TIRANE – “Presidenti na premtoi se e vërteta do të zbardhet dhe na dha mbështetjen e tij, derisa çështja të marrë zgjidhje”. Kështu shprehet daja i Bujana Bushit, viktimës së aksidentit të ndodhur pak ditë më parë në Lekaj të Kavajës. Në një intervistë për “GSH”, Myzafer Jahaj rrëfen se çfarë kanë diskutuar me kreun e vendit, Bujar Nishani, gjatë takimit që ka zgjatur afro një orë në ambientet e presidencës dhe se çfarë u ka premtuar Presidenti i Republikës pasi ka dëgjuar pretendimet e tyre.
Ju sot ishit në një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Çfarë diskutuat në këtë takim?
Po, është e vërtetë që ishim në një takim me presidentin Bujar Nishani, takim që zgjati rreth një orë. Gjatë këtij takimi, ne si familja e Bujanës kërkuam që të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje dhe të vihet në vend dinjiteti i vajzës sonë. Shumë njerëz mund të mendojnë se ne duam të na kthehen paratë apo sendet që u vodhën gjatë aksidentit, ndërsa në fakt ne duam vetëm që të zbardhet e vërteta dhe të dimë se çfarë ka ndodhur me Bujanën. Këtë i thamë edhe presidentit. Gjatë këtij takimi, unë i kërkova presidentit Nishani që të marrim përgjigjet e këtyre pyetjeve: Kush e mori nga shtëpia Bujanën, për çfarë arsyeje, ku do të shkonin? Kur ndodhi aksidenti? Përse nuk u lajmërua familja e Bujanës në momentin që ndodhi aksidenti? Kush e dërgoi në spital? Përse e çuan në Spitalin e Durrësit dhe jo në atë të Kavajës? Përse policia e fshehu aksidentin dhe raporti vetëm aksident pa pasoja dhe vetëm me të plagosur? Përse polici ia dha sendet që u gjendën në vendin e ngjarjes vëllait të biznesmenit në mënyrë private? Ku shkuan sendet që u gjetën në makinë dhe ku është çanta e Bujanës? Jo se ne kemi interes për ato sende, por duam vetëm të zbardhet e vërteta.
Pasi ju dëgjoi presidenti, çfarë ju premtoi?
Unë ia thashë edhe presidentit Bujar Nishani, se nuk na interesojnë as orat, as zinxhirët apo edhe lekët që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Neve na intereson vetëm zbardhja e së vërtetës. Pasi na dëgjoi, presidenti na premtoi se çështja do të zbardhet. Presidenti na tha: “E ndaj bashkë me ju dhimbjen. Të luftojmë të gjithë së bashku për të zbardhur të vërtetën, që fëmijët tanë të bëjnë jetë normale. Unë ju ngushëlloj dhe do të më keni pranë derisa çështja të zbardhet. Të gjithë së bashku, edhe me organet kompetente, do mundohemi që çështjes t’i japim zgjidhje”. Na dha edhe numrin e tij personal dhe na tha se për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ai do të angazhohej edhe vetë, pasi kishim përkrahjen e të gjitha institucioneve dhe mbështetjen e gjithë shtetit. Ne kërkojmë përgjigjen për këto pyetje, jo gjërat apo paratë. Paratë i gjen shteti. Mbesa ishte me sy të dalë, mund të jetë goditur me levë në kokë. Vajzën e kam parë të deformuar në fytyrë.
Po me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, keni kontaktuar gjatë kësaj kohe?
Jo, me ministrin e Brendshëm nuk kemi komunikuar. Ditën që ndodhi ngjarja, kam kontaktuar me deputetin
e Vlorës, Fatmir Toçin, dhe atij i kam treguar ngjarjen e i kam thënë që të gjitha detajet e historisë
t’ia kalonte ministrit Tahiri. Dhe vetëm pas lëvizjeve që kanë bërë deputeti Toçi dhe ministri Tahiri, ngjarja u bë e madhe dhe filluan edhe hetimet. Pas kësaj, na morën edhe nga SHKBja në telefon dhe na thanë që t’u shpjegonim se çfarë pretendimesh kishim. Të enjten jemi në Prokurorinë e Kavajës sërish për këtë çështje. Por, unë dua t’i bëj një apel kryeministrit Edi Rama, që të ketë kujdes me ata që punëson në funksione të ndryshme. Marr shkas nga policët që janë përfshirë në këtë rast, në mënyrë që të na lënë të jetojmë të qetë dhe pa mafia në vendin tonë, në mënyrë që të mos detyrohemi dhe të ikim nga vendi ynë.
Komentet