KENGE PER FLAMURIN
Kush s’u ndje burrë kur shpalosi
Flak’n e Flamurit në lartësi
Dhe , këmbët s’iu mbërthyen fort
Në të stërlashtin dhe të tij !
Tallazi i kuq, shqiponja e lirë
Jan’balli ynë plot lavdi.
Ku ndrit Flamuri, ka shqiptarizmë,
Ka anembanë krenari !
Me bes’të rreptë, ndër shekuj trimat
U lidhën grusht nën flak’n e Tij;
Gjëmoi betimi, u shkrep kushtrimi
Luftërash për Nënën Shqipëri !
Në robëri, kur mbet’ pa qiell,
Kishim shqiponjat Flamur të lirë.
Gjaku q’u derdh s’e shoi jetën,
U mpiks në bronz për histori !
Sot jemi më të fortë se kurrë;
Të vdesim dimë, të rrojmë siç dimë.
Përndezur n’er’ valon Flamuri
Dhe, ndiejmë ne përjetësinë !
SKULPTORI I MONUMENTEVE
Skulptori i monumenteve të diktaturës
Që u shembën me rropamë ,
Gjysmë i paralizuar tashmë
Me zor çapitet në bulevard
Për të shëtitur ca
Dhe për të thithur ajrin e kohës…
Një këmbë dhe një krah s’i ndien më;
I gjymtë është
Si monumentet e tij të thyer.
Si ndodhi kështu
Ky paralelizëm fatal ,
Me paralizën e tij ?
E ai pati besuar
Se kishte derdhur historinë në bronz,
Apo e kishte gdhëndur në mermerin
Me dritë klasike të kristalizuar…
E thykan historinë kur bëhet keq,
Siç e rithyejnë edhe një krah
Kur ngjitet shtrëmbër.
Çapitet me zor tashmë artisti
Për një shëtitje në bulevardin
Pa monumente…
Një piedestal
I ulët është sa një shkallë,
Kur e zbret ;
Kur e ngjit
Eshtë një Everest…
Ç’heronj të tjerë do të shpallë
Politika e Re ?
Skulptori i monumenteve ,
Njëherë për njëherë ,
Me dorën që ende lëviz
Gjela dhe lepuj allçie
Modelon në studion e tij,
Që të mos vdesë urie.
NE KOMBINATIN E MALIQIT
Duhej të xhironim në burg një fragment filmi;
Në burg policia s’na la ,
Ambjentet e tij
Në Kombinatin e Maliqit i gjetëm
Krejt të përshtatshëm…
Hekura nëpër shkallë , hekura te dritaret,
Hekura dhe në zyrat – kafazë
Të sekretarëve të partisë dhe
Shefave të kuadrit…
Kudo sahatë sovjetikë që vazhdojnë të tregojnë ,
Kohën ,
Tabela emulacioni socialist , vodkë, zymti gri,
Por nuk ishim në burg pra,
Në një ndërmarrje të madhe ishim ,
Që ende prodhonte
Sheqer panxhari…
PERGJIGJE NE KOHE EZRA PAUNDIT
Vërtet besoje Ezra Paund se, duke mbushur gotat me uiski si
barmen me përvojë ; duke ndenjur llërëpërveshur dhe i fryrë si gjel
pas banakut , ndyrë duke sharë, shaka pa kripë duke këputur, me të madhe duke qeshur gjithë ditën , apo duke shëmbur tryezat me grusht si kaubojtë, do të mund të shpëtoje njëherë e mirë nga ethet letrare , truri yt , do të prehej më në fund, si të gjithë , gjumë të qetë
do të bëje? Edhe sikur seriozisht mish të shisje në treg , më dysh
atë ta ndaje me një të rënë , tundjen e bythëve të prostitutave të
pudrosura, me sy prej horri të ndiqje, kur ato, bujaret , në bar gjoja
rastësisht të hynin , edhe sikur të harroheshe ishujve polinezianë,
Alaskës së bardhë po të lëshoheshe, përsëri s’do të mund të
shpëtoje…Kishte hyrë krimbi sakaq dhe, brente .Ai del vetëm kur
bëhet flutur, vetëm atëherë ai fluturon , siç fluturojnë shpirtrat
EZRA
PAUND…
NE MODE KENGA SEX – BOMB
Ministrat n’uikend celularët
Dhe viagrat asnjëherë s’i harrojnë.
Ah, sa të ëmbël pushimet;
Në modë kënga sex –bomb!
Poeti i shkretë veç trishton ,
Shpeshherë pa ditur përse.
Shqyhen gazit disa ,
Eh, farsë letrare fjala atdhe …
Por s’zbret nga sëra hyjnore poeti,
Nuk imiton modele, nuk pozon.
Mes psherëtimash lajm të mirë
Vendit të tij i pret gjithmonë.
Dhe del në rrugë dhe shqetësohet;
Sa është gjallë s’e nderojnë.
Ah, ka pushime, ka dhe krime
Dhe është në modë kënga sex – bomb …
Komentet