VLORË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se demokratët janë ata që do ta shpëtojnë Shqipërinë nga kjo bandë në pushtet. Gjatë fjalës së tij në turin e ‘Foltores së Ripërtëritjes‘ në Vlorë, Berisha foli edhe për zhvillimet e sotme, duke u ndalur fillimisht te drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe shkarkimin nga detyra në kuadër të një hetimi që lidhet me dosjen e AKSHI-t.
Kryedemokrati e cilësoi Hysenin si ushtare të krimit të organizuar, duke thënë se drejtuesja e shërbimit sekret kishte vënë në dispozicion të eksponentëve kriminalë mjete shtetërore të survejimit. Lideri i opozitës foli edhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në banesën e të cilit BKH kreu kontrolle gjatë ditës së sotme me urdhër të GJKKO-së. Berisha ngriti edhe një pretendim tjetër, duke deklaruar se gjatë kontrollit në banesën e Prodës është gjetur një armë snajper.
“Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Vlorës, në këtë sallë, në qytet, në të katër anët e qarkut dhe në të katër anët e dheut ku jeni, një përshëndetje shumë të përzemërt. Zonja kryetare e PD, zoti deputet i PD, Bujar Leskaj, zoti nënkryetar i PD, Nikola Kedhi, zoti drejtues politik i qarkut, Aurel Bylykbashi, drejtues zoti Klevis Balliu, Sekretar Organizativ, një përshëndetje të përzemërt dhe vlerësimin tim për të gjithë punët dhe përpjekjet. Të dashur miq, ne mblidhemi sot në një moment kritik të një roli të ri që duhet të marrë PD. Ky rol i ri i PD përcaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga emergjenca kombëtare e këtij vendi, emergjenca kombëtare e Vlorës, emergjenca kombëtare e Tiranës dhe e Shqipërisë.
Ne, forcë politike me një trashëgimi, e cila bën krenar çdo anëtar dhe mbështetës të saj, kemi përpara një detyrë jetike për vendin, por një detyrë të vështirë, përmbushja e së cilës do jetë përcaktuese në shumë aspekte për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çdo ditë qytetarët lexojnë dhe dëgjojnë nga një faqe të zezë nga libri i zi i këtij regjimi. Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, në pushtimin e një regjimi kriminal. Një regjimi në të cilin, marrim ditën e sotme, del se kreu i SHISH, që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar.
I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat, paratë tuaja, të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve për ata që kërcënonin rrezikun. Ish-drejtori i policisë, që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper superspecial në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë një person të dhënë, i blerë për funksione të caktuara. Pra, mund të vazhdoj gjatë e gjatë në këtë aspekt, por një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do të dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute që të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës. Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij. Dhe ju, dhe shqiptarët, do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande. Para saj, ne jemi forca politike me detyrim madhor të shpëtojmë vendin. Roli i demokratëve është roli i shpëtimtarit,” tha Berisha./Dosja.al


Komentet