Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar takimin e gjashtë koordinues mes kryetarëve të Komisioneve Parlamentare mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi është organizuar me synim të ofrojë një platformë diskutimi, bashkërendimi dhe pajtimi në mes të komisioneve parlamentare në Kosovë rreth rolit të tyre në procesi e dialogut.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në këtë takim të cilin e konsideroi si “hartëzues” të marrëveshjeve të arritura deri më tani midis Kosovës dhe Serbisë, tha se nga fillimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë problem implementimi i marrëveshjeve.
Ai madje tha se qeveritë e kaluara shumë shpesh kanë miratuar marrëveshje në kuadër të dialogut, por asnjëra nuk u ka sjellë atë për të cilin qeveritë kanë pritur.
“Marrëveshjet duhet të shihen si një lloj i verifikimit të njëhershëm me shumë kujdes i asaj që është arritur, i asaj që ndoshta është nënshkruar me disa shpjegime të atëhershme prej Qeverisë së Kosovës që këto do të na sjellin integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, madje edhe me liberalizim të vizave është lidhur procesi i dialogut, por këto nuk i kemi asnjërin”, tha Konjufca.
Jeta Krasniqi nga KDI tha se procesi i dialogut nuk ka transparencë të mjaftueshme pasi që tha shumë prej marrëveshjeve nuk janë të publikuara. Ajo shtoi se shoqëria civile është e gatshme të bashkëpunojnë në procesin e dialogut.
Krasniqi tha se disa marrëveshje bien në domenin e disa komisioneve dhe në momentin kur bëhet shkëmbimi i informacionit, atëherë mund të bëhet “në mënyrë më efektive mbikëqyrja e procesit të dialogut”.
“Synimi jonë ka qenë transparenca në një anë, pasi ky proces nuk shquhet për ndonjë transparencë të madhe, duke e ditur se është një proces në përgjithësi konfidencial. Ka ende marrëveshje të cilat nuk janë ende plotësisht të publikuara si është Plani i Zbatimit të Marrëveshjes së Drejtësisë, një dokument që ende nuk është publik, por shohim se ato marrëveshje zbatohen dhe në pika caktuara janë ta zbatueshme në pika të caktuara ka ngecje”, tha ajo
Ndërkaq, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, tha se çështja e Asociacionit me komuna me shumicë serbe duhet të zhvendoset nga diskursi publik ngase është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe në të janë gjetur disa shkelje.
“As qeveria e Serbisë nuk e sheh asociacionin me implikime ligjore ata vetëm e kanë miratuar një raport, nuk kanë miratuar në Kuvendin e tyre ndonjë marrëveshje. Kështu që, ajo as këtu as atje nuk ekziston. Ata nuk e shohin atë si marrëveshje ndërkombëtare, çuditërisht ne në Kosovë e shohim atë si marrëveshje ndërkombëtare”, tha Muja.
KDI në këtë takim ka ndarë me komisionet parlamentare rekomandimet, të arriturat dhe sfidat që komisionet kanë pasur në monitorimin e marrëveshjeve të dialogut, të evidentuara nga pesë takimet e mbajtura mes komisioneve parlamentare të legjislaturave të kaluara.
Sot në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës midis palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Në takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka parashtruar katër kërkesa, për të cilat në njërën tha se është heshtur, ndërsa tre janë refuzuar nga pala serbe.
Komentet