E vërteta është se Tirana ka pësuar ndër vite ndryshime të mëdha. Është modernizuar dhe ka marrë pamjen e një qyteti mirëfilli evropian. Edhe njerëzit kanë ndryshuar bashkë me të dhe janë shkolluar. Tani në kryeqytet kanë ardhur për të banuar dhe punuar nga të katër anët e vendit, që pa drojë mund t`i quajmë konglomerat. Numri i tyre ka mbërritur te një milioni. E folura gati – gati është ajo zyrtarja e pranuar të paktën qysh nga viti 1972.
Ndërtesat e larta moderne kanë zëvendësuar shtëpitë një katëshe me qerpiç dhe ato oborret karakteristike me hurma e lule gjithfarësh. Kudo zotërojnë rrugët e gjëra të asfaltuara dhe ndriçuara me neon dhe rrallë, shumë rrallë të sheh syri ndonjë rrugicë me kalldrëm. Sa për gomerë, karroca e druapre as që bëhet fjalë. Furra për të pjekur tava në çdo lagje, nuk të zë më syri. Vargu i makinave luksoze nuk ka të mbaruar. Opingaxhinjtë, samarxhinjtë, qeleshexhinjtë, teneqepunuesit, bakraxhinjtë e hallvaxhinjtë me shokë janë zhdukur me kohë. Bagëtia as shitet e as theret shesheve. Edhe hoxha nuk hipën më në minare, por ndez altoparlantin.
Kështu që brezi i ri as që e ka idenë se si ka qenë Tirana dikur.
Dhe për të mos humbur imazhi i saj, shkrimtari tiranas Bedri Alimehmeti “Mjeshtër i madh” etj., pas shumë librave në gjini të ndryshme, që mbajnë autorësinë e tij, i sjell lexuesve “Tregimet e Tironës”, botim i vitit 2021 nga ALSAR. Vërtetë ai qysh në krye shkruan: “Gurët e kalldramit do të t`i puth / Edhe pragjet e portave me radhë / Mëhall`e vjetër malli i zjarrtë prush / Po më djeg e përvëlon si stërall…”, por realisht, më shumë se nga nostalgjia e natyrshme, ai kërkon të na japë atë që mbeti përherë e pandryshuar te tiranasit e vjetër: dashurinë për vendlindjen, ndershmërinë dhe zemërbardhësinë e tyre.
Pra, ai në të gjitha tregimet e këtij libri, i mëshon vetive dhe vlerave të mrekullueshme të banorëve autoktonë të qytetit, cilësi këto që aq bukur i promovon edhe shoqata “Tirana” e drejtuar me përkushtim nga zoti Arben Tafaj. Dhe për t`i bërë ato histori sa më të besueshme, Bedriu ka zgjedhur edhe guhën dhe dialektin e përdorur nga ata. Madje do të thoshja se pikërisht kjo i jep vërtetësi, forcë e kolorit të veçantë tregimeve të tij. I bën ato të këndshme me atë të folurën që tani thuajse nuk përdoret më, por që ai e zotëron si askush, madje edhe duke bërë sqarimet e nevojshme për turqizmat e kohës.
Te tregimi hyrës ai ka gjetur një shpjegim për këtë, duke vënë në gojën e Lasgushit bukurinë e dialektit teksa merret me etimologjinë dhe transformimin e fjalës nga Tirana në Tirona. Për më tepër ai ndihet krenar kur prej Lasgushit të pavdekshëm artikulohet shprehja: “Dhe neve na vjen mirë dhe i gëzohemi pa masë yllësisë së tyre. Ndaj dhe ky popull i urtë dhe punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana, por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne”. Në tregimet e para “Hafiz Ibrahimi dhe gjuha shqipe”, “Qyteti i kërcënuar” dhe “E xhumaja e hafiz Mustafait” autori na fut në situata që na përgatisin përsa do vijojnë më tej. Një botë që po perëndon, që është në kërkim dhe pritje të diçkaje të re, e ka kuptuar si domosdoshmërinë e ruajtjes me fanatizëm të humanizmit ashtu edhe atë të arsimimit. Vetëm pse u mësonte shqipen, hafiz Bërhimit, zaptijet i ngarkojnë në kurriz të parin e lypsave, Burdadën dhe e shëtisin rrugëve për ta poshtëruar.
Por ai deklaron: “Kujtoni se tuj m`dhonë mu kësisoj munimi e sikleti, i rren menja turqit se, po hek dorë ka shqipja. Kurrën e kurrës nuk hek dorë Ibrahim Dalliu, nesër po prap kom për t`i mbledh çunat”. Të gjithë kemi dëgjuar emrin e dervish Hatixhesë, por jetën dhe veprën e saj thuajse nuk e njohim fare. Kështu që Bedriu e ka përshkruar guximin e saj për të ndihmuar e shpëtuar nga thonjtë e vdekjes aty nga mesi i shek. të XVIII – të, qytetarët, të rinj e të moshuar, kur kolera po i korrte pa mëshirë. Ajo me atë që bëri jo vetëm u pagëzua nga populli me titullin e lartë Dervish, por edhe meritoi fjalët e mësuesit të saj të parë Haxhi Ymer Kashari se “Ajo ishte substancë e grave më të pastra”. Të gjitha tregimet e këtij libri janë mjaft interesante, por dy prej tyre “Mallkim me gjamë” dhe “Vdekja e berberit” janë të denja për t`u përfshirë në çdo antologji të prozës shqiptare. Për më tepër, do të thoja se ato përbëjnë burimin e skenarëve për të realizuar filma që do të nderonin çdo regjisor.
E para është një ngjarje tronditëse ku autori dhe shokët e tij bëhen dëshmitarë të orgjisë së oficerëve të sigurimit atje në breg të lumit dhe të nesërmen përjetojnë pushkatimin barbar prej tyre të tre njerëzve, faji i të cilëve qe se e donin atdheun me Kosovën bashkuar, dhe varrosjen sikur të ishin qen, në gropat që i kishin detyruar t`i hapnin vetë. Autorit i kishin mbetur në mendje edhe fjalët e fundit të tyre: “Poshtë komunizmi me Stalinin dhe Enver Hoxhën! Amanet grua, të më rrisësh djalin. Poshtë komunizmi ruso – sllavo – shqiptar! Rroftë Shqipëria!” Dhe kur djali i vogël rrëfen vendin ku ishin groposur, u shkul i madh e i vogël për t`i përcjellë me nderime te varret e Bomit. Ja si e përshkruan autori këtë moment: “Edhe pse në atë varg të pambarimtë njerëzish askush nuk fliste, ashtu ngjeshur pas njëri – tjetrit tek ecnin, si pa kuptuar nga radhët e tyre dilte një si psherëtimë e mbytur, që dalëngadalë shumohej e bëhej tamam murmurimë e nënzëshme, jehona e së cilës rritej e rritej aq sa merrte vërtetë rropamën e një dallge të furishme, oshëtimë e së cilës në se do të fuqizohej edhe ca isha i sigurt që do shndërrohej në një gjëmim të pambarimtë mallkimi të përjetshëm ndaj atyre, që i kishin ndërprerë jetën një njeriu të pafajshëm dhe kishin lënë pa baba tre fëmijë”.
Tani të vimë te tregimi i mrekullueshëm kushtuar Kadri Berberit, njeriut të mirë që u shërbente pa përtuar të gjithëve, por që fillimisht e krejt padrejtësisht u keqkuptua. Shkrimtari i madh amerikan Ernest Heminguej diku pohon se i kishte dëgjuar dhe zbatuar me kujdes porositë e gazetarit të vjetër dhe njeriut të mirë Mois për tregimin. Ai thosh: “Tregimin ngrije mbi bazën e mbarështrimit të të vërtetave objektive… Nuk ke pse luan rolin e vrojtuesit dorëjashtë, por as rolin e “Zotit të Gjithëditur”, aq më tepër kur kjo bëhet brenda një paragrafi. Shkurt fjalët, marifetet duhen shmangur”.
Dhe Bedri Alimehmeti, sikur t`i qenë drejtuar atij këto fjalë, ashtu si në të gjithë tregimet e tij edhe këtu, ka zgjedhur të rrëfejë thjeshtë, pa lojra fjalësh, pa dashur të duket. Berberi Kadri, një pesonazh i marrë nga jeta, të cilit as mbiemrin nuk ja kujtojnë, e ka artin e bukur te vepra e tij, te shpirtmadhësia e pashoqe. Ai në dukje është mizantrop. Shoqërohet vetëm me dyqanxhiun Reshit dhe në klub nuk ulet për të pirë ndonjë gotë me të tjerët. I mjafton vetëm një filxhan kafeje. Pikërisht për këtë, të tjerët nuk e duan, duke e quajtur dorështrënguar. Njëri prej tyre, Tuti, shprehet me mllef: “Ku ka me i çu gjith ato pare! Kon me iu qelb aqe m`gropët ku i ka fut. Si dreqin ka për t`mësu, kërkushi s`ka për t`i shku m`xhenoze, kur t`shoj m`at rrugë ku s`ka për t`u kthy mo”. Dhe kur fare papritur Kadri Berberi, pasi futi një trandafil në gotën e ujit që ta kishte për të nesërmen, vdes, ata vendosin të mos i shkojnë në varrim. Kështu donin ta turpëronin Kadriun fatkeq. Mirëpo ndërkohë vjen shoku i tij Shiti dhe u thotë se gjithë ata para që unë u kam dhënë kur keni fejuar e martuar fëmijët dhe ju nuk m`i keni kthyer, janë të Kadri Berberit i cili m`i jepte për ju sa herë të kishit nevojë, por pa ja zënë emrin e tij me gojë. “Deri m`sot nuk jua kom thonë, – kumboi zëri i Reshitit – por sone e shof ka ardh vakti me jua kallxu. T`Kadri Berberit kon qen t`gjitha. T`njatij burri që ka myll sy sone, t`atij robi që ka ndrru jetë vetëm dy sahat mo parë, t`njatij tironci që ju, lidh n`fjal me njoni qetrin doni me flliq, mos me i shku m`xhenoze”. Përfytyroni tani situatën që u krijua në pijetoren ku mbretëronte qetësia: “Dikut i kishte ngri xhezmja e kafes m`dorë, Tuti ishte mbledhur e qe bërë sa një grusht në karrike. Meti Shabon Çelës kishte varur kokën mbi gjoks, kurse Dullë samarxhiut i qe mbaru krejt cigarja e duhanit, ndërsa bishti i saj kishte nisur t`i përcëllonte buzën e trashë”.
Skena të tilla të kujtojnë forcën e penës së Hygoit apo të penelit të Rembrandit. Ama për nga madhështia dhe humanizmi i veprimit, tironci Kadri Berberi nuk qëndron aspak larg heronjve që ata përjetësuan. Edhe në tregimet e tjera të këtij libri, ndeshim akte të ngjashme. Dikush i gjindet komshiut kur ka hall, me para, dikush u bën dhuratë vajzave të vogla që qajnë, ndonjë fustan për Bajram e dikush mbledh ndihma dhe ja lë te porta Rexhep Lalmit, dy baule me pajën e vajzës së tij Fitnetes, që do e martonte, por s`kishte me se. Dhe ja sesi i thotë ai të ëmës: “Ka burra Tirona ije, si askërkun n`Shqipni. Burra që nuk t`lojn kurrë vetëm, por t`gjinen mu aty ku nuk ta pret menja. Ta bojn nerin pa u ni dhe nuk dun ta mori vesht askërkushi se kush e ka bo… Nji shpirt – bardhësi si kjo zor të boj vaki në ndonji vend qetër”. Dhe sa dhimbje ndjejnë banorët për vdekjen e Nuries që këndonte dasmë më dasmë “Qajnë lulet për lulen o bo bo! / Lules ia këputën jetën o bo bo!” Ajo kishte mbetur shtatzënë me të fejuarin, por ende kjo ishte e turpshme, ndaj duke dashur të dështonte, nuk i pushonte hemoragjia dhe… ajo që kishte kënduar për të tjerat, tani sikur u thosh atyre këndoni ju për mua. “Ndërkohë, arkivoli me trupin e Nurijes kalonte nëpër duart e fuqishme të burrave deri sa zuri vend në karrocën e funeralit. Edhe e pajetë, ajo vijonte të ishte ende e bukur…”
Të gjithëve u vinte keq e derdhnin lot për të, se e vjetra po shembej dhe po vinin kohë e mentalitete të reja. Por tironsi Bedri Alimehmeti edhe për atë kohë që po jepte shpirt, sikur do të na kujtojë se kishte mjaft gjëra të mira, të moralshme e të virtytshme që nuk duhen hedhur pas krahëve, por duhen çuar akoma më tej. Dhe shkruan për to, deri edhe me zhargon, sot që vlerat e larta njerëzore janë vënë në dyshim.
Po të më lejohej, për të do të perifrazoja fjalët e thëna për Yasunari Kawabatan se “është prozatori më japonez se të gjithë prozatorët e tjerë të këtij vendi”, se edhe Bedri Alimehmeti “është prozatori më tironas se të gjithë prozatorët e tjerë tiranas”.
Komentet