VOAL

VOAL

Arrestohet deputeti i PS Alqi Bllako

March 31, 2022

Komentet

“Ulni qepenat, bashkohuni me studentët!” Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm thirrje sipërmarrësve: Nesër të gjithë në protestë!

 

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u ka bërë thirrje të gjithë sipërmarrësve shqiptarë që të bashkohen me protestën kombëtare të studentëve, e cila do të zhvillohet nesër, ditën e shtunë. Përfaqësuesit e shoqatës kërkojnë që bizneset të ulin qepenat gjatë orarit të protestës, në shenjë solidariteti me të rinjtë dhe qytetarët që kanë dalë në rrugë. Në deklaratën e saj, shoqata thekson se situata aktuale nuk është vetëm një çështje e studentëve, por prek drejtpërdrejt të ardhmen e sipërmarrjeve, familjeve dhe fëmijëve shqiptarë.

Përveç pjesëmarrjes në protestë, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u kërkon sipërmarrësve që kanë mundësi të ofrojnë produkte dhe shërbime të nevojshme për protestuesit gjatë zhvillimit të tubimit. Sipas përfaqësuesve të saj, gjendja aktuale e biznesit dhe e shoqërisë kërkon një reagim qytetar dhe një angazhim më të madh të sipërmarrësve në mbështetje të studentëve. Thirrja vjen në një kohë kur protestat studentore kundër qeverisë vijojnë prej ditësh, ndërsa të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, me shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta. Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biznesit tonë, me familjet tona dhe me fëmijët tanë. Ne besojmë se situata aktuale e biznesit dhe e shoqërisë kërkon reagim qytetar, solidarizim dhe përgjegjshmëri.

Prandaj, edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjitha bizneseve shqiptare të bashkohen nesër, ditën e shtunë, me studentët, me qytetarët protestues. U bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që kanë mundësi të mbështesin protestuesit me produkte dhe shërbime të nevojshme gjatë zhvillimit të protestës. Gjithashtu, u bëjmë thirrje bizneseve që, në oraret e përcaktuara të protestës, të ulin qepenat në shenjë solidarizimi me protestuesit shqiptarë.”, tha kreu i Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. bw

“Politika e vjetër t’i lerë terren rinisë”- Mjeku Gentian Stroni: Të marrin fatet e vendit në dorë! Dhuna policore? Nuk do donim të ngjisnim kockat e shqiptarëve

Mjeku Gentian Stroni ka shprehur mbështetjen për studentët protestues, duke bërë thirrje që politika t’u hapë rrugë të rinjve dhe të dëgjojë kërkesat e tyre.

 

Gjatë një prononcimi për mediat nga protesta para kryeministrise, Stroni u shpreh se brezi i tij duhet t’u kërkojë ndjesë të rinjve për situatën e krijuar nga politika aktuale, e cila, nuk po përshtatet me kërkesat e studentëve.

“Unë do të doja me një ndjesë që gjenerata ime duhet ti kërkojë këtyre të rinjve për shkak të kësaj politike të vjetër që aktualisht është në këto momente, e cila nuk po akomodohet me kërkesat e këtyre studenteve. Do të duhet që kjo rini të japë leksion të gjithë politikes. Politika e vjetër duhet ti lërë terren rinisë. Duhet të luftojmë që kjo rini të marrë fatet e vendit në dorë. Palët duhet të bëhen të ndërgjegjshme për të mirën e përbashkët”, tha Stroni.

Mjeku dënoi dhunën policore ndaj te rinjve, duke deklaruar se “ne duam të përkrahim që këta studentët që të mos goditen, por nuk do të donim të ngjisnim kockat e shqiptarëve, përfshirë këtu edhe policinë. Palët duhet ta kuptojnë se i ka ardhur koha të rinjve”. Panorama

Rama i bëri gjyqin publik, e akuzoi për trafik droge, studenti ia plas në sy: Jam student i Mjekësisë me mesatare 10! Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori!

Kryeministri Edi Rama doli sot për t’i bëri gjyqin publik disa personave, që janë arrestuar për protestat e studenteve dhe sipas tij nuk janë studentë.

 

Por njëri prej tyre, Jon Suloymeri, i cili e pa veten në fotot dhe skedën që publikoi Rama, doli para kryeministrisë, për ti thënë se “ai është student i Mjekësisë me mesatare 10”.

Sipas studentit, ato që deklaron Rama janë mashtrime dhe përpjekjet e fundit të një diktatori.

“Zoti kryeministër ka dalë sot dhe më akuzuar për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Unë jam student i Mjekësisë dhe ky shpik legjenda me mbret. Dua të tregoj të gjitha notat që kam marrë me mesatare 10.0. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra. Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori.

Kam qenë të martën e kaluar i shoqëruar. Më mbajtën 7 orë e gjysmë dhe pastaj më lëshuan. Nuk e di ta do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë”, tha Jon Suloymeri. Panorama

Skeda e Jon Suloymeri qe i publikoi Rama

“Ngacmuan dy vajza në protestën para Kryeministrisë”, Kalaja dhe Doçi kallëzojnë efektivët në AMP

TIRANA– Kryetari i PD-së Krujë, Aulon Kalaja, së bashku me aktivistin Mariglend Doçi, kanë depozituar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) një kallëzim penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët akuzohen se kanë ngacmuar dy vajza gjatë protestës para Kryeministrisë.

Kallëzimi lidhet me sjelljen e punonjësve të policisë, të cilët në momentin e incidentit ishin me uniformë dhe në krye të detyrës.

 

Në lidhje me ngjarjen, Aulon Kalaja ka deklaruar se ai dhe aktivisti Mariglend Doçi ndodheshin në vendngjarje në momentin kur dy vajzat u ngacmuan, duke ndërhyrë për t’i mbrojtur.

“Në momentin që vajzat janë ngacmuar, unë dhe Doçi ndodheshim aty dhe i mbrojtëm”, u shpreh Kalaja.

Kalaja dhe Doçi kërkojnë që rasti të verifikohet nga institucionet përgjegjëse dhe të hetohen veprimet e efektivëve të përfshirë./Dosja.al

Maxhoranca anulon diskutimet, PS voton kalimin në votim të projektligjeve! Demokratët qëllojnë Peleshin

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me tensione të ashpra deri në përplasje mes socialistëve dhe demokratëve.

 

Në këto kushte, mazhoranca socialiste ka anuluar të gjithë diskutimet dhe ka kaluar në votim të projektligjeve.

Vendimi i PS  ka shkaktuar reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët kanë kundërshtuar. Në shenjë protestë ata kanë hedhur kartonat në drejtim të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

E gjitha salla e Kuvendit ka qenë e mbushur me tensione, ndërsa deputetet e PD kanë përmbysur edhe karriget.

Çfarë ndodhi?

Në emër të grupit parlamentar të PD, Belind Këlliçi mbajti një qëndrim politik për protestën duke dalë në krah të studenteve. AI tha se nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë krizës politike. Deputeti i PD kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës, shpërndarjen e parlamentit dhe krijimin e nje qeverie teknike.

Më pas fjalën e mori Taulant Balla, i cili mbrojti efektivët e policisë, të cilët kanë dhunuar studentët dhe të rinjtë në protestë.

 

Në këto momente, ka qenë Flamur Noka, i cili është afruar duke mos lejuar që Balla të mbajë fjalën.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi njoftoi kalimin në votim të pr ligjeve dhe më pas mbyllje të seancës. Panorama

Edi Rama dhe Skënder Hita kallëzohen në SPAK, kryeministri dhe kryepolici akuzohen për gjashtë vepra penale, nga gjenocid, përndjekje, te shpërdorimi i detyrës dhe dhënia e urdhrave të paligjshëm, rrezikojnë nga 5 deri në 15 vjet burg deri në burgim të përjetshëm

Anëtarë të Shoqërisë Civile kanë dorëzuar këtë të martë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme, duke kërkuar nisjen e hetimeve për kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Gazeta “SOT” ka siguruar një pjesë të kallëzimit penal që është dorëzuar në SPAK dhe sipas asaj, që kërkon Shoqëria Civile, me urdhër të Edi Ramës dhe Skënder Hitës, Policia e Shtetit ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. “Ky kallëzim konsiston në kryerjen e veprës së gjenocidit, të shpërdorimit të detyrës, të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, është shprehur juristja Brizida Gjikondi, një nga firmëtaret, e cila ka depozituar kallëzimin në SPAK.

Kallëzimi penal për kryerjen në bashkëpunim të veprave penale: “Gjenocidi”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Detyrimi për të marrë pjesë në grumbullime të paligjshme”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Shoqëria Civile ka cituar si bazë ligjore Nenet 73, 250, 251, 248 dhe 245/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale.

Akuzat

Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, dënimet me burgim dhe masat e tjera penalizuese për secilin nga nenet e cituara në kallëzim janë si më poshtë:

1. Neni 73: “Gjenocidi”

Lloji i veprës: Krim tejet i rëndë kundër njerëzimit.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
2. Neni 250: “Kryerja e veprimeve arbitrare”

Lloji i veprës: Vepër penale e kryer nga personi që ushtron funksion shtetëror apo në shërbim publik.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet (varësisht nga pasojat e veprës).
3. Neni 251: “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” (përfshin edhe detyrimin e paligjshëm ose mosveprimin ndaj cenimit të lirisë)

Lloji i veprës: Vepër penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
4. Neni 248: “Shpërdorimi i detyrës”

Lloji i veprës: Krim kundër veprimtarisë shtetërore të kryer nga funksionarë publikë.
Dënimi i parashikuar: Dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
5. Neni 245/1: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”

Lloji i veprës: Krim korrupsioni / ndikim i paligjshëm.
Dënimi i parashikuar:
Për atë që premton, ofron ose jep përfitime të parregullta: Dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Për atë që kërkon, pranon ose merr përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim: Dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Dispozitat Procedurale të Cituara (Nenet 280 dhe 283 të KPP):

Neni 280: Marrja e dijeni për veprën penale (përcakton detyrimin e organit të ndjekjes penale për të regjistruar kallëzimin).
Neni 283: Kallëzimi nga shtetasit (baza procedurale që i jep të drejtë shoqërisë civile/shtetasve të depozitojnë kallëzim penal në SPAK).
Pra referuar akuzave, Rama dhe Hita rrezikojnë nga 5 deri në 15 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Skënder Hita në shkelje flagrante të Kushtetutës

Ndërkohë theksojmë se nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Skënder Hitës, Policia e Shtetit ka kryer një krim të rëndë kundër rendit kushtetues, duke hedhur në vijën e parë të protestës së studentëve civilë të maskuar dhe të paidentifikuar, të cilët kanë ushtruar dhunë barbare pa asnjë mbështetje ligjore. Sipas ligjit organik të Policisë së Shtetit, funksioni i ruajtjes së rendit kryhet ekskluzivisht nga efektivë me uniformë dhe simbole dalluese, ndërsa përdorimi i rrobave civile lejohet vetëm për raste të veçanta hetimore dhe kurrë pa u identifikuar menjëherë me dokument zyrtar. Përdorimi i maskave dhe kapuçëve taktikë nga persona pa uniformë është i kufizuar vetëm për repartet speciale të rrezikshmërisë ekstreme si RENEA, dhe jo për të dhunuar protestuesit paqësorë. Ky anonimitet i paligjshëm ka krijuar një “imunitet de facto”, duke u lejuar efektivëve të Hitës të përdorin shkopinj gome e dhunë pa frikën e ndëshkimit. Mungesa e shenjave identifikuese dhe numrit matrikullor e ka zhveshur aksionin policor nga çdo garanci e sigurisë juridike.

Kjo metodologji arbitrare ka shkelur hapur Nenin 27 të Kushtetutës për privimin e paligjshëm të lirisë, duke kryer shoqërime masive pa komunikuar arsyet ligjore dhe pa njoftuar avokat apo familjarë. Për më tepër, veprimi i personave të maskuar pa shenja dalluese e ka bërë të pamundur që qytetarët t’i dallojnë nga veprat penale të “Rrëmbimit të personit”. Sipas Neni 19 të Kodit Penal, qytetarët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes së nevojshme për të zmbrapsur një sulm të padrejtë nga persona të panjohur, çka do të thotë se vetë shteti, përmes urdhrave të paligjshëm të Skënder Hitës, ka nxitur përshkallëzimin e konfliktit fizik në rrugë dhe ka rrezikuar jetën e të rinjve.

“Shteti i së drejtës në nivelin më të ulët në 10 vjet” – Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço: Frustrimi i qytetarëve nuk erdhi nga hiçi!

Në kohën kur rrugët e kryeqytetit po vlojnë nga protestat rinore e qytetare, ish-kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), Enio Jaço, ka reaguar ashpër lidhur me degradimin e shtetit të së drejtës dhe nivelin e lartë të korrupsionit në vend.

Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale, Jaço i ka referuar shifrave zyrtare të Indeksit Botëror të Shtetit të së Drejtës 2026, të publikuar në tetor, ku Shqipëria shënon rezultatin më negativ të dekadës së fundit, duke u renditur në vendin e 91-të mes 143 shteteve të marra në shqyrtim.

Jaço ka bërë një krahasim goditës mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit e më gjerë, duke nxjerrë në pah prapambetjen e thellë të institucioneve vendase:

“34 vende pas Malit të Zi. 32 pas Kosovës. 26 pas Maqedonisë së Veriut. Edhe Ukraina në luftë është para nesh!”

Sipas tij, ky përkeqësim i përsëritur nuk është një luhatje stanidarde apo e përkohshme, por tregon një krizë strukturore të qeverisjes dhe drejtësisë.

 

  • foto galeri

Postimi i Enio Jaços:

Shteti i se drejtes ne Shqiperi, ne nivelin me te ulet ne 10 vjet

Ne Indeksin Boteror te Shtetit Ligjor 2026 (te sapo-publikuar ne Tetor), Shqiperia ka rezultatin me te ulet qe nga 2015. Eshte e 91-ta nga 143 vende.

34 vende pas Malit te Zi. 32 pas Kosoves. 26 pas Maqedonise se Veriut. Edhe Ukraina ne lufte, eshte para nesh.

Integrimi europian eshte prioriteti qe bashkon qeverine, opozitën dhe shoqerine civile. Dhe ne negociatat me BE-ne, shteti i se drejtes hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Pra, keto numra kane rendesi.

Indeksi tregon 4 gjera:

E para. Rajoni po perparon, Shqiperia jo. Qe nga 2021, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja jane permiresuar. Shqiperia dhe Serbia kane rene.

E dyta. Korrupsioni. Shqiperia ka rezultatin me te dobet nga gjashte vendet e Ballkanit Perendimor, me poshte edhe se Serbia. 0.37 nga 1. Mesatarja e BE-se eshte 0.73.

E treta. Kontrolli mbi pushtetin. Edhe pse SPAK ka sjelle rezultate, roli i gjykatave si kontroll mbi qeverine ka rene 43% nga 2015. Pjesemarrja qytetare ka rene 30%. Frustrimi dhe protestat nuk erdhen nga hiçi.

E katerta. Distanca me BE-ne. Per pavaresine e drejtesise nga qeveria, Shqiperia merr 0.27. BE-ja ka 0.72. Me pak se gjysma.

Kjo nuk eshte luhatje e nje viti. Ne 2015 Shqiperia kishte 0.52. Sot ka rene ne 0.48. Pas me shume se nje dekade reformash, jemi me poshte se ku nisem.

Shteti ligjor nuk fitohet me fjalime. Ai matet. Dhe rezultatet kerkojne pergjigje. bw

Këngëtarja e njohur reagim të fortë ndaj Ramës, Anjeza Shahini: Shoh një shëmbëlltyrë diktature, më mirë ik si kryeministër i dështuar se si diktator

Këngëtarja e njohur Anjeza Shahini i është bashkuar zërave kritikë të artit dhe kulturës që po dënojnë dhunën shtetërore dhe qëndrimin e ekzekutivit ndaj protestave rinore në kryeqytet. Përmes një reagimi publik, Shahini ka goditur ashpër narrativën e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar reagimin e policisë si të papranueshëm për një vend demokratik.

Këngëtarja theksoi se vendimi për të reaguar erdhi pasi pa përdorimin e gjuhës së forcës nga kreu i qeverisë:

“E bëj këtë shkrim pasi pashë kryeministrin që po pretendon të ndalojë dhunën nëpërmjet gjuhës së dhunës dhe nëpërmjet gjuhës së kërcënimit — kjo është e papranueshme. Nëse e bën Meloni është po keq, nëse e bën Franca edhe më keq. Demokracia ka kosto dhe përgjegjësi, nuk është zgjidhje kërcënimi. Nuk e fsheh, krijova shpresë se do tregoje lidership, por iku edhe kjo shpresë.”

 

 

Në analizën e saj për situatën në terren, Shahini hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve për huliganizëm nga ana e protestuesve, duke drejtuar gishtin nga veprimet e dhunshme të policisë nëpër lagjet e Tiranës:

“Nuk shoh dhunë nga rinia shqiptare, shoh revoltë dhe protestë legjitime në një vend të ashtuquajtur demokratik. Shoh dhunë nga forcat e policisë. Nuk shoh një shtet të organizuar demokratik, por gati një shëmbëlltyrë të një regjimi diktatorial, një polici të paaftë të mbrojë qytetarët e vet, shoh një polici që nuk njeh të drejtat themelore të njeriut, shoh një polici që vrapon nëpër rrugica të Tiranës për të rrahur djem të rinj, shoh një polici që përdor gjuhë të pisët, që ushtron dhunë mbi gra, e që krijon panik dhe terror tek çdo kalimtar apo biznes.”

Artistja i drejtoi një mesazh të prerë kryeministrit Rama, duke i kërkuar të ndalë shpenzimet për vëzhgimin e të rinjve dhe të reflektojë mbi dështimin e modelit të tij qeverisës:

“Shoh një kryeministër që tenton të joshë me karizmën e tij të vjetëruar, një kryeministër kryeneç të cilit i këshilloj të veprojë me përgjegjësi, të mos harxhojë para në teknologji për të kapur kalamaj me kapuç, por të investojë në rritjen e ekonomisë sepse ku ka varfëri, ka krim, ose të largohet si një kryeministër i dështuar më mirë se si një diktator.”

Në përmbyllje të reagimit të saj, Shahini nënvizoi se përgjegjësia e pushtetit matet me respektin ndaj çdo zëri opozitar e qytetar në shesh:

“Lëri popullit që të votoi dhe të rivotoi të paktën një grimcë të magjepsjes që i dhurove nëpërmjet atleteve dhe kollareve me ngjyra. Nëse turma është më e vogël se numri i atyre që të votuan, kjo nuk të bën më të fortë por më të përgjegjshëm. Nëse shpërfill një turmë të vogël, qoftë edhe një njeri të vetëm, ke shpërfillur gjithkënd.” bw

OSBE/ODIHR dënon dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri: Policia të shmangë forcën e paligjshme dhe joproporcionale!

Përshkallëzimi i dhunës mbi protestuesit në rrugët e Tiranës ka vënë në alarm zyrtarët më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zgjedhjeve në Evropë.

OSBE/ODIHR ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku dënon përdorimin e forcës nga policia dhe kërkon hetime të menjëhershme.

Përmes një reagimi publik, ODIHR i bëri thirrje direkte organeve të zbatimit të ligjit në Shqipëri të ndalin menjëherë veprimet suproporcionale dhe arbitrare ndaj qytetarëve, duke kujtuar detyrimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Reagimi zyrtar i OSCE/ODIHR:

“Të shqetësuar nga raportimet për dhunë gjatë protestave në Shqipëri, ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve të mbeten paqësore. Organet e zbatimit të ligjit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ose disproporcional të forcës kundër protestuesve, dhe çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet me shpejtësi dhe në mënyrë të pavarur.” bw

“Më iku truri kur të pashë përballë gjithë atyre policëve me skafandra”- Mesazhi i kinematografit për vajzën e tij: Trimëresha e babës! Në vend të tapetit të kuq ju presin me gaz dhe plumba gome

Kinematografi Mishel Koçiu ka ndarë një mesazh prekës për vajzën e tij, e cila ka marrë pjesë në protestën e të rinjve në Tiranë, duke qëndruar në rreshtin e parë, përballë efektivëve të policisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu shpreh krenarinë për të bijën, por edhe shqetësimin e madh si prind për sigurinë e saj, në një kohë kur protestat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e rendit.

“Bëj kujdes, bab! Shqipëria ka nevojë për ju, për këtë brezin tuaj kaq të bukur, që ende e do vendin e vet dhe beson se mund ta bëjë më të mirë. Më shumë sesa për heronj e heroina, ky vend ka nevojë për mirësi, dinjitet e njerëzillëk”, thuhet ne reagimin e tij.

Ai kritikon mënyrën se si autoritetet po përballen me protestuesit, duke theksuar se të rinjtë duhet të priten në institucionet shtetërore për t’u dëgjuar dhe jo të përballen me forcat e rendit.

“Taksirati që shokët e brezit tim ëndërrimtar, tashmë në pushtet, në vend që t’ju shtronin tapetin e kuq e t’ju prisnin me banda muzikore në dyert e zyrave të shtetit, për t’ju dëgjuar mendimet e shqetësimet, zgjodhën t’ju presin me policë me skafandra, shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome”!

Postimi i polote i Mishel Koçiut

Trimëresha e babës, përballë policëve, në rreshtin e parë! ❤️

Ti e di sa krenar jam për ty, por meraku është edhe më i madh se krenaria! Flasim çdo ditë për protestat në Tiranë, për gjithçka që po ndodh atje, por nuk ta fsheh që më iku truri kur të pashë përballë gjithë atyre policëve me skafandra!

Bëj kujdes, bab! Shqipëria ka nevojë për ju, për këtë brezin tuaj kaq të bukur, që ende e do vendin e vet dhe beson se mund ta bëjë më të mirë. Më shumë sesa për heronj e heroina, ky vend ka nevojë për mirësi, dinjitet e njerëzillëk.

Kujtoja se i kishim kryer punët me përmbysjet kur isha sa ty. Se ju nuk do të kishit më nevojë të dilnit në rrugë për të kërkuar ato që kërkuam ne dikur.

Taksirati që shokët e brezit tim ëndërrimtar, tashmë në pushtet, në vend që t’ju shtronin tapetin e kuq e t’ju prisnin me banda muzikore në dyert e zyrave të shtetit, për t’ju dëgjuar mendimet e shqetësimet, zgjodhën t’ju presin me policë me skafandra, shkopinj gome, gaz lotsjellës e plumba gome!

Më dhemb që ju duhet të përballeni me gjëra që ne besonim se i kishim lënë pas.

Jam në merak për ty, bab! Shumë në merak, dritë e syrit!

Jam me ty, me ju të gjithë!

Panorama

Protestuesi “shpërthen” ndaj Ramës: Nëpunësit e tij me rroga 600 mijë lekëshe, por kanë ora 20 mijë euro dhe veshje 15 mijë euro. Do të vazhdojmë kauzën

Një qytetar i është bashkuar protestës së pedagogëve dhe studentëve para Kryeministrisë, duke thënë se ka dalë në shesh për të ardhmen e fëmijëve të tij. Ai ngriti pikëpyetje mbi të ardhurat dhe shpenzimet e punonjësve të administratës, duke pretenduar se pagat dhe luksi i tyre nuk justifikohen.

Qytetari tha gjithashtu se është shoqëruar disa herë nga policia, por theksoi se kjo nuk do ta ndalojë të vijojë protestën.

“Jam prind dhe jam këtu për fëmijët e mi. Rrogat e nëpunësve të Ramës janë 600 mijë lekë. Kanë orë nga 20 mijë euro, veshje 15 mijë euro. Ku i gjejnë pra? Duke vënë gjoba. Jam shoqëruar disa herë, por nuk do të tërhiqem, sërish do të protestoj. Kam qenë me duar në xhepa kur më kanë shoqëruar. Duhet të vazhdojmë këtë kauzë, se ndryshe do ikim, do t’ia lëmë çifutëve dhe atij vendin.”, tha ai. gsh

SPAK ashpërson akuzat ndaj Belinda Ballukut- Nga pastrim parash, korrupsion, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:

• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.

• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.

• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).

Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm. bw


Send this to a friend