Ish-diplomatja Blerina Zoto, Këshilltare për të Drejtat e Njeriut ka reaguar me nje leter të hapur pas padisë qe ka bere ndaj saj ish-ambasadorja (ende në detyrë) në OKB Gjenevë, Filloreta Kodra dhe Dorina Xhixho, per cenim te figures.
Zoto permes letres se hapur qe mund ta lexoni te plote me poshte, thekson se “Ironia eshte se dy vendime të gjykates jo vetem jane absurde, por dhe jane copy peste edhe pse trajtohen nga gjyqtare te ndryshem”.
“Prej qershorit 2016, publikisht, në Shtypin e shkruar / Media-t elektronike kam denoncuar mes shkrimesh aktet abuzime dhe korruptive, si dhe sjelljet aprofesionale të ish-ambasadores (ende në detyrë) në OKB Gjenevë, Filloreta Kodra. Shkrime për të cilat, deri më sot, nuk ka asnjë kundërshtim, përgënjeshtrim, mohim apo reagim publik a institucional nga ana e Filloreta Kodrës, si e akuzuara direkte. Indirekt dhe jo vetëm, mes heshtjes së saj, Kodra ka pranuar gjithçka shkruhet në artikujt e mi denoncues, për të”- shkruan ajo.
Sipas Zotos, “në shtator 2016 Filloreta Kodra vendosi të më intimidojë, frikësojë, stepë dhe zbrapsë, që unë të hiqja dorë nga bërja publike e akteve të saj abuzive, duke më hapur proçes gjyqësor dhe duke më kërkuar dëmshpërblim për dëm jopasuror, moral, shkaktuar asaj”.
LETËR E HAPUR
Drejtuar:
- Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Rrethi Gjyqësor Tiranë;
- Ministres së Drejtësisë;
Për dijeni:
- Komisionit për Reformën në Sistemin e Drejtësisë / Parlamenti Shqiptar;
- Ambasadorit Amerikan;
Të nderuar zonja/zotërinj,
Prej marsit 2016 po përballem me “pushtetin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë” të abuzimit, korrupsionit, dhunës institucionale, me “pushtetin” e arrogancës dhe epërsisë partiake që ndjell, sjell, mban dhe mëkon si “bijtë dhe bijat” e tij.
Prej qershorit 2016, publikisht, në Shtypin e shkruar / Media-t elektronike kam denoncuar mes shkrimesh aktet abuzime dhe korruptive, si dhe sjelljet aprofesionale të ish-ambasadores (ende në detyrë) në OKB Gjenevë, Filloreta Kodra. Shkrime për të cilat, deri më sot, nuk ka asnjë kundërshtim, përgënjeshtrim, mohim apo reagim publik a institucional nga ana e Filloreta Kodrës, si e akuzuara direkte. Indirekt dhe jo vetëm, mes heshtjes së saj, Kodra ka pranuar gjithçka shkruhet në artikujt e mi denoncues, për të.
Por në shtator 2016 Filloreta Kodra vendosi të më intimidojë, frikësojë, stepë dhe zbrapsë, që unë të hiqja dorë nga bërja publike e akteve të saj abuzive, duke më hapur proçes gjyqësor dhe duke më kërkuar dëmshpërblim për dëm jopasuror, moral, shkaktuar asaj, nga një artikull shkruar prej meje, mes shumë artikujsh të tjerë, më 6 korrik 2016, në gazetën “Panorama”, nga ku lajmin e ndanë thuajse të gjitha gazetat dhe portalet në Shqipëri dhe jo vetëm, por edhe në Kanada, Amerikë, Zvicër, Itali, Greqi, Kinë etj.
https://www.pressreader.com/albania/panorama-albania/20160706/282127815800161
Përkrah Filloreta Kodrës në luftën e kallëzimit gjyqësor, për të njëjtin artikull, hyri edhe një ish punonjëse në Misionin e RSH në OKB Gjenevë, Dorina Xhixho (larguar nga detyra në dhjetor 2017, vajza e ish drejtroti të AKEP dhe ish zv.ministres së Integrimit Europian me të njëjtin mbiemër, nga forca politike LSI), kjo e dyta e përmendur në artikull si pjesë jo vetëm e sjelljes aprofesionale dhe të mangët diplomatikisht të ambasadores, por kryesisht si bashkëpunëtore e ambasadores në abuzim dhe korrupsion. Për sqarim, përmend një prej abuzimeve: makinën private të Dorina Xhixhos, theksoj jo diplomate për shtetin zvicerian dhe pa kartë legjitimiteti diplomati, ambasadorja Kodra e pajisi me targa diplomatike shtetërore dhe automjeti në fjalë qarkullonte për vite me radhë në rrugët e Gjenevës, Zvicrës dhe gjithë Europës, si të ishte automjet i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Sa më sipër dhe disa abuzime të tjera me detyrën dhe fondet publike, unë i kam bërë me dije në artikullin e datës 6 korrik 2016. Për këtë artikull, çuditërisht vetëm për këtë, teksa ka edhe me dhjetra të tjerë, Filloreta Kodra dhe pas saj edhe Dorina Xhixho më bëjnë kallëzim gjyqësor, duke më kërkuar dëmshpërblim në vlera marramendëse monetare.
I nderuar Kryetarit i Gjykatës së Shkallës së Parë, Rrethi Gjyqësor Tiranë,
e nderuar Ministre e Drejtësisë,
Gjykimet u zhvilluan për afro një vit e gjysëm dhe vendimet renditen si më poshtë:
Në datën 18.12.2017, gjyqtare Anila Kristani, merr këtë vendim në interes të Dorina Xhixho:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë;
- Detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë paditësen në masën prej 100 000 (njëqind mijë) lekë për dëmin jopasuror, si dëm moral, skaktuar asaj.
- Deytrimin e të paditurës që me shpenzimet e veta të bëjë një përgënjeshtim publik në gazetën “Panorama” mbi faktet e referuara si të pavërteta në këtë vendim të gjykatës.
Etj.
Në datën 29.01.2018, gjyqytri Arben Mullaj, merr këtë vendim në interes të Filloreta Kodra:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë;
- Detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë paditësen në masë prej 100 000 (njëqind mijë) lekë për dëmin jopasuror, si dëm moral, shkaktuar asaj.
- Detyrimin e të paditurës që me shpenzimet e veta të bëjë një përgënjeshtrim publik në gazetën “Panorama” mbi faktet e referuara si të pavërteta në këtë vendim të gjykatës.
Etj.
Besoj se vëreni dhe shquani qartë ngjashmërinë absolute mes dy vendimeve!
Si është e mundur që dy gjyqtarë, për dy çështje të ndryshme, me paditës të ndryshëm, kundër të njëjtës së paditur, si të ishin “dy në një” marrin ekzaktësisht të njëjtin vendim?
Si është e mundur që dy sekretare të ndryshme gjykate shkruajnë dy vendime në kohë të ndryshme ekzaktësisht njësoj, qoftë edhe gramatikisht apo në lidhëza dhe shenja pikësimi?
Si është e mundr që të dy gjyqtarë vendosin të njëjtn vlerë monetare dëmshpërblimi, teksa njëra palë kërkon 60 mijë euro dhe tjetra 30 milionë lekë të vjetër?
Si është e mundur që të dy gazetarët kërkojnë përgënjeshtim nga ana ime dhe vërtetojnë pavërtetësinë e fakteve të referuara prej meje në artikull?
Mos ndoshta “pushteti i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë” i abuzimit dhe korrupsionit ka prekur kaq rëndë drejtësinë, sa t’i hartojë kësaj të fundit edhe tekstin e vendimeve gjyqtarëve dhe t’ua japë të gatshëm?
Më lind e drejta mua dhe çdo shqiptari që lexon këtë letër të hapur, për të hamenduar për gjithçka. I kobshëm “pushteti i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë” i familjeve dhe drejtuesve të Lëvizjes, por po aq e paepur e drejta që mbart unë dhe shumë të tjerë, për të mos u dorëzuar përpara asgjëje, në dukje të jashtëzakonshme, apo provizorisht edhe fuqiplotë.
Përsëris:
Këta dy gjyqtarë jo vetëm që kanë caktuar të njëjtën vlerë monetare si dëmshpërblim, por më kërkojnë “një përgënjeshtrim publik në gazetën “Panorama” mbi faktet e referuara si të pavërteta në këtë vendim të gjykatës”. Jo vetëm që nuk kam çfarë të përgënjeshtroj, por u bëj me dije atyre (gjykatësve) dhe jo vetëm, se kam depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës, Kallëzim Penal “Për Shpërdorim Detyre, abuzime me fonde publike etj.” kundër ambasadores (së çdekretuar) Filloreta Kodra, protokolluar më 2 shkurt 2018 dhe pres fillimin sa më të shpejtë të hetimeve nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Faktet janë atje, janë dokumentative, shkresore, kokështreta dhe të patjetërsueshme. Fakte që kërkojnë vetëm vullnet për hetim dhe drejtësi.
Mes kësaj letre të hapur, pyes sërish dy gjyqtarët, që ngjasojnë si dy pika uji: Ku e provuan pavërtetësinë e denoncimeve të mia z.Mullaj dhe zj.Kristani?! Mes hetimit apo u mjaftuan me avokatinë argumentative në seancat gjyqësore të avokates Brikena Kasmi, përfaqësuese e ambasadores Kodra dhe ish punonjëses në Mision Xhixho?!
Është e mundur vallë që këta dy gjyqtarë të jenë “përdorur” nga ambasadorja Kodra, familjet e LSI dhe avokatët tyre për të marrë të tilla vendime?
Letrën po ua shkruaj me vullnetin tim të plotë, për t’i shtuar edhe një tjetër penel gri a të zi realiteti, tablosë së mënxyrosur të drejtësisë së kapur nga partitë politike dhe hijenat korruptive brenda tyre, si dhe për t’ua nxjerrë tablonë, juve personalisht, në një tjetër ekspoze publike, që në kuadër të kompetencave tuaja të merrni masat e duhura, ato të mundshmet ndoshta, derisa drejtësia mes ndërshkimit t’i japë fund padrejtësisë.
E drejta ekziston kur vlerësohet e vërteta!
Me respekt dhe mirënjohje të thellë që më lexuat dhe jo vetëm!
Blerina ZOTO
Ish diplomate, Këshilltare për të Drejtat e Njeriut
Komentet