Bashkësisë së New Yorkut i mungon diçka me humbjen e Nexhat Peshkëpisë. Nexhati nuk ishte nga ata që t’imponohej me forcën brutale, ose mbrapa funqisë politike të ndonjë grupi dhe ca me pak të ndonjë persone. Nexhati kërkonte të të bindte t’a njihnje për atë q’ishte për atë që ndiente dhe për atë që dinte. Fizikisht ka qënë kurdoherë i dobët dhe mërgimi i gjatë e kishte ligështuar më fort se cilindo tjetër. Me gjithë këto ai kishte arritur te fitonte zëmrat e pjesës së shëndoshë të rinisë me fjalën e tij t’ëmbël dhe me pendën e tij prekëse dhe bindëse.
Humbja e Nexhatit pikëlloi, me të drejtë, shumë veta dhe pjesëmarrja me shumicë dhe pa dallim në varrimin e tij, dëshmoi nderimin e thellë për të, si dhe dëmin e madh që pësonte bashkësia e jonë me humbjen e tij.
Shtypi i emigrimit është marrë gjer’e gjatë me Nexhatin dhe është munduar t’i vërë në dukje vleftat e tij letrare dhe atdhetare. Per hir të së vërtetës, Nexhati e ndieu emigrantin shqiptar me tepër nga çdo priës tjetër, i foli gjuhën e tij, e kuptoi dhe i shërbeu. Nuk është vetëm nëpërmjet të shkrimeve të tij që Nexhati lartësohet, por nëpërmjet t’atij aktiviteti shoqëror, t’asaj sjelljeje njerëzore dhe fisnike të tij dhe sidomos të fjalës së tij, që dilte nga zëmra me afshin e gëzimit ose të hidhërimit, gjithënjë me një arësyetim filosofik që e dallonte nga të tjerët dhe që ishte krejt i Nexhatit.
Humori i tij i hollë, por jo fyes. Merrte shpesh herë në lojë vetveten, si të donte të lehtësonte injorancën dhe shëmtin e të tjerëve.
Nexhatit i pëlqenin diskutimet dhe dëndur binte në kontradikcione, por gjustifikohej dyke thënë se ay kur flitte “hapte zëmrën dhe thoshte ç’i diktonte zëmra dhe jo llogjika”.
Shoqëria ka nevojë për njerës si Nexhati, për filosofinë e tyre të jetës, për parimet morale, për mirëvetin shoqërore të bazuara ne kode njerëzore dhe dinjitoze. Ndryshimet radikale të botës të këtyre dhjet-vjetve të fundit e gjenin Nexhatin pak më të pregatitur nga të tjetrët. Nexhati e kuptonte më mirë rininë e sotme dhe aspiratat e saj, se ay vetë kish kontribuar për një rini te vetëdijshme të fateve të veta.
Nexhati kishte lëxuar gjithë klasikët francezë dhe italianë, gjuhët e të cilëve i zotnonte për bukuri, dhe nëpërmjet të këtyre gjuhëve ishte munduar të familjarizonte edhe me klasikët gjermanë, englezë, spanjollë dhe akoma edhe me klasikët persianë. Mbassi la shkollën, Nexhati u muar fare pak me studimet e mathematikës dh ete fizikës, për të cilat dukej se kishte një prirje kur ishte në shkollë. Ai u-muar me punën e të shkruarit qysh në fillim të luftës dhe u-shqua si elementi më i dobishëm i shtypit në radhët e Ballit Kombëtar. Në shkrimet e tij nuk shifet ndonjë përpjekje për të kërkuar të vërtetën dhe për t’i shërbyer esklusivisht asaj, edhe kjo për arsye se ndjenjat e tij patriotike janë aqë të thella dhe të rrëmbyera, sa shpash herë nuk është i zoti as t’i frenojë as t’i mohojë. Pikërisht për këto ndjenja Nexhati qëndron me nder në radhët e Naimit, të Çajupit dhe të Shirokës. Nexhat Peshkëpia vdiq në varfëri si gjithë patriotët e kulluar. Por feneri që la është me dritë të përjetshme, që sigurisht do të ndriçojë brezat e ardhëshëm në gjurmët e tij të pavdekura.
Komentet