Është mëse e pranuar se vështirësia, ndoshta e padukshme, që i paraqitet një përkthyesi apo studiuesi të Fishtës, i cili do të donte ta bënte të njohur edhe jashtë – veçanërisht kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” – për ta çmuar në më të epërmen shkallë që i shkon përshtat, atë të poetëve më të mëdhenj epikë botërorë, nuk qëndron aq shumë në vështirësitë e pamasa leksikografike dhe frazeologjike apo në ato të përballura nga ritmi dhe metrika, aq të pandashme nga gjuha dhe nga vetë sentimenti shqiptar e fishtjan për jetën, se sa nga vështirësia, kryesisht për ne modernët, për t’u orientuar dhe sintonizuar me atë jetë arkaike së cilës poeti i është shprehësi më i drejtpërdrejtë.
E megjithatë, nuk mund të rrimë pa thënë se ky është një problem i përgjithshëm, jo vetëm fishtjan. Ja, se si e përcakton teorikisht Valentini raportin e veçantë që krijohet me këtë lloj letërsie, duke marrë për shembull traditën italiane. Gjenerata jonë, e formuar nga pikëpamja letrare, por shpesh edhe nga pikëpamja ideologjike me traditën klasike, e cila shquhej nga një masë e rreptë kontrolli e vigjilence në ruajtjen për gjatë gjithë shtjellimit të një poeme të një niveli konstant stilistik, konform atij që ish caktuar si më i duhuri për këtë gjini letrare, nuk arrin dot – në mos pa një sforcim të madh reflektimi dhe përshtatjeje – të sintonizohet e të kuptojë p.sh. Homerin origjinal, ndërkohë që na duket nga pikëpamja letrare më i zbukuruar e më i pëlqyeshëm përkthimi i Montit, i ashtuquajturi “ i bukuri i pabesë” se sa ai i Foskolos, shumë më pranë origjinalit, apo ai me të drejtë “njish me origjinalin” i bërë nga Pindemonte.
Ndërkohë që gjenerata e rritur pas thyerjes së skemave klasike apo ndryshimit të gjuhës letrare, nga pikëpamja e masës dhe përpuethshmërisë klasike, ajo gjeneratë, pra, e mësuar me realizmin apo më vonë me neo-realizmin, ndoshta, nga njëra anë, mund të mendohet të ndeshë më pak vështirësi; megjithatë, forma e saj e jetës, kaq shumë e ndikuar nga teknikat dhe konceptet e formuara në gjirin e zhvillimit të vrullshëm shkencor të kohës, shkon vërtet larg nga ajo thjeshtësi zanafillore e primitive e botës heroike homeriane apo nga ajo e malësorëve shqiptarë. Ja, pse, në një anë tjetër, kjo gjeneratë gjendet në vështirësi shumë më të forta kuptuese se gjenerata e mëparshme. Ndërkohë që për gjeneratat, të ashtuquajtura “moderne”, hendeku bëhet akoma dhe më i thellë. Argument për këtë pohim, mund të shërbejë theksimi i një qasje të ndryshme gjuhe (e ndoshta dhe stili) që është karakteristike për to. Terminologjia e tyre rezulton në pjesën më të madhe abstrakte ose më e pakta, e sofistikuar; edhe në rastet kur është konkrete, nuk mvesh më metaforat e botës natyrore, po të asaj artificiale, të krijuara nga teknika; kësisoj, ajo që për njeriun e jetës patriarkale do të qe një imazh sugjestionues, njerëzve të lindur në shekullin e XXI, nuk u thotë asgjë, në mos i bën të qeshë. Aq më tepër që kësaj qasje të përgjithshme i shtohet edhe një aspekt krejt i veçantë i letërsisë popullore shqiptare, ai i mentalitetit karakteristik të vetë asaj shoqërie të vjetër shqiptare, një aspekt ky që ndeshet rrallë në literaturat antike e aq më shumë në poezinë antike, e që e bën aq të largët këtë botë nga një lexues i zakonshëm, qoftë edhe i mbrujtur nga pikëpamja letrare. Ja, pse Lazër Shantoja, në të famshen letër dërguar Fishtës (1932) thekson se “ një që nuk është shqiptar a që nuk e ndjen veten të tillë, e që nuk është rritë e s’ka jetue me kët popull, ai mundohet kot: nuk ju kupton. Për të ju jeni i papërkthyeshëm. Se me përkthye shkrimet tuaja, duhet me shkrue bri tyne të tanë historinë, të tanë psikologjinë e popullit të maleve tona”.E kjo është një e vërtetë gati e pamohueshme, të cilën Valentini e shpjegoi thellësisht e në mënyrë shkencore, falë njohjes e studimeve të tij të shumta mbi kanunin dhe ligjin e maleve shqiptare. E kjo për faktin e vetëm se çelësin për të depërtuar në hapësirat më të fshehta të shpirtit shqiptar, ia dha pikërisht Kanuni i Lek Dukagjinit, Kodi i Malve Shqiptare, që përmban regullat e të drejtave të tyre zakonore. I ngjallnin mëshirë ata shqiptarë të cilët, duke u hequr si të përparuar, e konsideronin Kanunin si nji tërësi ligjesh barbare që hedhin hije mbi dhuntitë qytetare të rracës shqiptare. Përkundrazi, nga kjo pikëpamje edhe Fishta, siç shpjegon Valentini, i bën thirrje jo letërsisë si diçka kalimtare, por shpirtit të pavdekshëm të Kanunit për të vënë në lëvizje rracën e vjetër që t’i shërbejë krijimit të nji shteti të ri e të pavarur, drejt arritjeve sa më të larta të qytetërimit, në përputhje me nevojat e kohëve të reja, por përherë të përshkuara nga humusi aborigjen. Në mentalitetin shqiptar sentimenti i lirisë dhe i barazisë ishte jashtëzakonisht i fortë e ruhej në mënyrë fortësisht xheloze. Pikërisht për këtë gjë, e për të pasur garanci solide e konstante, në kushtetutën e komuniteteve lokale, gjithçka rregullohej nga një ligj i pashkruar, por jo për këtë arsye më pak i ndjerë dhe i respektuar nga banorët. Nuk ekzistonin zotërinj, po kështu as dhe autoritete të vërteta ekzekutive dhe gjyqësore; njerëzit më ndikues ishin ata që çmoheshin më shumë për vlerat dhe aftësitë e tyre, për elokuencën dhe mençurinë e përdorur në bindjen e asamblesë popullore, gjë kjo aspak e lehtë, nisur nga prirja e përgjithshme e malësorëve shqiptarë ndaj reflektimit, arsyetimit,logjikës së deduktuar nga parimet themelore të së drejtës së tyre dhe ndaj vendimeve të ekuilibruara. Nga ana tjetër, duhet saktësuar se po i njëjti sentiment i lirisë dhe i barazisë, ishte forcuar e rrënjosur edhe nga një sens i lartë i solidaritetit në brendësi të komuniteteve, e shoqëruar kjo nga një ndërgjegjje e lartë juridiko-morale, për të cilën, një studiues i shquar dhe ekspert i kësaj fushe si Ernesto Cozzi, shkruan se shqiptari normalisht vepron jo me dashje a me mashtrim, por në sajë të ndërgjegjjes, duke nënkuptuar këtu ndërgjegjjen juridiko-sociale. Një njeri modern i një vendi tjetër mund të jetë ndoshta njëlloj ose më i ndjeshëm se një shqiptar për njërin apo tjetrin nga këto dëshmi e parime, po jo i dallueshëm nga ai për proporcionin dhe ekuilibrin midis tyre. Kësisoj, ai mund të mos i gjykojë dot lehtësisht sipas konceptit të tij disa sjellje të caktuara instinktive të njeriut shqiptar, të cilat vetëm një studim i gjatë mund t’i zbulojë jo vetëm si të arsyeshme, por dhe të mençura për një shoqëri të konstituuar nga një botë tipike si ajo e shqiptarit.
Ja, pse nuk ka dyshim se një shoqëri e tillë, patriarkale veç në brendi të familjes, por e mangët nga çfarëdolloj forme paternalizmi në cilëndo prej formave më të gjëra të komunitetit, të mbështetet pikërisht tek vetja dhe virtytet e saj, në luftën kundra njerëzve dhe elementëve të huaj, e tek ajo ndjeshmëri e veçantë ndaj sentimentit të nderit, më e domosdoshme se buka për të jetuar në një situatë të tillë, apo nëse do ta thoshim sipas Koliqit “ tek ajo lutja e fshehur e çdo shqiptari të sinqertë, i cili çdo mëngjes i falet të Gjithfuqishmit t’ia rruajë të papërlyer fytyrën nga turpi, lloji i vetëm i ndërgjegjjes së cilës ai i frikësohet”. Ja, kështu nis të formohet, shpjegon Valentini, ajo që mund ta quajmë konceptimi heroik i jetës, i mbrujtur nga kurajoja, vlerësimi, qëndresa, ndershmëria, bashkë me tërë ato virtyte që janë vijueshmëria e tyre konkrete, si mençuria, fisnikëria e sjelljes, bujaria, mikëpritja dhe dekori naiv. Ja, e gjitha kjo gjallon parreshtur, e jo veçse rrallë e rastësisht, në të gjithë poemën e Fishtës: më shumë si një shpirt, se sa si një shkakësi a ligjësi. U përpoqa aq shumë, rrëfen Valentini – duke e njohur vlerën e madhe dëshmuese që ka Lahuta në pohimin e së drejtës shqiptare – të zbuloja elementë të përpiktë në përshkrimin e institucioneve juridike tradicionale shqiptare; por s’arrita dot kurrë të nxirrja prej saj më shumë se sa një vënie në veprim e shprehje, konstante dhe spontane, të atyre që mund t’i quajmë parime të përgjithshme të së drejtës shqiptare: vëllazëria, barazia, liria, nderi, besnikëria, solidariteti, të gjitha këto të para si një bazë e pashmangshme dhe gjithë-ndikuese në çfarëdolloj veprimi dhe sentimenti tjetër. Edhe qëndrimet apo mënyrat e të sjellurit a të vepruarit, të çuditshme në shikim të parë, të heronjve të Fishtës, kur nëpërmjet një studimi arrin t’i bashkëngjitësh me ndonjërin prej këtyre parimeve, arrijnë më në fund të shfaqen, jo vetëm të besueshëm, por edhe ekzaltues në rolin e provave konkrete të konceptimit dhe jetës heroike.
Jo gjithçka, thamë, është eksplozion i heroizmit në poemën fishtjane; jo gjithçka është luftë, betejë. Jo rrallë herë poeti parapëlqen përshkrimin poetik të natyrës apo idilin, veçse gjithmonë me një “këmbëz të lehtë e të heshtur” që parathotë një përkëmbim tragjik të situatës apo preludin e një beteje.
Më shpeshtësisht akoma, e duke u përafruar më shumë me ekzaltimin heroik, ai gjithë ëndje ndalet të përshkruajë homerikisht “parakalimin” e heronjve, por me një mjeshtëri, mund të thonim, gati dhe më superiore, se ajo e shëmbujve të tij të shquar letrarë ose të paktën, me një teknikë për ne shumë më interesante. Shembujt letrarë kënaqen zakonisht në pjesën më të madhe të karakterizimit, gati burokratik dhe konstant, të heronjve të ndryshëm me atribute pragmatikë (atdheu, atësia, raca, duke i përdorur ato si epitete ritualistikë). Fishta, përkundrazi, për çdo rast “listimi” të këtyre cilësive ndërton një dekor, herë-pas-here piktoristik, kaustik, skulpturor apo lapidar.
Akoma më interesant dhe i rëndësishm, sepse s’është veçse letrar, paraqitet edhe rrëfimi i shpeshte i asambleve të fiseve e të komandantëve. Këtu jemi gjithnjë e më thellë intimitetit të asaj jete të lavdishme heroike të shqiptarëve. Mirëpo te këto lloj asamblesh nëpërduket edhe një tjetër përbërësja e shpirtit të heroit ose më mirë e shpirtit të një populli heroik: mençuria e madhe, e mbushur me dëshmi të shumta fisnike,të mpleksura njëherësh edhe me çaste kujdejeje, maturie, provanie, përqëndrimi e respekti për këshillën e çdo njeriu të lirë të nderuar. Janë asamble ndoshta më pak të pasionuara se ato homeriket, por jeta e brendshme e ketyre fiseve, solidariteti i tyre i fortë, lufta e gjallë e ngandonjëherë e pasionuar e palëve, të pajtueshëm në qëllim, po të papajtueshëm në mënyrat dhe mjetet e arritjes së tij, mbështetja te ide-forca të mëdha e të ndryshme apo në parime juridike në antinomi me njëra tjetrën, tranformimi i tyre i pamendueshëm nga norma të jetës private a lokale, në norma të një politike të lartë, veçse gjithmonë me një sens të spikatur realizmi, konfigurimi i karaktereve të larmishëm, të matur, të mençur e luftarakë, të pasuruara këto nga lajmet e korrierëve që sjellin qoftë edhe një informacion fare të vogël, por të aftë të rizgjojë shpirtin aq të ndjeshëm e të mëshirshëm të shqiptarëve, ndërhyrja e një prifti, e një njeriu të ditur, e një gruaje të nderuar( njerëz këta pa të drejtë vote), që e vënë asamblenë përballë një fakti a një zgjedhjeje, pathosi pas-rrëmbyes i një oratori në një ligjëratë mbrojtëse, i shndërrojnë këto kuvende jo vetëm sa të mençur aq dhe të mbartur me tensione siç ishin vërtet në jetën e përditshme, por dhe të pasur me një dramaticitet të atillë që se kishin arritur kurrë e që pa mjeshtërinë skulpturore të Fishtës, s’kishin për t’u imagjinuar kurrë kaq të mrekullueshëm.Madje, ajo që i nevojitet më fort qëllimit tonë, është fakti se ato zotërojnë kështu një funksion të thellë e konstant: nuk është poeti ai që i shpreh nëpërmjet teorizimit të tij, mendimet dhe veprat e heronjve të vet a të popullit të tij heroik; përkundrazi,do të jetë pikërisht ky popull që do t’i bëjë ato të ditura gati koralisht, unanimisht, e në mënyrën e tyre reale të veprimit. E kjo ka mundur të arrihet kaq gjenialisht, vetëm falë së vërtetës së madhe se të gjitha këto për poetin janë gjëra të ndjera e të jetuara, e më pas të riprodhuara me po të njejtin transfigurim të gjallë e piktoresk, e jo thjesht të imagjinuara prej tij.
Gjithsesi, edhe asambletë në vetvete nuk janë gjë tjetër veçse momentet dramatikë të një jete heroike, në një kohë kur heronjtë e Fishtës kanë dhe një jetë të tyre të përditshme. Nuk luftojnë gjithmonë, por ngandonjëherë edhe pastrojnë vajosin armët, ulen nëpër bankete, punojnë, ndjekin pas tufat e bagëtive, bëjnë edhe ndonjë bashkë-kuvendim të thjeshtë e të shtruar. E megjithatë, janë po të njëjtit, në çdo situatë, sepse i udhëheqin gjithmonë po të njejat parime e mbështeten gjiithmonë te po e njëjta gatishmëri heroike e shpirtit. E më tej, momenti dramatik apo tragjik mund të vijë, qoftë ku i pritur apo i beftë, por s’ka për ta gjetur kurrë të papërgatitur, as ata e as lexuesit. Do të qe njëlloj sikur, në vend që t’i gjenim heronjtë e Trojës nën muret e qytetit të rrethuar, t’i njihnim apo kuptonim ata nëpër shtëpitë e tyre; pra, sikur në një poemë unike, të kishin në dispozicion, përtej Iliadës, edhe Odisenë apo tragjeditë e ciklit të heronjve homerikë. Do të ndihej menjëherë në këtë bashkim rreziku i një “moçalëzimi” të rrëfimit apo i copëtimit të tij të panatyrshëm. Mirëpo Fishta nuk ka pse të shqetësohet nga ky rrezik, sepse klima e subjektit të tij, edhe brenda mureve shtëpijake a në nevojat e saj më të thjeshta, mbetet në mënyrë konstante sa heroike aq dhe e gjallë apo e variueshme. Gjithçka është e lidhur organikisht, gjithçka është si një thirrje konstante e atyre parimeve heroike që gjejnë rast të ushtrohen po kaq bukurisht si të heshtura e të qeta ashtu dhe zë-çjerra në momentet e nevojës, sepse gjithçka është si një depërtim konstant në shpirtin e atij populli, i cili është heroi i vërtetë i poemës.
Madje edhe atëherë kur poema duket t’i lejojë vetes një çast pushimi, për t’u zbavitur e kënaqur patëkeq me Muzën apo me lexuesin e saj, ballë për ballë me shqetësimet e tij prej spektatori të ngjarjeve ose edhe të këngëtarit të tyre, të cilin lipset ta trajtojë po aq denjësisht sa e meriton, përsëri ajo nuk del dot jashtë asaj atmosfere; të ngjan më tepër se je duke asistuar në një bisedim privat të dy heronjëve të thjeshtë që flasin me njëri-tjetrin n’atë mënyrën e tyre të zakonshme, të udhëhequr si përherë nga ato parimet karakteristike të mençurisë dhe kurajos.
Në këtë mënyrë, gjurma e heroizmit mbetet e pashlyer edhe atëherë kur poeti e lë veten të “përmbytet” i tëri nga vena e tij e fuqishme satirike, të cilën ai e lejon ngandonjëherë të rrjedhë edhe përgjatë gjithë tërësisë së një kënge, siç është p.sh. ajo që ai i kushton Knjaz Nikollës së Malit të Zi në intimitetin e mureve shtëpijake, teksa i lëvdohet gruas së vet për bëmat e shumta, ndërkohë që ajo i “shpall” hapur vlerën e armikut dhe plogështinë e tij.Thjeshtësia e jetës bashkëshortore tok me sensin e heroizmit, autorit i mbeten vitale edhe kur armiku i burracakëzohet apo heroizmi i flet në gojën e një gruaje. Thellë-thellë, kuptohet se nuk është Nikolla personalisht ai që ironizohet e shpotitet, por emblema e armikut; e dihet se është një sjellje pragmatike midis heronjve ngucja a ngacmimi, edhe atëherë kur ekziston një respekt i lartë për njëri-tjetrin. Në rastin tonë, në thelb At Gjergji dhe Knjaz Nikolla mund të konsiderohen edhe “kolegë”, nga pikëpamja se që të dy janë poetë; por gjithsesi, është e pamundur të mos spikatet në fjalët e Fishtës një lloj i veçantë i asaj djallëzie karakteristike në humorizmin komik të shqiptarit, e atij fishtjan në veçanti, që me një prirje të caktuar të mëshirimit njerëzor di të vendosë në të njëjtin pozicion komik vetveten si të tjerët e të tjerët si vetveten.
Nga ana tjetër, me anë të një shqyrtimi të kahut të kundërt, mund të shohim se edhe heronjtë që ekzalton poeti, janë të “pikturuar” me aspektet thelbësorë të heroizmit, po në të njejtën kohë edhe me penelata të caktuara komike, si p.sh në rastin kur shohim një hero të veshur me zhele. Megjithatë, nëse pikturimi është i arrirë, heroizmi s’mund të humbasë asnjë shkallë, përkundrazi do të fitojë akoma dhe më shumë fuqi. E një gjë të tillë, Fishta diti ta bëjë më mirë se cilitdo poet tjetër.
Komentet