TIRANË
Ka nisur dita e tretë e protestës për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia. Pa një itinerar të caktuar turma e qytetarëve, kryesisht të rinj ka marshuar në rrugët e qytetit duke shkatërruar sinjalistikën rrugore, semaforë e tabela dhe duke bërtitur kundër qeverisë, teksa kërkojnë largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur përpara kryeministrisë.
Protestuesit e parë u nisën që të vijnë nga ish-Blloku dhe disa demonstrues erdhën nga Ministria e Shëndetësisë. Mësohet se pati fillimisht kapsolla nga protestuesit, e menjëherë u hodh gaz lotsjellës. Forcat speciale janë në gatishmëri.
Përplasje tek Drejtoria e Policisë, hidhet gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit
Ora 19:02- Përplasje tek Drejtoria e Policisë mes protestuesve dhe efektivëve. Mësohet se për të shpërndarë turmën e qytetarëve, policia ka hedhur gaz lotsjellës. Ndërkohë, që për të qetësuar situatën ka ndërhyrë dhe FNSH.
Turma pa kontroll drejt Policisë së Tiranës, shkulen tabela sinjalistike e semaforë
Ora 18:57- Po zhvillohet dita e tretë e protestës për vrasjen e Klodian Rashës.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “News24” se edhe rruga ku kanë kaluar protestuesit është bllokuar për pak momente.
Turma po shkon tashmë tek Drejtoria e Policisë. Po thyhen tabela e semaforë sërish, sikundër u veprua edhe dje. Një grup u largua drejt Ministrisë së Brendshme dhe një drejt Bllokut, pasi u larguan nga gazi lotsjellës. Grupet janë bashkuar e po shkojnë për tek Polcia e Tiranës. Ata thërrasin në kor “Drejtësi për Klodianin”. Ndërsa, kanë hedhur edhe një biçiikletë që kanë gjetur aty, në Lanë.
Protesta, blindohet Ministria e Brendshme, qytetarët shkatërrojnë stacionet e autobusëve
Ora 18:54- Teksa sot është dita e tretë e protestës në kryeqytet, Policia ka ‘blinduar’ Ministrinë e Brendshme, për t’i paraprirë çdo situate të agravuar.
Ndërkohë që protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre, duke shkatërruar madje dhe stacionet e autobusëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gazlotsjellës. Kujtojmë se protesta po zhvillohet në disa pika të kryeqytetit, ndërsa qytetarët hedhin sende të forta, shkatërrojnë reklamat në rrugë, apo dhe semaforët.
Protesta për Klodianin dhe në Pogradec, protestuesit marshim në rrugët e qytetit
Ora 18:52- Protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha janë mbajtur sot edhe në Pogradec. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se dhjetëra të rinj pasi u mblodhën në bashkinë e Pogradecit kanë filluar marshimin në rrugët e qytetit. Të rinjtë me pankarta në duar kërkuan njëherazi drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha si dhe shkarkimin e Ardi Veliut.
I riu qëllohet me grushte nga efektivët, disa të shoqëruar
Ora 18:50- Disa protestues janë shoqëruar nga policia në qendër të Tiranës. Teksa ishin grumbulluar në tek Sheshi Skënderbej, ndaj të rinjve është hedhur gazlotsjellës, ndërsa një prej tyre është qëlluar me grushta nga policia. Ky i fundit në pamje të parë nuk shfaq asnjë rezistencë.
Turma e protestuesve me flamuj shqiptarë e të BE-së tenton të hyjë në Kryeministri, i shpërndajnë autobotët me ujë e FNSH
Ora 18:37- Ka nisur me tensione protesta e sotme para Kryeministrisë, në shenjë kundërshtie kundër vrasjes së Klodian Rashës nga një punonjës policie. Shumë të rinj kanë nisur që të hedhin sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.
Ndërkohë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe autobotë me ujë kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën. Teksa kanë mbajtur në duar flamuj shqiptarë por dhe të BE-së, një prej tyre dhe një burrë në moshë me patericë, protestuesit i kanë bërë rezistencë dhe ujit me presion. Ndërkohë që u hodh dhe gaz lotsjellës.
Rama viziton policët e lënduar në QSUT. Ulet në hollin e spitalit
Ora 18:22- Teksa në orën 18:00 është paralajmëruar që të nisë protesta për të tretën ditë me radhë për vrasjen e Klodian Rashës, kryeministri Edi Rama ka shkuar në QSUT, ku ka vizituar efektivët e plagosur në tubim. Siç transmetoi live ‘News24’ kreu i qeverisë pas takimit me policët, është ulur në hollin e korridorit, ndërsa bisedon me qytetarë. Kujtojmë se dje u plagosën 5 efektivë dhe 2 qytetarë, ndërsa dy netë më herët u plagosën 9 punonjës të policisë së rendit. Ndonëse protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ky i fundit hoqi dorë nga posti. Por sicc duket qytetarët nuk janë ndalur me kaq, pasi kërkojnë argimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu.
Komentet