropë dhe do t’ju skicoj, kur të njoh më ngushtë zakonet e tyre, sepse nuk dua t’ju jap asgjë veç gjërave pozitive. Edhe unë do ta përshkruaj gjithë këtë vend dhe do të kërkoj miqësinë tuaj, për t’u rishfaqur në Paris, kur të kem shteruar plumbin e lapsit tim; duhet kohë. Ka shumë medalje dhe antikitete në vend dhe topografia e tij nuk ekziston askund. Kujtimet në të cilat kam shkruar vëllimin tim të tretë ishin të paplota.

Ali Pasha sapo ka përfunduar pushtimin e vendit të tij, dhe atij i ka mbetur vetëm Gjirokastra për të nënshtruar. Marrja e Sulit ishte për këtë vezir baza e pushtetit të tij. Në kohët e lashta kjo luftë do të kishte merituar këngët e gjysmëperëndive dhe ju siguroj se ajo u sjell po aq nder të mundurve sa fitimtarëve. Do të jetë një nga episodet më të bukura të udhëtimit tim në Shqipëri.

Rusët kanë vetëm partizanë të shpërndarë nëpër Shqipëri dhe ata janë të stërvitur në shtatë ishujt; por grekët e urrejnë çdo qeveri për të vetmen arsye se ajo kufizon shpirtin e tyre kryengritës. Është e vërtetë se rusët janë hajdutë dhe barbarë, morali i ashpër i të cilëve bie ndesh me atë të grekëve.

Lidhur me gjendjen shpirtërore të shqetësuar të grekëve, Ali Pasha i le të veprojnë. I këndojnë, e shajnë me sarkazëm dhe ai qesh duke thënë : “Janë grekë.” Peshkopi i Artës u ankua për disa satira që bredhin në vend dhe që drejtoheshin kundër tij; pashai i tha : “Epo! peshkopi im i dashur, ne duhet t’i lëmë njerëzit e letrave të përdorin privilegjin e tyre; Unë përdor shpatën time; ju, vini në praktikë Ungjijtë tuaj. Më pas, ai thirri disa burra që i kënduan në banesën e tij marrjen e Sulit, një himn në të cilin lartësohet bujaria e suliotëve që iu përkushtuan vendit të tyre. Kjo ka të drejtë t’ju duket e çuditshme te një vezir; por Ali Pasha është një personazh shumë i habitshëm. Nuk do t’jua paraqes ushtrimin : nuk i lejon turqit t’i mërzitin grekët dhe ata jetojnë në një harmoni mjaft të mirë.

Rusët, tek të cilët do të kthehem sërish, e kanë humbur besueshmërinë në vend. Sëmundjet i shkatërrojnë në detaje. Forca e tyre efektive, në rastin e transportimit jashtë shtatë ishujve, është tetë mijë burra; Ata kanë, përveç kësaj, 1500 grekë shqiptarë. E tillë është ushtria e ekzagjeruar dhe unë garantoj vërtetësinë e pohimit tim.

Unë sapo e kam parë vendin dhe tashmë kam një ide të shkurtër të asaj që është. Do të jetë një kënaqësi e madhe për mua ta diskutoj këtë me ju në pjesën e mbetur të korrespondencës sime. I flas një shërbëtori besnik të Madhërisë së Tij dhe për këtë arsye i shpjegoj të gjitha këto gjëra. Ju lutem, i dashur Ripault (2), vazhdoni miqësinë tuaj me mua dhe ji i bindur se i kushtoj një vlerë shumë të lartë.

Siguroni zonjën Ripault për respektin tim dhe këtë njeri të mirë z. Bézanger (3), i cili ju do me kaq dashamirësi.

Me respekt dhe dashamirësi,

Zotëri,

Shërbëtori dhe miku juaj i devotshëm.

(Nënshkruar) POUQUEVILLE

(1) Këtu dhe më poshtë, të gjitha fjalëve të nënvizuara paraprihen nga teksti greqisht që riprodhon fjalët e vezirit Ali-Pasha.

(2) Atëherë bibliotekar i Napoleonit që nga viti 1801.

(3) Sekretar i z. Ripault.

M’U  KUJTUE   AT  KONRRAD  GJOLAJ…- Nga Fritz RADOVANI

 


AT KONRRAD  GJOLAJ O.F.M.

 

Lexova kur kishte ngordhë edhe krimineli Aranit Çela…

Mu kujtue i Ndjemi At Konrrad Gjolaj, kur më pat tregue:

Ishte viti 1993. Porsa kishte ardhë në Shqipni Delegati Apostolik mbas 1945, Imzot Ivan Dias. Ishin mbledhë të gjithë klerikët katolik Shqiptar n’ Argjipeshkvi të Shkodres, dhe Imz. Ivan Dias po njihej me disa klerikë të Shkodres. Ai kishte ndigjue se At Konrrad Gjolaj nuk donte me ia ndigjue as emnin e diktatorit Ever Hoxha… Me ngacmue At Konrradin e thrret dhe e pyet: “At Konrrad, po ba me të ngja Ty dhe, atë ditë kur të ndrrojsh jetë, porsa të shkosh tek dera e Parrizit, aty ke me gjetë Shen Pjetrin dhe, Ai ka me të tregue se para se me vdekë Everi, asht “pendue” dhe tashti e keni këtu në Parriz, shka kishi me ba Ju i nderuemi At Konrrad?”

– At Konrrad Gjolaj, e shikon Delegatin në sy dhe i pergjegjet atyperaty: “Pa i thanë as mir’u pafshim, shkoj fillë e në fund të ferrit e jam ma rahat aty, se të pakten nuk ia shof as surratin Ever Hoxhës dhe asnjenit prej shokve të tij vrastarë !”

Edhe unë mendova me vete: Sa Shkodranë sot nga Ata dymijë e sa vetë që janë pushkatue vetem në Shkoder, me firmen e kriminelit Aranit Çela, do të kishin ikë në ferrin e pafund… Vetem mos me pa surratin e vrasësit të tyne kriminel ?!

E tmershme me e mendue?…

Nuk besoj se ka edhe një shtet tjeter në Botë, me vrasës katila “të pafajshem”, si Shqipnia! E deri kur kështu, o Shqiptar?!

Të sunduem nga bijtë hajdutë të kriminelave të djeshem?!

          Melbourne, 8 Qershor 2024.


Send this to a friend