VOAL

VOAL

Trump – Poroshenkos: SHBA do punojë ta rikthejë paqen në Ukrainë

February 5, 2017

Komentet

Gjyqi ndaj zotit Trump, ish-avokati i tij Michael Cohen pranon se shpesh ka gënjyer

VOA/Ken Bredemeier

Michael Cohen, ish avokati i zotit Trump, pranoi të enjten se në vitet e kaluara ai shpesh ka gënjyer, duke i thënë një jurie në gjyqin penal të ish-presidentit në Nju Jork se në disa raste ai ka gënjyer për të ndihmuar zotin Trump dhe në raste të tjera për të mbrojtur familjen e tij.

Përmes pyetjeve të shumta, avokati mbrojtës i ish Presidentit Trump, Todd Blanche u përpoq ta portretizonte zotin Cohen, dëshmitarin kyç të prokurorisë, si një njeri të cilit nuk mund t’i besohet, se në thelb ai është i pandershëm, mashtrues dhe i dyshimtë.

Në një rast, zoti Cohen përmendi gënjeshtrat gjatë një dëshmie para një Komisioni të Kongresit për një projekt të planifikuar të ndërtimit të Kullës Trump në Moskë, që nuk u realizua kurrë.

Michael Cohen tha se gënjeshtrat kishin për qëllim të ndihmonin zotin Trump në atë kohë, por avokati Blanche e pyeti atë: “E dije që po gënjeje?”

“Po”, u përgjigj zoti Cohen.

Në një rast tjetër, zoti Cohen tha se ai gënjeu një gjykatës federal në një çështje evazioni fiskal, sepse donte të mbronte bashkëshorten e tij, Laura. Ai gjithashtu tregoi për gënjeshtra që u kishte thënë në kohë të ndryshme hetuesve që kërkonin të hetonin veprimet e tij dhe të zotit Trump para dhe gjatë presidencës së tij, që zgjati nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Avokati Blanche sugjeroi se zoti Cohen gjithashtu gënjeu kur mohoi se kishte kërkuar falje presidenciale nga ish Presidenti Trump përpara se ai të largohej nga detyra. Zoti Cohen u përgjigj duke thënë se ai e kishte eksploruar idenë vetëm me avokatin e tij, por nuk e kishte ngritur këtë çështje me zotin Trump.

Michael Cohen është dëshmitari i 19-të dhe i fundit i prokurorisë kundër zotit Trump dhe u paraqit në fund të katër javëve të dëshmisë në gjyqin e parë penal ndaj një presidenti amerikan.

Avokati Blanche është përpjekur t’i tregojë jurisë 12 anëtarëshe se zoti Cohen, i cili u kthye kundër ish Presidentit Trump pasi ishte mik i tij besnik për vite, ishte pjesërisht i motivuar nga hakmarrja sepse zoti Trump nuk e emëroi atë në një pozicion të lartë në administratën e tij kur ai ishte President.

Zoti Cohen tha se ai dëshironte postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të zotit Trump dhe e pranoi se i kishte thënë vajzës së tij se ishte i zhgënjyer kur ai nuk u emërua në këtë post. Ai tha se ishte avokati personal i zotit Trump gjatë 15 muajve të parë të presidencës së tij, por bëri pak punë ligjore për të.

Avokati Todd Blanche luajti një kasetë të zotit Cohen, në të cilën ai dëgjohet duke festuar me gëzim në një program të tij për lajmin mbi padinë ndaj zotit Trump në Nju Jork një vit më parë.

Në kasetë, zoti Cohen dëgjohet duke thënë se shpresonte “që ky njeri të përfundonte në burg” dhe “të kalbet brenda për atë që më bëri mua dhe familjes time”.

Avokati Todd Blanche u përpoq të nënvlerësonte dëshminë e zotit Cohen në fillim të kësaj jave se ish Presidenti Trump e kishte miratuar pagesën prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me zotin Trump.
Kjo është java e katërt e procesit. Megjithatë ka ende dy pikëpyetje të mëdha. Së pari nëse zoti Trump do të dëshmojë për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka thënë se dëshiron të dalë si dëshmitar, por nuk dihet nëse do ta bëjë vërtet këtë. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse mbrojtja do të sjellë ndonjë dëshmitar dhe sa mund të sjellë.

Ish Presidenti ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me aktoren Daniels dhe po ashtu është shprehur i pafajshëm për të 34 akuzat që rëndojnë ndaj tij, nga ato për kundërvajtje, e deri në vepra penale të dënueshme me deri katër vjet heqje lirie.

Të premten nuk do të vazhdojë gjyqi, sepse ish Presidenti Trump do të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të djalit të tij Barron, në një shkollë të mesme në Florida. Marrja në pyetje e zotit Cohen nga avokati Todd Blanche rifillon të hënën.

A do ta besojë juria Michael Cohenin?

VOA/Marrë nga Associated Press

Në Nju Jork po vazhdon procesi gjyqësor penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Ish avokati i tij, Michael Cohen u rikthye në sallën e gjyqit sot, pasi dha një dëshmi prej gati 9 orësh ditën e martë. Ai është dëshmitari i fundit, por njëkohësisht edhe dëshmitari kyç i prokurorisë në çështjen në ngarkim të ish-Presidentit.

Në qendër të gjyqit ndaj ish Presidentit Trump është shuma prej 130,000 dollarësh, me të cilën Michael Cohen pagoi aktoren e filmave pornografikë Stormey Daniels, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar seksuale me zotin Trump.

Donald Trump akuzohet se falsifikoi të dhënat e biznesit gjatë rimbursimit të zotin Cohen në vitin 2017. Zoti Cohen e kishte paguar me fondet e tij zonjën Daniels. Rimbursim u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë së presidentit Trump.

Marrja në pyetje e zotit Cohen paraqet një moment kyç për avokatët mbrojtës të zotit Trump, sepse duhet të bindin anëtarët e jurisë se ai nuk duhet besuar. Deri më tani, mbrojtja ka argumentuar se synimi i zotit Cohen është të hakmerret ndaj ish-presidentit dhe se është i gatshëm të thotë gjithshka vetëm e vetëm që zoti Trump të shkojë pas hekurave.

Të martën zoti Cohen tha se ai i dëshiron që zoti Trump të dënohet.

Në dëshmi, ndër të tjera, ai u shpreh se ish presidenti ishte i zemëruar për faktin që ish-aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels, po përpiqej ta shiste në vitin 2016 historinë e saj, mbi një takim të dyshuar seksual me të. Zoti Cohen tha se zoti Trump i kishte thënë se, nëse historia bëhej publike, do t’i shkaktonte një dëm serioz fushatës së tij për t’u zgjedhur.

Akuza thotë se mashtrimi me të dhënat e biznesit nga ana e zotit Trump për rimbursimin që i bëri ish avokatit Cohen synonte të ndikonte fushatën zgjedhore dhe përbën krim penal.

Kjo është java e katërt e procesit. Megjithatë ka ende 2 pikëpyetje të mëdha. Së pari nëse zoti Trump do të dëshmojë për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka thënë se dëshiron të dalë si dëshmitar, por nuk dihet nëse do ta bëjë vërtet këtë. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse mbrojtja do të sjellë ndonjë dëshmitar dhe sa mund të sjellë.

Ish Presidenti ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me aktoren Daniels dhe po ashtu është shprehur i pafajshëm për të 34 akuzat që rëndojnë ndaj tij, nga ato për kundërvajtje, e deri në vepra penale të dënueshme me deri katër vjet heqje lirie.

Gjyqi ndaj tij po shkon drejt fundit dhe procesi ka një rëndësi të madhe politike duke marrë parasysh se zoti Trump pritet të jetë i emëruari i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të 2024.

Cohen, dëshmitari kryesor merret në pyetje nga avokati mbrojtës i zotit Trump

VOA/Ken Bredemeier

Ish avokati i Donald Trumpit, Michael Cohen, dëshmitari kryesor në gjyqin kundër ish-presidentit në Nju Jork, tha të martën se ai dëshiron që zoti Trump të dënohet.

Ndërsa merrte në pyetje zotin Cohen, avokati mbrojtës i ish presidentit, Todd Blanche e portretizoi atë si një besnik të zotit Trump, i cili për vite të tëra bëri gjithçka që zoti Trump donte, përpara se t’i kthehej kundër në vitin 2018.

Ish avokati Cohen, tha zoti Blanche, është ende i fiksuar pas zotit Trump, fiton para duke shitur mallra anti-Trump dhe libra që ai ka shkruar për ish presidentin dhe duket se synon të hakmerret ndaj tij.

“A dëshironi që Presidenti Trump të dënohet në këtë rast? e pyeti avokati zotin Cohen.

“Sigurisht”, u përgjigj ai.

Gjatë rreth nëntë orëve të marrjes në pyetje gjatë dy ditëve nga prokurorja Susan Hoffinger, zoti Cohen i tha një jurie prej 12 anëtarësh se ndërsa votuesit shkonin drejt qendrave të votimit në zgjedhjet e vitit 2016, zoti Trump u përpoq të ndikonte rezultatin duke e urdhëruar atë të bënte një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografik, Stormy Daniels.

Qëllimi, tha zoti Cohen, ishte që pretendimi i saj për një lidhje seksuale me zotin Trump, para rreth një dekade, të mbahej i fshehtë. Ish Presidenti Trump ka mohuar lidhjen me të, si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në Nju Jork në gjyqin e parë penal të një presidenti amerikan.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të lihet i lirë me kusht, ose të dënohet deri në katër vjet burg.

Zoti Trump, kandidati i pritshëm republikan për President në zgjedhjet e këtij viti, akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur rimbursimin prej 130,000 dollarësh për zotin Cohen në vitin 2017, i cili e kishte paguar me fondet e tij zonjën Daniels. Rimbursim u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë së presidentit Trump.

Zoti Cohen tha se ish presidenti e miratoi dy herë rimbursimin e pagesës. Në një prej rasteve, sipas tij, takimi u bë në Shtëpinë e Bardhë, tri javë pasi zoti Trump kishte marrë detyrën në janar të vitit 2017.

Në vitin 2018, ish avokati personal i zorit Trump, u kthye në armik të tij. Ai u kërkoi falje publike amerikanëve “që i kishte gënjyer, që kishte fshehur informacionin që qytetarët duhet ta kishin në mënyrë që të vendosnin se kush duhet të ishte president i vendit.

Zoti Cohen megjithatë është një dëshmitar problematik për prokurorinë, pasi ai vetë është shpallur fajtor nën disa akuza. Një nga akuzat ishte shkelja e rregullave të financimit të fushatës zgjedhore dhe dhënia e dëshmisë së rremë para një Komisioni të Kongresit rreth një marrëveshje të mundshme për një ndërtesë që kompania e ish Presidentit Trump do të ndërtonte në Moskë, por që nuk u krye asnjëherë.

Ai qëndroi 13 muaj e gjysmë në një burg federal dhe një vit e gjysmë në burg shtëpiak.

Zoti Trump dukej se mbante sytë mbyllur gjatë dëshmisë së zotit Cohen dhe më pas u tha gazetarëve se “mendoj se ishte një ditë e mirë”.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati mbrojtës i zotit Trump, zoti Cohen tha se kur zoti Trump filloi angazhimin në politikë në vitin 2015 “unë e adhuroja atë pa masë”.

Ai tha se zoti Trump e paguante 375 mijë dollarë në vit dhe një bonus vjetor prej 150 mijë dollarësh, me përjashtim në vitin 2016.

“Në atë kohë unë isha thellësisht i përfshirë në kultin e Donald Trumpit”, tha zoti Cohen dhe shtoi, “unë nuk gënjeja, por ashtu ndjehesha”. Ai tha se kishte shkuar deri aty sa ishte i gatshëm të vritej për njeriun që e thërriste “Bosi” dhe se e shihte zotin Trump dhe të afërmit e tij të ngushtë si familjen e tij.

Por kjo ndryshoi pasi agjentët e FBI-së bastisën shtëpinë e tij të atëhershme, një dhomë hoteli në Nju Jork, në prill të vitit 2018, disa muaj, pasi u bë publike pagesa që zoti Cohen kishte bërë për zonjën Daniels.

Agjentët sekuestruan telefonat e tij celularë dhe shumë nga dokumentet e tij, tha zoti Cohen.

Ai tha se ishte i frikësuar nga bastisja, por ish Presidenti Trump i tha: “Mos u shqetëso. Unë jam Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Nuk ka asgjë këtu. Gjithçka do të jetë në rregull. Qëndro i fortë. Do të jesh NË RREGULL”.

Zoti Cohen tha se kjo ishte hera e fundit që ka folur me ish presidentin dhe së shpejti zoti Trump dhe aleatët e tij filluan të mos paguanin faturat ligjore të zotit Cohen për ta mbrojtur atë. Ai tha se ai u kthye kundër zotit Trump, pasi gruaja dhe fëmijët e tij e pyetën pse po i qëndronte besnik atij.

“Familja ime, bashkëshortja, vajza ime, djali im, të gjithë më thanë: “Pse po vazhdon me këtë besnikëri? Çfarë po bën? Ti duhet të jesh besnik fillimisht ndaj nesh”.

“Kam marrë një vendim bazuar në bisedën që kam pasur me familjen, se nuk do të gënjej më për Presidentin Trump”, dëshmoi ai.

Ndërsa zoti Cohen e pranoi fajësinë për disa prej akuzave në vitin 2018, ish Presidenti Trump shkroi në rrjetin social “Twitter”, se “nëse dikush ka nevojë për një avokat të mirë, do të sugjeroja që të mos kërkoni shërbimet e Michael Cohen-it!”.

Avokati i zotit Trump, Blanche e pyeti zotin Cohen nëse në shkurt të vitit 2019 ai kishte hequr dorë nga besnikëria ndaj zotit Trump kur i tha një komisioni të Kongresit se, ish Presidenti ishte “një mashtrues dhe ju duhet të keni turp” për mbështetjen që i keni dhënë.

“Po, e kam thënë”, e pranoi zoti Cohen.

Kohët e fundit, tha zoti Cohen, ai ka shkruar dy libra në lidhje me zotin Trump, nga të cilat ka fituar 3.4 milionë dollarë. Ai gjithashtu ka shitur mallra që përmbajnë mesazhe anti-Trump në faqen e tij të internetit si një bluzë që kishte të vizatuar ish Presidentin me veshje burgu dhe me pranga. Ai po ashtu ka shitur edhe filxhanë kafeje me mbishkrimin: “Dërgojeni atë në burg, jo në Shtëpinë e Bardhë”.

Zoti Blanche pyeti zoti Cohen, nëse duke folur në emisionin e tij në formatin ‘podkast’, e ka quajtur zotin Trump një “mizogjinist karikaturash”.

“Kjo tingëllon si diçka që unë do të thoja”, tha zoti Cohen.

Zoti Blanche e pyeti nëse zoti Cohen a e ka quajtur ish Presidentin Trump një “personazh djallëzor të filmave vizatimorë”.

“Kjo gjithashtu tingëllon si diçka që unë e kam thënë”, u përgjigj zoti Cohen.

Zoti Blanche tha se zoti Cohen bën sikur nuk i kujtohen bisedat e shumta të kohëve të fundit me prokurorët, që i kanë kërkuar t’u japë fund sulmeve ndaj zotit Trump gjatë gjyqit, por është në gjendje të kujtojë bisedat e vitit 2016 me ish presidentin për pagesën që i ka bërë zonjës Daniels për të blerë heshtjen e saj.

“Më kujtohen të gjitha bisedat telefonike me zotin Trump në atë kohë, po”, dëshmoi zoti Cohen.

Të mërkurën nuk ka seancë gjyqësore. Avokati mbrojtës i zotit Trump do të vazhdojë ta marrë në pyetje zotin Cohen të enjten.

Çështja është drejt përfundimit. Prokurorët thanë se zoti Cohen ishte i fundit nga 19 dëshmitarët e tyre, ndërsa ekipi i zotit Trump tha se kishte një dëshmitar ekspert për të dëshmuar në mbrojtje të tij, megjithëse tema se për çfarë do të ofrohet dëshmia nuk është bërë e ditur.

Pyetja më e rëndësishme është nëse zoti Trump do të dëshmojë për të ofruar versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka thënë se dëshiron të dalë si dëshmitarë, por nuk dihet nëse do ta bëjë vërtet këtë.

Nëse zoti Trump vendos të dëshmojë, gjyqtari i çështjes, Juan Merchan ka bërë të ditur tashmë se do t’i lejojë prokurorët ta pyesin atë edhe për dy çështjet civile që ai humbi në muajt e fundit, për të cilat është dënuar me gjoba qindra milionë dollarëshe.

Vetëm një i afërm i zotit Trump, djali i tij i dytë Eric, është paraqitur herë pas here në gjyq.

Por procesi është bërë gjithnjë e më i politizuar. Zoti Trump inkurajon mbështetësit kryesorë republikanë të shkojnë në Nju Jork dhe të ulen në sallën e gjyqit për të shfaqur mbështetjen për të.

Senatorët Tommy Tuberville dhe J.D. Vance ishin në gjyq të hënën dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson u paraqit të martën.

Zoti Johnson e quajti gjyqin një proces mashtrues dhe e karakterizoi zotin Cohen si “një njeri që ka mision të qartë për hakmarrje personale dhe që njihet gjerësisht si një dëshmitar që ka probleme me të vërtetën”.

Vodhën 25 milionë dollarë kripto për 12 sekonda – arrestohen dy vëllezër, talente në IT

Dy vëllezër që kanë studiuar në një nga universitetet më prestigjioze në SHBA janë akuzuar për vjedhjen e 25 milionë dollarëve në kriptovaluta në 12 sekonda.

Anton Peraire-Bueno, 24 vjeç dhe James Peraire-Bueno, 28 vjeç, akuzohen për mashtrim dhe pastrim parash.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se grabitja është e para e këtij lloji.

Prokurorët thonë gjithashtu se të dy janë arsimuar në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) dhe e kanë përfunduar në prill 2023.

“Vëllezërit Peraire-Bueno vodhën 25 milionë dollarë në kriptomonedhën Ethereum përmes një skeme teknologjikisht të sofistikuar, që ata e thurën për muaj të tërë dhe e ekzekutuan në sekonda”, tha zëvendësprokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco.

Ajo shtoi se agjentët nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) luajtën një rol kyç në zbulimin e “skemës së parë të këtij lloji të mashtrimit dhe pastrimit të parave”.

Prokurorët pretendojnë se të dy përdorën aftësi shumë të specializuara që i mësuan në “një nga universitetet më prestigjioze në botë” për të shfrytëzuar procesin e Ethereum për vërtetimin e transaksioneve.

Vëllezërit studiuan matematikë dhe shkenca kompjuterike, sipas aktakuzave, dhe të dy ndoqën MIT, sipas raporteve të lajmeve.

“Skema e të pandehurve vë në pikëpyetje vetë integritetin e blockchain,” tha në një deklaratë të mërkurën avokati amerikan Damian Ëilliams, duke iu referuar librit publik që regjistron pagesat me kripto.

Vëllezërit dyshohet se vodhën nga tregtarët e Ethereum duke fituar me mashtrim akses në transaksionet private në pritje dhe më pas duke ndryshuar transaksionet për t’u marrë kriptomonedhën e viktimave të tyre.

Procesi, të cilin hetuesit thonë që ata i referoheshin si “akt heroik”, deshii vetëm disa sekonda për t’u ekzekutuar.

Kur u përballën me një përfaqësues të Ethereum, zyrtarët thonë se vëllezërit nuk pranuan të kthenin fondet dhe morën masa për t’i pastruar dhe fshehur fitimet e tyre të vjedhura.

Prokurorët vënë në dukje se kjo është hera e parë që një formë e tillë “risi” e mashtrimit është objekt i akuzave penale.

Secili prej tyre përballet me mbi 20 vjet burg nëse shpallen fajtorë. sn

Sekretari Blinken: Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitojnë Murin e Përkujtimit për të Rënët e luftës në Kiev, më 15 maj, 2024/AP

 

VOA

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dha një mesazh të fuqishëm të përkrahjes gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në Ukrainë, që sipas korrespondentes të Zërit të Amerikës, Cindy Saine, po bëhet në përpjekje për të treguar solidaritet ndërkohë që forcat ukrainase po përballen me sulme të fuqishme të ushtrisë ruse në lindje të vendit. Sekretari Blinken sot njoftoi për një ndihmë të re prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës një ndihmë ushtarake prej 2 miliardë dollarësh.

“Kjo është hera e parë që kemi një fond zhvillimi për mbrojtjen. Ai përmban tre pjesë. Njëra do t’i ndihmojë Ukrainës të sigurojë armët menjëherë. E dyta ka të bëjë me investimet në industrinë e mbrojtjes të Ukrainës, për të forcuar edhe më shumë kapacitetin e saj për të prodhuar armët që i duhen, por edhe për të prodhuar për nevojat e të tjerëve. Dhe së fundi, që ky fond t’i mundësojë Ukrainës të blejë pajisje ushtarake nga shtetet e tjera, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara,” thotë ai.

Sekretari Blinken gjatë ditës së martë iu bashkua një grupi muzikor ukrainas në një klub nën tokë, duke i rënë kitarës dhe kënduar këngën “Rockin’ in the Free World”.

Para se të këndonte, Sekretari Blinken iu drejtua të pranishmëve.

“Shtetet e Bashkuara janë me ju, pjesa dërmuese e botës është me ju. Po luftojnë, jo vetëm për Ukrainën, por për botën e lirë. Dhe bota e lirë është gjithashtu me ju,” tha Sekretari Blinken.

Kjo është vizita e parë e Sekretarit Blinken që kur Kongresi amerikan miratoi ndihmat prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën pas një vonese të gjatë. Ai i siguroi ukrainasit se ndihma do të arrijë së shpejti.

“Do t’iu ndihmojmë që të përballoni sulmet e Rusisë, që t’ia bëni më të vështirë që t’ju sulmojë dhe që ta mbajmë Detin e Zi të hapur në mënyrë që të vazhdoni ta rrisni ekonominë dhe të vazhdoni ta ushqeni botën. E dimë që koha është e rëndësisë kritike. Prandaj Presidenti Biden vendosi që municionet, makinat e blinduara, raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të niseshin për në Ukrainë menjëherë pasi Kongresi miratoi ndihmën tonë të madhe,” deklaroi ai.

Një eksperte i tha Zërit të Amerikës se aktualisht Rusia po përparon në frontin e luftës.

“Aktualisht Rusia është në një moment epërsie politike, pas fillimit të mandatit të ri të Vladimir Putinit, për shkak të Ditës së Fitores dhe faktit se ekziston një dritare mundësie për Rusinë gjatë majit dhe qershorit për të përparuar në vijën e frontit dhe për të ndryshuar realitetin në terren,” tha zonja Kristine Berzina pranë Fondit Gjerman Marshall.

Edhe një ekspert tjetër pajtohet, por thotë se është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se as Rusia nuk është afër fitores në luftën kundër Ukrainës.

 

“Rusia është po aq larg fitores, cilido qoftë përcaktimi i saj për fitoren, siç ishte edhe para gjashtë muajsh, apo para një a dy vitesh,” theksoi zoti Michael Kimmage nga Universiteti Katolik i Amerikës.

Sekretari Blinken gjithashtu vizitoi Murin e Përkujtimit për të Rënët e luftës në Kiev.

Kryeministri suedez i hapur për pranimin e armëve bërthamore

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, gjatë një konference për media të mbajtur në Departamentin amerikan të Shtetit më 7 mars 2024.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se është i hapur që të lejojë dislokimin e armëve bërthamore në tokën suedeze në kohë lufte, teksa kritikët i kanë bërë thirrje anëtares së re të NATO-s që të ndalojë një dislokim të tillë.

Parlamenti i Suedisë pritet që në qershor të votojë për Marrëveshjen për bashkëpunim të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, që do t’i mundësojë Uashingtonit qasje në bazat ushtarake në Suedi dhe do të lejojë ruajtjen e pajisjeve ushtarake dhe armëve në shtetin skandinav.

Suedia iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s në mars të këtij viti.

Në javët e fundit janë rritur thirrjet nga Shoqata suedeze për Paqe dhe Arbitrazhit dhe të tjerë, që Qeveria të përfshijë në Marrëveshjen për bashkëpunim të mbrojtjes me SHBA-në se Suedia nuk do të lejojë armë bërthamore në tokën e saj.

Qeveria suedeze vazhdimisht ka insistuar se nuk ka nevojë që ta ketë në këtë shkruar këtë ndalesë, duke u thirrur “në konsensusin e gjerë” në Suedi sa i përket armëve bërthamore, por edhe në vendimet e Parlamentit që ndalon armët bërthamore në Suedi edhe në kohë paqeje.

Por, Kristersson tha të hënën se kur bëhet fjalë për kohë lufte, është diçka tjetër.

“Lufta është një çështje krejt tjetër, do të varej krejtësisht nga çfarë do të ndodhte”, tha ai për radion publike suedeze.

“Në skenarin më të keq, shtetet demokratike në pjesën tonë të botës duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten kundër shteteve që na kërcënojnë ne me armë bërthamore”.

Ai insistoi se çdo vendim për dislokimin e armëve bërthamore në Suedi do të merret nga Suedia, e jo SHBA-ja.

“Suedia vendos për territorin suedez”, tha ai.

Por, ai theksoi se “i gjithë qëllimi i anëtarësimit tonë në NATO dhe i mbrojtjes sonë është që të sigurohemi që të mos kemi një situatë të tillë”.

Nëse Ukraina do të ishte anëtare e NATO-s, “nuk do të sulmohej nga Rusia”, tha ai.

Partia Social Demokrate e Suedisë, që ishte në pushtet kur Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022, atëbotë deklaroi se do të punonte për të shprehur “rezervat tona kundër dislokimit të armëve bërthamore dhe bazave të përhershme në territorin suedez”.

Shtetet fqinje nordike, Danimarka dhe Norvegjia që janë anëtare të NATO-s, kanë refuzuar që të lejojnë shtetet e huaja të kenë baza të përhershme ushtarake në territoret e tyre apo të dislokojnë armë bërthamore në kohë paqeje. REL

Eksperti amerikan Prof.Edward P.Joseph: Presidentja Osmani të pilotojë Kosovën në KiE, hap transformues për Kosovën dhe rajonin

 

Pas daljes në rrjetin social të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani duke pilotuar një helikopter Dell dhe ndërsa ka dyshime rreth futjes në agjendë të Kosovës për t’u votuar më 16 maj si anëtare në KiE, ka reaguar eksperti Amerikan i mirënjohur Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington në rrjetin X si më poshtë:

Si një ish-pilot i helikopterit të Ushtrisë – i cili u vendos me NATO/IFOR në Bosnje-Hercegovinë – jam i emocionuar kur shoh Presidentja Osmani duke fluturuar me këtë helikopter Bell. (Kam fluturuar me UH-1, gjithashtu një helikopter Bell.) Unë po llogaris që Presidentja Osmani të pilotojë #Kosovën në Këshillin e Evropës! Një hap transformues për të gjithë qytetarët e Kosovës — dhe për rajonin.”

Presidentja e Kosovës nderohet nga qyteti Forth Worth i Teksasit

Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentes Vjosa Osmani, e cila ndodhet në SHBA për takime zyrtare, i është dhuruar vendimi i qytetit Forth Worth me të cilin nderohet dhe kremtohet pavarësia e Kosovës

Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas, ka takuar nënkryetaren e qytetit Fort Worth, Gyna M. Bivens. Në një ceremoni të organizuar, Presidentja Osmani ka pranuar vendimin e qytetit Fort Worth, me të cilin nderohet dhe shënohet 17 shkurti- dita e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë vendim thuhet se qyteti i Fort Worth do t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve që jetojnë aty për ta kremtuar ditën e pavarësisë së Kosovës. sn

Publikohet libri që besohet se paraqet përqasjen e zotit Trump për sigurinë kombëtare

VOA/Marrë nga Associated Press

Disa nga idetë që janë pjesë e librit tregojnë se ndihmat e ardhshme për Ukrainën do të kushtëzohen nga pjesëmarrja e Kievit në bisedimet për paqe me Rusinë. Një tjetër pikë thotë se shtetasve kinezë do t’u ndalohet e drejta të blejnë prona brenda një hapësire prej 80 kilometrash nga ndërtesat e qeverisë amerikane. Libri gjithashtu thotë se në sektorin e sigurisë kombëtare duhet të emërohen vetëm bashkëpunëtorët e Donald Trump-it.

Një nga disa grupet që kanë lidhje me ish-presidentin amerikan dhe që përpiqen të hedhin bazat për një administratë të dytë të zotit Trump, nëse kandidati i pritshëm republikan fiton në nëntor, ka publikuar një libër të ri përmes së cilit synon të artikulojë axhendën e ardhshme të sigurisë kombëtare që në qendër ka politikat e institutit të së djathtës së skajshme ‘America First’.

Agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ njofton se disponon një kopje të librit, ndërsa publikimi i tij do të bëhet të enjten. Ashtu si “Projekti 2025″ i Fondacionit ‘Heritage’, Instituti ‘America First’ po bën përpjekje të ndihmojë zotin Trump të shmangë gabimet e vitit 2016, kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë kryesisht i papërgatitur.

Projekti i institutit në fjalë ka punuar për të hartuar dhjetëra urdhra ekzekutivë dhe për të hartuar një program përgatitor për të emëruarit e ardhshëm politikë. ‘Heritage’ ka ndërtuar një bazë të dhënash të personelit dhe ka ofruar programet e veta të politikave.

Të dy grupet theksojnë se janë të pavarur nga fushata e zotit Trump, e cila është përpjekur vazhdimisht të distancohet nga publikime të tilla. Zyrtarët e ekipit elektoral të zotit Trump këmbëngulin se të vetmet politika të mbështetura nga ish-presidenti janë ato që kandidati republikan i artikulon vetë.

Megjithatë Fred Fleitz, redaktori i librit, vuri në dukje se ai dhe gjenerali në pension Keith Kellogg, i cili shërbeu për një kohë si ushtrues i detyrës së këshilltarit të zotit Trump për sigurinë kombëtare dhe shkroi disa nga kapitujt e librit, kanë qenë në kontakt të shpeshtë me ish-presidentin.

“Shpresojmë se këto qëndrime janë të ngjashme me ato të tij. Ne nuk po flasim në emër të tij, por unë mendoj se ai do të pajtohet me librin”, tha zoti Fleitz, i cili më parë shërbeu si drejtues në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ai tha se shpreson se libri do të shërbejë si një udhëzues për qasjen e të djathtës së skajshme “America First” për sigurinë kombëtare.

“Është një strategji e madhe”, shtoi zoti Kellogg. “Nuk fillohet puna nga politikat, por me strategjitë. Kjo është ajo që ne kemi bërë.”

Grupi vlerëson se politikat aktuale të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara janë një dështim si rezultat i qasjes “globaliste” dhe mbështetjes për ndërhyrje në konfliktet e jashtme, në kurriz të interesave kombëtare të Amerikës.

Libri ofron disa udhëzime se si një administratë e ardhshme e zotit Trump mund t’i qaset çështjeve të politikës së jashtme, siç është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Ish-presidenti Trump ka thënë se nëse do të fitonte zgjedhjet, ai do ta zgjidhte konfliktin përpara ditës së inaugurimit në janar, por nuk ka pranuar të thotë se si do ta bëjë këtë.

Kapitulli i librit mbi luftën shpenzon më shumë kohë duke diskutuar se si filloi konflikti, se sa si t’i jepet fund atij. Megjithatë, libri thotë se SHBA-ja duhet të kushtëzojë ndihmën e ardhshme ushtarake me pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedimet e paqes me Rusinë.

Ai parashikon që ushtria ukrainase do të humbasë terren me kalimin e kohës dhe këshillon që SHBA nuk duhet të vazhdojë “të dërgojë armë në një ngërç që Ukraina përfundimisht do ta ketë të vështirë ta fitojë”. Por sapo të arrihet një marrëveshje paqeje, libri thotë se SHBA-të do të vazhdojnë të armatosin Ukrainën si një pengesë për përpjekjet e tjera të Rusisë.

Autorët duket se mbështesin një kornizë në të cilën Ukrainës “nuk do t’i kërkohet të heqë dorë nga qëllimi për të rimarrë të gjithë territorin e saj”. Por Ukraina do të duhet të pajtohej me idenë “se kjo do të kërkonte një sukses të ardhshëm diplomatik që ndoshta nuk do të ndodhë para se Presidenti rus Vladimir Putin të largohet nga detyra”.

Libri e pranon se ukrainasit “do ta kenë të vështirë të pranojnë një paqe të negociuar që nuk ua kthen të gjithë territorin, të paktën tani për tani, ose pa mbajtur Rusinë përgjegjëse për gjakderdhjen që ajo shkaktoi në Ukrainë. Mbështetësit e tyre gjithashtu do ta kenë problem këtë. Por siç tha Donald Trump-i gjatë një interviste në televizionin amerikan CNN në vitin 2023, “‘Unë dua që njerëzit të mos vdesin’. Kjo është gjithashtu pikëpamja jonë. Është një hap i parë i mirë.”

Libri fajëson presidentin demokrat Joe Biden për luftën dhe përsërit pretendimin e zotit Trump se presidenti Putin nuk do të kishte nisur kurrë sulmin kundër Ukrainës nëse zoti Trump do të kishte qenë në detyrë. Argumenti i tij kryesor në mbrojtje të këtij pretendimi është se zoti Putin e shihte ish-presidentin Trump si të fortë dhe vendimtar. Në fakt, zoti Trump u afrua me udhëheqësin rus dhe hezitoi ta sfidonte atë.

Në vijim, libri sugjeron se zoti Putin mund të bindet të pranojë bisedimet për paqe nëse presidenti Biden dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s pranojnë të shtyjnë anëtarësimin në NATO të Ukrainës për një periudhë të gjatë. Libri sugjeron që Shtetet e Bashkuara në vend të kësaj duhet të krijojnë një “arkitekturë sigurie afatgjatë për mbrojtjen e Ukrainës”. Libri nuk jep asnjë shpjegim se çfarë do të nënkuptonte kjo.

Libri është kritik ndaj periudhës së tranzicionit gjatë të cilës zoti Trump merrte detyrën në vitin 2016, duke thënë se kishte mungesë të përgatitjes për këtë.

“Tranzicioni i trazuar i viteve 2016/2017 nuk i shërbeu mirë Presidentit Trump dhe kombit dhe ngadalësoi avancimin dhe zbatimin e agjendës së tij”, shkruajnë autorët. Për shembull, ata vërejnë se para zgjedhjeve, ekipi i tranzicionit të demokrates Hillary Clinton kishte paraqitur më shumë se 1000 emra për verifikimin e ardhshëm të sigurisë para se të emëroheshin, ndërsa ekipi i zotit Trump paraqiti vetëm 25 emra.

Grupi thotë se ka identifikuar afërsisht 1200 pozicione të lidhura me sigurinë kombëtare që do t’i duhet të plotësojë administrata e ardhshme dhe e nxit atë të jetë gati qysh në ditën e parë, përfshirë bashkëpunëtorët e zotit Trump që janë besnik ndaj qasjes “America First”.

“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje ndaj njerëzve apo përpjekje për të politizuar pozitat qeveritare. Ka të bëjë me sigurimin që punonjësit e qeverisë të bëjnë punën e tyre dhe ta mbajnë politikën jashtë punës së tyre”, tha zoti Fleitz.

Libri përshkruan Kinën si kërcënimin më urgjent të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Pekini, sipas librit është i etur për t’i zënë vendin Shteteve të Bashkuara si fuqia kryesore e botës. Libri propozon një politikë të ashpër që mbështetet në qasjet si gjatë viteve të presidencës Trump ashtu edhe nga administrata e presidentit Biden, me qëllim që t’i bëjë politikat e Pekinit “përgjithësisht pa ndonjë vlerë për amerikanët”.

Libri rekomandon gjithashtu një kontroll më rigoroz të kompanive kibernetike dhe teknologjike në pronësi të kundërshtarëve të SHBA-së, veçanërisht Kinës, për t’u siguruar që nuk po mbledhin informacione konfidenciale. Ai gjithashtu rekomandon që shtetasve kinezë t’u ndalohet blerja e pronave brenda një hapësire prej 80 kilometrash nga çdo pronë e qeverisë amerikane.

Libri bën thirrje për kufizime vizash për studentët kinezë që dëshirojnë të studiojnë në Shtetet e Bashkuara dhe për ndalimin e platformës për shpërndarjen e videove ‘TikTok’ dhe aplikacioneve të tjera kineze për shkak të shqetësimeve për privatësinë e të dhënave personale. Ish-presidenti Trump, megjithatë, është shprehur kundër një ligji që do të detyronte shitjen e platformës ‘TikTok’, ose do të bllokonte qasjen në të të amerikanëve.

Pikëpamjet e analistëve për atë se si duket një politikë e bazuar tek parimet e përqasjes “America First” shpesh pasqyrojnë qëndrimet personale të shkrimtarëve.

Për Ellie Cohanim, ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit të zotit Trump, e ngarkuar me monitorimin dhe luftimin e antisemitizmit, “America First” duket më shumë si një listë me objektiva të dëshiruara nga ushtria izraelite.

SHBA duhet t’i dërgojnë Izraelit një skuadrilje me aeroplanë F-35 të firmës “25 Lockheed Martin”, një skuadrilje të avionëve F-15 EX të firmës Boeing dhe një skuadrilje helikopterësh sulmues “Apache E”, shkroi zonja Cohanim.

SHBA duhet t’i japë Izraelit disa nga miliarda dollarët e saj nga fondet ushtarake në monedhën izraelite, në mënyrë që Izraeli t’i shpenzojë ato brenda vendit. Uashingtoni gjithashtu duhet t’i shtyjë shtetet arabe të mbulojnë shpenzimet për rindërtimin e Gazës dhe të pranojnë që Izraeli të lërë mënjanë dialogun politik me palestinezët në pritje të një periudhe të pacaktuar deradikalizimi të detyrueshëm për popullin palestinez, shkroi ajo.

Vjosa Osmani takim me George W. Bush, Presidentja: Mbetet mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me ish presidentin amerikan George W. Bush, duke e cilësuar këtë të fundit si ” lajmëtar dhe avokues për pavarësinë e Kosovës”.

Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar për takimin me ish-presidentin Bush, duke përkujtuar thënien e tij gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007.

“’Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur’, është fraza paralajmëruese për pavarësinë e Kosovës, e Presidentit George W. Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur dhe sovrane”, shkroi Osmani.

“Kënaqësi që takova lajmëtarin e pavarësisë së Kosovës, Presidentin Bush, i cili ishte një avokues i vendosur për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbetet një mik dhe mbështetës i popullit të Kosovës”, ka shkruar presidentja Osmani. sn

Escobar për çështjen e KiE: Ka pasur shqetësime për Asociacionin, Kosova t’i dëgjojë dhe të punojë me partnerët evropianë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Gjatë një bisede me gazetarë, Escobar tha se çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetin serb, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme.

“Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, tha Escobar më 8 maj.

Ai tha se SHBA-ja nuk ka votë në këtë organizatë evropiane për të drejtat e njeriut, por qëndrimi i Uashingtonit është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara “dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”.

“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë aleatët e saj evropianë dhe të punojë me aleatët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën në të gjitha strukturat euroatlantike”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më herët gjatë 8 majit se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE.

Kosova veçse ka kaluar dy faza në rrugën drejt pranimit në KiE. Megjithatë, vendimi final për pranimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë mund të merret më 16 maj, kur të takohen ministrat e Jashtëm të kësaj organizate.

Që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare.

I pyetur nëse çështja e Asociacionit dhe Këshillit të Evropës janë çështje të lidhura, Escobar tha se “janë shumë të lidhura”.

“Mendoj se janë shumë të lidhura. Së pari, Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve dhe Kosova ka bërë zotim të qartë për trajtimin e minoriteteve dhe kjo përfshin edhe Asociacionin. Ky është një zotim i kamotshëm që është i shkruar edhe në Planin e Ahtisaarit, është i shkruar në Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit”, tha Escobar.

“Ne e kemi të vështirë ta kuptojmë pse Kosova nuk e përmbushë obligimin e saj ligjor dhe nuk ka sinjalizuar se është e përkushtuar që ta bëjë këtë. Shqetësimi ynë është se pas pranimit [të Kosovës në KiE] vetëm do të kishte më shumë vonesa [për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin] dhe këtë gjë e besojnë disa”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe më pas më 2015 për themelimin e Asociacionit.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk kishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që themelojë Asociacionin. Vitin e kaluar, bashkësia ndërkombëtare i paraqiti Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin.

Palët fillimisht e pranuan draft-statutin, por ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij.

Gjatë kësaj bisede virtuale me gazetarë, Escobar, që në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij. Ai tha se posti ishte 2-vjeçar, por kishte kërkuar edhe një vit shtesë me shpresën që do të bëhej përparim drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sepse vërtetë kam besuar që deri në fund të këtij viti ne do të kishim më shumë përparim në Marrëveshjen e Ohrit, se do të kishim zbatim të plotë të disa kërkesave për Serbinë dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe që do të ishim në gjendje ta sillnim Kosovën më afër integrimit evropian përmes Partneritetit për Paqe dhe kandidaturës për BE.

Ai fajësoi Kosovën dhe Serbinë për dështim të përmbushjes së zotimeve të tyre që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të saj, që palët arritën vitin e kaluar.

Escobar tha se ende shpreson që kjo mund të arrihet përmes zbatimit të plotë të marrëveshjes për normalizim, që ai e cilësoi “historike”.

Marrëveshja prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Diplomati amerikan tha se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndodhet në Uashington. Temat kyçe, sipas tij, do të jenë strategjitë se si të lëvizet përpara me zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, zhvillojnë negociata për normalizim që nga viti 2011. Procesi mbështetet nga Uashingtoni dhe ndërmjetësit kanë thënë se qëllimi i dialogut është që palët të arrijnë normalizimin e plotë të raporteve.

Escobar tha se ka menduar që një marrëveshja për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte dashur të ishte aq e vështirë që të zbatohej.

Kosova, sipas tij, do të përfitonte njohje të reja, Partneritetin për Paqe, kandidaturën për BE, dialog për partneritet dypalësh strategjik me SHBA-në dhe një konferencë donatorësh. Për Serbinë, po ashtu si përfitim do të ishte organizimi i një konference donatorësh, zgjidhje më e shpejt për Kapitullin 35 të bisedimeve për anëtarësim në BE, që do t’i mundësonte Serbisë ta mbyllte këtë kapitull dhe investime shtesë për të dyja palët.

 

Në këmbim të këtyre përfitimeve, Escobar tha se shtetet do të duhej të pranonin që të punonin së bashku për t’ia përmirësuar jetën shtetasve serbë në Kosovë shumë më të mirë.

Gjatë bisedës me gazetarë, Escobar u pyet edhe për vizitën që po zhvillon presidenti kinez, Xi Jinping, në Serbi. Ai tha se koha e kësaj vizite u zgjodh për “të rritur tensionet mes Serbisë dhe pjesës tjetër të komunitetit perëndimor”.

Vizita përkon me përvjetorin e bombardimit të Ambasadës kineze në Beograd nga NATO-ja. Aleanca ushtarake perëndimore ka thënë se gabimisht kishte bombarduar ambasadën më 1999.

Ndërkaq, diplomati evropian u shpreh optimist për rrugën evropiane të shteteve të tjera të rajonit, përfshirë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Escobar tha se beson që anëtari më i ri i BE-së do të jetë Mali i Zi. REL

U shkarkua nga detyra- Escobar mban konferencën e fundit për mediat

Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit dhe i dërguari i Qeverisë Amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta mbajë sot konferencën e fundit të tij për shtyp.

Në këtë konferencë, Escobar do të flasë për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë tre viteve kur mbajti këtë post.

“Në konferencën e tij të fundit përpara se të largohet nga pozicioni për detyrën e tij të ardhshme në Shërbimin e Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të diskutojë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të tij në këtë rol, si dhe sfidat dhe mundësitë në të ardhmen, dhe do të marrë pyetje nga gazetarët”, thuhet në njoftimin për media.

Escobar u shkarkua nga kjo detyrë, por DASH tentoi ta zbuste largimin e tij duke thënë se do të shkojë në një detyrë tjetër.sn


Send this to a friend