Incidentet e fundit që kanë ndodhur në rajonin e Dukagjinit, i pari në fshatin Gorazhdec të Pejës dhe i dyti në Serbobran të Istogut, kanë ngjallur jo pak reagime, si nga politikbërësit në vend, po ashtu edhe nga ata jashtë vendit, sidomos ata nga Serbia, por edhe nga politikanët serbë të Kosovës, të cilët u nxituan që ta cilësojnë këtë rast si rast të motivuar etnikisht.
Por, burime të Koha.net brenda organeve kompetente të rendit, bëjnë me dije se dy rastet e sipërpërmendura, sipas të gjitha gjasave, janë akte të pastra kriminale apo inskenime të qëllimshme.
Sipas burimeve të sigurta brenda organeve të rendit, sulmi në rastin e Gorazhdecit është kryer mbi një shtetas të Kosovës i përkatësisë etnike serbe, i cili, siç bëjnë me dije këto burime për Koha.net, njihet si person i cili në vazhdimësi shoqërohet me bashkëqytetarë shqiptarë dhe boshnjakë.
“Por, i njëjti njihet edhe si person problematik i dhënë pas pijes alkoolike dhe për shoqërim me persona të cilët supozohet të jenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, aktivitete të cilat mund të kenë qenë shkaktare të incidentit”, ka thënë burimi i Koha.net duke mos dashur të identifikohet me emër.
Ai ka thënë se raporti zyrtar për këto raste pritet të del diku kah fillimi i janarit të vitit të ri, ku edhe do të konfirmohen të dhënat e sipërpërmendura.
Ndërkaq, edhe në rastin e fshatit Serbobran, mësohet se sulmi ka ndodhur mbi një dyqan të këtij fshati, për të cilin burimi në fjalë thotë se ka qenë i njohur si lokacion ku kanë qëndruar persona të dyshimtë dhe se pronarja e dyqanit ka indikacione që ka qenë e përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Andaj, rastet në fjalë, sipas informatave të organeve të rendit, i kanë të gjitha predispozitat e rasteve të pastra me motive kriminale të ndërlidhura me aktivitetet e personave të sulmuar.
“Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që këto raste të jenë inskenuar ose po përdoren tashmë në prag të vizitës së paralajmëruar të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq në Kosovë, me qëllim të përfitimit politik nga vepra të tilla kriminale”, thotë burimi i portalit Koha.net.
I kontaktuar nga Koha.net, zëdhënësi Xhevat Ibra nga Policia Rajonale e Pejës, se rasti është duke u hetuar intensivisht, duke mbledhë dëshmi, prova, deklarime të qytetarëve të atij fshati, edhe të fshatrave që kalojnë rrugës përmes fshatit Gorazhdec.
“Ai është edhe mendim imi që këto janë vepra kriminale që nuk kanë orientim politik, por as të tillë nuk mund ta quajmë derisa ne nuk kemi persona të dyshimtë, as nuk dihet nacionaliteti i tyre, prandaj ne nuk mund t’i quajmë sulm me motive ndëretnike. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe kemi marrë masat shtesë. Kemi një plan të posaçëm të sigurisë për këto dy fshatra”, ka thënë Ibra.
Për këtë rast ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, duke thënë se “nuk duhet paragjykuar që sulmet janë kryer me motive etnike dhe politike”.
Kujtomë se rasti i parë, ai i Gorazhdecit, ka ndodhur mu në ditën kur serbë lokalë kishin bllokuar pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës. Shkak për këtë bllokadë të kufirit ishte aplikimi i caktimit të vlerës doganore për mallrat nga Serbia, që po bëhet nga Prishtina, dhe jo siç ishte bërë deri tani në kufi.
Ndërkaq, më 14 dhjetor 1998, në lokalin “Panda” në Pejë janë vrarë: Ivan Obradoviq (15), Vukota Gvozdenoviq (18), Svetislav Ristiq (17), Zoran Stanojeviq (17), Dragan Trifoviq (17) dhe Ivan Radeviq (25). Për këtë krim, organet serbe fajësuan shqiptarët.
Mirëpo, ish-shefi i Sigurimit të Brendshëm serb (DB), në fillim të vitit të kaluar, pati dhënë dëshmi se si gjashtë të rinjtë në kafenenë “Panda” në Pejë janë vrarë nga njësitet e paramilitarit Milorad Ulemek – Legija, derisa ish-komandanti i Njësiteve Speciale Operative (JSO) pati se gjithçka është bërë me urdhrin e DB-së, në krye me Radomir Markoviqin.
Autoriteteve serbe u janë ofruar dëshmi se vdekja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet serbe.
Komentet