VOAL

VOAL

Arrestohen mbështetës të Trumpit që hynë në Kapitol

January 10, 2021

Komentet

SHBA do t’ia dërgojë Ukrainës edhe një kundërajror Patriot

Shtetet e Bashkuara do t’ia dërgojnë Ukrainës edhe një sistem tjetër kundërajror të llojit Patriot, thanë dy zyrtarë amerikanë të martën.

Uashingtoni i është përgjigjur lutjeve dëshpëruese të Kievit për ta ndihmuar me më shumë mbrojtje ajrore, pasi është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin e vet verilindor, Harkiv.

Zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dhënë pëlqimin për këtë vendim.

Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror.

Aleatë të tjerë, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu i kanë dhënë Ukrainës kundërajrorë dhe municione për ta.

Më 10 maj, forcat ruse e nisën një ofensivë të re në Harkiv – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit rus. Analistët e kanë përshkruar ofensivën si tentim për të krijuar “zonë neutrale”, përmes së cilës mbrohet territori i Rusisë.

Kah mesi i majit, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha se Rusia e ka zgjeruar ofensivën në një vijë prej 70 kilometrash, në përpjekje për të detyruar Ukrainën që t’i angazhojë edhe rezervistët.

Shtetet e Bashkuara janë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës.

Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, presidenti amerikan Joe Biden e propozoi në fillim të qershorit edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Hunter Biden, djali i Presidentit Biden shpallet fajtor për tri vepra penale

VOA/Marrë nga Associated Press

UILMINGTON – Djali i Presidentit Joe Biden, Hunter Biden u shpall fajtor të martën për tre vepra penale që lidhen me blerjen e një arme në vitin 2018 kur sipas prokurorëve, gënjeu në një formular për blerje armësh, duke thënë se nuk ishte përdorues droge apo nuk kishte varësi nga droga.

Presidenti amerikan Joe Biden, përmes një deklarate pas vendimit tha se ai dhe Zonja e Parë gjithmonë do t’i qëndrojnë pranë djalit të tyre “me dashurinë dhe përkrahjen tonë.” Ai tha se do ta respektojë vendimin e jurisë dhe se do të vazhdojë ta respektojë procesin gjyqësor ndërkohë që djali i tij po shqyrton mundësinë ta apelojë vendimin.

“Shumë familje, të dashurit e të cilëve janë përballur me varësinë nga droga, e kuptojnë ndjenjën e krenarisë kur i shohin ata që i duan të tejkalojnë sfidat dhe të tregojnë forcë dhe vendosmëri gjatë rimëkëmbjes,” thuhet në deklaratë.

Presidenti Biden tha se po shkon në Delauerë që të jetë me djalin e tij.

Juria e shpalli zotin Biden fajtor për pretendime të rreme në formularin për blerje armësh dhe për mbajtjen e një arme në shkelje të ligjit për 11 ditë.

Në një deklaratë pas shpalljes fajtor, Hunter Biden falenderoi familjen dhe miqtë për përkrahjen, por shprehu zhgënjimin me vendimin.

“Mirënjohja që ndjej sot për dashurinë dhe përkrahjen gjatë kësaj ndaj Melisës, familjes, miqve dhe komunitetit tim, është më e madhe se sa zhgënjimi nga vendimi”, tha ai. “Tërheqja nga varësia është e mundshme me bekimin e Zotit dhe unë jam i bekuar që e përjetoj çdo ditë këtë dhuratë.”

Në kohën kur u dha vendimi i jurisë, zoti Hunter Biden shikoi pa reagim. Më pas, ai përqafoi avokatët e tij dhe mezi buzëqeshi. Ai puthi bashkëshorten e tij, Melissën, me të cilën doli së bashku nga gjykata.

Avokati mbrojtës Abbe Lowell tha se “natyrisht që jemi të zhgënjyer” nga vendimi për shpalljen fajtor të zotit Biden. Por përmes një deklarate, avokati Lowell tha se ekipi i tij do të respektojë procesin dhe do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për ta sfiduar vendimin.

Reagimi i republikanëve ishte i shpejtë dhe toni i tyre ishte i ndryshëm.

Ligjvënësi James Comer, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Kongresit, që po heton familjen e Presidentit Biden gjatë dy viteve të fundit, tha se ndonëse vendimi shënon “një hap drejt përgjegjësisë”, nuk do të ketë drejtësi “derisa Departamenti i Drejtësisë të ketë hetuar të gjithë ata që janë të përfshirë në skemat korruptive të familjes Biden.”

Hunter Biden përballet me një dënim maksimal prej 25 vitesh në burg, por shkelësve të ligjit për herë të parë nuk u jepen dënime kaq të rënda. Është e paqartë nëse gjykatësja e rastit Maryellen Noreika do ta dënojë atë me vuajtje të dënimit në burg.

Hunter Biden dhe kandidati republikan për president Donald Trump, rivali kryesor politik i Presidentit Joe Biden, janë gjetur fajtor nga juritë në këtë vit zgjedhor.

Presidenti Biden ka qëndruar larg gjykimit në Delauer dhe ka folur shumë pak rreth rastit, duke u kujdesur që të mos krijojë përshtypjen se po ndërhyn në një çështje penale të cilën e ka ngritur Departamenti i Drejtësisë i administratës së tij. Por të gjithë aleatët e tij janë të shqetësuar për ndikimin që ky gjykim – dhe tani dënim – do të ketë tek Presidenti 81 vjeçar, i cili për një kohë të gjatë ishte i preokupuar me shëndetin dhe varësinë e djalit të tij të vetëm të gjallë.

Që të dy, zoti Hunter Biden dhe zoti Trump kanë thënë se janë viktima të politikës së çastit. Por ndërkohë që zoti Trump ka vazhduar të bëjë pretendime të pabaza se dënimi i tij është “sajuar”, Joe Biden deklaroi se do të pranojë rezultatet e vendimit dhe nuk do ta falë djalin e tij.

Sfidat ligjore të zotit Hunter Biden nuk përfundojnë këtu. Në shtator ai do të përballet me një gjykim në Kalifoni për akuzat se nuk ka paguar tatim në vlerë prej 1.4 milionë dollarë dhe ligjvënësit republikanë kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë hulumtimet ndaj tij në përpjekjet e tyre në procesin për ta shkarkuar presidentin. Prokurorët që po hetojnë zotin Hunter Biden nuk kanë akuzuar Presidentin Biden për ndonjë shkelje.

SHBA do të lejojë brigadën Azov të përdorë armët kundër Rusisë

Shtetet e Bashkuara do të lejojnë Brigadën Azov të përdorë armët amerikane të dërguara në Kiev për të luftuar kundër forcave ruse.

Lajmi u dha nga Departamenti Amerikan i Shtetit pas heqjes së një ndalimi të lëshuar në 2014 për shkak të shqetësimeve të SHBA për natyrën e grupit ushtarak ukrainas.

Azov është një njësi ushtarake këmbësorie e përbërë nga vullnetarë të ekstremit të djathtë, anëtarët e së cilës, rreth 900 vetë, janë ultra-nacionalistë, të akuzuar se frymëzohen nga ideologji neo-naziste.

Njësia u formua fillimisht si një grup vullnetar në maj 2014 nga banda ultra-nacionaliste Patriotët e Ukrainës dhe grupi neo-nazist i Asamblesë Kombëtare Sociale. Të dy grupet u bashkuan në idealet ksenofobike dhe neonaziste dhe sulmuan fizikisht emigrantët, komunitetin rom dhe njerëzit që kundërshtonin pikëpamjet e tyre.

Si një batalion, grupi luftoi në vijën e parë të frontit kundër separatistëve pro-rusë në Donetsk, në rajonin lindor të Ukrainës. Pak para nisjes së pushtimit, Putin njohu pavarësinë e dy rajoneve të kontrolluara nga rebelët nga Donbasi. sn

Apple përfshin ChatGPT-në në pajisjet iPhone e Mac

Shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook.

 

Gjiganti i teknologjisë, Apple, do ta përditësojë aplikacionin e tij zanor, Siri, dhe sistemet e tjera operative me souftuerin e inteligjencës artificiale, ChatGPT.

Përditësimet do t’u mundësojnë përdoruesve të pajisjeve iPhone dhe Mac të kenë qasje në ChatGPT, falë partneritetit me zhvilluesin e këtij softueri, OpenAI.

Ata do të mund ta përdorin ChatGPT-në edhe për qëllime të tjera – jashtë pyetjeve për Sirin – përfshirë krijimin e teksteve dhe të përmbajtjeve.

Versioni testues do të jetë i disponueshëm në vjeshtë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, tha se këto risi do t’i çojnë produktet e kompanisë së tij “në lartësi të reja”.

Ai i bëri komentet teksa hapi Konferencën Botërore të Zhvilluesve në selinë e gjigantit të teknologjisë në Kaliforni.

Apple ka qenë nën presion për të përfshirë veçori të reja të inteligjencës artificiale në produktet e tij, pas rritjes së shpejtë që kanë pësuar rivalët e kompanisë që e kanë miratuar këtë teknologji.

Cook u ka thënë investitorëve qysh në vitin 2023 se kompania e tij do t’i qaset me kujdes kësaj teknologjie. REL

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme në SHBA kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara.

 

REUTERS

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata të tilla si, qëndrime në hotele në Bali të Indonezisë, apo bileta për koncerte të yllit botëror, Beyonce, si dhe 1.6 milion dollarë si paradhënie për libra dhe për honorarë, teksa i kanë deklaruar të hyrat financiare për vitin 2023.

Gjyqtari konservator, Clarence Thomas, i cili është duke u kritikuar ashpër pse ka dështuar që të deklarojë dhuratat që ia bërë biznesmeni republikan Harlan Crow, e ka rishikuar deklarimin e vitit 2019 dhe ka thënë se ka pranuar “ushqim dhe akomodim” në një hotel në Bali dhe në një klub në Kaliforni.

Gjyqtarja liberale Kentaji Brown Jackson, ka thënë se ka pranuar katër bileta për koncertin e yllit Beyonce, në vlerë të 3.711 dollarëve.

Prej të dhënave është mësuar më shumë për të hyrat financiare të gjyqtarëve, jashtë punës së tyre në Gjykatën Supreme, për dhuratat dhe transaksionet tjera, të kryera vitin e kaluar.

Ata janë duke u vëzhguar prej afër, pasi po përballen me dilema të mëdha etike, meqë nuk kanë raportuar udhëtime luksoze, disa edhe me aeroplanë privatë.

Përveç biletave për koncertin e Beyonces, Jackon ka thënë se ka pranuar edhe vepra arti në vlerë të 12.500 dollarëve.

Gjyqtari konservator Brett Kavanaugh ka deklaruar “të hyrat nga honorarët” në grupin Javelin dhe shtëpinë botuese Regnery, në vlerë të 340.000 dollarëve.

Faqja online, Axios, ka raportuar të enjten se ai është duke shkruar një libër me kujtime, që pritet të publikohet më 2025 ose 2026.

Gjyqtari konservator Neil Gorsuch, i ka raportuar 250.000 dollarë për honorë të lidhura me libra, ashtu sikurse gjykatësja tjetër Sonia Sotomayor, për honorarë në vlerë të 87.000 dollarëve.

Të hyrat prej publikimeve janë të hyra shtesë përveç pagave të gjyqtarëve.

Këtë vit, tetë gjyqtarët do të marrin nga 298.500 dollarë, ndërsa kryegjyqtari, John Roberts, 312.000 dollarë.

Të hyrat financiare janë bërë publike për tetë prej nëntë gjyqtarëve, pasi gjyqtari Samuel Alito ka kërkuar shtyrje 90-ditore të afatit për të dorëzuar raportin e vet.

Allito është duke u kritikuar ashpër pas raportimeve për lidhje me tentimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të përmbysur humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ai ka refuzuar që të tërhiqet prej dy rasteve të lidhen ne rezultatin e zgjedhjeve të atij viti, si dhe me sulmin në Kongresin amerikan, më 6 janar të vitit 2021.

Alito ka thënë se disa flamuj që kanë asociuar me lëvizjen e Trumpit “Ndaleni vjedhjen” – thirrje e lidhur me rezultatin zgjedhor – janë vendosur në shtëpinë e tij nga gruaja e tij, dhe asnjëri nuk e ka ditur që lidhen me ish-presidentin.

Nën presion të madh, dhe për shkak të standardeve etike, gjyqtarët e kanë miratuar të nëntor të vitit të kaluar kodin e tyre të sjelljes.

Kritikët dhe disa demokratë kanë thënë se ky kod i etikës nuk shkon mjaftueshëm larg për të promovuar transparencë.

Demokratët e kanë përmendur edhe nevojën e hartimit të një legjislacioni, pasi Alito ka refuzuar të tërhiqet prej rasteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e vitit 2022. Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Krenare Cubolli

Presidenti Joe Biden fillon vizitën në Francë

VOA/Anita Powell

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden arriti të mërkurën në Francë për të shënuar 80-vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi. Ai planifikon gjithashtu që gjatë vizitës të theksojë nevojën për një aleancë të fortë transatlantike përballë agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti Biden do të takohet me presidentin e Ukrainës dhe me veteranë amerikanë, pjesëmarrës në sulmin për të marrë nën kontroll plazhet në Normandi në vitin 1944, tha këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. Presidenti Biden do të flasë, siç tha zoti Sullivan, për sakrificat që bënë heronjtë dhe veteranët para 80 vjetësh. Zoti Sullivan gjithashtu theksoi se Presidenti do të theksojë se “është detyrimi ynë të vazhdojmë misionin e tyre për të luftuar për liri”.

Zoti Sullivan, i cili foli me gazetarët në bordin e avionit gjatë rrugës për në Paris, tha se Presidenti Biden do të mbajë gjithashtu një fjalim të premten në Normandi. Gjatë fjalimit, Presidenti do të flasë për “luftën ekzistenciale midis diktaturës dhe lirisë”.

Ushtarëve iu desh të lëviznin mes të shtënave të armikut për të fituar betejën që përfundimisht çoi në çlirimin e Francës dhe në fundin e Gjermanisë naziste.

“Ai do të flasë për rrezikun e veprimeve që çojnë në izolim dhe rrezikun që nëse iu nënshtrohemi diktatorëve dhe nuk përballemi me ta, ata do të vazhdojnë dhe Amerika dhe e tërë bota do të paguajë një çmim të lartë”, tha ai.

Presidenti Biden do të marrë pjesë gjithashtu në një pritje shtetërore të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai do të ketë një takim edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili është ftuar në ceremonitë që kujtojnë betejën vendimtare që çoi në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Presidentët amerikanë rregullisht marrin pjesë në ceremonitë që shënojnë këtë përvjetor.

“Presidenti do të shkojë në Normandi për të përkujtuar sakrificat dhe trimërinë e ushtarëve, aleatëve dhe amerikanëve, të cilët luftuan atë ditë, duke marrë pjesë në Operacionin ‘Overlord’ që çoi drejt fundit të Gjermanisë naziste. Ky operacion gjithashtu shënoi fillimin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, që ne të gjithë vazhdojmë ta gëzojmë edhe sot”, tha për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby në Shtëpinë e Bardhë.

Këtu, thonë analistët, historia jep mësime.

“Zbarkimi ishte deklarata ushtarake e Aleatëve Perëndimorë se regjimet autoritare nuk mund të ndryshonin kufijtë me forcë”, thotë Mark Cancian, kolonel në pension i marinës amerikane dhe këshilltar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Ai përcolli mesazhin që vendet nuk mund të pushtohen dhe se regjimet autoritare të tipit të Gjermanisë naziste, shtypja e tmerrshme e popujve, veçanërisht e hebrenjve, jo vetëm që ishin të papranueshme, por nuk do të do të lejoheshin të ndodhnin”.

Analistët thonë se objektivat e zotit Biden për Ukrainën do të

mbeten nën hijen e një tjetër konflikti, që ai e ka përkrahur duke ngjallur pakënaqësi.

“Edhe pse padyshim Ukraina është përparësia kryesore për evropianët, ata po shohin se si politika e administratës së Presidentit Biden për Gazën po minojnë sigurinë evropiane në dy mënyra të ndryshme”, thotë Trita Parsi, nënkryetare e Institutit Quincy.

“Para së gjithash, kjo po shkatërron besueshmërinë që ka komuniteti i gjerë ndërkombëtar dhe vendet e pjesës jugore të botës tek perëndimi. Çdo bisedë për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, nuk do të merrej seriozisht, duke pasur parasysh atë që ka bërë administrata e Presidentit Biden”.

Ky udhëtim në Francë, një aleat i ngushtë i Uashingtonit, po bëhet pak para mbajtjes së disa takimeve të nivelit të lartë, duke përfshirë Konferencën për Paqe për Ukrainën. Aty pritet të mblidhen udhëheqësit e Grupit të 7 vendeve më të zhvilluara të botës. Më pas do të mbahet edhe një takim i nivelit të lartë të NATO-s.

Zëri i Amerikës e pyeti zotin Sullivan për rëndësinë e këtyre takimeve diplomatike për paqen në Evropë dhe më gjerë.

“Unë mendoj se ne duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë [presidentit rus Vladimir] Putin se ai nuk mund të ketë sukses dhe as të shkaktojë përçarje mes nesh”, u përgjigj ai. “Këto janë dy mesazhe që i kemi bërë më se të qarta, nga të cilat nuk do të heqim dorë. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer gjatë javëve të ardhshme për ta ritheksuar me forcë mesazhin tonë”.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara kontribuoi në këtë artikull

Austin: Lufta me Kinën nuk është as e afërt dhe as e pashmangshme

VOA/Marrë nga Associated Press

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha gjatë një takimi të lartë për sigurinë të shtunën se lufta me Kinën nuk ishte as e afërt dhe as e pashmangshme, pavarësisht përshkallëzimit të shpejtë të tensioneve në rajonin e Azi-Paqësorit. Shefi amerikan i mbrojtjes theksoi rëndësinë e ripërtëritjes së dialogut midis tij dhe homologut kinez, për të shmangur “përllogaritjet e gabuara dhe keqkuptimet.”

Zoti Austin i bëri komentet gjatë takimit të forumit të mbrojtjes Shangri-La në Singapore. Në prag të takimit, zoti Austin u takua për më shumë se një orë me Ministrin e Mbrojtjes të Kinës, Dong Jun. Ky ishte takimi i parë personal midis zyrtarëve të lartë të mbrojtjes që nga viti 2022. Kina i ndërpreu komunikimet ushtarake me Shtetet e Bashkuara pas një vizite nga kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Tajvan.

Pekini dhe Uashingtoni nuk kanë ndryshuar qëndrimet për Tajvanin. Kina pretendon se ishulli është pjesë e territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë Tajvanin. Kina po ashtu ka pretendime për Detin e Kinës Jugore, duke shkaktuar konfrontime të drejtpërdrejta mes Kinës dhe vendeve të tjera të rajonit, veçanërisht me Filipinet.

Ndërsa nuk pranoi ofronte detajoje specifike të bisedës me homologun kinez, zoti Austin tha se gjëja më e rëndësishme ishte se të dy drejtuesit po bisedonin përsëri.

Ministri i Mbrojtjes i Kinës, Dong Jun, do të mbajë një fjalim të dielën në forumin për sigurinë që zhvillohet çdo vit në Singapore. Vitet e fundit Pekini i ka zgjeruar me shpejtësi kapacitetet ushtarake detare ndërsa forcon pretendimet për pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore.

Pasi u shpall fajtor në 34 akuza, reagon për herë të parë Donald Trumpi

 

Donald Trumpi e ka filluar ditën e parë të plotë si një kriminel i dënuar në një mënyrë që do të jetë e njohur për ndjekësit e rregullt të republikanëve – me një zhurmë të zemëruar, të mbushur me shkronja të mëdha në internet.

Në një mesazh të gjatë në platformën e tij “Truth Social”, ai kërkoi të minimizonte provat në gjyq – duke pretenduar se “nuk ishte i përfshirë” në shkrimin e “shpenzimeve ligjore” në të dhënat e biznesit dhe duke shprehur mosbesimin se një gjë e tillë do të konsiderohej krim.

“Kontabilisti im e quajti ‘Shpenzime Ligjore’, në linjën e përshkrimit ‘të vogël’ të librit, një ‘shpenzim ligjor’, i paguar për avokatin tim, në atë kohë avokat plotësisht i akredituar dhe kredibil. Unë nuk isha i përfshirë në atë emërtim, por si do ta kishit quajtur tjetër ndryshe, në fakt, një shpenzim, ky është i ashtuquajturi ‘krim’”.

Ish-avokati i presidentit amerikan, Michael Cohen, ishte përgjegjës për kryerjen e pagesës për yllin e porno filmave, Stormy Daniels, e cila u pagua për të heshtur në prag të zgjedhjeve të 2016-ës.

Duke iu referuar kësaj, Trump shtoi se “avokati im, në atë kohë, bëri praktikisht gjithçka në lidhje me NDA (marrëveshje për mos zbulimin) dhe supozova se ajo që bëri ishte e saktë”.

Trump tha se ai nuk bëri “asgjë të gabuar” dhe tha se NDA-të janë “standarde, të përdorura zakonisht dhe ligjore”.

“Nëse më ndodhi mua, mund t’ju ndodh edhe juve!”, shkroi ai.

Trump2

Ndryshe, Trump u shpall fajtor në 34 akuza gjersa më 11 korrik do të dihet forma se si do të dënohet – burg apo para ose te dyja.

(Balkanweb)

Reuters: Mbështetësit e Trumpit bëjnë thirrje për trazira dhe reagim të dhunshëm pas vendimit

Mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump, të zemëruar nga dënimi i tij për 34 akuza për krime nga një juri në Nju Jork, vërshuan faqet e internetit pro-Trump me thirrje për trazira, revolucion dhe ndëshkim të dhunshëm.

Pasi Trump u bë presidenti i parë i SHBA-së që u dënua për një krim, mbështetësit e tij u përgjigjën me dhjetëra postime të dhunshme në internet, sipas një rishikimi të komenteve të Reuters në tre faqe interneti të lidhura me Trump.

Disa kërkuan sulme ndaj anëtarëve të jurisë, ekzekutimin e gjyqtarit, Juan Merchan, ose luftë të drejtpërdrejtë civile dhe kryengritje të armatosur.

“Dikush në NY që nuk ka asgjë për të humbur duhet të kujdeset për Merchan,” shkroi një komentues.


Në Gateway Pundit një poster sugjeronte që të qëlloheshin liberalët pas vendimit.

Kërcënimet e dhunës dhe retorika frikësuese u rritën pasi Trump humbi zgjedhjet e 2020 dhe pretendoi në mënyrë të rreme se vota ishte vjedhur. Ndërsa ai bën fushatë për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trump i ka cilësuar pa bazë gjyqtarët dhe prokurorët në gjyqet e tij si mjete të korruptuara të administratës Biden, me qëllim sabotimin e ofertës së tij në Shtëpinë e Bardhë. Besnikët e tij janë përgjigjur me një fushatë kërcënimesh që synojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e gjykatave.

“Ky ishte një turp, ky ishte një gjyq i montuar nga një gjykatës konfliktuoz i cili ishte i korruptuar,” u tha Trump gazetarëve, duke iu bërë jehonë komenteve që ai bënte shpesh gjatë gjyqit.

Një juri prej 12 anëtarësh e shpalli Trumpin fajtor të enjten për falsifikimin e dokumenteve për të mbuluar një pagesë për të heshtur rrëfimin e një ylli të filmave për të rritur për një takim seksual përpara zgjedhjeve të 2016-ës. Dënimi është caktuar për 11 korrik, disa ditë përpara se Partia Republikane të planifikojë të emërojë zyrtarisht Trumpin për president përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Trump ka mohuar keqbërjen dhe pritet të apelojë.

Trump vazhdoi sulmet e tij në internet pas vendimit.

Në Truth Social, ai e quajti Merchan “shumë konfliktual” dhe kritikoi udhëzimet e tij ndaj jurisë si të padrejta.

Një komentator u përgjigj duke postuar një foto të një xhelati dhe një laku me mbishkrimin: “Mafiozi tradhëtar i sistemit të drejtësisë”.

Jacob Ëare, një bashkëautor i librit “Zoti, armët dhe kryengritjet: Terrorizmi i ekstremit të djathtë në Amerikë”, tha se gjuha e dhunshme e përdorur nga ndjekësit e Trump ishte testament i “aftësisë së hekurt” të ish-presidentit për të mobilizuar mbështetës më ekstremistë për veprim, si në kutinë e votimit, ashtu edhe me dhunë.”

Një zëdhënës i Truth Social tha: “Është e vështirë të besohet se Reuters, dikur një shërbim i respektuar i lajmeve, ka rënë aq poshtë sa të publikojë një artikull kaq manipulues, të rremë, shpifës si ky, thjesht për inat politik.”

Të tre faqet kanë politika kundër gjuhës së dhunshme dhe disa nga postimet u hoqën më vonë. Përfaqësuesit e Patriots.Win dhe Gateëay Pundit nuk i kthyen menjëherë kërkesat për koment. Një zëdhënës i Trump gjithashtu nuk iu përgjigj një emaili që kërkonte koment.

Pas vendimit të së enjtes, shumë nga mbështetësit e tij thanë gjithashtu se bindja e tij ishte provë se sistemi politik amerikan ishte thyer dhe se vetëm veprimet e dhunshme mund ta shpëtonin vendin.

“1,000,000 burra (të armatosur) duhet të shkojnë në Uashington dhe t’i varin të gjithë. Kjo është zgjidhja e vetme”, thuhet në një postim në Patriots.win.

Një tjetër shkruan:  “Trump duhet ta dijë tashmë se ai ka një ushtri të gatshme të luftojë dhe të vdesë për të nëse thotë fjalët… Unë do të marr armët nëse ai më kërkon.”

Ndërsa postimet e identifikuara nga Reuters të gjitha bënin thirrje për dhunë ose kryengritje, shumica nuk përmbushnin standardin ligjor për një kërcënim penal, i cili zakonisht kërkon prova që komenti pasqyron një qëllim të qartë për të vepruar ose futur frikë, në vend që thjesht të sugjeronte një rezultat të frikshëm.

Megjithatë, një studiues që studion ekstremistët tha se vendimi i fajësisë mund të frymëzojë dhunë duke përforcuar një bindje mes disa prej mbështetësve të Trump se ai është viktimë e një komploti të orkestruar nga armiqtë e tij.

“Unë mendoj se shumë nga këta njerëz kanë kërkuar një justifikim për t’u mobilizuar për një kohë,” tha Amy Cooter nga Qendra për Terrorizmin, Ekstremizmin dhe Kundërterrorizmin e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare Middlebury.

“Shpresoj se jam gabim. Megjithatë, kam thënë për një kohë të gjatë se nuk do të tronditesha nëse do të shihja dhunën si rezultat i një vendimi fajësie, qoftë drejtuar juristëve” ose të tjerëve të lidhur me çështjen”.bw

Shpallja fajtor e Donald Trumpit, çfarë duhet të dini…

Ish Presidenti Donald Trump teksa largohet pas vendimit të jurisë që e shpalli atë fajtor për falsifikim të dokumenteve, Nju Jork, 30 maj, 2024

VOA/Marrë nga Associated Press

Shpallja fatjor e Donald Trumpit për 34 vepra penale shënon fundit e procesit historik gjyqësor penal ndaj ish Presidentit, por beteja për këtë çështje vazhdon.

Tani është koha e dënimit dhe mundësisë së dënimit me burg. Një proces i gjatë ankimimi. Dhe në të njëjtën kohë, kandidati i pritshëm republikan për president, duhet të vazhdojë të përballet me tre çështje të tjera penale dhe me fushatën elektorale, në fund të së cilës, ekziston mundësia që të kthehet përsëri në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Juria në Manhatan e shpalli zotin Trump fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila thotë se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin.

Zoti Trump u tha gazetarëve se ishte “i pafajshëm”.

Disa nga elementët kryesorë që duhet mbajtur parasysh pas vendimit të jurisë.

Shpallja fatjor e Donald Trumpit për 34 vepra penale shënon fundit e procesit historik gjyqësor penal ndaj ish Presidentit, por beteja për këtë çështje vazhdon.

  • Kur caktohet masa e dënimit? Gjykatësi njoftoi se do ta shqiptojë vendimin më 11 korrik, vetëm disa ditë para se republikanët ta zgjedhin zyrtarisht si kandidat për president
  • E drejta e zotit Trump për të votuar: Ai mund të dënohet dhe të banojë në Florida, por përsëri mund të votojë, për sa kohë nuk është në burg në shtetin e Nju Jorkut.
  • A do të ndikojë dënimi i zotit Trump në zgjedhjet presidenciale? Mbetet e paqartë nëse shpallja e tij fajtor për vepra penale do të ketë ndikim tek votuesit.

BURGIM?

Pyetja e madhe që shtrohet tani është nëse zoti Trump mund të burgoset. Përgjigja nuk dihet. Gjykatësi Juan Merchan njoftoi se masën e dënimit do ta shqiptojë më 11 korrik, vetëm disa ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan, ku zoti Trump pritet të shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president.

Akuza e falsifikimit të të dhënave të biznesit është një nga veprat më të lehta penale në shtetin e Nju Jorkut. Për këtë vepër parashikohet dënim deri në katër vjet burg, megjithëse dënimi në fund i takon gjykatësit dhe nuk ka asnjë garanci se ai mund të vendosë që zoti Trump të qëndrojë pas hekurave.

Masat e të tjera të dënimit mund të përfshijnë gjobë ose dënim me kusht. Po ashtu ekziston mundësia që gjyqtari të lejojë zotin Trump të mos vuajë asnjë masë dënimi derisa të ketë përfunduar i gjithë procesi i apelimit të vendimit.

Dënimi nuk e ndalon zotin Trump që të vazhdojë fushatën e tij. Bashkëshortja e djalit të ish-presidentit Trump, Lara Trump, e cila është bashkëkryetare e Komitetit Kombëtar Republikan, tha në një intervistë në rrjetin Fox News të enjten se nëse zoti Trump dënohet dhe nëse dënohet me arrest shtëpie, ai do t’i bënte virtualisht tubimet elektorale dhe takimet e tjera në kuadër të fushatës.

MUNDËSITË PËR APELIMIN E VENDIMIT

Pasi zoti Trump të dënohet, ai mund të kundërshtojë dënimin në gjykatën e apelit dhe ndoshta në gjykatën e lartë të Nju Jorkut. Avokatët e Trump tashmë kanë hedhur bazat për të apeluar, duke kundërshuar akuzat dhe vendimet gjatë procesit gjyqësor penal.

Avokatët e e zotit Trump e kanë akuzuar gjyqtarin Juan Manuel Merchan për njëanshmëri, duke përmendur faktin se e bija drejton një kompani, klientë të së cilës, ndër të tjerë kanë qenë Presidenti Joe Biden, Nën Presidentja Kamala Harris dhe demokratë të tjerë. Gjykatësi refuzoi kërkesën e mbrojtjes për t’u larguar nga çështja, duke u shprehur i sigurt në “aftësinë për të qenë i drejtë dhe i paanshëm”.

Avokatët mund të hedhin në apel vendimin e gjykatësi për të kufizuar dëshminë e një eksperti.

Avokatët e zotit Trump donin të thërrisnin për të dëshmuar Bradley A. Smithin, një profesor i juridikut të cilin ish-presidenti Bill Clinton e pati emëruar në Komisionin Federal Zgjedhor (FEC). Mbrojtja synonte të rrëzonte pretendimin e prokurorisë se pagesat janë bërë në shkelje të ligjeve për financimin e fushatave elektorale.

Por në fund, pala mbrojtëse nuk e thirri atë për të dëshmuar pasi gjykatësi Merchan vendosi që zoti Smith mund të jepte informacion në lidhje me Komisionin Federal Zgjedhor, por, atij nuk i lejohet të interpretonte se si ligjet për financimin e fushatave zgjedhore lidhen me faktet e procesit gjyqësor ndaj zotit Trump, apo të jepte ndonjë opinion, nëse veprimet për të cilat akuzohet ish-presidenti mund të kenë shkelur apo jo këto ligje.

Mbrojtja mund të argumentojë gjithashtu se anëtarët e jurisë u lejuan në mënyrë të papërshtatshme të dëgjonin dëshmi nga aktorja pornografike Stormy Daniels në lidhje me marrëdhënien e pretenduar intime me zotin Trump me të në vitin 2006.

Juria e shpall fajtor, Donald Trump ish Presidenti i parë që dënohet për vepra penale

Ish Presidendit Donald Trump shpallet fajtor për 34 akuzat e ngritura ndaj tij

VOA/Marrë nga Associated Press

Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale të enjten pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila thotë se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin.

Juria, e cila u tërhoq për afro 10 orë për të dalë me vendim, e shpalli zotin Trump fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij.

Ish Presidenti Donald Trump në sallën e gjyqit

Ish Presidenti Donald Trump në sallën e gjyqit

Ndërsa lexohej vendimi, ai qëndronte me një vështrim të ngrirë , ndërsa nga jashtë sallës së gjyqit dëgjoheshin brohorima nga njerëzit mbledhur aty jashtë, si kundërshtarë edhe përkrahës të tij.

“Ky ishte një gjyq i manipuluar”, tha zoti Trump duke dalë nga salla e gjyqit. “Vendimi i vërtetë do të jepet më 5 nëntor nga populli. Ai e di se çfarë ka ndodhur dhe të gjithë e dinë çfarë ndodhi këtu”, u shpreh ai.

Ish Presidenti Donald Trump duke u larguar nga Gjykata e Manhatanit, Nju Jork, 30 maj, 2024.

Ish Presidenti Donald Trump duke u larguar nga Gjykata e Manhatanit, Nju Jork, 30 maj, 2024.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur zoti Trump pritet të jetë kandidati i pritshëm republikan përballë presidentit demokrat Joe Biden.

Zoti Trump pritet ta apelojë vendimin dhe do të ndeshet me një realitet të ri, të pazakontë, ndërsa kthehet në fushatë elektorale, por tani si i dënuar për krime.

Gjykatësi Juan Merchan njoftoi se masën e dënimit do ta shqiptojë më 11 korrik, vetëm disa ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan në shtetin Viskonsin, ku zoti Trump pritet të shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit është një vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg deri në 4 vjet, edhe pse prokurorët nuk janë shprehur nëse do të kërkojnë dënim me burg dhe është e paqartë nëse gjykatësi do të caktonte një masë të tillë edhe nëse i kërkohej. Dënimi, apo edhe burgimi, nuk e pengon zotin Trump të vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorët thonë se zoti Trump falsifikoi të dhënat për të fshehur rimbursimet për ish-avokatin e tij Michael Cohen, i cili i pati paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump të një dekade më parë.

Ish-presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar pafajësinë, ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels dhe thotë se pagesat për zotin Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore.

Zoti Trump përballet edhe me tre çështje të tjera penale, por rasti që u shqyrtua në Nju Jork mund të jetë i pari që mbyllet përpara zgjedhjeve të nëntorit, duke ia shtuar edhe më shumë rëndësinë vendimit.

Edhe pse ndërlikimet ligjore dhe historike mbi vendimin janë të dukshme, pasojat politike nuk dihen, pasi vendimi më tepër mund t’i forcojë opinionet ekzistuese për zotin Trump, sesa të ndikojë për t’i ndryshuar ato.

Për çdo kandidat tjetër, një dënim nën akuza kriminale do të thoshte përfundim i garës për president, por karriera politike e zotit Trump i ka rezistuar dy përpjekjeve në Kongres për ta shkarkuar, akuzave për abuzim seksual, hetimeve të ndryshme, që nga lidhjet e mundshme me Rusinë, tek ato për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve dhe në një plan më personal, komentet e tij, që u bënë publike, se mund të bënte me gratë ç’të donte meqë ishte i famshëm.

Akuzat për të cilat i u shpall fajtor janë gjithsesi më pak të rënda sesa akuzat e tjera me të cilat ai ndeshet në tre çështje të tjera penale, ku ai është akuzuar për përpjekje për të minuar demokracinë amerikane dhe për mbajtje të paligjshme të dokumenteve tepër sekrete.

Republikanët nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se po e tërheqin mbështetjen ndaj zotit Trump. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson përmes një deklarate u shpreh se kjo është “një ditë e turpshme për historinë e Amerikës”. Ai e quajti gjyqin një “proces tërësisht politik dhe jo ligjor”.

Gjyqi i Trumpit: Vendimi i jurisë pritet në ditët në vijim, vendimi duhet të jetë unanim

VOAL- Gjyqi kundër ish-presidentit Donald Trump ka arritur në fazën përfundimtare, bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve. Pas gjashtë javësh gjyqi, juria u tërhoq për të vendosur nëse kandidati për Shtëpinë e Bardhë falsifikoi dokumente për të fshehur pagesën prej 130,000 dollarësh për yllin porno Stormy Daniels dhe për të marrë heshtjen e saj për të shmangur një skandal. Një vendim që mund ta zhysë fushatën presidenciale në një skenar krejtësisht të ri, edhe nëse, në rast dënimi, Trump do të jetë në gjendje të vazhdojë si kandidat.

Vendimi i jurisë duhet të jetë unanim dhe pritet të merret në fund të javës. Gjykatësi Juan Merchan paralajmëroi anëtarët e jurisë që të mos marrin vendime “të bazuara në stereotipe ose paragjykime” dhe të lënë mënjanë “çdo opinion personal që keni për ose kundër të pandehurit”, duke vlerësuar kështu vetëm faktet dhe provat në dispozicion.

Ka 34 akuza dhe Trump rrezikon një gjobë deri në katër vjet burg. Krimi kryesor për të cilin akuzohet ka të bëjë me mashtrimin e mundshëm të votuesve në vitin 2016. Duke dalë nga gjykata, Trumpi foli për një Gjykatë të korruptuar.

Ndërkohë, në frontin presidencial, gazeta amerikane The Wall Street Journal ka zbuluar se lideri i Tesla dhe “X” Elon Musk mund të jetë këshilltar i Trumpit nëse ai fiton. Të dy thuhet se janë takuar në mars në Florida.


Send this to a friend