NEXHATI NA LA, NE, TE PIKELLUAR, E NDJEJME
MUNGESEN E TIJ NGA RADHET TONA
DHE KUJTIMIN E MERITAVE, TE CILESIVE E
TE VIRTYTEVE TE TIJ E MBAJME TE GJALLE,
TE PAHARRUAR NE ZEMRAT E NE SHPIRTRAT
TONA.
Hasan Dosti
Nexhat Peshkëpia, Nexhati ynë i dashur, nuk është më midis nesh. Iku, na la për gjithëmonë! Na u rrëmbye prej rrebeshit të ligjës fatale të të gjallëve të kësaj bote! Shkoi në botën tjetër, n’atë, që theollogjia na thotë, se është e përjetshme e pambaruarshme.
Nexhati, i sëmurë rëndë, muajt e fundit të jetës së tij i shkoi në Detroit, në kujdesin e kushririt të tij Eqrem Peshkëpisë e të bashkëshortes së këtij, zonjës Nekije. Nexhati dha shpirt me fjalë ne gojë, i qarkuar prej familjarëve Peshkëpia dhe mikut të tij Dr. Hysni Aliqemali.
Nexhati u varros në tokën gjeneroze t’Atdheut të Gjergj Washingtonit. Arkivol’ i Nexhatit i thurur me kurorë prej lulesh e dafinash, të shpuara e të dërguara, u përcuall në banesën e fundit prej qindrave bashkatdhetarësh, që ekzaltuan jetën e të vdekurit me çfaqje përdhimbjesh e me fjalime përkujtimore.
Kjo pjesëmarrje e Shqipëtarëve të mërgimit në zin e vdekjes dhe në ritualin e varrimit, ngushëllon anëtarët e familjes Peshkëpia të Shqipërisë e të mërgimit, për t’a ndjerë më të lehtë idhërimin e vdekjes të të dashurit të tyre.
* * *
Nexhati është bir i degës së familjes Peshkëpia të qytetit Gjinokastër, e vendosur prej dy brezazh në Vlorë. Emri i vjetër i kësaj familje në Gjinokastër është “Tajaraj”. Emërtimi Peshkëpia duhet t’i ketë ardhur nga Hani dhe nga tokat, që zotnonte e shfrutëzonte në katundin Peshkëpi, afërsisht njëzet kilometra në jugëlindje të qytetit Gjinokastër, në rrugën e vjetër që hiqte për Janinë, katund i përmendur në këngët popullore heroike të Labërisë, në përkujtim të përpjekjeve armate, sidomos të asaj së 1847-tës, ndodhur midis Shqipëtarëve kryendgritës dhe ushtërisë turke.
Kjo, dega e familjes Peshkëpia e vendosur ne Vlorë, e marrë me tregëti e ndërmarrje çifliqesh, ka pasë vënë nje pasuri mjaft të rëndësishme në Vlorë qytet, në Myzeqe e në Mallakastër.
Kjo fëmijë borgeze, e duhet të them të vërtetën, e bërë në Vlorë latifondiste, është mbajtur fortësisht e lidhur me traditën kulturore të qytetit Gjinokastër. Keshtu, besnikë të traditës së qytetit të prindërve, djemt e kësaj familje i u vunë rrugës s’arsimit në shkollat e asaj kohe në gjuhën turke në Vlorë, Gjinokastër, Janinë e Stamboll.
I at’i Nexhatit, i dalë nga radhët e liceut në gjuhën frëngjisht, Sultani “Galata Saraj”, diplomohet nga fakultet’i mjekësisë te Universitetit te Stambollit, doktor; vëllaj me i vogël, Talipi, mbaron fakultetin e drejtësisë së këtij universiteti; ungji i tyre, Azizi, ndjek mësimet e seminarit dhe diplomohet nga fakulteti i theollogjisë dhe i së drejtës kanonike islame.
Gjithashtu dhe mjaft i edukuar në seminar ka qenë dhe biri tjetër i kësaj fëmije, Hyseni, at i Eqremit.
* * *
Këta bij të edukuar të familjes Gjinokastrite të vendosur në Vlorë, nuk u larguan nga Shqipëria për t’u emëruar nëpunës në vënde të ndryshme të Perandorisë turke. U mbajtin të lidhur me shpirtin e veçurinat e regjionalizmit gjinokastrit, në të gjitha çfaqjet e jetës familiare e shoqërore.
Doktor Tahsin Peshkëpia i vendosur në Vlorë, si mjek, i pajosur me kulturë të lartë, i familjarizuar me gjuhën frëngjishte dhe nevojisht i mbajtur në rrjedhim të zhvillimeve politike ndërkombëtare, i u kushtua edhe kauzës së patriotizmit shqipëtar.
Në fakt, në muajt e parë, pas 24 Korrikut 1908, dat’e prokllamimit të konstitucionalitetit të Perandorisë Otomane, në Vlorë ─ si dhe në shumë qytete të tjerë të Shqipërisë ─ themelohet klubi politik e kulturor i pagëzuar me emrin “Labëria”. Ai i Gjinokastres quhet “Drita” në përkujtim të së përkoheshmes së parë, botuar në gjuhë e me shkronja shqip te Shoqërisë së Stambollit, më 1882, prej Patriotit Petro Poga, nga katundi Erind i Gjinokastrës.
Doktor Tahsini, i lindur në Vlorë prej prindërve gjinokastritë “Tarajaj-Peshkëpia, nga ana e atit dhe “Omari-Selfo” nga ana e s’ëmës, me pregatitjen kulturore dhe me eksperiencën politike të tij, ka qenë një nga anëtarët më të çquar të Këshillit drejtuës të Klubit Labëria të Vlorës dhe mbahej, njëkohësisht, në lidhje bashkëpunimi me Klubin Drita të Gjinokastrës.
* * *
Në Vlorë, më 1910, ndodhi një incident politik i rëndë: bëhet një atentat kundra jetës së oficerëve të garnizonit turk. Qeverria procedon në marrje masash të shpejta: arrestime, burgime e denoncime në gjykatën ushtarake.
Midis të akuzuarve është edhe Doktor Tahsin Peshkëpia. Në këtë rast ndërhyn Ferid Pasha Vlora, i cili ka pasë njohur doktorin gjinokastrit si student në Stamboll dhe si bashkëpronar të çiflikut Ferras të Myzeqesë, përtej Vioses. Kështu të akuzuarit i kursehet burgimi, por destinohet si mjek i internuar ne Xhide një nga portat detare të Arabisë Saudite të sotme.
Është këtu që doktor Tahsini ka vdekur dhe është varrosur, dyke lënë të ve gruan Merzo me dy djem në moshë të foshnjërisë: Manushin e vogël të martirizuar me 1953 në Tiranë dhe Nexhatin, dy vjet më të madh, të mbuluar në Detroit.
Ideali patriotik i doktor Tahsinit nuk u varros me të në Xhide. Mbeti traditë e trashëguar në familjen Peshkëpia të degës së Vlorës. Hyri edhe në shpirtin e në zemrën e kadiut plak, Mulla Azizit, i cili, si delegat i Gjinokastrës, ka vënë nënshkrimin e tij, me gërma arabisht, ne protokollin e aktit të shpalljes së Indipendencës te Shtetit Shqiptar, me 28 Nëntor 1912, në Vlorë.
* * *
Nexhati edukatën e parë e ka formuar në shkollën fillore italiane të Vlorës, dyke ndjekur njëkohësisht edhe mësimin e shqipes, që jepej, pas 1915-tës, në një godinë të veçantë, në lagjen Muradije prej Jan Mingës, Thoma Papapanos, Halim Xhelos, e më vonë, edhe prej Avni Rustemit, në një farësoj mbikëqyrje të drejtorit didaktik Italian, Salvaotre Saporetti. Kështu donin kohët e rrethanat.
Eshtë këtu në Vlorë, në një nga ditët e vitit shkollor 1915, që më kujtohet, se kam parë e njohur, për herë të parë, Nexhatin e vogël, shtat shkurtër e fëtyrë murrm, rastësisht të paraqitur, si bir fëmije gjinokastrite, prej Thoma Papapanos.
Nexhati, mbas mbarimit të shkollës fillore të Vlorës, dërgohet në Itali për të ndjekur mësimet e mesme. Ungji i tij, Talipi, avokat e tregtar në Vlorë, orienton nipin në studime të dishiplinave ekonomike-tregtare dhe e vendos në Istitutin Briganti të Leçes. Nexhati si bir i lindur i fëmijës së tipit gjinokastrit, ndjek rendin e mësimeve të caktuar prej ungjit dhe mbaron me sukses shkollën e mesme, por del prej kësaj nxënës i pakënaqur. Edukata e formuar në kolegjin e Leçes, nuk ish edukatë e gustos së tij. Studimet universitare Nexhati i ka ndjekur në Belgjikë.
Për çfarë lloj studimesh qënë Nexhati nxënës i talentuar? Është gjë mjaft e vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, që i vë vetes s’ime. Në vijë të parë, them se Nexhati nuk ka pasur aspak vokasion për shkencat ekonomike dhe, mund të shtoj, as për ato socialet.
Në këtë rend idesh, mund të thuhet se Nexhati ka qenë shpirt i hapur si në shkëncat pozitive fizike-mathematike, ashtu dhe në letërsi.
Ne Shqipëri Nexhati, si profesor i mathematikës në shkollat e mesme, ka dhënë prova të dukëshme të pregatitjes së mirë e të kompetencës së plotë në zhvillimin metodik te programit të lëndës.
* * *
Me gjithë këtë, unë mendoj se Nexhati ka pasur prirje më të theksuar për letërsi. Pa qënë i familjarizuar me humanitetet klasike, Nexhati ka mësuar, thethitur e tretur mjaft mirë letërsinë moderne të gjuhrave italisht e frëngjisht. Asnjë gjini letrare e këtyre dy gjuhrave, nuk i ka mbetur e huaj Nexhatit.
Por, përmbi të gjitha, Nexhatit i bënte shpirti krahë, i fluturonte, i orientohej në drejtimin e Romantiçizmit frances. Është ky që i ka qënë caktuar si epiqendër e burimeve të inspiratave në orozonte të tjerë. Veprat e Jean Jacques Rousseau-jt, sidomos “Emiles” i këtij, të Lamartine-it, të Chateaubriand-it, Victor Hugo-jt e të tjera, Nexhatit i kanë prekur e vënë në lëvizje ndjesin e shpirtit dhe përfytyrimin e trurit.
Natyrisht, Nexhati nuk ka harruar të këndojë dhe Parnasianët dhe sidomos veprat e Theophile Gautier dhe “Les fleurs du mal” të Baudelaire-it. Bashkërisht, ndjesia e fantazia e kanë shtyrë Nexhatin e lindur e të formuar me edukatë laike, të vihet dhe në këndim të librave të lëndës me përmbajtje fetare e mistike. Gjat bisedimeve që bënim gjer në fund te vitit 1960, kur unë e lashë New York-un, kisha vënë re, se Nexhatit i qe shtuar e forcuar zelli studimeve të ketij rendi. I pëlqente të bënte krahasime midis novelave historike-fetare të rusit Dhimitri Merezhkovsky, te veprave te Chateaubriand-it “Les Martyrs” dhe të Pascal-it mistik e ashqetik, dua te them jo të Pascal-it të shkencës e të fillosofisë.
Nuk do të më harrohet kurrë, se në tryezën e ngushtë të dhomës së shtratit, ku në ditët e para të këtij viti, u pam e u puthëm, për herë të fundit me Nexhatin, gjeta librin “Les Pensées” të Pascalit, që ka për objekt apologjin e Krishterimit, libër të cilin i sëmuri e këndonte, me përsëritje të shumëhershme, për defrim shpirti, në orët kur ndjehej diçka i lehtësuar nga dhëmbjet.
Nuk mbetet me kaqë. Nxehtësia e shpirtit letrar e shtyn Nexhatin të merret me studime të poemave e të psalmeve te kohrave te traditave biblike të botës së Izrailit. Lejohem të them, pa frike gabimi, se nuk është fort i madh numuri shqipëtarëve, që kanë kënduar me aqë zell, vullnet e pasion si Nexhati veprat ─ të përkthyera në frëngjisht ─ “Ecclesiaste” dhe “Job” te historisë së vjetër.
Kultura e Nexhatit nuk ka qënë kufizuar vetëm në fushën e prozës, Nexhati ka qënë edhe vjershëtar në kupëtimin e vërtetë të shprehjes, ka qënë dashuruës i vjershës, por u a lëmë kompetentëve gjykimin mbi vleftën artistike të disa pak botimeve të tij të kësaj gjinie letrare.
* * *
Po kthehem në sa përmenda më sipër: unë Nexhatin e kam njohur djalë, në moshën e vogëlisë, me 1915. Familiaritetin e ngushtë me të e kam formuar më 1938, kur u vendosa, për herë të dytë, në Tiranë, si gjyqtar i Diktimit. Gjat bashkëfjalimeve që kishim me të, herë pas here, kisha vënë re, se politika nuk ishte lëndë e gustos së tij. Shpirti politik Nexhatit i u lind pas datës të së Premtes së Zezë, 7 Prill 1939 dhe i u zhvillua, dalngadalë, nga rrjedhimi i ngjarjeve t’asaj periudhe te hidhur të pushtimit italian.
Ky rend kallëzimesh, tani që po shkruaj këto radhë, kushtuar Nexhatit të vdekur, më sjell ndër mend kujtime ndodhjesh të fiksuara në trurin tim!
Jemi në muajt shtator tetor te 1940-tës, kur ushtëria italiane bënte përgatitjet e goditjes së Greqisë, dyke pasur si pikënisje tokën e Shqipërisë. Ne Komitetin e ngushtë e anonim, të formuar në Prill 1939, pas së Premtes së Zezë, virtualisht, nën kryesinë e shpirtmadhit, Mid-hat Frashëri, të shtuar në numur të anëtarëve e të vënë në kuadro organike në Shtator t’atij viti, Komitet në të cilin un’ isha anëtar, zhvilloheshin vijimisht bisedime të përfunduara në vendimin që shqipetarët nuk duhej të merrnin anë në luftën italo-greke. Ky Komitet dolli haptas në fushën e vepërimtarisë në dimrin e vitit 1942 dhe i u dha emri “Balli Kombëtar”.
Më kujtohet se gjat këtyre muajve, Prill-Shtator 1939, i jam hapur, fort së largu, Nexhatit mbi ekzistencën e funksionimin e këtij komiteti. Nga ditët në javë, rrethanat rrokullisen. Arrijmë me 23 Nëntor. Ushtëria greke pushton Korçën. Autoritetet ushtarake, sigurisht me ndërhyrjen e inglezit shqiptarofil, kolonelit Hill, lejojnë përkujtimin e ditës së çpalljes së pamvarësisë sonë, me flamur të ngrehur e me demostrata në rrugët e qytetit dhe valët e radio Athinës paralajmërojnë se ushtëria greke, nga Korça, do të marshojë mbi Tiranë, për të çliruar Shqipërinë, por nuk përmend që Korça, djep i kulturës dhe patriotizmit shqipëtar, do të mbetej, ashtu siç kishte qënë, gjymtyrë natyrale e paçkëputëshme e trupit t’Atdheut te Skënderbeut.
Pas pak, në Dhjetor, ushtëria greke hyn në Gjinokastër. Është pikërisht pas kësaj date, që takimet e mija me Naxhatin bëhen më të shpeshta. Pushtimi i Gjinokastrës ishte një fakt lufte, por faktet japin shpesh, në lëmin politik, dhe pretekste pretendimesh, që, në disa rrethana bëhen të vlefshëm për themelim të drejtash.
Ngritja e flamurit grek në fortesën e Gjin Bua Shpatës, preku gjithë shqipëtarët dhe, vjen vetvetiu, gjinokastritët dhe veçanërisht neve, të disa eksperiencave politike, që çmonim delikatesën e problemit, që mund të vihej në të ardhmen, nga fakti vetë i vënjes këmbë të evzonit.
Nuk më harrohet një bisedim, që kam pasur me Nexhatin, një të Dielë të Dhjetorit 1940 ose të Jenarit 1941, por kurdoherë, pas pushtimit të Gjinokastrës, në shtëpinë time, në një drekë modeste, të shtruar prej gruas sime, e cila ishte edhe kushrirë e Nexhatit, nga ana e s’ëmës së tij. Me këtë rast, i kam bërë Nexhatit një ekspoze mbi gjëndjen demodrafike dhe mbi sintezin ethnic të provincës së Gjirokastrës. Kështu, i kam bërë një përshkrim të hollësishëm mbi fazat, nga të cilat ka kaluar problemi poetik i Gjirokastrës, që nga Kongresi Epidaurit te Greqisë 1-12 Jenar 1822, deri më 9 Nentor 1921, datë e marrjes së vendimit përfundimtar të Konferencës së Ambasadorëve në Paris, vendim i cili ka për objekt të rinjohe tërësinë tokësore me Gjirokastrën si pjesë të pandarë, të Shtetit Sovran Shqipetar.
Në këtë rast kupëtova se Nexhati kishte mbetur gati tërësisht i huaj i gjërave të vëndit të lindjes të gjyshërve të tij, në të cilin nuk ka pasur vënë këmbë kurrë.
Keshtu pra, pak nga pak, i determinuar nga rrethanat e vështira të atyre kohëve të vendit tonë, i u zgjua Nexhatit idea e traditës së atij e të ungjit, i u formua ndërgjegja politike dhe i u vu në lëvizje vullneti i tij në këtë orientim.
Gjithe bota e di, se Nexhati i u kushtua, me mish e me shpirt, kauzes se Ballit Kombëtar tonë. Si anëtar i Nenkomitetit te Shtypit te kësaj Organizate, Nexhati zhvilloi, me plot zell e energji, një vepërimtari fort të çmuar, sidomos në botimet e traktet e vënë në qarkullim në emer te Ballit.
Nexhati na vdiq, na la për jetë- Ne e ndjemë me hidhërim të thellë mungesën e tij nga radhët tona dhe kujtimin e meritave, të cilësive e të virtuteve të tij, e mbajmë të gjallë, të paharruar në zëmrat e në shpirtrat tona.
Pra, në këtë të grimë të mbylljes së këtyre vijave shkrimi, thellësisht i prekur, drejtoj mendimin tim mbi varrin e Nexhatit, përshëndes shpirtin e tij dhe them, i qoftë e lehtë balta që e mbulon-
Komentet