Forcat ukrainase thonë se kanë rimarrë nën kontroll bregun lindor të lumit Oskil, që shihet gjerësisht si vija e parë e frontit me trupat ruse në verilindje të Ukrainës.
Ushtria ruse është larguar pothuajse plotësisht nga rajoni Kharkivit, raporton BBC. Ndërkohë një udhëheqës rajonal tha se objektivi i ardhshëm do të jetë Luhansku fqinj.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ofensiva e radhës është duke u përgatitur.
Kurse Rusia u akuzua se ka shënjestruar një central bërthamor në jug. Operatori bërthamor ukrainas Enerhoatom tha se një raketë ra rreth 300 metra larg reaktorëve bërthamorë në centralin e dytë më të madh të vendit, duke dëmtuar ndërtesat dhe mbyllur një pjesë të hidrocentralit në kompleks.
Sulmi nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur, megjithëse kompania postoi pamjet e një shpërthimi afër vendit.
Centrali më i madh bërthamor i Ukrainës dhe Europës në Zaporizhzhia është vënë nën zjarr të vazhdueshëm që kur u pushtua nga Rusia në fillim të luftës dhe OKB ka bërë thirrje për një zonë sigurie për ta mbrojtur atë.
Komentet