VOAL

VOAL

“Rebelimi” i Gunter Grassit për ‘Nobelin’ e Kadaresë – Nga BASHKIM ZENELI*

December 12, 2015

Komentet

Nga Xhahid Bushati: Koha Justiniane – Aktorja e talentuar Justina Aliaj dhe malli i saj për vendlindjen, ja mbresat për teatrin poetik

Aktorja e talentuar Justina Alia dhe malli i saj për vendlindjen
– Shënime, mbresa dhe përftesa për teatrin poetik.
“Mall për Vendlindjen”, skenariste: Justina Alia –

 

1. Në mesin e muajit maj 2024, aktorja e shquar Justina Alia, kësaj here ndryshe nga të tjerat, përmes mallit e kujtimeve pafund udhëtoi drejt Shkodrës, si skenariste, regjisore, aktore, kostumografe për të vënë në skenë teatrin e saj poetik të titulluar: “Mall për Vendlindjen”. Dhe vetiu, në këtë udhëtim të magjishëm, zëri i saj që i ngjan bilbilit këndon ëmbël si në një ninullë këto vargje muzikale: “Sa herë kthehem në qytetin tim ,/ të bukurat jare bilbila ç’më kujton…, / një pjesë të gëzimit të saj jam dhe unë.”

Justi erdhi. Vallë, po hapat, ku po e çojnë?! Fillimisht ka ardhur të zgjojë fëmijërinë, adoleshencën, rininë e parë, skenën e teatrit “Migjeni” ku për shumë vite interpretoi dhe këndoi… Me një dosje në dorë, ku “jeton” skenari i shfaqjes ngjit ngadalë-ngadalë shkallët e teatrit (tashmë të njohur e të dashur) gjithë emocion. Nuk ka nevojë të trokasë te porta. E njeh ajo. Nuk ka nevojë të jetë “e huaj dhe e panjohur” në skenë. E njeh ajo. Papritur, dëgjon një zë që i flet si nëna: “Justi, mirë se erdhe!” Është malli i Vendlindjes brenda shpirtit që i flet, është malli i pashuar që e puth përjetësisht.

– Mirë se erdhe, bijë!

Dhe kështu na erdhën të gjalla e plot jetë lirikat e Rreshpjes, të Lefter Çipës, tragjikja e Mjedës, fabulat me humorin fin të Dritëro Agollit, lodërzimet e ëmbla të dashurisë të Ali Asllanit, bota e bukur e plot dritë të vargjeve nga pena e Ledia Dushi etj, etj. Dhe kështu, ky teatër poetik me magjinë e tij që na fali Justi i ngjante një qielli me plot yje shkëlqimtarë e ëndërrimtarë. Mbase dhe vetë teatrik poetik ishte një ëndërrim i bukur!

 

2. Teatri poetik i Justit ka një CV të pasur me emra poetësh, që i dhanë emër dhe dritë letërsisë shqipe në vite dhe dekada. E kujdesshme, përmes një kulture poetike, ka zgjedhur një buqetë poezish, ku në krijimet e tyre kanë firmosur fuqishëm poetë si: Mjedja, Ali Asllani, Lefter Çipa, Fred Rreshpja, Ledia Dushi, Dodë Kaçaj etj. Secili është panteon më vete, dhe gërshetimi e harmonizimi i tyre përmes kodeve estetike u kanë dhënë jetë vargjeve interpretimet e shkëlqyera të aktorëve Justina Alia, Merita Smaja, Rajmonda Marko, Jozef Shiroka, Astrit Fani, Simon Shkreli, Fritz Selmani, të cilët fituan dhe duartrokitjet e spektatorëve shkodranë, që për ta kjo natë mbeti një kujtim i bukur dhe i paharruar.

Teatri poetik i konceptuar dhe i strukturuar nga Justi ishte konceptuar në një mënyrë interesante, shpesh befasuese dhe admiruese, siç ishin lëvizjet dhe marrëdhënia skenike. Në lëvizjet interpretative ishte një treshe që ishte bërthama e teatrit poetik e, që lëvizte në mënyrë elegante dhe komunikimi mes tyre pushtonte skenën dhe poezia shpërfaqej me spektrin e ngjyrave të madhështisë e të muzikalitetit të kësaj gjinie artdashëse. Sigurisht, peshën kryesore e mbante aktorja Justina Alia e bashkëshoqëruar me zërat e ngrohtë që të kujtonin puhiza malli të aktoreve: Merita Smaja dhe Rajmonda Marko. Si një dekor i bukur lëvizës, gjallërues e plot nerv poetik që teatrit poetik i jepnin frymëmarrje më të gjerë ishin dhe interpretimet e Jozefit, Astritit, Simonit dhe Fritzit. Dhe kështu na erdhën të gjalla e plot jetë lirikat e Rreshpjes, të Lefter Çipës, tragjikja e Mjedës, fabulat me humorin fin të Dritëro Agollit, lodërzimet e ëmbla të dashurisë të Ali Asllanit, bota e bukur e plot dritë të vargjeve nga pena e Ledia Dushit etj., etj. Dhe kështu, ky teatër poetik me magjinë e tij që na fali Justi i ngjante një qielli me plot yje shkëlqimtarë e ëndërrimtarë. Mbase dhe vetë teatrik poetik ishte një ëndërrim i bukur!

Justi erdhi. Vallë, po hapat, ku po e çojnë?! Fillimisht ka ardhur të zgjojë fëmijërinë, adoleshencën, rininë e parë, skenën e teatrit “Migjeni” ku për shumë vite interpretoi dhe këndoi. Me një dosje në dorë, ku “jeton” skenari i shfaqjes ngjit ngadalë-ngadalë shkallët e teatrit (tashmë të njohur e të dashur) gjithë emocion… Nuk ka nevojë të trokasë te porta. E njeh ajo. Nuk ka nevojë të jetë “e huaj dhe e panjohur” në skenë. E njeh ajo. Papritur, dëgjon një zë që i flet si nëna: “Justi, mirë se erdhe!” Është malli i Vendlindjes brenda shpirtit që i flet, është malli i pashuar që e puth përjetësisht…

3.Në gjithë orën e këndshme të shfaqjes, ndritën dhe dy yje që i dhanë dritë të mëtejshme teatrit poetik, siç ishin kori polifonik “Prenkë Jakova” drejtuar nga Mjeshtri Gjon Shllaku, si dhe “Mall për Vendlindjen” që Justi i fali (kësaj here e si gjithmonë) kësaj kënge të pamoshë: zërin, zemrën, mallin dhe kujtimet…

Vërtet teatri “Migjeni” i Shkodrës shumë vite më parë në këtë skenë kishte ndjekur me ëndje teatrin poetik të Shkollës së Artistit të Madh ‘Serafin Fanko’, dhe ja… kjo rrugë nuk mbeti e heshtur dhe e zbrazur, sepse erdhi Aktorja e dinjitetshme e plot pathos Justina Alia, që jo vetëm i dha dritë këtij zhanri, por mbi të gjitha përmes mallit të Vendlindjes rikujtoi poetët që nuk njohin vdekje, por përjetësi. Këto i gjetëm dhe i pamë në këtë teatër poetik të realizuar artistikisht nga mjeshtëria e Aktores së talentuar Justina Alia.

Talenti i saj solli Kohën Justiniane.

SOPRANOJA ME FAMË BOTËRORE INVA MULA, SË BASHKU ME TENORIN GJERGJI MANI DHE SOPRANON IONELA MANI SJELLIN MUZIKËN SHQIPTARE NË BUKURESHT

 

Nën duartrokitjet frenetike të një publiku entuziast, u kurorëzua një nga mbrëmjet gala, një mbrëmje magjike, që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut në Bukuresht. Një koncert i jashtëzakonshëm, me artistë shqiptarë dhe rumunë, u zhvillua mbrëmjen e së premtes, 24 maj 2024, në Bukuresht. Organizatorët e koncertit ishin Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operetës “Ion Dacian” në Bukuresht. Në skenën e Operetës u ngjit sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, së bashku me çiftin e artistëve shqiptaro-rumun, Gjergji dhe Ionela Mani, si dhe i ftuari special, tenori Daniel Magdal, solist i parë dhe drejtor artistik i Operës Kombëtare të Bukureshtit. Orkestra u drejtua nga dirigjenti Alexandru Ilie, artistët interpretuan për publikun e shumtë pjesë nga muzika shqiptare e rumune, nga repertori botëror, por edhe këngë nga folklori shqiptar e rumun. Perfomanca e lartë interpretuese i të gjithë solistëve, repertori i larmishëm, prania e muzikës shqiptare të lëvruar dhe popullore, me ritmin dhe dinamikën e saj, mahnitën publikun dhe zbuluan edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të muzikës për të bashkuar popujt dhe kulturat. Cilësimi i këtij koncerti gala do të ishte: Zëra të jashtëzakonshëm – publik i mrekullueshëm! Inva Mula – magjia e skenës, zëri i saj i kristaltë, ndjeshmëri e lartë dhe interpretim mjeshtëror arriti të elektrizojë sallën me energjinë e saj; tenori Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë; sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, si dhe tenori, i njohur ndërkombëtarisht, Daniel Magdal, i pakrahasueshëm në interpretimin e tij dhe për performancën brilante si gjithmonë!

Koncerti filloi me Vallen Simfonike nr. 2 të kompozitorit të mirënjohur, Thoma Gaqi, e cila është interpretuar disa herë në Rumani nga orkestra të ndryshme simfonike. Është një pjesë me impakt të madh tek dëgjuesi i huaj, në sajë të strukturës simfonike moderne, harmonisë, ndërtur mbi një lajtmotiv popullor shqiptar.
Artistja e madhe, Inva Mula, e kthyer në Bukuresht pas më shumë se 30 vitesh, ku ka marrë çmimin e parë ndërkombëtar të karrierës së saj, Çmimin George Enescu, shkëlqeu me interpretimet e saj, përmes ndjeshmërisë, qartësisë dhe inteligjencës së epërme të zërit të saj. Përveç disa pjesëve të njohura nga repertori i huaj, ajo interpretoi pjesë të babait të saj, kompozitorit Avni Mula si Agimet shqiptare, Valsi i lumturisë etj. Së bashku me tenorin e ri, të talentuar, Gjergji Mani, befasuan publikun me pjesën rumune Te iubesc (Të dua) të kompozitorit Gherase Dendrino. Gjergji Mani, një zë i fuqishëm, energjik, me timbër plot ngjyrë, përcolli emocione të forta te publiku me një sërë këngësh të njohura shqiptare si Më ka shku menja me u fejue, Bishitalecat palë palë apo Ky marak, këngë të cilën e interpetoi në duet me bashkëshorten e tij, Ionela Mani. Interpetimi në duet me Inva Mulën i këngës arbëreshe E lule -lu duket se arriti pikën kulminante të koncertit, sepse interpetimi i dy solistëve u shoqërua ritmikisht nga spektatorët dhe gëzoi duartrokitje të zgjatura të spektatorëve, të cilët u ngritën në këmbë në shënjë vlerësimi. Sopranoja, Ionela Mani, me veçori vokale të rralla, interpretoi pjesë të vështira nga folklori rumun dhe shqiptar, si Lie, Lie ciocarlie, Baresha apo Margjelo, duke evidentuar cilësitë teknike dhe emocionale të interpetimit. Tenori i njohur rumun, Daniel Magdal, me një karrierë ndërkombëtare, plotësoi paletën e pasur të repertorit të koncertit me pjesë spanjolle dhe franceze. Përpos suksesit të jashtëzakonshëm të të katërve artistëve lirikë, një risi e këtij koncerti ishte fakti që u soll në qendër të vëmendjes, mbase si asnjëherë tjetër në kryeqytetin rumun, muzika shqiptare.
Në sallë ndodheshin personalitete të muzikës dhe artit në Rumani, gazetarë, artdashës dhe simpatizantë të kulturës shqiptare si dhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Televizioni Kombëtar TVR1 realizoi një reportazh të posaçëm për koncertin e jashtëzakonshëm. Deputeti Bogdan-Alin Stoica, kryetari i shoqatës së shqiptarëve, kryetari Dr. Radu-Cosmin Savulescu si dhe Koordinatori i Qendrës Kulturore të ALAR, Dr. Luan Topçiu, morën urimet për organizimin dhe realizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore që ndihmon drejtpërsëdrejti njohjen në shkallë të gjerë të kulturës shqiptare në Rumani, promovimin e artistëve të talentuar e të denjë shqiptarë, që shndërrohen, kësisoj, në ambasadorë të vërtetë të kulturës shqiptare dhe vendit të tyre në botë.

Bukuresht
Zyra e shtypit, ALAR

Vitrina e librit- Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë

Eugjen Merlika; një publicist dhe emër i njohur në agorën e mendimit politik dhe qytetar në Shqipëri, Merlika sjell një përmbledhje artikujsh ku tematikat ndahen mes historisë dhe politikës.

Përmes këndvështrimit të tij të qetë e të shtruar, autori shtjellon mendime mbi çaste të rëndësishme të realitetit shqiptar. 

Pas 30 vitesh, Koncert i jashtëzakonshëm me sopranon e madhe shqiptare Inva Mula në skenën e Operetës & Teatrit Muzikor Kombëtar “Ion Dacian” të Bukureshtit

Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve në Rumani bën me dije:

🌠 Një mbrëmje gala, një ngjarje e jashtëzakonshme, një mbretëri muzikore!

Koncerti i jashtëzakonshëm i organizuar nga Lidhja e Shqiptarëve në Rumani në Operetën Kombëtare dhe Teatrin Muzikor “Ion Dacian” në Bukuresht që kënaqi të pranishmit dhe zbuloi edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme të muzikës për të bashkuar popujt dhe kulturat. 🇷🇴🎶🇦🇱

Të premten, më 24 maj, sopranoja e madhe shqiptare Inva Mula u ngjit në skenën e Operetës, në Rumani me ftesë të ALAR,

së bashku me çiftin e artistëve rumuno-shqiptar, Ionela dhe Gjergji Mani.

Në koncert mori pjesë edhe të ftuarin special, tenori Daniel Magdal, solist i parë i Operës Kombëtare të Bukureshtit.

Të shoqëruar nga orkestra e drejtuar nga maestro Alexandru Ilie, artistët ofruan një koncert në të cilin u ndërthuren muzika rumune, shqiptare dhe universale, folklori dhe krijimi i kultit, melankolia dhe gëzimi. 🎙

Përsëri në Bukuresht pas më shumë se 30 vitesh, Inva Mula interpretoi ndër të tjera një sërë veprash të kompozuara nga vetë babai i tij, kompozitori i njohur shqiptar Avni Mula.

Ajo mrekulloi publikun edhe duke interpretuar veprën në rumanisht “I love you”, nga Gherase Dendrino, në duet me Gjergji Manin. 🎥

Zgjedhjet audio-video nga koncerti në skenën e Operetës dhe Teatrit Muzikor Kombëtar “Ion Dacian” do të jenë në faqen ALAR në ditët në vijim.

Gjithashtu, një raport i detajuar rreth ngjarjes do të publikohet në faqet e revistës mujore “Drita” (“Drita”), të redaktuar nga organizata jonë.

 

Feedback geben

Manifestimi dhe Konkursi letrar Azem Shkreli po afrohet…

Manifestimi dhe Konkursi letrar Azem Shkreli po afrohet…
Të kalojmë disa çaste me mysafirët e ndëruar;
Prof.Dr. Anton Nikë Berisha dhe Prof. Avni Spahiu

Artistja e madhe regjisore e Teatrit Poetik: Mall për Vendlindjen – Shfaqja 16 Maj

Më 16 Maj në Teatrin Migjeni do të shfaqet Teatri Poetik që do të sjellë perla nga veprimtaria poetike e poetëve shqiptarë.

Shfaqja titullohet Mall për vendlindjen dhe regjisore e shfaqjes është artistja e shquar Justina Aliaj.

Krijimtaria poetike do të interpretohet nga aktorët e shquar Justina Aliaj, Mjeshtër i Madh, Merita Smaja, Mjeshtër i Madh, Rajmonda Marku, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Asrtit Fani, Fritz Selmani.

Shfaqja do të shoqërohet me pjesmarrjen e Korit “Prenk Jakova” ne Drejtues Muzikor Gjon Shllaku.

Vetë Artisja e shquar Justina Aliaj bën me dije në rrjetin social datën e shfaqjes që po afron:

“Mirëdita miq e mikesha të dashtuna.

Kam kënaqësinë të ju vë në dijeni se shfaqja po afron.

Lus Zotin me na e shpërblye mundin e punën.

Jemi optimistë, vazhdojmë provat intesivisht deri të mërkurën.

Do të doja të ju kisha të gjithëve ju të dashtunit e mi të fb-ut.

Ashtu besoj edhe për ju.

Por, dëshirat na m’varen shpesh nga kushtet, nga distancat. Arsye mbi arsyet.

Kjoshi mirë.

Ju përqafoj me respekt.

E juaja”

Dashnor Kokonozi sjell martesën e palumtur një roman drame me vlera që të trondit për rrethimin e Shkodrës- Nga Aleko Likaj

 

 

Romani ”Martesa e pa lumtur e Stanishit” e shkrimtarit, dramaturgut, publicistit e studjuesit të njohur Dashnor Kokonozi, ngjason si kronika e pa përfunduar e një qëndrese dhe beteje të zgjatur të shekullit XlV – të, që në fakt nuk e bënë historianët e kohës. Bëhet fjalë për rrethimin e shkodrës, nga ku autori ka marrë ngjarjet, mbështetur në një fakt historik sipas arkivave veneciane, dhe sjell karaktere të mbështjella me ngjyrën e kohës, mardhënie e raporte, jo vetëm luftarake midis popujsh, ku mbizotërojnë ato të vendedikut e shqiptarëve, kryesisht të malësive e rrethinave të shkodrës, malazesë, e deri lart në krahinën e zarës që sot është brenda kufijve të shtetit kroat..

Dhe në këtë histori të dhimbëshme me erë baroti, ku shpatat ngjyroseshin me gjak dhe prisnin mish njeriu duke mbjellur vdekje e sjellë kob, një krushqi me një vajzë nga paria e njohur e Venedikut nis me një udhëtim nëpër adriatik.

Por dhëndëri nuk është në grupin e atyre që do të sjellin nusen në shkodër. Për shkak të përgatitjeve të një rrethimi të madh e të zgjatur, si qëndresë, por edhe presioni i uzurpatorëve osmanë, që këtë rradhë pas rënies së kështjellë së krujës, kërkojnë që të rrëzojnë dhe të marrin edhe fortesën e fundit në arbëri, atë të Shkodrës, në veri perëndim të vendit. Stanishi dhëndër, princi i Zetës (në atë kohë kështu emërtohej Mali i Zi), ka marrë përsipër organizimin, dhe ndodhet në vijën e parë të bllokadës qê i kanë bërë vëndasit uzurpatorit qê grumbullohej dita ditës poshtë kështjellë, por pa dhënë betejë.

Në vend të tij është prezantuar një miku i afërt, Gjura Banovina, ”sozia” dhe vëllami i tij .

Historia me vajzën nga venediku Valeria Orseola, zë fill realisht nga nje portret i piktori të njohur venecian, Xhentile Belini, tablonë e së cilës e kishte sjellë edhe në shkodër. Kapedani i ri Stanishi ishte dashuruar marrêzisht pas portretit të vajzës së oseolëve. Kish këmbëngulur më pas që të lidhej e ta bënte si pjesë dhe vetja e dytë e tij. Autori e përshkruan si një dashuri tê madhe edhe pse Kapedani i ri nuk kishte kontaktuar asnjêherê. Në shpurrën që e shoqëron vajzën venedikase në anije ndodhet edhe babai i heroit, një princ i vjetër, kryezot e kapedan i rëndësishëm, që dikur ka qenë pjesë e luftimeve me Gjergj Kastriotin gjatë betejave në shqipëri. Mirëpo ndodh ajo më e pabesueshmja në anije, ndërsa ajo çan valët e detit për tu afruar brigjeve arbërore, në qytetin që përgatitej të përballonte hordhitë pushtuese të ardhur nga lindja.

Valeria Oseola nusja venedikase dhe e bija e Sior Orseolës, një nga kapedanët dhe shtetarët më të zëshmë të republikës së venedikut dashurohet nga bukuria fizike e njeriut për tê cilin i a kanê prezantuar si burri i ardhshëm i saj, dhe i futet natën në dhomën e gjumit të tij, dhe në shtrat në një kthinë të hambarit të anijes. Kjo skenë përsëritet edhe natën pasardhëse, ndërsa ka rënë në sy të rojes besnike të babait të Stanishit.

Mbritja në shkodër është krejtësisht në një skenë dhe atmosferë të rëndë mobilizuese. Ku malësorë të zbritur në qytet vijnë dhe përbetohen për ta mbrojtur qytetin në një betejë e luftë krejtësisht të pa barabartë me osmanllinjtë.

Veneciania nuk i beson dot Stanishit edhe pse martesa e tyre kurorëzohet në një nga kishat e qytetit. Ndjehet zemërvrarë dhe e dashuruar me njeriun që kaloi çaste të lumtura në anije dhe që e konsideronte si stanishin e vërtetë…

Por autori nuk merret aspak me mërinë midis dy të rrinjve ku në mes është grabitja e nje vajze që ka ardhur nga venediku i largët për të lidhur jetën e saj me një luftëtar e kapedan të ri shkodran. Dhe kësisoj drama shërben si njê sfond…Dashnor Kokonozi në këtë rast në romanin e tij nuk parapëlqen lojën….edhe pse gjasat mund që të ishin mjaftë interesante nga një keqkuptim të këtij lloji në letërsinë tonë shqipe janë tepër të rralla, për të mos thënë inegzistente.

Ai ka zgjedhur që ti mëshojë linjës kur luhen fatet e egzistencës dhe interesat e banorëve të shkodrës dhe malësisë së saj, ku Stanishi përballë dashurisë e dramës së saj, si dramë e individit sfumohet përballë ngjarjeve e raportit historik me qëndrestarët. Dhe këtu lexuesi e ndjen dhe e gjen veten brenda një ngrehinë, ku nga të gjitha anët, luhen histori që përkon me të njëjtën kohë.

Romani të trondit së tepërmi dhe të befason. Ai nuk humbet në rritëm, por as në dramacitet, Dhe autori është tepër i kujdesshëm që të përfshijë e ta gërshetojë mjeshtërisht dilemën shpirtërore e dy të rrinjve që janë dhe ndodhen në një martesë krejtësisht të palumtur, jo vetëm se përgjaken ditët në shkodrën e kështjellën e saj të rrethuar, por për shkak edhe të dramës së saj të konsumuar tashmë që në hambarin e anijes.

Martesës Stanishi nuk i jep jetë.

Pjesa tjetër ngjason si kronikë luftarake, ku bie në sy vetmohimi i të rrethuarve, dhe qëndresa. Autori ka arritur që të krijojë me mjeshtêri atmosferën e asaj kohe, raportet me fqinjët si dhe ato që lidhen me angazhimin total e universal në mbrojtje tê lirisë dhe qêndresês.

Romani të trondit me dramën dhe informacionin që sjell tek lexuesi i tij. Të rrënqeth…

Të dy të rrinjtë Gjura Banovina dhe Stanish Cernojeviçi kanë të njêjtin fat. Të njêjtin fund…ashtu si rrethimi…

Dashnor Kokonozi është një vëzhgues i hollë i jetës dhe botës se brendshme të njerêzve. Ai nuk e ngarkon prozën e tij me teorizime filozofike e psikonaliste, madje as edhe me kuptimin e jetës dhe vdekjes, por ai rrëfen jetën e gjallë brenda kampit duke shqiptuar me të njëjtën ashpërsi si të shëmtuarën, ashtu dhe të bukurën, si sublimen ashtu si dhe trivialen. Ndjehet i sigurtë dhe vizaton mjeshtërish karaktere personazhesh si Filomena, ndihmësja e vajzës vendecianeë bëhet nuse pranë kështjellës së rrethuar, kapitenin venedikas Adamo Barbariga, një nga udhëheqësit kryesor në atë qëndresë, Kel Skurës…Dhe djaloshit shkodran Marin Barleti, pjesë e atyre luftimeve që në librin e tij të mëvonshëm dhe tê vetêm për atë histori i dha njê peshë përtej një historiani të mirëfilltë.

Ajo që bie në sy dhe që i jep vlera të veçanta romanit të autorit kokonozi është leksiku i pasur dhe përdorimi i teknikave të ndryshme narative…Nuk ka tepërime gjuhësore. Kjo vjen nga që Dashnor Kokonozi ka një bagazh dhe përvojë të zgjatur në fushën e letërsisë, si krijues, romancier, dramaturg, publicist, studjues dhe njohës i mirë i artit në përgjithësi, duke kontribuar rregullisht edhe në gjuhë të huaj në italisht dhe frëngjisht, me botime cilësore.

Romanin ”Martesa e pa lumtur e Stanishit” do ta konsideroja pa dyshim si një arritje dhe piketë e re suksesi dinjitoz në krijimtarinë e autorit Kokonozi.

 

Aleko Likaj

Shkrimtar

Shkrimtari dhe poeti i talentuar Pajtim Xhelo është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe krenarisë kombëtare- Nga Fran Gjoka

 

(Dolën në dritë katër librat e rinj të poetit, prozatorit, studjuesit vlonjat, Pajtim Xhelo).

Këto ditë Shtëpia Botuese NACIONAL  botoi katër librat e rinj të Pajtim Xhelos :
1.  “Ti duhet të jetosh ”  –  tregime dhe novela
2 . “Vejusha me sy të gjelbër ”  –  novela
3 . ” Në mugëtirë yjet arratisen ” – lirika
4 . ” Pranverë e vonuar ” – lirika
Mjafton të kesh lexuar  krijimet e mëparëshme të Pajtim Xhelos dhe je i sigurt që edhe këto janë të po atij niveli, madje do gjejmë aty edhe prurjen me sukses të padiskutueshëm të të prozës së shkurtër moderne, si tregimi impresion. Do thoja pa rezervë që është një risi në Letërsinë Shqipe
bashkëkohore, një risi që duhet vlerësuar nga kritika e kohës ( nëse ajo  është e pranishme akoma )
Pa hyrë në detaje për të analizuar hollësisht poezinë dhe prozën e sapo sjellë ( sepse atë po e lë në dorën e lexuesit ), po paraqes :
“Një biografi e shkurtër e shkrimtarit, poetit, studjuesit  të Gjuhësisë,historisë së lashtë dhe publiçistit Pajtim Xhelo”.

Në foto: Pajtim Xhelo
U lind në qytetin e Vlorës, në një familje shumë të herëshme qytetare me tradita intelektuale dhe atmëmëdhetare nga të dy prindërit. Që në vitet e para të shkollës, shquhej për një përqëndrim të pazakontë në marrjen e dijeve. Mësuesit e tij thoshin që ky djalë nuk studionte për të marrë nota të mira. Ai studionte për njohuri të qëndrueshme, me piksynyme të qarta, që të njihte sa më mirë botën që e rrethonte. Eshte ndër nxënësit e rrallë, me formim të përgjithshëm, i vlerësuar me notën 10 në letërsi dhe lëndët shoqërore dhe me 10 në matematikë dhe shkencat e përpikta. Kish prirje të veçantë për gjuhët e huaja, të cilat më vonë e ndihmuan në studimet e tij në shkencat albanologjike.
Shquhej për një pjekuri të parakohëshme, seriozitet në çdo hap që hidhte, këmbëngulje, etje për dije. Mësuesit dhe shokët e tij trgonin se ai nuk mësonte kurrë përmendësh, pa e zbërthyer dhe kuptuar në thelb gjithçka të re. Pasioni për letërsisnë u vu re që në moshë të re. Në klasën e pestë mësuesja e gjuhës ruse, Mjaftime Gorishti, duke parë që njohuritë e tij ishin më të përparuara se ato të moshatarëve të tij, e ngarkoi me mbarëvajtjen e bibliotekës së shkollës Nr 2 ( Naim Frashëri ) Kjo bëri
që ai të niste të lexonte me një etje të jashtëzakonëshme që në atë moshë ( 11 – 12 vjeç ) autorë të dëgjuar, si Tolstoi, Dikensi, Viktor Hygoi, Balzak, Stendal, Xhek London Gorki, Turgenjev, Gogol, Pushkin, Lermontov, Majakovski,Dikens, Shollohov, Migjeni, Mjeda, Noli, Çajupi e shumë të tjerë.
Siç tregon edhe vet, nuk i duhej të studionte shumë në shtëpi, sidomos në matematikë. Cili qe sekreti? Kishte një vëmendje të jashtëzakonëshme në shpjegim.

Shokët e tij thonë që kur mësuesit shpjegonin, ai nuk shkëputej nga dëgjimi, sikur bota të përmbysej rreth tij. Mbase do duket e pabesueshme, po në moshën 13 vjeçare Pajtim Xhelo shkruajti një novelë me temë nga jeta shkollore, novelë që u vlerësua nga një shkrimtar vlonjat, mësues letërsie, Miliano Stefa.
Që kur ishte në vitin e parë të gjimnazit, mësuesi i letësisë, Daut Shtino, u thosh të gjithëve, që Pajtim Xhelo e njihte drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe më mirë se vet mësuesit e Gjuhës. Një ngatërresë e sajuar në biografi, bëri që të mos shkonte në Universitet në degën që donte. Shkoi me dy muaj vonesë për Agronomi. Nga letërsia dhe arti nuk u shkëput. Luajti teatër, këndoi, ishte atlet cilësor…
Një djalë me prirje, që mbase, në parim, edhe kundërshtonin njeratjetrën. Në pesë vitet studentore shkruajti dhe botoi heraherës në gazetën STUDENTI e më pas në gazetën lokale të qytetit. E emëruan në Skollën e Mesme të Llakatundit ( Teknikum bujqësor ), nga ku, për shkak të asaj përbërjeje politike të sajuar e larguan me shkakun që lexonte libra të ndaluar. Pas 13 orë mbledhje, ku u mbrojt nga të 59 mësuesit ( me përjashtim të sekretarit të Partisë dhe drejtorit dhe spiunit ) shpëtoi nga dënimi me burg, po mori një goditje që e detyroi të heshtëte për disa vite. Deri atëhere kish gati për botim dy novela, tre vëllime me tregime dhe dy vëllime me poezi. I pushtuar nga paniku dhe frika mos e përndiqnin, i dogji të gjitha dorëshkrimet në sobën e drurit. Nga shkrimet nuk hoqi dorë, por fshehur, pa ia trguar askujt. Gjatë kohës, studionte autodidakt për historiografinë e lashtë të popullit tonë, e cila i dha dorë të përfundonte romanin e tij historik “ Mallkim i përjetshëm, të cilin e aprovoi për botim Shtëpia Botuese “ Naim Fr4ashëri “ në vitin 1988, ku ishte nëndrejtoreshë Iskra Tata Thoma. Recensenti historik, Myzafer Korkuti e vlerësoi me notat më të larta, jo vetëm nga ana e vërtetësisë historike, por edhe si lexues I kualifikuar. Po kështu edhe recensenti tjetër, Arben Xoxe. Romanin nuk pranoi ta linte për botim, sepse nuk ra dakord që të ndryshonte një
fakt historik…

Donte t’i përmbahej me përpikmëri vërtetësisë historike. E botoi në vitin 1997, nëpër plumbat e marsit të tmerrshëm të atij viti të mbrapshtë. Në vitin 1992 nxjerr gazetën “ Zgjimi “ si gazetë e vetme në Vlorë, sepse gazeta“ Vlora “tashmë ishte mbyllur. Po atë vit çel Shtëpinë e
parë dhe të vetme Botuese në Vlorë me emrin “ Flamuri “ Nisi botimin e një Almanaku letrar me titullin “ Aulona “, por për shkak të vështirësive financiare dhe teknologjisë shumë të vjetër të makinerive të Shypshkronjës, dolën në dritë vetëm tre numra. Po kështu boton një gazetë të dytë dyjavore me titull “ Ekartshkin” ( ekonomi, aert, shkencë, informacion). Edhe ajo pasoi almanakun, dolën vetëm tre numra dhe nuk jetoi më. Siç thotë edhe vet Pajtimi, nëse do t’I presësh rrugëtimin një artisti krijues, vëre në drejtim dhe ia ke arritur qëllimit. Ato vite për Pajtimin ishin një zbrazëtirë, pa krijimtari.Në të vërtetë nga viti 1990 , deri në vitin 1997, duke qenë Drejtor në dy ndërmarje, nuk pati mundësi të merrej me krijimtari Botimet i nisi në vitin 1997 dhe 1998. Për shkak të një diabeti shumëvjeçar ( që në moshën 18 vjeç, kur nuk i doli e drejta e studimit ), pati probleme të rënda me sytë. Bëri 9 ndërhyrje në klinikat ruse dhe deri në vitin 2015 nuk mundi të shkruante. Pas këtij viti, edhe pse duke sakrifikuar shëndetin e të parit, vijoi të shkruante dhe të botonte me një vullnet dhe frymëzim të jashtëzakonshëm. Vet Pajtimi thotë : “Mund të duket çudi, po Zoti ma ktheu borxin e viteve që heshta. Ka botuar dy romane dhe të tretin e ka gati për botim, 10 vëllime me lirika, dy vëllime me novela, në bashkautorësi me Iskra Tata Thomanë,një vëllim tjetër me novela në bashkautorësi me Iskrëne, një novelë xhepi, një vëllim me tregime, një libër me studime albanologjike dhe librin we fundit, në bashkpunim me Iskrën me “ Shprehje frazeologjike përmes rrëfenjave.
Këto ditë, edhe pse në rrethana shumë të rënduara me shëndetin( I diagnostikuar nga një sëmundje e pashërueshme me fund të shpejtë ), Dolën nga botimi katër librat e tij të rinj, dy vëllime me lirika dhe dy vëllime me tregime dhe novela.

Gjithsej ka botuar 23 libra. Edhe pse me probleme të rënda shëndetësore, ai po vijon krijimtarinë. Ja si shprehet Iskra  Tata  Thoma , prozatore, kritike letrare,
redaktore, përkthyese, studjuese për mikun e saj, Pajtimin : “ Pajtim Xhelo, si shkrimtar ka arritur në majën e Olimpit në të gjitha gjinitë e prozës, që nga tregimi i shkurtër, novela, romani ( madje edhe romani historik që është aq i vështirë,sidomos kur flet për lashtësinë ) Më duhet të theksoj faktin, që, edhe pse nuk është çam, ka shkruar aq shumë tregime për Çamërinë, aq sa kanë shkruar të gjithë krijuesit çamë, të marrë së bashku. Disa nga shokët, me shaka i thonë : “ Ti je çam “ E kam të vështirë ta them me siguri, nëse Pajtimi ka lënë pa na sjellë në tregimet e tij, ndonjë krahinë të Shqipërisë Natyrore, apo, siç i quan ai, Epirit, Iliirisë dhe Maqedonisë me origjinë pellazge, duke nisur që nga Trieste, në Mitrovicë, në Ulqin, në Folorinë, Kostur, Konicë, Grebene, SELANIK,, DERI NË Artë dhe Prevezë…Them se na i ka sjellë të gjitha trevat pellazge në krijimet e tij.. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe disa rrëfenja impresioniste të tpit të Kafkës etj. Shpesh, madje mund të them pa frikë, rëndom, në përshkrimet kthehet në prozë poetike të mirëfilltë, me të gjithë bukurinë e këtij stili, veçanërisht me mendimin e thyer dhe tingullin ngacmues për shpirtin Si poet, më duhet të pranoj se i ka kaluar përmasat mbarëkombëtare, madje i ka kapërxyer edhe këto kufij.Në një kohë, kur poezia, jo vetëm te ne, por edhe në Botë, është zbehur, është bërë thjesht një prozë e zhveshur nga melodia, flladet dhe aromat e vesës nektarore, lirikat e Pajtim Xhelos të rrëmbejnë shpirtin, për të të çuar në yllësitë e përfytyruara të legjendave hyjnore. Edhe poezia e tij epike të rrëmben në krahë, për të të çuar mysafir në botën burrërore të nderit, besnikërisë, bujarisë dhe trimërisë. Poezia e tij është gati hyjnore, teknika ka arritur përsosmërinë, Shpirti i tij i madhërishëm na flet me gjuhën e Perëndive përmes vargjeve brilante. Gjuha e poezive të tij ( natyrshëm, edhe e prozës) është Shqipja e kulluar, larg huazimeve dhe ndikimeve. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe…

Ai ka bërë një punë të palodhur për të pëzënë nga fjalori fjalët “ ardhacake” si i quan fjalët e panevojëshme që kanë pushtuar fjalorin( leksikun) e Gjuhës Shqipe. Ai ka studjuar historiografin e lashtësisë së popullit tonë, ka arritur në përfundime me vlera të pamohueshme që hedhin dritë mbi të vërtetat që na i kanë rrëmbyer padrejtësisht fqinjët tanë. Natyrisht, nuk kish si të ndodhte ndryshe, që një njeri me një kulturë kaq të gjerë e të thellë në të gjitha fushat e jetës, një intelektual i mirëfilltë si Pajtim Xhelo, të mos ishte edhe një poet dhe shkrimtar me përmasa të pakufishme, të pa konturuara. Ky është shoku dhe miku im, Pajtim Xhelo, njeriu me një përvojë jetësore të jashtëzakonëshme, që po na i lë këtë përvojë si Margaritar për brezat që do vinë. Dhe të mendosh, që ky njeri deri para pesë viteve, nuk tha kurrë me gojën e vet : “ Jam poet, apo shkrimtar, apo studjues” Po, thoshte gjithmonë : “ E dua vendin tim, e dua kombin tim, e dua qytetin tim mbi jetën time fizike” Një njeri me të tilla vlera, që nuk thotë “ Jam poet, jam shkrimtar, jam studjues” është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe krenarisë që hesht, por që flet me gjuhën e një shpirti të shenjtë. kujtoj Qeverisë e sidomos pushtetit local të Vlorës që t’i krijojë kushte minimale këtij njeriu me përmasa të jashtëzakonëshme, që ka pranuar të digjet pa flakë, pa bujë dhe zhurmë për të mirën e Kombit, të Atmëmëdheut dhe Vlorës sonë.
Edhe pse me probleme të rënda me shëndetin, sidomos me sytë, për të cilët mjekët e kanë këshilluar të mos lexojë e të mos skruajë, pasi bëri nëntë ndërhyrje për të ruajtur këtë pakëz dritë, ky njeri ka
vendosur të sakrifikohet për atë qëllim madhor që i ka vënë vetes… Të lerë trashëgim krijimet e tij perla për të gjithë ne, edhe për fëmijët e tij, se tjetër pasuri ai nuk ka. I Uroj me zemër jetë të gjatë këtij njeriu të thjeshtë, të heshtur, që nuk e ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj blete që ka mbledhur për vite të tëra nektarin e jetës për të na sjellë mjaltin e shpirtit. Që në gjimnaz, ne e thërrisnim Esenin. E them pa e tepëruar, që Vlora ka fat të ketë një Esenin të ri. Ku ka poet tjetër që ka shkruar për Vlorën 24 poezi perla, që nuk ngjajnë aspak me njera tjetrën Ku ka poet tjetër, që në të dhjetë vëllimet e tij me poezi të na sjellë, njlloj si në prozë, dashurinë, gëzimin, trishtimin, zhgënjimin, miqësinë e sinqertë, pabesinë, rrëzimin dhe ringritjen, merakun, dhëmbjen, fitoren dhe humbjen me një stil klasik mjeshtëror, ku rima, ritmi, figurat e mrekullueshme letrare, brishtësia dhe
ëmbëlsia të të bëjnë të ndihesh në një lirishtë pylli, në një majë mali, të të puthin valët e detit, të të freskojë ujët kristal të një kroi, të këndosh me netët hënore, të vallëzosh me yjet… Shqipëria e ka këtë fat.
Vlora e ka këtë fat.
Veç ne, shqiptarët, duhet të mësohemi t’I vlerësojmë njerëzit që I shërbejnë kombit me përkushtim që kur ata janë gjallë. Me keqardhje dhe dhëmbje, më duhet të bëj të ditur që poeti,shkrimtari, studjuesi dhe publiëisti i përmasave mbarëkombëtare Pajtim Xhelo, po  jeton mbase ditët e fundit nën dhëmbjet e një sëmundjeje të pashërueshme me kurajo, duke më thënë në telefon : ” Më vjen keq që do lë pa përfunduar dy romane, bashkë me një të tretë që më mbeti dorëshkrim. ” Përsëri i urojmë shëndet dhe vetëm shëndet !

Kompozitori i mirënjohur Enver Shengjergji shpreh zhgënjim ndaj Rovena Dilos

 

Kompozitori i mirënjohur Enver Shengjergji shpreh zhgënjim ndaj Rovena Dilos

Ja çfarë shkruan Maestro Shengjergji në rrjetin social:

“Kjo është e patolerueshme se si mund të këndohet kënga ime “Nën Kurorën e Ullirit” –

Ku e gjeni këtë të drejtë!

Megjithë respektin e konsideratin time ndaj jush si kengetare me nje kariere te gjate e te sukseshme artistike nuk mund te besh me kengen time si te duash .

E para e ke marrë dhe kenduar pa lejen time

E dyta nje orkestracion qe eshte jashte çdo llogjike te idesë së kenges

Kush te lejon te shtremberosh vijen melodike te kenges

Te shtosh manjera vokalizash, ku ka ne disa vende mos perputhje te thekseve melodike me atë te thekseve te poezise etj etj”

Artistë shqiptarë vihen përballë fakteve të kryera kur u përvetësohen veprat – sepse në Shqipëri edhe sot e kësaj dite nuk njihet e drejta e autorit.

Në çdo vend të botës, shkelje të tilla nëse kryehen janë me pasoja, sepse duhet të demshpërblejnë të dëmtuarin.

Libri i panjohur i Ismail Qemalit- Nga Evarist Beqiri

Libri me “Kujtimet” e Ismail Qemal Bej Vlorës, u botua në formën e një autobiografie me redaktimin e gazetarit Sommerville Story, dhe me parathënien e gazetarit dhe autorit amerikan William Morton Fullerton me titullin “The memoirs of Ismail Kemal Bey”. Domethënës është fakti që Ismail Qemali është i vetmi personazh i shquar i Perandorisë Osmane, kujtimet e të cilit janë botuar pikësëpari në anglisht.

Ato u botuan nga shtëpia botuese “Constable and Company Ltd.”, në Londër në vitin 1920, vetëm një vit pas vdekjes së tij. Në parathënie Fullerton thekson se, gjatë periudhës së shkrimit në vitet 1917-1918, Ismail Qemalit i ranë mbi shpatulla halle personale shpesh herë të rënda dhe halle të  tjera më të  rënda të lidhura me problemet patriotike për të ardhmen e Atdheut Shqiptar.  Dhe pikërisht si pasojë e vdekjes së Ismail Qemalit, pjesa e fundit e këtyre kujtimeve që lidhej pikërisht me Shqipërinë, mbeti e papërfunduar. Në shqip kujtimet e tij do të publikoheshin fillimisht në vitin 1968, në Toronto, Kanada, të përkthyera nga patrioti vlonjat Reshat Agaj. Më vonë libri do të ribotohej në shqip dhe do të përkthehej në italisht e turqisht.

Në kujtimet e tij Ismail Qemal bej Vlora flet me një vërtetësi të admirueshme për shumë ngjarje të rëndësishme të politikës botërore të kohës. Aty pasqyrohet me një kthjelltësi të posaçme bota otomane dhe roli i shqiptarëve brenda saj. Një gjetje e jashtëzakonshme nga pikëpamja artistike është ilustrimi i marrëdhënieve të komplikuara midis krerëve shqiptarë dhe otomanëve, me metaforën e bukur të njerëzve që jetojnë afër një mali vullkanik; dhe të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me shpërthimet e tij të herëpashershme.

Kjo alegori kaq e goditur artistikisht duket se ka prekur fort edhe një mendje artistike gjeniale si ajo e Kadaresë. Prandaj, jo më kot alegoria do të risillej sërish nga gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, në vitet e diktaturës në veprën e tij “Pallati i Ëndrrave”, për të goditur sërish sistemet diktatoriale që synojnë kontrollin absolut të mendjeve njerëzore. Me të vetmin ndryshim që emri i Vlorajve do të zëvendësohej me atë të Qyprillinjve, si më largët në kohë…

Por ky nuk është i vetmi libër i shkruar nga Ismail Qemali. Libri tjetër i shkruar prej tij shpërfaq aftësitë e tij të spikatura si një publicist dhe intelektual i kalibrit të lartë. Ai është një manual për marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. Në hyrjen e librit Ismail Qemali thekson se ai nuk ishte duke shkruar autobiografinë e tij, por thjesht po shpjegonte arsyet e azilit të tij politik vullnetar. Ky libër është tërësisht i panjohur për shqiptarët. Ai është botuar në vitin 1900, në osmanisht dhe u përkthye në gjuhën franceze, angleze dhe arabe në vitin 1901.

Përkthimi në këto gjuhë flet për rëndësinë që pati ky publikim në atë kohë. Rëndësia e këtij publikimi theksohet edhe në letrën e datës 2 maj 1900, që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury). Letra është pjesë e fashikullit të arkivave britanike për Ismail Qemalin, të cilin e kemi zbuluar së fundmi për publikun shqiptarë.

Një versioni i shkurtuar në anglisht i këtij libri, u botua në një prej periodikëve britanike më me influencë të kohës “The Fortnightly Review”. Libri është një tjetër dëshmi e lidershipit vizionar dhe e kapaciteteve intelektuale, politike, diplomatike të Ismail Qemalit. Ai është një traktat i mirëfilltë politik dhe një udhërrëfyes për marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga motivet e botimit të librit me titull “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”, është nxjerrja në pah rolit të Britanisë së Madhe si demokracia liberale më e madhe e kohës dhe roli i saj civilizues në botë.

Ndërkohë qëllimi tjetër i Ismail Qemalit në shkrimin e librit lidhet me fitimin e përkrahjes britanike ndaj çështjes shqiptare. Shqiptarët ishin i vetmi komb në Ballkan, pa përkrahje nga asnjë nga Fuqitë e Mëdha në përpjekjet e tyre për liri. Vetëm pas një dekade nga shkrimi i këtij libri do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemal Vlora…

Kohët nuk janë aq të largëta sa të mos na flasin me këshilla të vyera për të tashmen dhe të ardhmen tonë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga figurat më të ndritura jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë arenën ndërkombëtare. Sepse siç shkruante dikur një njeri i mençur: “Zoti nuk i krijon njerëzit e mëdhenj për nevojën e vetëm të një kohe dhe të vetëm një populli, por për nevojën e të gjithë popujve dhe të të gjitha kohërave. bw

Tiranë, më 29.4.2024

Evarist Beqiri2

 

“Klonimi” i një jete në diktaturë- Esé nga Përparim Hysi

Libri i AGRON SHEHUT “Një jetë për t’u treguar”

Mikja ime,FATMIROSHE XHEMALAJ, më dhuroi librin e AGRON SHEHUT “Një jetë për t’u treguar”.Një dhuratë komode për mua,se,kur më dhurojnë një libër,kam ndiesinë e atij fëmijës kur i bëjnë një dhuratë. E quaj”dhuratë”,se,sado që i dua librat, ato ,pothuajëse,janë”Molla të ndalueme” për mua ,një pensionist që mezi shtyj muajin. Nga ana tjetër,për dhuratat kam po atë perceptim që kishte NIÇE.Ky thoshte:-Nuk ka gjë që ma gërvish lëkurën më shumë se dhuratat. Ma gërvish,nuk ma gërvis,e falnderova miken time dhe u ktheva në shtëpi. Më duket se e kam thënë dhe diku tjetër:”karburanti” im për zgjerimin intelektual timin,është vetëm leximi. Kur dikush më dhuron një libër,siç ndodhi me miken time, atëherë,për mos e ndjerë aq shumë”gërvishjen e lëkurës”,për të “paguar” sado pak doganën, shkruaj për librin.
* * *
Autorin e librit.AGRON SHEHU, e njoh prej kohësh. Ai ka jetuar në FIER dhe është inxhinier nafte me profesion.JO vetëm kaq: ai ka mbi 25-vjet që jeton me familje në KANADA dhe,veç profesionit, ka hobinë e bukur e të vështirë të shkrimtarit. Ai është bërë i njohur për lexuesin shqiptar.me librin e parë:”Tokësorët në hapësirë,kohë:Ç’tronditje”. Në gjykimin tim.tepër sipërfaqësor për këtë libër.mund të them vetëm kaq:është libër vetëm për lexues elitë dhe i”paqpërtypshëm” për çdo stomak lexuesish. Më vonë,ai shkroi romanin”Postnjerëzorët”. Emërues i përbashkët që e nderon autorin.është një fakt shumë domethënës:të dy romanet janë listuar si të rekomanduar nga MINISTRIA E ARSIMIT,për të rinjtë e shkollave ku të marrin njohuri “se çka ndodhur dhe do të ndodhë me njerëzimin,në hapësirë e kohë.Këto dy romane janë botuar dhe në gjuhën anglisht.
Kur hapa librin”Një jetë për t’u treguar”,atëherë,duke e ndjekur faqe pas faqesh,deri sa e sosa,pothuaj me një frymë, njoha atë AGRONIN jo vetëm inxhinier nafte, por AGRNONIN”inxhinier të shpirtit njerëzor”. E ndiqja me kërshëri që nga fëmijëria,me këmbë të zbathura dhe unë,gati 10-vjet më i madh se ai,them:-E ka fjalën për mua,se dhe unë me këmbë të zbathura kam qenë në shkollë. Këtu,në këtë libër, ai është aq i vërtetë sa të bën t’i kthehesh e t’i rikthehesh edhe njëherë,faqe pas faqesh se valllë,a ka më të bukur se sa e vërteta?
Në MADAGASKAR ka një shprehje që ia vlen t’ia “kundravë” librit të AGRON SHEHUIT. NË MADAGASKAR thuhet:”Njeriu është si një shishe e zezë: nuk shihet ç’ka brenda në të”. Thonë,thonë,por le të lexojnë librin e AGRONIT. I thotë të gjitha açik.nga “a-ja” tek “zh-ja”.
Me AGRON SHEHUN në këtë libër ka ndodhur ajo që JOHAN WOLFGANG GOETHE(1749-1832) e ka thënë me kohë:” Karakter në gjëra të mëdha apo të vogla,do të thotë në ato gjëra që je i zoti t’i bësh”.
Duke treguar për jetën e tij (në vetë të parë), ai sikur,sado që shkruan butë, kthehet në një”shumësi njerëzish” që jetuan bashkë me të në kohën e”bukur të partisë”,ku,sado qemë,pothuajse, të gjithë”Sokratë të vuajtur”,por duheshim të hiqeshim si”derra të kënaqur”, Duhet të brohorisnim për”Njëshin”,sado që ky”njëshi”,kur thoshte Majakovski”ishte zero e fil”. AGRON SHEHU e “thyen atë shishen e zezë” të Madagaskarit dhe tregon tërë mjerimin e kohës:kur mungonte buka:ku për gjellë nuk bëhej fjalë;kur fshatari mbillte grurë dhe hante misër hibrid apo”ibret” siç shpotisnin nën zë. Ishte koha kur ikte koka e njeriut,për hiç mos gjë. Siç duket”Njëshi”,si nxënës i zellshën të ILIÇIT rus,kish bërë të tijën thënien makabre:”Një ditë mizoritë e mia do falen”. Regjimi diktatorial qe kthyer si ajo”Shpatëtarja e verbër” (një filim kinez) që vriste e priste armiq.Më tepër të shpikur. Një njollë në biografi,e pagoi si ai që për”Një thelë,pagoi një pelë”, Kur e shoh në tërësi,pasi e përfundova së lexuari,them që autori me librin sikur ka thënë atë”Poemën e mjerimit” të MIGJENIT në prozë. Por kjo”Poema” e AGRONIT ka dhe ca atribute të tjera: ka makabritetin e vrasjeve, ka poshtërimin e njerëzve me aftësi nga të paaftët. Në çdo çap,”vigjëlonte” partia, I aft ishte komunisti dhe as vlerësohej aftësia. Intelektuali ndjente më shumë ftohtë,se sa ai fëmija që shkonte zbathur në shkollë. Këtu nuk bëhet fjalë për një”AGRON”,por për gjithë ne,të tjerët, që e kemi përjetuar atë mjerim, Sikur,për një çast, të gjithë atë jetë në ato 50-vjet dikttaturë(eshtuquajtura e proletariatit), të kishe mundësi ta ktheje në një trup dhe ta vishje me pergamenë të shkruar faqe për faqe nga AGRONI,atëherë kushdo do dilte me atë përfundimin: kurrë mos u ktheftë ai regjim,. AGRON SHEHU e ka”klonuar” me librin e tij. Dhe kur i bëj pyetjen vetes:- Si ia ka arritur autori,vetvetiu më vjen ndërmend ajo që ka thënë JANUSH VISHNJEVSKI që thotë:” Një libër i shkruar mirë na ndihmon jo vetëm të zgjerojmë horizontin,por na ndikon që të bëhemi persona më të mirë”.
Por,për autorin,AGRON SHEHU s’kam se si mos vë në dukje, se sado me profesion inxhinier nafte, e katreguar aftësinë e lartë profesionale në ALBERTA,por dashurinë për letësinë e ka treguar duke shkruar libra.
Meriton që të thuash për të atë që prej kohësh e ka thënë,shkrimtari francez Andoine De Santis-EXUPERY(1900-1944):”Jeta ka kuptim,nëse e këmben atë nga dita në ditë, në diçka tjetër”. AGRONI e ka bërë se me atë ka ndodhur ajo që thotë WILIAM FRANKESHTAIN(1897-1964):”Mes dhimbjes dhe asgjësë,unë zgjodha dhimbjen”.AGRON SHEHU zgjodhi dhimbjen dhe,me librin e tiij, është si balsam për të shëruar ato plagë aq të dhimbshme.
E uroj,AGRON SHEHUN:-Të presim me libra të tjera!
Tiranë,28 prill 2024

NGA ERRËSIRA NË DRITË –  BASHKËBISEDIM ME SHKRIMTARIN VISAR ZHITI… “Care for Albania” – Chicago, SHBA. Nga Dr. Sonila Sejdaras

Në mjediset e Organizatës “Care for Albania”, (“Kujdesu për Shqipërinë”), u mbajt takimi “Nga errësira në dritë – bashkëbisedim me poetin Visar Zhiti”, i drejtuar nga themeluesja e kësaj organizate, Dr. Sonila Sejdaras.
Kishin ardhur qytetarë shqiptarë e amerikanë, më shumë të rinj, studentë e deri dhe fëmijë, nga Shqipëria e Kosova e Maqedonia e Veriut, që jetojnë e punojnë në shtetin Illinois, por dhe nga Michigan-i, etj.
Takimin e hapi psikologia Silvana Kola-Loka, që paraqiti një biobibliografi të të ftuarit të tyre, Visar Zhiti.
Dr. Sonila Sejdaras ndali në ngjarje që shenjojnë jetën e shkrimtarit, tregues dhe të ecurisë së historisë sonë të tanishme, shoqëruar me poezi, nga ato për të cilat Visari u dënua me 10 vjet heqje lirie, pastaj të shkruajtura fshehurazi në burg, pas burgut në liri, në postdiktaturë, poezi për Kosovën, në Europë e deri te poezia e fundit, e shkruar në Chicago dhe romani i tij i fundit, “Këpuca e aktorit”. Poezitë i lexuan në gjuhën shqipe bashkëshortja e poetit, Eda Agaj Zhiti, ndẽrsa në anglisht Dr. Sonila Sejdaras, të shoqëruara me pjesë muzikore me violinë.
Visari foli për kohën dhe gjendjen që mbartin ato poezi dhe iu përgjigj pyetjeve të ndryshme duke ngulmuar që vuajtja dhe dënimet e dikurshme të kthehet në përvojë, në vlera dhe art, kujtesa t’i shërbejë një të sotme më të mirë dhe e ardhmja të mos e përsërisë të keqen.
Në fund të takimit të pranishmit morën romanin e Visar Zhitit “Këpuca e aktorit” me autograf, duke vazhduar bashkëbisedimet me dëshirën për takime të tjera me “Kujdesin për Shqipërinë” në SHBA…
Ky ishte qëllimi dhe sinteza e takimit, njohja me një poet qendrestar si rrugë drejt së ardhmes …

DASHURIA, DHIMBJA
DHE QËNDRESA

Nga Dr. Sonila Sejdaras

Në një botë, e cila shpesh duket e ndarë dhe e mbushur me urrejtje, është frymëzuese të dëshmosh individë që zgjedhin dashurinë, mëshirën dhe empatinë kundrejt zemërimit dhe ligësisë. Ngjarja e fundit e organizuar nga “Kujdesu për Shqipërinë”, një organizatë jofitimprurëse, e dedikuar për zhdukjen e stigmës ndaj shëndetit mendor në komunitetin shqiptar, bashkoi një grup të ndryshëm individësh me një vizion të përbashkët për të nxitur unitetin dhe mbështetjen.
Në zemrën e kësaj ngjarjeje ishte poeti dhe shkrimtari i njohur, Visar Zhiti, rrugëtimi i të cilit, aftësitë ripërtëritëse dhe dashuria e tij e patundur shërbejnë vazhdimisht si një shembull i fuqishëm për të gjithë ne.

Forca e dashurisë:

Visar Zhiti, një njeri që ka përjetuar vuajtje dhe padrejtësi të mëdha, u ngrit para të pranishmëve si një dëshmi e gjallë e fuqisë transformuese të dashurisë. Edhe pse u burgos për poezi si ajo me titull “Dielli i dytë”, Zhiti zgjodhi të përgjigjej me dashuri të pakushtëzuar në vend të urrejtjes. Aftësia e tij për të kujtuar të kaluarën dhe për të shpresuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë është një dëshmi e vërtetë për forcën e shpirtit njerëzor. Prania e Zhitit në këtë ngjarje ishte një kujtesë që dashuria ka fuqinë të shërojë plagët, të ndërtojë urat ndarëse, dhe të sjellë ndryshime pozitive.

Falja dhe ripërtëritja:

Ngjarja ofroi një platformë për të diskutuar tema të thella si forca dhe ripërtëritja. Ishte një mundësi për të pranishmit të reflektonin për përvojat e tyre dhe të gjenin ngushëllim në forcën kolektive të komunitetit shqiptar. Duke ndarë histori të vështirësive dhe triumfit, pjesëmarrësit ishin në gjendje të gjenin pika të përbashkëta dhe të krijonin një rrjet mbështetjeje.
Ngjarja theksoi rëndësinë e shërimit të plagëve, ashtu sikurse z. Zhiti shprehet me një frymëmarrje: “Unë i fal ata që më kanë bërë keq mua” dhe shton: “por nuk është në të drejtën time t’i fal ata që i bënë keq atdheut”.
Ky ishte një moment emocionues, që frymëzoi dhe motivoi të pranishmit për të kultivuar drejtësinë dhe aftësitë ripërtëritëse në kohë të vështira.

Lidhja e komunitetit:

Misioni i “Kujdesu për Shqipërinë” është të fuqizojë komunitetin shqiptar duke ofruar mbështetje, dashuri, dhe përkujdesje për ata që kanë nevojë. Kjo ngjarje shërbeu si një katalizator për lidhjen dhe unitetin midis pjesëmarrësve, duke nxitur ndjenjat e përkatësisë dhe solidaritet.
Duke u bashkuar dhe duke u përfshirë në biseda të ndjera, pjesëmarrësit ishin në gjendje të forconin marrëdhëniet mes tyre për një bazë të qëndrueshme komunitare.
Ngjarja theksoi rëndësinë e përpjekjeve kolektive në të drejtën e zhdukjes së stigmës ndaj shëndetit mendor dhe në krijimin e një hapësire të sigurt për të gjithë.

Përfundimi:

Prania dhe biseda frymëzuese e Visar Zhitit në ngjarjen e organizuar nga “Kujdesu për Shqipërinë” përfaqësojnë misionin dhe vlerat e organizatës. Dashuria e tij e patundur, drejtësia dhe falja, vuajtjet e mëdha, të shndërrura në vlera dhe art, shërbejnë si një kujtesë e fuqishme për fuqinë e të mirës brenda secilit prej nesh. Ngjarja jo vetëm qartësoi rëndësinë e dashurisë dhe ripërtëritjes, por gjithashtu rinovoi shpresën në zemrat e pjesëmarrësve. Nëpërmjet angazhimit të tyre për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të ngritur komunitetin shqiptar, “Kujdesu për Shqipërinë” po hap rrugën për një të ardhme më të ndritshme, të mbushur me empati, kuptim dhe bashkim.

_______________________
Një album nga takimi me shkrimtarin Visar Zhiti
nga “Care for Albania”


Send this to a friend