Në “Wembley” të Londrës u rikthyen zhurmat e tifozëve pas vendimit për të lejuar më shumë se 60 mijë persona në stadiumin historik për ndeshjet e kampionatit evropian të futbollit. Të dielën në stadiumin e Londrës, Italia dhe Anglia zhvillojnë ndeshjen finale të kampionatit. Materiali në vazhdim sjell një vështrim mbi momentetet kryesore të stadiumit që është bërë emër i njohur në botë për lidhjet që ka me historinë sportive.
“Wembley” u ndërtua për të organizuar “Ekspozitën e Perandorisë Britanike” në vitin 1923.
Pas ekspozitës, Shoqata e Futbollit nënshkroi një kontratë me pronarin e stadiumit dhe që atëherë ky mjedis u shndërrua në një qendër të rëndësishme sportive.
Finalja e parë e kupës së Shoqatës së Futbollit anglez u luajt po atë vit.
Në finalen e vitit 1930 shikuesit patën rastin të shohin nga afër transportuesin gjerman të avionëve Zeppelin.
Ndërsa një ndeshje vendimtare e vitit 1932 u quajt finalja “Jashtë Vijës” pasi gjyqtari pranoi një gol të parregullt ndërsa mes tifozëve ishte edhe Mbreti George i pestë .
Teknologjia për ngadalësimin e pamjes tregoi që topi kishte dalë jashtë fushës, por ishte shumë vonë.
Ndërsa Wembley u bë stadiumi kryesor sportiv në Angli, atij iu shtuan objekte me pishina dhe mjedise për zhytje.
Më 1935 aty u zhvillua kampionati botëror i Ping Pongut.
Finalet për gra dhe burra u luajtën para një turme të madhe njerëzish.
Po në këtë mjedis zhvillohej edhe patinazh dhe gara shpejtësie para se Lufta e Dytë Botërore t’u jepte fund të gjithave.
Pas konfliktit, një pikë e rëndësishme ishte ribashkimi botëror për Lojërat Olimpike të vitit 1948, në të cilat parakaluan vende të ndryshme.
Nga viti 1958 Wembley ishte kthyer në shtëpinë e ngjarjeve më të mëdha sportive në vend.
Emra të njohur si basketbollistët e klubit Harlem Globetrotters ishin pritur aty nga Duka i Edinburgut.
Në vitin 1966 kur ende vazhdonte Lufta e Ftohtë, rivaliteti i ekipit të Anglisë me Gjermaninë Perëndimore ishte shumë i madh.
Anglezët fituan Kupën e Botës, një moment i paharrueshëm. Ishte Mbretëresha Elizabetë ajo që i dha kupën fituesit.
Por kur në Wembley u organizua kampionati evropian i vitit 1996, Anglia nuk pati paraqitje të mirë ndërsa ekipi gjerman fitoi garën.
Në këtë periudhë dukej se të ardhurat e stadiumit Wembley po zbeheshin, ndërsa ishin hapur debate nëse ky mjedis duhej të vazhdonte të ishte stadiumi kombëtar.
Klube të ndryshme angleze garuan për pronësinë dhe dukej se ditët e lavdisë kishin kaluar.
Por stadiumi u ndihmua me vendim të Ministrit të Sportit Ian Sproat.
Menjëherë në stadium filluan punimet për rinovim, por u deshën vite para se stadiumi Wembley të rihapej, ndërsa vazhdonin debatet për shpenzimet dhe vonesat në punime.
Më në fund më 2007 Wembley ishte gati të hapte dyert për sport, në veçanti për futbollin.
Vitin e kaluar pandemia bëri që kampionati evropian të shtyhej për këtë vit, por në fund të javës shikuesit do të shohin 75 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbushur me tifozë, grumbullimi më i madh që sheh Britania në mbi një vit.
Të dielën Italia dhe Anglia përballen në finalen e kampionatit evropian të futbollit.
Komentet