RTV ORA zbardh ekskluzivisht detaje të dosjes me emrat e shtatë shqiptarëve të arrestuar në operacionin anti-drogë, i cili çoi në burg dhe këngëtaren shqiptare Elsa Lila.
Me urdhër të prokurores Maria Paola Tomaselli, ata akuzohen për trafik droge të tipit kokainë, hashash e marijuanë, magazinim e tregtim të lëndës narkotike dhe pjesëmarrje në aktivitet kriminal, grup i struktururar me aktivitet ilegal prej disa kohësh ku çdo anëtar kishte role të pëcaktuara mirë.
Organizator i këtij grupi trafikantësh ishte shqiptari Arindi Boçi, i thirrur me pseudonimin Rindi, që së bashku me shqiptarin Glend Burhanaj organizonte transportin e tregtimin e sasive të drogës. “Rindi”, sipas hetuesve italianë, bashkëpunonte me personazhe të krimit të organizuar roman të botës së narko-trafikut e në lidhje me familjen e mafiozit Michele Senese, shkruhet në dosjen e siguruar nga Ora News dhe RTV Ora.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij grupi kriminal ishte i arrestuari Petrit Bardhi, me pseudonimin Titi, i cili i siguronte grupit të drejtuar nga Arindi Boçi, sasinë e drogës për ta trafikuar, falë lidhjeve me elementë të spikatur të kriminalitetit roman. Krahu i djathtë i Arindi Boçit ishte Çesku, nofka e Françesk Ndrekës, njeriu i besuar dhe personi operativ i tij në magazinimin dhe tregtimin e lëndës narkotike.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Romës, akuza ndaj këngëtares shqiptare është pjesëmarrje në një grup kiminal me aktivitet në trafikun e drogës, magazinimin e tregtimin e drogës.
“Elsa Lila, në cilësinë e pjesëmarrëses në këtë grup kriminal, ndiqte direktivat e grupit dhe përdorej si rojtare e këshilluese e të ardhurave të aktivitetit ilegal, si dhe të librit të kontabilitetit të grupit. Ajo i ofronte strehim Arindi Boçit, kreut të këtij grupi trafikantësh, në fazën përfundimtare të hetimeve për t’i shpëtuar kontrollit policor”.
Prokurorët italianë shkuajnë se: “Elsa Lila ishte pjesëmarrëse e aktivitetit kriminal të këtij grupi që trafikonte lëndë narkotike edhe pse në aparencë me rol minimal. Faktikisht nuk merrte pjesë në operacionet e transportit, trafikimit e tregtimit, magazinimit të drogës, por shfaqej si ruajtëse e arkës e kontabilitetit të grupit kriminal e besuar nga kreu i saj, Arindi Boçi”.
Hetuesit italianë nënvizojnë se: “Elsa Lila shfaqej me djallëzi dinake kur këshillon Arindi Boçin të korruptojë forcat e rendit për të evituar kontrollet ndaj grupit e aktivitetit të tij kriminal, çka dëshmon përkatësinë e saj me këtë ambinet kriminal, objekt dhe i kësaj dosje hetimore”.
Emri i këngëtares shqiptare brenda aktivitetit të këtij grupi kriminal shfaqet pas arrestimit më 2019 të Glend Burhanajt. Në përgjimet ambientale të bëra në banesën ku jetonin Arindi Boçi e Glendi Burhanaj, shfaqet se asaj i janë besuar ruajtja e arkës së të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i trafikut të lëndëve narkotike dhe një regjistër kontabiliteti me hyrje-daljet e të ardhurave.
Nga kjo arkë ishin shpenzuar 25 mijë euro për asistencën legale të Geldi Burhanajt. Gjatë një bisede të përgjuar në banesën e Arindi Boçit, “Rindi” informon babain e nipin e Glendi Burhanajt se kishte tërhequr 25 mijë euro për shpenzimet legale. “I tërhoqa nga Elsa… i kisha lënë mënjanë tek Elsa… çfarë të bëjmë… I kemi shkruar të gjitha… librin e kam lënë tek Elsa… llogaritë…”
Pas arrestimit të Burhanajt, Rindi shprehej i preokupuar për fatin e tij. Elsa Lila, si njeri i besueshëm i tij, i ofronte banesën e saj për t’iu fshehur kontrolleve policore gjatë peridhës së verës, kur ajo do të nisej për pushime. Sipas këngëtares shqiptare banesa e saj ishte e sigurtë e kishte pranë një rrugicë që mund ta ndihmonte të largohej në rast emergjence pa rënë në sy.
Në një bisedë të përgjuar më 22 korrik 2019 mes Elsa Lila e Arindi Boçit thuhet:
Elsa: Kur të iki në gusht, merr çelësat e shtëpisë time, në një dhomë do jetë Raina, në tjetrën ti… Shih e bë… unë po të lë një palë çelësa… mbyllu aty, ndrysho vend.
Boçi: Po më vë në siklet Elsa, kuptove o jo? Po të le nje kopje çelësash.
Elsa: E di dhe ku është rrugica, tek mermeristi, parko makinën aty… është vend yll… ke dhe rrugëdalje e mund të ikësh pa problem…
Po në të njëjtën bisedë të përgjuar këngëtarja shqitpare rekomandonte Arindo Boci, të kishte kujdes “kutinë e Babbo Natale-s” (babagjyshit të vit të ri), një gjuhë e kriptuar për kutinë ku ruhej arka e libri i llogarive të grupit.
Elsa: Mos harro kutinë e Babbo Natale-s, është atje poshtë.
Boçi: Po, po.
Elsa: Është tek ajo mobilje që di ti, aty prapa…. aty është ajo e Babbo Natales….e aty brenda ështa ajo që di ti, ajo që ti ke lënë… e mos harrro, inkubi im është aty.
Boçi: Jo, e dashur jo, është gjithçka qetë, e kemi pastruar shtëpinë, s’kemi gjë ilegale…
Elsa: Unë nuk kam frikë nga shteti (nga forcat e rendit), kam frikë nga hajdutët… mua nuk më vjen askush nga shteti të më kontrollojë, unë tek shteti shkoj çdo ditë..
Elsa Lila shpjegon se ka marrëdhënie të mira me forcat e rendit e se gjatë një kontrolli që i kanë bërë në hotelin e saj, ia kishin falur se i mungonin disa dokumente. Dhe pse i kishin vënë gjobë, i kishin thënë të mos e paguante. Elsa Lila këshillonte kreun e grupit të trafikantëve të gjente një mik brenda aparatit shtetëror, duke komentuar se si në Itali dhe në Shqipëri ka njerëz të korruptueshëm që mund të jenë të vlefshëm në situata të vështira të mikut.
Elsa: I dashur duhet të gjesh një mik brenda aparatit shtetëror… kjo është zgjidhja si ta gjesh një mik të tillë… një mik, grep në shtet shërben si në Shqipëri, ti e di… është një e mirë sepse të shpëton kushdoqoftë në qeveri, duhet të kesh një dhe aty.. në aparatin shtetëror, duhet gjetur mënyrë se dhe këtu ka njerëz të korruptuar.
Boçi: Eh, shumë.
Elsa: Prandaj po të them se nuk duhet të jetosh me këtë terror… se këtu kanë jetuar njerëz që nuk dua t’i them emrin… ata me M…
Arindi Boçi shpreh shqetësimin se mos i kanë përgjues në banesë.
Boçi: Mos na kanë vënë ndonjë Big Brother këtu?
Elsa: Bëj një kontroll, ka instrumente për këtë punë, që i gjejnë… si këto që ke ti..
Komentet