“Besim dhe vetëm besim”. Kjo është motoja e kuqezinjve në përballjen decizive që do të zhvillohet nesër në Izrael. Panuçi ka në dispozicion dhe në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike të gjithë grupin. Ai e di fort mirë se çfarë do të thotë kjo përballje, ndaj dhe ka marrë të gjitha masat për të mos u zënë në befasi nga vendësit. Italiani ka kërkuar vëmendje maksimale, qetësi, vendosmëri, dinakëri dhe kujdes nga të tijtë.
“E dimë të gjithë sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por tri pikë nuk është mision i pamundur. Nëse bëjmë atë që kemi bërë në stërvitje dhe kemi diskutuar, gjithçka do të bëhet më e lehtë për të arritur këtë objektiv. Izraeli ka lojtarë dinakë që mund të provokojnë, kërkojnë goditje dënimi apo penallti, ndaj duhet të jemi 100 për qind të koncentruar dhe vigjilent me qëllim mos të biem pre e tyre.
Futemi në fushë dhe japim më të mirën. Kam besim te gjithsecili prej jush”, mësohet t’u ketë thënë Panuçi lojtarëve në seancën e djeshme. Shqipëria do të zbresë në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm, duke iu rikthyer skemës klasike 4-5-1, me një mesfushë të ngjeshur.
Nga Durrësi, LEONIDHA MUSAJ
Komentet