Ky është refreni që përdor Rama dhe të tijtë sa herë që ndonjë deputet, ministër, eksponent i tij përfundon në burg apo kapet me drogë.
Përgjegjësia është personale, po, patjetër, si përgjegjesi penale, civile, administrative dhe sigurisht morale.
Por, një kryeministër apo kryetar partie mban përgjegjësi politike për gjithçka që ndodh në sferën e veprimit të tij, madje edhe jashtë saj, aq më tepër për zgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe vartësve të tij!
Sipas BBC, përveç krizës ekonomike botërore, shkak i dorëheqjes si kryeministër i Boris Johnson ishin:
1. Afera Chris Pincher, eksponent i Partisë Konservatore, që i dehur në një klub, u tha që kishte kryer akte të turpshme me dy burra.
2. PartyGate, ku Kryeministri, për organizimin e ditëlindjes së tij në 2020, theu rregullat e lockdown-it gjatë pandemisë. Për këtë, ai u gjobit së bashku me zyrtarë të tjerë.
3. Rasti Owen Paterson në 2021, deputet i Partisë Konservatore, ku një komitet i House of Commons e pezulloi për shkak se kishte shkelur rregullat e lobimit në favor të disa kompanive private. Boris Johnson vendosi t’i jepte fund pezullimit dhe teorikisht të hetonte. Ky veprim nuk e mbylli skandalin, madje deputeti në përfundim dha dorëheqjen nga mandati.
Tani, imagjinoni sikur Boris Johnson për secilin rast të mbrohej me “përgjegjësia është personale…”. Jo vetëm nuk guxoi të pretendonte diçka të tillë, por pranoi përgjegjësitë për qëndrime tij! Madje, dorëheqja nuk erdhi si pasojë e opozitës, por e vetë Partisë Konservatore!
Dikush mund të thotë që “ç’krahason dhe ti, Britaninë, që ka parlament që me Magna Carta Libertatum në 1215….”
Kjo është mendësia e atyre që mendojnë se Shqipërisë i duhen 800 vjet për t’u bërë….a thua se do të shpikim ndonjë gjë të re e nuk na mjafton të zbatojmë eksperiencat e kombeve më të përparuara….
E përsa kohë, ne, eksperiencat e demokracive të mëdha i njohim, por refuzojmë, me dashje, t’i zbatojmë, do të vazhdojmë të bëjmë fëmijë për Anglinë, SHBA, Gjermaninë etj….
Komentet