VOAL

VOAL

Zhaklina Dhimojani ose investitorja idealiste e Himarës !

September 20, 2019

Komentet

Intervistë me mësuesen e re Gjestila Mehmetaj, një model frymëzimi për rininë shqiptare në mërgim Intervistoi Nexhmije Mehmetaj

Para disa ditësh më rastisi të takohem në Prishtinë me një vajzë të mrekullueshme, Gjestila Mehmetaj. Kur mësova se është mësuese e anglishtes dhe frëngjishtes në Gjermani, më bëri të ndjej respekt ndaj saj ashtu si kam ndjerë gjithmonë ndaj mësueseve që u japin fëmijëve njohjet e para ndaj shkrimit, gjuhës dhe dukurive të jetës. U befasova nga inteligjenca e saj, nga aftësia për të mësuar në mënyrë të saktë disa gjuhë të huaja, synimi i saj për të udhëtuar në të fshehtat e shkencës së pedagogjisë dhe për të arrirë maja…

Ajo shquhet si një urë midis dy vendeve dhe kulturave të ndryshme, shqiptare dhe gjermane por gjithashtu si një dritare drejt mundësive të reja për brezin e ri.
Gjestila Mehmetaj vazhdon të jetë një model frymëzimi për komunitetin shqiptar dhe për ata që kanë fatin të jenë nxënësit e saj.

Fjala nuk ka forcë ta përshkruaj me tërë ngjyrat çastin. Por më mirë le të flasë ajo, me atë zërin e saj kumbues e me emocionet e një takimi mbresëlënës…

Pyetje A mund të prezantohesh?
Gjestila Mehmetaj: Unë quhem Gjestila Mehmetaj. E lindur dhe e rritur në qytetin Mainz të Gjermanisë, me origjinë nga Kosova, jetoj me prindër tash e 26 vjet. Rrjedh nga një familje e arsimuar, por, që ka përjetuar dhunën dhe persekutimin nga pushtuesit serb. Babai im Gani Mehmetaj, mësues në shkollën “Azem Bejta” në Klinë ishte larguar dhunshëm nga puna arsimore . Për ketë shkak ata janë detyruar të marrin rrugën e mërgimit dhe që nga viti 1992 jetojnë në Gjermani.

Pyetje: Për çfarë keni studiuar ?
Gjestila Mehmetaj: Për mësuesi, kam përfunduar studimet në nivelin Bachlor dhe Master në Universitetin Johannes Gutenberg – në Mainz Gjermani. Aktualisht punoj në një shkollë fillore, jap lëndët gjuhë angleze dhe frënge, por, së shpejti do të kaloj në një shkollë të mesme, pasi përgatitja ime pedagogjike – shkencore i përket asaj mësimdhënie.

Pyete: Çfarë do të thotë për ty të rritesh mes dy vendeve Kosovës dhe Gjermanisë?
Gjestila Mehmetaj: Rritja mes Kosovës dhe Gjermanisë është një përvojë e rëndësishme por edhe emocionale për mua. Në fillim, ndjenja për atdheun është gjithmonë e ndjeshme. Unë vizitoj Kosovën të paktën dy herë në vit, por shumë angazhime më kufizojnë nga të qenit atje më shpesh. Kudo që ndodhem, asnjëherë nuk ndihem më mirë se në Kosovën time. Kosova është burimi ku kam marrë frymëzim të thellë si nga kultura, gjuha dhe traditat në përgjithësi.
Gjermania, nga ana tjetër, është vendi ku jam formuar intelektualist, ku kam pasur mundësinë të arrij dije dhe përvojë të reja. Rritja në mes të këtyre dy vendeve më ka dhënë një perspektivë të pasur dhe të shkëlqyer për të ardhmen, duke më ndihmuar të kuptoj dhe të vlerësoj ndryshimet kulturore dhe të zhvilloj një ndjenjë të gjerë të identitetit kombëtar dhe global.

Dua të theksoj se edukimi dhe studimet në Perëndim janë më shumë se sfiduese. Edhe pse njohim gjuhën gjermane, duhet të njohim fillimisht mirë gjuhën shqipe për të na lehtësuar mësimin e një gjuhe tjetër të huaj.

Universiteti në Mainz ku pata fatin të studioj ka një histori të gjatë prej më shumë se 150 vjetësh, i njohur si Johan Gutenberg, i cili tani është i njohur në arenën ndërkombëtare.

Pyetje: Të studiosh në Universitete prestigjioze në Gjermani është ëndërr e shumë të rinjve të cilët planifikojnë që karrierën e tyre ta nisin nga qendrat kryesore të botës. Na trego si ishte një ditë në universitet?

Gjestila Mehmetaj: Një ditë në universitet për mua është një përvojë e pasur dhe e frytshme. Fillon herët në mëngjes, pas mbledhjes së parë të klasës ose seminarit, unë shkoj në bibliotekë për të kryer punën time të përgatitjes ose për të konsultuar burime për projektet e ardhshme.

Mësimet janë shumë të pasura në diskutime dhe prezantime, dhe pjesa më e mirë e tyre inkurajon pjesëmarrjen aktive të studentëve. Pastaj, shpesh kam takime me profesorët për të diskutuar projekte specifike, punën në kurs, ose për të marrë këshilla për studimet e mia. Përfundimisht, disa ditë përfundojnë me takime me miqtë dhe për të shijuar kohën jashtë klaseve.

Gjatë ditës së universitetit, është e rëndësishme të menaxhosh kohën mirë dhe të jesh i organizuar për të përfituar sa më shumë nga përvoja akademike dhe sociale. Çdo ditë është një mundësi për të mësuar diçka të re dhe për të ndërtuar lidhje të reja dhe të vlefshme me njerëz të ndryshëm.

Pyetje: Cila do të ishte këshilla juaj për të gjithë ata të rinj shqiptarë që ëndërrojnë të studiojnë në Gjermani?………..

Gjestila Mehmetaj: Ja disa këshilla për të gjithë ata të rinj shqiptar që ëndërrojnë të studiojnë në Gjermani janë:

Përgatitu mirë: Bëj kërkime të detajuara për universitetet dhe programet e studimit në Gjermani. Mirëkupto kërkesat për aplikim, dokumentacionin e nevojshëm, dhe procesin e aplikimit për viza studentore.

Përvetëso gjuhën gjermane: Njohja e gjuhës gjermane është shumë e rëndësishme për të integruar me sukses në jetën universitare dhe shoqërore në Gjermani. Mund të marrësh kursa të gjuhës gjermane para se të shkosh, ose të aplikosh për programe të studimit që ofrohen në anglisht.

Rreshtohu: Bëj lidhje me studentë të tjerë shqiptarë në Gjermani, si dhe me studentë të tjerë ndërkombëtarë. Rrjeti i kontakteve mund të jetë i rëndësishëm për të shkëmbyer eksperiencë, për të ndihmuar në studime, dhe për të krijuar marrëdhënie të reja miqësore.

Kërkoni ndihmë dhe përkrahje: Mos hezitoni të kërkoni ndihmë dhe këshilla nga personat e përgjegjshëm në universitet, nga përfaqësuesit e studentëve, dhe nga organizatat studentore. Universitetet gjermane ofrojnë shërbime dhe resurse për të ndihmuar studentët ndërkombëtarë në procesin e adaptimit dhe suksesit të tyre akademik.

Pyetje: Larg atdheut, ku e ke mësuar gjuhën shqipe kaq bukur e kaq rrjedhshëm?

Gjestila Mehmetaj: Gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit tim që nga fëmijëria. Edhe pse kam lindur dhe jam rritur jashtë Kosovës, prindërit e mi kanë qenë shumë të përkushtuar për të ruajtur dhe kultivuar lidhjet tona kulturore me atdheun

Gjuhën shqipe përveç me prindër e kam mësuar në shkollën shqipe nga mësuesja ime, Igballa Meta, nga Prishtina. Gjuhën shqipe e përdorim në komunikimin e përditshëm familjar dhe në kontaktet me komunitetin shqiptar. Për më tepër, jam përpjekur për të lexuar libra, artikuj, dhe për të folur shqip në mjediset e ndryshme kanë kontribuar në ruajtjen dhe përparimin në gjuhën shqipe. Në kohën e fundit, përmes përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale, kam qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me gjuhën shqipe.

Pyetje: Çfarë do të u transmetoje emigranteve shqiptare në Gjermani?
Gjestila Mehmetaj: Emigrantët shqiptarë në Gjermani gjenden në një pozitë mjaftë të favorshme ku krahas integrimit në shoqërinë pritëse mund të ruajnë kulturën dhe vlerat vetjake edhe pse janë në një vend të huaj.

Shqiptarët sidomos rina duhet të shfrytëzoi mundësit që ua ofron Gjermania për arsim dhe zhvillim personal, duke përfshirë shkollat, universitetet, dhe programe trajnimi për të zhvilluar aftësitë e tuaja.

Ju inkurajoj të mbani gjallë gjuhën dhe traditat tona shqiptare, duke i përcjellë ato tek brezat e ardhshëm. Kjo do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit tonë kulturor dhe do të bëjë që komuniteti ynë të ndihet më i bashkuar edhe larg atdheut.

Gjenevë, 13. 05.2024 Nexhmije Mehmetaj

Informatat dhe shkrimet e sajuara, sëmundje kronike e disa medieve tona- Nga ARIF EJUPI

Qasja në rrjetet sociale e çdo injoranti ka bërë që të rrudhën dukshëm hapësirat e krijuesve të mirëfilltë.
Shkrimtari i madh italian Umberto Eco , fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare thotë” Rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtën për të folur legjioneve të budallenjve, që më parë bisedonin në bare( pijetore) pas një gote vërë, pa shkaktuar dëme në shoqëri.”
Kjo thënie epike e Ecos na kthen në të kaluarën kur asnjë lajm që nuk plotësonte kriteret e kërkuara nuk botohej. Ai përpara se të botohej kalonte nëpër duart e redaktorëve profesionistë.
Të jesh i pranishëm me shkrime dhe studime në “Zëri javor” të publicistit dhe gazetarit të njohur Blerim Shala, përveç që ishte privilegj ishte dhe krenari.
Prandaj, s’kishte të ngjarë që të shihje broçkulla dhe antivlera, e as shund e kiç.
Askujt nuk interesonte se çfarë hanë dhe pinë fëmijët e këngëtarëve, artistëve, politikologëve dhe më kënd martoheshin ata.
Ndërhyrjet në privatësinë e familjeve ishin rreptësishtë të ndaluara. Sot, punën e gjykatave e bëjnë gazeta e portale. Ato një ngjarje e japin një njëmijë versione.
Mjerisht, në televizionet tona shohim emisione degjeneruese dhe pa asnjë grimë vlere.
Gjuha e përdorur në disa emisione përveç që është e gërditshme është gjuhë rrugësh e bordelesh.
Kësaj dukurie negative i kanë hapur rrugë edhe disa intelektualë tanë që pranojnë të jenë mysafirë në këto emisione të pa temë, koncept dhe pa kurrfarë mesazhi njerëzor.
Sot, çdo i ri dhe e re preferon profesionin prej moderatori apo moderatorje pa e kuptuar që ky profesion kërkon përgjegjësi, talent e mbi të gjitha kurriz e moral.
Para së gjithash duhet ditur ajo që del nga gojët tona përhapet kudo me shpejtësi rrufeje.
Andaj, çdo fjalë përpara se ta nxjerrim nga gojët tona duhet ta peshojmë mirë.
Agim Shehu, shkrimtar i njohur pastë ndjesë thoshte “letra e bardhë është jona para se të shkruajmë mbi te, duhet peshuar mirë e mirë çdo fjalë”
Disa televizione e portale mbijetojnë duke plasuar gënjeshtra të pa kripë.
Lajmet nga e kaluara jonë historike nga alamet historianësh dhe profesorësh tjetërsohen dhe përshtatën sipas qejfeve të klaneve dhe grupeve të interesit, ku ata kanë bërë grazhd.
Si pasojë e kësaj gjeneratat e ardhshme do të heqin të zinjtë e ullirit për të zbuluar të vërtetën e këtyre ngjarjeve.
Me lajme të rreme dhe të sajuara nuk krijohet sensacion me çmimin e tmerrshëm të shpërfytyrimit të së vërtetës.
Prandaj, sot si asnjëherë më parë, duhet gjurmuar dhe studiuar ngjarjen e pastaj ajo të publikohet duke pasur mbështetjen në fakte e argumente të pathyeshme.
Disaherë është shkruar nga njerëz të papërgjegjshëm dhe djallëzor se ka ndërruar jetë aktori ynë i madh Mirush Kabashi dhe personalitete të tjera të kulturës.
Ky lajm i rrejshëm përpos familjeve të tyre është përjetuar rëndë nga shokë e miq të këtyre artistëve përndryshe ikona të kulturës sonë.
Është sharë e fyer keq e më keq aktori dhe poeti Çun Lajçi, vetëm pse ka bërë përpjekje me mbijetuar nga puna, mendja dhe djersa e vet.
Asnjëherë askush nuk ka shkruar qoftë edhe dy rreshta referencë-kërkesë Qeverive tona, që personaliteteve që janë shquar me talentin dhe përkushtimin e tyre t’u caktohet një pension që u mundëson jetë dhe pleqëri të dinjëtetshme.
Janë fyer e denigruar Atdhetarë të njohur që rininë dhe kockat i kanë lënë në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë, për lirinë që e gëzojmë sot.
Ndërkaq, të njëjtëve që për së gjalli ua ka helmuar jetën propaganda serbo-shqiptare, pas vdekjes, kur ata nuk kanë fare nevojë për to, u thuren elozhe e këndohen këngë.
Ky është një ves i keq që jo vetëm nuk e forcon sistemin e vlerave, por e shkërmoq atë.
Gazetarë e analistë mercenarë dalin në terren ose kalërojnë nëpër medie duke shpifur dhe përgojuar kundërshtarët e tyre, pa pasuar as edhe një provë të vetme.
Madje disa nëpër studiot tona televizive bëjnë edhe aktrim,duke u çaraveshur dhe imituar individë të dëshmuar në fusha të ndryshme të Shkencës, Artit, Kulturës dhe Perënditjes së vendit.
Veç kësaj ata nuk kanë qëndrime të vetat të pavarura, sepse shiten lirë, tek mujsharë të ndryshëm, që u kërkojnë të krrokëritin sipas shijeve dhe interesave të tyre mesnike.
Ditë më parë, lajmi i rremë se njëfarë Rrustem Llapi,vrau një serb në Gjermani,mori dhenë.
Rrustemit nisën t’i thuren vargje lavdi e trimërie nga të gjitha anët. Kur, një medium yni viziv vërtetoi që ky lajm është i pavërtetë ndaj tij filluan sulmet me fjalët më vulgare.
Ky rast nxori në dritë të vërtetën s’e krijimin e heronjve të rrejshëm e kemi në gjak.
Rrahim Hoxha, një burrë autoritativ nga Obrança e Podujevës, shpeshherë thoshte “S’ka më kiamet se me rrejt vetveten”
Rreth kësaj dukurie të shëmtuar që po na ndjek si hije ogurzezë, profesori i UBT- së, Musa Sabedini, ka bërë një studim të thellë, duke e përmbledhur në librat “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” dhe “Gazetaria online në Kosovë dhe rajon, etika dhe sfidat e vetrregullimit”
Ata që pretendojnë profesionin e gazetarit të njëmendtë duhet lexuar patjetër këto libra, ngase ato janë Abetare, për të gjitha ata që thirren në etikë, moral dhe edukatë.

ARIF EJUPI

Kandidaturat e Shqipërisë dhe Serbisë në UEFA, për Organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit U – 21, aktualizojnë idenë kryeneçe të Vuçiqit dhe Ramës, për të ashtuquajturin “Open Ballkan”

Federata Shqiptare e Futbollit e drejtuar tash sa vite nga z. Armando Duka, dyshohej se kaherë ishte e politizuar.
Këto dyshime u ringjallën gjatë këtyre ditëve kur Shqipëria në kandidaturë të përbashkët me Serbinë, konkurroi në UEFA, për organizimin e Kampionatit Evropian të Futbollit ,për grupmoshat U – 21, që do të mbahet më 2027.
Ky veprim skandaloz dhe i papërgjegjshëm i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, ka zemëruar jashtëmase shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës lindore.
Udhëheqësit e Federatës së Futbollit Shqiptar, si mund ta bëjnë një turp të tillë, kur e dinë fare mirë që Serbia, në prezencë të forcave ndërkombëtare çdo ditë tenton ta destabilizoj Kosovën.
Ajo me sulme tipike terroriste sulmoi dhe vrau në Mitrovicën e Veriut , eprorët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Serbia tash 25 vite i mban të traumatizuara dhe në ankth mijëra familje shqiptare të Kosovës, duke mos ua kthyer eshtrat e djemve dhe vajzave të tyre të masakruar nga policë e ushtarë kriminelë të saj.
Dramën tragjike të mbi 20 mijë grave dhe motrave tona të dhunuara nga kriminelët serbë, publicistia dhe shkrimtarja zvicerane Marie – Therese Bouchardy, e përshkruan me këto fjalë “Me fuqinë e tyre ato duhet të shqetësojnë netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera tmerri, të atyre grave të dhunuara e të atyre fëmijëve të lindur nga ato akte makabër”
Kurse dukët dhe dudukët e Tiranës, shtiren sikur të mos ketë ndodhur asgjë në Kosovë.
Ata harrojnë kur serbët rrezikuan jetët e futbollistëve shqiptarë në ndeshjen Serbi – Shqipëri të vlefshme për evropianin “Franca 2016”

Në këtë ngjarje të pakëndshme fytyrën na pati zbardhur futbollisti shqiptar Lorik Agim Cana ,me origjinë nga Gjakova.
Ai në stil gladiatorësh romakë e pati zhdëpur me grushte dhe shqelma huliganin Ivan Bogdanoviq, organizator i këtyre grupeve huliganësh.
Bogdanoviq ishte ai që në ndeshjen Itali – Serbi të zhvilluar në Gjenova e pati djegur dhe përdhosur Flamurin shqiptar.
Vojsllav Sheshel dhe Tomisllav Nikoliq, atëkohë kryetar i Serbisë, zbatues të përpiktë të ideve të kryeçetnikut monstruoz Drazha Mihaloviq, derisa mbi futbollistët shqiptarë huliganët serbë përplasin karrige e gjësende të forta zgërdhiheshin sikur prostituta.

Në këtë turp të tyre hise kishte edhe UEFA. As atëherë e as sot këtë marrëzi të saj nuk e lanë as Danubi.

Udhëheqësit e UEFA-s, nga kjo ngjarje e shëmtuar duhet të kenë mësuar shumë.
Prandaj, shpresojmë që ata kësaj radhe do të jenë vigjilentë. Kandidatura e Serbisë patjetër duhet të refuzohet pa arritur ende në tryezat e këtij institucioni të lartë të futbollit evropian.
Ashiqare vërehet se pjesë e kësaj loje të ndytë janë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe Aleksandër Vuçiq, kryetar i Serbisë.
Shqipëria me mungesë të stadiumeve kërkesën për një organizim të tillë ka mundur ta bëjnë me fqinjët e saj të parë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ose edhe me Greqinë .
Kur edhe sporti politizohet në këtë shkallë shpresat për stabilitet dhe qetësi në këtë pjesë të Evropës Juglindore, janë gjithnjë e më të vogla.
ARIF EJUPI

POETI, SHEMSI MAKOLLI ME RASTIN E 25- VJETORIT DITËS NDËRKOMBËTARE TË TË PAGJETURËVE I FTUAR NË EMISIONIN “FORUM” TË AUTORES SË NJOHUR ZVICERANE ANNE FOURNIER

 

 

Shemsi Makolli i njohur me vargjet e tij unike në frëngjisht dhe shqip, lindi më 18 prill të vitit1966 në Marec të komunës së Prishtinës (fshati pas vitit 1999 njihet edhe me emrin Merion)
Makolli shkollën 8-vjeçare e kreu në vendlindje, kurse atë të mesme në Prishtinë e Kastriot (ish-Obiliq) të Kosovës.
Shemsiu, qëkur ishte nxënës i këtyre shkollave u përkiste shoqërive letrare dhe artistike që vepronin në kuadër të këtyre institucioneve arsimore.
Në vitin 1986 pas përfundimit të mësimeve në shkollën e mesme me rezultat të shkëlqyer, dashuria për artin e vë në siklet s’e në çfarë fushe të studiojë.
Babai i tij Fejza, i lodhur dhe rraskapitur nga udhëtimi dhe puna e rëndë në minierën e Novobërdës, sot Artanës, nga dëshira që Shemsiu sa më shpejtë t’i dalë në ndihmë familjes i sugjeron që të studiojë në Shkollën e Lartë Teknike-drejtimi elektroteknikë, në Mitrovicë të Kosovës.
Meqenëse, Shemsiu kishte njohuri të përgjithshme në shkencat natyrore pahezituar përfill dëshirën e babait të tij. Ai si një i rinj entuziast dhe me vullnet të çeliktë studimeve u qaset seriozisht.
Kur, Shemsiun nga diplomimi e ndanin vetëm edhe dy provime Serbia, me tanke e kërbaç e shuan Autonominë e Kosovës, duke i nxjerrë në rrugë mijëra studentë dhe profesorë shqiptarë.
Makolli i dëshpëruar nga ky okupim barbar dhe i egër me të zbardhur dita e një mëngjesi të hershëm pranveror të vitit 1990, përgatit valixhen me pak plaçka dhe niset drejt Zvicrës.
I edukuar me dashurinë për punën edhe pse me një fillim aspak të lehtë vendos të studiojë gjuhën frënge moderne në Universitetin e Llozanës.
Meqë kishte bërë studime në elektronikë i ringjallet dëshira që ato t’i vazhdojë në mikroteknikë e menaxhment.
Me të fituar titullin specialist i standardeve ISO-9001, punësohet në gjigantin e njohur Hercagon Meterologie të Llozanës, ku ende vazhdon të punojë.
Paralelisht me punën ai nuk lë anash pasionin e tij të hershëm për poezinë.
Me afinitet të dukshëm në të gjitha zhanret e letërsisë Makolli, do ta rrëfejë sagën e familjes së tij dhe dramën tragjike të shqiptarëve të Kosovës të pushtuar nga Serbia.
Liliane Perrine,gazetare, krijuese dhe editore, e njohur në Zvicër, e inspiruar nga rrëfimet e Makollit e shkroi librin “Un marié sans importance”
Parathënien e këtij libri e pati përgatitur Ismail Kadare, kolos i letërsisë sonë dhe asaj botërore.
Me këtë rast Kadare pati thënë” Të shkruash roman për shqiptarët është një qasje (dukuri) e paparë deri me tani”
Ky libër në vitet 1994 dhe 1995, vlerësohet me çmime ndërkombëtare në Paris të Francës dhe Montreal të Kanadasë.
Makolli më 1995, përpara lexuesve frankofonë dhe shqiptarë vjen me përmbledhjen poetike “Ne pleur pas’’ (Mos qaj) botuar nga shtëpia botuese “Bastian” e LLozanës.
Studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bertil Galland, pas leximit të veprës së Makollit shprehet me fjalët:
“Shemsi Makolli, përveç që është poet është edhe muzikant i vërtetë i fjalëve. Ai nëpërmjet përvojës së tij personale me mjaft mjeshtëri arrin të pasqyrojë gjithë historinë e popullit të tij”.
Galland vlerësimin mbi veprën e Makollit e përfundon me fjalët: “Duke peshuar mirë fjalën time, lirisht mund të them që vargjet poetike të Makollit, mund të radhiten në mesin e vargjeve më të mira të lirikës evropiane të kohës sonë. (Gazeta “Nouveau Quotidien” 27 gusht 1995)
Poezia “Frontière”- Kufiri e shkëputur nga ky libër i Makollit, është kompozuar dhe shndërruar në këngë.
Në vjeshtën e vitit 2016, ajo është kënduar nga Ansambli Vokal i Llozanës, nën dirigjimin e Orkestrës “Grand Eustache” në qytete të ndryshme të Zvicrës.
Kjo poezi e kthyer në këngë nga kjo trupë artistësh të mrekullueshëm zviceranë, është kënduar në gjuhën shqipe dhe ka impresionuar publikun zviceranë dhe atë shqiptarë.
Makolli në përpjekje të vazhdueshme për të ofruar cilësi e jo sasi më 1997,e shkroi në frëngjisht dhe shqip komedinë teatrale “La belle vie”- “Jeta e bukur” botuar në Llozanë.
Ai, ndërkohë opusin e tij letrar e pasuroi edhe me poemën “Lahuta e këngëve të mia”- “La luth de mes chansons”
Makolli është autor edhe i librit “Pika që shpon gurin” botuar vetëm në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese ”Faik Konica” e Prishtinës, më 2016.
Edhe ky libër mirëpritet nga lexues e kritikë shqiptarë. Librin në fjalë e vlerëson lartë edhe poeti e kritiku i ynë i mirënjohur Shefqet Dibrani. Ai në faqet e para të kësaj përmbledhje u bënë një analizë të gjitha poezive të përfshira brenda këtij libri.
Një vit më vonë Makolli duke i përpunuar mirë e mirë vargjet e tij, të reja i boton në frëngjisht-dhe shqip.
Libri titullohet “L’anatomie du Rêve” “Anatomia e ëndrrës” Botues i tij është “Editions de l’Aire” Vevey-Zvicër.
Vargjet e z. Makolli, kritikë dhe studiues të njohur të letërsisë në Zvicër dhe Francë, i klasifikojnë si vargje të lira që lindin si shprehje e nevojës së brendshme dhe strukturimit të përmbajtjes.
Makolli në vargjet e tij i përdor edhe figurat stilistike që në retorikën e vjetër janë konsideruar si stoli gjuhësore.
Derisa stilistika bashkëkohore përdorimin e dendur të tyre e konsideron si dëmtim të poezisë, Makolli, ato i vendos vetëm brenda tërësisë kuptimore dhe estetike.
Poezitë e Makollit për studim i kanë përzgjedhur edhe disa studentë të gjuhës dhe letërsisë frënge të Universitetit të Llozanës dhe Gjenevës.
Vargjet e tij që lexuesin e pushtojnë të terinë i gjejmë të prezantuara edhe në “Anthologie De La Poesie Suisse d’Aujourd’hui” ku janë të përfshirë 45 poetët më të mirë të Zvicrës.

Veç kësaj krijimtarisë së tij artistike dhe letrare i kanë bërë vështrime edhe gazetat me emër si, “Le Temps” e cila në rubrikën e saj speciale të kulturës prezanton krijuesit më të frytshëm në Zvicër dhe jashtë saj.
Makolli me sukses shkruan edhe tregime të përafërta me novelat.Një nga tregimet që me ëndje lexohet nga të gjithë është ai frëngjisht-shqip “Le pain du chateau”- “Buka e Kështjellës”
Makolli si krijues produktiv ka qenë mysafir edhe në shumë emisione Radio-televizive të Zvicrës dhe Francës.
Poashtu vargjet e tij i ka prezantuar edhe në panaire të ndryshme ndërkombëtare të librit.
Makolli është autor edhe i librave” Elégie d’automne “”Elegji vjeshte” botuar në frëngjisht më 2019,nga “Editions de l’Aire” Vevey – Zvicër.
E, njëjta shtëpi botuese në vitin 2022,duke e konsideruar z.Makolli,si autor serioz e me vlera i boton librin “ Deesses profanes”-“Hyjnesha të përdhosura”

Ky libër i përshtatur dhe adaptuar vitin që shkoi është botuar edhe në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese “Faik Konica”e Prishtinës.
Librit ia shumëfishon vlerën një vështrim i thukët kritik i shkruar nga doajeni i publicistikës dhe gazetarisë zvicerane Bertil Galland, autor i mbi 18 veprave dhe romaneve të cilësuara si perla të letërsisë bashkëkohore.
Makolli, këtë libër me temë rrënqethëse ua kushton mbi 20mijë grave dhe vajzave shqiptare të Kosovës, të dhunuara gjatë Luftë në Kosovë 1998-1999,nga grupe kriminelësh serbë të veshur me uniformën e policit dhe ushtarit.
Ky libër që flet për fatin tragjik të nënave dhe motrave tona është përzgjedhur në mesin e dhjetë librave më të mirë.
Shtjellimi me mjeshtri i temës ka bërë që libri të jetë në konkurrencë të ngushtë edhe për çmimin letrar ”Guillaume Apollanaire” që u dedikohet kryesisht krijueseve frankofonë.
Marie-Therese Boouchardy, poete dhe studiuese e historisë, kritikës dhe teorisë së letërsisë pas analizës së veprës së Makollit, në revistën “Revue Choisir” (Të zgjedhësh ) shkruan: “Dhunimin si aktin më të rëndë të shoqëruar me rrezik të zhbërjes së popullit të tij, poeti kosovar, Shemsi Makolli,i mërguar në Llozanë të Zvicrës, e klith me tërë fuqinë e neverisë së tij nëpërmjet këtyre vargjeve therëse”
“Këto poezi të gdhendura në shpirtin e poetit, sikur shfaqin vdekjen e një universi dhe nxjerrin nga heshtja baladën e njëzetmijë femrave të dhunuara”
“Me fuqinë e tyre duhet të shqetësojnë netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera tmerri të grave të dhunuara e të fëmijëve të lindur nga ato akte makabër”.
“Ato meritojnë të mos fshihet ky realitet i rëndë.”
Makolli,duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar me këtë vepër tejet prekëse dhe të ndjeshme, gjatë këtyre ditëve ka qenë i ftuar në emisionin mjaft të dëgjuar,,FORUM ‘’të autores së njohur zvicerane, Anne Fournier.
Artikullit për ata që janë njohës të gjuhës frënge në shtojcë po ia bashkëngjisim edhe nyjën ku lexuesit mund ta gjejnë të plotë intervistën e zotit Shemsi Makolli, dhënë zonjës Anne Fournier ,me rastin e ditës ndërkombëtare të të pagjeturve.

<iframe src=”https://www.rts.ch/play/embed/?urn=urn:rts:audio:14848133″ width=”650″ height=”400″ frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”fullscreen; geolocation *; autoplay; encrypted-media” name=”Journée nationale des disparus de la guerre du Kosovo: interview de Shemsi Makolli”></iframe>

Shpresojmë që Makolli me stilin e tij krijues krejt të veçantë nga të tjerët së shpejti do të na gëzojë edhe me ndonjë vepër tjetër.

ARIF EJUPI

Në Gjenevë të Zvicrës dëmtohet pllaka memoriale e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbrojtës i qytetërimit evropian

Individë të paidentifikuar ende nga policia kantonale e Gjenevës kanë dëmtuar pllakën memoriale të kryeheroit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që njëherit njihet edhe si mbrojtës i qytetërimit evropian.

Busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut,që është vendosur më 1 Nëntor 1997, pranë brigjeve të liqenit Leman të Gjenevës, është vepër e profesorit dhe historianit, Astrit Rakip Leka, luftëtar i shquar i Luftës Nacional Çlirimtare.

Z. Leka që më 24 dhjetor të këtij viti mbush një shekull jete dhe veprimtarie,këtë ide të tij të kahershme e jetësoi me ndihmën e dhëndrit të tij Alexander Lambert,profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Gjenevës dhe drejtor shumëvjeçar i shoqatës Solidest.

Kjo vepër me rëndësi të veçantë historike u përkrah edhe nga Ministria e Informatave të Republikës së Kosovës, e udhëhequr në atë periudhë nga veprimtari i njohur i çështjes shqiptare z. Xhafer Shatri.

Po ashtu me kontributin e tyre u dalluan Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Gjenevë, asokohe i drejtuar nga diplomati i palodhshëm dhe perspektiv Andi Gjonej, që nga të gjitha misionet diplomatike të botës gëzonte respekt.

Në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta harrojmë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Z. Ueli Leuenberger, themelues i Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës dhe deputet i shumë legjislaturave në Parlamentin e Zvicrës.

Leuenberger mbrojtës i vërtetë i popujve të shtypur nga regjimet diktatoriale dhjetëra herë ka qenë në krye të protestave për liri dhe mëvetësi të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës Lindore, të organizuara kudo në Zvicrër.

Andaj, me të drejtë konsiderohet edhe si Edith Durham i shqiptarëve. Me rastin e përurimit të shtatores së Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Gjenevë,qe organizuar edhe një simpozium shkencor ky patën marrë pjesë ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë prof.dr.Rexhep Meidani dhe Arta Dade, Ministër e Kulturës dhe Sportit si dhe deputeti de shkrimtari ynë i mirënjohur Dritëro Agolli.

Ndërkaq në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur po ashtu më 2 Nëntor 1997 në Gjenevë,mbi jetën dhe veprën e Gjergj-Kastriotit-Skënderbeut, me punimet e tyre para qindra të pranishmëve janë paraqitur studiuesit nga Kosova,prof. dr. Jahja Drançolli dhe prof.dr. Ymer Jaka.

Kurse përkthimin automatik apo stimulant të materialeve nga gjuha shqipe në frëngjishte dhe anasjelltas e pati bërë z. Altin Thanasi, përkthyes zyrtar në Ministrinë e Informatave të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Përdhosja e gjithë këtij mundi dhe e gjithë kësaj pune shumëvjeçare ka indinjuar të gjithë mërgimtarët tanë dhe miqtë e tyre në mbarë Zvicrën.

Z.Ueli Leuenberger këtë akt vandal e konsideron si primitivizëm mesjetar. Ai beson që Organet e Rendit dhe Sigurisë së Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, shumë shpejtë do ta gjejnë kryesinë e kësaj vepre të shëmtuar.

Leuenberger duke pasur besim të plotë në organet gjenevase apelon tek të gjithë mërgimtarët tanë për durim e tolerancë!

ARIF EJUPI

Atentati me dy shqiptarë të vdekur në Zvicër, nis gjyqi për një nga autorët

Dy persona të armatosur hynë në një kafene të Bazelit në vitin 2017, duke vrarë dy klientë dhe duke plagosur një tjetër. Një nga autorët u dënua me burgim të përjetshëm, i dyti do të gjykohet të hënën.

Faktet datojnë në mars të vitit 2017. Dy shqiptarë të armatosur me pistoleta hynë në një kafene të Bazelit dhe njëri prej tyre vrau “me gjakftohtësi” dy burra dhe plagosi rëndë një të tretë. Viktimat u identifikuan si Mirjan B., 28 vjeç dhe Gent S., 39 vjeç ndërsa i plagosur mbeti Festim D., 24 vjeç. Një nga viktimat, Mirjan B, kishte shkuar në Zvicër nga Italia. Personi i parë i cili është qëlluar me armë ishte Festim D. U qëlluan pesë të shtëna. Njëri prej autorëve është gjykuar tashmë në shtator 2018 dhe është dënuar me burgim të përjetshëm . I dyti, një 53-vjeçar shqiptar, do të dalë të hënën para gjykatës penale të qytetit Bazel për t’u përgjigjur për veprimet e tij. Pas vrasjeve ai iku, ndryshe nga bashkëpunëtori i tij, një 48-vjeçar shqiptar. Ky i fundit u dorëzua vullnetarisht të nesërmen në një patrullë policie.

I akuzuari është i njohur për policinë. Ai tashmë është dënuar disa herë dhe është burgosur për disa vite për trafik droge në Zvicër, Gjermani dhe Holandë. Krimi i tij i përgjakshëm i vitit 2017 dyshohet se kishte për qëllim “të demonstronte dhe konsolidonte fuqinë e grupit të tyre të paidentifikuar”, sipas aktakuzës. Ekspertët i kanë lidhur këto vrasje me mafian shqiptare. Kjo do të ishte një shlyerje e llogarive në lidhje me borxhet e papaguara. Një nga bastionet e kësaj organizate kriminale ndodhet në Bazel, sipas ekspertit të mafias Jürgen Roth.

Autoritetet nuk janë të sigurt se kush qëlloi pesë të shtënat. Për këtë arsye prokuroria kishte akuzuar tashmë bashkëpunëtorin në vitin 2018 si autor. Dhe edhe nëse rezulton se nuk është kështu, shkurtimi i dënimit mbetet i pamundur, sepse ai ishte plotësisht i përfshirë në vrasje, sipas prokurorit: “Ai vepronte pa skrupuj dhe donte të vinte drejtpërdrejt jetën e njerëzve në rrezik”. Në 2017 Media zvicerane “20min” nga shumë burime ka zbuluar që shkaku i gjakderdhjes makabre ka ardhur si pasojë e grabitjes së dy kilogram heroine. Së paku, njëri nga viktimat ka qenë pjesë e grabitjes së drogës. E njohur është se viktimat qëndronin si turistë në Zvicër, sipas gjithë gjasave të lidhur me rrjetin e bandave narko-trafikante, shkruan më tej media zvicerane.

(BalkanWeb)

TRIM MALIQI TRI HERË RRESHT FITUES I MEDALJES SË ARGJENDTË NË GARAT NDËRKOMBËTARE TË MATIMATIKANËVE TË ORGANIZUARA NGA “BRAINOBRAIN INTERNATIONAL”

 

Trim Maliqi i lindur më 10 qershor të vitit 2014 në Gjenevë të Zvicrës, tri herë rresht është fitues i Medaljes së Argjendtë, në garat ndërkombëtare të matematicientëve të rinj, të organizuara nga “BRAINOBRAIN INTERNATIONAL”.

Trimi me përkushtim dhe mirësjellje frekuenton edhe mësimin e rregullt në “Ecole primaire des Libellules“ të komunës Vernier të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Ai si nxënës i klasës së gjashtë i kësaj shkolle përveç që është i përkushtuar në mësime ka edhe sjellje shembullore.
Meqenëse, Gjeneva njihet si qytet ndërkombëtar që tubon të gjitha kombet dhe kombësitë e botës Trimi,shquhet për korrektësi dhe bashkëpunim me të gjithë.
Fjalë miradije përveç shokëve dhe shoqeve të shkollës për Trimin, flet edhe mësuesja e tij Florence Froelicher.
Ajo çmon lartë interesimin e Trimit në zënien e mësimeve si dhe gatishmërinë e vazhdueshme për të bashkëpunuar me shokët dhe shoqet e klasës.
Me të vërejtur prirjet e Trimit në matematikë prindërit e tij Hekremi dhe Linda, në maj të vitit 2021 e regjistrojnë në “Active Brain Kids Academy” të Gjenevës.

Mësimi në këtë Akademi mbahet nga ligjërues profesionistë dhe me metoda të sofistikuara.
Trimi një fëmijë i mbarë dhe i dashur edhe në mjedisin e rinj tregohet bashkëpunues dhe i suksesshëm.

Ai përveç ushtrimeve në Akademi nën përkujdesjen e së ëmës Linda Rexhaj Maliqi, juriste në Sindikatën “Unia“ të Gjenevës, çdo mbrëmje punon nga dy orë shtesë edhe në shtëpi.
Trimi për punë është i motivuar po ashtu edhe nga babai i tij Hekrem Maliqi, ekspert i informatikës, i cili shpeshherë i lë anash angazhimet e tij vetëm e vetëm që i biri të mos humbasë qoftë edhe pesë minuta të vetëm të mësimit në këtë Akademi.
Në fund të viteve 90-të dhe në fillim viteve 2000, shumë të rinj shqiptar të ikur nga frontet e Luftës në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë Lindore, me të arritur në Gjenevë, Fillet e Informatikës i kanë mësuar nga z.Hekrem Maliqi, në atë periudhë mësimdhënës në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës të udhëhequr nga z. Ueli Leuenberger (ish – deputet nacional i Parlamentit të Zvicrës, i 17 – të legjislaturave)
Andaj, shihet qartë që Trimi ka trashëguar shumëçka nga gjenet e babait të tij. Ai me dëshirë dhe pa kurrfarë imponimi tash tri vjet i vijon mësimet në këtë Akademi.
Puna e pandërprerë dhe dashuria për lëndën e Matematikës që për shumëkënd ende mbetet gogol, ka bërë që vogëlushi Trim Maliqi, të stoliset tri herë radhazi me Medaljen e Argjendtë në garat ndërkombëtare të matematicientëve të rinj të organizuara nga “BRAINOBRAIN INTERNATIONAL”
Mbi sukseset e këtij vogëlushi shembullor morëm edhe mendimin e zonjës Aleksadra El Solh, udhëheqëse e kësaj Akademie.
Zonja El Solh që synim të vetëm ka përgatitjen e duhur të fëmijëve në disiplina të ndryshme, posaçërisht në Matematikë thotë “natyrisht që ndjejë kënaqësie të pa përshkruar, sepse sukseset e njëpasnjëshme të Trimit, në këto gara ndërkombëtare ku marrinë pjesë mbi 21mijë nxënës nga mbarë globi, janë certifikatë besueshmërie dhe mirënjohje edhe për Akademinë tonë.”

ARIF EJUPI

“Shota” e piktorit të famshëm Sam ASLLANIT prezantohet për here të parë në galerinë ESPASE 52 në Lozanë Nga Nexha Gjema

SHOTA
Në vallen e “Shotës”, apo në Bolero’n shqiptare, Sami sjell një kryevepër…

Ai sjell dritën, energjinë dhe ritmin e shpejtë që zgjon peshë emocionet me lëvizjen ritmike të notave, fijeve akustike dhe ngjyrave vibrante.Krahët e hapura të vallëzimit, me dy krerë të çiftit, sikur nxjerrin në pah shqiponjën dykrerëshe, duke reflektuar krenari e dinjitet.

Ashtu siç përdoret me përkëdhelje fjala “shotë” për vajzat e reja, të shkathëta e të pashme, ashtu edhe piktori i ka dhënë vëmendjen vajzës, duke e nxjerr në sfond e duke e përkëdhelur dhe trajtuar me ngjyra të cilat sikur ndajnë errësirën e të kaluarës dhe i japin dritë e jetë të ardhmes.

Përballë të gjitha vështirësive, vallëzimi i tyre na e kujton jetën me vështirësi, na e kujton se lisat rriten të fortë nga erërat e kundërta dhe diamantet bëhen nën presion. Vështirësitë nuk janë veçse guxim i fatit, pengesa për t’i sprovuar aftësitë tona, humbje të më të dashurve e dhimbje të hidhura… E të cilat medoemos se sjellin forcën për gjeneratat e reja.

Tek ‘’Shota’’ Sami paraqet vallëzimin e çiftit i cili sikur ndjen duke u hedhur e ngritur lart, sikurse vullkani brenda shpirtit që të bënë të dukesh më i madh pas çdo përballjeje me fatkeqësitë e jetës të paraqitura me ngjyra dhe vija të cilat mundohen t’i frenojnë ata dy në çdo hapë…

Është një kryevepër, duhet përsëritur… Kjo na e kujton të kaluarën në formën më artistike të mundshme. Andaj, kjo magji kaq e bukur e ngërthyer në veti me kaq dhimbje e krenari, padyshim se na i mbushë sytë me lot… Por, edhe na mbushë plotë jetë e shpresë për të ardhmen e ndritur të gjeneratave të reja që do të vijnë pas!

 

SHOTA & CUCA E MALEVE

 

Për ti dhënë krahë shotës në fluturimin e saj me tingujt magjik, kjo galeri për herë të parë, e pas 20 vitesh, e sjell edhe pikturën origjinale “Cuca e Maleve”, pikturë kjo e cila është shpërblyer me vlerësimet më eminente ndërkombëtare, e në veçanti ato në Amerikë/USA.E ku ka ndjenjë më të bukur se sa kur bashkohen ‘Shota’ dhe ‘Cuca e Maleve’ në stinën më të bukur të Pranverës, kur gjithçka ringjallet e lulëzon!… Bukuria, krenaria dhe dashuria afër tyre, nuk kanë kufi!

Sami me këto vepra kaq madhështore, na bënë të kuptojmë se të fluturosh mbi tokë, do të thotë që ke nevojë të jesh i/e lirë dhe autonom. Ke nevojë të lirohesh nga pengesat dhe limitet që nuk të lejojnë t’i realizosh ëndrrat dhe dëshirat e tua!

…….

Le të shpresojmë se edhe Institucionet e Kosovës do t’i ftojnë këto dy piktura “Cuca e Maleve” dhe “Shota” që të ekspozohen tek qytetarët e saj të cilët presin me padurim që të kënaqen për së afërmi me ndjenjën më të bukur që i ofrojnë këto dy vepra të piktorit më të famshëm të këtyre dy dekadave, Sam ASLLANIT.

Shota

Cuca e Maleve

 

Prishtinë 15.04.2024 Nexha GJEMA

ARDON JASHARI SË SHPEJTI NË FC BRUGES TË BELGJIKËS- Nga ARIF EJUPI

Sipas z. Remo Meyer, drejtor sportiv i FC Luzern anëtar i elitës së futbollit zviceran mesfushori i spikatur dhe kapiteni i kësaj skuadre Ardon Jashari përfundimisht do të kalojë në FC Bruges të Belgjikës.
Jashari sikurse shumë të rinj të tjerë shqiptarë talentin e tij për futbollin e ka praktikuar me punë të pareshtur dhe disiplinë.
Ai qëkur ishte 7 vjeç nisi të luajë në skuadrën e futbollit FC BAAR të kantonit Zoug të Zvicrës.
Loja e shkëlqyer e Jasharit në këtë ekip do të bëjë që shumë shpejt udhëheqësit e Akademisë së FC Luzern të shprehin interesim për këtë talent të rrallë.

Ardoni i vogël  i mirëpritur dhe i përkrahur parezervë nga elbasanasi Jahmir Hyka ish-futbollist shumëvjeçar i FC Luzern-it.
Ardoni si 11 vjeçar do të kalojë nëpër të gjitha kategoritë e skuadrës FC Luzern. Këtu duke qenë i mbikëqyrur nga trajnerë profesionistë në afat rekord do t’i evitojë të gjitha mangësitë. Ai do të jetë i aftë që të luajë në të gjitha pozitat.
Edhpse shumë i rinj në skuadrën juniore të Lucernës do të jetë forca kryesore. Shtatlartë i qëndrueshëm , driblues i  mrekullueshëm dhe me gjuajtjet bombë me të majtën përveç që shkëlqen në sulmin e ekipit të tij ftohet edhe në seleksionin e Zvicrës me grupmoshat U-17, 18 dhe 21.
Kurse në janar të vitit 2022, zë vend në 11-shin e parë të FC Luzern. Në historinë e begatët të këtij Klubi zviceran me traditë gati 121 vjeçare Jashari me prindër nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut është kapiteni më i rinj i të gjitha kohërave.
Gjatë këtij sezoni Jashari ka luajtur me fanellën kaltër e bardhë 27 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola.
Nga krosimet e sakta të Ardonit, bashkëlojtarët e tij të sulmit kanë shënuar edhe tre gola të tjerë.
Përzgjedhësi i Zvicrës në futboll Murat Yakin, dikur trajner i suksesshëm i FC Luzern, duke i parë cilësitë e këtij djaloshi të talentuar e fton edhe në ekipin e parë apo të njohur më tepër si ekipi A.
Ardoni me gjithsej  82 paraqitje me FC. Luzern-in, do të kujtohet gjatë nga mijëra simpatizues të kësaj skuadre.
Z. Meyer konstaton që mungesa e Jasharit do të jetë hendikep mjaft i madh për FC. Luzern-in.
Mirëpo ai në të njëjtën kohë ndihet krenar që nga gjiri i kësaj skuadre doli një lojtar shembull për të mirë si në lojë ashtu edhe në sjellje.
Në Kampionatin e Belgjikës së bashku me Jasharin do të luajë edhe Andi Zeqiri me origjinë nga Ferizaj i Republikës së Kosovës, i formuar po ashtu në Zvicër.
ARIF EJUPI

Shqiptarët e Zvicrës dhe dygjuhësia shqiptare – zvicerane Nga Nexhmije Mehmetaj

(Vazhdim i artikullit ” Shqiptarët e Zvicrës dhe e folmja e tyre”)

Në Zvicër sipas statistikave zvicerane jetojnë rreth treqind mijë shqiptarë, që kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe, një pjesë e konsiderueshme e tyre e ruajnë përkatësinë e tyre etnike, e ndjejnë veten shqiptar e shprehin në radhë të parë në përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe traditat e tjera shqiptare. Ndërsa të tjerët e kanë bjerrë gjuhën shqipe.

Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare të Zvicrës përbëhet nga dy gjuhë. Përveç shqipes ata dinë edhe njërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Pasja e dygjuhësisë për bashkësinë shqipfolëse ka rëndësinë e vet. Gjuha shqipe është një mjet i rëndësishëm për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar dhe lidhjen me atdheun. Ndërsa mësimi i gjermanishtes apo frëngjishtes për të u integruar në shoqërinë pritëse.

Natyrisht, e me kohë, nevojat e jetesës në vendin e ri, i cili mbi 50 vjet u bë atdheu i dytë, i detyruan shqiptarët të nxënë edhe njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës, kryesisht gjermanishten apo frëngjishten duke kaluar, ku më shpejt e ku më ngadalë, ku në masë e ku vetëm një pjesë e mirë apo vetëm një pakicë, në dygjuhësi: shqip – gjermanisht apo shqip – frëngjisht.

Deri para disa vjetësh, pjesa dërmuese e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër kryesisht brezi i parë i mërgimtarëve nuk dinte të fliste të shkruante dhe të lexonte asnjërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Ata që dinin mirë të dy gjuhët: shqip – gjermanisht apo shqip frëngjisht numëroheshin në gishta. Për shërbime të ndryshme shërbehej përkthyesi. Nga ana e shqiptarëve u bënë dygjuhësh më parë burrat, sepse ata ishin në kontakte më të drejtpërdrejta me popullsinë zvicerane, kurse gratë shqiptare, kanë qenë më të lidhura me familjen dhe traditat shqiptare, prandaj edhe gjuhët e mjedisit zviceran i kanë nxënë më pak. Më vonë dygjuhësia shqip- një gjuhë zvicerane u shtri edhe në pjesën femërore të popullsisë.

Dygjuhësia gjermanisht – shqip apo frëngjisht – shqip tashti është normë për të gjitha grupet sipas moshës. Ka situata kur folësit e moshuar e përdorin shqipen për shumicën e qëllimeve, ndërsa folësit e rinj njërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Folësit e moshës mesatare kanë aftësi dygjuhësore dhe mund të u përshtaten bashkëbiseduesve shqipfolës dhe atyre që nuk janë shqipfolës.

Megjithatë, ne theksojmë se ka mërgimtarë që janë vetëm një gjuhesh, sidomos të moshuarit e brezit të parë. Kjo shtresë ishte edhe më pak e arsimuar, punoj në punët më të izoluara si në bujqësi e blegtori prandaj edhe gjuhët e mjedisit i kanë mësuar vetëm pak.

Një pjesë e intelektualëve shqiptarë, veprimtarë shoqëror, studentë e doktorantë, gazetarë/e mësues e mësuese, shkrimtarë e shkrimtare njohin relativisht mirë të dy gjuhët të cilët e dëshmojnë në shkrimet e tyre, na shfaqen me një kompetencë gjuhësore të plotë, janë dy gjuhësor.

Nga ana tjetër, shqiptarët e rinj të lindur në Zvicër, së paku nga mosha 30 vjeç e poshtë, kanë mësuar në shkollat zvicerane të shkruajnë e të lexojnë gjuhën e mjedisit, por janë të paktë ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë edhe shqip, prandaj edhe dygjuhësia e tyre nuk mund të quhet cilësore. E përdorën shqipen në variantin e folur me një kompetencë mjaft të ulët, e kanë nxënë shqipen në mënyrë joformale dhe jo nëpër mjet mësimit në shkollë ( një varietet komunikues) kryesisht në rrethin familjar dhe në kontaktet me të afërmit e tyre.

Porse dygjuhësia kolektive nder shqiptarët ose më saktë të nxënit e gjermanishtes apo frëngjishtes në mjedisin zviceran nga shqiptarët fillon në moshën kur fëmija shkon në shkollë. Fëmija shqiptar derisa hynë në shkollë është një gjuhësh, folës burimor i shqipes me të hyrë në shkollën fillore, fillon të nxë një gjuhë të re, gjuhën e shkollës. Shumë prindër gabojnë kur ia ndërprerjen fëmijës gjuhën amtare, me mendimin se gjuha amtare e pengon mësimin e gjuhës së shkollës. Përkundrazi nxënësit që vijojnë mësimin plotësues shqip arrijnë të përdorin më lehtë të dy gjuhët, shqip dhe gjuhën e shkollës e formojnë një dygjuhësi me kompetencë fillestare për moshën e tyre.

Shumë prej shqiptarëve kërkojnë mësimin e gjuhës shqipe, jo për të qenë të shkëputur e të mbyllur në vete, por, përkundrazi, për t’u integruar edhe më tej në mjedisin zviceran, veçse pa bjerrë as trashëgiminë kulturore as atë gjuhësore amtare: ata kërkojnë që nxënësit shqiptarë të shkojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe të ushtrohet dygjuhësia: shqip- gjermanisht apo shqip frëngjisht.

Në dygjuhësinë shqip-frëngjisht, gjatë bisedës në shqip dukuria më e shpeshtë është ( code switching ) ndërhyrja e një fjale nga frëngjishtja brenda një fjalie të shqipes dhe struktura e fjalisë mbetet shqip. P.sh. A duhet të mësoj vjershën par coeur (përmendsh)? Kam harruar mes devoirs (detyrat e mia) në shtëpi.

Ndërrimi i kodit është edhe i përzier (codsmixting) hyjnë në veprim karakteristikat strukturore të dy gjuhëve, në një fjali kemi dy fjalë nga frëngjishtja. Ndërhyrja bëhet si pas dy mënyrave: fjalë nga frëngjishtja të përshtatura në fonetiken e shqipes dhe fjalë të pa asimiluara.

Sa i përket gjuhës së folur shqipe në një masë të madhe është prekur sistemi leksikor i cili pasurohet dukshëm edhe përmes gjermanishtes apo frëngjishtes. Tashmë mund të vërehen një serë ndikimesh të rëndësishme ndërgjuhësore, si në nivelin fonetik – leksikor edhe në atë gramatikor e sintaksor. Huazimet leksikore, kalket semantike, përzierja gjuhësore, theksi i huaj, janë dukuri e rregullt te folësit dygjuhësh.

Tejkalimi i këtij problemi në bashkësinë shqipfolëse është i mundshëm përmes ndërgjegjësimit të mësimit të gjuhës shqipe: që çdo shqiptar/re të bëhet dygjuhësh i përsosur, krahas gjuhës dhe kulturës zvicerane duhet të dijë edhe gjuhën e kulturën shqiptare.

Gjenevë, 01. 04.. 2024 Nexhmije Mehmetaj

Kush po tallet me organizimin e mësimit plotesues të gjuhës shqipe në Zvicër- Nga Hamzë Morina

 

Para disa vitesh pata dërguar një shkrim në “albinfo.ch” në Zvicër, si reagim i një shkrimi lidhur me vizitën e ambasadores shqiptare në Ambasadën e Kosovës në Bern, e cila kishte falënderuar Xhaminë e bardhë në Aarburg për kujdesin që po tregon imami për kultivimin e gjuhës shqipe.

I indinjuar thellë që ambasadorja e sapoardhur nga Kosova, ose ishte manipuluar keq ose nuk kishte njohuri që mësimi shqip mbahet në shkollat zvicerane nga LAPSH “N. Frashëri”, i pranuar zyrtarisht nga autoritetet zvicerane disa dekada më parë.

Me siguri portalit i është dukur si artikull fyes ndaj një zyrtareje, por realitetet nuk mund të injorohen.

Artikulli kishte të bënte me një huqje të madhe të ambasadores dhe këshilltares së saj, motrës së deputetes G. Musliu dhe nuk kishte të bënte asgjë kundër vizitës, po kundër një mashtrimi se atje mësohet gjuha shqipe, derisa realiteti ishte ndryshe, pasi aty dihet se në cilën gjuhë mbahet mësim besimi.

Artikulli është ky:

Letër Ambasadores

E nderuara ambasadore, për mua do të ishte e ndershme dhe e radhës të përshëndes dhe të përgëzoj për fillimin e misionit tuaj diplomatik në Zvicër nga Kosova, mision që bashkatdhetarët e tu e kemi pritur kaherë qe t’ ju kemi si misionarë diplomatikë e konsullorë. Po, ja që kësaj radhe do të përshëndes për mundësinë që zgjodhe për tu takuar me misionarët tanë fetarë në Aarburg të Aargaut, pasi si duket ky është prioriteti juaj dhe i Qeverisë që përfaqësoni që besimtarët e Kosovës të ndihen mirë dhe rehat, sepse kanë tashmë një shtet që ua di hallet dhe i çmon për “kontributin” që dhanë dhe punën që po bëjnë edhe në diasporë për ta përhapur fenë islame deri në këndet më të largëta të Zvicrës, e cila si duket mezi priti që shqiptarët që deri dje bërtitnin për komb e atdhe e sidomos për një shtet laik dhe evropian, paskan qenë o të dehur o të paditur.

Dhe në atë takim më erdhi mirë që kishit marrë dhe një femër tjetër përfaqësuese të ambasadës së Kosovës dhe kishit takuar krerët e Unionit të bashkësisë islame, të cilët me thanë të vërteten do të ishin ndier më mirë sikur t’u ishit përshtatur kushteve të tyre të veshjes kur hyni në një tempull të tillë si xhamia e bardhë e Aargaut, së paku të kishit vënë nga një shami sa për sy e faqe për të qenë edhe më të respektueshme. Po kjo është imtësi dhe me siguri në takimin tjetër edhe kjo do tu bie ndërmend.

Krejt kjo që shkrova nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për mua, pasi ju jeni diplomate dhe takimet tuaja protokollare i bëni ashtu si ju përcaktojnë agjendat e vendosura nga Qeveria juaj dhe unë s’ mund tu përzihem në to. Kjo do të ishte naivitet për mua që ti sugjeroj një diplomate si ju dhe Qeverisë që përfaqësoni në Zvicër si do ti organizoni punët dhe takimet tuaja.

Por, një gjë ama dua t’ua them. Unë jam mësues i shkollës shqipe që me kolegët e mi ka një çerek shekulli që përkujdesemi për mësimin dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe kam një vërejtje të vogël që kur hyni në tempuj të tillë fetarë, mos manipuloni me këtë veprimtari që për mua është e shenjtë dhe mos lejoni të manipuloheni për këtë çështje nga njerëz dhe institucione që nuk kanë kurrfarë lidhje me këtë punë. Kur keni marrë mundin të flisni për këtë është dashur të keni me vete së paku një nga udhëheqësit e LAPSH “N. Frashëri” dhe të ishit marrë vesh se si do të krijohej platforma e përbashkët për shkollën shqipe mes këtij institucioni profesional që është ende aktiv dhe xhamive, të cilat me thënë të vërteten më shumë po manipulojnë me këtë çështje të ndejshme se po ndihmojnë.

Më pëlqyen fjalët e kryeimamit Ismaili:

„…Në vazhdën e këtij takimi u shkëmbyen opinione mbi angazhimin e imamëve në platformat ndërfetare, nevojën e pashmangshme inkurajuese të fëmijëve për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe.“ Të thënë me këtë rast.

Po a nuk të ra ndërmend ta pyesësh që gjatë hartimit të kësaj platforme sa herë ka takuar krerët e LAPSH dhe si janë marrë vesh me ta?! Zonjë këto janë vetëm fjalë. Se di se ç’ është biseduar, po në bazë të shkrimit në portalin albinfo.ch kështu lexova.

Lexova pos këtij njoftimi edhe falënderimin tuaj për ta: “ …duke i vënë në gatishmëri hapësirat e qendrave islame edhe për shërbime edukativo- arsimore, si dhe për shërbime konsullore për nevojat e vet komunitetit shqiptar”.

Zonjë , vërtet jeni kaq e painformuar dhe aq e paditur se shqiptarët që edukohen dhe arsimohen në shkollat evropiane e paskan kaq të nevojshme një ndihmë të tillë nga xhamitë?!

Të kishe falënderuar që ata po ndihmojnë myslimanët që të kryejnë ritet e tyre fetare dhe ato pak mësime të kuranit, hajt, sepse ata mu këtë detyrë kanë, por të shkosh aq larg sa të falënderosh ata edhe për shërbime konsullore, ky është kulmi. Kësaj radhe ke tejkaluar edhe shtetet si Turqia e cila edhe pse po ngarend nga rendi islamik, këtë luks nuk ua lejon xhamive të saj në Zvicër, sepse ato i kryen bindshëm nëpër konsullatat e saja.

E nderuara ambasadore,

Besoj që të moskeqkuptohemi, pasi unë kisha vetëm një brengë: Kujdesuni që mësimin e gjuhës shqipe ta kryejnë shoqatat profesionale që tashmë kanë përvojë çerekshekulli si LAPSH “N. Frashëri” e falënderoni xhamitë për atë që u takon dhe kujdesuni që mos të manipulohen nga sekte të shumta ekstreme falë donacioneve që keqpërdorin dhe gjeni kohë të bisedoni me mësues/e që mbajnë një çerekshekulli këtë barrë organizative për gjuhën që kaherë është dashur ta merrni përsipër si shtet, në bazë të ligjeve që keni krijuar, siç bëjnë të gjitha shtetet normale në Evropë.

Sa për xhamitë dhe ndihmën e tyre për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, do t’ua them vetëm një opinion të një, me gjasë, imami, M. A. i cili në të njëjtin portal kur mësuesja jonë Nexhmija bën një shkrim për shkollat shqipe dhe xhamitë, akuzohet nga ky imam, pos tjerash se kjo mësuese- kolege jona, po ua shpërlan trurin fëmijëve me ideologji komuniste dhe është islamofobe duke i sugjeruar për fund:

“…Në opinionin e zonjës, xhamitë që japin mësim të gjuhës shqipe kritikohen për këtë. Epo pyes, nëse xhamitë dhe imami apo mësuesi aty nuk është i kualifikuar sa duhet për te mësuar gjuhën shqipe, çfarë të bëhet atëherë? Të mos mësohet gjuha aspak? Zgjidhja më e mirë do ishte sikur shkollat shqipe në kuadër të LAPSH-it do të organizonin mësim të gjuhës në xhamitë.’’- çfarë absurdi.

Shpresoj që platforma e z. Ismaili të mos jetë kjo, sepse do të ishte një skandal dhe absurd i llojit të vet. Do ta kisha lënë këtë opinion të vetmuar të imamëve. Po kjo vizita jote dhe sidomos falënderimi që ua drejton imamëve për mësimin shqip në xhami më kanë shqetësuar shumë.

Shpresoj të takohemi me LAPSH dhe të bisedojmë më shtruar e të qartësohemi, ishin mësuesit këtu në Zvicër ata që mbrojtën gjuhën e kulturën shqiptare, para se të vinin këtu hoxhallarët dhe para se të vinit ju diplomatët. Pak më tepër respekt për prioritetet e Qeverisë tuaj që i proklamoni përditë e bëni të kundërtën.

Me nderime
Hamzë Morina – mësimdhënës i gjuhës shqipe ne Zvicër

Derisa në artikullin e këtyre ditëve që po ashtu nuk u botua nga albinfo.ch “Unifikimi i shkollës shqipe në Zvicër”, e që ka të bëjë me nismën e ambasadorëve të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë në Ambasadën e Shqipërisë për gjoja unifikimin e shkollës shqipe, kur dihet se është vet ish -ambasadori shqiptar, Ilir Gjoni që ka kontribuar për të ndarë LAPSH dhe për të filluar me Ambasadën shqiptare si bartëse e dytë të këtij mësimi ani pse LAPSH kishte një traditë tashmë afër tri dekada.

Edhe në këtë artikull nuk ka diçka që dikush mund të konsiderohet si i fyer. Është evidente vetëm përzierja e ambasadorit shqiptar në kompetencat e një shoqate, për të cilën Kryesia e saj ka dalë me një qëndrim të qartë, letër që deri më tash nuk e ka publikuar askush. Po të lëmë tash këtë punë, për të cilën as unë s’ kam dashtë ta publikojë për të mos i fry përçarjes. Po, pse sot me ardhjen e ambasadorit të ri kërkohet Unifikimi, që për mua ai është unik në tërë Zvicrën, pasi punohet sipas një kurrikule dhe tekste të përbashkëta dhe në aspektin konceptual nuk ka çka unifikohet, pos sindromit të udhëheqjes për të cilën pat rënë në grackë ambasadori nga mësimdhënës karrieristë, e të cilët kanë përfituar nga ai, me dije a pa të nuk e di, po që dëmi i shkaktuar këtij mësimi është shumë i madh.

Ajo që më brengos janë dy mashtrime perfide që u bëhen prindërve shqiptarë dhe që tregojnë dashakeqësi dhe përçarje:

Në rastin e parë “ Letra ambasadores“ kishte të bënte me mashtrimin:

1.Ejani në Xhami se keni dy përfitime. Edhe do të përfitoni nga mësim besimi dhe do ta mësoni gjuhën shqipe që prindërit, me nivelin e tyre kanë rënë në këtë kurth dhe sot xhamitë janë plot me fëmijë, e lokalet shkollore që zviceranët i lejuan për mësimin e gjuhës shqipe gati të zbrazëta. Ju gjykoni vet se çfarë po ndodh!

Derisa te rasti i dytë kemi kurthin tjetër si mashtrim, po ashtu shumë perfid.

2. Ju që po mbani mësim me sistemin e LAPSH nuk konsideroheni të zyrtarizuar sepse LAPSH – it i ka kaluar koha, derisa këta me Ambasadën shqiptare kanë zyrtarizuar mësimin shqip!

Po, si në rastin e parë, që në xhamitë nuk mësohet gjuha shqipe ashtu edhe në rastin e dytë nuk kemi zyrtarizim të mësimit plotësues në diasporë dhe ky ishte vetëm një bllof i ambasadorit shqiptar që s’ është më në ambasadë dhe posa erdhi i riu shtrohet kërkesa për unifikim ( më mirë me thanë kthim në LAPSH). Sepse ne që dimë të lexojmë e kuptuam se ky ka qenë rast i vetëm i veçuar dhe vazhdon të jetë i tillë në të gjitha shtetet në Evropë ku ky mësim organizohet atë e bëjnë Shoqatat e caktuara profesionale.

Këtë e din edhe ai që tashmë përfitoi nga ky bllof ose qëllim i ambasadorit dhe u caktua jo vetëm koordinator për Zvicër por edhe Kryetar i Këshillit koordinues për gjithë Diasporën!

Artikulli tjetër:

Unifikimi i shkollës shqipe në Zvicër

(Ambasada e Shqipërisë në Bernë pasi ka ndarë udhëheqjen e arsimit në Zvicër dëshiron ta bashkojë sërish, tashmë me ambasadorin e ri shqiptar, Mustafa Nano )

Në albinfo ( të cilën e përcjellë në vazhdimësi e sidomos rubrikën Diaspora me linkun e saj Gjuha), lexova që pas shumë viteve në Ambasadën e Shqipërisë qenkan bashkuar tre ambasadorët me dy bartësit e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, LAPSH “N. Frashëri”, e themeluar më 1995 (nga viti 1990 si Lidhje arsimtarësh e Lidhje prindërish) dhe Ambasadës shqiptare që mori përsipër organizimin e këtij mësimi para 4-5 vitesh.

Si mësimdhënës për shumë vite dhe udhëheqës për disa të tjera (tash në pension), gjithmonë më ka gëzuar çdo nismë e mbarë në këtë drejtim dhe çdo sukses e kam përjetuar thellë. Ashtu siç jam ndier keq kur në këtë drejtim janë bërë gabime, e më keq kur këto janë bërë për qëllime të mbrapshta, qoftë nga prindërit e mësimdhënësit e aq ma keq kur këtu i kanë përzier gishtat edhe zyrtarët, cilët do qofshin ata.

Kam qenë i gëzuar kur para disa vitesh kam vërejtur, fillimisht se Ambasada shqiptare kishte marrë përsipër menaxhimin e këtij mësimi (fillimisht në kantonin e Zurich-ut) dhe kam menduar se idenë time dhe të kolegëve në LAPSH për vënien në binarë institucionalë të këtij mësimi ( për këtë nga LAPSH kishim dërguar një Letër Ambasadës dhe institucioneve në Kosovë, ani pse kurrë s’morëm përgjigje) e Ambasada e Shqipërisë e paska vendosur ta jetësojë dhe u gëzova.

Por, kur vërejta se në Kantonin e Zürich-ut janë vendosur dy organizatorë të këtij mësimi në uebfaqen kantonale të Drejtorisë arsimore të Kurseve të gjuhës dhe kulturës për gjuhën shqipe ( siç figuron ende), nuk më erdhi hiq mirë dhe një shembull i tillë më zhgënjeu pa masë.

 


Dok.1

Në përvojën time në Zvicër nuk kisha parë ndonjëherë që për një gjuhë amtare të ketë pasur dy udhëheqje. Bile, zyrtarët zviceranë udhëzonin që edhe shtetet që kishin një gjuhë të përfaqësoheshin me një udhëheqje, pasi organizimi bëhej për gjuhën përkatëse (si spanjollishtja që flitet në shumë shtete). Për një shembull i tillë kishte ndodhur vetëm një herë pas luftës në Kosovë, kur Serbia kishte humbur toruan si shtet dhe në Zvicër mësimin e serbishtes e organizonin pos Ambasadës edhe Shoqata “Sveti Sava”, por që kjo nuk zgjati shumë dhe shteti mori në dorë sërish organizimin.

Kur vërejta edhe reagimin e kolegëve nga LAPSH dhe mora vesh se ishte e vetmja Ambasada shqiptare në Zvicër që kishte ndërhyrë në formën e organizimit të këtij mësimi, e kjo s’ kishte ndodhur në asnjë shtet tjetër në Evropë, ku ka përfaqësitë shteti shqiptar, mora mundin dhe bisedova me të dy palët që udhëhiqnin këtë mësim dhe ishin kolegë të mi, të cilëve u thashë se këtu ka të bëjë me teke individësh që arsyetohen me banalitete dhe që kjo punë do të ndikojë për keq në mbarë mësimin plotësues në Zvicër, për të cilin shqiptarët me vite kishin dhënë gjithçka nga vetja për ta mbajtur gjallë fjalën shqipe, edhe në momentet më të rënda e ku kishin derdhur shumë mund e ishim angazhuar gjatë tri dekadave.

Tash, pas ndërrimit të ambasadorit që deshi të bëjë “zyrtarizimin” në këtë formë duke anashkaluar institucionin federal dhe ishte koncentruar vetëm në Zürich,( s’ di pse?) vërejta se ishte një punë e ngutshme, arsyet për të cilat mund t’i dijë vetëm ish ambasadori dhe bashkëmendimtarët e tij dhe se zyrtarët e rinj duhet të kenë kujdes sepse mund t’ u hapet “Kutia e pandorës” dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë pa kujdes dhe me veprimet e veta ndërhynë në punën e një shoqate të regjistruar mbi tri dekada në Zvicër.

Nga Letrat që kanë qarkulluar janë ndier të fyer shumë kolege e kolegë të mi, ashtu si dhe unë për deklarata të pamatura të ambasadorit para zyrtarëve vendas.

Pavarësisht çfarë komisione do të formohen për këtë çështje, ato duhet të jenë neutrale, pasi nuk mund aq lehtas të anashkalohet një veprim i tillë arbitrar.

Po, publiku duhet ta dijë se këtu nuk bëhet fjalë për unifikimin e shkollës shqipe në Zvicër, pasi në parimet kryesore shkolla është e unifikuar, pasi punon me të njëjtën Kurrikulë, të njëjtat tekste, por nuk është e unifikuar në udhëheqje dhe menaxhim dhe fajtori për këtë dihet.

Po e lë me kaq duke u dëshiruar “Unifikim” në këtë çështje, por jam shumë skeptik që ata që kanë bërë ndarjen e udhëheqjes në mësimin plotësues nuk kanë si e bëjnë bashkimin. Pasi, LAPSH ishte unik dhe zyrtarisht i pranuar dhe mbante përgjegjësi para organeve që kishin themeluar dhe atyre që kishin njohur për gjithë ato vite, derisa rikthimi i Ambasadës në këtë çështje për mua është absurd.

Ne kemi kërkuar para 20 vitesh (me shkrim) që këto punë duhet të kalojnë në domenin zyrtar të çdo shteti serioz, siç veprohet me këtë çështje nga të gjitha shtetet përkatëse që organizojnë këtë mësim në Zvicër. Është dashtë të mendohet mirë nga Ambasadorë të caktuar të cilët veprojnë jashtë kompetencave që kanë, për të mos futur pyka e të dalin gaf pas disa vitesh, siç po ndodh tash.

Nuk mundet një koordinator i një ambasade (A. Shqiptare në Zvicër) të jetë Koordinator i një Këshilli koordinues të diasporës që përbëhet nga Lidhje e Këshilla mësimdhënësish në Evropë e nuk ka bashkëpunim me Lidhjen e arsimtarëve në vendin ku vepron ai.

Keni Kujdes:
Është vetëm një këshillë në këtë drejtim nga një mësimdhënës në pension, që nuk përfaqëson më askënd, por që ka lënë gjurmë në këtë drejtim për dy dekada dhe e njeh mirë natyrën e ndjeshme organizative në këtë drejtim dhe e shqetësojnë rrjedhat e tilla absurde.
Pyes në fund: Kujt ju desh dhe pse krijoi një huti të tillë vetëm në Zvicër!?

Me nderime
Hamzë Morina

Por, të kuptohemi edhe me qartë, isha ndër të parët që si njohës i mirë i këtij procesi, sa isha Kryetar i LAPSH në Zvicër u pata dërguar shkresë institucioneve, pasi Kosova u pavarësua dhe Shqipëria kishte mbushur një shekull shtet që ky mësim të futet në binarë institucional. Pas disa përpjekjesh të kota, vërejta se kjo nuk po ndodh sepse pak kishin përfitime në këtë punë, apo e panë si të pamundshme ta marrin përsipër organizimin e këtij mësimi siç e kanë të gjitha shtetet normale në botë. Letër që s’mora kurrë përgjigje.

Pra, ndër të parët isha për kalimin e menaxhimit të këtij mësimi nga një shoqatë si LAPSH në binarë institucionalë, por jo ashtu siç veproi ambasadori, dhe jo sërish kështu siç po veprojnë ambasadorët me dy udhëheqësit e strukturave që po duan bashkim sërish në LAPSH.

A po vazhdon tallja!? Dëshiroj të jem i lajthitur, gjykoni vet!

Ja dhe letra ( si propozim) Ambasadës dhe autoriteteve shtetërore para se të ndodhin këto mashtrime dhe tallje se si do të duhej ky mësim të kalojë në binarë normalë institucionale, përndryshe me këtë formë organizimi ende jemi të barazuar me formën e organizimit si popujt që ende s’kanë shtete, me kurdët e tamilët në Zvicër, që organizojnë mësim përmes shoqatave:

“Ninullë” e Adrian Asllanit fitoi çmimin e parë në Festivalin e Filmit “Movie Day” në Zvicër

Më 22-23 mars 2024, u mbajt edicioni i 11-të i Festivalit të Filmit “Movie Day” në Romanshorn të Zvicrës.

Në këtë festival konkurrojnë dy kategori të realizuesve të rinj të filmit: Në kategorinë e parë përfshihen filmat e krijuesve deri në moshën 16 vjeç, ndërsa në kategorinë e dytë janë filmat e regjisorëve deri në moshën 25 vjeç.

Në mesin e konkurruesve në kategorinë e dytë ishte edhe filmi “Ninullë” i Adrian Asllanit.

Gjatë ndarjes së çmimeve, anëtari i jurisë Aaron Asteria, deklaroi se filmi ‘Ninullë’ ka ngjallur një debat të madh brenda jurisë, sepse është një film që ngërthen në vete pikëpamje nga balada e Goethes “Der Erlkönig” e deri te qasja e Frojdit për raportet prindër/fëmijë. Pas diskutimeve të shumta, juria, pa hezituar, vlerësoi se ky është filmi më i mirë.


Vlen të përmendet se për filmin “Ninullë” ky është çmimi i pestë që e merr nga shtatë festivale ku është shfaqur deri tani.bw


Send this to a friend