Duhet ta keni vënë re se si historian nuk kam marrë pjesë në çështjet politike, ekonomike e shoqërore të ditës. Këto janë çështje me të cilat merren zakonisht analistët e ditës. Kam ndërhyrë dhe do të ndërhyj, kur bëhen debate mbi çështje që tashmë kanë hyrë në histori. Kur them që kanë hyrë në histori, e kam fjalën për ngjarje që kanë që kanë ndodhur jo më pak se 40-50 vjet më parë. Një nga këto çështje për të cilat po flitet kohët e fundit është dhe vlerësimi historik i Qemal Stafës, i cili ka rënë dëshmor, në luftë me milicinë kuislinge të Mustafa Krujës, më 5 maj 1942.
Historia e Shqipërisë shquhet ashtu si edhe historitë e vendeve të tjera, për faktin se i nderon, i respekton heronjtë apo dëshmorët e saj që kanë dhënë jetën për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e atdheut. Madje në çdo ngjarje të rëndësishme historike, nga radhët e dëshmorëve njëri prej tyre shquhet mbi të tjerët dhe shndërrohet në simbol të ngjarjes. Ndonjëri mund të thotë se kombi nuk ka nevojë për simbole apo për mite sepse simbolet apo mitet janë, sipas tyre, kulte që nuk pajtohen me ecurinë e qytetërimit modern.
Me sa di unë, kjo pikëpamje nuk ka gjetur miratimin e përgjithshëm. Edhe brezat e sotëm kanë nevojë për simbole të cilët me shembullin e tyre i frymëzojmë ata të duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij po të jetë nevoja edhe me jetën. Mjafton të sjellim këtu disa shembuj. Lidhja Shqiptare e Prizrenit midis dëshmorëve të shumtë që dhanë jetën për çështjen e shenjtë të atdheut, njëri prej tyre historia e ka ngritur në piedestalin e heroit. Është Mic Sokoli i cili më 20 prill 1881, u hodh në sulm kundër baterisë së ushtrisë osmane në Slivovë (Kosovë) dhe me këtë veprim heroik dha jetën për të mos vdekur kurrë. Dua të kujtoj gjithashtu, Petro Nini Luarasin, i cili dha jetën e vet më 17 gusht të vitit 1911, jo në fushën e luftës por në betejën e shenjtë për shkollën shqipe.
Më tej, më 11 qershor 1920 dha jetën Selam Musai, një trim i rrallë, i cili në sulmet që fshatarët labë ndërmorën “me gunë përmbi tela” kundër ushtrisë italiane. Simbolizon heroizmin e Luftës së Vlorës. Vijmë më në fund në ditën tragjike të 7 prillit 1939. Atë ditë u vranë mjaft djem trima shqiptarë në Durrës, Vlorë, Shëngjin në luftë për të mbrojtur Atdheun nga legjionet fashiste italiane. Më i shquari prej tyre ishte kapiteni i xhandarmërisë zogiste Mujo Ulqinaku. Të gjithë këta heronj tashmë janë kthyer në simbole. Secili prej tyre përfaqëson heroizmin dhe atdhedashurinë e popullit shqiptar në momente të caktuar historike. Askush nuk ka pyetur dhe nuk pyet se çfarë bindje politike kanë pasur këta heronj të pavdekshëm. Askush nuk do t’ia dijë nëse këta qenë të djathtë apo të majtë, monarkistë apo republikanë, intelektualë apo fshatarë, veriorë apo jugorë. Një fjalë e urtë kineze thotë: “Nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë, mjafton që të hajë minjtë”. Nuk ka pra rëndësi nëse dëshmori është i djathtë si Mujo Ulqinaku, apo i majtë si Qemal Stafa, mjafton që të luftojë okupatorin. Të gjithë ata që bien në luftë janë dëshmorë. Megjithatë ka midis tyre heronj si Qemal Stafa që ndriçojnë më tepër se të tjerët.
KUSH ISHTE QEMAL STAFA?
Qemal Stafa kur ra dëshmor ishte 21 vjeç. E kam pasur shok shkolle dhe isha moshatar me të. Ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme aq sa vitet e fundit të gjimnazit, çdo vit kalonte dy klasë menjëherë. Kur mori dëftesën e maturës në gjimnazin e Tiranës dinte 5 gjuhë. Ajo që na habiste ne shokëve të tij ishte se ai kishte përvetësuar me një punë këmbëngulëse edhe latinishten. Jo vetëm për nga gjuhët, por edhe për nga kultura e përgjithshme ai shquhej mbi të tjerët. Kishte kulturë klasike dhe moderne. Gjuhët që njihte e ndihmonin të lexonte veprat më të fundit që shtypeshin në Francë dhe në Itali. Ai kishte edhe një veti që shquhej mbi të tjerët. Ishte trim në të dy kuptimet. Trim edhe në fushën politike trim edhe në jetën sociale. Ai u bë i njohur për publikun në shkurt të vitit 1939. Ishte 19 vjeç kur doli para gjyqit politik së bashku me 70 të rinj të tjerë, të cilët akuzoheshin si komunistë. Gjyqi zhvillohej në sallën e ndërtesës së Bashkisë së kryeqytetit e cila ndodhej (sot e shembur) në sheshin “Skënderbej”. Gjatë seancave gjyqësore disa nga shokët e tij e kundërshtuan akuzën duke ngulur këmbë se nuk ishin komunistë. Kur u pyet nga prokurori Kiço Visha, nëse ishte apo jo komunist, Qemal Stafa u përgjigj në mënyrë dinjitoze:
Kam qenë dhe jam komunist sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vendin tonë të varfër nga padituria dhe mjerimi. Ne, shokët e tij, qëndronim jashtë Bashkisë duke dëgjuar nëpërmjet altoparlantit mbrojtjen e Qemal Stafës. Atëherë idetë komuniste në Shqipëri njiheshin në mënyrë mjegullore. Megjithatë, fjalët e Qemal Stafës u pritën me simpati jo për idetë komuniste, por për kurajën që pati, të shpallte haptazi idetë e tij, të cilat e dinte mirë se do ta mbërthenin në burg. Qemal Stafa ishte me të vërtetë komunist. Mori pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor 1941. U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj dhe u ngarkua me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të saj të organizatës së Rinisë Komuniste, e cila u formua më 23 nëntor 1941. E përsëris, ai ishte një komunist i bindur, por si komunist ai ishte ushqyer me literaturën marksiste që botonte Partia Komuniste Frënge. Ai adhuronte elitën intelektuale të asaj kohe, e cila anonte nga idetë humane të majta. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhte me të, po të mos kishte rënë dëshmor, mbasi jeta e tij u ndërpre më 5 maj 1942 kur Partia Komuniste nuk kishte në program vendosjen e diktaturës së proletariatit, por rimëkëmbjen e pavarësisë së humbur dhe vendosjen në Shqipëri të regjimit demokratik popullor. Nuk ka fallxhor në botë që të thotë se çfarë do të ndodhte me të pas luftës kur në Shqipëri u vendos diktatura staliniane. Historia ka të drejtë të flasë për të derisa ai ra dëshmor në luftën për çlirimin e atdheut dhe për vendosjen e një regjimi demokratik. Qemal Stafa nuk ka përgjegjësi për ato që ndodhën në Shqipëri pas Luftës Nacional Çlirimtare.
Ata që nuk e dinë, le ta mësojnë se më 5 maj 1942 Qemal Stafa kur u rrethua brenda në Tiranë nga milicia fashiste e Mustafa Krujës, nuk u dorëzua. Ai nxori revolen dhe hapi zjarr me qëllim që t’i jepte mundësi shokëve dhe shoqeve që ndodheshin në atë banesë të largoheshin nga oborri i prapmë i saj. Shkëmbimi i armëve vazhdoi gati një orë deri sa ai më në fund dha jetën burrërisht dhe trimërisht. Kush ka jetuar në Tiranë atë ditë e mban mend mirë tronditjen që pësoi kryeqyteti kur mori vesh se po zhvillohej një luftë mes milicisë fashiste të Mustafa Krujës dhe atij çunaku të vitit 1939, i cili provoi se nuk kishte vetëm guxim politik por edhe kurajo luftarake. Nuk besoj se është harruar se 70 vjet më parë, në 5 maj 1942 kur u hap lajmi se Qemal Stafa ra dëshmor, tregu i Tiranës u mbyll në shenjë nderimi ndaj tij. Është e tepërt të thuhet se ky respekt buronte nga adhurimi që kishin qytetarët e Tiranës për heronjtë e luftës patriotike, e cila pavarësisht se ka hyrë në histori me emrin Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, ishte në thelb një luftë e mirëfilltë patriotike Shqipëri. Kush guxon ta përbuzë emrin e Qemal Stafës, ai mohon gjakun e atyre mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Nëse Qemal Stafa duhet përbuzur se ishte komunist, atëherë ne duhet të përbuzim të gjithë ata komunistë që i shërbyen komunizmit. Nëse Qemal Stafa u bë simbol i Lufta Nacional Çlirimtare nuk e ka fajin Partia Komuniste. Fajin e kanë partitë nacionaliste Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit të cilat nuk nxorën nga radhët e tyre heronj të staturës së Qemal Stafës apo të Vojo Kushit, qoftë edhe të staturave më të vogla.
*Shkrim i vitit 2012
Komentet