Njohuritë e nxënësve kosovarë do t’i nënshtrohen edhe njëherë testit ndërkombëtar PISA.
Shtatë mijë nxënës, nga 15 vjeç, të përzgjedhur nga 237 shkolla të Kosovës, do të testohen në ditë të caktuara nga 25 prilli deri më 20 maj.
PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.
Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.
Këtë herë thuhet se po bëhen përgatitje më intensive, me nxënës që mbajnë orë shtesë, pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.
Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë javë Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, ku ka takuar Melik Fetahun dhe Medina Shalën – të dy nxënës të përzgjedhur për testin PISA.
Të dy ata, pasi mbajtën orë shtesë në lëndën e matematikës, thanë se presin që ta kalojnë me sukses testin.
“Po mundohemi dhe po angazhohemi së bashku me arsimtarë që të kemi rezultate të mira. Shpresoj t’ia dalim mirë”, tha Medina.
Nga shkolla “Dardania”, PISA-s do t’i nënshtrohen 19 nxënës. Koordinatorja e grupit të nxënëseve pjesëmarrës, Arlinda Idrizaj- Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimdhënësit janë përkushtuar për përgatitjen sa më të mirë të tyre.
“Kemi marrë material nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, shembuj të pyetjeve dhe të mënyrës se si duhen përgatitur nxënësit teknikisht. Unë i kam përgatitur në mënyrë teknike, kurse mësimdhënësit e matematikës dhe të gjuhës janë duke i përgatitur vazhdimisht, aq sa kanë mundësi dhe kohë”, thotë Idrizaj-Zeqiri.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës konfirmojnë se “nxënësit janë njoftuar me natyrën e pyetjeve të testit dhe me mënyrën e plotësimit të testit në kompjuter”.
“Janë përzgjedhur 7,000 nxënës nga 237 shkolla dhe janë siguruar hapësirat me kompjuterë, ku do të mbahet testi”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t për REL-in.
Ekspertë të fushës së arsimit, megjithatë, nuk janë optimistë për rezultate të mira në PISA.
“Rezultatet do të jenë drithëruese”, thotë për Radion Evropa e Lirë Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.
Sipas tij, cilësia në arsim edhe më herët nuk ka qenë e kënaqshme, por në dy vjetët e fundit është përkeqësuar, për shkak të mësimit në distancë që, kohë pas kohe, ka imponuar pandemia e koronavirusit.
“Ne, kur kemi qenë edhe në kushte më të mira, rezultatet kanë qenë shqetësuese”, thotë Halimi.
Ngjashëm shprehet edhe Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit në organizatën “Ed-Guard”, me seli në Prishtinë.
“Testi PISA nuk duhet të jetë qëllim më vete. Synim duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit, si interes shtetëror për zhvillimin socio-ekonomik, e jo vetëm për rezultate të testit”, thotë Qehaja për Radion Evropa e Lirë.
Rezultatet e testit të parë PISA, që është mbajtur në Kosovë në vitin 2015, janë publikuar në vitin 2016. Kosova, asokohe, është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.
PISA e dytë në Kosovë është mbajtur në vitin 2018 dhe nga rezultatet e publikuara më 2019, Kosova ka dalë e 77-ta në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar testimit.
Testi i sivjetmë ka qenë i paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar edhe në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, në të cilin është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet të investojë në digjitalizimin e mësimit.
“Në shkollat tona ende mësohet me shkumës e tabelë, e madje tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kurrikulën dhe mësimdhënësit gjithmonë janë të sfiduar dhe në telashe për ta mbajtur si duhet mësimin”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari.
Kosova duket se ka cilësi më të dobët të arsimit edhe në krahasim me vendet fqinje.
Në testin PISA më 2018, e para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka qenë Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, pas kësaj ka reaguar duke publikuar dy fotografi.
Në një foto shihet përplasja e serbëve me trupat e KFOR-it, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe shton se si rezultat i kësaj masat duhet të hiqen.sn
Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantit të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës më 30 prill, 1999.
Në fjalën e rastit, presidentja Vjosa Osmani tha se heroi Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.
“Bashkë me të, jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por zhvilluan trajnime në Shqipëri, për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun”, tha Osmani.
Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.
“Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Klankosova.tv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takoi sot në Prishtinë, nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojević.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, që erdhi pas vizitës dhe takimeve të shumta në Berlin në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Kurti diskutoi me tri nënkryetaret mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.
Nënkryetaret Ađančić, Tomanić dhe Bogojević thanë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre dhe se një qëndrim të tillë do ta shprehin edhe në takime me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj nënkryetareve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.
Ky ishte takimi i dytë në pak se dy javë që kryeministri Kurti ka pasur me tri nënkryetaret e komunave veriore, duke dëshmuar kështu interesimin dhe vullnetin e dyanshëm për komunikim të rregullt dhe bashkëpunim të afërt.- Zyra e Kryeministrit
Hartuesja e raportit pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetja greke, Dora Bakoyannis, ka theksuar se asnjë kandidati nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës para diskutimit për anëtarësim në këtë organizatë.
Bakoyannis, ka thënë se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, deputetja greke ka thënë se janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.
“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka thënë Bakoyannis në një tekst autorial për “European Western Balkans”.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”.
Ajo ka shkruar për lidhjet e saj “speciale” me popullin serb. Duke mbrojtur raportin e vet me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.
“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ajo.
Deputetja greke Bakoyannis ka përsëritur se në raport nuk ka dhënë qëndrim për shtetësinë e Kosovës duke thënë se po t’i kërkohej të shprehte mendim për shtetësinë, s’do ta kishte marrë përsipër përpilimin e raportit, pasi vjen nga Greqia që nuk e njeh Kosovën. Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.
Bakoyannis ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, më 2018.
“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.
Raporti pozitiv i Bakoyannisit për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës pati marrë shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare në prill. Tani pritet që për dy javë të mbahet votimi final në Komitetin e Ministrave, ku nevojiten 2/3 e votave për t’u pranuar si anëtare e plotë. /Telegrafi/
Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe nënkryetaren Saranda Bogujevci, bënë nderime pranë arkivolit të veprimtarit të çështjes kombëtare, ish-deputetit të Kuvendit, Ali Lajçi, në kuadër të ceremonisë së homazheve që po zhvillohet në hollin e Kuvendit.
Pas homazheve kryetari Konjufca nënshkroi në librin e zisë.
Homazhe bënë gjithashtu edhe kryeministri Albin Kurti me anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe qytetarë të shumtë.sn
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke marrë pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel në në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004, shkruan Gazeta Express.
Sipas njoftimit, Gërvalla për të marrë pjesë në këtë përvjetor është ftuar nga Presidenca belge të Këshillit të BE-së, më saktësisht me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib.
“Gjatë sesioneve do të diskutohet rreth sfidave, nevojave dhe praktikave më të mira dhe reformave të sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së. Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Ministrja Gërvalla do të realizojë edhe takime bilaterale me Ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Prokuroria Speciale (PS), dhe Policia e Kosovës, njofton se, dje, në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, konkretisht në Bërnjak, është ndaluar një person me inicialet J.Š.
Sipas njoftimit të Prokurorisë i njëjti person është i dyshuar se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Gjakovës, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti individ është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit individ, kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.sn
Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ka evokuar kujtime nga koha kur ai ishte presidenti i fundit i Jugosllavisë, e cila po shkonte drejt fundit.
Ai gjatë Takimit të Madh të Prishtinës për integrimet ndërshqiptare e ndërballkanike, ka bërë përgjegjës ish-kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviç për të gjitha viktimat e shkaktuara në Kroaci, Bosnje e Kosovë.
Mesiçi ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç po i vazhdon politikat e Sllobodan Millosheviçit për krijimin e “Serbisë së Madhe”, e cila sipas tij nuk mund të bëhet kurrë, raportojnë mediat e Kosovës.
“Ende ka nga ata që si Millosheviçi duan të bëhet Serbia e Madhe, por unë ju them se ajo nuk mundet të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë që Serbia mundet të bëhet një shtet i madh, unë ju them që Serbia është një shtet i vogël në Ballkan”, tha Mesiç.
Takimi PanShqiptar- NdërBallkanik- EuroAtlantik me tematiken” Histori- Identitet- Integrim”, u mbajt në kuadër të 25-vjetorit të luftës legjendare të UÇK-NATO dhe lirisë së Kosovës në Prishtinë, me mbi 600 të ftuar nderi.
Në shënim të ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, në Kompleksin Memorial në Mejë u organizua tubim përkujtimor nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, njofton Klankosova.tv
Në 25-vjetorin e masakrës së Mejës, krerët e shtetit kërkuan drejtësi për viktimat, duke u zotuar se thirrja për drejtësi kurrë nuk do të mungojë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani masakrën e Mejës e quajti “Srebrenica e Kosovës”.
“Sot këtu jemi me zemër të rënduar pa fund, ky vend është “Srebrenica e Kosovës”, ky vend është edhe thirrja jonë me e fuqishme për drejtësi. 376 civilëve të pafajshëm ju këputën ëndrrat në gjysmë vetëm pse ishin shqiptarë. Familjet e të zhdukurve me dhunë asnjëherë nuk do të jenë vetëm”, tha presidentja Osmani, përcjell Klankosova.tv
Derisa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për shqiptarët stina e pranverës është stinë përkujtimore për masakrën e Mejës.
“Ju e keni të freskët mëngjesin e atij viti kur forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, i dëbuan civilët nga fshatrat e Gjakovës. Të dëbuarit i drejtuan nga Meja ku i plaçkitën dhe gratë e fëmijët i drejtuan për në Shqipëri, ndërsa burrat e djem të rinj u vranë në fshatin Mejë”, tha Kurti.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shkruar për Ditën Kombëtare të të Zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë.
Ajo bën thirrje që ky proces të mbyllet dhe familjarëve t’u jepen përgjigjet e merituara, njofton Klankosova.tv.
“Sot është Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur në Kosovë. Pas mbi dy dekadash, familjeve ende u mungojnë përgjigjet dhe mbyllja e këtij procesi për më të dashurit e tyre. Sot, ne qëndrojmë së bashku me familjarët që ende – dekada më vonë – nuk e dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre të zhdukur. Prioritet duhet të jetë gjetja e përgjigjeve që parashikojnë përfundimin e këtij procesi të familjarëve të të zhdukurve”, ka shkruar ambasada në Facebook.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur keqardhje që nuk është bërë progres për të pagjeturit në tre vjetët e fundit për shkak të asaj që ai e ka quajtur “bllokadë politike”.
Rohde ka thënë se ka ende nevojë për veprime për të zbardhur fatin e të zhdukurve gjatë luftës.
“Solidarizohem me familjet e personave të zhdukur. 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka ende nevojë për veprim dhe shumë fate mbeten të panjohura. Më shumë se keqardhje që nuk është bërë asnjë progres në 3 vjetët e fundit për shkak të bllokadës politike”, ka shkruar ambasadori gjerman në “X” të shtunën.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.
Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka marrë pjesë në aktivitetin e institucioneve të vendit për të përkujtuar të zhdukurit e luftës në Kosovë, në Ditën Kombëtare për Personat e Zhdukur.
Përmes një njoftimi, EULEX-i ka shprehur solidarizimin “për 1615 personat e zhdukur nga lufta në Kosovë dhe menjëherë pas saj, si dhe me familjet e tyre”.
“Familjarët e të gjithë personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre. Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë pandërprerë me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse për t’u ndihmuar atyre që ta përmbushin këtë të drejtë duke i gjetur personat e zhdukur, si dhe duke ndarë këshilla dhe ekspertizë për identifikimin e varreve ende të pazbuluara, kryerjen e zhvarrimeve dhe identifikimin e viktimave”.
“Nga viti 2009 e deri më sot, EULEX-i i ka marrë pjesë në mënyrë aktive në 800 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 209 zhvarrime. Mbetjet mortore të 501 personave janë identifikuar, duke përfshirë këtu 343 persona të zhdukur”, ka thënë EULEX-i në njoftimin për media.
Në aktivitetin e organizuar nga autoritetet e Kosovës, ka marrë pjesë zëvendës-shefja e Misionit, Emily Rakhorst. /Klankosova.tv
Komentet