VOAL

VOAL

Vrasja e gazetares malteze: Dëshmitarja “në rrezik për jetën”

March 21, 2018

Komentet

Kryeministri Kurti u mirëprit në Ankara nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan

Ankara, 31 maj 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit sot në Ankara, në Kompleksin Presidencial, nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për një takim bilateral dhe drekë punë.

Diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes.

Të hënën do të zhvillohet forumi i parë ekonomik i bizneseve të Kosovës dhe Turqisë, që paraqet një mundësi për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe zhvillimit të tij, sikurse shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate.

Ky ishte takimi i dytë dypalësh ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Erdogan. Takimi i parë i këtij lloji u zhvillua në Stamboll në shkurt të vitit 2023.- Zyra e Kryeministrit

Kurti vizitë në Stamboll, do të takohet me Erdogan, çfarë pritet?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë së shpejti një vizitë në Turqi, ku do të takohet dhe me presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Lajmi u konfirmua nga zyra e Kurtit, pas takimit me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, e cila shton se kryeministri do të ketë zhvillojë bisedime dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Temë kryesore e takimeve në Stamboll pritet të jenë situata e sigurisë në veri të Kosovës, por edhe në rajon.

Trupat e NATO- së në Kosovë qe nga fillimi i këtij viti, drejtohen nga Turqia, gjithashtu ky shtet ka rritur prezencën ushtarake në Kosovë me afro 200 ushtarë.bw

Biden do ta vizitojë Francën javën e ardhshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do t’i vizitojë Normandinë dhe Parisin nga 5 deri më 9 qershor, për të marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.

Biden do të mbajë fjalim përkujtimor më 6 qershor, dhe pastaj do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris më 8 qershor, si pjesë e një vizite shtetërore, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.

Zyra e Macronit, ndërkohë, tha se dy presidentët do të bisedojnë “për nevojën për mbështetje të palëkundur dhe afatgjate për Ukrainën”, në një kohë kur lufta është rikthyer në Evropë, 80 vjet pasi zbarkimet e trupave çuan në çlirimin e Francës dhe kontinentit prej pushtimit nga Gjermania naziste.

Javën e ardhshme në Normandi do të mblidhen liderët e 25 shteteve dhe qeverive, së bashku me dhjetëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore, për t’i nderuar gati 160.000 trupa nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera, të cilët zbarkuan më 6 qershor 1944.

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë.

Vizita shtetërore e Bidenit do të mundësojë “bashkëpunim të ngushtë” mes Francës dhe SHBA-së për krizat botërore, në prag të ngjarjeve ndërkombëtare, përfshirë të samitit të Grupit të Shtatë ekonomive të mëdha muajin e ardhshëm në Itali, si dhe të samitit të NATO-s në Uashington në korrik.

Ata do të bisedojnë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me klimën, dhe do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht në fushat si, ekonomi, hapësirë dhe atë nukleare, thuhet në njoftim.rel

Çështja e njohjes së Kosovës ‘përplas’ Gjermaninë me Spanjën

Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja është diskutuar në takimin e ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian më 27 maj, në kohën kur Spanja njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Sipas burimeve të “Radios Evropa e Lirë” për këtë ka pasur grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.

Derisa Gjermania ishte “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”, ka raportuar ky medium.

Spanja vazhdon të mos e njohë Kosovën. Ky shtet tashmë e njeh Palestinën, për të cilën njohje ka thënë se situata e Palestinës ndryshon prej asaj të Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës kanë thënë për REL-in se pozicioni i këtij shteti karshi Kosovës mbetet i pandryshuar.

“Situata e Palestinës është shumë ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk cenon integritetin territorial të Izraelit, pasi ky territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit. Vendimi i Spanjës për ta njohur shtetin e Palestinës synon të mbështesë të drejtën ndërkombëtare, parimet e Kartës së OKB-së dhe Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës.

Spanja, Norvegjia e Irlanda iu bashkuan së fundmi më shumë se 140 shteteve prej 193 vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që e njohin Palestinën. Në anën tjetër, Kosova njihet prej më shumë se 110 shteteve.

Suedia i jep ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit me kryeministrin suedez, Ulf Kristersson në Suedi në gusht të vitit 2023.

 

Qeveria e Suedisë njoftoi më 29 maj për paketën më të madhe të saj të ndihmës ushtarake që i ka ofruar Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj.

Paketa, e 16-ta që nga nisja e luftës, është në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh.

Ndihma suedeze përfshin avionë vëzhgues dhe të kontrollit, me qëllim që të forcohen aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, tha Qeveria suedeze përmes një njoftimi më 29 maj.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Suedia i ka ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej 4.1 miliardë dollarësh.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, Suedia si dhe Norvegjia, braktisën politikën e tyre të mosangazhimit ushtarak duke u anëtarësuar në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s. rel

Franca dhe Gjermania: Ukraina duhet të lejohet t’i godasë caqet brenda Rusisë

Liderët e Francës dhe të Gjermanisë kanë thënë të martën se Ukraina duhet të lejohet t’i godasë caqet ushtarake brenda Rusisë, prej të cilave forcat ruse po shkrepin raketa drejt tokës ukrainase.

Megjithatë, presidenti i Francës Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, thanë se caqet e tjera brenda Rusisë nuk duhet të goditen nga Ukraina.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e paralajmëroi Perëndimin më herët të martën se anëtarët e NATO-s në Evropë po luajnë me zjarrin duke kërkuar që Ukraina të lejohet t’i përdorë armët e Perëndimit për ta sulmuar territorin rus.

Kjo, sipas Putinit, do të nxiste konflikt global.

“Ne e mbështesim Ukrainën dhe nuk duam përshkallëzim. Kjo nuk ka ndryshuar”, tha Macron gjatë një konference të përbashkët me Scholzin në Meseberg, Gjermani.

“Ne mendojmë se duhet t’i lejojmë ata që t’i neutralizojnë zonat ushtarake nga të cilat po shkrepën raketat; zonat ushtarake prej të cilave po sulmet Ukraina. Por ne nuk duhet t’i lejojmë ata t’i godasin caqet e tjera në Rusi, as zonat e tjera ushtarake e civile në Rusi”, shtoi ai.

Scholz tha se pajtohet me Macronin dhe se Ukrainës i lejohet ta mbrojë veten përderisa i respekton kushtet e vendeve nga të cilat furnizohet me armë, si dhe derisa e respekton ligjin ndërkombëtar.

“Ukraina e ka çdo mundësi me ligj ndërkombëtar për atë që po e bën. Kjo duhet të theksohet. M’u duket e çuditshme kur disa njerëz argumentojnë se ajo nuk duhet të lejohet ta mbrojë veten dhe të ndërmarrë veprime të përshtatshme për këtë”, tha Scholz.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha për Economist se vendet anëtare të aleancës duhet ta lejojnë Ukrainën të sulmojë thellë brenda Rusisë me armë perëndimore.

Ky qëndrim është mbështetur nga disa vende anëtare nga Evropa, por jo edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Edhe në Gjermani ka ngurrim për këtë, për shkak të druajtjeve se kjo luftë mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë.

Scholz nuk ka pranuar t’i dërgojë Kievit raketa me rreze të gjata veprimi, Taurus, të cilat kanë mundësi të arrijë deri në Moskë. REL

Lideri çek përkrah të drejtën e Ukrainës për të goditur shënjestrat brenda Rusisë

Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.

 

Qeveria e Çekisë ka reaguar në linjë me thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që Ukraina të lejohet të përdorë armët e Perëndimit për të kryer sulme brenda territorit rus.

“Si një shtet nën sulm, Ukraina e ka çdo të drejtë t’i përdorë të gjitha mjetet e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri Petr Fiala të martën në Pragë, duke e përshkruar këtë qëndrim si “thjesht logjik”.

Sulmet ndaj shënjestrave ushtarake në Rusi, nga ana e Ukrainës, parashihen edhe prej ligjit ndërkombëtar, në kuadër të mbrojtjes, vlerësojnë ekspertë të ligjeve të luftës.

Mirëpo disa shtete të Perëndimit që mbështesin Ukrainën, sikurse Gjermania, kanë doza hezitimi.

Këto kryeqytete shqetësohen që nëse Kievi përdor armët e avancuara të Perëndimit për të sulmuar territorin rus, diçka e tillë do të interpretohet prej Moskës si përfshirë direkte e këtyre shteteve në luftë.

Fiala ka thënë se Ukraina po përballet me moment kyç aktualisht, pasi strategjia e forcave ruse për të kryer sulme përgjatë vijës kufitare në veri, në pjesën e Harkivit, mëton të hapë front të ri të luftës.

Aktualisht, Republika Çeke është në krye të iniciativës për të blerë 800.000 predha artilerie për Ukrainën, prej shteteve jashtë Bashkimit Evropian.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Radoslaw Sikorski: Polonia “nuk duhet të përjashtojë” mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë

Polonia nuk duhet të përjashtojë mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, ka thënë ministri i jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, në disa komente të publikuara të martën, teksa Rusia vazhdon të avancojë në fushëbetejë.

Megjithatë, Sikorski nuk e ka specifikuar se çfarë roli do të mund të luanin trupat polake.

Ndonëse aleatët e NATO-s, të cilët mbështesin Ukrainën, janë zotuar për të furnizuar shtetin e shkatërruar nga lufta me para dhe armë për aq sa të duhet – për të luftuar pushtimin rus – ato e kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të ushtarëve në këtë shtet.

I pyetur përgjatë një interviste nëse Polonia është e gatshme të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë, Sikorski ka thënë se “nuk duhet përjashtuar si mundësi. [Presidenti rus, Vladimir] Putini duhet të hamendësojë për qëllimet tona”.

Intervista është publikuar në tri gazeta, në Poloni në Wyborcza, në La Repubblica të Italisë dhe El Pais të Spanjës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka lënë të hapur mundësinë për të dërguar trupa ushtarake në Ukrainë, përgjatë një konference në Paris më 26 shkurt, duke sugjeruar që trupat perëndimore do të mund t’iu ndihmonin ukrainasve me stërvitje.

Vetë Sikorski ka thënë në të kaluarën që prezenca e trupave të NATO-s në Ukrainë “është e paimagjinueshme”.

Të hënën, një komandant i lartë i Ukrainës ka thënë se e ka nënshkruar një dokument që ua mundëson instruktorëve ushtarakë francezë vizitën në qendrat ukrainase të trajnimit.

Rusia është duke avancuar në fushëbetejë prej kur Kievi nuk ka arritur të shënojë përparim të madh në kundërofensivën e vitit 2023.

Ushtria ukrainase, po ashtu, e ka vuajtur mungesën e armëve dhe municionit në muajt e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar ndihmën ushtarake në vlerë të 61 miliardë dollarëve për këtë vend.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.REL

Presidenti Macron vizitë treditore në Gjermani

VOA/Marrë nga Reuters

Presidenti i Francës, Emanuel Macron ndodhet në Gjermani në një vizitë zyrtare treditore ndërsa dy fuqitë më të mëdha të Bashkimit Europian përpiqen të tregojnë unitet përpara zgjedhjeve parlamentare europiane të muajit të ardhshëm.

Udhëtimi i zotit Macron në kryeqytetin Berlin dhe më qytetet Dresden dhe Muenster shënon vizitën e parë zyrtare të një presidenti francez në Gjermani pas 24 vjetësh.

Vizita cilësohet si një provë për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës, që udhëheqin politikat e BE-së, në një periudhë sfidash të mëdha për Evropën, nga Ukraina deri të zgjedhja e mundshme e Donald Trumpit si President i Shteteve të Bashkuara në nëntor.

Presidenti Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë politika të ndryshme udheheqjeje dhe janë përplasur publikisht mbi një sërë çështjes nga mbrojtja tek energjia bërthamore, që kur erdhën në pushtet në 2021.

Megjithatë, ata kanë arritur së fundmi kompromis për një sërë temash, nga reforma fiskale tek ndryshimet mbi politikat e subvencionimeve, duke bërë të mundur arritjen e marrëveshjeve dhe një qasje më të njëzëshme të Bashkimit Europian.

Një çështje për të cilën ka shqetësim në Evropë është mbrojtja, veçanërisht nëse zgjedhjet amerikane i fiton republikani Donald Trump. Ekspertët e mbrotjes e cilësojnë atë si një aleat më pak të qëndrueshëm për Europën, se sa kundërshtari i tij Joe Biden. Në fillim të këtij viti, ish-Presidenti tha se nuk do të mbronte vendet e NATO-s nga sulme të mundshme ruse nëse ato nuk plotësonin detyrimet për mbrojtjen e Aleancës, dhe se do të nxiste Rusinë “të vepronte si të donte”.

Vritet burri i eurodeputetes italiane, gjendet i pajetë në makinën e tij në Palermo

Arkitekti Angelo Onorato, pronar i një dyqani mobiliesh, bashkëshorti i eurodeputetes kristiandemokrate Francesca Donato, u vra në Palermo nga të shtënat me armë.

Viktima u gjet i vdekur në makinën e tij në zonën e Via Ugo La Malfa, bëjnë me dije mediat italiane.

‘Ata vranë burrin tim, Angelon’.

Kështu është shprehur eurodeputetja Francesca Donato, duke folur me disa miq të cilët e telefonuan për të kuptuar nëse viktima ishte vërtet burri i saj, Angelo Onorato.

Ndërkohë policia dhe hetuesit ndodhen në vendngjarje dhe ka nisur puna për zbardhjen e rastit. sn

Ukraina hakmerret rëndë ndaj Rusisë, i shkatërron sistemin raketor që vlen 800 milionë dollarë

Ukraina ka sulmuar me raketa amerikane një sistem rus të mbrojtjes ajrore, që kushton të paktën 800 milionë dollarë. Sulmi ka ndodhur pranë vijës së frontit në lindje të Ukrainës. Kanalet ruse në Telegram shpërndau video të ndryshme që supozohet se tregojnë një shpërthim dhe mbetjet e djegura të një sistemi raketor rus S-400 tokë-ajër në një fushë ajrore në Mospyne, në rajonin e pushtuar të Donetskut.

Një video e shkatërrimit u publikua nga llogaria “Jay in Kyiv” në platformën X, e lidhur me Fondacionin Bamirës “Serhiy Prytula”, i cili është i specializuar në ndihmën e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës dhe civilëve të prekur nga lufta ruso-ukrainase.

“Goditja me raketa ATACMS në Donetsk, që është nën pushtimin rus, ka bërë që rusët të ankohen se sistemi i tyre i raketave S400 me vlerë 800 milionë dollarë u shkatërrua së bashku me një sërë sistemesh të mira të radarëve”, shkruan fondacioni. Sulmi vjen në mes të një shtytjeje ruse për të bërë përfitime të rëndësishme në Ukrainën lindore.

Presidenti rus, Vladimir Putin po kërkon të pushtojë më shumë territor ukrainas përpara se Kievi të merr më shumë ndihma ushtarake nga aleatët. SHBA-ja ka furnizuar ukrainasit me Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë (ATACMS) të afta për të goditur objektivat në largësi prej 350 kilometrave.

That ATACMS strike on Russian occupied Donetsk yesterday has Russians whining that their $800,000,000 S400 missile system was destroyed along with a bunch of nice radar systems.
pic.twitter.com/K70KlodmzG

— Jay in Kyiv (@JayinKyiv) May 23, 2024

(BalkanWeb)

Stano: BE-ja nuk toleron sjellje që rrezikojnë sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës

Bashkimi Evropian (BE) nuk toleron sjellje që e rrezikojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), pas propozimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’u ndarë nga BeH, tha të premten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Të enjten, Qeveria e RS-së tha se në 30 ditët e ardhshme ajo do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”.

“Për fat të keq, nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tilla. BE-ja është e qartë dhe kjo është përsëritur disa herë. BE-ja dhe të gjitha vendet anëtare e mbështesin sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë e Hercegovinës“, tha Stano.

Ai e përsëriti se sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Bosnje e Hercegovinës duhet të ruhet, duke paralajmëruar “pasoja serioze“ për shkelësit e saj.

Liderët e BE-së vendosën në mars për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Ajo e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

Më herët të premten, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se propozimi i Qeverisë së RS-së për t’u ndarë nga Bosnja e Hercegovina, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe se një gjë e tillë “nuk do të nënkuptonte pavarësi, por fund për Republikën Sërpska”.

Qeveria e RS-së e bëri propozimin për “ndarje” gjatë një mbledhjeje të mbajtur në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) të enjten, ku u miratua rezoluta që e shpall 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Disa vende anëtare të BE-së nuk votuan për miratimin e rezolutës. Hungaria votoi kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.

Stano tha se votimi në OKB është çështje individuale e secilit vend anëtar, por shtoi se BE-ja si bllok është e qartë se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet.

“Ne, si BE, nuk jemi si anëtar i OKB-së. Sa i përket BE-së, ne kemi qëndrimin e qartë dhe e kemi përsëritur rregullisht çdo përvjetor. Gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të mohohet, e as të relativizohet“, shtoi ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. REL


Send this to a friend