Ivan Balliu është emri që ka tërhequr vëmendjen e medias katalanase nga përfaqësuesja shqiptare, kjo për faktin se ky futbollisti ka lindur në këtë rajon dhe është formuar në akademinë e Barcelonës, ose siç quhet ndryshe “La Masia”.
Atje, Balliu pati mundësinë që të qëndrojë deri në moshën 21-vjeçare duke luajtur përkrah emrave si Bartra, Muniesa, Thiago, apo Sergi Roberto me të cilët vazhdon të ruajë miqësinë.
Ka punuar gjithashtu nën urdhrat e Luis Enriques, Guardiolës apo edhe Tito Vilanovës. Rreth një vit më parë filluan kontaktet mes tij dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, por pasaportën shqiptare ai e mori këtë vit, duke u vënë menjëherë në dispozicion të Kristian Panuçit. Ivan Balliu ka qenë gjithashtu pjesë e përfaqësueses spanjolle të moshave U16 dhe U17, ku njohu edhe Iscon e Koken.
Nuk kishte qenë kurrë më parë në Shqipëri, deri në momentin që u grumbullua dhe komunikon me Panuçin në gjuhën spanjolle, ndërsa me shokët e skuadrës ai komunikon në gjuhën angleze apo franceze.
Këtë mbrëmje, Balliu do të ketë edhe mbështetjen e familjarëve të tij të cilët do të udhëtojnë nga Katalonja për të qenë në shkallët e “Rico Perez”. Babai i tij, Salvador Balliu, i cili është edhe kryetari i Bashkisë së Kaldes de Malaveja nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të ishte dëshmitar i debutimit të djalit të tij Ivan me fanelën e kombëtares shqiptare.
Komentet