Në vazhdim të udhës së vet në “historinë” e mendimit kritik shqiptar, i prirur edhe nga formimi i tij i spikatur e i rreptë me theks klasik, prifti jezuit At Giuseppe (Zef) Valentini shpejt do të gjendej në pragun e kërkimit dhe të zbulimit të asaj çka klasike përmban brenda saj tradita letrare shqiptare. Kështu, ai ishte i pari që rrëmoi në vargun e humanistëve të mëdhenj shqiptarë duke shkruar një studim të gjatë (në disa numra) për më të madhin prej tyre, Marin Beçikemi (me nëntitullin “Një humanist shkodran”), për të kaluar më pas në sprovat madhështore mbi De Radën (“Jeronim De Rada në literaturën dhe historinë shqiptare”) dhe Zef Skiroin (“Zef Skiroi: përfaqësuesi i traditës klasike të poezisë shqiptare”). Përsa i përket veprës së De Radës, te Valentini spikat mbi të gjitha trajtimi i mprehtë e filozofik që ai i bën karakterit parësor e mbizotërues të shpirtit të poetit, religjiozitetit, bazuar filologjikisht edhe në detajet që jep vetë autori në shkrimet e tij autobiografike. Në këtë këndvështrim, duke nxjerrë në pah mistiçizmin e De Radës, sentimentit që shfaq veten më shumë se të gjithë të tjerët në poezinë e tij, studiuesi argumenton se prej zemrës së këtij mistiçizmi grafullon pohimi konstant i një previdence, që ruan në vetvete fatet e njeriut, të kombeve e të gjithë botës.
Një sentiment ky që e bindi De Radën të ndihej i shënjuar për të ringjallur shpirtin e bashkëkombasve të tij, duke besuar se mbarte mbi vete një mision të pashlyeshëm nga çfarëdolloj shtypje dhe pengimi. Një mision të cilit Valentini do t’i përgjigjej me të gjithë pathosin shqiptar të kredos së tij. “Edhe ne si ai, besojmë në providencën e kësaj vepre”… “E mund të thuhet pa ndrojë se De Rada qe i pari që arriti t’i bëjë të njohur Evropës ekzistencën e një Shqipërie – Atdhe të heronjve e truall të njerëzve me sentimente fisnike – të denjë për të rrojtur një jetë të tyren krahas të gjithë atyre kombeve që Zoti u ka dhënë një fytyrë, e rrjedhimisht një mision”.
Por nga ana tjetër, s’mund të lëmë pa përmendur e pa i quajtur Pilatë, të gjithë ata që nuk arrijnë dot të njehësohen me konceptin religjioz fisnik të Atdheut, pikërisht pse “për ta është më interesante lënda se sa shpirti i veprës”…
E diku më tej, ai shpall hapur thirrje-sfidën e tij për të gjithë shqiptarët, duke thënë: “Ndaj, ne vazhdojmë të kemi edhe sot, të njëjtën kredo me De Radën. Besojmë si dhe ai në Zot, e besojmë si dhe ai në Providencë, rrjedhimisht besojmë edhe në misionin që zoti i ka dhënë Shqipërisë e që do të bëhet realitet vetëm atehëre kur të vihen në jetë idealet fisnike të De Radës”.
Pra, po të kalojmë përtej meritave letraro-shkencore të studimit dhe ta zhveshim atë nga petku i klerikut, fjalë të tilla janë emblemë e faktit se brenda zemrës së At Zef Valentinit, nuk flakëron vetëm zjarri i një albanofili (gjë, që dhe më vete do të qe kolosale), por gjallon regëtima më përshkënditëse e zemrës së një shqiptari të zhurritur për Atdheun e vet. Për këtë lloj zjarrmie proverbiale dashurie, brezat le t’i mbeten përjetësisht mirënjohës kujtimit të tij.
Po megjithatë, ai nuk mbeti me kaq. E vazhdoi hulumtimin edhe në veprën e italo-arbëreshit tjetër të madh, Zef Skiroit, duke nxjerrë në dukje frymëzimin e poetit bazuar nga njëra anë në njohjen e thellë të këngëve tradicionale shqiptare dhe nga ana tjetër në traditën klasike të Karduçit, Dantes dhe Naim Frashërit, për të arritur në një formë aq të përpiktë e të lëmuar rime e ritmi e me një mjeshtëri të atillë në përdorimin dhe ndriçimin e vlerës së fjalës, që asnjë poet shqiptar para dhe pas tij s’arriti ta tejkalojë. Madje për kryeveprën e pambaruar të Skiroit, “Kthimi”, Valentini do të shprehej akoma dhe më bujshëm, duke i mëshuar idesë së njohjes së saj në rolin e një poeme të shenjtë të një doktrine të lartë – si kryevepra e poezisë filozofike dhe religjioze shqiptare – e cila për nga shtrirja dhe thellësia e doktrinës që përfaqëson, për nga kthjelltësia, fuqia shprehëse, shkrepëtima dhe lartësia marramendëse e gjuhës së përdorur, është për shqiptarët ajo ç’ka është për italianët “Komedia hyjnore” e Dantes.
“Madje, përveç kësaj, “Kthimit” duhet t’i njihet – akoma dhe më shumë se çdo gjë tjetër – parësia në rang botëror si poemë e ekumenizmit, ku çdo e vërtetë filozofike dhe religjioze arrin të shprehet ashtu siç mund të konceptohet më mirë, brenda ambjentit të vet, të marrë, të çliruar nga lënda bazë, e pastaj të ripunuar si një diamant, të ngallmuar për të shkëlqyer fisnikërisht në kurrorën e mrekullueshme të katoliçizmit më ortodoks; e bashkë me të edhe vetë Shqipëria e vogël, aq e ngucur në kufij, po aq vërshonjëse në vitalitet njerëzor, gjithnjë e më shumë efikase sa më shumë e injoruar, aq xheloze në ruajtjen e individualitetit të saj etnik, po njëherësh edhe aq universaliste, kaq fatkeqe, por dhe gjithmonë e ruajtur nga Zoti në vijim të misionit të saj sekret; Ja, falë tij, Shqipëria e vogël dhe e madhe, zë një vend të merituar, në mos nderi, në historinë e ekumenizmit botëror”.
Po kaq e paharrueshme është edhe përpjekja tjetër e Valentinit për të analizuar veprën e Koliqit. Në këtë pikë, do të qe me vlerë të paraqisnim teknikën dhe zgjedhjen e veçantë të metodës që Valentini përdorte në kompozimin e një kritike letrare. Në studimet e tij, vendin parësor nuk e zë kurrë vepra letrare në autonominë e saj, me përfundimet pasuese, vlerësuese apo paragjykuese; përkundrazi, parësor dhe konstant është qëllimi për të rrokur heteronominë në thelbin e vet, ose e shpjeguar më tej, për të ngërthyer indet e larmishme e nyjet e pazgjidhshme të lidhjeve me format e qytetërimit dhe ethshmërinë shekullore të jetës kolektive, prej së cilës ato marrin domethëniet më të vërteta e më të përjetshme. Shembulli më i mirë i përdorimit të kësaj metodologjie është sprova “Jeta shkodrane përmes shkrimeve të Koliqit”, e përpunuar më vonë në të famshmen “Shkodra dhe poeti i saj”, sprovë në të cilën hapësira (vepruese) e poetit shërben me një efikasitet befasues në kuptimin e ideologjisë dhe spiritualitetit intim që qarkullon në veprën letrare të Koliqit, të poetit i cili qe i pari që arriti të kuptojë e të këndojë në lirikat e tij Shkodrën, “këtë qytet sekret e shumëformësh, që sa më shumë ta njohësh e ta studiosh aq më shumë forma të reja i zbulon; ato të duken sikur të zhvillojnë shumë kinde të këtij sekreti, kur në realitet të bëjnë të gjendesh përballë një misteri të ri”.
Është interesante të përmendim këtu edhe një “Epistull” të botuar në LEKA, ku Zef Valentini bën një recensë të veprës “Gjurma e stinvet”, përmbledhjes me lirika të Koliqit, të sapobotuar, më 1933. Me një varg njëmbëdhjetërrokësh e me ton shakator, autori nga njëra anë stigmatizohet për “një panteizëm të lehtë-ravijëzuar e të nëndheshëm, estetik dhe klasik, të llojit të Karduçit, apo dhe të Virgjilit”, dhe nga ana tjetër lëvdohet për “stilin e tij muzikal, të përpunuar dhe të kultivuar…”
Duke bërë krahasimin midis Mjedjës dhe Koliqit, Valentini vëren se “gjer në kohën e daljes së tyre, Shkodra s’kish pasur kurrë një poet të sajin. Duam të themi jo një poet që t’ishte biri i saj e ta ilustronte hijshëm me famën e vet, por një poet që ta ndjente e ta kremtonte në gjithë madhështinë e kësaj fame”.
Aq më tepër që Shkodra e asaj kohe ishte një thesar i çmuar vlerash me të cilat s’mund të mburrej asnjë qytet tjetër, ku mbi të gjitha spikaste katoliçizmi i saj i përjetshëm e i palëkundur kurrë, për të cilin mund të thuhet se ajo ka shoqe vërtet shumë të rralla në të gjithë botën katolike.
Sepse janë pikërisht këto karakteristika të historisë së qytetit, ajo lëndë që Koliqi rroku, blatoi por edhe përjetoi në mënyrën e vet misterioze prej shpirti poeti. Është pikërisht kjo aventura në të cilën ai u rrek: “Të ndjekë fijet e pejzave të shpirtit shkodran, me rezultat atë “shkundje” të fortë ideologjike që ai arriti t’i japë kësaj bote në krizë të plotë transformimi, për shkak të shqyerjes nga aspiratat e reja për të provuar bashkë me kënaqësinë e kësaj shkundjeje edhe shijen e skandalit që i rri gjithmonë përbri gjithçkaje: “për konservatorët ajo nuk qe mjaftësisht konservatore, për inovatorët tejmasësisht konservatorë”, një skandal ky që asokohe nga letrar shndërrohej menjëherë edhe në moral”.
Një ambjent tjetër, goxha thelbësor për kulturën shqiptare, ku Zef Valentini dhe revista Leka e udhëhequr prej tij, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme është ai i gjuhës. Janë të famshme artikujt dhe linja që ato propozojnë të ndiqet në “luftën” për krijimin e një gjuhe të unifikuar, që duhet të kalojë një pas një, e pa u ngutur, të gjitha etapat e këtij procesi:vlerësimin, pasurimin e pastaj bashkimin. Kështu, Leka, kërkon mbrojtjen e jetës së të dy dialekteve gegë dh toskë, pasi unifikimi lipset të vijë në mënyrë natyrale, me qëllim që thesari linguistuik shqiptar të shndërohet në pasuri të përbashkët të kombit. Gjuha, është vërtet pasuria dhe trashëgimnia më e madhe e një kombi, por edhe diferencat dialetikore janë pasuri; Ja, pse në çdo dialekt duhet të ruhen dhe te pasurohen vlerat etnike dhe më domethënëse, që arrijnë të ushqejnë këtë instrument ekspresiv kombëtar. Gjuha artificiale dhe e dekretuar, është privilegj vetëm i pak profesionistëve, është shkatërrim për kombin dhe kulturën e tij. Ndaj, për ta mbrojtur shqipen nga ky rrezik, ai këshillon më shumë studim dhe kopetencë për ta zgjidhur barazisht këtë problem.
Lê të nisemi, thotë, prej një parimi: çështja e gjuhës mund të shihet në dy pikëpamje: pikëpamja e ndjesive vëllazërore kombëtare dhe pikëpamja letrare. “Ka shqiptarë, që prej zellit të sinqertë të bashkimit kombëtar do të donin të zhduknin çdo ndryshim mes krahinave, me mjete të shpejta e madje edhe të rrepta”, vëren ai, mirëpo ky është një gabim! Miqësija apo dashurija, ashtu si dhe harmonija, pohojnë psikologët, nuk del prej tërësisë së plotë, por prej një uniciteteti të pjesëve të marra me gjithë ndryshimet e tyre dalluese. Zhdukni ndryshimet, e s’do të keni më harmoni, por një “unissono” të mërzitshme.
Në po këtë paralelizëm, mund të përcaktojmë se edhe po të arrijmë të zhdukim ndryshimet gjuhësore, s’do të mundim të zhdukim asnjëherë ndryshimet gjeografike e fiziologjike, ndryshimet materjale të interesave apo ndryshimet e veçanta të karakterit e të ndjesisë.
Kúr të ndalohet përdorimi i dialekteve, e të vendoset me dekret një gjuhë zyrtare, secila anë ka për t’u ankuar se është lënë pas dore; ndoshta ka për t’iu bindur autoritetit apo fuqisë përcaktuese, por ka për të ndryrë në zemër njëmijë idhnime, të gatshme për të shpërthyer një ditë. E dëfton këtë gjë, në daçim të japim një shembull, historija e Spanjës. Aty unjisimi zyrtar në gjuhën kastiljane u bë me dekret, por përsëri krahinat pas disa qindravjetësh e rimëkëmbën “seperatizmin” e tyre, e bashkë me të edhe letërsitë e ndrydhura dialektore; E ky ishte një nga shkaqet, që më së forti ndihmuan revolucionin dhe prunë shkatërrimin.
Edhe në pikëpamjen letrare, është gabim themelimi artificial i gjuhës së përbashkët. Gjuha e një kombi nuk është vetëm përftimi i ligjeve gjuhësore dhe gërshetimi i disa ndodhive historike, por është mjeti kryesor i jetës ligjore, shkencore dhe estetike të kombit. Lipset ta nënvizojmë cilësorin estetik, pasi ashtu sikurse virtyti është kulmi i jetës morale, po ashtu dhe estetika, kur zotëron themelin e së vërtetës, është kulmi i jetës njoftimtare; e ky pohim mund të thuhet si për një person, ashtu dhe për një komb.
Prandaj, këshillon studiusi i hollë, nuk duhet ta humbasim pusullën duke dashtë me ngut krijimin e një gjuhe të vetme, por duhet të ndruhemi edhe nga gjykimi i nesërm, në rast se krijojmë një gjuhë letrarisht të dobët. Shqipen, shumë linguistë të shquar, në pikëpamje letrare, e lëvdojnë për gjuhë të pasur, të aftë për t’u pasuruar, e me visare estetikë të mëdhenj e të ndryshëm.
Mirëpo një pasuri e tillë nuk shfaqet tërësisht qoftë prej njërit ashtu dhe prej tjetrit dialekt, as prej njërit apo tjetrit burim të fjalorit të shqipes; Kjo pasuri del prej të gjitha këtyre të marra së bashku. Nga ana tjetër duhet të konsiderohet veçanësisht edhe faktori psikologjik. Nuk mjafton vetëm unjisimi i gjuhës, por duhet këqyrur që brenda saj elementët e veçantë të mos rrijnë përdhunshëm, por lirshëm; Çështja e gjuhës është padyshim një çështje arti e arti lyp gjendje psykologjike të lirshme e jo shterngesë të papranueshme vullndetarisht. Prandaj, përtej idesë së unjisimit me dekret, duhet lënë që çështja të zhvillohet e të zgjidhet në mënyrë të natyrshme, e në mënyrë që të gjitha visaret e brumit të gjuhës të hyjnë të pacënuar në pasurinë e përbashkët. E këtu duhet të nënvizojmë mënyrën e kryerjes së këtij proçesi: jo vetvetiu, por natyrisht. „Vetvetiu” do të thotë pa ndërfutur interesimin tonë, kurse „natyrisht” nënkupton një bashkëveprimin tonë në përkim me ligjet e natyrës. Është, pra, po ai ndryshim që shihet ndërmjet tokës djerrë dhe tokës së lëruar; e me lëru nuk do të thotë të luftosh kundra ligjeve të natyrës, por t’i njohësh e t’i shtish ato në punë nëpërmjet një metodike të caktuar.
Janë vlerësime vërtet të çmuara, që lipset të kihen parasysh edhe sot.
“Veçse unë besoj se ja hamë hakun At Valentinit kur e kundrojmë atë vetëm si historian a si studjues të letërsisë sonë”, do të shkruante vite më vonë , Namik Resuli, në fjalën e përvjetimit të 70-vjetorit të lindjes së tij. Veprimtaria e Valentinit duhet gjykuar edhe nga një pikëpamje tjetër, që na përket më drejtpërdrejtë, dua të them si shkrues i gjuhës shqipe. Është thënë se Valentini e di shqipen si një shqiptar, më mirë se një shqiptar. Po nuk mjafton. Kush i këndon disa shkrime të tij shqipe ka një përshtypje më të thellë: e ndjen se At Valentini ka edhe një stil të tijin, që e dallon nga shkrimtarët e tjerë shqiptarë, një stil që unë po e cilësoj “të kyçosur”, a si i thonë italianët “a catenaccio”, ku tërthorazi atyre fjalive të kurdisura si ingranazhi i një makine çfaqet a nëpërduket tërë dialektika dhe rigoroziteti i arësyetimit të tij. Si i tillë, këtij ati, duhet t’i bëjmë një vend edhe në radhën e publicistëve tanë më të njohur. Aq më tepër që ky përcaktim, shoqërizuar edhe me emërtimin e mjeshtrit të kritikës letrare apo “Papa Xhovani” i kritikës, i jep akoma dhe më shumë vlerë e “qëndresë” në kohë studimeve valentiniane për elitën e poezisë shqipe.
Madje, po të kalojmë përtej meritave letraro-shkencore të studimit dhe ta zhveshim atë nga petku i klerikut, mund të zbulojmë se fjalë të tilla janë emblemë e faktit se brenda zemrës së At Zef Valentinit, nuk flakëron vetëm zjarri i një albanofili (gjë, që dhe më vete do të qe kolosale), por gjallon regëtima më përshkënditëse e zemrës së një shqiptari të zhurritur për Atdheun e vet. Edhe për këtë lloj zjarrmie proverbiale dashurie, brezat e shqiptarëve le t’i mbeten përjetësisht mirënjohës kujtimit të tij.
Komentet