E di që shumë prej jush do habiteni me titullin me numra por besoj do keni durimin sa ta shpjegoj në shkrimin tim të mëposhtëm.
Që nga premtimi publik i Liderit historik të Partisë Demokratike për mundësinë e votimit të diasporës nga vendet ku jetojmë kemi parë lëvizje të etshme nga shumë faktorë brenda dhe jashtë vendit për të bërë zhurmë për votën e diasporës.
Flamurin e kësaj potereje e ka mbajtur një grupim me qendër në Zvicër që quhet “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” grupim që në dijeninë time përpos emrit që mban nuk ka asnjë mandat të flasë në emër të Diasporës që për fatin e keq të Shqipërisë sot ndoshta është më e madhe në numër se vetë popullsia e Shqipërisë.
Narrativa publike e këtij grupimi të cilit i jepet hapësirë e bollshme mediatike në median shqiptare është përqëndruar në disa drejtime;
E para, bëhet zhurmë për votën e diasporës dhe njëkohësisht atakohet Partia Demokratike në zgjedhjet e anëtarësisë së saj që rezultuan në zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie me 22 Maj. Kjo lloj përçmimi i lëvizjeve më demokratike që kemi parë në një parti politike për mua nuk është i rastësishëm.
Siç e ceka më sipër Sali Berisha ka premtuar publikisht votimin e diasporës.
E dyta, krejt rastësisht një grup drejtuesish i “Diasporës për Shqipërinë e lirë” u gjet në një aktivitet në New York për përurimin e një rruge ku ishte edhe numri dy i ‘rilindjes’ Erion Veliaj.
Ky grupim pozoi dhe u takua edhe me zv Ambasadorin e Shqiperisë në SHBA.
Edhe kjo lloj shfaqje kur po ky grup atakon opozitën nuk më duket i rastësishëm.
Ky grupim nën hashtagun “diasporapolëviz” i ka bërë një letër publike Kryetares së Kuvendit ku mes të tjerave kërkohet ndryshim kushtetues që t’i hapet rruga zgjedhjes si president një emri nga diaspora. A thua se problemi është tek emri dhe jo tek problemi real që janë kompetencat inekzistente të presidentit!
Kjo për mua është propagandë e orkestruar rilindase.
Argumenti që më së shumti përforcon dyshimin tim se ky grupim është kryekëput në shërbim të pushtetit të ‘rilindjes’ është fakti që shumë eksponentë të ‘Diasporës për Shqipërinë e Lirë’ në prononcime të ndryshme i bien fyellit për një opozitë të re kur ne kemi përvojën tashmë 20 vjeçare të mbytjes në embrion të çdo tentative për krijimin e një force të re politike e aftë për të marrë pushtet. Shembujt janë të panumërt.
Pushteti ka mbyllur çdo hapësirë reale për levizje të reja opozitare me pushtetin.
Duke qenë PD e rithemeluar e vetmja mundësi opozicioni jo më kot është bërë target i rilindjes dhe të gjithë satelitëve të saj brenda e jashtë vendit.
E treta, ky grupim u prit me bujë nga drejtues të Federatës Shqiptaro-Amerikane “Vatra” organizate që ka kohë që mban qëndrime që qartazi mbështesin qeverinë e Tiranës.
Drejtuesit e Vatrës – është thënë në media – që kanë anulluar takimin me një nga drejtuesit opozitës reale Belind Këlliçit që këto ditë ndodhet në Shtetet e Bashkuara.
Që nga koha e krijimit të saj VATRA nuk ka qenë kurre më indiferente ndaj zhvillimeve dramatike në Shqipëri ku vendi është shumë afër rrëshqitjes në diktaturë!
Nuk do ta kisha shkruar këtë shkrim nëse nuk do të isha informuar se sot në Tiranë qenka mbledhur një tryezë e organizuar nga OSBE për votën e diasporës.
Po në këtë takim Ambasadorja amerikane i duke u munduar të citojë një raport ndërkombëtar i paska quajtur zgjedhjet e 25 Prillit të mira por jo perfekte!
Me shumë shqetësim dëgjuam dhe pamë një propozim të deputetit Alibeaj që për diasporën të ketë zonë të 13të zgjedhore përveç 12 zonave që ka aktualisht Shqipëria.
Pas goditjes që ky ‘kalë Troje’ i Ramës i ka dhënë PD-së duke çuar siglën e saj në gjykatat e rilindjes ky është akti më i turpshmëm dhe goditja më e pabesë që ky njeri i bën demokracisë dhe votës së gjysmës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Përveç kësaj ky është një shërbim i pastër pēr pushtetin kriminal të rilindjes që nuk duan vota të cilat nuk i kontrollojnë dot!
Këtë unë e shoh edhe si një lëvizje diabolike të rilindjes për të ulur në një minimum të papërfillshëm votën e emigrantēve që jetojnë në Greqi dhe Itali e që e kanë më të lehtë e me më pak shpenzime për të ardhur dhe votuar fizikisht në Shqipëri.
Nëse për Bashën 7×7=42 për Alibeajn 1/2=1/13!
Kjo me fjalë të tjera do të thotë të reduktosh votën e gjysmës së shqiptarëve në një zonë zgjedhore që mund të ketë nga 3 deri në 5 deputetë!
Do të ju bëja thirrje të gjithë faktorëve opozitarë që çdo orvatje për të reduktuar fuqinë e votës së Diasporës shqiptare në mandate sa gishtat e njërës dorë është goditje për dermokracinë shqiptare, është shkelje flagrante e një nga të drejtave elementare të shtetasve shqiptarë siç e drejta e votës!
Përveç kësaj kjo është shërbim ndaj pushtetit me vota të vjedhura!
I drejtohem me emër kryetarit të Partisë Demokratike Z. Sali Berisha!
I drejtohem kryetares së LSI-së Zj Monika Kryemadhi!
Ju drejtohem të gjithë kryetarëve të partive të vogla dhe deputetëve që e ndjejnë veten se kanë mandat me vota të mirëfillta dhe jo të blera:
… që ne shqiptarët që përkohësisht jetojmë jashtë atdheut nuk do pranojmë kurrë që vota jonë e mohuar prej mbi 20 vjet të reduktohet në hiç me makinacione të fëlliqura.
1/2 është 1/2 dhe jo 1/13.
Mos tentoni të na fyeni integritetin!
Milaim Nela, Britani e Madhe.
24 Maj 2022
PS: Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë veçse të autorit dhe nuk përfaqësojnë asnjë grupim, organizatë politike ose jo brenda apo jashtë Shqipërisë.
Komentet