Ministria e Punëve të Jashtme thotë se gjatë këtij mandati e ka pasur synim kryesor dëshminë e krimeve të luftës të kryera nga Serbia, derisa shton se ka material rreth 10 mijë faqe dokumente që ende nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare, raporton Gazeta Express.
Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë, Jetlir Zyberaj, ka shkruar në Facebook se me këto dokumente synohen që kriminelët e luftës të vihen para drejtësisë.
“Për shkak se ata dështuan ne duhet të vazhdojmë dhe të ndjekim kriminelët e luftës”, thotë ai.
Ai ka thënë se gjatë ditëve në vijim, do të kenë një takim me prokurorin special të Kosovës, të cilit do t’ia dorëzojnë këto dokumente.
“Në ditët në vijim, gjatë një takimi me Prokurorin Special të Kosovës, këto dokumente dhe prova do të dorëzohen me qëllim sjelljen e kriminelëve serbë të luftës para drejtësisë. Duke i kuptuar edhe limitet që ka sistemi ynë i drejtësisë, bashkë me prokurorinë do të gjejmë zgjidhjen e drejtë që kriminelët të nxirren para ligjit. Në një kohë kur ata që mbështesin Millosheviqin marrin çmimin Nobel dhe mohimi i masakrave dhe akteve gjenocidale të kryera nga Serbia konsiderohen si normalitet, ne duhet të flasim dhe të rikujtojmë botën për atë që ndodhi në Kosovë”, ka thënë Zyberaj.
Komentet