Përmes një kumtese për medie, Unioni i Malazezëve të Kosovës ka thënë se në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, eksponentë të Listës Srpska po “bëjnë presion, madje edhe dhunë fizike, te serbët e te malazeztë e Kosovës” dhe i ka quajtur ata armikun më të madh të këtyre popujve në Kosovës, transmeton Koha.net.
Ky është teksti i plotë i kumtesës:
Unioni i Malazezëve të Kosovës e dënon në mënyrën më të rreptë sjelljen e disa dhunuesve nga Lista Srpska, të cilët, në prag të zgjedhjeve parlamentare, po bëjnë presion edhe ndaj serbëve e edhe ndaj malazezëve, madje edhe fizikisht po sulen kundër tyre.
Ata, me sjelljen e tillë ndaj popullit të vet, konfirmuan pohimet tona më të hershme se Lista Srpska është armiku më i madh i popullatës ortodokse në hapësirën e Kosovës. Për këtë arsye besojmë se populli me guxim e dinjitet, siç i ka hije traditës sonë mijëvjeçare, do t’i dënojë në zgjedhjet parlamentare dhe përgjithmonë do të lirohet nga ta.
Me këtë rast ftojmë organet përkatëse të Kosovës, Policinë e Prokurorinë, që të mos i lënë qytetarët e vet në mëshirën dhe pamëshirën e dhunuesve, por t’i mbrojnë ata nga banditët e Listës Srpska.
Komentet