GHAZELI I ZEMRES
Fitó një Zëmër, puth-e dhe rrëmbéj-e.
Dhe adhuró-e si Alltàr prej Feje:
Një qint Qabera s’vlejnë sa nje Zëmër;
Zëmër kërkó, Haxhí, jo Gur Qabeje.
- Noli: Rubairat.
Je ti intuitive njisi matjeje,
o zemër,
ushtë e sqyt për çdo ngadhënim orvatjeje,
o zemër.
Dridhen duart në lutje dhe, helianth i artë,
çel ti, shpres’e epët ndaj gurrës së zjarrtë,
o zemër.
Shtegtari ka mendjen tek pregatitja,
kur, krahë-hapët, me ty t’i bëhet pritja,
o zemër.
Psalmet e Fatihatë ia kanë tharë gjuhën,
nga gjakimi që e djeg, gris perden, flak zhgunën,
o zemër.
Largimi e ka shthurur, malli e ka shkrirë,
sa ngatërron teqe, taverna e manastirë,
o zemër.
Buzët mbi ikonën me të dashurin puqen,
si te gota e tavernës me të kuqen,
o zemër.
Keqaz, shumë keq e ka mbërthyer fati,
e të flasë për Të me ty përherë është gati,
o zemër.
Bota u lodh: <<Me translate, si gjithmonë,
kërkon të përçartemi si ti vetë>>, më thonë,
o zemër.
Pusho pra, Ferráz! Zemra (çështje e vjetër):
një muskël i zgavërt e asgjë tjetër.
Apo jo, o zemër !
FLUTURIMI
– Adieu dit, le renard. Voici mon secret.
Il est très simple: on ne voit bien qu’avec le cœur. L’essentiel est invisible pour les yeux.
– Lamtumirë, tha dhelpra. Ja sekreti im. Ai është shumë i thjeshtë: vetëm me zemër mund të shihet mirë. Për sytë thelbi është i padukshëm.
- DE SAINT-EXUPÉRY: Le petit Prince.
Princi I vogël.
O ti që përqëndrohe
Dhe shtrydh mendjen
Për t’i krijuar flatrat poemës,
Si s’ke kuptuar
Që metrika, ritmi, rima,
Prozodia, e tjerë,
Janë sqima,
Stoli loje, qelqurina pa vlerë ?
Gjersa
S’ke derdhur xhevahirët e zemrës
Që të vezullojnë vargjet e zbeta,
Si mund të dridhëzohet shema
Që të labërgohen troketë
E të marrë fluturim poema ?
KALOVA PERTEJ
Sirati
Ura e Sirát-it është një shpatë që ka te-
hin më të hollë se një qime. Të këqijtë
do të bien majtas, në humnerën e Xhe-
hnemit plot flakë, si njerëz të dehur.
Sipas Traditës Muslimane.
Gëzohuni, o vëllazën…
Kalova përtej.
Mbi teh të shpatës
Kalova përtej!
Tehi (oh sa i mprehtë !)
Dhe poshtë përroi i zjarrtë !
Peshoja (oh sa i randë!)
Dhe nuk rashë në flakë !
Sa më mundonte majtas !
Smiri, urrejtja, hakmarrja…
Të gjitha më të majtë.
Më të djathtë : dashunija e nanës!
SEKRETI
Mon âme a son secret, ma vie a son mystère,
Un amour éternel en un moment conçu…
- ARVERS: Sonnet.
Në shpirt kam një sekret, në jetën një mister,
Një dashuri pa funt, të kapur në një vrap…
Përkthim i NOLIT: Dashuria e fshehtë.
Sado mshehun thellë në zemër,
Sekreti im mbetet nji lojë fëmije.
Me të vërtetë,
Ç’sekret mund të jetë
Sekreti im
Derisa
Në çdo kuvendim,
Emni i saj
Më ban të skuqem
Si nji nxanës shkolle
I kapun në faj ?
VELLAI FAQEBARDHE
Çdo gjë ka dy vegjë, njëra që të lejon ta
mbashë, tjetra që nuk të lejon…
EPIKTETI.
Stoik grek (Shek. I)
Çdo gjë ka dy faqe :
Një faqe të bardhë e një të zezë.
Vështro faqen e bardhë, dhe thuaj :
VËLLAI IM FAQEBARDHË :
SI KA FAQEN KA DHE ZEMRËN.
Në kopshtin e vëllait :
Lule dhe hidhëse.
Kënaqi sytë me lulet,
Mos e ngushto zemrën me hidhëset.
Ndihmoje vëllanë
Të spastrojë hidhëset, dhe thuaj :
PA SHIHENI KOPSHTIN E VËLLAIT :
KREJT LULISHTE ! GËZOHUNI !
Mos e vështro vëllanë nga pas,
As mos i kthe krahët.
Dili përpara dhe pasqyrohu në sytë e tij.
Oh, përqafoje vëllanë që të ndiesh
Si i refkëtin zzemra !, dhe thuaj :
VËLLAI IM, I RRITUR BASHKË ME MUA,
I MËRGUAR SI UNË.
SI MUND ?
Kur,
Duke ndihmuar njeri-tjetrin,
Patëm aq mundime
Për të kaluar përroin e verës,
Si mund ta kalosh vetëm,
O i shtrenjti vëlla lufte,
Ta kalosh vetëm
Lumin e vjeshtës ?
Dhe pas lumit të vjeshtës
Na pret lumi i dimrit,
Lumi vërshues i dimrit !
Si mund ta kalojmë,
O i shtrenjti vëlla mërgimi,
Si mund ta kalojmë vetëm
Lumin vërshues të dimrit,
Kur,
Duke ndihmuar njeri-tjetrin,
Për të kaluar përroin e verës
Patëm aq mundime ?
Ç’u bënë,
O i shtrenjti vëlla bese,
O i shtrenjti vëlla shprese,
Ç’u bënë ato premtime ?
Komentet