Rindërtimi është ndoshta programi publik me solidar që është ndërmarrë ndonjëherë në Shqipëri.
Është një program ku qytetarët e një vendi bëhen bashkë dhe financojnë 700 e ca milionë euro apo ndoshta 1 miliardë (se shifrat aty prokurohen sipas qejfit dhe kanë dalë jashtë çdo kufiri), për të ndihmuar bashkëqytetarët e tyre që u goditën nga një fatkeqësi natyrore.
Është program i paprecedentë. Nuk ka rast të dytë në botë ku qytetaret të kenë treguar solidaritet në këtë shkallë, nëse e merr në raport Prodhimin Kombëtar.
Çfarë bën qeveria? Solidaritetin e kthen ne represion. Këta janë qeveria e vetme në bote që mund ta bëjnë këtë. Kanë turrur xhandarët për të nxjerrë me dajak familjet nga banesat e tyre në lagjen ‘5 maji’.
Ato familje, që këta po i nxjerrin me forcë sot nga shtëpitë e tyre, kanë kontribuar për rindërtimin. Kanë paguar nga taksat e tyre që të ndihmonin familjet e prekura nga tërmeti të bëheshin me shtëpi. Por paskan paguar edhe të zezën e tyre.
Pse e bën qeveria këtë? Çfarë arsye ka që ta kthejë një program kaq solidar në gjëmë për qindra familje? Bën biznes. Gjithmonë kjo është arsyeja.
Aty tek 5 maji janë prokuruar 62 milionë dollarë kontrata në kuadër të rindërtimit nga Bashkia e Tiranës. Janë para të prokuruara me procedura ekstraligjore, me garë të cunguar. Fituesit e këtij lumi të madh parash janë oligarkët më të mëdhenj të Shqipërisë, kompani trafikantësh dhe klientë të qeverisë.
Ndaj po u vënë hurin njerëzve këta duke i nxjerrë me forcë nga shtëpitë.
Duan të bëjnë biznes.
Kanë lekë për të ndarë nëpër llogari.
Kjo është arsyeja.
Gjithmonë.
Komentet