FILLIMI I LUFTËS ITALO-GREKE
Rreth orës 3 të mëngjesit të 28 tetorit 1940, kryeministri i Greqisë, Janis Metaksa u zgjua në shtëpinë e tij për një komunikim urgjent të ambasadorit italian Emanuele Graci. Kishte ditë që e priste këtë takim të pazakontë. Diplomati italian me porosi të qeverisë së tij dorëzoi notën-ultimatum në frëngjisht, në të cilën diktatori grek lexoi se Greqia ka thyer neutralitetin e saj në disa raste e në favor të armiqve të Italisë, se ka mbajtur në fuqi garancinë britanike e cila përbënte një program veprimi të drejtuar kundër sigurimit të Italisë, se i ka dhënë fuqisë në luftë me Italinë pozicione të rëndësishme strategjike në territorin grek, se ka kryer veprime provokative kundër kombit shqiptar e ka zhvilluar politika terroriste kundër popullsisë së Çamërisë dhe tentativa të vazhdueshme për të krijuar çrregullime në kufijtë shqiptarë.
Italia, shkruhej më tej në ultimatum, nuk mund të tolerojë, që territori grek është kthyer në një bazë veprimi armiqësor kundër saj, që nuk mund të çojë veçse në një konflikt të cilin qeveria italiane ka gjithë synimin ta evitojë. Për këtë qëllim, vazhdonte ultimatumi, qeveria italiane është e vendosur “t’i kërkojë qeverisë greke si garanci për sigurimin e Italisë, – lirinë për të pushtuar me forcat e saj të armatosura, për kohën sa do të zgjasë konflikti me Britaninë e Madhe, disa pika strategjike në territorin grek”.
Qeveria italiane i kërkonte qeverisë greke që të mos e kundërshtonte këtë pushtim e të mos pengonte kalimin e lirë të trupave të destinuara për ta realizuar atë, sepse ai do të ishte i përkohshëm, me karakter thjesht mbrojtës si dhe të jepte urdhrat e duhura që ai të bëhej në mënyrë paqësore. Në rastin kur trupat italiane do të ndeshnin në rezistencë, ultimatumi paralajmëronte se ajo do të mposhtej me armë dhe qeveria greke do të mbante përgjegjësinë e rrjedhojave që do të rridhnin prej saj.
“Atëherë, kjo është luftë” tha Metaksai kur përfundoi së lexuari ultimatumin. Kryeministri grek pyeti se cilat ishin pikat strategjike që Italia donte të pushtonte në Greqi, por pasi nuk mori asnjë sqarim nga Graci përsëriti: “Shikoni pra që është luftë”. Janë këto fraza të shkurtra që më vonë u transformuan në “Jo”-në simbolike të Metaksait e që u bë një pikë e fuqishme referimi për rezistencën antifashiste në Greqi. Edhe sikur të kishte bërë lëshime e të kërkonte kompromise, Metaksai nuk do të mund ta shmangte luftën. Ajo ishte e paracaktuar për shkak se edhe objektivat e saj i kapërcenin kufijtë e Greqisë.
Ushtria italiane e rreshtuar në të gjithë gjatësinë e kufirit shqiptaro-grek, rreth 250 km, priste vetëm urdhrin e sulmit. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë italiane i kishte përqendruar forcat në tre sektorë të kufirit që do të ishin edhe tre drejtimet e sulmit. Në sektorin e Korçës ishin vendosur tri divizione të organizuara në korparmatën XXVI me objektivin që të marshonin drejt Follorinës. Ato përbënin krahun e majtë të rreshtimit operacional. Në krahun e djathtë të tij që përfshinte zonën nga bregdeti i detit Jon deri në Vjosë ishin përqendruar tri divizione të tjera, katër regjimente të armëve të ndryshme dhe një batalion milicësh shqiptarë dhe këto të grumbulluara në një korparmatë tjetër. Drejtimi dhe objektivi i sulmit ishte Çamëria deri në Janinë. Divizioni elitar alpin “Julia” që së bashku me dy divizione të tjera komandohej nga vetë Praska ishte rreshtuar në qendër të frontit, midis Ersekës dhe Leskovikut si forca udhëheqëse e operacionit dhe do të marshonte në sektorin e Pindit në pesë kolona me destinacion për të kapur Meçovon, rreth 40 km në lindje të Janinës e që do të ndante më dysh vijën mbrojtëse greke. Pa llogaritur armatimet, burimet italiane flasin për 87 mijë forca të rreshtuara në frontin grek, prej të cilave 55 mijë në Epir, midis të cilave edhe gjashtë batalione shqiptare. Në kufirin me Jugosllavinë ishin lënë 12 mijë forca. Burimet greke japin një numër shumë më të madh forcash.
SHQIPËRIA, E PUSHTUAR
Përballë forcave italiane, në anën tjetër të kufirit, në Epir, shtabi i ushtrisë greke kishte mobilizuar potencialet më të mira ushtarake greke. Sipas burimeve greke të kohës, raporti i forcave të vendosura në vijën e parë të luftimeve në 28 tetor ishte: 5 divizione greke kundër 10 italiane. Ushtritë e të dy fqinjëve historikë të shqiptarëve ishin bërë gati të kryqëzonin armët, njëri më i madh e më i fuqishëm, Italia fashiste që kishte pushtuar më parë edhe vetë Shqipërinë po sulmonte tani edhe Greqinë. Për fat të keq baza nga po niste agresioni ishte Shqipëria, e cila nuk ishte as e pavarur as edhe sovrane. Formalisht, siç ndodhi edhe më vonë në Greqi, në Jugosllavi, në Norvegji, në Francë e në shtete të tjera evropiane, u krijuan nga pushtuesit regjime e qeveri kuislinge, kolaboracioniste për t’u shërbyer atyre në administrimin e këtyre vendeve. Në Shqipëri kjo kishte ndodhur që në prill 1939.
E drejta ndërkombëtare nuk i ka njohur këto regjime si subjekte të pavarura ndërkombëtare, sepse atyre u ka munguar parimi bazë: vullneti i popullit përmes zgjedhjesh, të lira e të ndershme. Këto regjime u ngritën me ndihmën e hapur të fuqive fashiste dhe me armët e tyre. Shefqet Vërlaci, ministrat, senatorët, anëtarët e Këshillit të Epërm Korporativ Fashist e të tjerë ishin persona që ishin vënë në shërbim të fashizmit dhe vendimet që morën këta njerëz dhe aktet që miratuan ishin antikombëtare.
I tillë ishte dhe dekreti i shpallur në 28 tetor 1940 në emër të Mbretit Viktor Emanueli III nga mëkëmbësi i tij në Tiranë, Jakomoni dhe i firmosur nga kryeministri Shefqet Vërlaci. Ky dekret deklaronte gjendjen e luftës në territoret e prefekturave të Tiranës, Korçës, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, Durrësit e Beratit duke iu referuar dekreteve mbretërore të 9 dhe 10 qershorit 1940 për normat dhe zbatimin e ligjit të luftës në tokën e Mbretërisë Shqiptare.
Këshilli i Lartë Fashist Korporativ e aprovoi me unanimitet këtë dekret. Në të njëjtën kohë u shpall edhe dekreti për mobilizimin civil të të gjithë personave që punonin në administratën shtetërore, bashkiake e komunale. Shqiptarët kundër dëshirës e vullnetit të tyre u përfshinë në një luftë që nuk e donin e që nuk ishte në interesin e tyre. Jakomoni kishte dërguar në Romë, raporte në të cilat i kishte paraqitur shqiptarët si entuziastë për luftën kundër Greqisë. Por shumë shpejt, ai dhe shefat e tij do të bindeshin për të kundërtën.
Në 28 tetor, herët në 5:30, ende pa mbaruar afati i ultimatumit që Graci i dorëzoi Metaksait, forcat italiane kapërcyen kufirin shqiptaro-grek. Në ditët e para armiku kryesor i divizioneve italiane nuk ishin trupat greke, të cilat nuk u shfaqën veç në disa raste, por moti shumë i keq, shira të rrëmbyeshme e një mjegull e dendur. Italianët nuk avancuan veç 10-15 km në brendësi të territorit grek, nga bregdeti deri në Pind.
Tërheqja e forcave greke në ditët e para të luftës ishte një lëvizje taktike, që i dha kohë qeverisë për të mobilizuar vendin. Kryekomandantit të ushtrisë greke Aleksandros Papagos as nuk i kishte shkuar ndër mend se përballë forcave të tij do të kishte një ushtri italiane, më të shumtë në numër, por të papërgatitur për luftë e me moral të dobët. Aleate e madhe dhe e paparashikuar për ushtrinë greke ishte edhe koha e keqe e me shira të dendura, që nuk lejoi përdorimin e aviacionit italian në frontin e luftimeve. Forcat greke pasi ndalën avancimin e forcave italiane, në 1 nëntor kaluan në mësymje në sektorin e Kapështicës dhe hynë disa km brenda territorit shqiptar. Në 3 dhe 4 nëntor, Jakomoni njoftonte në Romë se në Epir, në drejtim të Janinës trupat italiane kishin ndeshur në rezistencë të fortë dhe kërkoi urgjentisht mbështetje ajrore e dërgimin e forcave të reja në Korçë. Katër ditë më vonë Mëkëmbësi i Përgjithshëm raportoi se trupat italiane në Epir e në Korçë kishin kaluar në pozita mbrojtëse dhe se nga fronti i luftimeve ishte larguar batalioni shqiptar “Tomorri”. Çiano pranoi se iniciativën në front e kishin marrë grekët, por ende ishte optimist, kur shkruan se, “nuk besoj se është koha për të lidhur kokën”, se “do të vijë kundërsulmi dhe suksesi, ndofta më shpejtë se sa shpresohet”. “Babiloni e plotë”, me këto dy fjalë e përshkruante situatën në radhët e forcave italiane në frontin e luftimeve, në 1 nëntor, gjenerali Armelini (Armellini) i Shtabit Madhor të ushtrisë.
Musolinin të zëmëruar me gjeneralët e tij dhe i turpëruar në sytë e botës nuk e zinte vendi. E zëvendësoi Viskonti Praskën si komandant të forcave italiane në Shqipëri me Ubaldo Soddu. Në 10 nëntor u tha gjeneralëve në “Palaco Venecia” se “nuk mund të toleroj që në botë të përhapet bindja se nuk kemi qenë të aftë të mundim Greqinë”. Numëroi si arsye të dështimeve në front edhe mungesën e revoltës së popullsisë së Çamërisë prapa shpinës së trupave greke siç i kishte premtuar Jakomoni si dhe dezertimin e disa reparteve shqiptare. Me gjithë ndryshimet që bëri në komandën e trupave ushtarake në Shqipëri e përforcimet që dërgoi në front, Musolini nuk e ndali rokullimën e ngjarjeve. Në mesin e nëntorit grekët rifilluan sulmet, veçanërisht në sektorin e Korçës për të pushtuar vetë qytetin, të cilin arritën ta shtinin në dorë në 22 nëntor.
Pushtimi i Korçës ishte një goditje e rëndë në planin operacional për ushtrinë italiane, por akoma edhe më e madhe për prestigjin e saj. Çiano për t’u ngushëlluar shënoi se “humbja e Korçës sigurisht nuk është humbje e Parisit”. Musolini përgjegjësitë e disfatave i kërkon vetëm tek gjeneralët e aspak tek vetja. E detyroi Badoljon të dorëhiqet nga shef i shtabit e në vend të tij emëroi gjeneralin Ugo Kavaliero. Por, ofensiva greke nuk u ndal ashtu sikurse edhe tërheqja italiane, tani gjithnjë brenda territorit shqiptar. Në fillim të dhjetorit ranë Gjirokastra, Përmeti, Saranda e Pogradeci. Përgjatë gjithë veprimeve luftarake të forcave greke ato patën ndihmën e vazhdueshme të forcave ajrore britanike që bombardonin pozicionet italiane, anijet dhe objektet ushtarake në portet e Durrësit, Vlorës e Sarandës si dhe qytetet e tjera në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Ato i shkaktuan dëme të mëdha infrastrukturës ushtarake italiane. Pushtimi i këtyre qyteteve shënoi edhe përfundimin e fazës së parë të ofensivës greke.
Logjika e luftës midis forcave e shteteve armike e pranon administrimin e përkohshëm deri në armëpushim ose deri në përfundimin e armiqësive të territoreve të pushtuara. Ushtria greke duke ndjekur ushtrinë italiane në tërheqje, avancoi dhe pushtoi territore shqiptare të Shqipërisë së Jugut. Prania e ushtrisë greke në këto zona ngjalli dyshime te shqiptarët. Ato u shtuan edhe më tepër nga deklarata në radio e Metaksait në 22 nëntor kur mes të tjerash tha se “ne luftojmë jo vetëm për vendin tonë, por gjithashtu për kauzën e popujve të tjerë të Ballkanit dhe për çlirimin e Shqipërisë”, por pa përmendur pavarësinë e saj. Radio “Athina” çdo ditë në emisionin e saj në gjuhën shqipe u bënte thirrje shqiptarëve që të bashkoheshin me ushtrinë greke që ishte e angazhuar “të çlirojë Shqipërinë nga sundimi italian”.

Autoritetet ushtarake greke organizuan me paragjykime administratën civile lokale në Korçë dhe urdhëruan të pengohet edhe festimi i ditës së pavarësisë shqiptare. Në Gjirokastër në frymën e kësaj politike u krijua “Autoriteti i Vorio Epirit” si trup administrativ civil. Deklarata e Metaksait ngjalli reagime në Romë e Tiranë e u mbajt shënim edhe në Londër. Çiano udhëzoi Jakomonin që Vërlaci e përfaqësues të tjerë të lartë të regjimit t’i përgjigjeshin kryeministrit grek. Qeveritarët kuislingë e kundërshtuan me të drejtë Metaksain, por nga pozita fashiste dhe si avokatë të Italisë fashiste që e kishte pushtuar Shqipërinë.
Rreziku kryesor për Italinë në dhjetor 1940 nuk ishin deklaratat, por ushtria e Metaksait, e cila vazhdonte të përparonte në tri drejtime: në bregdetin jonian shqiptar për të kapur Himarën me destinacion Vlorën, në luginën e Osumit për të pushtuar Beratin dhe drejt luginës së Shkumbinit për të zotëruar Elbasanin me synim për të dalë në Durrës. Ushtria italiane në Shqipëri me gjithë përforcimet gati ishte e paralizuar. Musolini në Romë vetëm shante e mallkonte gjeneralët e shqiptarët që e tradhtuan.
Në gjysmën e dytë të dhjetorit, me gjithë raportimet optimiste të Kavalieros, që zëvendësoi Soddun në krye të trupave italiane në Shqipëri, ofensiva greke nuk u ndal. Në 23 dhjetor forcat greke pushtuan Himarën dhe dolën në Qafën e Llogarasë, duke kërcënuar më tepër se kurrë Vlorën. Avancuan edhe në Këlcyrë duke rrezikuar marrjen e Tepelenës, që përmes luginës së Shushicës synonin të dilnin përsëri në Vlorë.
I ndodhur në një situatë krize të gjithanshme, morale e besimi dhe nën presionin e kritikave të brendshme e në rritje, Musolini ndërmori një akt radikal populist: urdhëroi të gjithë hierarkët e lartë, anëtarë të qeverisë, të Këshillit të Lartë, të partisë të shkonin në front e të luftonin bashkë me trupat. “Vullnetarë me force”, shkruan Çiano, i cili edhe vetë u vendos me shtabin e tij në Shqipëri.
Komentet