Monumenti kushtuar Ridvan Qazimit në Tërnocin e Madh.
Branko Vuçkoviq
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në një kodër mbi Tërnocin e Madh, në jug të Serbisë, kanë nisur punimet për rregullimin e hapësirës dhe ndërtimin e një objekti kushtuar komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), Ridvan Qazimi, i njohur edhe si komandant Lleshi.
“Mund të quhet kompleks memorial, një park përkujtimor ose mund t’i vihet një emër tjetër, por në thelb, ky vend do të jetë një vend për të ruajtur kujtimin për komandant Lleshin, që ne këtu e shohim si një hero të historisë sonë të fundit, një njeri që sakrifikoi për të mirën e popullit të tij”, tregon Mustafi.
Pasi në opinion nisi të qarkullonte një informacion jozyrtar për nisjen e punimeve në këtë kompleks përkujtimor, për këtë temë u diskutua edhe në një seancë të rregullt të Parlamentit serb.
Në seancën e Parlamentit të Serbisë, të mbajtur më 13 prill, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Gjorgje Miliqeviq, pyeti Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale e të Veteranëve nëse Komuna e Bujanocit apo autoritetet lokale të Tërnocit të Madh, kanë paraqitur ndonjë kërkesë për miratimin e lejimit të ndërtimit të kompleksit përkujtimor për Ridvan Qazimin.
Me këtë rast, ai tha se Komuna e Bujanocit duhet të respektojë ligjet e Serbisë, pavarësisht përkatësisë etnike të qytetarëve të Bujanocit.
“Në Serbi ekziston një ligj ku rregullohet saktë se kujt dhe në çfarë kushtesh mund t’i ndërtohet monument përkujtimor. Kjo sigurisht nuk është e mundur për ata që morën pjesë në veprime terroriste”, u shpreh Miliqeviq.
Hero kombëtar për shqiptarët
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, tha për REL se asgjë e rrezikshme dhe e tmerrshme nuk është duke ndodhur për Serbinë në kodrën mbi Tërnocin e Madh, pasi sipas tij, çdo nismë e shqiptarëve në jug të Serbisë, trajtohet si e tillë.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi janë të rrezikshme, në të cilat, shqiptarët janë gjithmonë armiq të shtetit”, tha Mustafi.
Në vend të kësaj, ai shton se shteti do të duhej të respektojë Ligjin për amnistinë, i cili, sipas tij, ka sjellë paqe në këtë pjesë të Serbisë.
“Me këtë ligj është paraparë që të gjithë luftëtarët e UÇPMB-së të amnistohen për pjesëmarrje në konflikte”, tha Mustafi.
Çka parasheh Ligji për amnisti?
Ky ligj, i cili është miratuar më 3 korrik, 2020 thotë se u jepet amnisti personave, shtetas të Jugosllavisë, të cilët në periudhën 1 janar, 1999 deri më 31 maj, 2001, në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë bërë ose ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale të terrorizmit.
Sipas organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut më 2000 dhe 2001, në këto tri komuna, të banuar me shumicë shqiptare, ishte vendi i konfliktit të armatosur në mes të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave në njërën anë dhe UÇPMB-së në anën tjetër.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, të drejtat themelore dhe të drejtat e minoriteteve, përkatësisht të shqiptarëve, që banojnë në këto komuna, vazhdimisht ishin shkelur gjatë viteve të 80-ta si dhe gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, partisë të të cilit i përket edhe Miliqeviq, që gjatë seancës plenare, kritikoi ndërtimin e këtij monumenti.
Sipas të dhënave të këtij fondi, një numër i madh vrasjesh, i zhdukjeve me forcë, dëmtimit të pronës dhe torturave nga anëtarët e MUP-it serb dhe policisë ushtarake jugosllave, si dhe të formacioneve paralamilitare, që ndodhën në periudhën para se të përshkallëzohej kriza në jug të Serbisë, mbeten të pazgjidhura, njësojë sikurse shkeljet e të drejtave të njeriut nga të dy palët gjatë konfliktit më 2000 dhe 2001.
Ragmi Mustafi tha se Ridvan Qazimi luftoi për të drejtat e popullit të tij si dhe ai ishte njëri nga personat që nënshkruan marrëveshjen, e cila solli paqe në këtë zonë.
“Absolutisht është e papranueshme që ta quash atë njeri terrorist shqiptar. Kjo sjellje e shtetit, që shkel ligjet, rregulloret dhe vendimet e veta, është e papranueshme. Sepse, nëse të gjithë këta njerëz amnistohen, kjo do të thotë se në njëfarë mënyre, shteti e pranon se revolta e tyre ishte e drejtë dhe se amnistia është ajo që ua dha atyre mundësinë për pajtim”, tha Mustafi.
Pllaka në Tërnocin e Madh kushtuar Ridvan Qazimit.
Kush ishte Ridvan Qazimi?
Ridvan Qazimi, i njohur edhe si Komandant Lleshi, është një hero kombëtar për shqiptarët nga jugu i Serbisë, e për autoritetet në Beograd një terrorist. Ai vdiq gjatë një konflikti me anëtarët e ushtrisë dhe policisë.
Sipas një studimi të vitit 2002 të kryer nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), Qazimi ishte një nga përfaqësuesit e UÇPMB-së, që ishte i përfshirë drejtpërdrejtë në negociatat me zyrtarët qeveritarë në fillim të vitit 2001.
Rrethanat e vdekjes së tij, më 24 maj, 2001, nuk janë sqaruar ende. Sipas FDH-së, ai ishte vrarë me një snajper, që kishte shtënë në vendin e quajtur Guri i Gat mbi fshatin Lluçan, teksa ai kishte qenë aty së bashku me tre bashkëluftëtarë.
Sipas deklaratave të mëparshme të bashkëluftëtarëve të Qazimit, ai kishte marrë pjesë në përgatitjet për nënshkrimin e një marrëveshjeje për dhënien fund të luftimeve, prandaj, ai konsiderohet si luftëtar për të drejtat e popullit shqiptar, që sakrifikoi veten për të ardhmen e brezave të rinj.
Një monument i Ridvan Qazimit është ngritur në qendër të Tërnocit të Madh, ku ai është varrosur.
Më 2002, një pllakë përkujtimore për Qazimin u vendos në hyrje të Tërnocit të Madh.
Në po atë vend, më 2012 është hapur një muze kushtuar komandant Lleshit, ku është ekspozuar automjeti në të cilin ai ishte kur është vrarë me snajper si dhe uniforma që e ka pasur të veshur. Në Bujanoc çdo vit mbahen Ditët e komandantit Lleshi, gjatë të cilave shfaqen programe kulturore-artistike, për të nderuar atë.
A mund të përsëritet “skenari i Preshevës”?
Megjithatë, çdo vendosje e monumenteve që u kushtohen personaliteteve nga ky konflikt i armatosur në jug të Serbisë, përcillet me tensione ndëretnike.
Vëmendjen më të madhe e mori një monument, i ndërtuar nga mermeri, ku ishin të vendosur 27 emra të luftëtarëve të vrarë të UÇPMB-së, që u zbulua në nëntor të vitit 2012, në qendër të Preshevës.
Tre muaj më vonë, 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe e hoqën këtë monument, pavarësisht reagimeve të shumta nga politikanët shqiptarë.
Arsyetimi kryesor i autoriteteve serbe ishte se ngritja e këtij monumenti ishte bërë pa lejen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës nga Nishi. Sidoqoftë, udhëheqësi i SPS-së, njëherësh kryeministri i atëhershëm i Serbisë – kryetari aktual i parlamentit – Ivica Daçiq, e kishte quajtur këtë monument “provokim ndaj të cilit shteti duhet të reagojë”. Atëbotë, zëvendëskryeministri i parë, aktualisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu, publikisht kishte kërkuar heqjen e monumentit.
Edhe presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga e kishte cilësuar në kundërshtim me të drejtat themelore dhe lirive të njeriut heqjen e këtij monumenti në Preshevë.
Nga Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), atëherë kishin shprehur keqardhje që negociatat për një zgjidhje kompromisi për këtë monument ishin ndërprerë, për shkak të largimit të tij.
Monumenti më pas u zhvendos në oborrin e një xhamie ku edhe sot gjendet.
Në të njëjtin vit, u ndalë fillimi i punimeve në një kompleks memorial kushtuar pjesëtarëve të UÇPMB-së në fshatin Oraovicë të Preshevës. Sipas shkrimeve të mediave, në atë vend ishte planifikuar të ndërtoheshin tetë shtylla mermeri, në gjatësi prej 16 metrash, sipas një projekti të Prishtinës.
Në mesin e vitit 2015, u hoq edhe monumenti i ngritur në nder të 12 pjesëtarëve të policisë serbe, të vrarë te fshati Lluçan. Monumenti u zhvendos në oborrin e një kishe në Banjë të Bujanocit.
Në rajonin e jugut të Serbisë janë edhe të paktën 20 monumente, të cilat kundërshtohen nga njëra ose pala tjetër.
Çka thotë Ligji për monumentet?
Sipas Ligjit për memoriale të luftës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Veteranëve, bazuar në mendimin e Këshillit për ruajtjen e traditave të luftërave çlirimtare të Serbisë dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, vendos për ngritjen ose heqjen e monumenteve. Vetëqeverisjet lokale do të thotë, komunat apo qytetet, mund të jenë propozues, por nuk vendosin për propozimet për ngritjen e monumenteve.
Sipas ligjit, pushteti lokal zbaton vendimet e ministrisë – ngritjen, heqjen apo evidentimin e monumenteve në territorin e tyre.
Po ashtu sipas ligjit, nismat për ngritjen e monumenteve të reja, mund të vijnë nga qytetarët, personat juridikë apo nga institucionet shtetërore.
Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni akuzohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete në atë që mund të konsiderohet si skandali më i rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare për dekada.
BIRN
Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni u pezullua nga detyra dhe u vendos nën masën e “arrestit shtëpiak” të martën, duke shkaktuar krizën më të rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare për dekada.
Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Sipas një burimi në dijeni të çëshjes, masat e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH derivojnë nga hetimi që Prokuroria e Posaçme po kryen ndaj Ergys Agasit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme miratoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “arrest në shtëpi” për Hysenin.
Shërbimi Informativ Shtetëror është institucioni qendror i inteligjencës në Shqipëri dhe ka për mision mbrojtjen e sigurisë kombëtare, duke identifikuar dhe analizuar kërcënime që mund të prekin interesat kombëtare.
Hyseni e drejton SHISH-in që prej prillit të vitit 2023, kur u emërua jo pa debate nga kryeministri Edi Rama për shkak të shtetësisë kosovare dhe një shkarkimi të paqartë si numri 2 i shërbimit të inteligjencës kosovare.
Për të njëjtën dosje u paraqit në SPAK mëngjesin e së martës edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Nën hetim, mësohet se janë dhe disa punonjës policie dhe po punohet për ndalimin e tyre.
Proda u largua nga detyra në fillim të muajit mars, ndërsa drejtues të tjerë policie të emëruar prej tij u larguan nga funksionet e larta në korrik. Pak ditë pas këtyre lëvizjeve në organikën e drejtuesve të Policisë së Shtetit, filloi puna për ndalimin e Ergys Agasit, operacion që u finalizua më 26 gusht me arrestimin e tij.
Agasi u ndalua së bashku me Uljan Shpatarakun, një ish-drejtues i Policisë së Elbasanit.
Për më shumë se një dekadë, AKSHI menaxhoi një buxhet të stërmadh, ku vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK u llogarit një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro). Hetimi zbuloi se drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi i kishin lënë këto fonde në duart e një grupi të strukturuar kriminal, duke paracaktuar fituesit dhe duke siguruar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së, Ermal Beqiraj dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Ortaku i Agasit, Ermal Beqiraj u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe u shoqërua nga forcat ajrore derisa u ul në aerodromin e Albertit në rajonin e Somme-s në veri të Francës.
Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme të autoriteteve franceze identifikuan pasuritë e Beqirajt në Francë, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqiraj dyshohet se transferoi drejt Francës një pjesë të fitimeve të paligjshme me të cilat bleu një kështjellë, dy apartamente, mjete motorike dhe mbi 2 milionë euro i depozitoi në llogari bankare.
Në fillim të vitit 2023, Edi Rama vendosi të emërojë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror një emër jo shumë të njohur në Shqipëri, por shumë të njohur në Kosovë.
Bëhej fjalë për Vlora Hysenin, e cila kishte shërbyer për disa kohë si nëndrejtoreshë e shërbimit sekret të Kosovës.
Ajo u shkarkua me firmë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes së asaj kohe, Vjosa Osmani.
Kreu i PD, Sali Berisha foli edhe për një vizitë sekrete të Hysenit në Beograd.
Më vonë, nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se Vlora Hyseni ka marrë agjentë serbë kundër demonstratave që po zhvillonte opozita.
Por kulmi i akuzave mbërriti kur Berisha e akuzoi Vlora Hysenin se e kishte vënë shërbimin informativ në shërbim të Ergys Agasit, që njihej si lidhja e Edi Ramës me bandat kriminale në vend.
Këto akuza u faktuan sot kur Vlora Hyseni u vendos nën arrest shtëpie me dyshimet se ka ofruar informacione tek Ergys Agasi.
Ky skandal i rëndë është i paprecedent në historinë e shtetit shqiptar, por askush nuk mund të thotë se nuk ishte i paralajmëruar. sn
Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar në lidhje me operacionin e ndërmarrë nga SPAK në kuadër të dosjes “AKSHI”, ku me vendim të GJKKO, u ushtruan kontrolle në disa banesa, përfshirë atë të kreut të SHISH, Vlora Hyseni dhe të ish Kreut të Policisë, Ilir Proda.
Gjykata e Posaçme vendosi me kërkesë të SPAK ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”. Masa e arrestit nuk është ekzekutuar për shkak se ajo ndodhet jashtë vendit.
Në një reagim në rrjete sociale, Koçeku ka shkruar se Vlora Hyseni u emërua në Kosovë nga Hashim Thaçi dhe u shkarkua nga Albin Kurti. Më pas në Shqipëri u emërua nga kryeministri Edi Rama por po e arreston SPAK.
“Vlorën e ka emnu Hashim Thaçi e ka shkarku Albin Kurti e ka emnu Edi Rama, e ka arrestu SPAKU. Asgja me emnin Vlore nuk i ka punët mirë këto kohë.”, ka shkruar deputetja që u largua nga Grupi Parlamentar i PS-së. Panorama
I riu Fabian Peka ka rrëfyer në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ incidentin e ndodhur gjatë udhëtimit me avion nga Tirana drejt Napolit, ku sipas dëshmisë së tij është përfshirë kryeministri Edi Rama.
Peka mohoi raportimet se e kishte sharë Ramën dhe tregoi se gjithçka nisi pasi avioni kishte ndaluar dhe pasagjerët po zbrisnin.
‘Zoti kryeministër, e mira e të mirave është që ju mos ktheheni fare në Shqipëri, për të mirën e shqiptarëve dhe për të mirën tuaj’, tha Peka se i kishte drejtuar Ramës.
Sipas tij, Rama më pas i është afruar dhe i ka thënë: ‘Hajde, hajde të tregoj unë ty’, ndërsa gjatë zbritjes së shkallëve e ka kapur për qafe.
Peka tha se Rama e ka pyetur pse po i bënte foto dhe, sipas dëshmisë së tij, më pas i ka thënë: ‘E di çfarë të bëj unë? Unë të zhduk’.
Intervista e plotë:
Çim Peka: Por gjatë javës së kaluar, në një udhëtim nga Tirana në Napoli, ka pasur një incident tjetër të Edi Ramës me një pasagjer, i cili… ka rastisur të jetë dhe me mbiemrin tim, edhe kuksian i ri. Janë parë videot ku Rama e kap për qafe dhe e dorëzon te policia italiane, të cilët e lirojnë menjëherë sapo Rama hipën në makinë sepse nuk mund ta mbanin, nuk kishin arsye ta mbanin. Por gjithsesi do tentojmë të lidhemi me personazhin tani në Skype, nëse e kam Fabin. Këto janë pamjet, ku Rama e kap te shkallët e avionit, e ngrin atje te qafa, me thonjtë e tij të paprerë dhe të palarë sepse këto nuk i fsheh dot, dhe e dorëzon tek karabinierët italianë në Napoli. Pasagjeri po udhëtonte tranzit për në Londër pasi është dhe me dokumenta angleze. Ja ku është dhe gërvishja te thonjtë e Ramës… është dhe londinez, si çdo hasian dhe kuksian, pra është dhe shtetas i huaj.
Fabian Peka: Mirëmbrëma.
Çim Peka: U bëre personazh. Tani na trego në detaje çfarë ka ndodhur. Pyetja e parë është, e keni sharë Ramën siç raportojnë disa media?
Fabian Peka: Jo, nuk e kam sharë. Çfarë ka ndodhur është në momentin që avioni ndaloi, u ngritëm në këmbë të gjithë, i thashë zoti kryeministër, e mira e të mirave është që ju mos ktheheni fare në Shqipëri për të mirën e shqiptarëve dhe për të mirën tuaj.
Çim Peka: E çfarë ju tha Rama?
Fabian Peka: Pastaj më tha ‘hajde, hajde të tregoj unë ty’. Edhe vazhduam shkallëve poshtë, më vuri duart te qafa. Më tha ‘pse më bën foto ti mua?’. I thashë ‘besoj nuk është e ndaluar që të bëj foto’. Më tha ‘e di çfarë të bëj unë?’. I thashë: po hë më thuaj, çfarë bën ti. Më tha, unë të zhduk. Dhe në atë moment edhe unë i thashë një fjalë…
Çim Peka: Çfarë fjale, se për Ramën nuk është problem.
Fabian Peka: Ti më rruan lesht.
Çim Peka: E qartë.
Fabian Peka: Edhe ma përsëriti edhe njëherë gjithë këtë, edhe unë po të njëjtën, edhe herën e dytë. Pastaj i foli italisht atyre policëve që ishin poshtë dhe thjesht më shoqëruan ata.
Çim Peka: Pastaj Rama iku…
Fabian Peka: U fut në makinë, priti deri në momentin që unë u futa në makinën e policisë dhe lëvizi. Një nga vajzat e stafit kërkoi pasaportën, donte të shikonte pasaportën time, se për çfarë e donte nuk e di.
Çim Peka: Kur të kthehesh në Shqipëri…
Fabian Peka: Ndoshta, nuk e di. Po pastaj… vajtëm në polici, më thanë ‘çfarë ndodhi?’. Kështu, kështu, kështu, dy-tre fjalë, vetëm qeshnin policët sepse e panë që s’ka mundësi të ndodhte diçka e tillë. I thashë ‘po ju më punoni për kryeministrin shqiptar apo si është kjo puna? Ju thotë ai me gisht merrni këtë, ju më merrni pa asnjë lloj arsyeje?’. Edhe folën në telefon ata… nuk e di se me kë kanë folur, dhe pastaj më liruan, një 10 minuta, diçka e tillë.
Çim Peka: Pra priten sa të ikte Rama, që të ikte ai e pastaj ti.
Fabian Peka: Po, 90% ashtu është.
Çim Peka: Ti udhëtove për Londër pastaj?
Fabian Peka: Po pastaj nga aty për Londër.
Çim Peka: Mirë Fabi, të falënderoj. Ktheu në Shqipëri se të pret, jo vetëm ty po të gjithëve u rruan lesht. Hajde mirupafshim.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Lajmi konfirmohet ekskluzivisht për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Ajo mori zyrtarisht detyrën në prill të vitit 2023, duke u bërë e para grua që udhëheq shërbimin inteligjent shqiptar. Përpara këtij emërimi, ajo ka pasur një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë kombëtare në Kosovë.
Pas largimit nga postet në Kosovë, ajo shërbeu për rreth dy vite si këshilltare për sigurinë kombëtare e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Drejtoreshë e SHISH: Në mars të vitit 2023, Rama e propozoi atë si drejtuese të SHISH. Ajo u dekretua zyrtarisht nga Presidenti Bajram Begaj më 3 prill 2023 dhe u prezantua në krye të institucionit të nesërmen.
Deputetja e PD, Ina Zhupa shprehet se narko-eurot janë futur në investimet strategjike, sipas saj, duke betonizuar dhe shkatërruar vendin. Gjatë takimit të Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Zhupa tha se turizmi i ekselencës, togfjalëshi që dominoi si pretekst për të miratuar ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, që ka kufi vetëm qiellin; mund të ndërtosh kudo me një leje nga KKT, praktikisht nga Edi Rama.
“Ky ligj ka cenuar rëndë parimet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive ndërtimore e turistike brenda zonave të mbrojtura, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mjedisore”, tha Zhupa.
Deputetja demokrate shtoi më tej se për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”.
Fjala e plotë e Ina Zhupës
Turizmi i ekselencës, togfjalëshi që dominoi si pretekst për të miratuar ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, që ka kufi vetëm qiellin; mund të ndërtosh kudo me një leje nga KKT, praktikisht nga Edi Rama. Ky ligj ka cenuar rëndë parimet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive ndërtimore e turistike brenda zonave të mbrojtura, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mjedisore.
Për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”.
Ky qëndrim i institucioneve europiane provon qartazi se ligji bie ndesh jo vetëm me interesin publik dhe mbrojtjen e pasurive natyrore kombëtare, por edhe me standardet dhe detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit europian.
Ndërkohë që Bashkimi Europian forcon politikat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, qeveria shqiptare ka zgjedhur të liberalizojë ndërtimet dhe të favorizojë interesa klienteliste në dëm të mjedisit.
Më 14 maj 2026, pas raportit të Bashkimit Europian, kam depozituar nismën për shfuqizimin e ligjit, siç e kërkon BE-ja, siç e kërkojnë protestuesit prej 111 ditësh në shesh, por mazhoranca ende s’e ka futur në shqyrtim.
Pritet ta bëjë një gjë të tillë ditët në vijim, ku edhe është shprehur kryetari i grupit, zoti Balla, që do të votojnë kundër nismës për shfuqizimin e ligjit, edhe pse e kërkon Bashkimi Europian.
Interesi është i qartë: janë premtimet dhe projektet e dhëna nga kryeministri në zonat e mbrojtura, si Zvërneci, Karavastaja, Dajti, Butrinti etj.
Është i vetmi kryeministër në botë që ka botuar një libër me planin e kokës së tij dhe klientëve të zgjedhur nga ai se si do të ndërtohet në vend, ku dhjetëra janë në zona të mbrojtura.
Është ky libri këtu, “The Albanian Files”. Janë 523 projekte të afishuara nga studiot. Deri tani, 57 projekte janë ndërtuar, 53 po ndërtohen, 47 presin lejen, ndërsa fati i shumë të tjerave nuk bëhet i ditur.
Miliona metra katrorë ndërtim, në Tiranë dhe zonat më të lakmuara të bregdetit, nga veriu në jug.
Në 41% të projekteve nuk përmendet fare porositësi, gjithçka në kurriz të shqiptarëve dhe të ligjeve dhe standardeve të transparencës, llogaridhënies dhe konsultimit publik që kërkon Bashkimi Europian.
Ligji i Investimeve Strategjike u paraqit si një instrument për të sjellë kapital, investitorë seriozë dhe zhvillim ekonomik. Por pas tij shfaqen miliona metra katrorë tokë, dhjetëra mijëra metra katrorë ndërtime dhe projekte me vlera marramendëse.
Vetëm sipas të dhënave të publikuara për projektet strategjike, bëhet fjalë për rreth 5.8 milionë m² tokë të vënë në dispozicion të projekteve strategjike.
Disa shembuj konkretë:
Zvërnec – Artur Shehu: sipas dosjeve të raportuara nga Faktoje dhe Reuters, Artur Shehu është nën hetim nga SPAK për dyshime që lidhen me trafik narkotikësh, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh pronësie; ai i mohon akuzat. Në zinxhirin e shoqërive që lidhet me zhvillimin në Zvërnec, “Zvërnec South Adriatic Development” raportohet se kishte kapital fillestar vetëm 5 milionë lekë.
Drymades Beach Resort – Blue Bay: një investigim i INA-s raportoi se kompania kishte 100 lekë kapital në para, ndërsa pjesën tjetër të kapitalit e kishte deklaruar në natyrë, në formën e tokës; projekti strategjik kishte vlerë të deklaruar 6.3 milionë euro dhe financimi i garantuar nga Fibank ishte 800 mijë euro.
Marina Hills – Finsec Development: kompania ishte themeluar me 1.2 milionë lekë kapital, ndërsa projekti deklarohej 450 milionë euro; sipas investigimit, ishte paraqitur konfirmim për 160 milionë euro financim, duke lënë një diferencë shumë të madhe për t’u shpjeguar.
Ky mekanizëm është përdorur për të futur para me origjinë të dyshimtë në ekonominë shqiptare, atëherë nuk kemi më përpara thjesht një problem me një ligj investimesh dhe betonizimin dhe vjedhjen e pronës publike. Kemi një problem me vetë modelin ekonomik të narko-shtetit dhe përdorimit të narko-eurove.
Bashkimi Europian nuk mbështet aferat korruptive dhe narko-eurot që fshihen me pretendimin e zhvillimit të turizmit, mjedisit dhe, medemek, procesin e integrimit.
Inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritëm të shpejtë, duke nxitur njëkohësisht diskutime për rreziqet që mund të sjellë.
Një nga pyetjet që po shtrohet gjithnjë e më shumë është nëse, një ditë, njerëzimi mund ta humbë kontrollin mbi këtë teknologji.
Darsej Rizaj, bashkëthemelues dhe ekspert i teknologjisë në Shkollën Digjitale, në Prishtinë, thotë se niveli i rrezikshmërisë nga evoluimi që po bën inteligjenca artificiale është më i lartë se vetë bomba atomike që ka zbuluar njeriu.
“Jemi duke eksperimentuar me diçka që ende s’jemi duke e kuptuar si duhet”, shprehet Rizaj në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, rreziku lidhet edhe me mundësinë që inteligjenca artificiale të arrijë një nivel ku mund të zhvillohet në mënyrë gjithnjë e më autonome.
“Kur të vendoset në një robot, për shembull, atëherë kemi krijuar një entitet të ri, a një specie të re brenda planetit tonë”, thotë ai.
A mund t’i vrasë inteligjenca artificiale njerëzit?
Rizaj tregon në 5 pyetje se një skenar i tillë nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht se inteligjenca artificiale do të synonte zhdukjen e njerëzimit për të njëjtat arsye që mund t’i ketë njeriu për të vrarë ose për t’i bërë dëm dikujt.
“Mund të jetë vetë faktori njeri që ia jep një instruksion, dhe që inteligjenca artificiale e keqkupton atë, dhe kryen veprim që nuk është paramenduar prej njeriut”, shprehet ai.
Sipas Rizajt, rreziqet nga inteligjenca artificiale të janë të shumëfishta. Disa mund të parashikohen nga njeriu, disa jo, thotë ai.
“Po supozojmë, përmes inteligjencës artificiale, ne po arrijmë ta kontrollojmë motin. E krijojmë teknologjinë, e kontrollojmë motin, edhe kemi inteligjencë artificiale që na mirëmban atë mot për neve, që ta kemi motin ideal për planetin tonë”, e tregon si shembull ai.
Rreziku nga keqpërdorimi
Përveç skenarëve afatgjatë, Rizaj thotë se disa rreziqe tashmë janë të pranishme, veçanërisht sa i përket të dhënave personale dhe përmbajtjeve të krijuara me modelet e inteligjencës artificiale.
Sipas tij, fotografitë, videot dhe të dhënat që njerëzit kanë publikuar ndër vite në internet mund të përdoren për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.
Ai paralajmëron se zhvillimi i teknologjisë mund ta bëjë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjeve reale dhe atyre të krijuara artificialisht.
“Jemi duke arritur te pika ku nuk do të mundemi aq lehtë ta vërejmë a është reale, apo është krijuar me inteligjencë artificiale”, thotë Rizaj në 5 pyetje.
Sipas Rizajt, kjo mund të përdoret edhe për shantazh, dëmtim të reputacionit apo krijimin e materialeve të rreme.
“Kosova është mbrapa”
Sa i përket Kosovës, Rizaj thotë se inteligjenca artificiale ende nuk është pjesë e mjaftueshme e diskutimit institucional.
“Si Kosovë, mbrapa jemi”, thotë ai, duke shtuar se vendet e tjera të Ballkanit kanë nisur investime në qendra të të dhënave dhe kanë më shumë iniciativa strategjike.
Sipas tij, Kosova duhet të mendojë edhe për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në tregun e punës.
Për Rizajn, edukimi për inteligjencën artificiale është një nga mënyrat kryesore për t’u përgatitur për ndryshimet që sjell kjo teknologji.
“Që të mund ta kuptojmë si të mbrohemi, duhet të dimë si po funksionon ajo”, thotë ai.
Rizaj këshillon që njerëzit të mësojnë ta përdorin inteligjencën artificiale, por njëkohësisht të kenë më shumë kujdes me të dhënat personale, veçanërisht ato të fëmijëve.
Selia e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, Holandë, mars 2023.
Doruntina Baliu
Dënimi në shkallë të parë për krime lufte i katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës erdhi në kohën kur epoka e proceseve të mëdha ndërkombëtare për luftërat në ish-Jugosllavi po i afrohet fundit, thonë njohës të drejtësisë tranzicionale. Ata nuk janë shumë optimistë për progresin e gjykatave vendëse në zbardhjen e rasteve të mbetura pezull.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, dënuan ish-presidentin kosovar, Hashim Thaçi, për krime lufte në vitet 1998-99, ndërsa e liruan atë nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Thaçit, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe ndaj tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së – Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit – nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.
Por, edhe përfundimi eventual i këtij procesi nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht mbylljen e asaj që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës.
Megjithatë, në të ardhmen, përgjegjësia për rastet e mbetura të krimeve të luftës do të rëndonte gjithnjë e më shumë mbi gjykatat vendëse, vlerësojnë njohës të drejtësisë tranzicionale.
Për Bekim Blakajn, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), mbetet shqetësuese mungesa e bashkëpunimit juridik mes vendeve të ish-Jugosllavisë, që ai thotë se pengon gjykimet në prani të të pandehurve dhe zbatimin e drejtësisë.
Sipas tij, pa përfshirje ndërkombëtare zvogëlohen gjasat që shtetet të ndjekin të dyshuarit nga komunitetet e tyre shumicë, apo të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.
Çfarë ka ndryshuar në gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë?
Blakaj thotë për Radion Evropa e Lirë se përbërja etnike e të akuzuarve dhe të dënuarve ka ndryshuar me kalimin e kompetencave nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tek autoritetet vendëse, që morën kompetencat e plota pas vitit 2018.
Kur proceset drejtoheshin nga ndërkombëtarët, ndjekjet penale të të dyshuarve për krime lufte statistikisht u bënë më shumë ndaj shqiptarëve, pohon Blakaj.
“[Asokohe] nuk ka pasur mundësi ligjore që të ndiqet penalisht dikush në mungesë… Shumica e kryesve të krimeve të luftës nga komuniteti serb [pjesëtarë të forcave serbe] nuk kanë qenë shumë të qasshëm për autoritetet në Kosovë. Prandaj, shumica e proceseve kanë qenë kundër shqiptarëve etnikë, që dyshoheshin për krimet, qoftë ndaj shqiptarëve apo ndaj pjesëtarëve të pakicave”, thotë ai.
Që nga viti 2022, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, në Kosovë janë bërë të mundura edhe gjykimet në mungesë. Sipas FDHK-së, deri në shkurtin e 2025-tës janë ngritur 15 aktakuza në mungesë kundër 73 pjesëtarëve të forcave serbe.
Blakaj e sheh këtë si lëvizje pozitive numerikisht, por i druhet rezultatit real për sjelljen e drejtësisë.
“Mendoj që, në këtë moment, ndoshta edhe familjarët e viktimave mund të jenë më të kënaqur me këto procese, edhe pse ndoshta në një fazë të ardhshme, kur është e qartë që shumica e tyre as që do të mund të dënohen në mungesë, apo edhe nuk do të burgosen, mund të kthehet pastaj në një lloj frustrimi”, thotë ai.
Ndjekja joproporcionale etnike e të dyshuarve për krime lufte, në këtë rast në favor të komunitetit shumicë, është evidente edhe në Serbi.
Autoritetet atje i thanë Radios Evropa e Lirë se që nga themelimi i departamenteve për krime të luftës më 2003, janë ngritur 270 aktakuza – 112 persona janë dënuar, ndërsa 29 janë liruar.
Gjykatat dhe prokurorët serbë thanë se nuk mbajnë statistika mbi përkatësinë etnike të personave të dënuar ose të shpallur të pafajshëm.
Megjithatë, një raport i vitit 2024 i Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi vlerëson se numri i rasteve kundër serbëve për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk është në përpjesëtim me shkallën dhe përmasat e krimeve të kryera ndaj tyre nga formacionet e armatosura serbe.
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar nga Qeveria e Kosovës më 2023, thotë se ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës, shumica dërrmuese shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.
Sipas Blakajt, të dënuarit në Serbi kanë qenë kryesisht oficerë të rangut të ulët, jo personat me përgjegjësinë më të madhe.
Kur do të përfundojë epoka e proceseve ndërkombëtare për krimet e luftës në Jugosllavi?
Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan më 2015, me miratimin e Kuvendit të Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë selinë në Hagë, Holandë, dhe funksionojnë me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.
Iva Vukushiq, historiane nga Universiteti i Utrehtit në Holandë, thotë se në perceptimin e një pjese të komunitetit juridik dhe studiuesve në Hagë, fundi i një epoke kishte ardhur që me dënimin në apel të ish-komandantit të forcave serbe të Bosnje e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, ndonëse më pas përfunduan edhe procese të tjera.
Sipas saj, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë tërhequr dukshëm më pak vëmendje jashtë Kosovës dhe Serbisë, sesa proceset e Tribunalit për ish-Jugosllavinë.
“Në shumë anë është e kuptueshme, sepse kanë kaluar pothuajse 30 vjet. Kështu që, mendoj se në njëfarë mënyre është normale që nuk i kushtojmë vëmendje kësaj [gjykimeve për krime lufte] në të njëjtën mënyrë siç bënim në vitin 2005”, thotë Vukushiq për Radion Evropa e Lirë.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Chris Bennett, thotë se ky institucion nuk komenton ekzistencën apo hollësitë e ndonjë hetimi, apo se kur do të përfundojë mandati i saj.
“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, sqaron ai në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Vukushiq thotë se përtej Gjykatës Speciale në Kosovë, gjasat për mbështetje politike dhe financiare për tribunale të tjera të posaçme për ish-Jugosllavinë janë zbehur, veçanërisht me shpërthimin e luftërave të reja nëpër botë.
“Do të thosha se, në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të mendojmë, gjithashtu, se deri kur do të na duhet të marrim mbështetje të jashtme – si paterica – për t’i bërë sistemet tona ligjore të funksionojnë siç duhet?”, shprehet ajo.
Çfarë kanë bërë gjykatat vendore në pjesën tjetër të Ballkanit?
Në rajonin e Ballkanit, rezultatet e gjykatave vendëse ndryshojnë ndjeshëm.
Blakaj e veçon Bosnje e Hercegovinën si vendin që ka bërë më së shumti, si për numrin e proceseve, ashtu edhe për nivelin e përgjegjësisë së personave të gjykuar.
Sipas një analize të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, gjykatat vendëse atje kanë përfunduar 773 raste kundër 1.209 të akuzuarve. Në 499 raste janë shqiptuar aktgjykime dënuese të formës së prerë.
Megjithatë, Vukushiq thotë se në Bosnje e Hercegovinë mbeten qindra raste të mundshme, dhe paralajmëron se shumë prej tyre mund të mos arrijnë kurrë në gjykatë.
Në Kroaci, sipas të dhënave që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nga viti 1991 deri më 31 mars 2026, prokuroritë kanë ngritur aktakuza kundër 2.185 personave. Ndërkaq, gjykatat nuk kanë kthyer përgjigje sa i përket numrit të aktgjykimeve.
Në Mal të Zi, sipas Bojana Maloviqit nga organizata Aksioni për të Drejtat e Njeriut, gjatë tri dekadave janë ngritur nëntë aktakuza.
Shtatë procedura kanë përfunduar me vendime të formës së prerë: katër me aktgjykime dënuese, dhe tri me lirimin e të gjithë të akuzuarve. Dy procedura të tjera po vazhdojnë.
Kontribuuan: Una Çiliq dhe Nevena Bogdanoviq nga Shërbimi i Ballkanit i REL-it
Serbia dhe Prontomafia kanë arritur ta shkërmoqin sistemin e vlerave të ndërtuar me shekuj nga shqiptarët, përmes të cilit këta kanë mbijetuar dhe kanë luftuar lër liri.
Njëri prej parimeve themelore të atij sistemi ishte:
Mos i gërvishni plagët se nuk shërohen kurrë!
Por mediet e Prontomafisë nuk njohin as një sistem vlerash, asnjë kod moral, asnjë pakt paqeje.
Janë si çakejtë me pamje e me veprime. Ata njohin vetëm një Zot: TUTËN.
Me t’u shpallur aktgjykimi i Gjykatës speciale, mediet e Prontomafisë i hapën dosjet e tyre të mykta për ta nxjerrë helmin e tyre të radhës. Këtë herë viktimë e tyre ishte Familja Allaqi.
Qëllimi ishte dhe është që sherri i kahershëm që e ka ditur qysh atëherë krejt Kosova, po që e konfirmoi Haga, të përdoret për ta ushqyer masën e patru me mjegull shpifjesh e intrigash.
Tash çakejtë e medieve presin se Zonja Allaqi, një Grua, Nanë e Pedagoge e nderuar të dalë dhe të merret me prodhimet e fabrikave të helmit made-in Prontomafia.
Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Sepse aktgjykimi i Gjykatës speciale do të publikohet shpejt dhe aty janë të gjitha dëshmitë okulare. Rend me rend.
Në këtë rrokopujë që e ka bërë sistemin tonë të vlerave fërtele, e vetmja gjë që mund ta bëjnë njerëzit që i kanë dy fije mend në krye është t’i injorojnë, t’i bojkotojnë dhe t’i demaskojnë çakejtë e Prontomafisë dhe mediet e tyre të neveritshme
Brenda 19 ditësh, autoritetet shqiptare sekuestruan në Portin e Durrësit dhe aeroportin e Rinasit tre ngarkesa me 233.7 kilogramë kanabis të trafikuar nga Kanadaja, me një vlerë tregu prej të paktën 2.45 milionë eurosh. Automjetet e importuara dhe valixhet e udhëtarëve u përdorën për të fshehur drogën.
Një dekadë më parë, Europol e konsideronte Shqipërinë një prej burimeve kryesore të kanabisit që trafikohej drejt vendeve të BE-së. Lazarati, një fshat pranë Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë, i njohur për kultivimin masiv të kanabisit deri në ndërhyrjen policore të vitit 2014, ishte etiketuar gjerësisht në mediat ndërkombëtare si “kryeqyteti europian i kanabisit”.
Tashmë, Shqipëria nuk është vetëm një vend kultivues dhe eksportues i bimës narkotike. Brenda vetëm 19 ditësh, nga 22 gushti deri më 9 shtator, Policia e Shtetit sekuestroi tre ngarkesa me 233.7 kilogramë kanabis të nisura nga Kanadaja.
Dy prej ngarkesave, me një peshë të kombinuar prej 187.7 kilogramësh dhe vlerë tregu rreth 2.2 milionë euro, mbërritën me kontejnerë në Portin e Durrësit, ku automjete të blera në Kanada dyshohet se u përdorën për fshehjen e drogës. Një ngarkesë tjetër prej 46 kilogramësh u kap në aeroportin e Rinasit, e fshehur në valixhe.
Sekuestrimet në Shqipëri janë pjesë e një prirjeje më të gjerë në tregun europian të drogës.
Agjencia e Bashkimit Europian për Drogat, EUDA, ka paralajmëruar për rritjen e sasive të kanabisit bimor që trafikohen drejt Europës nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë, kjo prirje lidhet me mbiprodhimin, konkurrencën dhe çmimet më të ulëta në tregun e Amerikës së Veriut.
Kanadaja legalizoi prodhimin, shitjen dhe përdorimin e kanabisit për të rriturit në vitin 2018, por eksportimi i tij jashtë kanaleve të autorizuara mbetet i paligjshëm.
Kanabisi ka vijuar të zërë peshën kryesore në sekuestrimet e lëndëve narkotike në Shqipëri gjatë vitit 2026. Sipas bilanceve mujore të Policisë së Shtetit, përveç rasteve të importit nga Kanadaja, vetëm në katër muajt e parë të vitit u sekuestruan mbi 736 kilogramë kanabis – rreth 186 kg në janar, 490 kg në shkurt, mbi 50 kg në mars dhe rreth 10 kg në prill.
‘Gelato’ nga Kanadaja
Dy ngarkesat e kapura në Durrës më 22 gusht dhe 9 shtator përmbanin në total 187.7 kilogramë Cannabis sativa, të llojit që në treg njihet si “Gelato”, për shkak të përqindjes së lartë të substancës psikoaktive tetrahidrokanabinol, THC.
Përmbajtja e lartë e THC-së e bën këtë lloj kanabisi më të fortë dhe, për rrjedhojë, më të kushtueshëm në tregun ilegal.
Sipas Policisë së Shtetit, dy sasitë e sekuestruara në Durrës do të arrinin së bashku një vlerë tregu prej rreth 2.2 milionë eurosh.
Një burim nga Prokuroria e Durrësit i tha BIRN-it, në kushtet e anonimatit, se ky lloj kanabisi kultivohet zakonisht në ambiente të mbyllura, në të ashtuquajturat “shtëpi bari”, ku kushtet e kultivimit mund të kontrollohen për të rritur përqendrimin e THC-së.
Sipas të njëjtit burim, në rastin e ngarkesës së parë automjeti ishte blerë në Kanada dhe kishte si destinacion përfundimtar Kosovën. Nga hetimet rezultoi gjithashtu se shitësi dhe blerësi i deklaruar i automjetit ishin i njëjti person, me shtetësi kosovare dhe kanadeze.
Më 22 gusht, Policia e Shtetit njoftoi sekuestrimin e rreth 80 kilogramëve kanabis, me një vlerë tregu të përllogaritur në rreth 1 milion euro. Tre shtetas të Kosovës u arrestuan, ndërsa dy persona të tjerë – një nga Kukësi dhe një shtetas kosovar me banim në Kanada – u shpallën në kërkim.
Sipas policisë, droga ishte siguruar në Ontario dhe ishte transportuar drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar posaçërisht në një automjet të porositur në Kanada.
Kanabisi ishte ndarë në 127 pako, ndërsa automjeti ishte transportuar drejt Shqipërisë brenda një kontejneri detar.
Hetuesit dyshojnë se personat e përfshirë kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe më pas shpërndarjen e kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjashtë ditë më vonë, më 28 gusht, një tjetër ngarkesë kanabisi nga Kanadaja u kap këtë herë në aeroportin e Rinasit. Policia dhe autoritetet doganore gjetën 89 pako me rreth 46 kilogramë Cannabis sativa, të fshehura në dy valixhe, me një vlerë tregu të përllogaritur në rreth 250 mijë euro.
Në operacionin e koduar “Suitcases”, policia arrestoi një 34-vjeçar dhe procedoi penalisht dy gra. Sipas Policisë së Shtetit, hetimet po zhvillohen me metoda speciale për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në trafik.
Më 9 shtator, një ngarkesë e tretë prej 107.7 kilogramësh kanabis “Gelato” u sekuestrua në Portin e Durrësit. Policia e përllogariti vlerën e saj në rreth 1.2 milionë euro.
Ngarkesa u zbulua gjatë kontrollit të një kontejneri të ardhur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin dy automjete dhe një kamper.
Në hapësira të modifikuara të kamperit, të mbuluara me veshje druri, policia gjeti 190 pako kanabis. Gjithashtu u sekuestruan 43 cigare elektronike, disa prej të cilave mbanin etiketa që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Dy persona u shpallën në kërkim.
Policia tha se edhe në këtë rast droga dyshohej se ishte siguruar në Kanada dhe më pas ishte fshehur në automjete të blera atje për t’u transportuar drejt Shqipërisë.
Hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të përcaktuar destinacionin përfundimtar të ngarkesës.
Një korridor i ri drejt Europës
Rastet e Shqipërisë janë të vogla krahasuar me sasitë e kanabisit kanadez që po kapen në portet kryesore të Europës.
Sipas Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat, EUDA, gjatë vitit 2025 autoritetet sekuestruan rreth 21 tonë kanabis bimor në Portin e Antverpit dhe po aq në Roterdam, ku ngarkesat vinin kryesisht nga Kanadaja. Autoritetet belge raportuan se vetëm në Antverp sasia e marihuanës së sekuestruar u rrit pothuajse pesëfish krahasuar me një vit më parë.
Përmasat e trafikut u bënë edhe më të dukshme në maj të këtij viti, kur autoritetet britanike zbuluan 12 tonë kanabis të fshehur në dy kontejnerë të nisur nga Kanadaja dhe të mbërritur në Portin e Southampton-it. Border Force e cilësoi ngarkesën si sekuestrimin më të madh të kanabisit të kryer ndonjëherë nga kjo agjenci, me një vlerë të përllogaritur prej 139 milionë paundësh në tregun ilegal.
Edhe autoritetet kanadeze kanë shtuar kontrollet ndaj ngarkesave që dalin nga vendi. Në shtator 2025, shërbimi kufitar kanadez, CBSA, sekuestroi në Montreal 2.7 tonë kanabis në dy ngarkesa detare me destinacion Britaninë e Madhe. Njëra prej tyre, prej 2.55 tonësh, ishte fshehur mes pakove me lëndë drusore.
Vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, CBSA dhe Policia Mbretërore Kanadeze, RCMP, kapën më shumë se një ton kanabis që po largohej nga zona e Torontos. Mes ngarkesave të zbuluara ishin 224 kilogramë me destinacion Gjermaninë dhe 7 kilogramë drejt Holandës, si dhe dy ngarkesa ajrore prej 72 dhe 61.5 kilogramësh drejt Britanisë së Madhe.
Autoritetet kanadeze e lidhin kontrabandën e kanabisit me rrjetet e krimit të organizuar ndërkombëtar. CBSA paralajmëron se të ardhurat nga shitja e tij përdoren për të financuar aktivitete të tjera kriminale, përfshirë trafikimin e narkotikëve dhe armëve.
Rritja e ngarkesave ka sjellë edhe një bashkëpunim më të ngushtë mes dy anëve të Atlantikut. Në qershor, autoritetet doganore të Kanadasë, Holandës, Belgjikës dhe Francës nënshkruan një marrëveshje për shkëmbim informacioni dhe operacione të përbashkëta kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Presidentja e CBSA-së, Erin O’Gorman, tha se rrjetet kriminale po bëhen më të afta në shfrytëzimin e korridoreve mes Kanadasë dhe Europës, ndërsa drejtuesit e doganave europiane e cilësuan rritjen e ngarkesave të kanabisit drejt BE-së si një prej arsyeve kryesore për forcimin e bashkëpunimit me Otavën.
Për autoritetet europiane, sekuestrimet e viteve të fundit tregojnë se harta tradicionale e furnizimit me kanabis po ndryshon. Përveç prodhimit brenda Europës dhe rrugëve të vjetra nga Afrika e Veriut dhe Ballkani, portet europiane po përballen gjithnjë e më shumë me ngarkesa të mëdha që kalojnë Atlantikun në kontejnerë tregtarë – një metodë e përdorur edhe në dy rastet e zbuluara në Portin e Durrësit./BIRN
Gjykimi nuk u bë ndaj Kosovës, as ndaj UÇK-së, edhe aktakuza kyçe ra, nuk kishte absolutisht krime ndaj popullatës serbe – drejtësia e pjesshme për vrasjet politike u arrit!
Pa vrasjet politike këta sot do të shpalleshin të pafajshëm!
Vendet mike, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, BE-ja etj, po bëjnë thirrje për qetësi, dhe stabiliteti duhet të ruhet. Nuk mundet dhe askush nuk duhet të lejohet apo të përkrahet që t’ia vë flakën Kosovës, dhe t’i sulmojë institucionet e Republikës. Nuk ka asnjë arsye pse të mbahet e rrethuar qeveria. Ajo asgjë nuk ka të bëjë me gjykimin në Hagë.
Gjykata e Hagës u krijua nga institucionet e Kosovës, dhe madje me trysninë kyçe të vetë Hashim Thaçit!
Gjykata në vendimin e saj e ka shmangur çdo implikim të mundshëm të UÇK-së, si forcë ushtarake, në kryerjen e krimeve dhe vrasjeve të çfarëdollojshme, duke e kthyer fajësinë në përgjegjësi individuale, dhe të një grupi të vogël!
Të gjithë ata që janë të pakënaqur dhe kanë provat bindëse, është Gjykata e Apelit, ajo që mund të korrigjojë çdo padrejtësi!
Mediat dhe eksponentët e dyshimtë duhet ta ulin zërin dhe të mos nxisin dhunë, duke e paraqitur si një situatë apokaliptike për Kosovën! Nuk ka dëmtim imazhi më të madh, se sa kur Thaçi u arrestua derisa ishte në detyrë.
Shteti i Kosovës nuk do të ketë asnjë pasojë, sikurse nuk ka pasur as deri më tash, përkundër propagandës së të njëjtëve se shteti do të pësojë. Të gjithë njerëzit e arsyeshëm dhe njohës të drejtësisë e kanë ditur që akuzat për krime ndaj popullatës serbe do të biejnë.
Gjykata vendosi: “Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit Trupi gjykues Konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”.
“ZPS nuk arriti të vërtetonte jashtë dyshimit të arsyeshëm që ky sulm u drejtua kundër një popullate civile”, tha gjykatësi Smith.
Pra, nuk ka se si të argumentojë Serbia, e cila ka kryer sulme masive, masakra dhe vrasje masive ndaj popullatës civile të pambrojtur, përfshirë dëbimin masiv, të mbi gjysmës së shqiptarëve, djegies masive të shtëpive dhe pronave të tjera e të tjera krime.
Por, nuk mund të quhen prova të sajuara vrasjet politike si e ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerëve, përfaqësues e zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të LDK-së.
Pra, para se të vjellni vetëm vrerë ndaj gjykimit në Hagë, kujtoni shpirtrat e Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Karadakut, Ilir Konushecit, Ali Ukajt, Beadin Hallaqit, Sadri Ramqajt, Haki Imerit, Xhemail Mustafës, Ismet Rracit, Shaban Manajt, deputetit e komandantit të luftës Smajl Hajdarajt, Ismet Rrahmanit, Xhafer Behramit me djalin Baki Behramin, Bekim Kastratit, Besim Dajaku, vrasja e kolonelit Zemaj, i përmendur edhe në Hagë sërish, e dy policëve Sebehate Tolajt e Jusuf Haklajt, që të dy ish luftëtar në Koshare, policit dhe ish ushtarit të UÇK-së Hajdar Ahneti, vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti (2005), plagosjen e rëndë të Sabri Hamitit, të Gani Gecit, rrahjet dhe arrestimet e deputetëve të Republikës së Kosovës në Likoc, rrëmbimet si i majorit Afrim Shurreci, Blerim Kuqit etj, shumë prej të cilave raste mbeten t’i zbardhin gjykatat në Kosovë, por si duket protestat janë kundër tyre.
Nëna e kolegut tim të çmuar Bardhylit, vdiq duke pritur drejtësi, zonja Mustafa e veja e kolegut tim Xhemail Mustafës, vdiq vetëm para pak muajsh duke shpresuar pak ngushëllim për Xhemën e saj dhe të Kosovës!
Babai i kolegut tim të dashur Bekim Kastratit axha Hajriz u largua nga kjo botë pa shpresën për drejtësi!
.
Konteksti i vrasjeve politike sipas Gjykatës së Hagës – Lufta për pushtet
.
Gjykata tha, Serbia ia hoqi me dhunë autonominë Kosovës në vitin 1989.
Shqiptarët po në vitin 1989 e krijuan LDK-në dhe kjo e kishte qëllim Pavarësinë e Kosovës. Pastaj LDK-ja e organizoi sistemin paralel dhe ajo e shpalli Republikën dhe e organizoi referendumin për Pavarësi, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran!
Por, grupi i të akuzuarve dhe të tjerëve, kryen vrasje dhe dhunë ndaj kundërshtarëve politik, figurave të LDK-së, por edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat i mohonin. Nuk ishte vetëm mohim, por edhe ushtrim dhune, duke i rrahur, kërcënuar, arrestuar, vrarë etj., dhe këtë e bënin sepse e kishin për qëllim pushtetin, argumentoi gjykata.
Pra, gjykata po vë drejtësi mbi dhunën politike të ushtruar ndaj kundërshtarëve politikë!
Gjykata po thotë se këta kishin guxim të vrisnin shqiptarë, që po e luftonin në tërësi sistemin serb dhe të cilët e kishin qëllim Pavarësinë e Kosovës, dhe këtë kishin zgjedhur ta bënin në luftë!
Akuzat për llojet e vasjeve të tjera mund të rrëzohen në Apel, por vrasjet politike, vështirë se mund t’i rrëzojnë!
Ata janë gjallë dhe mund të ankohen, por sot asnjë nga kundërshtarët politikë nuk mund të zgjohet dhe asnjëherë atyre nuk iu dha mundësia të ankohen!
Natyrisht dhimbja për këto dënime është e madhe për familjarët, veçmas për fëmijët e të dënuarve të cilët janë të pafajshëm!
Komentet