Veton Surroi, emër i përhershëm në ekipet negociuese të Kosovës me Serbinë përgjatë dy dekadave të fundit, është i bindur se SHBA’ja e ka seriozisht për bisedimet me Serbinë. Ai konfirmon se në një mënyrë tashmë është i përfshirë në proces duke takuar liderët politikë në Kosovë për t’i këshilluar, si më i vjetri në zanatin e negociatave. Dy vende në delegacionin shtetëror janë rezervuara për shoqërinë civile, e nuk përjashtohet që publicisti të jetë një nga ta. Ai thotë se është gati nëse e thërrasin: “Nëse mendohet se mund të ndihmojë në çfarëdo forme jam në dispozicion” thotë Surroi.
Shoqërisë civile i kanë takuar vende në secilin formacion të ekipeve negociuese të krijuara për dialogim me Serbinë, që nga bisedimet në Rambuje e në Vjenë.
Edhe ekipi negociator i udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj ka dy vende të zbrazëta, të cilat i takojnë përfaqësuesve nga shoqëria civile.
Akoma nuk janë zgjedhur bartësit e këtyre pozitave, megjithatë publicisti Veton Surroi, i angazhuar në secilin ekip negociator që nga Rambujeja, po jep kontribut edhe në këtë fazë të bisedimeve me Serbinë.
Publicisti ditë më parë ka treguar se ka biseduar për dy muaj me liderët politikë në vend, e me ta ka arritur dakordim në disa pika për dialogun.
“Unë mund t’i sugjerojë edhe 5 edhe 10, por nuk i bëjë publike. Në bisedën që e kemi zhvilluar dy muajt e fundit me ta, me të gjithë liderët, kemi arritur deri te dakordimi mbi disa pika që mund të jenë mbi kornizat negociatore të së ardhmes”, ka thënë Surroi në një intervistë në KTV.
“Ia vlen që partitë të ulën t’i rivlerësojnë. Subjektet politike e kanë të gjitha një copë letër që e kanë shikuar dhe i kanë pajtuar me to”, ka shtuar ai.
Ai është i bindur se SHBA’të e kanë seriozisht për bisedimet.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura, duhet kuptuar shumë seriozisht dhe përgjigja ndaj tyre duhet të jetë dinamizimi kosovar jo hajt se kalojmë edhe këtë javë edhe javën tjetër kur t’na vjen një diplomat tjetër” thotë Surroi.
Surroi ka vërejtje për mënyrën se si Thaçi po merret me bisedimet por nuk e kundërshton përfshirjen e tij në proces.
Ai komenton edhe mbi atë se pse spektri aktual politik nuk po bashkohet për të ndërtuar konsensusin.
“Mungesa e përvojë nuk ka aq shumë njerëz që kanë kaluar nëpër procese të tilla negociatare. Mund të jetë njëra prej arsyeve” thekson Surroi.
Ndërkohë që nuk kanë munguar as këshillat për Ramush Haradinajn se si të hiqet taksa që aktualisht po e mban të bllokuar procesin.
Në dhjetor, Surroi ka pasur disa takime të papritura në zyrën e Kadri Veselit dhe të Ramush Haradinajt. Më vonë për median e tij tregoi se takimet kishin të bënin me përgatitjet për dialogun me Serbinë dhe aty ka shkuar si përfaqësues i shoqërisë civile.
Partia Socialdemokrate, si subjekti që ka më së shumti anëtarë në delegacionin kosovar, ka thënë për Gazetën Express se ekipi negociator është në proces të emërimit të përfaqësuesve civilë.
Në përgjigjen e PSD’së thuhet se Surroi nuk e ka ndihmuar ekipin negociator në ndonjë punë të tyre, ndërsa nuk e përjashtojnë se emri i tij mund të jetë një nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“z.Veton Surroi nuk ka qenë i përfshirë në punën e Delegacionit Shtetëror, rrjedhimisht as në procesin e përgatitjes dhe të përpilimit të Platformës shtetërore. Delegacioni Shtetëror nuk ka përjashtuar ndonjë emër të përveçëm të përfaqësuesve të mundshëm të nesërm të shoqërisë civile në përbërjen e Delegacionit, pra as z.Veton Surroi”, thuhet në përgjigjen e PSD’së.
Gazeta Express në dhjetor raportoi për një vizitë të Surroit në Kuvend. Atje takoi kryeparlamentarin Veseli, ndërsa kishte paralajmëruar takime të tjera edhe me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin të fliste për dialogun, pjesë e të cilit ai refuzon të bëhet.
“Sot u takova me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, si pjesë e projektit të KFOS-it për mbështetje në proces negociator. Nesër takohemi me Albin Kurtin dhe me Fatmir Limajn. Pra, bëhet fjalë për iniciativë të KFOS-it që si shoqëri civile të mbështet partitë e pushtetit dhe opozitës në procesin negociator, pa marrë parasysh a marrin pjesë a jo në ekipin negociator”, kishte deklaruar Surroi.
E, rreth pjesëmarrjes eventuale në procesin e bisedimeve, që po bëhet gjithnjë më i mundshëm për shkak të insistimit ndërkombëtar, Surroi thotë se është gati.
“Unë edhe ashtu jam duke ndihmuar për aq sa mundem në këtë pozicion i jam falënderuar PSD që nga fillimi kur më është ofruar përfshirja dhe të njëjtën përfshirje e kam edhe sot në momentin kur të krijohet konsensusi dhe nëse mendohet se mund të ndihmojë në çfarëdo forme jam në dispozicion.”
Komentet