- Si u shmang avioni nga aeroporti i Rinasit
- Policia dhe prokuroria ngrenë dyshime për përfshirjen e të tjerë efektivëve të policisë
- Priten arrestime
Avioni i pilotuar nga djali me origjinë nga Sevasteri i Vlorës, me të cilin kishte vendosur të kryente disa rrugë të trafikut të drogës, ka hyrë në vendin tonë dhe ka dalë prej tij pa u vënë re nga radarët. Edhe pse, policia dhe prokuroria bëjnë me dije se lëvizja e mjetit fluturues ka qenë nën vëzhgimin e dy njësive hetimore; atë italiane dhe shqiptare, ditën e djeshme është bërë me dije se ky avion mund të ketë hyrë edhe herë të tjera në vendin tonë. U bë me dije se, në fakt, avioni i pilotuar nga Vilson Lamaj, ka hyrë dhe ka dalë nga territori jonë i papikasur nga asnjë autoritet përgjegjës, ndërsa këta të fundit kanë saktësuar se për një avion të tillë sportiv, as radarët nuk funksionojnë, pasi ata nuk kapen.
Ndonëse mekanizmi i hyrje-daljes së avionit të drogës, i paregjistruar në asnjë protokoll të “Albkontrollit”, ende nuk është kthyer në një shqetësim për hetimin e vendit tonë, janë të dhëna të reja që dalin për funksionimin e organizatës fisnore të trafikut të drogës. Edhe pse krerët shqiptar të hetimit të këtij rasti kanë vendosur të kyçin informacionet në lidhje me ekzistencën e këtij grupi kriminal, janë burime konfidenciale që vijnë nga Vlora, të cilat saktësojnë se Vladimir Zanaj, zyrtari i policisë, nuk është i vetmi funksionar i përfshirë në rrjetin e djemve të dy fiseve që kishin marrë përsipër të furnizonin gjysmën e Italisë më lëndë narkotike të dalë nga Shqipëria.
Dyshimet
Nga burime të besueshme të gazetës, bëhet e ditur se Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me homologët italianë kanë në duar një sërë të dhënash për përfshirjen e personave të tjerë në këtë organizatë. Hetimet mbi këto fakte, kanë implikuar edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në grupin që drejtohej nga djemtë e familjes Lamaj, nga Sevasteri i Vlorës. Sipas burimeve, ka dyshime që janë të përfshirë edhe dy punonjës policie, të cilët sipas të dhënave janë në funksione të ndryshme në Policinë e Vlorës.
Megjithatë policia dhe prokuroria kanë qenë tejet të rezervuara në nxjerrjen e informacionit, kjo për shkak se të dyshuarit edhe mund të largohen nga Shqipëria. Gjithashtu, burimet tregojnë se, në bazë të hetimeve të deri tanishme, priten të tjerë urdhër-arreste për trafikun e drogës, ndërsa nuk bëhet ende me dije se djali 26-vjeçar ta kishte rrugën e parë të trafikut të drogës me avion, apo e ka bërë edhe herë të tjera. Prokuroria ka grumbulluar të dhënat që kanë të bëjnë me hyrje-daljet e të riut në vendin tonë, por pa saktësuar për asnjë moment se prej sa kohësh Lamajt, ishin bërë zot të bimës narkotike në zonën e Sevasterit.
Mediat italiane ditën e djeshme kanë vijuar të flasin për superoperacionin e autoriteteve të tyre, ndërkohë që mësohet se piloti shqiptar nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim që ndihmon hetimin, edhe pse prej më shumë se 8 muajsh është në përgjim, në çfarë do lloj sipërmarrjeje të tij individuale. Mirëpo, Vilson Lamaj, ka pasur të ndryshuar emrin me të cilin thirrej dhe policia italiane shumë vonë ka mundur të bëjë lidhjen mes tij dhe grupit të cilin kishte vendosur të drejtonte, edhe pse direktivat i merrte nga vëllai i tij, Sokol Lamaj.
Avioni i drogës nuk u kap nga radarët
Avioni “Aeroprakt A22”, që u kap në Itali me 128 kg marijuanë brenda sapo zbriti në një ish-pistë, ka hyrë në vendin tona pa kaluar, në asnjërën rrugë nga Aeroporti i Rinasit. Piloti, i cili mësohet se ka dalë vetëm pak ditë më parë nga Shqipëria, e ka bërë rrugën fiks në kohën e përcaktuar prej 10 minutash. Një eksperti i Aviacionit, shpjegon për gazetën se asnjë lloj fluturimi, që niset nga një vend në drejtim të vendit tonë, nuk mund të ndodh pa lejen e autoriteteve të vendit ku niset dhe pa konfirmuar lejen e pritjes nga vendi pritës, në rastin konkret, Shqipëria.
Nuk dihet se çfarë praktike është ndjekur nga autoritetet italiane në lidhje me fluturimin e Vilson Lamajt në drejtim të vendit tonë, por sipas ekspertit, i cili vendos të mbetet anonim, në vendin tonë janë dy lloje radarësh, që funksionojnë për të gjitha fluturimet. Avioni ka hyrë dhe ka dalë direkt nga Vlora, ndërsa mësohet se vetëm sistemi ndërkombëtar i fluturimeve, njeh vetëm Rinasin si aeroportin e vetëm, ç’ka do të thotë që uljen e parë avioni duhej ta bënte pikërisht në Rinas.
Komentet