VOAL

VOAL

Incidenti me rusët në uzinën e armëve bën xhiron e mediave botërore

August 21, 2022

Komentet

Ricardo Gutierrez: Rama është në rrugë të gabuar! Shqipëria s’mund të hyjë në BE me këtë gjendje të mediave

Ricardo Gutierrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve shprehet i shqetësuar lidhur me situatën e gazetarëve dhe mediave në Shqipëri e Kosovë.

Ai është kritik ndaj qëndrimeve të qeverive në raport me lirinë e medias dhe tendencat për të frikësuar gazetarët.

“Edi Rama është në rrugë të gabuar për organizimin e një lufte të re kundër medias kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit… Është koha që autoritetet shqiptare të zbatojnë Rekomandimin 2016/4 të Këshillit të Evropës“, ka thënë në intervistën për gazetën zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27, Ricardo Gutierrez, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve me seli në Bruksel.

“Edi Rama është në rrugë të gabuar për organizimin e një lufte të re kundër medias kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit. Tashmë kam pasur rastin t’i them personalisht: jo përmes këtyre sharjeve ai do të arrijë të krijojë një ekosistem mediatik më të shëndetshëm në Shqipëri. Jam dakord me të për natyrën shumë të polarizuar, dhe ndonjëherë të kapur nga interesa të veçanta private, të medias kryesore në Shqipëri.

Por çfarë po bën qeveria e zotit Rama për të garantuar një pluralizëm më të mirë mediatik? Çfarë po bën ai për të përmirësuar pavarësinë dhe etikën e gazetarëve? Asgjë.

Ne konsiderojmë se parakusht është vendosja e një regjimi sigurie për gazetarët shqiptarë: qeveria shqiptare duhet të zhvillojë, në bashkëpunim me organizatat e gazetarëve dhe organizatat që mbrojnë lirinë e shprehjes, një plan kombëtar veprimi për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve. Është koha që autoritetet shqiptare të zbatojnë Rekomandimin 2016/4 të Këshillit të Evropës. Asgjë nuk është bërë në tetë vjet.

Nëse zoti Rama mendon se do ta zgjidhë problemin duke qortuar mediat apo duke u përpjekur t’i frikësojë ato, gabon fatkeqësisht.

Thënë shkurt, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të hjynë në BE, me këtë gjendje të mediave dhe gazetarëve!” tha Gutierrez. bw

Metamorfoza 3- Besim Hajdarmataj: Elementi më i rëndësishëm që i mungon hetimit të SPAK

Nga Besim Hajdarmataj 

Hetimet e organeve ligjzbatuese kundër krimit të organizuar të profilit të lartë nxisin gjithnjë një reagim pozitiv në opinionin publik dhe një ndjesi vlerësimi për punën e tyre, pavarësisht se ky është roli i tyre kushtetues.

Detajet e dala nga dosja hetimore, e konsideruar në media si “Metamorfoza 3”, dëshmojnë se personazhe të rëndësishëm të grupeve të fuqishme kriminale shqiptare tashmë mbajnë mbi kurriz masa të sigurimit “arrest me burg”, megjithëse shumica prej tyre janë në arrati.

Pavarësisht se është një çështje me interes të lartë shoqëror, ajo që konstatohet nga dokumentat e rrjedhura në media tregon se hetimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është mbështetur kryesisht në informacionet e përcjella nga autoritetet franceze dhe belge për përdoruesit e aplikacioneve SKY dhe Enchrochat.

Bisedat mes anëtarëve të grupeve kriminale, siç lexohet në vendimin gjyqësor, i cili gjithësesi nuk duhej të ishte bërë publik, i përkasin kryesisht vitit 2020.

Në dosjen hetimore nuk lexohet ose, të paktën, për aq sa është bërë publike, nuk thuhet asgjë për veprimtarinë e këtyre grupeve kriminale pas vitit 2020, për më tepër kur disa prej emrave që gjenden në vendimin e gjykatës, tashmë rezultojnë të vrarë në atentate të mëvonshme apo të zhdukur.

Kjo e dhënë tregon se SPAK-u është fokusuar kryesisht në informacionet e mesazheve të dekriptuara, pa vijuar më tej me hetimet mbi aktivitetin e paligjshëm të këtyre personazheve, të cilët, duhet pranuar se kanë një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Pra, gjithçka duket se është mbështetur tek materialet e ardhura nga autoritetet e huaja, të cilat “ia zbardhën faqen” Prokurorisë së Posaçme.

Megjithatë, veprimet e përcipta deri në këtë fazë, nuk janë problemi i vetëm në hetimin e këtyre “7 ose më shumë klaneve kriminale”.

Ka një element, i cili mungon tërësisht në dosjen hetimore. Ai që lidhet me bashkëpunimin e këtyre grupeve kriminale me funksionarë shumë të lartë shtetërorë.

Duhet të kthehemi pak në kohë, për të kuptuar konkretisht se përse mungon ky element.

Në vitet 2016-2018, ish-Prokuroria për Krime të Rënda kishte nën hetim disa prej këtyre klaneve kriminale, përfshirë, “Ndoka”, “Avdylaj”, “Bami”, “Gjoka”, “Bajrat” e të tjerë.

Veprimet proaktive në atë kohë tregonin se anëtarë të grupeve kriminale kishin komunikim apo aksese me zyrtarë shumë të lartë shtetërore, ku diskutohej për shtyrjen e ligjit të lojërave të fatit, për emërim drejtorësh policie e shefa komisariatesh, për caktimin e deputetëve e drejtuesve të rëndësishëm institucionesh qendrore apo lokale, miratim lejesh për resorte e ndërtesa shumë-katëshe në qytetet kryesore e në bregdet, e të tjerë.

Këto hetime krijonin dyshimet se grupet kriminale kishin një fuqi shumë të madh në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Hetimet e kësaj dosjeje zgjatën në kohë, pasi më së pari duhej zbuluar e gjithë skema dhe, ajo që ishte më e rëndësishmja, duheshin kryer në sekret të plotë.

Hetimet e sotme të SPAK-ut kanë një mbështetje shumë pozitive nga trupa e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë që varet nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërsa, hetimet e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda bazoheshin në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, një strukturë tejet vulnerabël ndaj ndikimeve jashtë-institucionale dhe që kishte rrisk të lartë dekonspirimi.

Hetimet e këtyre grupeve u zhvilluan nga disa prokurorë, të gjithë me integritet, por që u larguan nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për shkak të Vetingut apo nëpërmjet transferimeve të paligjshme në prokurori të largëta lokale.

Pas “largimit” të kësaj trupe prokurorësh, ish-Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi në vitin 2018 atë që u konsiderua operacioni “Volvo-4”.

Ishte një operacion që, më shumë se sa procedurial, u zhvillua nën ndikime dhe me “plan politik”.

U arrestuan anëtarë të klaneve Ndoka, Avdylaj, Bajri e të tjerë, por për vepra penale të lehta, të cilat u lejuan atyre që të dilnin nga burgu shumë shpejt.

Copëzimi i hetimeve për disa prej çështjeve dhe nxitimi për të goditur vetëm disa nga këta persona, solli pasojën, që sot, shumë nga të kërkuarit, të jenë duke shijuar jetën në vende ekzotike.

Dosja hetimore, mbi të cilat u mbështet operacioni “Volvo-4”, tregoi se ishin hequr të gjithë fashikujt, ku eksponentët e klaneve kriminale diskutonin hapur dhe “shoqërisht” me politikanët e nivelit të lartë për tjetërsim votash, miratim apo ndryshime ligjore, caktim zyrtarësh të lartë, e të tjerë.

Pavarësisht se operacioni i vitit 2018, i zhvilluar në një kohë kur Prokuroria për Krime të Rënda kishte probleme shumë të mëdha menaxhimi, sërish aktet e hetimeve ndaj klaneve kriminale të periudhës 2016-2018, i janë transferuar Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, që në momentin e krijimit të saj, në vitin 2019.

Ato akte, si rregull, duhet të jenë aty, bashkë me bisedat, komunikimet dhe bashkëpunimin e organizatave kriminale me eksponentë të rëndësishëm politikë.

Brenda SPAK-ut ka prokurorë me integritet, të cilët, jam i bindur, se do të gjejnë nxitjen dhe motivimin për të rimarrë sërish ato hetimet të periudhës 2016-2018 ndaj këtyre klaneve kriminale.

Aty kuptohet qartësisht se si eksponentë të krimit të organizuar, nëpërmjet kanaleve politike e shtetërore, krijuan pasuri miliona e miliona euro, një pjesë të të cilave i kanë vënë në përdorim të organizimit të atentateve ndaj njëri-tjetrit, siç zbuluan komunikimet në Sky/Encrochat.

* Ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda

INTERVISTË E ISH- PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PROF.DR.FATMIR SEJDIU, DHËNË MË 22 TETOR TË VITIT 2007, QË PËRPUTHET ME ZHVILLIMET E SOTME

 

Prof.dr. Fatmir Sejdiu, ligjërues i rregullt i Historisë së shtetit dhe së drejtës, gjatë katër dekadave në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës, si dhe në atë të Tetovës, është njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve në Ballkan.
Ai si ekspert i dëshmuar në fushën e Jurisprudencës disa herë ka qenë i ftuar edhe në Konferenca të ndryshme ndërkombëtare, që temë kanë pasur Kosovën dhe vendet e Evropës Juglindore.
Sejdiu si trashëgimtar i Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga viti 2006 e deri në vitin 2010,ka pasur takime të shpeshta me burrështetas të njohur të botës.
Patjetër duhet theksuar edhe bashkëpunimin e tij, tejet korrekt me zotin Martti Ahtisaari, i deleguar special i OKB- së, për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Konferenca Ndërkombëtare mbi Kosovën, e organizuar më 6 shkurt të vitit 1999, në Kështjellën Rambouillet të Francës, dihet që synim parësor pati ndërprerjen e Luftës dhe masakrave serbe mbi shqiptarët e pambrojtur.
Delegacioni i Kosovës me gjithë rezervat që kishte nënshkroi të gjitha marrëveshjet e dala nga kjo Konferencë.
Mirëpo, delegacioni serbë ishte ai që me refuzimin e çdo marrëveshje e përkeqësoi edhe më tepër situatën në Kosovë.
Gjatë kohës së punimeve të kësaj Konference në Kosovë, u vranë dhe masakruan mijëra shqiptarë.
Ato ditë ndodhi edhe eksodi biblik i tyre . Aleanca e Paktit NATO , që orë e çast njoftohej mbi masakrat dhe dhunimet që po kryenin ushtarë, policë e paramilitarë serbë në burra, gra e fëmijë të Kosovës, u detyrua që të fillojë bombardimin e bazave ushtarake të Serbisë.
Përkundër lëshimeve që bëri delegacioni ynë vullneti i popullit të Kosovës, i shprehur në Referendumin gjithëpupullor të shtatorit të vitit 1991,nuk u jetësua deri më 17 shkurt të vitit 2008.
Deri në njohjen e Pavarësisë së Kosovës u deshtë edhe shumë punë. Pas vdekjes së Presidentit, Dr.Ibrahim Rugova, kur po ofronte faza finale e përcaktimit të statusit të Kosovës, e gjithë barra do të bije mbi pasardhësin e tij, prof .dr. Fatmir Sejdiu.
Prof.dr. Fatmir Sejdiu, në takime të shpeshta pune me z. Martti Ahtisaari, diplomat i shquar dhe ish- President i Finlandës, gjatë viteve 1994- 2000, ia del që ta bind atë, që çdo status tjetër përveç Pavarësisë së Kosovës, çon në gjakderdhje të re.

Në të njëjtën kohë “ Le Matin ”një e përditshme e Zvicrës, frankofone më 3 shkurt të vitit 2007, përcjell një prononcim të shkurtër të Presidentit, Fatmir Sejdiu, në të cilin thuhet: ” Kosova drejt Pavarësisë”
Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga dhënia e një Interviste e ish- Presidentit të Republikës së Kosovës, prof.dr.Fatmir Sejdiu, televizionit “ Klan” të Shqipërisë, gjithçka përputhet me ngjarjet e sotme, në Kosovë dhe implikimin e Rusisë, që zjarrin e luftës me Ukrainën, më çdo kusht po mundohet ta bart në Ballkanin, e trazuar nga bandat kriminale të Vuçiqit.
Në video- incizimin e më poshtëm do ta gjeni të plotë intervistën e z .Sejdiu ,dhënë më 22 tetor të vitit 2007, gazetarit dhe publicistit të njohur Blendi Fevziu.

Nëse intervista përcillet me vëmendje dhe paanime politike do të shihet qartë që prof.dr. Fatmir Sejdiu,ish- President i Republikës së Kosovës, ka bërë parashikime të sakta, që s’mund t’u hiqet as edhe një ashkël.

ARIF EJUPI

Me logjikën pushtuese të Serbisë nuk arrihet normalizimi i marrëdhënieve më Kosovën- Nga SKËNDER MULLIQI

Evropianet edhe pse me hile,dhe Amerika më dialog po kërkojnë normalizim të marrdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Kjo po bëhët që dy shtetet në dialog të pranohen ndërsjellazi.E nese është ky qëllim, pse kjo gjë nuk po arrihet ende?Nuk po ka përparime në dialog sepse Serbia po shërbëhet më opstrukcione politike.Jo që Vuqiq nuk po e pranon shtëtësinë e Kosovës, por ai në vend të kësaj po kërkon territore të reja , edhe pse kurrë nuk kan qenë të Serbisë, as që do të janë.Kosova ishte vend i okupuar gjatë, që lirinë dhe pavarësinë e arriti më luftë në vitin 1999.Në vend që të kemi normalizim të mardhënjëve duke e pranuar realitetin e ri të krijuar pas luftës, Serbia po dëshiron ti kthen vitet 1912 dhe 1918, apo nga ky i fundit deri të viti 1999 , e që nuk është gjë tjetër vëtem iluzion serbomadh.Duhet thëksuar këtu së shqiptarët kurrë nuk u integruan në shoqërinë jugosllave.Nuk e pranuan okupimin duke kërkuar rrugë për çlirim përfundimtar nga zgjedha serbe.Nuk u integruan në një shoqëri të huaj, së shqiptarët ishin në tokën e vet.Minoriteti serb në veri i cili po dëshiron organe të mvetëtishme paralele përmës Asociocionit famoz, kjo nuk përkon fare më realitetin, kur dihet së serbët janë minoritet me të drejta shumë të mëdha.Dhe, fakti tjetër madhor është së serbet e kolonizuan Kosovën, e kjo don të thotë së janë ardhacak .Edhe Millosheviqi kishte për qëllim spastrimin etnik më luftë të shqiptarëve nga trojet etnike.Ai pas suprimimit të organeve të Kosovës në ish-Jugosllavi filloj kolonizimin e Kosovës më serbe të Kroacisë dhe me disa kolonë më prejardhje serbe nga Shqipëria.Kosova u çlirua nga zgjedha shekulloore serbe më luftë nga shqiptarët dhe nga NATO.Kosova po funkcionin si shtet dhe si shoqëri multietnike nga plani i Ahtisarit që ishte kompromis në përbërje më shqiptarë, serb,turq, goran dhe të tjerë .Me logjikën pushtuese të Serbisë,nuk arrihet paqja dhe as stabiliteti në rajon, dhe nuk arrihet as normalizimi i marrdhënjeve Kosovë-Serbi.Dhe, mu për këtë po të kishte në Serbi një logjikë ndryshe , do të kishte mundësi që në këto bisedime të futura në qorrsokak të sigurohet paqja e ndërsjellë.Në Serbi në vend të demokracisë, po sundojnë ideologjitë fashiste në krye më klikën e kriminelëve të luftës në pushtet, siq janë, Vuqiq, Sheshel, Nikoliq, Daciq, Vulin etj.Në kohën kur kemi integrime evropiane , ku po zhduken edhe kufijtë shtetëror, Serbia po ushqehet më ultranacionalizma të shekullit 19-të, për ripushtim të Kosovës më luftë te re më shqiptarët.Këto ide për “botën serbe”, nuk do të lejohen të realizohen nga shqiptaret,nese ende po tolerohet Serbia nga bota demokratike, nga frika e Putinit dhe Vuqiqit .Presidenti serb lë të qanë gurmazin sa të dëshiron nëper foltore të ndryshme së këto do të mbesin zëra të qjerrura në ajër.Shqiptarët janë zot shtëpie në tokën e vetë stërgjyshore.

Ata zgjedhin thjeshtë të jenë njerëz të bukur Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

 

Ej njerëz….mos harroni të vlerësoni dhe sigurisht ti respektoni njerëzit e ndjeshëm!

Ej njerëz….mos harroni se ata janë një specie e rrallë në ditët e sotme,

pasi na tregojnë çdo ditë bujarisht se si duhet të duam,

si duhet të sillemi dhe si duhet të respektojmë.

Ata nuk janë të dobët, nuk janë të pafuqishëm, nuk janë inferiorë.

Ata thjesht kanë zgjedhur të jetojnë bukur jetën e tyre në harmoni të plotë me veten.

Ata janë besnikë, të sinqertë dhe të ndershëm.

Çfarëdo gjërash të thjeshta që t’u jepni, ata patjetër do ti vlerësojnë.

Ata nuk janë të interesuar të ndryshojnë dhe të bëhen më të ashpër (sepse edhe po të donin nuk do të mundnin).

Në fund të fundit, pastërtia e tyre i bën ata që janë.

Nuk ka rëndësi nëse janë artistë, punëtorë, të shkolluar, të pashkolluar, të pasur, të varfër, të rinj e të vjetër.

Është e rëndësishme të qëndrosh i pastër në një botë që thua se është krijuar për të të shkatërruar.

Pra, në një botë kaq të egër, disa zgjedhin të jenë ndryshe.

Ata zgjedhin thjesht, të jenë njerëz të bukur.

Analiza e BIRN: Dosja ‘Metamorfoza’ tregoi se policia nuk ekziston dhe se vendin e sundojnë krimi dhe bandat

Dosja hetimore Metamorfoza, dhe ajo e shtatë grupeve kriminale në luftë me njëra-tjetrën paraqesin një Shqipëri nën kontrollin e drejtpërdrejtë të bandave, forca policore inekzistente dhe, shpesh, bashkëpunuese apo organizatore të akteve kriminale dhe policë që janë bërë milionerë duke trafikuar autoritetin publik. Kjo e gjitha nuk mund të kalohet pa një analizë dhe hetim të thellë të të gjithë strukturës policore dhe një pastrim të thellë të saj nga personat e inkriminuar.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Më 20 maj 2024, Policia e Shtetit njoftoi se ka marrë vendim për përjashtimin e dy oficerëve të lartë të policisë, Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini, pasi këta të fundit u shpallën në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme, të dyshuar për pjesëmarrje në strukturat e krimit të organizuar, ofrimin e ndihmës për vrasje apo organizimin e kultivimit të kanabisit.

“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale,” deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, sipas një njoftimi për shtyp të policisë të publikuar në Facebook. [Link]

Përjashtimi i këtyre dy zyrtarëve është në fakt një veprim simbolik, nëse merret parasysh se që të dy janë shpallur në kërkim. Por dosja e SPAK për hetimin e shtatë grupeve të ndryshme kriminale, aktivitetet e së cilave u arritën të zbardhen falë të dhënave të siguruara nga partnerët perëndimorë të vendit, tregon se në fakt, Mitri dhe Shahini nuk ishin të vetmit policë të përfshirë në aktivitete kriminale ndërsa shumë të tjerë, disa të identifikuar dhe të marrë të pandehur dhe të tjerë, për të cilët duket se hetimet vijojnë, janë bashkëpunëtorë të ngushtë të krimit dhe gjithashtu të përfshirë drejtpërsëdrejti në ngjarje kriminale. Ndërsa kultivimi masiv i drogës në zonën e Fushë-Krujës, Laçit, Krujës, Mirditës, Lezhës apo Shkodrës duket se sugjeron se e gjithë forca policore që ka shërbyer, së paku gjatë vitit 2020, ose ka mbyllur sytë, ose ka qenë drejtpërsëdrejti e përfshirë.

Dosja flet mes të tjerash për policin Altin Morina, i cili u mor i pandehur, por që, sipas të dhënave të kapura, ishte një agjent i Durim Bamit brenda Policisë së Shtetit. Komunikimet e tij me Bamin tregojnë se ai nuk është se thjeshtë qarkullonte informacione nga policia te krimi, por shërbente si sekser, ku në shumë raste, përkundrejt pagesave, blinte bashkëpunimin e kolegëve të tij sa herë që grupit kriminal i shfaqej një telash, fjala vjen, i kapej një eksponent me armë pa leje. Morina shfaqet gjithashtu si investitor në aktivitete të paligjshme, i aftë të alokojë qindramijëra euro, përkundrejt pjesëve nga fitimet e aktiviteteve të paligjshme, me kultivues kanabisi në zonën e Fushë-Krujës dhe Krujës.

Aktiviteti i kultivimit të kanabisit, për aq sa kapet nga komunikimet e Durim Bamit, ishte i gjithëpërhapur. Ai shtrihej nga fshatrat pranë bregdetit të Adriatikut deri në malësinë e Krujës. Ishin mijëra dhe mijëra rrënjë, ndërsa komunikimet zbulojnë një treg prej miliona eurosh dhe mundësi për investime pa kurrfarë kontrolli. Kultivimi i drogës në një territor kaq të gjerë duket se vështirë se ka ndodhur pa heshtjen aktive, nga frika apo përkundrejt pagesës, të të gjithë trupës policore të zonës ku ky aktivitet është kryer, nga Kamza e Fushë-Kruja, në Laç, Lezhë, Mirditë, Mat etj.

Në këtë kontekst, çdo oficer policie apo edhe çdo polic i thjeshtë që ka punuar në këto zona përgjatë kohës që janë kryer këto hetime, pra vitit 2020 dhe 2021, logjikisht që duhet të shikohet si një bashkëpunëtor i mundshëm i krimit. Dhe në këtë kontekst, përjashtimi nga policia i dy oficerëve, bën praktikisht asgjë për të luftuar kriminalizimin e radhëve të policisë, një kriminalizim që, për aq sa lexohet në dosje, ka përmasa masive.

Dosja e SPAK mbi të shtatë grupet kriminale u ndërtua si rrjedhojë e përdorimit nga dhjetëra eksponentë të krimit dhe të politikës të celularëve të posaçëm që ofronin komunikim të koduar përmes një aplikacioni të njohur si SKY ECC. Aplikacioni supozohet se merr një informacion nga një celular, e bën të palexueshëm para se ta transferojë te celulari marrës për ta bërë të lexueshëm, pa e ruajtur asgjëkundi dhe duke siguruar në këtë mënyrë që bisedat në distancë të ruheshin nga përgjimi. Në realitet, komunikimet u ruajtën në një server, të cilin Policia e Francës e konfiskoi, duke siguruar në këtë mënyrë miliona të dhëna të krimit të organizuar.

Komunikimet mes këtyre grupeve kriminale, të cilat iu dhanë Prokurorisë së Posaçme nga partnerët perëndimorë, paraqesin një Shqipëri që është në mënyrë tërësore nën kontrollin e krimit. Krimi është në gjendje të kontrollojë territorin, ata mbjellin kanabis kudo që munden, nga zonat më të thella malore deri në zonat pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës apo në bregdet. Policia, e cila duhet të kontrollojë territorin, ofron bashkëpunim, duke u koordinuar me krimin në ditët dhe orët kur duhet të bëhen kontrollet apo, me raste, duke kryer operacione për kapjen e vërtetë të drogës kur një grup kriminal përdor policinë për të sulmuar një grup tjetër kriminal. Oficerët e policisë përdorin asetet e policisë, jo për të luftuar krimin, por për t’i shërbyer krimit. Dhe mungesa e kontrollit të territorit vërehet në disa detaje drithëruese. Për shembull, në një rast, një i dyshuar nga burgu komunikon me një tjetër jashtë dhe i thotë se një grup kriminal ka në shënjestër për të vrarë dikë që banon në zonën e tij në Tiranë, por që nuk i afrohet dot për shkak se territori në fjalë, është nën kontrollin e këtij grupi. Ndërsa një i dyshuar tjetër i komunikon një vrasësi me pagesë duke i thënë se policia është relativisht problem në Tiranë ndërsa, “sapo kalon Kaza Italia nuk e rruan kush.”

Kontrolli i territorit nga krimi duket se është aq i fuqishëm, sa kriminelët i kërkojnë leje për të vepruar në një territor të caktuar, jo shefave të policisë,  por njëri-tjetrit.

Edhe puna e zakonshme parandaluese që një forcë policore bën mbi subjekte që njihen, jo vetëm nga të dhënat policore, por edhe publikisht, se përbëjnë një rrezik të fortë publik, nuk duket gjëkundi. Dosja tregon se përgjatë më shumë se një viti, duke filluar nga janari i vitit 2020 dhe duke mbaruar diku nga fillimi i vitit 2021, shtatë grupe kriminale punonin pothuajse çdo ditë, duke porositur vrasje, duke vrojtuar shënjestrat, duke dështuar në atentate, duke vënë bomba që shpërthejnë në mes të qytetit dhe plagosin kalimtarë të rastësishëm apo duke u marrë me punët e zakonshme  të trafikut të drogës, pastrimit të parave, investimit në ndërtim, blerjes së dyqaneve. E megjithatë, grupet kriminale duket se kanë nën përgjim policinë më shumë se sa policia ka nën përgjim grupet kriminale. Kjo e bën veprimin e përjashtimit të dy oficerëve të shpallur sakaq në kërkim, një barsoletë me polic.

Vizita e Cameronit në Tiranë, Andi Hoxhaj: Problemi i grupeve kriminale shumë serioz, janë 450 mln paund që vijnë cash në Shqipëri

Andi Hoxhaj, pedagog në “University College London” duke komentuar vizitën e David Cameron, Sekretarit të Jashtëm britanik, në Shqipëri, tha se problemi i grupeve kriminale në Britaninë e Madhe është shumë serioz.

Hoxhaj u shpreh se janë 450 mln paund që vijnë cash në Shqipëri, por ne nuk dimë pjesën tjetër.

Në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24 të gazetarit Klevi Muka, Hoxhaj u shpreh se gjëja më ideale do të ishte që emigrantët të udhëtonin në mënyrë legale.

“Një nga investimet që ka bërë Britania e Madhe për të ulur fluksin e emigrantëve nga Shqipëria janë investimet në zonën veriore të Shqipërisë, janë dhënë 7 mln paund si mbështetje për zhvillimin e zonës. A mundet kjo të frenojë emigrimin e paligjshëm kjo mbetet për tu parë”, tha ai.

 

Hoxhaj u shpreh se përsa i takon çështjes së emigrantëve si Qeveria dhe opozita kanë të njëjtat qëndrime, dallimi i vetëm në Britaninë e Madhe, janë politikat që mund të ndiqen.

“Në Britaninë e Madhe nuk duan më emigrantë të paligjshëm dhe kjo është evidente në qëndrime si nga Qeveria ashtu edhe nga opozita”, theksoi Hoxhaj.

Ai shtoi se disa nga emigrantët kanë arritur të integrohen, ndërsa ata më të pakualifikuar nuk kanë mundur. “Ndoshta një lloj zgjidhje mund të jenë vizat sezonale”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se shqiptarët janë një komunitet relativisht i ri në Britaninë e Madhe, por kanë qenë të sukseshëm në disa nga inisiativat. “Nëse shikojmë marrëveshjet mes dy vendeve, janë shtuar çështjes që kanë fokus rininë, bashkëpunime në fusha të ndryshme, përfshi edhe arsimimin. kemi shqiptarë që janë zgjedhur në këshillin bashkiak në Londër dhe ky është një sukses, pasi janë votuar edhe nga britanikët”, theksoi Hoxhaj.

Sipas tij, në Britaninë e Madhe janë 140 mijë shqiptarë, duke përbërë komunitetin e 3-të më të madh të shqiptarëve në Botë.bw

Gazeta gjermane: Kampi i refugjatëve në Shqipëri, një burg italian në Lezhë

Nga Adelheid Woelfl, Frankfurter Rundchau

Grerëzat fluturojnë zhurmshëm dhe ngadalë mbi shkurre, të cilat mbajnë erë fiku. Megjithatë, shumë pak të lë të kuptosh se këtu do të ndërtohet një kamp për 3000 emigrantë. Toka pas rrotullave të telit mbi të cila gjendet një tabelë me mbishkrimin “Zonë Ushtarake” u trazua dhe më pas u rrafshua.

Por mjetet e ndërtimit tani kanë ngecur sërish. Disa lopë po bëjnë një shëtitje të qetë. Dhe dhitë presin në rrezet e diellit pranveror në hyrjet e tunelit të bllokuar që të çon te mali. Brenda malit ka një sistem të madh bunkerësh që strehonin rreth 50 avionë kinezë gjatë epokës komuniste.

Këtu, në këtë stacion ushtarak, ngjitur me fshatin Gjadër, me një popullsi prej 2000 banorësh, pranë qytetit verior shqiptar të Lezhës, në muajt e ardhshëm do të ndërtohen godina për emigrantët. Refugjatët me varka që merren në Mesdhe, para se të mbërrijnë në Itali, do të dërgohen në Shqipëri. Kampi nuk paguhet vetëm nga shteti italian, por këtu zbatohet edhe ligji italian. Diçka që ekspertët kushtetues shqiptarë e konsiderojnë të paligjshme. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese shqiptare miratoi projektin.

Në veçanti, fakti që emigrantët nuk lejohen të largohen nga kampi, po shkakton kritika të forta. Nuk ka pasur kurrë një kufizim kaq masiv të lirisë në Evropën demokratike. Është në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Për fshatin Gjadër, projekti italian do të thotë se këtu do të ndërtohet një lloj burgu. Askush nuk e di se kush do të vijë saktësisht në Gjadër, por ndoshta nuk do të jenë familje, sepse mbrojtje e veçantë duhet t’u jepet veçanërisht të miturve. Banorët e fshatit katolik, me kishën e tij të bukur famullitare dhe varrezat e zbukuruara me dashuri, janë të shqetësuar se emigrantët, të cilët trajtohen si të burgosur, mund të sëmuren mendërisht.

Punë për popullatën vendase përmes kampeve të refugjatëve?

40-vjeçarja Mariana Ndoci, e cila po u shërben disa vizitorëve në kafenenë e fshatit, beson se projekti italian është një “eksperiment social”. Ata duan të zbulojnë se si, dhe nëse funksionon. “Nëse i mbani njerëzit robër për kaq gjatë, ata bëhen agresivë. “Po sikur disa njerëz të përpiqen të dalin nga kampi?” Zonja Ndoci dhe të tjerë në fshat kritikojnë faktin se as nuk u pyetën nëse ishin dakord me kampin italian në Gjadër. Thjesht u paraqit si një fakt i kryer.

Vizitorët e tjerë të kafenesë bien dakord. Berberi Armando Hamolli thotë se qeveria shqiptare po e bën këtë vetëm për interesa vetjake. Megjithatë, mund të ndodhë që të paktën të krijohen vende pune për popullatën lokale. Në fund të fundit, kampi ka nevojë për një stacion mjekësor dhe njerëz për të mirëmbajtur ndërtesat, për shembull. Sipas marrëveshjes me Italinë, “numri i përgjithshëm i emigrantëve që qëndrojnë në territorin shqiptar në të njëjtën kohë, në përputhje me këtë protokoll, nuk mund të kalojë 3000 persona”. Por kjo do të thotë se llogaria e qeverisë italiane nuk ka gjasa të funksionojë: se kërcënimi për të ardhur në Shqipëri, në vend të Italisë, mund të jetë aq parandalues ​​sa më pak emigrantë do guxojnë të kalojnë Mesdheun nga Afrika.

Sqarimi i nevojës së emigrantëve për mbrojtje mund të zgjasë me muaj dhe ndërkohë dhjetëra mijëra do të kenë ardhur sërish në Itali. Avokatët dhe organizatat ndërkombëtare që kujdesen për azilkërkuesit, si dhe agjencitë e BE-së, duhet të kenë akses në kamp.

Megjithatë, protokolli ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, i cili hyri në fuqi në mars, parashikon përjashtime të shumta për autoritetet italiane: nuk kërkohet leje ndërtimi për të ngritur ndërtesat në kamp, dhe ndërtesat janë të përjashtuara nga tarifat dhe taksat doganore. Italianët, që janë të punësuar në kamp, gjithashtu nuk duhet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat apo kontributet e sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Nuk ka kufizime apo kontrolle se sa euro mund të sillni në Shqipëri. Stafi italian gjithashtu nuk ka nevojë për viza. Kushdo që qëndron në Shqipëri për më shumë se 90 ditët e lejuara, do të marrë “një dokument identiteti pa pagesë me kërkesë të thjeshtë”, sipas protokollit.

Kjo vlen për pesë vitet e ardhshme, dhe nëse asnjë palë nuk kundërshton, marrëveshja do të “zgjatet në heshtje edhe për pesë vjet të tjera”. Autoritetet italiane janë angazhuar të transferojnë 16.5 milionë euro si një lloj paradhënie në një llogari të posaçme në thesarin shqiptar. Në portin e Shëngjinit, jo shumë larg Gjadrit, po ndërtohet intensivisht një kompleks në të cilin emigrantët do t’i nënshtrohen një kontrolli fillestar përpara se të vijnë në kampin aktual. Pritet që vetë kampi të përfundojë deri në tetor.

25 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës, njëri nga vrasësit ndodhet në burg në Bosnjë

Sot 25 vjet më parë në burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviqit. 25 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Për këtë rast, sot do të bëhen homazhe në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të masakrës në Burgun e Dubravës. Sinisha Petriq, i njohur ndryshe si Zenica, tashmë ndodhet në Bosnje dhe Hercegovinë. Njeriu kryesor që dyshohet se ka kryer masakrën në Burgun e Dubravës është ekstraduar nga Spanja para pak muajsh.

Sinisha Petriq,
Sinisha Petriq,

Sipas mediave boshnjake, ai nga aeroporti është dërguar menjëherë në burgun e Foçës të Bosnjës. Gjykata e Qarkut në Banjallukë miratoi dënimin e Petriqit në BeH edhe më herët. Ai njihet si krahu i djathtë i Lluka Bojoviqit, si dhe për vrasjet gjakftohtë dhe monstruoze në mbarë Evropën.

Si i mitur, “Zenica” ishte anëtar i grupit të vrasësve të Marinko Magdës, i cili masakroi 14 persona në Vojvodinë dhe Hungari. Ekipi i Petriqit punoi për Magdën, kështu që në janar të vitit 1994, në vetëm një natë, në Suboticë, ata vranë Millanin, Stanin dhe djalin e tyre Dane Petriqin, i cili në atë kohë ishte vetëm 11 vjeç, si dhe Vera dhe Josip Agatiqin.

Më herët, Gjykata e Qarkut në Banjallukë ka njoftuar se ka nxjerrë një vendim për njohjen e vendimit të gjykatës kombëtare spanjolle për shkak se janë plotësuar kërkesat ligjore, si dhe kërkesat nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kështu, gjykata pranoi se Petriqi po vuan dënimin në Bosnje dhe Hercegovinë.

Me vendim të gjykatës kombëtare në Spanjë, Petriqi u dënua me pesë vjet për krim të organizuar dhe për posedim të një arsenali lufte të armëve dhe armëve të zjarrit me 10 vjet burg. Siç shpjegohet në deklaratën e Gjykatës së Qarkut të Banjallukës, ajo për të cilën Petriqi u dënua në Spanjë janë vepra penale sipas legjislacionit vendas, shkruajnë mediat e Kosovës.

Krimineli serb për të cilin dështoi ekstradimi nga Spanja në Bosnjë e Hercegovinë dy herë me radhë, njihet mjaft mirë nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës. Sinisha Petriq, i njohur me nofkën ‘Zenica’, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe ishte dërguar në Dubravë si i burgosur, por aty i ishte dhënë një armë e kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë. Në periudhën e luftës në Kosovë, ai kishte përfunduar në Burgun e Dubravës, ku serbët e dënuar me dënime të rënda, përfshirë dënime kapitale, kishin marrë një ofertë: të vrisnin shqiptarë të burgosur aty në këmbim të lirisë.

Ai, bashkë me ekzekutorë të tjerë, lidhen me dyshimet për vrasjen e 95 shqiptarëve. Atë fort mirë e kujton Dëfrim Rifaj, që bashkë kishin ndarë edhe burgun e Nishit e edhe atë të Dubravës. Rrethanat e çuditshme që kanë çuar në ekstradimin e tij nga Spanja në Bosnjë e Hercegovinë, nuk e gëzojnë atë, pasi sipas tij, i njëjti do të duhej të ballafaqohej me krimet e kryera në Kosovë.

“Emrin e tij le se e kam dëgjuar, por edhe e kam njohur personalisht, sepse ka qenë i dënuar dhe vuajtjen e dënimit e ka pasur në Burgun e Nishit. Kemi qenë bashkëvuajtës. Ka qenë ordiner, i burgosur kriminel, me plot kuptimin e fjalës. Me fillimin e bombardimeve merret vendim që ata me dënim me vdekje dhe të përjetshëm të sillen në Kosovë. E njoh mirë. E kam pas dy hapa para kur na kanë qit në pushkatim”, ka thënë Dëfrim Rifaj, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.

Emri i tij është i njohur edhe për të mbijetuarit e tjerë të Masakrës së Dubravës, por dënimi i tij eventual, nuk është i mjaftueshëm për disa prej tyre, meqë urdhërdhënësit vazhdojnë të mbeten të lirë. “Emrat e përveçëm, për mua si një i mbijetuar nuk do të thonë asgjë, për shkak se procesi është shumë më i ndërlikuar. Do duhej të ketë një qasje tjetër, për shkak se përgjegjësit kryesorë për organizmin e kësaj masakre, dhe ekzekutimin e kësaj masakre nuk po përmenden fare, pra është vijë institucionale e Serbisë”, ka deklaruar deputeti Enver Dugolli.

Përderisa në duar mban listën me 200 emrat e kriminelëve të Masakrës së Dubravës, i mbijetuar Nait Hasani tregon se dënim s’kanë marrë as 1% e tyre, por që shpresën e ka akoma.

“Janë dy raste. Një rast është në Prishtinë një gardian që ka marrë pjesë në torturat tona të të burgosurve, drejtpërdrejt në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit. Ai është i arrestuar, dhe të njëjtën kohë gardiani i Dubravës, Gagi. Pra vetëm këto dy raste i kemi nga 190 raste tjera që janë, të pjesëmarrësve që në forma të ndryshme kanë torturuar, vrarë dhe masakruar në Dubravë, bashkë me ushtrinë policinë dhe të burgosurit serbë që kanë qenë”, është shprehur Nait Hasani më herët për rtv Dukagjinin.

Përveç si pjesëmarrës në masakrën e Dubravës, në maj të vitit 1999, Petriq, lidhet edhe me rrethanat e pandriçuara të vrasjes së të rinjve serb në kafeterinë Panda, për të cilin kishte pasur tentime që të fajësohen shqiptarët.

Ekstradimi i tij drejtë Bosnjës, për vuajtje të pjesës së mbetur të dënimit për krim të organizuar e një arsenal armësh që i ishte kapur në Spanjë, pritet që të bëhet në muajin e ardhshëm. Por mediat boshnjake, kanë paralajmëruar për mundësinë që ai pas një kohe të shkurtër, të përfundojë sërish në liri, pavarësisht pretendimeve për krime të rënda që rëndojnë mbi të.

(Balkanweb)

VIDEO- Xhymshiti: Berisha u shpall nongrada për interesa shumë të thella, ky vendim duhet të hetohet

I ftuar në emisionin A Show në SYRI TV me moderatorin Adi Krasta për të diskutuar për shkrimin e Frontline mbi Gabriel Escobar-i, zv/ndihmëssekretari i SHBA-së ishte gazetari, Vudi Xhymshiti.

Xhymishti është shprehur se deklarimi Nongrada i Berishës ishte për shpenzime të tjera politike që janë shumë të thella dhe ne nga imazhi i parë nuk i dallojmë dot ato arsye.

Historia e Nongradës për hir të integritetit dhe vërtetësisë kjo duhet të hetohet kjo çështje.

Dje kam botuar intervistën që kisha me Berishën në Frontline. Biseda që kisha më liderin e opozitës është se Eskobar është një shpërfaqje relativisht e dukshme, e një problemi shumë më të madh që qëndron brenda DASH.

Duket qartë se deklarimi Nongrada e Berishë ishte e orkestruar për shpenzime të tjera politike që janë shumë të thella dhe ne nga imazhi i parë nuk i dallojmë dot ato arsye.

Ndahet nga jeta Tanush Mulleti, ish-kryetari i Shoqatës së ish të Përndjekurve dhe Burgosurve të Shqipërisë

Ish-kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve dhe Burgosurve të Shqipërisë, Tanush Mulleti, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Lajmin e vdekjes së Mulletit, e ka dhënë djali i tij Niuton Mulleti, përmes një postimi në Facebook, ku bën dhe me dije se ceremonia e varrimit do të bëhet ditën e martë në orën 14:00 në varrezat e Tufinës, Tiranë.

“Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.

Me hidhërim të thellë, ju njoftoj që babai im Tanush Haki Mulleti ndërroi jetë sot.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e martë, më 21 maj 2024, ora 14:00, në varrezat e Tufinës, Tiranë.

Pritjet bëhen tek Shtëpia Funerale “ALBA 2000”, rruga e Dibrës, Nr. 302 (pranë Medresesë), Tiranë.

Qofsh i xhenetit zemra ime!”, shkruan ai.

Kujtojmë se Tanush Mulleti ka shërbyer në disa detyra e funksione te larta shteterore mes tyre dhe si Drejtor i Burgut 313 në Tiranë. OraNews

Londër, gjykata: Julian Assange mund ta apelojë vendimin për ekstradim

VOA/Marrë nga Associated Press

Themeluesi i WikiLeaks-it Julian Assange mund ta apeloj një urdhër për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh. Vendimi që u mor të hënën nga një gjykatë në Londër ka të ngjarë të zvarritë edhe më tej atë që tashmë ka qenë një sagë e gjatë ligjore.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson thanë se zoti Assange ka arsye ta kundërshtojë urdhrin e ekstradimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Ndaj 52 vjeçarit Julian Assange rëndojnë 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për përdorim për qëllime keqdashëse të kompjuterit, lidhur me publikimin rreth 15 vite më parë në faqen e tij të internetit, të dokumenteve të klasifikuara amerikane.

Vendimi i gjykatës u prit me brohoritje nga mbështetësit e zotit Assange të mbledhur jashtë dyerve të saj.

Eksperti australian i kompjuterave i ka kaluar pesë vitet e fundit në një burg britanik të sigurisë së lartë pasi u strehua në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për shtatë vjet.

Julian Assange nuk ishte në gjykatë për të dëgjuar vendimin për arsye shëndetësore, sipas avokatit të tij.

Avokati Edward Fitzgerald tha se prokurorët nuk kishin garantuar që zoti Assange, i cili është një shtetas australian dhe pretendon mbrojtje si gazetar për publikimin e informacioneve të klasifikuara të qeverisë amerikene, të mbështetet në mbrojtjen që garanton Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes.

Prokurorët amerikanë pretendojnë se zoti Assange inkurajoi dhe ndihmoi analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane Chelsea Manning, që të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake të cilat u publikuan në WikiLeaks.

Avokatët e zotit Assange thonë se ai ishte një gazetar që ekspozoi shkeljet e bëra nga ushtria amerikane në Irak dhe Afganistan. Dërgimi i tij në SHBA thanë ata, do ta vendoste zotin Assange para mundësive për një ndjekje penale të motivuar politikisht dhe do të rrezikonte në një “mohim flagrant të drejtësisë”.

Qeveria amerikane thotë se veprimet e Julian Assange-t shkuan shumë përtej atyre të një gazetari, që mbledh informacione dhe se ishin një përpjekje për të kërkuar, vjedhur dhe botuar, pa dallim, dokumente të klasifikuara qeveritare.

Në mars, dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë hodhën poshtë pjesën më të madhe të argumenteve të zotit Assange, por thanë se ai mund ta çonte çështjen e tij në Gjykatën e Apelit, nëse Shtete e Bashkuara nuk garantonin se ai nuk do të përballej me dënimin me vdekje nëse ekstradohej dhe se do të gëzonte të njëjtën mbrojtje për fjalën e lirë, si çdo qytetar amerikan.

Gjykata tha se nëse zoti Assange nuk mund të mbështetej tek Amendamenti i Parë, atëherë kjo do ta bënte estradimin e tij të diskutueshëm, nëse ishte i papajtueshëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila gjithashtu siguron lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e medias.

Shtetet e Bashkuara thonë se zoti Assange mund të kërkojë të mbështetet tek amendamenti i parë i kushtetutës, por do të jetë në dorën e gjykatësit të vendosë nëse ai mund ta bëjë një gjë të tillë.

Avokati James Lewis, që përfaqëson qeverinë amerikane tha se verimet e zotit Assange nuk “mbroheshin” nga Amendamenti i Parë.

Askush, as qytetarët amerikanë dhe as shtetasit e huaj, nuk kanë të drejtë të mbështeten tek Amendamenti i Parë në lidhje me publikimin e informacionit mbi mbrotjen kombëtare të siguruar në mënyrë të paligjshme, duke dhënë emra burimesh të pafajshme e duke i vendosur ata përballë një rreziku të menjëhershëm për t’u dëmtuar”, tha ai.

Avokatët e zotit Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse shpallet fajtor, por autoritetet amerikane kanë thënë se çdo vendim për dënimin e tij, do të parashikonte një masë shumë më të shkurtër dënimi.


Send this to a friend