Heshtja vret më shumë se vetë ngjarja. Në një kohë kur Vllaznia mund të konsiderohet e “marrë peng”, pasi nuk mund të zhvillojë normalisht punën e saj dhe të përgatitet për ndeshjen e radhës, pasi trajneri dhe drejtuesit e saj kërcënohen vazhdimisht, krerët më të lartë të klubit e bëjnë situatën edhe më dramatike dhe të pashpresë.
Në një kohë kur kryebashkiakja e Shkodrës që është njëkohësisht edhe presidente e klubit Vllaznia, Voltana Ademi, të tregonte mbështetje për teknikun dhe t’u jepte besimin sportdashësve të shumtë shkodranë se klubi nuk mund të frikësohet nga këto kërcënime, ka vetëm heshtje. –
Gazeta “Panorama Sport” ka tentuar gjatë gjithë ditës së djeshme me të gjitha mënyrat për të kontaktuar me drejtuesit e Vllaznisë, në lidhje me skandalin që ndodhi, por askush nuk ka pranuar të komentojë. Vetë trajneri Agim Canaj duket se është shumë i tronditur nga gjithçka i ka ndodhur dhe nuk ka reaguar. Gjithashtu, gazeta ka tentuar të komunikojë me kryebashkiaken Voltana Ademi, por si gjithmonë nuk ka qenë e disponueshme duke mos iu përgjigjur interesimit tonë. As administratori Suad Lici që duket se është frikësuar nga kjo histori, nuk ka folur asnjë fjalë.
Madje, në një komunikim të shkurtër që ka pasur gazeta me të gjatë paradites së djeshme, ka deklaruar se klubi do të dalë me një deklaratë zyrtare. Por, kjo nuk ka ndodhur. Gjatë pasdites së djeshme është përfolur se drejtuesit kanë bërë denoncim në polici në lidhje me këtë çështje, por që nuk ka asnjë konfirmim nga drejtuesit apo organet policore. Situata në skuadrën shkodrane është e rëndë, ndërsa historia përsëritet dhe klubi nuk po gjen qetësi. Pritet që sot të ketë reagim nga klubi që me heshtjen e tij vetëm u jep zemër kërcënuesve, ndërsa lojtarët dhe stafi ndihen gjithmonë e më shumë të frikësuar.
Komentet