VOAL

VOAL

Badivuku, paratë e ryshfetit në frigorifer

August 25, 2015

Komentet

Nënkoloneli gjerman: Në Kosovë dokumentuam varreza masive, informacionet mund të përdoren në gjykatë

Marco Langhorst, i cili shërben si zëvendëskomandanti i Regjimentit të tretë të Policisë Ushtarake gjermane, ka folur rreth përgatitjeve të fundit të zhvilluara nga ky njësit.

Langhorst i cili është pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 1998-të, në intervistën e publikuar nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, është pyetur rreth dokumentimit të krimeve të luftës në përgjithësi, transmeton Klankosova.tv.

Nënkoloneli përmendi edhe Kosovën, ku tha se së fundmi kanë dokumentuar varreza masive.

Sipas tij këto informacione që kanë mund të përdoren në gjykatë.

“Dokumentimi i krimeve të luftës kishte rënë në plan të dytë për shkak të situatës aktuale të rendit. Së fundmi, gjatë misionit tonë në Kosovë, na është dashur t’i dokumentojmë varrezat masive dhe të regjistrojmë informacione që mund të përdoren në gjykatë. Që atëherë, hapësira e informacionit është bërë dukshëm më e vështirë dhe më e shpejtë. Dezinformimi dhe propaganda janë të zakonshme. Ne duhet të përshtatemi me këtë. Gjatë trajnimit tonë, ne punojmë shumë intensivisht me Zyrën Federale të Policisë Kriminale, ndër të tjera. Përfaqësues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ishin gjithashtu me ne për t’u përgatitur për skenarë të mundshëm. Lufta në Ukrainë tregon shumë qartë se sa e rëndësishme është të dokumentohen krimet e luftës dhe ta dominosh hapësirën e informacionit”, tha ai.

Sipas kolonelit gjerman, regjimenti i tretë i Policisë Ushtarake në Munchen, është “pika e parë e kontaktit për të gjitha pyetjet e policisë ushtarake nga ushtarët në Gjermani”.

Gërvalla: Një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka theksuar se Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkan dhe të krijojë një luftë të re që Perëndimi të shpërndahet nëse mbizotëron në luftën e saj me Ukrainën.

Kryediplomatja e Kosovës për “NatSec Daily” ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të presidentit rus Vladimir Putin nuk ndalen në kufirin ukrainas – dhe se fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet në Ballkanin e trazuar prej vitesh, shkruan RTK.

“Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka theksuar ajo, duke shtuar se Kosova në veçanti është një objektiv joshës për Putinin, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.

“Putini flet çdo javë për Kosovën…Nuk ka të bëjë me rëndësinë gjeopolitike të Kosovës, por ka të bëjë me faktin se Kosova është një histori suksesi e Perëndimit, një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një histori suksesi e NATO-s, një histori suksesi e vendeve perëndimore evropiane”, ka theksuar Gërvalla-Schwarz, për “NatSec Daily”.

Paralajmërimi i Gërvalla-Schwarz vjen pasi kombet e tjera evropiane në afërsi të Rusisë kanë shprehur publikisht shqetësimet e tyre për agresionin në rritje të Putinit ndaj fqinjëve të saj. Javën e kaluar, Suedia tha se Putini po shikonte ishullin e rëndësishëm strategjik baltik të Gotlandit.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo paralajmëroi se Rusia tashmë po sulmon fqinjët e saj duke përdorur taktika hibride. Dhe Bashkimi Evropian dënoi gjithashtu Rusinë për heqjen e bovave që përcaktojnë kufirin e saj lumor me Estoninë.

Krasniqi thotë se nuk do të ketë shpërndarje të Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë të mërkurën se Kuvendi i Kosovës nuk do të shpërndahet, për shkak të mungesës së mbështetjes nga dy partitë e tjera opozitare për këtë.

Partitë opozitare, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kohë që kërkonin që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, por nuk arritën pajtueshmëri për mënyrën se si të bëhej kjo.

“Ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar [shteruar]. Thirrja e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka gjetur mbështetje. Jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mosshkuarja në zgjedhje po ia zgjat mandatin pushtetit aktual”, tha Krasniqi të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë.

Mandati i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, përfundon në fillim të vitit 2025.

Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit, duke thënë se do të ishte mirë që zgjedhjet e reja të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Derisa PDK-ja mbështeti mundësinë e zgjedhjeve të reja përmes shpërndarjes së Kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtuan dhe kërkuan që Qeveria e Kurtit të japë dorëheqje, apo të shkarkohet.

“Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj qeverie. Edhe për ne, dorëheqja ka qenë mënyra e preferueshme e shkuarjes në zgjedhje, por të gjithë e dimë se si mundësi e vetme reale në tavolinë, ishte përmes shpërndarjes së Kuvendit”, tha Krasniqi.

Më herët të mërkurën, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ditëve të fundit janë “zvogëluar shanset” për shpërndarjen e Kuvendit.

Krasniqi e kishte takuar Kurtin në fillim të majit për të biseduar për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, refuzuan.

Abdixhiku dhe Haradinaj kanë argumentuar se Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje për të marrë “përgjegjësi për dështimet e saj”.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.

Qeveria e tanishme e Kurtit mund të bëhet e para që e përfundon mandatin e plotë katërvjeçar, pas mungesës së pajtueshmërisë për zgjedhje të parakohshme.REL

Grupi i Krizave ndryshon raportin, pranon se gaboi në raportimin për Banjskën

Organizata joqeveritare “International Crisis Group”, e cila ka mision parandalimin e konflikteve në botë, e ka përditësuar raportin më të ri kushtuar Kosovës. Në raport kishte trajtuar situatën në veri të Kosovës.

Raporti është përditësuar në pjesën ku kjo organizatë kishtë thënë se KFOR-i ka negociuar me grupin paraushtarak serb për t’u larguar nga Banjska gjatë sulmit të 24 shtatorit.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) e ka ndryshuar një pjesë të tekstit të martën dhe për këtë gjë ka dhënë një sqarim.

“Ky tekst u përditësua më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti gabimisht deklaroi se personeli i KFOR-it negocioi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga bllokimi në Banjskë”, theksohet në raportin e ICG-së.

Pjesë nga ky raport u përmendën edhe në një draftraport të prezantuar gjatë fundjavës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ndërkohë KFOR-i kishte mohuar këtë raportim.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet më tej në komunikatë.

‘3 brigada serbe shumë afër kufirit’- Ministri i Mbrojtjes i Kosovës jep alarmin për destabilitet

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci ka dhënë alarmin për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë në A2 CNN, Maqedonci tha se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik por edhe më gjerë. Sipas tij Serbia po rrit buxhetin për mbrojtjen dhe me armatime nga Rusia, Kina e Irani.

“Kryeministri Kurti e ka thënë shumë herë që militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë. Ky militarizim po bëhet në vazhdimësi. Kemi një rritje të buxhetit për mbrojtjen në Serbi. Një pajisje me sistem armatimi nga Rusia, Kina e Irani. Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë tre nga 4 brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto 3 brigada kanë tejzgjatje operacionale 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë që janë në distancë nga 300 metra deri 5 km larg kufirit të Kosovës. Duke i shtuar mbështetjes që i kanë dhënë grupit të Raidoçiç vitin e kaluar më 24 shtator në tentativën e tij, për të aneksuar pjesë nga territori ynë, ne vlerësojmë që Serbia vazhdon të jetë kërcënim për paqen dhe sigurinë, jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë”.

Raportimet në shtypin serb se Beogradi ka thirrur rezervistët për stërvitje masive në mënyrë që të jetë i përgatitur për emergjencë kombëtare, ai tha se kjo është pjesë e armatimit të Serbisë për t’i shfrytëzuar për destabilizim.

“Kjo është pjesë e armatimit të Serbisë. Serbia po tenton të rrisë edhe personelin ushtarak që ti përgatisë për ndonjë momentum të caktuar që t’i shfrytëzojë për çështje të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Serbia ka probleme me rekrutimin e personelit për forcat e saj të armatosura dhe po tenton që përmes presionit t’i detyrojë të paraqiten”.

Lidhur me avancimin e Kosovës si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Maqedonci theksoi se vendi i tij është i përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të aleancës.

“Kosova është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të NATO-s. Forcat tona janë duke u stërvitur. Vendi ynë ka treguar se ne e meritojmë të jemi drejt anëtarësimit. Kosova është e vendosur për të ecur drejt rrugëtimit në NATO e BE”.

ASK: Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë

Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen kah mesi i muajit korrik.

“Të dhënat publikohen në pjesën e parë të muajit korrik, por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritjet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë”, ka thënë ai të hënën.

Kastrati njoftoi se në tërë procesin e regjistrimit të popullsisë janë përfshirë rreth 5.100 persona.

ASK-ja u bëri të ditur se të gjitha të dhënat e tjera do të publikohen në korrik, derisa procesi u tha se ka shkuar kryesisht pa probleme.

Sulmi në Banjskë- KFOR-i e mohon, por kush negocioi për largimin e Raodiçiçit me terroristët e tjerë nga veriu i Kosovës

Më 24 shtator 2023, Banjska u bë qendra e një sulmi ndaj Policisë së Kosovës, që tronditi komunitetin lokal dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Në këtë ngjarje tragjike, e cila përfshiu përleshje të armatosura midis forcave të sigurisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur të paidentifikuar, humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe tre prej sulmuesve serb.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi të armatosur. Pasojat e këtij sulmi po vazhdojnë edhe sot, ndërsa autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po hetojnë shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë akt të rëndë. Së fundmi lidhur me këtë ngjarje International Crisis Group ka dalë me një draft-raport, ku theksohet se KFOR ka negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë nga Banjska.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport, i cili u citua në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s të mbajtur dy ditë më parë, raporton tg.

E ndaj të gjeturave të këtij raporti ka reaguar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. KFOR-i në një reagim publik thotë se ky raportim është i pasaktë. “Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, vijon komunikata. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i thotë se u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. “Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.

KFOR-i thotë se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Kujtojmë se organizata ndërkombëtare policore INTERPOL tashmë ka lëshuar një urdhër arresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë për sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë.

Kurti: Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, bazë për vendime më të mira

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do t’iu mundësojnë institucioneve që të krijojnë politika, strategji dhe të marrin vendime më të mira për zhvillim më të qëndrueshëm.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së mbajtur më 25 maj për shënimin e përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë”, tha Kurti.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill. Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Gjatë këtij procesi, edhe diaspora ka mundur të regjistrohet përmes një platforme online.

Agjencia e Statistikave të Kosovës e vlerësoi të suksesshëm procesin e regjistrimit.

“Regjistrimi i popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses. Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera [vendore e ndërkombëtare]”, u tha në njoftimin për media të ASK-së.

Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Krasniqi u kërkon liderëve partiakë të shpërndajnë Kuvendin

Memli Krasniqi, kryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes një letre dërguar krerëve partiakë në pushtet dhe opozitë, ka kërkuar që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen sa më shpejt.

Krasniqi tha se u ka dërguar letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianj, për të koordinuar hapat që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës në mënyrë vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka mbajtur takime me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të diskutuar për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Por, partitë ende nuk kanë gjetur pajtim për formën se si të shkohet në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Shtyhet debati në Kuvend për Qeverinë Kurti

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mungesë të deputetëve dhe dakordimit mes partive.

Seanca është shtyrë, por nuk është bërë e ditur data e re.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AA) Besnik Tahiri, ka thënë se seanca është kërkuar për të zhvilluar “një ballafaqim të vërtetë” mes opozitës dhe kryeministrit.

Vetë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë.

“Grupi parlamentar i AAK-së, tash e tre muaj e ka dërguar në kryesi një kërkesë për një debat për tre vjetët e Qeverisë. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve për një temë kaq të rëndësishme, një ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit nuk do të duhej të ndodhte pa një dakordim të plotë. Andaj po e shtyjmë këtë debat”, ka thënë ai.

Qeveria e Kurtit, e cila është betuar në mars të vitit 2021, ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Mandati i saj përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Thirrja e kësaj seance është bërë teksa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vetë Kurti ka thënë se është i interesuar për të diskutuar për datën e re të zgjedhjeve.

Megjithatë, krerët e partive opozitare kanë opsione të ndryshme për mënyrën se si duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të reja. REL

Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën – i jep në shfrytëzim 300 qeli burgu

VOA/Leonat Shehu

Me 86 vota për dhe shtatë kundër, parlamenti i Kosovës ratifikoi të enjten marrëveshjen me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të 300 qelive të burgut në qytetin e Gjilanit, për të ndihmuar vendin skandinav të përballet me sistemin e tij të mbipopulluar të burgjeve.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Danimarkën dhe përfitimet e vendit nga kjo marrëveshje.

“Sipas traktatit Kosova do të vendosë në dispozicion kapacitete të përshtatshme për 300 të burgosur të Mbretërisë së Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë eurosh dhe 6 milionë të tjera për energji të gjelbër të cilat i kemi shumë të nevojshme”, tha zonja Rizvanolli.

Ideja për marrëveshjen ishte paraqitur në fund të vitit 2021 me të cilën parashihej që shteti danez të marr në shfrytëzim për një periudhë 10 vjeçare qendrën e paraburgimit në Gjilan, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.

Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga Danimarka, e cila do të financojë sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe projekte të energjisë së ripërtërishme.

Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.

Kritikët e marrëveshjes në Kosovë tërheqin vërejtjen se vendi ka mungesë të mundësive dhe burimeve për një marrëveshje të tillë.

Marrëveshja që ishte kundërshtuar më herët nga opozita, tashmë është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, gjë që mundësoi ratifikimin e saj.

Mbështetja e Partisë Demokratike në opozitë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pas gati një vjet bojkotimi, pasoi një takim javën e kaluar ndërmjet kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për zgjedhjet e reja.

Partia Demokratike e Kosovës u kërkoi gjatë javës partive politike parlamentare mbështetje për një mocion për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Derisa partia në pushtet lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si rrugë për ta cuar vendin në zgjedhje të reja.

Mocioni për shpërndarjen e parlamentit mund të bëhet me nënshkrimet e 40 deputetëve, ndërsa për miratimin e tij duhen 80 vota në parlamentin 120 vendesh. Nëse deputetët merren vesh për shpërndarjen e parlamentit atëherë presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025. Përgjatë tij partitë opozitare kanë kritikuar qasjen e qeverisë kundruall aleatëve të saj perëndimor gjë që çoi edhe në dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

KFOR thotë se u njoftua për aksionin në veri, por s’mori pjesë në të

Një veturë e KFOR-it grek shihet pranë një veture të Policisë së Kosovës, gjatë aksionit policor në veri më 20 maj 2024.

 

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është njoftuar “pak kohë” para se autoritetet kosovare të sigurisë të nisnin operacionin në veri të Kosovës kundër institucioneve financiare serbe në Kosovë më 20 maj.

Gjatë operacionit policor, të kryer në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – autoritetet e Kosovës thanë se mbyllën gjashtë objekte Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Teksa po zhvillohej aksione, vetura të KFOR-it, por edhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), u panë në veri.

“Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në zbatimin e këtyre operacioneve”, u tha në njoftimin e KFOR-it të lëshuar më 21 maj.

Ky mision tha se pret “konsultime me kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës “që mund të ndikojë te siguria rajonale”.

Misioni i NATO-s në Kosovë përsëriti qëndrimin se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se ky aksion ishte veprim i pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se përshkallëzon tensionet.

Edhe BE-ja e quajti përshkallëzues dhe të njëanshëm aksionin policor në veri.

Policia e Kosovës tha se aksioni i 20 majit u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani. REL


Send this to a friend