VOAL

VOAL

Piktura e artistit britanik Hockney shitet me çmim rekord

November 16, 2018

Komentet

PIKASO, KEIFER DHE NALLBANI- Nga ARTUR SPANJOLLI

Nallbani

 

Kur përditshmëria a artistit, shndërrohet në vlerë arti.

 

 

Kjo vepër, me titull: Tremble’s, e artistit shqiptarё- amerikan, Alkan Nallbani, simbas gjykimit tim,

ka nevojë për një thellim dhe koment mē të kujdesshëm. Nuk është dhe nuk duhet tё jetё, njё vepër, e cila duhet tё kaloj pa u vëzhguar mirë. Doja tё shikoja me kujdes tre artistё tek punёt e tё cilёve gjej ngjashmёri stilistike. Pikaso me veprёn e tij Guerrnika. Si dhe Kiefer me serinё e tij mbi Lulediellit, me: “Fugit amor”. Duke i vёzhguar qё tё tre veprat me kujdes do tё vёreja pikat e takimit dhe diferencat e tyre.  Nëse Pikaso tek Guerrnika, jep shkatërrimin e njё qyteti nga njeriu, britmat dhe tmerrin e luftёs, absurditetin dhe padrejtёsitё e saj. Tek artisti gjerman Kiefer, me ciklet e tij nё pёrmasa gjigande, ai paralajmëron shkatërrimin apokaliptik, tё njё bote e cila ёshtё e kёrcёnuar po vetё nga njeriu. Kurse artisti shqiptaro amerikan Nallbani, me veprёn nё shqyrtim, na vjen me delikatesë dhe mençuri. Pjekuria e tij artistike shihet fare qartё. Ai ka dashur tё na japё një aspekt tjetër tё jetёs krijuese tё artistit. Duke u futur thellё nё laboratorin krijues dhe sintetik të artistit.

Pikaso, me Guerrnikën, falё njё ekspresiviteti joshёs dhe intrigues, na jep pasojat e dhimbshme te luftёs. Artisti gjerman, intuitiv dhe vizjonar nё veprat e tij, na pёrshkruan shkretinё post atomike tё qytetёrimeve post konsumiste. Ndёrsa, Nallbani, të cilin po e marr në shqyrtim, mundohet tё transmetoj diçka tjetёr. Ai na jep njё tërthore tё pёrditshmёrisё, gati gati, tingullin e njё flauti melodjoz, mbushur me dritёn e perёndimit, pemё tё heshtura, detaje jete zogjsh shtegtarё. Duket pёrnjёherёsh qё jemi nё kohё paqje.

Që të tre veprat, kanë vlerēn e tyre estetike dhe shpirtërore si dhe na sjellin mesazhe tё ndryshme. Nese Pikaso na ka bёrё tё reflektojmё mbi tmerrin, kotёsinё shkatёrruese tё luftёs. Nёse Keifer na ka pёrshkruar me ngjyra tё zymta, nё okёr, gri dhe bezh, apokalipsin post atomik, i cili kёrcёnon vetё njerёzimin, Nallbani qёndron nё mes tё kёtyre dy artistёve. Ai rrin mes shkatёrrimit tё luftёs sё dytё botёrore, (tё çdo lufte, dhe kёrcёnimit atomik nё pёrgjithёsi). I cili, mund tё jetё edhe kёrcёnim fatkeqёsish natyrore, asteroidi mbi tokё etj. Kiefer na pёrçon frikёn e sё ardhmes. Ndёrsa Nallbani, me kёtё vepёr gjigande nё pёrmasa, i thur njё himn intim vetё jetёs dhe sidomos kohёs sё saj. “Tek pёrditshmёria, detajet qё na shpёtojnё, arratisen para syve, pa e pasur fare mendjen aty, qёndron shpesh edhe e bukura e jetёs!” shprehet ai. Nё njё bisedё miqёsore me artistin Beratas me banim nё New York, e mbi ekspozitёn e tij tё fundit nё Portogruajo, mё pёlqyen shumё vepra, sjellё nga ai, nga Amerika. Por se di pse, pёr ndonjё arsye tё pakuptueshme, shtyrё nga intuita, mu ndal syu nё veçanti tek vepra: Tremble’s 96 x 240. Vepёr e realizuar mbi letёr, boje arre, stampe botanike, njё arke tё vjetёr, njё fole zogu, dhe levozhga vezёsh. “Gjatё vitit sabatik,” u shpreh artisti, “kur u ktheva tek Studjo ime e madhe, vura re se nga njё xham i thyer, njё zog, kishte ndёrtuar folenё nё njё nga raftet e bibliotekёs time. Me sa duket kishte ikur, ndaj nё vjeshtё, e pikasa raftin, me folenё e braktisur. E pashё atё fole, si pjesё e njё strukture tё pёrbashkёt me veprёn e artit. Ndaj vendosa, ta merrja folenё e zogut dhe t’a installoja tek vizatimi gjigand me pemё. Kjo do tё ishte njё homazh, qё doja ti bёja kёtyre krijesave tё vogla fluturake, tё cilёt mbushin zbrazёtine e hapёsirёs, mbas ikjes tonё. Ndёrsa gjthnaja e degёve, ёshtё rruga mes pёr mes pemёve qё unё pёrshkoj ditё pёr ditё, pёr tё ikur nё Studjo!” Kjo vepёr, me pёrmasa gjigande, mё bёri shumё kurjoz, ndaj u ndala.

Nuk e di, por pёrnjёherёsh mё erdhёn ndёr mёnd dy artistё tё kalibrit nderkombetare. Vepra e Nallbanit, e vizatuar mbi letёr okёr, na paraqet njё pyll tё vogёl, ku dinamika e gjetheve, e degёve, mbushur me detaje jete, na fut nё atmosferёn jo vetёm tё natyrёs, por edhe tё pёrditshmёrisё. Njё natyrё qё pasurohet me zogjtё dhe elementёt tё jetёs qё hasim aty. Nё qendёr, ndodhet e istaluar arka me çerdhen e braktisur tё zogjve. Nёse Pikaso ёshtё marrё me temёn e madhe, tragjike dhe uleritёse tё shkatёrrimit absurd, tё padrejtё qё lufta i sjell vetё njeriut, si pasojё e çmendurisё sё tij. Nёse Kiefer, merr pёrsipёr rrolin vizjonar mbi njё botё, e cila kёshtu si e ka nisur nuk ka shpresё tё mbijetojё, duke na dhёnё kёshtu njё tёrthore tё mundshme tё asaj qё vjen mё pas; tek artisti Nallbani, gjej intimitetin e jetёs. Pёrditshmёrinё e artistit, por gjithashtu edhe detajet, forcёn e vetё natyrёs. A nuk ёshtё jeta jonё nё thelb, njё pёrditshmёri, monotoni pёrsёritёse, ndonjёherё edhe e bezdisshme deri nё mёrzi?! Artisti, duke u ndalur nё njё aspekt sa monoton por edhe domethёnёs tё pёrditshmёrisё, me elementet nё dispozicjon. Gjethnajёn, harlisjen pranverore tё pemёve, zogjtё e ngjitur nёpёr degё, dhe vetё folenё e braktisur, ç mesazh don tё na japё? Ndoshta se duhet ta gjejmё bukurinё tek monotonia? Apo ndoshta, se jeta ёshtё e bukur edhe nё tё padukshmen e saj, nё shfaqet e saj, tё cilat, nё pamje tё parё, mund tё na duken banale, por qё ato, thellё ndryjnё edhe mesazhe subliminale. Vetё forca e jetёs, shprehet nё to.

 

Kiefer

 

Nё kёtё vepёr arti, jemi nё kohё paqje. Ndihet qetёsia, natyra e heshtur, si dhe elementet qё e pёrbёjnё. Por kjo paqje, tregon se si cilki i jetёs, nuk e braktis atё pёr asnjё çast. Jeta nuk ёshtё veç çmenduri lufte, apo vizjone apokaliptike falё shkencёs pa moral. Ajo, ndoshta nё rradhё tё parё, ёshtё pёrditshmёri, monotoni, algoritёm, lёvizje, sjellje, dhe xheste që përsëriten. Por ja që aty, gjithashtu, na duhet të zbulojmё tё bukurёn, interesanten, poezinё e saj. Vepra eshte nje homazh, një himn në minjaturë që artisti i thur natyrës, zogjve, pulsimit ritmik të vetё frymёs sё saj. E cila, indiferente ndaj arrogancёs sё njeriut, ajo vazhdon me tё njёjtёn forcё dhe intensitet. Edhe nё mungesë të presencёs sё tij. Pra, jo veç temat e mëdha, duhet të zejnë njё vend kryesor nёpёr galeri, qendra kulturore, apo muzeume. Temat e vogla, intime, tё quajtura padrejtёsisht tema dytёsore, janё po aq edhe tё rёndёsishme. Ne, nё rradhё tё parё, jetojmē, egzistojmё, falё riteve banale, përditshmёrisё. Kafeja nё mёngjes, rruga drejt punёs, tё njёjtat fytyra, tё njёjtёt kolegë, etj. Kёtё aspekt fluturak, tё ikshёm, ka dashur, sipas meje, tё kapё edhe artisti Nallbani.

Fale fatit tё mirё, perёndimi po jeton njё kohё paqje dhe prosperiteti. Njё kohё qetёsie shpirtёrore dhe mirqёnje ekonomike. Bota, pjesёrisht, nuk ёshtё e kercёnuar as nga bombat qё shkatёrruan Gerrniken e Pikasos, as nga pejzazhet apokaliptike qё frymёzojnё Kiefer-in. Ky ёshtё njё aspekt pёr tu evidenzuar. Nuk ka tematika tё mёdha, apo tё vogla. Çdo tematikё, po u kap me art, me mjeshtёri, me stilin e duar dhe nga kёndvёshtrimi i duhur, ai mund tё shndёrrohet nё art tё vёrtetё.

Elementet stilistike tё veprёs, janё gjithashtu interesante. Paqja emblematike e saj, qetёsia dhe eleganca qё tё imponojnё, heshtja plot cicёrima tё munguara, mё bёn qё tё ndalem dhe ta sodis mё me kujdes dhe ёndje. Pa dyshim, gjendemi para njё krijimi artistik, ku elementёt e natyrёs, janё marrё ashtu siç ato gjenden nё jetё. Me llucin, lёvoret e vezёs, fijet e barit, deri edhe pendёt e rёna tё zogjve. Kjo ia shton vlerёn simbolike veprёs.

Gjithkush don tё gjente diçka nga vetvetja aty. Copёza fёmijrie, njё reflektim personal mbi bukurinё e fshehtё tё natyrёs, ndoshta. Kush nuk e ka dёshiruar, vёzhguar, njё zog, njё harabel, njё dallёndyshe, tek ndёrtonte folenё poshtё tavanit tё verantos nё fёmijri.

Nallbani, nuk ёshtё indiferent edhe kundrejtё problemeve tё mёdha tё cilat fshikullojnё shekullin tonё. Me ciklin: “Luftёra dhe shkatёrrime”, ai shpreh jo vetёm shqetёsimin e tij personal, impenjimin e tij si artist, por gjithashtu edhe mospajtimin e tij me gjithçka tё tmerrshme qё njeriu ёshtё nё gjendje tё bёjё.

Vepra, nga ana stilistike dhe e realizimit teknin sipas meje ёshtё cilёsore. Harmonija, me tё cilёn vlerat bardhё e zi shpёrndahen, ёshtё e gjetur dhe e pёrpunuar me kujdes. Edhe pse nuk jemi nё kopshtin imagjinar tё Dantes, prap mua mё krijohet ideja, se jam nё pyllin magjik tё Purgatorit. Ku gjithçka ёshtё qetёsi, heshtje, paqe. Por ёshtё njё paqe e mistershme. Njё paqe e mbushur plot deshira, ku forca e gjetheve, e zogjve, e natyrёs, e jetёs, ёshtё e fortё dhe potente.

Guernica reproduction on tiled wall, Guernica, Spain (PPL3-Altered)

 

 

FERID HUDHRI DHE DRITËSIMI PREJ TIJ I VËLLEZËRVE DINO- Nga ENVER KUSHI

 

 

I.

Shumë vite më parë, atëhere kur kapërceja nga mosha e femijërisë në atë të rinisë së hershme, historia dhe gjeografia e Çamërisë, më kanë ardhur në dy forma: Me atë të rrëfimeve dhe ëndrrave. E para ishte më konkrete dhe në trurin tim, shtresa – shtresa zinin vend rrëfime nga më të çuditshmet, për vendlindjen e gjyshërve dhe prindërve të mij, për qytetin e Filatit, që ishte shumë pranë, lindjet dhe dasmat, këngët dhe vallet çamiko, fiset, plakat, që mblidheshin në lagjen “Breg” dhe që andej vështronin Korfuzin që netëve llamburiste, apo shihnin tutje si në mjegull Gumenicën dhe përpara grykëderdhjen e lumit Kalama në detin Jon. Ndërsa Çamëria nëpërmjet ëndrrave më ka ardhur si përtej reve. Ajo vinte mëngjeseve, teksa të ulura për të pirë çajin e manxuranës, gjyshet e mia, ose mysafiret e ardhura, tregonin ëndrrat që kishin parë. Ato fillonin kështu: “Ëndrra më shpuri mbrëmë në Spatar. Frap dhe m’u bë një si feksmë(dritë). Dhromi m’u bë tërë drita. Edhe Spatari, edhe Filati kështu m’u bë. Dhe në ëndërr më erdhi furra, ku Nesua dhe Zelua po nxirrnin bukët e pjekura…”.

Ata, në ëndrrat që tregonin mëngjeseve, dukej se çmalleshin me vendlindjen e tyre, takoheshin dhe flisnin me të vdekurit, risillnin me saktësi, deri në detaje, gjithçka që kishin parë gjatë natës…

Pastaj vitet shkonin dhe megjithëse lexoja shumë, rrallë gjeja në ato që lexoja Çamërinë, historinë, kulturën, personalitetet e dramat e saj. Kjo më trishtonte, deri në dhimbje, sepse më dukej, sikur jo vetëm një populli rrënjëshkulur, por edhe pa histori dhe identitet. Mbaj mend, që herët m’u hapën dy porta që lidheshin me Dinastinë Dino. Portën e parë, ma hapi nëna ime, ndërsa të dytën, Ferid Hudhri, më 2 shtator të vitit 1979, në një shkrim të botuar në gazetën “Drita”. Dhe para se të rrëfej për këto dy porta, që më njohën me Dinejtë, dua të përmend edhe një fakt tjetër për Dinastinë Dino. Atyre u jam qasur disa herë pranë dhe më është dukur sikur qëndroja në këmbët e një mali të lartë, apo brigjeve tërë dallgë të deteve. Nuk e di, se përse ata më janë shfaqur dhe rishfaqur mes mjegullave të kohërave, herë-herë të largët, të rrethuar me mistere dhe herë-herë më pranë dhe më të qartë dhe madhështorë. Dinot jetuan kohërat e vrulleve të mëdha të shekullit XX, revolucionet, dalldisjet ideologjike, që nga komunizmi, deri në ato anarkistet, fashiste e naziste, apo luftërat botërore. Të rritur dhe edukuar në një familje të madhe, për të thënë më e madhja e Çamërisë, ushqyer me kulturat e Lindjes dhe Perëndimit, shkolluar dhe madhuar në mjedise intelektuale, ata u bënë personalitete të shquara në fusha  të  tilla, si  letërsi, artet figurative, kinematografi etj. Jeta e tyre ka edhe dallgëzime, vetmi, ankthe, dhimbje, por jo thyerje, apo nënshtrim të fatit. Dinot kanë shumë në personalitetin dhe veprën e tyre, nga Lopësi, Paramithia dhe veçanërisht ata të degës së Prevezës, nga dielli i bukur i këtij qyteti, por dhe nga fisnikëria, bujaria, shpirti krijues, i butë e plot përmallim e melankoli i çamëve, apo dhe krenaria dhe shpirti rrebel i kësaj popullsie.

Duke zotëruar gjuhët dhe kulturat e mëdha të kohës, tre vëllezërit Dino u njohën dhe miqësuan me disa nga personalitetet e mëdha të kulturës europiane, turke e më gjerë. Ata e ndjenë vehten të barabartë në sallonet aristokratike të Stambollit, Moskës, Zyrihut, Athinës, Romës, Parisit, Vjenës etj.

Nipi i tyre, intelektuali fin dhe aristokrat, Jusuf Vrioni, ka ta drejtë, që siç shkruan Luan Rama, ka thënë: “Në dhjetë veta të kësaj familjeje, dy apo tre spikasin për madhështinë e tyre”.

II.

Rrëfimi i nënës sime për LLixhat e Elbasanit dhe zonjën e rëndë nga dera e Dinejve të Çamërisë, më vjen herë-herë i mjegullt dhe herë-herë i qartë. Rastësia e kishte sjellë që nëna ime në fillimvitet ’50, të shekullit që lamë pas, nuse e re atëhere, të takonte zonjën e Dinejve. Në kujtesën e saj ruhej imazhi i gruas aristokrate, hijeshia e moshës, delikatesa në sjellje dhe në të folur. Nëna ime në shoqërinë e zonjës, magjepsej jo vetëm nga e folura karakteristike e dialektit çam, por edhe në kujtimet e së kaluarës, që ajo rrëfente, duke sjellë lavdinë e një dere të madhe, pinjollët e së cilës ishin shpërndarë në Turqi dhe në disa vende të Europës. Zonja nga Preveza rrezatonte në mjediset e Llixhave të Elbasanit fisnikëri, hijeshi, kulturë. Ajo kujtonte femijërinë dhe rininë e saj të lumtur, ditët me diell të Prevezës, Athinës dhe Stambollit, shirat e Parisit dhe trishtimin grit ë dimrave në qytete të ndryshme europiane. Pastaj martesën dhe dasmën madhështore, krushqit me kostume çame, vallet e bukura të grave, kafazin e zbukuruar që e mbanin djem të fuqishëm. Për fat të keq nëna ime nuk e mbante mend emrin e zonjës nga Preveza.

Këtij rrëfimi po i shtoj edhe atë të Vera Ibrahimit, e cila vite më vonë, kur punonim në një zyrë në Muzeun Historik Kombëtar, do të më jepte të plotë portretin e një zonje të Dinejve, jo të gjallë, por të vdekur. Bëhet fjalë për nënën e intelektualit dhe përkthyesit të mirënjohur, Jusuf Vrioni, e cila vinte nga Dinastia Dino. E saktë në të folur, Vera Ibrahimi, në rrëfimin e saj si shkrimtare, kthehej e rikthehej në ditën ku në Shtëpinë Botuese ishte marrë vesh lajmi i vdekjes së nënës së Jusuf Vrionit, për zëra që thonin se mund të mos jepej leje, që kolegët e Jusuf Vrionit të merrnin pjesë në këtë ceremoni.  Dhe më në fund, kur ajo u dha, Vera Ibrahimit i kishin bërë përshtypje, sapo hyri në dhomën ku ishte e vdekura, orenditë e vjetra, pianoja, pjesë e pajës së zonjës Dino, kur kishte vajtur nuse në derën e Vrionasve të famshëm, mbulesa e veçantë që ishte hedhur mbi të vdekurën dhe aromat e dhomës së vogël, sikur vinin nga thellësitë e shekujve. Gruaja fisnike, tashmë pa jetë, ishte rrethuar me disa relikte të pasurisë të Dinejve dhe Vrionasve, ndërsa larg, shumë larg, ishtë Çamëria e bukur dhe tragjike, hapësirave të së cilës, lëviznin hijet e Dinastisë famëmadhe Dino. Gruaja e fisnikërisë çame, nëna e Jusuf Vrionit, kishte dhënë shpirt në një dhomë të vogël të kryeqytetit shqiptar, ndërsa pasuria përrallore e të parëve të saj shtrihej që nga Preveza, Paramithia, fushat e begata të Janinës etj. etj. Fati ishte sjellë mizorisht edhe me Dinejtë e Çamërisë edhe me Vrionasit e Beratit.

Nuk e di nëse në këto dy rrëfime bëhet fjalë për të njëjtën zonjë. Nëse nëna ime do ta mbante mend emrin e zonjës Dino nga Preveza, me siguri se në të dy rrëfimet bëhet fjalë për të njëjtën zonjë, sepse nëna e Jusuf Vrionit quhej Xhemile Dino. Ajo ishte martuar me Iliaz Vrionin, firmëtar i Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, deputet, disa herë kryeministër dhe ministër i jashtëm e diplomat.

III.

Mbaj mend të dielën e parë të shtatorit të vitit 1979 dhe qytetin tim të vogël të Rrogozhinës, kur isha mësues i letërsisë, në shkollën e mesme. I kujtoj si sot fillimvjeshtat që vinin në këtë qytet, me ngjyra të shumta, ku mbizotëronte ajo e verdha e një luleje që çelte e mbulonte anët e kanalit Peqin-Kavajë dhe anët e rrugëve automobilistike, që të çonin në Elbasan dhe në Jug. Dola atë të diel, pra më 2 shtator të vitit 1979, që herët në mëngjes, për të marrë gazetën “Drita”, e vetmja letrare e perjavshme e kohës. Gazetën “Drita” e shfletova sapo dola nga libraria e qytetit. Përveç shkrimeve të tjera, tregimit dhe poezive, në një nga faqet e saj lexova menjëherë titullin “Piktorë shqiptarë që kanë punuar jashtë atdheut”, shkruar nga Ferid Hudhri. Në shtëpi këtë shkrim e lexova të parin. Ai zinte një faqe të plotë dhe Ferid Hudhri, krahas Sabri Fetahut, Theohar Gjinit, Mikel Trotës, shkruante edhe për Arif Dinon, Ali Dinon dhe Abedin Dinon, të tre vëllezër, ku më mbeti në mendje citimi që Hudhri i bënte një reviste të paraçlirimit për A. Dinon: “Është nga familje shqiptare, çame. Dinojt shquhen për një prirje të veçantë për arte të bukura…”. Atëhere nuk e njihja Ferid Hudhrin. Nuk e dija se punonte në gazetën “Drita”. Gazetën, ku ishte botuar shkrimi i tij e vura në një nga dosjet e bibliotekës sime, për ta nxjerrë shpesh që andej e për të lexuar e rilexuar shkrimin e Ferid Hudhrit. Nuk e di, por sa herë e rilexoja, më dukej se Hudhri kishte hapur për mua një portë të madhe, ku për herë të parë njihesha me tre personalitete të shquar, me përmasa europiane. Këtë shkrim e gjeta prillin e këtij viti, në ditët e karantinës dhe disa javë më pas i telefonova prof. Ferid Hudhrit, i cili e mbante mend mirë shkrimin e tij.

Ferid Hudhrin e kam njohur pas viteve ’90. Ai tashmë është një nga studiuesit e palodhur, vepra e të cilit është e dukshme. I heshtur, larg publicitetit, modest, prof. Ferid Hudhri është shembulli i studiuesit të pasionuar, kontributet e të cilit janë të mëdha. Prof. Irakli Koçollari e ka dhënë bukur personalitetin e Ferid Hudhrit, kur shkruan: “Si një rrëmihës i harruar pas gjahut të tij të vyer, i mbyllur me kërkime në arkiva, përpara tablove të vjetra e të reja, pas diçiturave, ku shfaqet emri Shqipëri, apo shqiptar, vetëm atje do të mund të gjendet adresa pothuaj anonime e këtij kërkuesi dhe studiuesi të pasionuar, që e ka emrin Ferid Hudhri”. Le të rikthehemi në shkrimin e tij të botuar më 2 shtator të vitit 1979. Ishte një kohë, kur Dinot e Çamërisë, jo vetëm nuk njiheshin në tokën amë, por të shkruaje për ta edhe mund ta pësoje.  Në parathënien e librit “Dino – Shtegëtari I Portës Sublime”, një nga më të bukurit për Dinot e mëdhenj, shkruar nga Luan Rama dhe botuar në vitin 2007, Ferid Hudhri për artikullin e sipërpërmendur, mes të tjerave shkruan: “Artikulli ngjalli interes midis intelektualëve, por ende pa u mbushur muaji, një zyrtar i kohës, i sapokthyer nga Franca, pasi më tregoi, se në një ekspozitë në Paris, kishte parë tablotë e Abedin Dinos, më këshilloi të mos shkruaja më për artistë që nuk u dihej biografia, e aq më keq për Dinon, piktor dekadent, që ekspozon në Perëndim. Më shumë se më shqetësoi vërejtja, që në ato vite mund të krijonte pasoja jo të vogla, më çuditi fakti, që Abedin Dinua ende jetonte dhe krijonte në kryeqendrën e kulturës botërore, ndërsa në atdheun e tij, nuk arrinte asnjë njoftim”. Ferid Hudhri guxoi dhe i publikoi për herë të parë vëllezërit Dino, duke na dritësuar emrat e mëdhenjt të tyre, që nisnin me A-në e alfabetit të shqipes dhe që mbanin mbiemrin Dino. Këtë A e mbante edhe gjyshi i tyre, ose Ati i Madh i Dinejve, Abedin Pashë Dino, i njohur jo vetëm si ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane, por edhe një figurë poliedrike dhe me kulturë të madhe sa Lindore, aq edhe Perëndimore.

Po e jap të plotë tekstin e shkrimit të Ferid Hudhrit për vëllezërit Dino, botuar 45 vite më parë.

Arif Dino

Për këtë piktor kemi të dhëna që ka punuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura të Stambollit gjatë viteve ’30. Ka njohur nga afër krijimtarinë e Sabri Fetahut dhe ka qenë koleg me të në Akademinë e Stambollit. Në një revistë të paraçlirimit shkruhet kështu për A. Dinon: “Është nga familje shqiptare, çame. Dinojt shquhen për një prirje të veçantë për arte të bukura…”.

A.Dino është vlerësuar për krijimtarinë në artet figurative dhe për horizontin e gjerë kulturor që kishte. Në një shkrim ku flitet për piktorët modern të Turqisë, ndërmjet të tjerave theksohet se “Arifi, ndonëse më pak i njohur te ne, është çmuar jashtë shtetit. Ai nuk është vetëm artist,por edhe poet, dijetar, natyralist, estet …shkurt ai është me një horizont të gjerë kulturor.. Pikënisja e tij është realiteti…. Veprat e Arif Dinos i ngjajnë ujit të ëmbël dhe të freskët të një kane kristali, ujë që edhe ata që s’kanë etje fare nuk mund të mos e pinë me rrëmbim”. (La Turqie Kamaliste. Nr.9, Octobre, 1935).

Ndërsa shkrimi i A. Dinos për S. Fetahun është një dëshmi tjetër e krenarisë së tij për Shqipërinë. Qëllimi i atij shkrimi në revistën turke që botohej në tri gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, gjermanisht) ishte që t’i tregonte botës se nga Shqipëria kanë dalë artistë të shquar që japin kontributin e tyre në zhvillimin e artit në vende të tjera. Por nga vëllezërit Dino është një figurë tjetër më e shquar:

Arif Dino
Arif Dino

Ali Dino

Ky piktor ka punuar në Greqi. Ali Dino shquhet edhe për faktin se ka qenë piktor karikaturist. Në historinë e artit tonë mund të themi se, nga kërkimet e deritanishme, është piktori më i rëndësishëm në ato vite që është marrë me karikaturë. Në një revistë të paraçlirimit, duke vënë në dukje këtë gjë, shkruhet: “Një nga ata (nga pjesëmarrësit e familjes së Dinojve – F.H.) Ali Dino, zë sot një vend të shënuar në jetën artistike të kryeqytetit grek, ku punon për shumë vjet si artist karikaturist i rradhës së parë”. Nga kërkime të tjera gjejmë të dhëna më të plota për Ali Dinon. Në një shkrim të mëvonshëm të vitit 1938, ku jepet lajmi i vdekjes së këtij artisti, lexojme: “Ali Dino, nga një familje shqiptare e Çamërisë, rrojti një kohë të gjatë brenda në jetën greke, ia kushtoi gjithë veprimtarinë e tij lëvizjes artistike greke, gëzoi famën e artistit – karikaturistit më të madh të Greqisë dhe vdiq duke u nderuar dhe u vajtuar nga ana e gjithë botës intelektuale greke si Kryetar i Lidhjes së Artistëve të Greqisë …. Ali Dino vërtet vdiq si një artist grek, por vepra që dha është e mbushur me motive shqiptare, bile diku me frymëzime dhe parafytyrime thjesht shqiptare…. Pra, sa për ne, vlen të studiohet, bile gjerë e gjatë”.

Ali Dino ka gëzuar respekt të madh midis krijuesve dhe njerëzve të tjerë. Kjo u vu re veçanërisht dhe në ceremoninë e varrimit që , siç njofton shtypi i asaj kohe, qe me të vërtetë një ceremoni madhështore, ashtu siç e meritonte. Gjithë shtypi i atij vendi e shënoi lajmin e vdekjes së tij si një humbje të rëndë për artin grek. Edhe shtypi ballkanik nuk la pa përmendur lajmin e vdekjes së Ali Dinos.

Ali Dino
Ali Dino

ABIDIN Dino

Është vëllai i tretë i Dinojve. Edhe ky është një nga piktorët që punoi në Turqi dhe u bë i njohur për veprat që krijoi. “Abidin Dino – shkruhet në një revistë turke, – është ndërmjet të rinjve një piktor nga më të fortët dhe më të shquarit…. Vizatimi i tij është i fuqishëm. I armatosur me një shpirt të lartë, të mbushur me një dashuri të zjarrtë për realitetin. Ai është një piktor me imagjinatë të fortë. Vizatimet që bën ai, shquhen  për një mjeshtëri të madhe”. (“La Turqie Kamaliste. Nr.9, Octobre 1935). Për jetën e mëvonshme të këtij piktori tani për tani nuk dimë më gjatë. Nga disa të dhëna gojore mësojmë se më vonë Abidin Dino kaloi si piktor cirku në Rusi e pas disa vjetësh në Francë, ku qëndroi deri në fund.

Gjer tani, pothuaj, nuk njihemi me veprat e këtyre artistëve. Në një revistë greke të asaj kohe gjenden punime të Ali Dinos. Përgjithësisht, ato që kemi parë janë me temë shoqërore. Aty vihet re stili i autorit që karakterizohet nga një linjë e hollë dhe e zhdërvjelltë, që krijon humor me finesë. Në këtë revistë, ashtu si dhe në një revistë të paraçlirimit që botohej te ne, gjejmë edhe portrete – karikaturë të njerëzve të njohur të kohës, të bërë nga Ali Dino. Poshtë punimeve është firmosur thjesht “Dino” dhe pas janë vendosur dy numrat e fundit të vitit (Dino, 32).

Në shtypin tonë të paraçlirimit, sidomos në atë që është botuar jashtë atdheut, gjejmë të dhëna edhe për një piktor dhe një skulptor tjetër shqiptar, që kanë punuar në vende të ndryshme.

Abidin Dino
Abidin Dino

Prevezë – Tiranë, Vjeshtë e parë 2024

Metila Dervishi – Aleksander Peçi kompozitori shqiptar, më i ‘kërkuar’ i skenave prestigjioze ndërkombëtare

Aleksander Peçi

Aleksander Peçi kompozitori shqiptar, më i ‘kërkuar’ i skenave prestigjioze ndërkombëtare.

Me një opus të gjerë, plot ide novatore dhe diversitet, Prof. Peci vazhdon të n’a befasoje me potencialin e tij krijues, duke e cuar përherë në stade të reja muzikën serioze shqiptare.
I pandalshëm dhe mjaft i kërkuar nga interpretë të njohur ndërkombëtar, ai sërish vazhdon, si një lumë i pandalshëm të sjellë vepra të reja në ide, mendime, stilistike e formë.
Kështu, së fundmi, më 19 Gusht (2024), 3 veprat e tij për piano, të titulluara:  Sonata n.7, Spectralia, Sharki e ngujuar, Cartesius cantus n.2, u ekzekutuan në skenën prestigjioze “Rahmaninov’, të Konservatorit Cajkovski, Moskë, Rusi, me shumë suksese, nga interpretët e shquar të pianos: Michael Kovaleff e  Danil Sevostianov. 

Një sukses i jashtëzakonshëm, me duartrokitje elektrizante, sic i është shprehur, prof. Pecit,  Natalya Deeva, e cila ndër të tjera i shkruante se impresionet për këto vepra dhe interesi qe në rritje nga qarqet artistike në Rusi.

Ndër të tjera, Prof. Peci, duke e konfirmuar këtë sukses dhe interes edhe në Moskë, shton që …”Publiku i Moskes ka patur shpesh herë ndoshta, në rreth 15 –koncerte, mundësinë që të  dëgjojë eksplorimet e reja, që vijnë nga moderniteti i muzikës së “shqiptingujve”.

Shqiptingujve’, një fjalë dhe term që prof. Peci e përdor përherë përgjatë shkrimeve dhe diskutimeve të tij, krenar me të drejtë, që con në një stad tjetër muzikën e vendit të tij, muzikën e vendit tonë. Dihet që Moska, për shqipërinë në periudhën socrealiste ka qenë një pike referimi dhe ka qenë një nga Konservatorët, ku edhe mentori i shumë artistëve shqiptar dhe njëkohësisht pedagogu udhëheqës i Prof. Pecit, Prof. Cesk Zadeja( 1927-1997) ka studiuar.  Dhe  është bukur që në një vend të tillë, ku dihet botërisht potenciali madhështor që gezojnë, vazhdojnë kontaktet me muzikën shqiptare dhe vlerësohen kompozitor shqiptar. Konservatori i vendit tonë është themeluar e hapur nga 62 nga profesor që kanë studiuar në Moskë, sic pohon Prof. Peci, dhe ata shkrujnë për Pecin në web-in e tyre:                 

 

ZBULIMI I MUZIKËS QË SHIKON NGA E ARDHMJA!

Por, ndërkaq vazhdojnë lajmet që nuk ndërpriten. Rrugëtimi i veprave të Peçit do të vijoj  me një tjetër tur Europian: pas Vienës, Parisit, në rreth 22- kryeqytete, ashtu si edhe Texas do të interpretohen veprat e Prof. Pecit, ku dhe në rrjetet e tij sociale, së fundmi prof. shkruan…rikthehem në Pragë për të gjashtën herë, më 29 tetor Sonata Dëti n.15 dhe Premiere Boterore, koncerti Konvergence nga  Egli Prifti piano.

Duket se idili krijues dhe risitë nuk shterojnë dhe në 73-vjetorin e kompozitorit tonë.

Kompozitori i futurizmit që prej vitesh ka futur Polygravite C C2 Composition, si stilistikë në veprat e tij apo edhe Kabaizmit. 

Është shumë interesant dhe për t’u shenjuar fakti, që Stephan Möller, para se të ekzekutohej në Vienë, Sonata nr.21 ‘N’klaj me lot ujvarash’, meqe jemi dhe të viti i Schoenberg (1874-1951), ndër të tjera shkruan…Peçi ka zhvilluar një sistem muzikor të vetin, i cili mund të krahasohet me atë të Shënberg…sistemin e tij ai e quan ‘Kabaizëm’. Arnold Shënberg, kompozitori austriak i njohur për dodekafonizmin, krijimin e muzikës a-tonale, ndërroi jetë në vitin 1951, vit kur ka lindur kompozitori Peci, është me vlerë dhe rëndësi që personalitetet e artit tonë të krahasohen me figura kaq të larta botërore, ndaj shpresoj shumë që studimet mbi Prof. Pecin teknikat, risitë, mendimet e kritikëvë botëror të kthehen në një objekt të vazhdueshëm studimi në vendin tonë. Edhe pse ka shkrime të shumta mbi figurën e tij dhe një tezë doktorature nën titullin, ‘Aleksander Peci Before and After the iron curtain’ (Louisiana State University, 2017)  nga Pianistia durrsake e mirënjohur  në Amerike, Elida Dakoli me një dendësi dhe gjeresi të konsiderueshme, që uroj të vi së shpejti dhe në shqip, Peçi me një opus të jashtëzakonshëm krijues, kërkon vite ed vite pune e studimi sërish e sërish.


Ndërkohë, përpos këtyre veprave të gjinive serioze me shumë risi, histori që qëndrojne nga pas, me Danten, me kozmosin me Epin e Gilgameshit, me Sharkinë e ngujuar, etj, etj,   stile kompozicionale dhe estetikë që ia leme analizave në vazhdim. Ajo që bën përshtypje është se Prof. Peci i dedikon kohë dhe ka dhe një pasion për gjininë e këngës së lehtë, për publikun e gjerë, sic e perifrazojmë ne, ashtu si edhe per muzikën e filmave. Ky fakt e ka bërë më të dashur edhe për publikun e gjerë që në periudhën socrealiste, kur nis dhe karriera e tij. E kujt nuk i kumbon në vesh kënga  aq e dashur ‘Shtëpia jonë’, nga filmi ‘Në shtepinë tonë’ (1979). E kënduar dhe sjellë në mënyrë brilante nga Vace Zela, nje melodi, orkestrim i mrekullueshëm, plot emocion që vazhdon e jehon e jehon në mendjet tona.

Pra, Artisiti i merituar A. Peci kërkon t’i prek të gjitha  zhanret dhe gjinitë, qoftë edhe këngët, kështu, përpos prestigjit që gëzon si një nga personalitetet artistike më në zë në vendin tonë, por edhe jashtë, sic e përmendëm, më sipër, me këngët u bë dhe një figurë e dashur dhe e njohur për publikun e gjerë. Dhe së fundi, një lajm mbi këngën fituese të Festivalit të RTSH të vitit 1989  një bashkëpunim i Pecit me një personalitet të letrave shqipe, Xhevahir Spahiut , titulluar ‘Toka e diellit’, interpretuar nga të mirënjohurit: Frederik Ndoci, Manjola Nallbani, Julia Ndoci,  do të rikthehet e marrë shpërndarje dhe së fundmi në televizionet në New York, U.S.A dhe Toronto, Canada ku besojmë do të drithëroj dhe publikun e gjerë andej. Me tinguj entuziastë të shtrirë, thurur mbi një variacion që varion dhe zhvillohet nga vokalet dhe orkestra, me tiparet e një këngë-himn, triumfuese është një këngë që të mbërthen dhe trio e zërave tregon teknikë të lartë.  Prof. Peci n’a befason vazhdimisht e vazhdimisht, dhe i urojmë krijimtari, energji të pandalshme krijuese që kërkojnë vemendjen e duhur dhe në mediat e shkruar dhe vizive të vendit tonë.  

Metila Dervishi

Gusht 2024

 

 

 

Maestro Aleksander Peçi: Kënga shqiptare e shekullit XXI në stanjacion, mediokritet, mungesë mjeshtërie kompozicionale, mugesë identiteti shqiptingëllor

Aleksander Peçi Toka e Diellit poezia Xhevahir Spahiu çmimi parë RTSH Festivali ’89, këndojne Ndoci, Smaja, Niki, mbylli koncertin Albanian Pop Rock te producentes Kozeta Kurti.

Mar shkas nga kënga Hymn de l’Amour qe kendoi Selin Dion ne Olimpiadën 24 në Paris per te sjelle ne vemendje te publikut nje diskutim per ate stanjacion, mediokritet, amatorizemi, mungese mjeshterie kompozicionale, mungese identiteti shqiptingellor qe ndodh me kengen ne festivalet shqiptare ne shek e 21.

Kenga Hymn de l’Amour e vitit 1949 me poezi te Édith Piaf dhe musik te Marguerite Monnot, mori nje tjeter tingellim universal. Pra nje kenge e ’49 këndohet sot pas 75 vjetesh me nje bukuri mahnitese. Këtyre këngëve, po, ia vlen t’ju thuash kenge magjike. Dion e solli ne kohe dhe la nje version qe tengellon magjikisht bukur ne te gjitha epokat.

Pyetja ime eshte kjo.

A duhet per nja 2-3 vjet sa te stabilizohet gjendja e kenges te merremi me festivale shterpe te kenges ku kompozitore mjeshtra te kenges nuk marrin pjese, por edhe s’ka kompozitore te niveleve Krajka, Prodani, Zoraqi, Daia Harapi, Gaci, Dizdari, Ibrahimi, Kushta, Laro, Mula, Lalo, Peci, Leka, Saraci, Hila, Kacinari, Gjebrea, Veizi, Zaharjan, Minga, Sina, Shehu, Gjini, Mullaj, Rushiti, Çako, Zhulali, Qafoku, Shengjergji, Kotani, Gjoshi, Sheme sepse atmosfera eshte bere tejet banale.

A nuk eshte me mire qe te risjellim ne drite si ne rastin e Dion kenge te tradites se arte shqiptingellore : Toka e Diellit apo Mozaik tingujsh apo ne Shtepine tone e kur xhirohej nje film e shume te tjera te bukura te kompozitoreve qe sapo permenda e shume kenge te bukura te para viteve ’90.

A nuk eshte me bukur t’i shndrojme keto modele tonat ne versione qe mbeten ne çdo epoke.

Lek i derdhur kot per mediokritet e amatorizem kur me ato lekë rikrijojme modelet me te mira te kenges, me ato lekë paguajme profesionistet e veprave te medha ne RTSH.

Duke vene perballe tallavaizmave, apo kengeve mediokre, kengeve patatina qe hidhen sapo konsumohen, keto modele, patjeter qe keto modele do te shendoshin klimen e degraduar te kenges sot.

Gjergj Leka dhe shume pofesioniste e kane ngritur me kohe si problem kete stanjacion te festivaleve te kenges e une jam me ta ne unison.

Le pa le po u bënë dhe kengetaret kompozitore e poete.

Po duhet nje pushim 3 vjeçar me festivalet e kenges sa te kuptojne çfarë sokaku kane rene, ndaj duhet qe modelet e rinovuara te sherbejne si iluminacione qe te ndricojne te ardhmen.

Shume faleminderit Kozeta Kurti, Frederik Ndoci, Rezarta Smaja @niki Mario J Deda, Klodian Qafoku e orkestra.

 

Poezia e poetit Xhevahir Spahiu

Toka e Diellit

Buze kaltersise, ja nje shelg, thone se loton,
Prane bukurise, ja nje yll, thone se enderron,
Ne çdo ujevare, ja nje diell lind dhe perendon,
Ne çdo pulebardhe krahelehte, kush jeton?

Tek cdo njeri, ja nje shprese, rritet, lulezon
Ne horizont, ja nje vele, det kerkon,
Prane dashurise nje re behet peme e gjelberon,
Ne cdo shqiponje krahelire ne jetojme?
Fjala liri neper nate ndez nje vetetime,
Buzet e saj jane perhere etje per njerine,
Fjala liri lind nje bote, boten e ndricon
Dhe ne cdo kohe mbijeton.

O Shqiperi, m’i fal pranverat,
Mbaj ne shpirt zjarrin tend
çudine e tete te Botes.
O kenge diellore shpalosi velat,
Si shqiponje neper bote fluturo, fluturo
Si shqiponje ne te ardhmen, fluturo!

Buze kaltersise, ja nje shelg, thone se loton,
Prane bukurise, ja nje yll, thone se enderron,
Ne cdo burim si legjende era vjen e shkon,
Ne cdo legjende kraheshpend, kush jeton?

Tek cdo njeri, ja nje shprese, rritet, lulezon
Ne horizont, ja nje vele, det kerkon,
Prane dashurise nje re behet peme e gjelberon,
Ne cdo shqiponje krahelire ne jetojme?
Fjala liri neper nate ndez nje vetetime,
Buzet e saj jane perhere etje per njerine,
Fjala liri lind nje bote, boten e ndricon
Dhe ne cdo kohe mbijeton.

O Toke e diellit , m’i jep pranverat,
Mbaj ne shpirt zjarrin tend
cudine e tete te Botes.
O kenge diellore shpalosi velat,
Si shqiponje neper bote fluturo, fluturo
Si shqiponje ne te ardhmen, fluturo!

 

Studiuesit i afrohen zbulimit të vendndodhjes së humbur të Darkës së Fundit të Jezusit

Arkeologët biblikë kanë kërkuar prej kohësh dhomën në Jerusalem ku Jezusi hëngri Darkën e Fundit me apostujt e tij. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, metodat tradicionale arkeologjike nuk e kanë identifikuar përfundimisht vendndodhjen, duke i shtyrë studiuesit të eksplorojnë qasje alternative në kërkimin e tyre për këtë vend të rëndësishëm historik dhe fetar.

Kërkimet aktuale përqendrohen në një strukturë dykatëshe në malin Sion, pak jashtë qytetit të vjetër të Jerusalemit. Kjo ndërtesë ka qenë prej kohësh e lidhur me varrin e mbretit David dhe me Darkën e Fundit. Kati i sipërm, i njohur si Cenacle (latinisht për “dhomë ngrënie”), besohet nga shumë njerëz të jetë vendi i Darkës së Fundit. Që nga shekulli i IV pas Krishtit, të krishterët e kanë vizituar këtë vend, të bindur se ishte vendi ku Jezusi theu bukën me apostujt e tij para arrestimit dhe kryqëzimit të tij.

Image

Ndërsa gërmimet arkeologjike janë të ndaluara në këtë vend sensitiv, studiuesit kanë gjetur mënyra të tjera për të mbledhur prova. Në vitin 2017, David Christian Clausen, një studiues fetar nga Universiteti i Karolinës së Veriut, ekzaminoi një hartë të shekullit të 6-të të Jerusalemit që përshkruante një ndërtesë dykatëshe me një çati të kuqe në malin Sion, e cila përputhet së tepërmi me vendndodhjen aktuale të Cenacle dhe me stilin arkitekturor. Ky zbulim dha prova rrethanore se struktura origjinale mund të datonte që nga koha e Jezusit.

Mbështetje e mëtejshme vjen nga veprat e lashta të artit të riekzaminuara vitet e fundit. Një vizatim i shekullit të 6-të i gjetur në Itali përshkruan Jezusin duke hyrë në Jerusalem me Cenacle-n të dukshme në sfond. Një skulpturë tjetër e shekullit të 4-të tregon Jezusin me Maria Magdalenën pas ringjalljes së tij, me Cenacle-n përsëri të identifikueshme nga çatia e tij e kuqe dhe vendndodhja në malin Sion. Këto vepra arti sugjerojnë se të krishterët e hershëm besonin se Cenacle ishte vendi i ngjarjeve të rëndësishme në jetën e Jezusit.

Image

Në vitin 2019, Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA) kreu një skanim 3D me lazer të Cenacle-s, duke hequr rinovimet e mëvonshme për të zbuluar tiparet origjinale të ndërtesës. Studimi zbuloi se struktura aktuale u ndërtua në shekullin e 12-të nga kryqtarët e krishterë, por përfshinte elemente nga një kishë bizantine e shekullit të 4-të. Kjo strukturë bizantine mund të jetë ndërtuar mbi një ndërtesë edhe më të vjetër që daton në kohën e Jezusit, por pa gërmime tradicionale, kjo nuk mund të konfirmohet.

Image

Studiuesit mbeten me shpresë se kërkimet e mëtejshme në biblioteka, arkiva dhe muze do të japin më shumë prova për të verifikuar lidhjen e Cenacle-s me Darkën e Fundit. Provat ekzistuese janë bindëse, por ende kërkohet prova përfundimtare./Ancient-Origins – Syri.net

Nesër do të bjerë shorti ty! Interpretim nga Roza Anagnosti

Interpretim nga Roza Anagnosti

Të paska iku goja o populli im!

….

Ty të pëlqen të argëtohesh sepse po vuaj unë ?!

KALTRA SHQIPTARE NË NJË EKSPOZITË  VETJAKE NË CHICAGO- Nga Dr. Sonila Sejdaras, Presidente “Care for Albania”

Dr. Sonila Sejdaras
Takojeni Kaltrën, një piktore dhe artiste e re shqiptaro-amerikane, e cila po bën jehonë në botën e artit me krijimet e saj unike dhe plot ndjenjë, janë në “Vibrant Cast Gallery”në Çikago. Pavarësisht se ka ardhur fëmijë në Amerikë dhe është diplomuar në arkitekturë, Kaltra (që do të thotë “Blue sky”në anglisht ) ka gjetur pasionin e saj të vërtetë në pikturë dhe po përdor aftësitë e saj për të krijuar vepra arti të bukura që jo vetëm përfaqësojnë kulturën e saj, por edhe ngjallin emocione të thella tek ata që i shikojnë.
Rruga e saj drejt për t’u bërë piktore nuk ishte një rrugë tradicionale. Duke u rritur, ajo gjithmonë kishte një dashuri për artin dhe prindërit e saj e inkurajuan të ndjekë një karrierë më praktike siç ajo donte, në arkitekturë. Ndërsa studionte arkitekturën në Universitet, në Çikago, Kaltra kuptoi se pasioni i saj i vërtetë qëndronte në pikturë dhe filloi të eksperimentonte me mediume dhe teknika të ndryshme për të shprehur kreativitetin e saj.
Përmes artit ajo ka shpalosur emocionet dhe ndjenjat e thella që shpesh janë të vështira për t’u shprehur me fjalë. Pikturat e Kaltrës janë një reflektim i mendimeve dhe përvojave të saj më të thella dhe çdo penelatë është një dëshmi për sfidat dhe triumfet që ka kaluar në jetën e saj. Nga peizazhet e gjallë deri tek portretet abstrakte, veprat e saj janë një përfaqësim vizual i bukurisë dhe kompleksitetit të përvojës njerëzore.
Por arti i Kaltrës nuk është vetëm për veten e saj – ai është gjithashtu një mënyrë dhënieje komunitetit të saj artistik. Përmes pikturave, ajo synon të kapë thelbin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, duke sjellë në vëmendje historinë dhe traditat e pasura të popullit. Ajo gjithashtu përdor artin si një platformë për të rritur ndërgjegjësimin për çështje sociale dhe për të promovuar unitetin dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Pikturat e Kaltrës kanë tërhequr vëmendjen e koleksionistëve dhe kritikëve të artit, me shumë vlerësime në përdorimin e guximshëm të ngjyrave dhe emocioneve në veprat. Ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita dhe shfaqje arti, ku veprat e saj janë pritur me admirim dhe lavdërime. Pavarësisht suksesit, Kaltra mbetet e përulur dhe mirënjohëse për mundësinë për të ndarë artin e saj me botën.
Ndërsa Kaltra vazhdon të rritet dhe të evoluojë si artiste, veprat e saj shërbejnë si një kujtesë për fuqinë e artit për të frymëzuar, provokuar dhe bashkuar. Përmes pikturave, ajo është në gjendje të lidhet me të tjerët në një nivel të thellë dhe emocional, duke kapërcyer ndarjen midis kulturave dhe duke krijuar një ndjenjë uniteti dhe mirëkuptimi. Rruga e Kaltrës nga një studente arkitekture në një piktore të vlerësuar,  është një dëshmi e fuqisë transformuese të ndjekjes së pasionit dhe përqafimit të kreativitetit në të gjitha format e tij.
Arti êshtë utilitar dhe për Kaltrën. Ajo përdor dhe forma artizanale, sa të traditës shqiptare, po aq dhe të metropolit të Çikagos.
Në pritje dhe me besim më shumë për ardhmërinë.
Piktorja Kaltra Seferi

Bajroni si frymëzues i temës shqiptare në art- Nga Prof. dr. FERID HUDHRI

Pas udhëtimit që bëri në Tepelenë gjatë vitit 1809, kur shkroi për traditat dhe zakonet burrërore të vendasve, për veshjet e bukura, duke pozuar në studion e piktorit Thomas Philips  në Londër me kostumin shqiptar, poeti i famshëm i romantizmit anglez George Gordon Byron (1788-1824) ndikoi më shumë në përkapjen e temës shqiptare nga artistë europianë. Vargjet e tij për bijtë e shqipes te Çajld Haroldi, si dhe vlerësimi për veshjet më madhështore, nxitën shumë artistë nga Europa në realizimin e tablove, gravurave dhe krijimeve të tjera. Nisur nga fama e tij e madhe, nga rrezatimi i krijimtarisë dhe figurës së tij me fuqinë e një Prometheu të shekullit XIX, siç e ka quajtur Bjelinski, për shumë autorë apo vepra të veçanta të krijuara gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, Bajroni mund të pagëzohet edhe si frymëzuesi i temës shqiptare në artin botëror.

Nga piktura Bajroni me veshje shqiptare u nxitën shumë artistë tjerë në realizimin e veprave  kushtuar shqiptarëve. Sipas vëzhgimeve të studiuesve anglez Christine Kenyon-Jones dhe Geoffrey Bond në ilustrimet e para të veprave të Bajronit, të realizuara nga piktori Thomas Stothard, personazhet paraqiten me veshjet shqiptare si në  pikturën e Filipsit1. Po ashtu edhe në shumë tablo nga Delacroix, Colin, Decamps dhe autorë të tjerë të njohur, që u realizuan  nën ndikimin e Bajronit, figurat kryesore janë pikturuar me të njëjtën tipologji veshjesh. Gjithë këto piktura, ilustrime e litografi sot mund t’i paraqesim edhe si dëshmi të bukura piktorike që tregojnë se motivet shqiptare të Bajronit përveç Cajld Haroldit, i gjejmë edhe në vepra të tjera si te “Nusja e Abidos” dhe “Gjauri”2.

Alexandre Colin, Tablo e frymëzuar nga krijimtaria Bajronit.

Në veprat e piktorëve anglezë, francezë, gjermanë dhe të tjerë, gjatë udhëtimeve nëpër trojet shqiptare në shekullin XIX dhe vitet e para të shekullit XX jo vetëm që ndihet qartë ndikimi i poetit rebel e frymëzues, po citohen edhe vargje apo shënime të tij për shqiptarët. Pranë gravurave të C. Woodville-t, ku paraqiten tipa malësorësh, shkruhet se piktori është nxitur nga përshtypja e Bajronit për kostumin e mrekullueshëm shqiptar, me fustanellë e me rrobat e qëndisura me ar dhe armët e lara me flori. Përshkrimi i Bajronit, shkruhet pranë një gravure tjetër, sjell të gjallë përpara mendjes së njeriut që nuk ka shëtitur këtu, kostumin e mrekullueshëm shqiptar. I zbukuruar me këtë madhështi të bardhë, të kuqe dhe të artë, shqiptari të kënaq syrin, njëlloj si në fillim të shekullit kur Bajroni e pa në Jug të vendit3. Gravurat e W. Williams-it me motive nga bregdeti i Jugut shqiptar janë shoqëruar gjithashtu me vargje të shkëputura nga Çajld Haroldi. Artisti ka zgjedhur këndvështrime piktorike sa më të përafërta me përshkrimet e poetit. Gravurën e parë e ka shoqëruar me vargjet: O Shqipëri ku lindi Iskanderi/ Këngë e rinisë, fanar i të urtëve… lejomë të kthej sytë e mi/ Mbi ty o nënë burrash të rreptë 4. Gravurat e tjera shoqërohen me strofat e mëpasshme që i përshtaten peizazhit të pikturuar. Edhe në albumet dhe librat ku u botuan akuarelet, vizatimet dhe litografitë e piktorëve Charles Cockerell, Joseph Cartwright, Poer Beresford, Henry Cook, Edward Lear, Edith Durham dhe çiftit Cora e jean Gordon, përmendet emri dhe vargjet e Bajronit për Shqipërinë.

Nga poeti u ndikuan edhe piktorë të tjerë që nuk mundën të udhëtojnë nëpër viset shqiptare. Ndër të parët e këtij grupimi është kreu i romantizmit francez Delacroix. Në ditarin e tij të datës 11 maj 1824, pikërisht në kohën kur hidhte në telajo tablotë me temë nga Shqipëria dhe Greqia, shkruante se gjatë pikturimit në studio për t’u ndezur i tëri, kujtoj vargje të Bajronit5. Dhe tablotë e tij për shqiptarët, sidomos ato kushtuar Marko Boçarit dhe suljotëve të tjerë, bartin atë fuqi, atë impuls dhe atë dinamizëm që ndihet në vargjet e Bajronit: Kur mirënjohja dhe trimëria i shtyn të derdhin gjakun/ Sulen pa frikë kudo që t’i shpjerë prijsi (shqipërim i F. Nolit). Edhe tablotë e romantikëve të tjerë francezë, Decamps, Scheffer, Gérôme, Colin, ku paraqiten figura shqiptarësh me veshjet tradicionale, janë nën ndikimin e admirimit që ka shprehur më parë Bajroni. Krahas këtyre veprave origjinale, nga disa artistë të njohur europianë janë pikturuar variante të tablosë Bajroni me veshje shqiptare. Nëpërmjet teknikës së gravurës, piktori William Finden stampoi shumë kopje që u përhapën në disa vende të Europës. Disa vjet më pas George Sidney Hunt krijoi dhjetëra litografi me bazë po këtë imazh. Piktori spanjoll Jean Michelle Hoper, i mbështetur në të njëjtën tablo, krijoi një vepër të re, ku ndihet po aq interpretimi i tij. Ndërsa autorë të tjerë, si G. Mützel, të mbështetur te kjo pikturë i kanë dhënë trajtë figurës tipike të shqiptarëve për albumet me kostume nga kombe të ndryshme të Ballkanit. Kështu për disa vjet piktura e Philips-it u shndërrua gati në një ikonë. Numri i veprave të frymëzuara nga Bajroni është akoma më i madh. Po ashtu edhe tablotë që e paraqesin poetin me veshje shqiptare nuk janë vetëm ato që u përmendën. Rreth vitit 1840, italiani Ludovico Lipparini pikturoi Betimin e Bajronit mbi varrin e Marko Boçarit. Midis grupit të madh të personazheve, aty spikat figura e Bajronit që ndrit nga ngjyrat e çelura dhe qëndisjet me ar të kostumit shqiptar. Poeti anglez me kostumin shqiptar është paraqitur në mjaft vepra në mjedise të ndryshme greke. Njëra prej tyre ndodhet në Muzeun Benaki të Athinës. Të tjera tablo gjithashtu dëshmojnë figurativisht faktin e njohur se Bajroni e mbajti të veshur atë kostum gjatë shtegtimeve të tij nëpër Greqi. Në tablonë The dream of Byron (Ëndrra e Bajronit) të piktorit C. L. Eastlake, përveç poetit, me ato veshje janë pikturuar edhe personazhet që e shoqërojnë.

“Shqiptarë duke vallëzuar”, akuarel nga Henry Warren. Frymëzuar nga kujtimet e J. C. Hobhouse për udhëtimin e tij bashkë me Bajronin në vitin 1809.
Th. Philips, “Koloneli George Vivian me veshje shqiptare”, Galeria Kombëtare e Portreteve, Londër.
“Bajroni me veshje shqiptare”, akuarel i vitit 2017, nga A. Guilliemos
Fragmente nga piktura “Bajroni me veshje shqiptare” (Thomas Philips)
“Lord King duke pozuar si Bajroni”. Piktura është realizuar në vitin 1835, në kohën kur Lordi King ishte i martuar me Augusta Ada Bajron, vajza e vetme legjitime e Bajronit.
Thomas Stothard, ilustrim nga krijimtaria e Bajronit
H. W. Williams, Shqiptar me veshje tradicionale, vizatim i vitit 1819. Koleksion privat, Angli.
“Bajroni betohet në varrin e Marko Bocarit” (Ludovico Lipparini)
statuja “Bajroni me veshje shqiptare” që është vendosur në Mesollongj.

Pas vlerësimeve dhe jetësimeve në art, kostumi shqiptar u bë më i njohur në Angli e nëpër botë. Bajroni e mbajti atë edhe në disa pritje ceremoniale në Londër. Më pas kostumin e veshën figura të tjera të asaj kohe, madje disa prej tyre u pikturuan po nga Philips në të njëjtën studio në Londër. Janë të njohura portretet me veshje shqiptare të kolonelit anglez George Vivian (1770-1845), arkeologut, historianit të artit, politikanit dhe diplomatit të njohur Sir Austen Henry Layard (1817-1894), si dhe biografit dhe shkrimtarit Edward John Trelawny (1792-1881), të tre miq të Bajronit dhe të Shellit. Kohët e fundit janë bërë të njohura edhe disa vepra të tjera ku personazhe të rëndësishëm   janë pikturuar me veshjet që përdori poeti. Me interteres të veçantë është tabloja “Lord King mburret me pamjen si Bajroni”. Aty paraqitet Lord William King-Noel duke pozuar me veshje shqiptare, njëlloj si te piktura e Filipsit.  Piktura është realizuar në vitin 1835, në kohën kur Lordi King ishte i martuar me Augusta Ada Bajron, vajza e vetme legjitime e Bajronit.

Eugen Delacroix, Tablo me motiv nga krijimtaria Bajronit.

Pas pikturimeve nga Thomas Philips, kostumin e tij të preferuar Bajroni ia dhuroi zonjushës Margaret Mercer, vajzës së kontit Keith, me të cilën ka pasur një korrespondencë të gjatë letrash dashurie. Vajza angleze, e sugjestionuar nga bukuria e kostumit shqiptar, e veshi në ditën e ceremonisë së fejesës së saj. Në vitin 1817 Margaret martohet me kontin Flahault. Vajza e tyre bëhet Markezja e katërt e fisit Lansdowne, pra pjesëtare e familjes së famshme që trashëgonte kompleksin muzeal të quajtur Bowood House & Garden. Kësodore Kostumi Shqiptar i Bajronit është bërë pronë e tyre. Ai qëndron i ekspozuar prej shumë vitesh midis veprave të artit dhe objekteve të tjera të çmuara të Britanisë e të disa vendeve të tjera .

Që nga ajo kohë vizita në Boowod House shoqërohet me emocione për çdo shqiptar. Sapo ngjitesh në katin e dytë të godinës kryesore të muzeut, përballesh me një sipërfaqe të madhe të qelqtë, brenda së cilës është vendosur një manekin me imazhin e Bajronit, veshur me rrobat origjinale, të bardha e të ndritura në ar, që poeti i kishte sjellë nga Shqipëria në vitin 1909. Përveç fytyrës dhe duarve, i gjithë shtati i manekinit është i mbuluar me petka shqiptare. Që nga shalli sipër kokës që varet mbi shpatulla, deri te çorapet; që nga jeleku, fustanella, xhamadani, mëngoret, të gjitha të endura dhe të qëndisura me mjeshtëri nga artizanët shqiptarë të shekullit XVIII. Në murin pas manekinit janë vendosur pjesë të tjera veshjesh shqiptare, si një jelek, një feste, një mbajtëse fishekësh etj. Anash veshjeve ndodhet një pllakë mermeri, ku është gdhendur shënimi shpjegues rreth përbërjes së kostumit, bashkë me të dhënat për kohën kur është marrë nga Shqipëria dhe kur është vendosur në atë muze. Kanë kaluar më shumë se 200 vjet nga dita kur Bajroni e veshi në trupin e vet atë kostum, si shenjë respekti dhe adhurimi për racën trimërore të shqiptarëve. Ndërkohë, është e kuptueshme që thurja, qepja, qëndisja dhe kompletimi i atyre veshjeve, mund të jetë bërë disa vjet para se Bajroni të arrinte në tokën shqiptare. Pra kostumi që ruhet në Boowod House & Gardenështë më se 200-vjeçar. Dhe ruhet në gjendje shumë të mirë, sa të krijohet përshtypja sikur sapo ka dalë nga duart e artizanëve që e kanë endur. Në atë muze ndihesh mirë kur sheh se veshjet shqiptare kanë gjetur një nga ekspozimet më të bukura që u është bërë deri tani nëpër botë.

Midis shumëllojshmërisë së objekteve të dyqanit në Galerinë Kombëtare të Portretit në Londër, imazhi i Bajronit me kostum shqiptar gjendet thuajse në të gjitha variantet; në postera, në kartolina, në kopertina librash, në katalogë, në guida të Galerisë, në kuti lodrash, në medaljone, në kapakët për blloqe, në pulla postare etj. E themeluar në vitin 1856, Galeria Kombëtare e Portreteve ruan një nga koleksionet më të pasura britanike. Midis qindra e mijëra pikturave dhe skulpturave, Bajroni me Kostum Shqiptar është nga më të vyerat e atij koleksioni. Vetë figura e Lord Bajronit, pikturimi me mjeshtëri nga Thomas Philips-i, si dhe bukuria e kostumit shqiptar, përbëjnë tri nga vlerat e çmuara që e kanë shndërruar këtë pikturë në një ikonë të gjithë koleksionit. Prej shumë vjetësh, suveniret e ndryshme me këtë imazh, duke u shpërndarë në të gjithë botën, i bëjnë më të njohura veshjet shqiptare. Ka edhe tablo të tjera nëpër koleksionet e muzeve të ndryshëm ku paraqitet Bajroni me kostum shqiptar, por Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër është vendi më i vizitueshëm, ku mund të këqyret dhe admirohet mjeshtëria e artizanëve shqiptarë në realizimin e atij kostumi.

Jehona e veshjeve shqiptare të Bajronit e shumëfishuar edhe në disa qindra ilustrime, litografi, gravura dhe tablo vazhdon të ndjehet edhe në ditët e sotme. Nga autorë të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj janë realizuar piktura të reja. Gjatë muajit maj të këtij viti, në përkujtim të 200 vjetorit të ndarjes nga jeta të Bajronit, studentja e dizajnit në Universiteti i Nottinghamit, Phoebe Godsmark stiloi dhe ekspozoi në mjediset e universitetit një variant të kostumit shqiptar mbështetur në pikturën e Thomas Philips të vitit 1813.

Kostumi i Lord Bajronit i rikrijuar nga studentja e dizajnit Phoebe Godsmark, Universiteti i Nottinghamit, maj 2024
Kostumi i Lord Bajronit i rikrijuar nga studentja e dizajnit Phoebe Godsmark, Universiteti i Nottinghamit, maj 2024

BIBLIOGRAFI:

1. ‘Dangerous to Show’: Byron and his Portraits, by Christine Kenyon-Jones and Geoffrey Bond, London, 13th October 2020.

2. Poeti Dhori Qiriazi, nga hulumtimeve që ka bërë gjatë përkthimeve të disa vjershave dhe poemave të Bajronit, ka gjetur shënime të poetit anglez që dëshmojnë lidhje të tjera me botën shqiptare te poema Nusja e Abidos. Shih librin: Xhorxh G. Bajron, Nusja e Abidos, vjersha dhe poema, Globus R., f. 82, 123, Tiranë, 2007.

3. Mayhew, A.: In Albania with the Ghegs, Scribner’s Monthly, vol XXI, f. 377-391, New York, 1881.

4. Sipas botimit të shqipëruar nga Skënder Luarasi Byron, G.: Childe Harold’s Piligrimage 1812-1817), Onufri, f. 48-59, Tiranë, 1999.

5. The Journal of Eugene Delacroix, f. 87, 144, London, 1938.

Kjo kumtesë është mbajtur në konferencën shkencore ndërkombëtare “Bajroni dhe bajronizmi në botën shqiptare”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqiperisë

(Marrë nga ExLibris)

Abdurrahim Buza, i pari piktor modern shqiptar- Nga Bashkim Ahmeti Izano

Buza është mbase i pari piktor modern shqiptar. Sido që të jetë, ai është  i pari piktor modern ndër piktoret që jetuan në Shqipëri në shekullin e njëzetë.

Kjo mbase në vetvete nuk ka ndonjë rëndësi, mirëpo, ashtu siç ndodh  shpesh me të parët, për ca arsye të çuditshme ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar. Jeta e gjatË artistike e tij është një rrugëtim në kohët e turbulluara që kaloi Shqipëria dhe ai bashkë me artin e tij në shekullin e kaluar. Buza mori një edukim të plotë akademik. Filloi të vizatonte si një nxënës që mëson të vizatojë nga natyra. Më pas ai e stërviti mjeshtërinë në Akademinë e Artit në Firence duke u njohur dhe studiuar mjeshtërinë nga piktorët e Rilindjes Italiane, e thjeshtoi atë në vazhdim si piktorët e treqindëshit italian dhe mbërriti me një qartësi të rafinuar te stili i tij vetjak që gjithsesi që në fillimet e tij duket të jetë i influencuar nga piktura moderne e viteve ’20-’30. Stili i tij është shprehje e talentit, edukimit dhe gërshetimeve kulturore e historike që shënjojnë personalitetin e tij të çuditshëm. Në kundërshtim me çfarë në përgjithësi mendohet për shqiptaret e ditur  të këtyre viteve, ata  e kishin fituar aftësitë dhe vetëbesimin e nevojshëm për të krijuar e lartësuar  kulturën dhe artin e kultivuar kombëtar shqiptar. Mbas njëqind vitesh rilindje kombëtare, tani në shtetin e tyre të porsa krijuar ata ishin të bindur për bukurinë e mbijetuar të kulturës  e qytetërimit shqiptar i cili porsa  po institucionalizohej me shtetin kombëtar. Ata ishin  plot ëndrra të shqetësuara. Buza i kishte hyrë me thjeshtësi dhe natyrshëm kësaj rruge që në Akademinë e Arteve në Firence. Së bashku me një tjetër talent të madh, Odise Paskalin, si në Torino ku studiuan së bashku, si në Tiranë ndërkohë që ata po ngrinin shkollën e vizatimit, mendonin dhe flisnin për tiparet e artit shqiptar që po mëkëmbej, dhe shikimin e hidhnin larg. Paskali me Buzën ia dolën të krijonin artin e tyre të madh edhe pse plot me gropa e pjesë të munguara e të këputura në mënyrë dramatike për arsye të katastrofave politike nga kaloi historia. Ka shume vite që jam i ndërgjegjësuar për këtë dhe sa herë që më  ndodh të rikthehem rastësisht  te punët e Buzës, ato më rrëmbejnë në boten e tyre më fort se më parë. Si nxënës në Liceun Artistik të Tiranës i pa mësuar me gjuhën e pikturës moderne, m’u desh një kohë të arrij ta lexoj stilin vetjak të Buzës edhe pse e ndjeja fort  bukurinë dhe çudinë e artit të tij që ishte  shumë ndryshe nga gjithë  bashkëkohësit e tij. Sot ai është lehtësisht i lexueshëm për këdo që e pëlqen artin e pikturës.  Unë shumë shpejt u dashurova përgjithmonë me artin e tij.

Për mua ende mbetet  mister vet Buza. Ai i jashtëzakonshmi, ai i fshehuri mbas modestisë se një burri të sjellshëm e të qeshur, që i pëlqente të bisedonte e të bënte shaka. Ku ishte vallë gjeniu, ai që nuk e lëshoi asnjëherë ëndrrën e tij kryeneçe? Ku ishte çudia e artistit tek ai mësues strikt e shembullor që respektonte rregullat e punës e të shtetit?

I shikoj punët e tij dhe mendoj që atje është ai vet i pranishëm në pikturat e tij. Këto punë janë idetë e tij, mendimet e tij të fshehta janë dora dhe syri i tij. Aty është rruga që ai ndoqi në jetë, rruga që ndoqi arti i tij, që në fakt ishte jeta e tij e vërtetë; ajo që ai e jetonte i vetëm pa iu hapur kujt deri në fund. Shpeshherë edhe ai mundohej të hapej por siç duket e kishte  të vështirë edhe vet ta shpjegonte pikturën e tij, atë që e kishte berë si dhe atë që do të donte të kishte bërë.

Buzës i  pëlqente jeta. Vishej me kujdes, kërcente  përsosur vals e tango, i pëlqente vera e mirë dhe fliste me shaka me shokët e mi pogradecarë për verën, për peshkun koran e për kajkushkat. Ai e shijonte kafen, pinte duhan  dhe shpjegonte pa ndrojtje  proporcionet fizike të bukurisë femërore. Megjithatë, mbrapa këtij burri tërheqës e buzagaz ishte një tjetër  burrë. Një  i shqetësuar e dramatik. Shpesh kalonte befas në një heshtje serioze. E shihje të kalonte korridorit të shkollës me shikimin të përqendruar diku i thithur në vetvete. Ne na dukej kjo e natyrshme për një artist të shquar. Me siguri ai shqetësohej për kohën që po ikte, për muralet që nuk i beri kurrë, për botën e imagjinuar prej tij, atë që pikturonte  dhe atë që ëndërronte të pikturonte.

Përmbysjet e mëdha e dramatike që e shoqëruan hyrjen e Shqipërisë në sistemin komunist sigurisht që e turbulluan edhe artin e tij për ca kohë, ndoshta përgjithmonë. Ai mbase e besoi se mund të pikturonte edhe sipas rregullave të reja. Ai provoi të pikturonte “Boten e re”. Bëri disa piktura me temë nga kantieret e punës vullnetare  por menjëherë hoqi dorë. Botën e imagjinuar prej tij e kishte  shumë të forte brenda vetes. I përkushtuar ndaj  punës së mësuesit ai për një kohë pothuajse nuk pikturonte më. Në tregimet e tij i kthehej shpesh asaj kohe dhe tregonte si më vone e gjeti  përsëri veten në fund të të pesëdhjetave e në fillim të të gjashtëdhjetave që ishte një moment i shkurtër liberalizmi kulturor mbas vdekjes së Stalinit. Në ato vite u kthyen nga shkollat e vendeve komuniste piktore të rinj. Ata ma pëlqenin pikturën, thoshte Buza, dhe kjo kishte  shumë rendësi  sepse ata vinin drejt e nga Meka e komunizmit. Guri{Madhi}, Kristaqi{Rama} e Vilsoni{Kilica} e kuptonin  çpo bëja unë dhe unë isha shumë  mirë dhe po punoja, mirëpo kur erdhi në gjashtëdhjetekatrën fjalimi i Ramizit {Ajia{ për revolucionarizimin e jetës së vendit çdo gjë ndryshoi. Kërkohej përsëri një pikturë tjetër dhe unë nuk po mujsha të pikturoja ashtu. Nuk  mundem unë ta pikturoj një grua me lopate dhe një burrë me kazmë, dhe e ngrinte dorën me qeshur  sikur mbante një kazmë. Unë kam në mend një tjetër gjë, thoshte me një tenge të fshehtë gjatë një vizite në studion e tij. I tha këto dhe e ktheu në shaka. E di çfarë dua unë të pikturoj, një nuse pusi dhe një malësor që kalon aty dhe e sheh plot kureshtje por ngaqë asht shume  serioz  nuk e jep veten. Ja këto dua unë të pikturoj, tha me vetë-ironi dhe duke qeshur. Në fakt ai e dinte se çfarë donte të pikturonte. Ai donte të pikturonte Shqipërinë epike, Kosovën që kishte mare me vete brenda tij. Në njëzetë- tridhjetat  gjysma e atdheut i  prerë brutalisht shkaktonte dhimbje te të gjithë. Veçanërisht të të shkolluarit. Buza i takon kësaj gjenerate që e kishin atdheun fe e përmbi fe.

Kur  shkoi për vizitë në Kosovë mbas 35 vjetësh ai u takua edhe me një grup artistësh kosovarë, kryesisht abstraktë. Është shumë mirë, iu tha, që ju jeni të lirë të pikturoni çfarë të doni por ju duhet t’i lini edhe të tjerët të pikturojnë çfarë duan. Po të bëjnë të gjithë pikturë abstrakte kush ka për ta pikturuar Kosovën, bukuritë, dhe luftën e saj.

Ikonografia e pikturës së tij është e thjeshtë. Është epike ashtu si edhe stili i tij. Buza imagjinoi një figurë, me saktë një burë e një grua. I pikturonte  ata në gjendje të ndryshme. Në rrugë, në valle, në mort, në mal, në tokë, në qiell dhe në arrati, në ferr. Figurat e tij janë të pa krahasueshme ose të krahasueshme vetëm me mjeshtrit e mëdhenj. Ai krijoi një siluetë të përgjithësuar si në afreskët e Giotto-s. Në përgjithësi figurat janë në profil si në relieve. Saktësia e vizatimit dhe e anatomisë së figurës njerëzore dhe kthjelltësia vizuale të sjell nder mend aty për aty mjeshtërit e rilindjes italiane si edhe De Chirico. Burrat dhe gratë e pikturave të tij edhe pse me vëllime dhe peshë e rëndese janë prapëseprapë në një gjendje fluturuese, siç e ka shprehur Kadareja. Në një ecje fluturuese që u vjen nga mënyra si i vizaton këmbët  që sa e prekin dheun, si në valle. U vjen nga  forma e trupit ose mbase thjesht nga kostumet  dhe opingat që kane veshur. Format i ka përgjithësuar me detaje të thjeshtuara për hir të kthjelltësisë vizive. Çdo gjë është në vendin e vet. Nuk ka gjëra të tepërta dhe rrëmujë e kaos në artin e tij. Ky është arti i mjeshtërve, arti i madh.

Gjithë kjo është rezultat i talentit, i rastit dhe rrethanave por në fund ishte qëndresa e personalitetit të tij  të jashtëzakonshëm që e shtyu përpara ëndrrën dhe vizionin e tij për pikturën. Stili i tij është sigurisht rezultat i edukimit dhe eksperiencave të jetës së tij.

Është rezultat i asaj që ai solli nga Kosova, asaj që ai solli nga Firence dhe i asaj që gjeti në Tiranë. Është misteri që nuk e gjejmë dot me fjale por veçse mundemi ta shohim e përjetojmë tek arti i tij.

Si u kthye nga Firence ku kreu studimet e larta për arte dekorative dhe pikture monumentale Buza filloi të pikturojë në Tiranë. Bënte piktura të vogla, portrete dhe peizazhe. Në studion e tij gjendet midis disa pikturave të sjella nga Italia edhe një nudo me ngjyra të freskëta sikur të ishte punuar dje. Për të, siç thotë Kujtim Buza, i ka pozuar gruaja e tij në kohët e para të martesës se tyre. Kjo pikturë është si një përcaktim, një thënie për jetën e tij të mbas shkollës. Ai jepte mësim në shkollën e vizatimit në Tiranë, në shkollën pedagogjike dhe besoj që ishte i lumtur. “Kur shkonin me shokët në piknik në rrethinat e Tiranës, Buza merrte me vete bllokun e  vizatimeve ose një telajo të vogël  për të pikturuar në natyre. Merr një më të  madhe, i thoshin shokët, por ai që është duke u përgjigjur, mjaft e kam.

Janë pak piktura të tij të kësaj kohe. Janë portrete nga natyra në një stil që unë do ta quaja ekspresionist  por qe sidoqoftë është një mënyrë krejt ndryshe nga piktoret e tjerë bashkëkohës Shqiptare. Piktura me ngjyra të forta e vizatim gjithashtu të thjeshtuar fort. Për mbi të gjitha pikturoi “Autoportret” dhe “Profil fëmije” që do t’i bënin nder çdo mjeshtri të madh dhe çdo muzeu në bote. Në shtatëdhjetat kur unë isha student në akademinë e arteve këtë dramacitet të pikturave të tij të pakta e shpjegonin me depresionin dhe pesimizmin që kishin njerëzit e shkolluar në kohën e mbretërisë por sigurisht që këto shpjegime ishin propagande komuniste. Janë pak punë të asaj kohe. Kryesisht portrete. Punime të bëra gjatë ditëve të pushimit në Pogradec prej nga ishte gruaja e tij. Sidoqoftë ai vizatonte shume. Buza ishte një lloj grafomani. Nuk e hiqte lapsin nga dora. Mirëpo si perfeksionit që ishte ai nuk mund të ulej kudo dhe të fillonte të pikturonte vrullshëm. I vinte për të qeshur kur dikush në klasë ia fillonte pikturimit drejt e në kanavacë të bardhe e me gjestikulacione. në klase këmbëngulte qe të bënim dhjetëra skica për të kompozuar në letër, qoftë  edhe  një objekti të thjeshtë. Këmbëngulte për ta vizatuar çdo gjë më pare e pastaj për ta hedhur me katrore dhe me konture të qartë në kanavacë. Ai vinte nga shkolla e afreskut të mjeshtërve italianë që bënin punë përgatitore për pikturat e tyre. Vite me vone kur unë vet pikturoja afreske e kuptova se sa shume kishte luajtur rol  për pikturën e Buzës eksperienca e tij me afreskun,  sidomos për të ndërtuar teknikën  që e ka përcaktuar mjaft edhe stilin e tij. Prej eksperiencës me pikturën murale ai ishte i lidhur me bojërat e ujit, qoftë akuarel ose tempera. Janë të pafundme skicat e tij me bojëra uji. Në vitin 1976 pikturoi një tufë me kartolina {post cards} për t’i dërguar në shok e miq për të uruar vitin e ri. I befasuar e i lumtur, edhe unë në Gjirokastër mora një kartolinë të tillë. Një vajzë fshatare me një bredh në sfond e pikturuar me akuarel në një letër të vogël e të fortë. Siç duket, ai nuk harroi as ish nxënësit e tij. Ishte vërtet i çuditshëm Buza. Piktura e afreskut e kishte mësuar t’i shmangte korrigjimet në piktura, mirëpo edhe me ngjyrat e vajit ai insistonte ta ndërtonte pikturën me të prekurën e parë, pa bërë korrigjim, njësoj si në tekniken e afreskut. Korrigjimi, thoshte, ta prish gjurmën e penelit dhe ta ndot bojën. Kur bënte një gabim, në vend që ta korrektonte me një prekje të dytë, e ndreqte duke bere një tjetër gabim. Dy gabime bëjnë një të drejte. Me një lente në dorë dhe me pikturën në tjetrën të tregonte plot entuziazëm prej edukatori se si thureshin penelat, si e kishte thithur bojën kartoni dhe ku ngjyrat e prishnin njëra-tjetrën keqaz. Kaq shumëe ishte i preokupuar për tekniken, prekjen e penelit dhe gjurmën sa shpesh kritiket e quajnë post-impresionist. Mbase edhe për shkak të ngjyrave e të harmonisë. Në fakt, peneli i tij është tradicionalisht post-impersionistik, i afërt me Renoir, edhe pse ai zhvilloi stilin e tij personal ku paleta me ngjyra të gjalla është një ndër tiparet e këtij stili. Në këtë gjykim stilistik ai është me shume një paralele me Bonnard,  që edhe pse i dalë nga post-impresionizmi, gjithsesi, edhe ai është një piktor modern.

Zhvillimet e tjera artistike nuk e interesuan Buzën. Jo vetëm se ishin rreptësishtë të ndaluara por besoj se me të vërtetë nuk i interesonin. Ai bëri udhëtime në disa vende por zor se do të gjesh ndonjë ndikim të tyre tek arti i tij. Nga vizita e tij në Ermitage ai tregonte për Danaen e Rembrandt-it që e kishte pare aty  dhe veçanërisht për dy piktura të Van Gogh-ut. Nuk e kisha pare Van Gogh-un më parë në origjinal, tregonte një mbrëmje. Kur më dolën përballë  pikturat e tij Ermitage, tregonte sa here që binte fjala për dritën e brendshme të pikturës, u hutova. Jashtë kishte dëborë, piktura e Van Gogh-ut ndriçonte njësoj si dritarja. Dola jashtë dhe shkova bleva një paketë cigare. E kisha lenë duhanin. E fillova perseri.   

Kubizmi surrealizmi nuk patën influence tek ai. Nuk fliste për to, ndërsa s’pushonte së foluri për Renoir, Cezanne, Matisse dhe vizatimet e Picassos. Renoir e gjeti befas si zbulim. Filloi të kopjoje pikturat e Renoir në një karton diçka më pak  se një metër. E mori me radhë një libër të tërë dhe e mbushi kartonin me kopjet e Renoir në rresht njeri mbas tjetrit. Here me Skënder Lakon e herë me Gjergj Markon i shkonim në studio të shikonim si po shkonte kjo punë. Ai nuk përtonte dhe na shpjegonte stilin e Renoir dhe sa shume donte t’i kishte parë në origjinal punët e tij. Sigurisht që edhe ne donim shume t’i shihnim ato në origjinal. Nuk e fshehte që i vinte keq për ne.

Gjithmonë kam menduar përse Renoir? Eksperiencat punktualiste të Chini-t, mësuesit të tij italian, me siguri që ishin në memorien e tij. Mirëpo ai si të gjithë piktorët e vërtetë, ishte i preokupuar për shenjën e tij, prekjen spontane të penelit, mënyrën si boja le gjurmë mbi sipërfaqen e pikturës. Dhe për ketë, Renoir i dukej një shok i mirë. Zef  Kolombi në vitet tridhjetë kishte provuar  ta kishte një prekje punktualiste e disi impresioniste por paleta shumëngjyrëshe e Buzës kapërceu guximshëm të gjithë shokët e tij duke përfshirë edhe Kodrën dhe Sabri Fetahun që duke jetuar jashtë Shqipërisë komuniste u rreshtuan me artin modern. Mbas eksperiencave me Renoir, piktura e Buzës vjen në një stad ku ai nxjerr nga dora vetëm kryevepra. në periudhën e parë mbas shkollës  ai pikturonte çfarë shikonte por e bënte ketë duke luajtur me ngjyrat dhe duke e thjeshtuar vizatimin. Sidoqoftë ngjyra ishte subjekti, gëzimi dhe kënaqësia e pikturimit. Më pas ai e zbuloi Shqipërinë epike që e kishte në trurin e tij dhe tani pikturonte vetëm atë. Buza është mbase i vetmi piktor arti i të cilit duket i lidhur me idetë e lëvizjes  letrare të kohës. Janë vetëm disa piktura peizazhe qe ai i kishte bërë gjatë luftës se dyte botërore.  Po të heqësh  nja dy piktura me partizanë  që i punoi më vone për ekspozita me temë përvjetorët e çlirimit, zor se mund të gjesh gjurme të epopesë partizane në artin e tij. Fëmijëria dramatike, ëndërrimi dhe kërshëria për realitetin epik të malësorëve janë ato që e shtynin Buzën për të rikrijuar përmes pikturës  një realitet tjetër, ku veprojnë ligje të ndryshme nga graviteti i  botës që e rrethonte. Kjo botë e artit të tij është krejt e pa prekur nga jeta reale ku jetonte. Arti i tij është një stil personal që vjen nga raporti i tij personal me fëmijërinë,  Shqipërinë e përjetshme dhe pikturën moderne. Shekulli i njëzetë, po të heqësh disa piktura me teme nga aksionet vullnetare të bëra gjatë viteve të para të mbas luftës, mungon krejt në pikturën e tij. Edhe në rastet kur jeta reale hyn në artin e tij ajo merr një pamje legjendare. Ai ishte në një gjendje konstante të kërkimit të një pikture qe nuk ishte e botës ku jetonte, por diçka që ishte e ndryshme, e veçantë, e pazakontë.  Realiteti i imagjinuar i pikturave të tij  ishte në mendjet e shume njerëzve  bashkëkohës dhe temat e  idetë e pikturave të tij ishin  shqetësim i brendshëm për shume njerëz. Gjithsesi kjo botë e artit të tij me zor i përshtatej ligjeve të botes reale ku jetonim, ishte  jashtë ligjeve dhe normave të jetës që sundonte përtej derës së shtëpisë dhe vetes së gjithsecilit. Disa piktorë vizituan Prishtinën në fund të shtatëdhjetave. Ata ktheheshin prej andej me dosjet me vizatime e me piktura. Buza u kthye plot mbresa e biseda por nuk pash asnjë vizatim të sjellë prej andej. A pikturove aty gjatë udhëtimit,  e pyeta dhe menjëherë e kuptova që pyetja ishte pavend. Ai bëri sikur nuk e dëgjoi dhe vazhdoi tregimin.

Mbrëmjet në Tiranën  e 1970-ës ishin plot mërzi. Java kalonte në shkolle, në atelietë ose në librarinë e shkollës. Po të mos kishte ndonjë film për të qenë në kinema, fundjavat ishin veçanërisht të trishtuara. Sidomos kur binte shi. Më kujtohet sikur gjithë dimrit binte shi. në të tilla pasdite të vona duke dale nga akademia me Lakon, Gucin, Markon e Kocin dikush propozonte: Le të shkojmë te plaku. Kjo kuptonte të vizitonim studion e Buzës ku gjithmonë na hapej dera. Në shtëpinë e tij ishin dy piktorë Buza, Kujtimi dhe Buza plaku, ne trokisnim në derë, patjetër pa njoftuar më parë sepse një grusht njerëzish kishin telefon. Derën përgjithësisht e hapte Shpresa, gruaja e Kujtimit. Ajo na mirëpriste e qeshur a thua se gëzohej nga vizita jone para darke. Mbase me të vërtete gëzohej për Buzën që siç duket kënaqej nga vizitat tona. Kujtimi  nuk përzihej  në vizitat tona të mësuesi. Ai vetëm se ia ndante Buzës vizatimet me dosje ku shkruhej “Jo për studentët”. Plaku nuk i bindej dhe na i tregonte ato kur nuk ishte i biri në shtëpi. Kjo punë e dëfrente por gjithashtu ai donte ta ndante me në ç’kishte bërë. Ishte kureshtar të dinte ç’mendonim ne për punët e tij të reja. Ne veç mrekulloheshim.

Shokët e mi të dhomës së konviktit, Robert Guci e Gjergj Lako, u kthyen një darke të lagur nga shiu por plot entuziazëm. E di, më thanë, ishim Buza. Dhe e di çfarë? Plaku po pikturon “çupka” , “nimfa”. Jo malësore, jo vullnetare aksioniste por “naivka”. Kështu ne quanim me të tallur në mënyrë Lasgushiane  një lloj vajze qytetëse.  Herën tjetër kur shkova në studion e tij pashë “Leda me patën” dhe “Nimfa”.

Mësuesi i tij në Firence ishte Gallileo Chini, një piktor i zoti që pikturonte në stile të ndryshme por më së shumti Art Nouveau gjë që e dallonte prej shumicës së piktoreve italianë bashkëkohës. Kur i heton pikturat e tij jo se e gjen kaq shume Buzën ndër to, por sidoqoftë  ngjyrat e forta, ngjyrat spektrale si edhe një lloj ekspresionizmi që në Itali e emërtonin ndryshe, dekorativitet dhe punktualizëm, Buza siç duket i trashëgoi prej Chini-t edhe pse po të mendosh për lidhjen e tij me kostumet kosovare kjo mund të mos  duket bindëse. Chini si ia konstatoi shqiptarit të ri paletën shumëngjyrëshe e këshillonte ta  ruante mënyrën e tij spontane me ngjyra parake. Kjo influence  nuk më pengon ta quaj atë të parin piktor modernist shqiptar aq më tepër që kontaktet e piktorëve shqiptarë me pikturën moderne u ndërprenë përgjithmonë  mbas luftës së dytë. Të tjerë piktorë modernë shqiptare ishin jashtë shtetit shqiptar. Abedin Dino jetonte në Francë,  Sabri Fetahu në Stamboll, Kodra në Milano. Buza, i vetëm në Tiranë, përpiqej ta lidhte stilin e tij modern  me temat patriotike ose e kundërta dhe ta ekspozonte artin e tij. Në biseda me të ai ngulte këmbë që ta bënim artin tonë të tillë që të ekspozohej. Rregullat e shtetit duhej të zbatoheshin por pastaj  secili duhej të bënte artin e tij atë qe kishte brenda vetes. Në vitet shtatëdhjetë me Ekspozitën e Pranverës, të tjerë piktorë provuan  me teknikat e artit modern por përfunduan burgjeve. Buza u la. Mbase talenti i jashtëzakonshëm është hutues, dhe sugjestionues. Mbase ai nuk bënte njeri xheloz dhe nuk  konfrontonte njeri me atë “folklorizmin” e tij, me ato “historizmat” e “kosovarizmat” e tij. Këto cilësi nuk të ndihmonin as në karrierë e as në radhën elitare. Partishmëria socialiste ishe ajo qe të ngrinte në poste dhe të bënte objekt të zilise së kolegeve. Snobizmi  të afronte me elitat. A e mbronte atë pozita shtetërore e fëmijëve të tij? Patjetër  që po. Në këtë kuptim ai ishte me shume fat mirëpo prapëseprapë kur diktatura vendoste ta godiste dike nuk kishte njeri  që ta shpëtonte. Sidoqoftë ai ju kishte shpëtuar goditjeve të censurës për kaq shume vite. Prej kohesh ai ishte pozicionuar me “kulturën popullore” dhe ai e bënte këtë me poza naive. Ai i shpjegonte në mënyrë disi fëminore pikturat e tij. Mbase nuk i hiqej nga mendja që unë isha nxënës. Kisha qene nxënës i tij në klasën e dekoracionit dhe pllakatit në moshën 14-15 vjeç. A ishte naivizmi modernizëm? Sidoqoftë jo për një qe pikturonte malësore e malësore dhe vizatonte figura me anatomi të rregullt. Ai ishte një mësues shembullor qe nuk gabonte kurrë. Si shume të brezit të tij ai kishte një  besim hyjnor tek arsimimi. Tregonte për vizitën në Prishtine mbas gati 40 vjetësh. Aty i afroheshin idhtarë të PPSH qe kishin qene në burg. Ata dukej qe ishin krenare për këtë. Ata ishin të rinj në moshën qe duhej të ishin në shkolle. Ruajuni burgut ju thoshte. Shkolla, universiteti do ta çlirojnë Kosovën. Me shumë kujdes ai  iu shmangej  pozave të heroit dhe shfaqej me shumë si një nostalgjik naiv i fëmijërisë dhe  vendlindjes se e tij. Unë,  thoshte  me të qeshur, duhej isha martuar me një kosovare. Nuset kosovare me veshjet dhe krehjet e tyre janë një bukuri artistike, dhe një çudi kurioze. Kostumi i tyre është si teatër i vizatuar plot fantazi e kuptime fshehta. Nusja ngrihej më herët, përgatiste mëngjesin dhe vishte kostumin për pire kafen me burrin dhe për ta përcjellë punë. Mbas kësaj e hiqte prapë dhe vishej për pune. Në mbrëmje vishte përsëri kostumin e çmuar sa vinte ora e gjumit. Këto ai i thoshte me një ndjenje shakaje por është e vërtetë që ai jetonte me këtë bote imagjinarë. Mbas gjysmës së të pesëdhjetave ky admirim për Kosovën nuk quhej shumë i rrezikshëm. Në fakt deri atëherë ai ekspozoi shumë pak. Punës si mësues i ishte kushtuar me të gjithë energjitë dhe kjo njëfarësoj e bënte të lumtur. Kam në kujtesë dy-tre njerëz që simbolizojnë për mua  figurën e mësuesit. Buza është një prej tyre. I veshur me sqimë, me kostume të pastra dhe me buzët e mëngëve të ngrëna nga përdorimi. Serioz por gjithmonë me një buzëqeshje të lehtë. I gatshëm për ta kapërcyer me një shaka të holle çdo situate dramatike.  Ditën e pare në Liceun Artistik behej ndarja e nxënësve  në dy grupe. një grup për skulpture dhe një grup  për pikture. Askush nuk donte të shkonte me skulpturën, të gjithë donin të bëheshin piktore. Mbasi mbaronin argumentet për cilësitë që ai gjente në vizatimin e secilit nga ku ai kuptonte se kush duhej të behej skulptor e kush piktor ai fillonte një tjetër argument. E keni menduar ndonjëherë, thoshte Buza, se sa shume para fitojnë skulptoret? Paco u pagua për Skënderbeun e Krujës një milionë lekë. Skulptoret fitojnë shume ndërsa piktorët paguhen më pak. Nuk ishte e zakonte të flitej për paratë në shkolle. Ne nuk i kishim ditur këto gjera megjithatë askush nuk donte të behej skulptor. Ka shumë skulptorë, vazhdonte Buza, që mbasi janë bërë tillë, gjë që u mundëson fitojnë shumë para, mund bëjnë edhe pikturë, sepse mjeshtëria e vizatimit është baza për dyja. Në fund ai ia arriti qëllimit. Gjysma u regjistruan në klasën e skulpturës. Në studion e tij në Tiranë janë të ruajtura dy tre paleta të tij. Ato të sjellin ndërmend një rrobe të leshtë shumëngjyrëshe. Ngjyra të thurura me kujdes. Ngjyrat në pikturë ai i ka të shndritshme dhe të gjalla plote disonanca me të kuqet dhe jeshilet të mbivendosura me kujdes. Ai mundohej pikturonte me ngjyrat e luleve, thotë Kujtim Buza. Kjo duhet të jete e vërtete për përudhen e tij të pare. Sidoqoftë ai ishte një lloj ekspresionisti edhe pse në pikturat e tij nuk ka gjest të ekzagjeruar dhe penelatat ai i vë me kujdes mbi një vizatim strikt të fiksuar më parë. Ky lloj ekspresionizmi duket më mire se kudo tek autoportreti  i tij  i rinisë. Buza ishte një ekspresionist i mbështetur te natyra. Kujtim Buza e shpjegon këtë mbështetje tek natyra me lidhjet e artistit me realizmin  edhe për shkak të bindjeve demokratike e Fanoliste të Buzës së ri. Po ta lidhesh këtë me respektin e madh që ai kishte për Bajram Currin që e ndihmoi të shkollohej kjo duket bindëse mirëpo unë nuk gjej ndonjë preokupim të Buzës për politikën. Më vonë në vitet e para të diktaturës komuniste ai duket më pak shumëngjyrësh dhe më realistik. Edhe pse në studio janë mjaft piktura që tregojnë Buzën e vërtetë siç është “malësorja me lulëkuqe” çudirat në fakt filluan më vonë me “Shqipëria Vallëzon”, me nuset kosovare dhe pastaj me Azem Galicën që është nga më të bukurat piktura që më kanë parë sytë.

Unë nuk e çaja kokën shumë për artin modern, më tha Buza gjatë një bisede. Çdo vere vija  nga Firence Tirane dhe nuk shkova asnjëherë France edhe pse para kisha mjaft, se bursa ishte mjaft e madhe. Mendoja se kisha kohe pa fund. Jeta ishte e bukur Tirane, me mbrëmjet Kursal dhe piknikët çdo fundjave. Nuk nxitohesha as për pikturuar. Kodra po. Ai ishte i zgjuar. Ai shkonte vazhdimisht Francë dhe kishte shoke aty. Njihte edhe Pikason. Ai nuk vinte hiç për  verë Tirane. Unë nuk shkova kund edhe pse rroga e mësuesit kohën e Zogut ishte e madhe dhe pushimet e verës ishin tre muaj gjata. Kur isha i ri nuk ma mbushte shumë mendjen këmbëngulja e profesorit për të na bindur që ngjyrat e tij parake, spektriale i dilnin vetvetiu. Nuk me besohej që aty në Itali ai nuk kishte kthyer sytë nga arti modern. Chini insistonte që Buza të mos shikonte shokët, të mos influencohej prej tyre. Ti, i thoshte, je ndryshe, vjen nga një vend ndryshe. Kjo duket punët e tua dhe t’i duhet ta ruash këtë, i thoshte Chini. Më kujtohet që në studion e vjetër të tij, Buza kishte në mur pikturën e Kujtimit, punën e diplomës të Liceut Artistik. Piktura e Kujtimit varej në krah të portretit të mrekullueshëm “Nusja me lulekuqe”. Pikturat e tyre ishin kaq të ndryshme nga njëra-tjetra në gjithçka. Baba e bir pikturonin në menura krejt të pa lidhje me njëri-tjetrin. Kjo më çudiste, më dukej  si një gjë gabim. Si kishte mundësi që Kujtimi nuk ishte rrëmbyer nga paleta e lulëzuar e të atit? Mirëpo Buza fliste me krenari për pikturën e të birit, sidomos për faktin që ai nuk influencohej nga i ati. Kujtimi kishte pikturuar një skene nga jeta e përditshme, një skenë nga një ndeshje futbolli. Kujtimi, thoshte plaku, luan futboll prandaj edhe e ka bere kete pikture. Secili duhet të pikturojë atë që pëlqen vet dhe jo të niset nga të tjerët. Rruga e suksesshme që Kujtimi ndoqi në artin e tij kuptohet që është merite e Buzës plakut që e ruajti  birin prej atit  të jashtëzakonshëm. Me siguri këto ishin porosite e hershme  të mësuesit të tij Chini-t që Buza na i përcillte ne nxënësve. Megjithatë Chini duket aty këtu në idetë piktorike të Buzës. Ai  përpiqej ta shmangte bisedën rreth kësaj. Me vone e kuptova qe nuk ishte politikisht në rregull qe ai të pranonte  influenca nga një piktor italian. Diploma e tij në Firence ishte projekt për një mozaik  në aeroportin e Tiranës. E kishte pikturuar me tempera në letër. Ai shpresonte qe aeroporti do të ndërtohej se shpejti por kjo nuk ndodhi sepse erdhi lufta dhe gjerat ndryshuan. Dikur nga fundi i viteve shtatëdhjetë Buza e pikturoi  një variant të punës së diplomës me bojëra vaji në katron por pa shume sukses. Shume gjera kishin ndodhur me stilin e tij, dhe ai ishte tani një piktor tjetër, bile edhe një njeri tjetër. Ai e kishte bere ndërkohë pikturën e tij shqiptare me një stil të rafinuar, një pasuri qe na e ka lënë që ta kemi kur të na duhet të dimë se kush jemi ne shqiptarët në këtë botë të trazuar. Mund kisha qëndruar Firence mund kisha ikur Stamboll dhe pastaj Francë, më tha një dite mbas një vizite në Kruje në muzeun e Skënderbeut kur unë punoja për afreskun “Kuvendi i Lezhës’’.  Kishte ardhur për vizitë në Shqipëri shoku i tij i fëmijërisë qe ishte bërë drejtor i Akademisë se Arteve të Stambollit, piktori shqiptar Sabri Fetah Berkel. Kur kishin mbaruar akademinë në Firence ai i kishte propozuar qe të shkonin se bashku në Stamboll ku ai kishte familje por Buza nuk pranoi. Më vone ai me tregoi një katalog me punët e Berkel. I lëvdoi me krenari punët e shokut të tij dhe më tha: Unë bëra mirë që u ktheva Tirane apo jo? Unë nuk fola. Nuk isha i sigurt. Duhej t’i kisha thënë, po profesor patjetër! Sepse t’i bëre piktura shqiptare, ato që ëndërroje.

(Marrë nga ExLibris)

NASA sjell foto të “lindjes së Hënës” nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor

NASA rregullisht kap imazhe mahnitëse të universit tonë, duke i lënë të magjepsur adhuruesit e hapësirës.

Rrjetet sociale të Agjencisë Hapësinore të SHBA-së janë një “thesar” për ata që duan të shikojnë video edukative dhe imazhe magjepsëse që tregojnë Tokën dhe hapësirën.

Në postimin e fundit, agjencia ndau një foto të “lindjes së Hënës” nga një “pikë unike e favorshme” brenda Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Bëhet e ditur se fotoja është shkrepur nga astronauti i NASA-s, Matthew Dominick, i cili ka jetuar në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor për rreth katër muaj, përcjell Telegrafi.

Në pamjet e publikuara, shihet gjysmëhëna e cila shtrihet mbi atmosferën e Tokës.

“Shtresat e portokallisë dhe të zezës shfaqen nën brezin horizontal të së kaltrës që shtrihet në qendër të imazhit. Gjysmëhëna është e bardhë dhe bie në sy kundër errësirës së hapësirës”, tha agjencia amerikane në përshkrimin e imazhit.

Shkodër, hapet ekspozita kushtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës

VOA/Pëllumb Sulo

Në galerinë “ODA” të qytetit të Shkodrës është hapur ekspozita fotografike “Keep Calm and Smile” e fotografit nga Kosova Korab Basha. Ekspozita i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në kohën kur në botë dhe rajon janë shtuar tencionet dhe konfliktet, fotografi Korab Basha, përmes fotove të tij, hedh një vështrim në të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni”, është ky lejtmotivi i ekspozitës së fotografit nga Kosova, Korab Basha, çelur në galerinë “ODA”, në qytetin e Shkodres. Janë 25 foto, bardh e zi, pjesë e ekspozitës së tretë personale të fotografit Basha, foto, të cilat i kushtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është një fotoekspozitë që shikon jo vetëm të sotmen, por dhe të ardhmen e Kosovës.

“E kam vlerësu të nevojshme që ushtrisë tonë, ushtrisë së Kosovës, me i dhuru një ekspozitë të tillë, djemve dhe vajzave që janë pjesë e një istitucioni që vlerësohet si më i besueshëm i Kosovës. Disa prej këtyre djemve dhe vajzave i kanë pasur të afërmit e tyre në Ushtinë Çlirimtare të Kosovës”.

Fotografi Basha, përmes fotografisë së tij, përpiqet të shikojë në thellësi të realitetit të sotëm në Kosovë, ndikimit që ka në jetën sociale të vendit të tij, por edhe të rajonit, Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila i ka rrënjët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë kam dashur për të paraqitur pjesën artistike, pjesën humane, që këta njerëz t’i duan femijët kur i shikojnë, që ajo me qenë ushtri e fëmijëve tanë, e njerëzve tanë. Sepse kjo ushtri nuk i takon veç Kosovës”.

Për fotografen Rozafa Shpuza, në kohën kur në rajon dhe në botë tencionet dhe konfliktet janë shtuar, sjellja përmes fotografisë e të rinjve dhe të rejave të Kosovës, që shërbejnë në forcat e sigurisë, është një mesazh i rëndësishëm që përcjellet përmes aparatit fotografik Korab Basha.

“Idea e tij për të sjellë të rinj e të reja, që shërbejnë tek Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke buzëqeshur, duke i thënë jetës ne jemi këtu, jemi për t’ju mbrojtë, nuk jemi përluftë. Pra, metafora dhe krejt filli që lidh të gjitha fortografitë e kësaj ekspozite këtë përcjell. E përcjell me zë të lartë. Prandaj ekspozita e Korab Bashës pati një ndikim të madh edhe tek artdashësit”.

Ndërsa për piktorin Fatmir Juka, i cili drejton galerinë e artit të qytetit, ekspozita e fotografit nga Kosova, Korab Basha, shpreh njëherazi edhe vlerësim për identitetin shqiptar dhe rrënjët prej nga vjen dhe sendërzohet historia e Kosovës së lirë.

“Dhe nuk ka nevojë që mesazhin e kësaj ekspozite ta nisësh nga një foltore e parlamentit apo nga një xhaketë zyrtare. Ai del nga nevoja, dëshira, thelbësorja e humanizmit çka është paqja, prosperiteti, vetpërmbajtja, entuziazmi për të jetu jetën të lirë dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin”.

Ekspozita e fotografit nga Kosova, Korab Basha, po tërheq vëmendjen e vizitorëve edhe për faktin se ajo pasqyron, mes te tjerash, edhe mbështetjen që Amerika dhe partnerët e tjerë të NATO-s vazhdojnë t’i japin ushtrisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Tenori i madh i Kombit  Shqiptar LLAMBI TURTULLI, qëllimisht lënë në harresë- Nga KRISTAQ TURTULLI

Por për fat të keq akoma në Korçën tonë nuk kanë zënë vendin e merituar personalitetet e shquara të kombit Shqiptar. Çuditërisht dhe fatkeqësisht nuk ekzistojnë as në arkiv.
(Apo Leskovik dhe tatëpjetë siç ka qenë dhe do të jetë.
Familja jonë TURTULLI është më e shquara në Ballkan në Bamirësi, Çdo shtet në botë krenohet me familjet e mëdha. Por tek ne u rrafshuan familjet e mëdha. Familja jonë TURTULLIi dha korçës fytyrë të vërtetë evropiane; Ndërtoi me paratë e vet dhe i dhuroi Korçës: Bibliotekën, Ndërtoi me paratë e vet dhe i dhuroi korçës , LIceun e famshëm. Ndërtoi dhe me paratë e vet dhe dhuroi Korçës Spitalin, kinemanë, shtëpinë e fëmijës, kishën e shumë bujari të tjera. Më e shquar në tërë kombin për patriotizëm. Më e shquar për dije dhe dituri. Komunizmi e luftoi me meftësi, ligësi dhe zjarr dhe hekur, vlerën më të madhe mbarë Kombëtare, familjen TURTULLI. Përse vazhdon kjo mendjeshkurtëri dashakeqësi, poshtërsi? Pushtetarët dhe korçarët meren me thërime dhe nuk munden, nuk duan të përballen me malet. Në relitet duhet të jetë krenaria e Korçës dhe Shqipërisë. Por… për fat të keq hajdutët sot janë ….)
Këtë shkrim të studjuesit të nderuar Niko Kotherja po e hedh për shkak të bisedës me të nderuarin mikun tim Gjergji Çikopani që çuditërisht nuk ekzistonte në akrivin e Korçës?!!!
NIKO KOTHERJA
Llambi Turtulli – tenori dramatik nga Konservatori i Milanos
“Tenor – Studenti i Artit Këngës në Milano (Italie)” Xhaxhai i shkrimtarit të mirënjohur Kristaq Turtulli.
Llambi Turtulli është një emër i shquar mes klasikëve tanë muzikorë, një zë potent jo vetëm i skenave shqiptare, por më gjerë, në Evropë e deri në Amerikë. Lindur në Korçë në vitin 1907, origjina familjare e tij është mbresëlënëse. Llambi mori emrin e gjyshit të tij, Llambi Turtulli i Parë, i cili u vra në vitin 1886 në Pisoder. Bijtë e tij Nisi, Perika dhe Petro ishin njerëz të respektuar në qytet e më gjerë, si në aktivitetin e tyre ekonomiko – tregtar, ashtu edhe për pjesëmarrjen në lëvizjen patriotike shqiptare. Motra e tyre, Katerina (Rinkë) Turtulli u martua me Gaqi Pepon, martesë nga e cila u lindën patriotët e shquar Gavril Pepo dhe Angjeli Pepo, luftëtarë dhe aktivistë të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë; Rodhopi Gaqi Çani (Pepo), ish nxënëse e Mësonjëtores së Vashave; Afërdita Gaqi Grameno (Pepo), bashkëshorte e rilindasit të shquar Koço Grameno. Nga ana tjetër, Perika (Perikli), xhaxhai i tenorit tonë, krijoi lidhje familjare e atdhetarin Andrea Katundi (motra e Katundit ishte bashkëshorte e Perikë Turtullit), ish diplomati dhe njeriu kyç i Republikës Shqiptare të Korçës, në periudhën e Luftës I Botërore dhe krahu i djathtë i dëshmorit kombëtar Themistokli Gërmenji. Nisi Turtulli, babai i tenorit dramatik, pati shoqen e jetës Evdhoksi Ananezin, një luftëtare e emancipimit të gruas shqiptare, ndërlidhëse e çetave patriotike dhe mjeke popullore. Prej kësaj martese erdhën në jetë Llambi, Margarita e Pavlina, ish nxënëse të Mësonjëtores së Vashave e pas tyre Petro Turtulli, pjesëtar me armë në dorë i çetës patriotike të Themistokli Gërmenjit. Akil Eftim, një tjetër personalitet i Rilindjes Kombëtare, që spikati si delegat i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bullgarisë në Kongresin e Manastirit më 1908, vinte nga kjo familje. Nëna e tij, Marga, ishte motra e Parashqevisë, bashkëshortes së Llambi Turtullit të Parë. Pjesë e këtij trungu familjar janë edhe vëllezërit Andrea Turtulli (tregtar në Korçë), Thoma Turtulli (patrioti dhe filantropi i shquar shqiptar), dr. Mihal Turtulli (mjek, rilindas dhe protagonist i jetës politike e shoqërore të Shqipërisë në fundin e shek. XIX dhe fillimshekullin XX), Vangjel Turtulli (patriot dhe aktivist i shquar, ish senator i Korçës).
Llambi Turtulli mësimet e para i mori në Mësonjëtoren Shqipe të Vashave nën drejtimin e misionarëve amerikanë Phineas dhe Violet Kenedi1, pasi atë kohë brenda asaj shkolle u =el një klasë për djem të vegjël. Nxënës të kësaj klase bashkë me të, kanë qenë edhe Vasil Gërmenji, Riza Mançe, etj. Kjo shkollë ishte kthyer në një vatër të rëndësishme të emancipimit shoqëror e kombëtar, që njihej si “Foleja Kombëtare”, e cilësuar prej Mihal Gramenos.
Më pas shkoi në Bukuresht, ku mori mësimet e para në kanto. Në një letër të tij, Akil Eftim shkruan: “Lambi është si nzënës në Konservatorin të Rumanisë, dhe kje të kem siguri në dot dalë gjëkafshë e shpura në Zoti Profesor Toscani, kje edhe aju është Tenor, dhe më tha se ka një zë fort të mirë. Për këtë shkak i dha dhe një certificate ku ia dërgoj Nisit. Tashi bëni si të dini dhe në mundni të i preni një bursë për të bërë pagimin e Profesorit kje ta msojë iashtë skolisë.”2 Pas studimeve të para në Konservatorin e Bukureshtit, Turtulli u kthye në Korçë, ku dha koncertin e parë. Po këtë vit, më 1928, i pajisur me bursë të ministrisë së Arsimit për tre vite, u nis në Itali. Aty u regjistrua në Konservatorin e Milanos të cilin e përfundoi më 19363. Nga kartvizita e tij, informohemi se adresa e Turtullit në Milano ishte “Via Lecco, 15.”4 Përveç mësimeve universitare, Turtulli ndoqi kurse kantoje me emra të mëdhenj të interpretimit. Ai mori mësime private nga tenori i famshëm i “La Scala”-s, maestro Katulo, nga maestro Pikoli, nga profesori i shquar Barito San Marlo, etj. Karierën e tij në Itali, Llambi Turtulli e nisi me interpretimin në operan “Cavaleria Rusticana” në teatrin “Puccini” të Milanos dhe më pas vijoi aktivitetet koncertore në shumë qytete të Italisë.
Në vitin 1930, Turtulli iu përgjigj ftesës së Neço Mukos për t’iu bashkuar grupit shqiptar në regjistrimet e tyre pranë kompanisë diskografike “Pathé” në Paris. Në grupin e regjistrimeve të vitit 1930, Turtulli interpretoi dhe mori pjesë në këto materiale: “Daveli” (bashkë me Paleologun, Çakallin, Balën dhe Mukon), “Mban mënd”, “Ëndërat”, “Shkodra”, “Vallëtaria” (bashkë me Paleologun, Çakallin, Balën dhe Mukon), “Hurrah! Dëfrim!” (bashkë me Çakallin, Balën dhe Mukon). Dëshmohet se gjatë kësaj kohe ai regjistroi pranë kësaj kompanie edhe materiale muzikore në italisht, deri më sot mbetur të panjohura për ne.
Dy vite më vonë, më 14 shtator 1932, një grup i përbërë nga Llambi Turtulli, Jorgjia Truja, Lola Gjoka e Thoma Bezhani, nën menaxhimin artistik të maestros Sotir Kozmo dha në Korçë një koncert artistik, i cili ishte: “koncerti i parë vokal – instrumental, me të cilin në Shqipëri do të startonte historiku i artit interpretues profesional.”5 Në këtë koncert, Turtulli interpretoi pjesët e Puçinit “Turandot” dhe “Nessun Dorma”6. Shfaqja u organizua nga Shoqata Sportive Krahinore për ndihmë të Shoqërisë sportive “Skënderbeu”. Jehona e koncertit shkoi deri në kryeqytet. Me interesimin e Pandeli Evangjelit, kryeministrit të asaj kohe, ky grup përsëriti koncertin e Korçës në “Cinema Theatër Diana” në Tiranë. Aktiviteti, organizuar nga Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”, kësaj radhe do t’i vinte në ndihmë Kryqit të Kuq Shqiptar. Ky “Koncert Artistik prej Shqiptarësh” u mbajt në orën 21:00, më datën 8 tetor, në kuadër të kremtimeve të ditëlindjes së Mbretit Zog I 7. Në kujtimet e saj për këtë koncert, Truja shprehet: “Koncerti i katërshes sonë qe mjaft i pasur dhe u prit me shumë duartrokitje. Ai u organizua në ndihmë të Kryqit të Kuq. Koncerti u pasua nga një banket.”8
Në vitin 1935 Turtulli shkoi në Zvicër, ku këndoi në 12 koncerte në Lugano, me audiencë nga personalitete të nivelit botëror. Pas diplomimit, në vitin 1937 shkoi në Budapest, ku interpretoi në operan “Lucia Di Lammemmoor”, “Tosca” dhe “La Bohemé”9 si dhe zhvilloi një turne në shtetet e Ballkanit, ku prezantoi koncerte me muzikë popullore shqiptare10. Në qershor të atij viti, kur këndonte në Itali, pranoi propozimin e agjentit të kompanisë “Opera San Carlos Cincinnati” për një turne amerikan11. Udhëtoi drejt Amerikës dhe për shtatë javë rresht Turtulli këndoi në studiot e ndryshme të radiove të Bostonit.
Njohës i tre gjuhëve të huaja frëngjisht, greqisht dhe italisht, Turtulli me koncertet e tij udhëtoi tre herë nëpër Evropë. Anglia dhe Gjermania ishin vendet ku nuk dha koncerte dhe vtë vetmet shtete që nuk i vizitoi12.
Llambi Turtulli u martua me pianisten Norma Nasy, e diplomuar në shkollën e muzikës “Julliard” dhe në Universitetin “Columbia”. Ata mbanin një studio në Nju Jork, te e cila shpresonin të ktheheshin pas Luftës për të vazhduar me punën koncertale dhe mësimdhënien13. Në Amerikë, Llambi dhe bashkëshortja e tij Norma interpretonin në valët e radios, siç dëshmon shtypi i kohës14. Aktivitetin e vet Turtulli e vijoi me koncerte, të cilat gjithnjë përmendeshin nga gazetat e Amerikës15.
Në janar 1943 u përfshi në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Nju Jork. Aty formësoi dhe drejtoi një kor në një kishëz të Ushtrisë Amerikane16. Reshtimi i tij në “US Army” ka qenë arsye vendimtare që atij t’i ndalohej hyrja në Shqipërinë komuniste pas përfundimit të Luftës II Botërore. Sipas dëshmisë së familjarëve të tij, rreth fundit të viteve `60, u nis nga Amerika me shpresën se do të mund të hynte në Shqipëri nga ana e Greqisë. Mbërritur deri në kufi, Turtullit iu ndalua hyrja në atdhe17. Pjesëtarët e familjes së tij të mbetur në Korçë, që ai nuk arriti kurrë t’i takonte, vuajtën persekucione dhe provuan sekuestrime të skajshme. Vëllai i tij, Petro Turtulli, veteran i lëvizjes patriotike shqiptare, u dënua nga regjimi totalitar i kohës. I kthyer në Amerikë, tenori vijoi aktivitetin e tij. Nga valët e “Zërit të Amerikës” përshëndeti shqiptarët në një intervistë dhe këndoi në shqip. Ai nuk e mësoi që përtej Atlantikut, vëllai i tij Petro – strukur në një cep të shtëpisë që vëzhgohej vazhdimisht nga Sigurimi i Shetit – arriti që të kapte valët e radios dhe të dëgjonte mes lotësh kumtimin e vëllait të tij artist18. Ky do të ishte “takimi” i fundit i vëllezërve në gjallje.
Tenori Llambi Turtulli vdiq në Kaliforni, më 10 qershor 1919.
1 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.
2 Letër nga Bukureshti e Akil Eftimit dërguar Perikë Turtullit në Korçë, më 2 janar 1928, faqe 1. Origjinal. Arkivi i autorit.
3 Gazeta “Bota”. Boston, Mass., 1 tetor 1937, faqe 1.
4 AQSH. F. 614, d. 12, fq. 66. Kartvizitë e Llambi Dh. Turtullit dërguar Petro Martinit në Tiranë.
5 Hamide Stringa “Ëndrra dhe realitete – Jorgjia Truja (Filçe)”. Tiranë 2006, faqe 50.
6 Të dhënat sipas programit të koncerit, faqe 2. Arkivi i autorit.
7 Të dhënat nxjerrë nga materiali promocional i shfaqjes. Arkivi i autorit.
8 Hamide Stringa, vep. e cituar, faqe 53.
9 Gazeta “Bota”, vep. e cituar.
10 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.
11 Po aty.
12 Po aty.
13 Po aty.
14 Gazeta “The echoes”. 18 qershor 1943, faqe 5.
15Gazeta “The Tampa Daily Times”, datë 9 tetor 1943, faqe 2; gazeta “Drew Field Echoes”, datë 4 nëntor 1943, faqe 2.
16 Gazeta “The echoes”, datë 9 korrik 1943, faqe 1.
17 Sipas të dhënave marrë nga e mbesa, znj. Krisanthi Petro Koçibelli (Turtulli). Korçë, janar 2019.
18 Kristaq Turtulli “Amaneti dhe udhëtimi nën qiellin e kaltër të Kalifornisë”, në gazeta “Rrënjët”, viti 15, nr.4, tetor 2017, faqe 20.
19 Nga biseda me mbesën e tij, znj. Krisanthi Petro Koçibelli (Turtulli). Korçë, janar 2019
KRISTAQ TURTULLI
Toronto , Kanada.

Send this to a friend