1. Ish-oficeri i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani artikuloi akuza të ashpra në drejtim të kupolës së Policisë së Shtetit e madje edhe ndaj vetë ministrit Tahiri, se kanë favorizuar trafikun e drogës brenda dhe jashtë kufijve. Qeveria u angazhua vetëm në një drejtim, anatemimin e figurës së ish-oficerit Zagani e ndërsa opinioni publik priste shumë më shumë se kaq. Priste shumë më shumë se një status të lodhshëm (siç vetë Tahiri e pranonte) që u postua në “Facebook”, përballë një interviste më shumë se 60-minutëshe të Zaganit që u transmetua nga PD-ja. Priste shumë më shumë nga Rama sesa një postim në “Twitter”, për akuzat publike sa i përket arrogancës së ministrit në ushtrimin e detyrës. Fundja, a nuk ishte ARROGANCA, kryefjala e kritikës së Ramës në e-mailin që ka mbërritur edhe në postën e ministrit Tahiri, dhe aspak për çudi të këtij të fundit!…
2. Në 26 gusht, një avion me drogë e llojit hashash, fluturoi nga Shqipëria drejt Italisë dhe, në këtë rast, Rama e kishte të pamundur të bënte humorin morboz të radhës se këta avionë po “dezinsektonin” zonat turistike. Arroganca, dhe jo përulësia përballë një situate anakronike në ruajtjen e rendit, shoqëroi edhe kësaj here reagimin e qeverisë. Justifikimi ishte se, ndryshe nga qeveria e mëparshme, qeveria-anije e ditëve të sotme i arreston trafikantët dhe se operacioni qe monitoruar prej kohësh nga dy policitë përkatëse. Ndërkohë, një tjetër avion me drogë nga Shqipëria u kap në Piemonte dhe Rama me arrogancë deklaroi se bëhej fjalë për një fluturim kombëtar Torino-Leçe. Të vërtetën e gjejmë këtu: (www.poliziadistato.it/articolo/view/39784/).
3. Armando Prenga është ndoshta një nga goditjet më të forta që Edi Rama ka pësuar në investimet e tij në politikë “të të fortëve” dhe mbrojtja e tyre deri në ARROGANCË edhe përballë presionit të ndërkombëtarëve për të larguar personat me precedentë penalë nga radhët e grupit socialist. Prenga është sot një ish-deputet i grupit socialist në arrest me burg për plagosjen e të paktën 2 qytetarëve me pistoletë. Akoma pa u tharë boja në relacionin e prokurorisë për incidentin e Laçit, kryeministri Rama nxori deputeten Olta Xhaçka për ta bërë “lanet” Prengën nga grupi i PS-së, pa marrë përgjegjësi për kandidimin e tij dhe me të njëjtën “arrogancë” me të cilën muaj më parë e mbronte studiove televizive e në takimet me ambasadorët!…
4. “Kurbani” i Ramës, ndoshta për të hequr sadopak ujë nga qeveria-anije e tij në këto skandale të njëpasnjëshme, ishte Arben Ndoka. Me një hartim të klasës së 4-rt, ish-deputeti Arben Ndoka dha dorëheqjen si rrufe në qiell të hapur. Por që më shumë se dorëheqje, ky duket qartazi që është “nderi” i fundit i Ndokës për shefin e tij politik, i cili e mbrojti me mish e me shpirt, si kur mori me shpulla në mes të Kuvendit Gent Strazimirin, si kur dosjet për inkriminimin dhe dënimin e tij për trafik prostitucioni bënin xhiron në itinerarin Itali-Tiranë-SHQUP-Rruga e Elbasanit-Prokurori! Qershia mbi tortë: Rama deklaroi mbrëmë në një intervistë televizive, se “parlamentet janë shprehje të zonave, traditave dhe njerëzve”. Pra, me arrogancë na tha se Veriu nuk e kalon dot nivelin Prenga-Ndoka.
5. Në gjithë këtë tollovi ngjarjesh, ku fjala “hashash” është e ndaluar të përmendet qoftë edhe për shaka në oborret e mazhorancës, ka një individ që përbën një bezdisje të madhe për vetë Edi Ramën. Dhe ky është vizioni i Koço Kokëdhimës, që vazhdon t’i mëshojë idesë së kultivimit të kontrolluar nga shteti të hashashit për qëllime mjekësore. Artikulimi në përsëritje i një opsioni të tillë për një vend që është vetëm një hap larg identifikimit si “Kolumbia e Europës”, është tejkalim pritshmërish nga deliri edhe për vetë “Kapitenin”.
6. Në gjirin e mazhorancës po konsumohej një tjetër situatë tensioni, kësaj here në oborrin e aleatëve të LSI-së. Në një artikull të agjencisë mediatike investigative BIRN, u hodhën dyshime për afera korruptive në marrëdhëniet e Qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ. Në këtë shkrim (pjesa e dytë e të cilit u botua dje) hidhen dyshime se ish-kryeministri ka kryer favorizime klienteliste ndaj një kompanie, e cila sipas shkrimeve të BIRN, ka marrë tenderin për vjeljen e borxheve për llogari të CEZ-it. Përtej përçartjeve PS-LSI në marrëdhëniet e tyre dhe cic-micet politike për ta lënë “fëmijën pa baba” në derën e njëri-tjetrit, qeveria dhe kryeministri që shikon si problem të funksionimit të saj “arrogancën”, dështoi me vetëdije të angazhohet deri në fund për të zbardhur të vërtetën. Në dosje thuhet “ish-kryeministri” dhe, cilido qoftë ai, shqiptarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe jo të marrin si përgjigje nga qeveria, batuta dhe lojëra fjalësh.
7. Por skandali më i madh në analizën të vogël të të gjithë kësaj situate, mbetet vetë e-maili i dërguar nga kryeministri Edi Rama për ministrat e tij. Edi Rama e ka kuptuar që në muajin mars se qeveria-anije e tij po fut ujë, se marinarët e tij janë arrogantë. Por që nga muaji mars e këtej ai s’ka bërë asgjë për të marrë masat si “kapiten” që anija të mos fundoset. Ai ka vazhduar ta udhëheqë qeverinë-anije të tij në “Drejtimin e Duhur”, por skandalet e mësipërme tregojnë se busulla e Ramës, në mos është humbur krejt, po e drejton vendin në “Drejtimin e Gabuar”. Qeveria-anije, nuk është jaht personal i Edi Ramës e as i marinarëve të tij, prandaj, nëse Rama ka ndërmend të lundrojë edhe për ca kohë, është mirë që, ose të ndërrojë marinarët-arrogantë, ose të heqë dorë si “kapiten”. Në të kundërt, ai vetë, bashkë me marinarët e tij rrezikon të mbytet mu aty në detin e ARROGANCËS, veçse në këtë rast, pasojat nuk do të rëndojnë vetëm mbi Ramën e të tijtë, por edhe mbi Shqipërinë e të sajtë!…
Komentet