Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, u prit me kritika në botën arabe si dhe në Evropë apo në qarqe të tjera.
Në një fjalim që mbajti dje, zoti Trump e quajti vendimin një hap që duhej të ishte marrë shumë kohë më parë, sepse presidentët paraardhës, sipas tij, nuk iu përmbajtën një premtimi që i ishte bërë Izraelit 22 vjet më parë.
Megjithatë, statusi i Jerusalemit mbetet një çështje e diskutueshme, për të cilën shumë analistë besojnë se duhet të negociohet midis izraelitëve dhe palestinezëve. Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës përgatiti këtë material.
Siç pritej, palestinezët dhe mbështetësit e tyre në mbarë botën reaguan me zemërim ndaj vendimit të presidentit amerikan për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
“Zoti Trump po zbaton ekstremizmin fetar këtu dhe jashtë dhe i ka dhënë një goditje vdekjeprurëse perspektivave të paqes në rajon”, thotë Nihad Awad, i Këshillit për marrëdhëniet amerikano-myslimane.
Ka shqetësime se vendimi i Presidentit Trump minon idenë e zgjidhjes me dy shtete për Lindjen e Mesme. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se statusi i Jerusalemit duhet të zgjidhet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe përsëriti se çdo veprim i njëanshëm mund të dëmtojë përpjekjet për paqe.
“Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të mbështetur udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë që të kthehen në negociata”, tha zoti Guterrez.
Kryenegociatori palestinez Saeb Erakat tha se vendimi i zotit Trump i skualifikon Shtetet e Bashkuara si lojtar në procesin e paqes në Lindjen e Mesme:
“Vendimi është në shkelje të plotë të së drejtës ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe po e kthen konfliktin midis palestinezëve dhe izraelitëve nga një politikë në një çështje fetare”, tha zoti Erekat.
Disa analistë besojnë se vendimi i zotit Trump sinjalizon fundin e procesit të paqes të udhëhequr nga amerikanët.
“Publiku palestinez nuk do ta lejojë këtë. Çdo udhëheqës palestinez që do të përpiqet, do të diskreditohej plotësisht në sytë e popullit të tij. Mendoj se kjo shënon fundin e një procesi paqësor të udhëhequr nga amerikanët”, tha Khaled Elgindy i Institutit Brookings në Uashington.
Kreu i një grupi që mbështet hebrejtë ortodoksë në Uashington i tha Zërit të Amerikës se njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit do të ndihmojë në ringjalljen e procesit të paqes.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzoi zotin Trump se po krijon kaos në Lindjen e Mesme:
“Të bësh një hap të tillë është ta zhysësh këtë rajon në një unazë zjarri. Zoti Trump, çfarë po përpiqesh të bësh? Udhëheqësit politikë nuk janë për të krijuar trazira por për të bërë paqe,” tha zoti Erdogan.
“Njoftimi i Presidentit Trump dhe fillimi i procesit të lëvizjes së ambasadës i dërgojnë një mesazh shumë të rëndësishëm palestinezëve dhe të tjerëve, pra, se është në interesin tuaj të gjeni mënyra për të ndalur së pari ato gjëra që dëmtojnë një proces potencialisht paqësor”, tha Nathan Diament.
Një ligj amerikan i vitit 1995 parashikon një zhvendosje të ambasadës së SHBA në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, por deri tani të gjithë presidentët përpara zotit Trump e kanë shtyrë një vendim të tillë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Komentet