VOAL

VOAL

Albanologjia përballë shovinizmit të fqinjëve – Nga Kujtim Mateli

February 4, 2017

Komentet

NGA ERRËSIRA NË DRITË –  BASHKËBISEDIM ME SHKRIMTARIN VISAR ZHITI… “Care for Albania” – Chicago, SHBA. Nga Dr. Sonila Sejdaras

Në mjediset e Organizatës “Care for Albania”, (“Kujdesu për Shqipërinë”), u mbajt takimi “Nga errësira në dritë – bashkëbisedim me poetin Visar Zhiti”, i drejtuar nga themeluesja e kësaj organizate, Dr. Sonila Sejdaras.
Kishin ardhur qytetarë shqiptarë e amerikanë, më shumë të rinj, studentë e deri dhe fëmijë, nga Shqipëria e Kosova e Maqedonia e Veriut, që jetojnë e punojnë në shtetin Illinois, por dhe nga Michigan-i, etj.
Takimin e hapi psikologia Silvana Kola-Loka, që paraqiti një biobibliografi të të ftuarit të tyre, Visar Zhiti.
Dr. Sonila Sejdaras ndali në ngjarje që shenjojnë jetën e shkrimtarit, tregues dhe të ecurisë së historisë sonë të tanishme, shoqëruar me poezi, nga ato për të cilat Visari u dënua me 10 vjet heqje lirie, pastaj të shkruajtura fshehurazi në burg, pas burgut në liri, në postdiktaturë, poezi për Kosovën, në Europë e deri te poezia e fundit, e shkruar në Chicago dhe romani i tij i fundit, “Këpuca e aktorit”. Poezitë i lexuan në gjuhën shqipe bashkëshortja e poetit, Eda Agaj Zhiti, ndẽrsa në anglisht Dr. Sonila Sejdaras, të shoqëruara me pjesë muzikore me violinë.
Visari foli për kohën dhe gjendjen që mbartin ato poezi dhe iu përgjigj pyetjeve të ndryshme duke ngulmuar që vuajtja dhe dënimet e dikurshme të kthehet në përvojë, në vlera dhe art, kujtesa t’i shërbejë një të sotme më të mirë dhe e ardhmja të mos e përsërisë të keqen.
Në fund të takimit të pranishmit morën romanin e Visar Zhitit “Këpuca e aktorit” me autograf, duke vazhduar bashkëbisedimet me dëshirën për takime të tjera me “Kujdesin për Shqipërinë” në SHBA…
Ky ishte qëllimi dhe sinteza e takimit, njohja me një poet qendrestar si rrugë drejt së ardhmes …

DASHURIA, DHIMBJA
DHE QËNDRESA

Nga Dr. Sonila Sejdaras

Në një botë, e cila shpesh duket e ndarë dhe e mbushur me urrejtje, është frymëzuese të dëshmosh individë që zgjedhin dashurinë, mëshirën dhe empatinë kundrejt zemërimit dhe ligësisë. Ngjarja e fundit e organizuar nga “Kujdesu për Shqipërinë”, një organizatë jofitimprurëse, e dedikuar për zhdukjen e stigmës ndaj shëndetit mendor në komunitetin shqiptar, bashkoi një grup të ndryshëm individësh me një vizion të përbashkët për të nxitur unitetin dhe mbështetjen.
Në zemrën e kësaj ngjarjeje ishte poeti dhe shkrimtari i njohur, Visar Zhiti, rrugëtimi i të cilit, aftësitë ripërtëritëse dhe dashuria e tij e patundur shërbejnë vazhdimisht si një shembull i fuqishëm për të gjithë ne.

Forca e dashurisë:

Visar Zhiti, një njeri që ka përjetuar vuajtje dhe padrejtësi të mëdha, u ngrit para të pranishmëve si një dëshmi e gjallë e fuqisë transformuese të dashurisë. Edhe pse u burgos për poezi si ajo me titull “Dielli i dytë”, Zhiti zgjodhi të përgjigjej me dashuri të pakushtëzuar në vend të urrejtjes. Aftësia e tij për të kujtuar të kaluarën dhe për të shpresuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë është një dëshmi e vërtetë për forcën e shpirtit njerëzor. Prania e Zhitit në këtë ngjarje ishte një kujtesë që dashuria ka fuqinë të shërojë plagët, të ndërtojë urat ndarëse, dhe të sjellë ndryshime pozitive.

Falja dhe ripërtëritja:

Ngjarja ofroi një platformë për të diskutuar tema të thella si forca dhe ripërtëritja. Ishte një mundësi për të pranishmit të reflektonin për përvojat e tyre dhe të gjenin ngushëllim në forcën kolektive të komunitetit shqiptar. Duke ndarë histori të vështirësive dhe triumfit, pjesëmarrësit ishin në gjendje të gjenin pika të përbashkëta dhe të krijonin një rrjet mbështetjeje.
Ngjarja theksoi rëndësinë e shërimit të plagëve, ashtu sikurse z. Zhiti shprehet me një frymëmarrje: “Unë i fal ata që më kanë bërë keq mua” dhe shton: “por nuk është në të drejtën time t’i fal ata që i bënë keq atdheut”.
Ky ishte një moment emocionues, që frymëzoi dhe motivoi të pranishmit për të kultivuar drejtësinë dhe aftësitë ripërtëritëse në kohë të vështira.

Lidhja e komunitetit:

Misioni i “Kujdesu për Shqipërinë” është të fuqizojë komunitetin shqiptar duke ofruar mbështetje, dashuri, dhe përkujdesje për ata që kanë nevojë. Kjo ngjarje shërbeu si një katalizator për lidhjen dhe unitetin midis pjesëmarrësve, duke nxitur ndjenjat e përkatësisë dhe solidaritet.
Duke u bashkuar dhe duke u përfshirë në biseda të ndjera, pjesëmarrësit ishin në gjendje të forconin marrëdhëniet mes tyre për një bazë të qëndrueshme komunitare.
Ngjarja theksoi rëndësinë e përpjekjeve kolektive në të drejtën e zhdukjes së stigmës ndaj shëndetit mendor dhe në krijimin e një hapësire të sigurt për të gjithë.

Përfundimi:

Prania dhe biseda frymëzuese e Visar Zhitit në ngjarjen e organizuar nga “Kujdesu për Shqipërinë” përfaqësojnë misionin dhe vlerat e organizatës. Dashuria e tij e patundur, drejtësia dhe falja, vuajtjet e mëdha, të shndërrura në vlera dhe art, shërbejnë si një kujtesë e fuqishme për fuqinë e të mirës brenda secilit prej nesh. Ngjarja jo vetëm qartësoi rëndësinë e dashurisë dhe ripërtëritjes, por gjithashtu rinovoi shpresën në zemrat e pjesëmarrësve. Nëpërmjet angazhimit të tyre për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të ngritur komunitetin shqiptar, “Kujdesu për Shqipërinë” po hap rrugën për një të ardhme më të ndritshme, të mbushur me empati, kuptim dhe bashkim.

_______________________
Një album nga takimi me shkrimtarin Visar Zhiti
nga “Care for Albania”

PËRURIM I DINJITETSHËM I DY LIBRAVE TË RAGIP BALLATËS NË GJAKOVË- Nga TAHIR BEZHANI

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, në bashkëpunim me DKRS-ve të Komunës së Gjakovës, pas promovimit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të Kosovës, sot, me 24.prill 2024, këtu, në sallën solemne të Pallatit “Asim Vokshi” në Gjakovë, për publikun vendas, u përuruan dy libra të autorit Ragip Ballata, i cili tani për publikun artdashës, është i njohur me shkrime të dëshmuara e të mirëpritura nga publiku anekënd Kosovës.
Librat e z. Ballata, “Fletëza Ditari’99” dhe “Në Gjurmë të Civilëve të Luftës”, me tematikë nga lufta e fundit në Kosovë, zgjuan interesim te publiku i shumtë në sallë duke përcjellë me shumë vëmendje ekspozetë e dy recensentëve te dy librave, z. Milazim Koci, politolog, dhe z. Engjëll Berisha, letrar i njohur.

I gjithë ky event madhështorë u drejtua mrekullueshëm nga moderatorja, prof.. Migena Arllati, e cila në fillim ia kaloi fjalën Dr. Prof. Ruzhdi Sefës, drejtuesit të SHI.”Jakova”, i cili në referencën e tij si hyrje në këtë manifestim, pos tjerash theksoi: ”Kosova çmon Lirinë, por MUNGESA E DREHJTࣿSISË ËSHTË PAMUNDËSI PËR LIRINË..” Pastaj, z. Ruzhdi, falënderoi pjesëmarrësit në sallë.

Për librin “Në Gjurmë të Civilëve të Luftës”, moderatorja fjalën ia kaloi politologut e recensentit Milazim Koci, i cili për peshën dhe rëndësinë e librit foli në një këndvështrim të gjerë, duke potencuar fragmente nga libri të cilat bartin porosinë historike, për kujtesë të shumë gjeneratave që gjërat nuk duhet të harrohen kurrë, si një rrugëtim drejtë lirisë e ardhmërisë sonë. Z. Koci, pos tjerash, cek ne recenten e librit:” Autori Ballata në trajtimin e materies, interpretimin e krimeve dhe masakrave në Kosovë, e ka ngritur në nivel profesional duke vendosur gjërat dhe definuar në rrafshin juridiko-ndërkombëtar”. Fjala e z. Koci u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit në sallë.

Z. Milazim Koci,politologu e recensenti i librit te z. Ballata

Ndërsa për librin “Fletëza Ditari’99”, foli letrari e recensenti i librit, z. Engjëll Berisha, i cili në fjalën e tij të ndjeshme, përfshiu shumë aspekte të luftës, duke e shtruar si qështje të rrugëtimit tonë shumëvjeçar nën okupimin e Serbisë, vuajtjet e papara në luftën e fundit, deri në gjenocidkryerje nga çmendurie shovene serbe ndaj një populli të pafajshëm. Për luftën, tha z. Engjëll ,janë shkruar shumë libra nga autorë të ndryshëm nga Gjakova e vende tjera të Kosovës, duke pasqyruar raste të llojllojshme të gjenocidit serb në Gjakovë e Kosovë. Të gjitha librat e shkruar deri me tani, me gjithë peshën dhe pasqyrimin e gjërave të gjenocidit, akoma kanë mbetur ne kujtesën tonë gjëra të pathëna. Kurdo që do thuhen, thuhen njëjtë sikur atë ditë e vit të kryerjes së gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, për faktin se ato veprime populli ynë nuk i harron kurrë….

Z. Engjëll Berisha,letrar,recensent i librit.

Në recenten e tij z. Engjëll, pos tjerash shkruan: “Autori i këtyre copëzave historie të përjetuara “Fletëza ditari’99”, pas kaq vitesh duke lexuar, nxjerrë nga vetja përjetimet e luftës. një dramë që riprodhon fenomenin e vetëdijes…” Një konstatim i qëndrueshëm i z. Engjëll Berisha.

Gjakova në ditët e luftës ishte njëri nga qytetet më të atakuar ku gjenocidi nga forcat serbe u krye në mënyrën më çnjerëzore, sikur se (ata), donin të ç’ frynin mllefin e tyre shekullorë ndaj një qyteti me një histori të bujshme nëpër kohë.

Prof. Besim Kpuska, gjatë fjalës së tij.
Njëri nga ata që e dëshiroi fjalën ishte edhe Besim Këpuska, profesor i Gjuhës e letërsisë shqipe në pension, i cili nën emocione, foli për librat e z. Ballata dhe të kaluarën e përjetuar, kohë e cila “iu reflektua sikur ngjarjet të kishin ngjarë dje,” pas kaq vitesh.
Jo vetëm pro. Këpuska, por edhe shumë tjerë të pranishëm në sallë, ndjejshin emocione për dhunën serbe të kryer ndaj qytetarëve të këtij qyteti e jo vetëm.

Përurimi i dy librave të z. Ragip Ballata në sallën solemne të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, ishin karakteristike për faktin se zgjuan interesim te masa dhe pesha emocionuese ishte prezente tek secili qytetar.


Autori i librave, z. Ragip Ballata, në shenjë falënderimi dhe respekti, të gjithë pjesëmarrësve në këtë ceremoni, ua dhuroi nga dy botimet e veta.

Gjakovë,25.prill,2024 Tahir Bezhani

ME XHA DEMIRIN NË AKSION NË HEKURUDHËN FIER-BALLSH- Nga Bashkim Saliasi

(1 SHKURT-10 MARS 1975)

Viti 1975
Ishte muaji shkurt i vitit 1975. Atë muaj fillova punën prodhuese. Për të gjitha kategoritë e shkollave Ministria e Arsimit vendosi si kriter që të gjithë nxënësit që mbaronin vitin e katërt të kalonin një vit stazh në prodhim dhe më pas ata që plotësonin kriteret do të vazhdonin arsimin e lartë. Ky kriter u vendos edhe për studentët që mbaronin arsimin e lartë. Në një bisedë të lirë me sekretarin e rinisë të rrethit, shokun Kujtim Lame, mësova se gjatë muajit shkurt do të nisej një brigadë vullnetare për në hekurudhën Fier- Ballsh.
Pyes Kujtimin nëse quhej aksioni punë prodhuese. Përgjigjja ishte pozitive. Ditën e dytë regjistrova emrin në listë. Aty mësova se në këtë brigadë ishin dhe dy shokët e mi të shkollës pedagogjike Fier, Pëllumb Bajraktari dhe Qani Ymerali. Në datën 1 shkurt të vitit 1975 u rreshtuam në sheshin para Komitetit të Partisë së rrethit Skrapar të asaj kohe dhe pas përshëndetjes nga sekretari i parë i rinisë së rrethit, Kujtim Lame, u lexua lista e personave pjesëmarrës. Lista e emrave kryesohej nga komandanti që kryente stazhin e Partisë në prodhim dhe komisarit që do të drejtonin brigadën e aksionistëve në hekurudhë. I treti në listë u lexua emri i këngëtarit Demir Zyko. Emri i xha Demirit nuk ishte i panjohur për ne aksionistët që po niseshim për të kryer detyrën e ngarkuar nga partia e rrethit Skrapar, por prania e xha Demirit la mbresa në memorjen tonë. Pasi mbaroi ceremonia e rastit dhe morëm porosi që në fund të aksionit të ktheheshim me flamur (propagandë që zinte vendin e parë në ato vite), për të nderuar rrethin dhe familjet tona, ne aksionistët zumë vend në autobus.
Në mesditën e datës 01.02.1995 brigada e aksionistëve të Skraparit mori rrugën për në Fier në sektorin e Drenovës. Në vendin e parë u ul xha Demiri. Nuk më kujtohet emri i komandantit të brigadës, por mbaj mend që ishte nga fshati Osojë apo Vëseshtë, nuk jam i sigurt dhe kryente stazhin e partisë në prodhim. Ky me sa mësuam gjatë kohës që qëndruam në sektorin e Drenovës i mbante këngën xha Demirit. Për xha Demirin kisha dëgjuar shumë në ato vite. Kënga e tij “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, ishte vlerësuar jo vetëm nga komisioni i festivalit folklorik që ishte realizuar në Kalanë e Gjirokastrës, por ishte vlerësuar dhe nga vetë Enver Hoxha. Xha Demiri me zërin e tij brilant në vitin 1975, nga Presidiumi i asaj kohe ishte vlerësuar me titullin “Naim Frashëri i Artë”.
Xha Demiri, një burrë fisnik e me mustaqe, ishte i rregullt, i pastër si drita dhe tepër modest. Në tiparet e tij burrërore dallonte jo vetëm nga mosha, por edhe nga paraqitja estetike. Në mëngjes çohej i pari dhe pasi kryente shërbimet personale afrohej pranë tribunës dhe ishte ndër të parët që futej në rresht, kur dëgjonte borijen e rreshtimit për në mensë dhe më pas nisja drejt frontit të punës. Fronti i punës së brigadës së Skraparit ishte afër qytetit të Ballshit dhe xha Demiri çapitej në fund të rreshtit si një mal hijerëndë me shkopin e tij karakteristik që s’e lëshonte asnjëherë nga dora. Në mbrëmje dhe shpesh në mëngjes xha Demiri hipte në tribunë dhe ia merrte këngës. Të gjithë aksionistët e ndiqnin me shumë vëmendje dhe me një qetësi absolute, kur kënga me zërin e tij në mikrofon mbushte gjithë hapësirën e fshatit Drenovë.
Në mbrëmje priste me ankth se cila brigadë kishte dalë më mirë në realizimin e normës dhe nderohej me flamur. Gëzonte për flamurin dhe nuk përtonte që t’ia merrte këngës. Ne qëndruam një muaj e gjysmë në sektorin e Drenovës për arsye se nuk u arrit të mbaronte faza përfundimtare e punimeve në fund të muajit shkurt për të arritur treni në qytetin e Ballshit. Kështu, pas inagurimit, që u bë më 10 mars të vitit 1975, brigada jonë u nderua me flamur për realizimin dhe tejkalimin e objektivave të ndërmarra nga sektori Drenovë, në Ballsh të Fierit.
Gjatë rrugës së kthimit xha Demiri nuk reshti së kënduari dhe gëzuari bashkë me ne…

Bashkim Saliasi
Tiranë, 14.04.2024

U botua libri THE NATION-FREE RECIPE (Receta Pa Komb) nga Saimir Lolja

Është mirë se njoftoheni për botimin e librit THE NATION-FREE RECIPE (Receta Pa Komb), i cili zbulon çka nuk dallohet, pasuron çfar dihet dhe mpreh çfar kuptohet.

 

Saimir A. Lolja, The Nation-Free Recipe – How the Triple Entente served Comintern, 2nd ed., Austin Macauley Publishers, New York, 2024.  ISBN 978-1-6497973-4-6

 

www.austinmacauley.com/us/book/nation-free-recipe

www.amazon.ca/Nation-Free-Recipe-Triple-Entente-Comintern/dp/1649797346/ref=sr_1_1?

 

Të vërtetë absolute nuk ka, as nuk arrihet, as nuk përmblidhet. Çështja është me mbetur larg, mbrapa, anash dhee pa busull apo me qenë afër e më afër të vërtetës dhe me busull të vajosur. Libri e jep përgjigjen.

 

Renes Descartes shkrojti në vitin 1637: “Cogito, ergo sum” (Jam kur mendoj). Prandaj ata që e lexojnë ndjehen më mirë.

“Shaban Murati për ne kroatët është Milan Shuflaj shqiptar!” -Deklaratë e Ambasadorit të Kroacisë në Shqipëri

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, H.E. Zlatko Kramariç, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e promovimit të librit të tij “Kritika e mendjes politike”, të përkthyer dhe të botuar në gjuhën shqipe, deklaroi:
“Dua të falenderoj veçanërisht promovuesin Shaban Murati, që është një nga njohësit më të mirë të politikave në rajon. Unë mësoj shumë prej tij mbi Ballkanin Perëndimor kur shkruaj rreth mendjes politike shqiptare dhe shkrimet e tij janë ndër më të dobishmet.
Ne së shpejti do të kemi rastin të promovojmë librin e tij për marrëdhëniet shqiptaro-kroate në Zagreb në gjuhën kroate. Unë e falenderoj për gjithçka ka bërë për çeshtjen kroate në Shqipëri.
Shaban Murati për ne kroatët është Milan Shuflaj shqiptar”.

Koncert për violinë “7 Capriccio” i kompozitores Ina Kosturi në katalogun e Universal Edition të Vjenës

Profesore Ina Kosturi është diplomuar për violinë në Akademinë e Lartë të Arteve dhe në konservatorin “Umberto Giordano” në Itali. Ka dhënë 25 recitale, është autore e katër librave dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh kritikë në shtypin e përditshëm. Ina Kosturi është një kompozitore shumë e vlerësuar.

Sot në rrjetin social Ina Kosturi bën me dije si më poshtë:

Po ndaj me ju nje lajm te bukur , u publikova si kompozitore ne shtepine e njohur vjeneze me eksperience 100 vjecare qe shperndan muzike ne mbare boten, Universal Edition ! Mund te gjeni atje krijmtarine per violine  solo “ 7 Capriccio “, Violin Concerto si dhe te tjera ne ditet ne vazhdim ! Emocion pafund te gjendesh ne kataloget dhe te shikosh dhe emrin tend bashke me koloset boterore e kompozitore te shquar te diteve te sotme ! Nje kenaqesi , vleresim qe Vjena i ka dhene gjithmone shqiptareve , e sot jam personazh i ketij vleresimi ! Faleminderit Vjena 🇦🇹🇦🇱🎻🎻🎶🎶❤️❤️

Këngëtarja Leonora Terpollari rrëfen: Kënga e Skraparit dashuria ime e parë, ma bëri jetën të lumtur Edhe sot e gjej veten duke kënduar Nga Vepror Hasani

 

Isha e vogël, nuk më kujtohet sa vjeçe isha, por çuditërisht isha e dashuruar me këngën, më buronte nga shpirti. Më pas, në vitin 1978, kur isha nxënëse në klasën e 7-të në Turbohovë, – nis të na tregojë këngëtarja e mirënjohur me zërin e saj briland, Leonora Terpollari, – Juria e rrethit nisi të mblidhte këngëtarët më të mirë. Më zgjodhën edhe mua dhe Portokalle Zykon, të dyja fluturonim nga gëzimi. Zemra na rrihte fort. Nisëm të thurnim ëndrra për të qenë këngëtare të mëdha. Gjithë këngëtarët e përzgjedhur: burra, gra, vajza djem, të rritur e të moshuar mblidheshim bashkë në Shtëpinë e Kulturës në Çorovodë, rrugën e bënim në këmbë sepse nuk kishte makina, por nuk e ndjenim lodhjen, dëshironim të mësonim si këndohej më bukur, merrnim pjesë në çdo koncert dhe nuk mungonim asnjëherë, madje lodhjen nuk e ndjenim fare, ëndërra jonë ishte kënga dhe kjo ëndërr na u bë realitet. Në vitin 1983 mora pjesë në Festivalin e Gjirokastrës, nuk i besoja dot vetes, me të përfunduar këngën nisi një oshëtimë e madhe duartrokitjesh që dukej sikur nuk do të kishte fund asnjëherë, Ndoshta nuk e besoni, por zemra ime rrihte si e zogut, dridhesha e tërë, isha më e lumtur se e lumtuar, por si ta them, nuk ia gjeja dot emrin fjalës – ndihesha e mrekulluar. Më pëlqente shumë të këndoja për nënën:

Nëna ime nënë,
Ku t’i gjej ca fjalë,
Të t’i them me këngë,
Apo të t’i them me mall.

U vlerësova me çmim të parë

Emri im kish nisur të përmendej gjithandej, shumëkush pyeste: “Po Leonora ka ardhur? Me sa kuptoja numri i adhuruesve të mi po rritej gjithnjë e më shumë. Këndova edhe në Tiranë para udhëheqjes së partisë, sërish duartrokitjet nuk kishin fund, zemra sërish nisi të më rrihte si e zogut, prisja të vlerësohesha dhe nuk u zhgënjeva, u vlerësova me çmim të parë. Një prej të adhuruarve të mi ishte dhe Xha Demiri (Demir Zyko). Kur mora pjesë në Festivalin e Gjirokastrës ishte edhe xha Demiri. Pasi dëgjoi këngën time, më përqafoi dhe me tha: “Je këngëtare e talentuar”. Fjalët e tij më dhanë zemër dhe kurajo për të mos u tërhequr kurrë nga kënga. Kam kënduar edhe për Hysni Kapon, (Tërbaç, 4 mars 1915 – Paris, 23 shtator 1979, partizan, diplomat dhe politikan shqiptar, por ëndrra e tyre rezultoi e dështuar). Teksti ishte shkruar nga Ylli Qori, për të mund të them fjalët më të mira, ishte organizator i shkëlqyer i shkollës 8 – vjeçare Kapinovë, pasionant i këngës shqiptare. (Sot nuk jeton më, por i jam mirënjohës për përkushtimin që tregonte ndaj këngës. I paharruar kujtimi i tij! E kishte qejf këngën, ishte adhuruesi i saj. Dëshira e tij ishte të gjente këngëtarët më të mirë, kudo që mund të ndodheshin ata, qoftë edhe në cepin më të largët të Skraparit. Nuk mund të lë pa kujtuar Ylli Qafokun, drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, i cili u dekorua fal përkushtimit të tij. Të tillë ishin dhe Hajri Xhameni dhe Kasëm Cako. Festivali mblodhi këngëtarët më të mirë dhe më të talentuarit. Më vonë u shkëputa nga kënga sepse u bëra nënë me fëmijë, iu përkushtova familjes, veç kësaj nuk ishte më ai organizimi i mëparshëm. Festivali bëhej njëherë në pesë vjet.
Edhe kur kthehesha nga festivalet, këndoja për nënën:

O moj nënë që më dhe gjinë,
Që ti gjumë në sy nuk vure,
Fjala jote magjiplotë,
E ëmbël dhe shumë e mirë.

Rako Paja ngriti grupin folklorik

Më vonë, më 2020, Rako Paja ngriti grupin folklorik “Tomorrica”, por në këtë kohë unë i kisha humbur shpresat, nuk besoja se do të këndoja më, por Pajo nuk pushoi së kërkuari. Ato kohë nëna ime ishte ndarë nga jeta dhe të kënduarit unë e kisha lënë në harresë, por Rako Paja, që të mundësonte pjesëmarrjen time në grupin folkorik e shtyu programin pas 6 muajve të nënës.. Kështu fillova përsëri me grupin “Tomorica”. Bëra këngën për nënën bashkë me bashkëshortin, fjalët më dilnin nga shpirti. Këndova edhe për Abaz Alinë, këndova edhe këngë të tjera, realizova edhe klipe dhe video, të cilat u regjistruaran edhe nga televizionet. Kënga ringjalli sërish shpirtin tim. Më 2023 mora pjesë sërish në Festivalin e Gjirokastrës me grupin e Skraparit ku merrnin pjesë edhe grupi i Poliçanit, Qyteti Stalin dhe Berati. Me këtë rast nuk mund të lë pa kujtuar Hysni Agon këngëtarin e mrekullueshëm të cilin e kujtoj gjithmonë me respekt. Kështu u bashkova sërish me këngëtarët e Skraparit dhe këngëtarët Diana Ymeri, Drita Qafoku, Dashuri Hysi dhe Gime Mena, sepse unë isha vendosur në Korçë për një jetë më të mirë. Zerat tanë lanë përshtypjet më të bukura dhe morën duartrokitje të shumta. Por dua të them edhe diçka tjetër: këngëtari lind, nuk bëhet, Skrapari ka këngëtarë të mrekullueshëm si burrat dhe gratë: Xheladin Cëri ka zë të bukur, ke qejf ta dëgjosh, Fatmir Greva është i shkëlqyer, po kështu edhe Nesim Mëno dhe Sefedin Çela janë të pakrahasueshëm, pa harruar edhe 2 vëllezërit Stavri, Spiro, dhe Floran Spahiu të cilët ishin edhe pjesëmarrës të festivalin folklorik të vitit viti 1983.

“Të keqen moj baltë e kuqe”
E këndova me Portokalle Zykon

Në vitin 1983 në festivalin e Gjirokastrës bashkë me Portokalle Zykon kënduam këngën “Të keqen moj baltë e kuqe”, me tekst të poetit Xhevahir Spahiu. Kjo këngë u bë dokumentar në ‘Kufijtë e legjendës’, ku foli vetë edhe Xhevahir Spahiu, të cilin e takova në Tiranë në promovimin e librit në vitin 2019. Grupi polifonik “Tomorica” është vlerësuar me çmim dhe titull nderi “Demir Zyko” etj. Gjithashtu në veçanti u vlerësova nga juria si këngëtarja më e mirë. Këngët më të bukura të kënduara prej meje, janë: “E shtrenjta nënë”, “Këngë për Abaz Aliun”, “Atje lart, dy ara bashkë”, “Mall për vendlindjen” me Drita Qafokun dhe tekst të hershëm nga Abedin Musoli, viti 2023, “Më mbenë rrobat në lumë”, “Trendafili i bardhë”, kënduar me Diana Ymerin, “Këngë për flamurin”, me dashuri Hysin, e cila është këngëtare e mirënjohur, aktive dhe sot. Në viti 2023 dhamë koncert në Bashkinë Kamzë me këngën “Djalo s’më merr dot”, me Diana Ymerin. Viti 2023, pas festivalit të Gjirokastrës u mblodhëm në Kavajë ku u vlerësova si këngëtarja më e mirë. “Mall për vendlindjen”, “Unazën e gishtit ta lashë amanet” etj.

Shpesh më pëlqente tëkëndoja edhe këtë këngë:

Fluturo moj dallëndyshe
Fluturo përmbi Skrapar
Merr me vete këngën time
Në vendlindje të shuaj mallë

Ti Skrapar më rrite mua
Prandaj ndiej shumë krenari
Kush ka lindur në Skrapar
Quhet vetëm Skraparli

Edhe në fshatin ku banoj kam shoqëri të mrekullueshme, me shoqet kaloj bukur sepse e kanë qejf këngën dhe më mbështesin kur mblidhemi të gjitha bashkë dhe ia marrim këngës me Merjeme Kulla, Luiza Shuaipi, Afërdita Dervishi, Zamira dhe Mirela Demkë Pinderi.

Atje lart në vendlindje
Në burime ku shuaj mallë
Kujtoj vajzërinë time
Edhe këngën time të parë

Dëshiroj të them edhe dy fjalë për veten time: Jam lindur në fshatin Krastë nga dy prindër të mrekullueshëm Jake dhe Sabire Gjoni. Babai më merrte për dore më çonte në Çorovodë dhe gjithashtu më merrte sërish për të më çuar në shtëpi. U martova më 19 gusht 1984 në fshatin Backë në një familje me tradita patriotike me djalin e Jaçe Qamili, burrë fisnik dhe patriot, nipi i Lace Backës. Tashmë dëshiroj që këngën t’ia lë trashëgim mbesës time Aleksandra Dervishi e cila është shumë e dhënë pas këngës. Aktualisht jeton në Greqi, por një ditë do të kthehet ë Shqipëri. Edhe atje në Greqi këndon këngën popullore, ka dy fëmijë djalë e vajzë. Kurse unë, – shpjegon Leonora, – kam dy djem dhe një vajzë. Njeri nga djemtë është specialist ndërtimi kurse tjetri menaxher hoteli në Shqipëri. Jam një nënë e lumtur, këndoj sepse më këndon zemra, kam familje të mrekullueshme: Altini, Leonita dhe Eduarti më kanë bërë gjyshe të lumtur

Sa të jem dhe sa të rroj
Nënë e babë s’ju harroj,
Kjo ështe kënga ime më e preferuar, – përfundoi rrëfimin e saj, Leonora Gjoni Terpollari.

Prehu në paqe, përjetësisht, atje, tek ”Rrugica ime (Jote)”, buzë Vjosës, o NJERIU I VEÇANTË!- Nga FASLLI CANAJ

Prehu në paqe, përjetësisht, atje, tek ”Rrugica ime (Jote)”, buzë Vjosës, o NJERIU I VEÇANTË!
Të jesh dhe mbetesh përherë NJERI
Pak fjalë rreth poetit Xhevat Beqaraj.
Shumëkush e sheh tek ecën me atë çaphedhjen e ngadalshme, të lehtë, duke u matur mirë ku, kur dhe si shkel, me sytë e unjur përdhe, tërë përkujdesje, se mos lëvizë padashje ndonjë pllakëz të thyer a sopa mënjanuar të trotuarit nga vendi, a lëndon, ose i pret rrugën ndonjë gjallese, për andej nga ajo është nisur e ka marrë rrugëtimin, a, dhe, se mos shkel mbi qilimin e bukur të barit, duke mos dashur të shtyp,baltos, a pluhuros, qoftë dhe një fije të vetme të tij.
Kokunjur e shohin bashkëmoshatarët e tij tek çapit drejt Bibliotekës Kombëtare apo nga kodrat e Liqenit Artificial, tashmë që po u afrohet të tetëdhjetavedhe, po të tillë, hapngadaltë, e kujtojnë qysh prej rinisë së hershme.
Prej kohësh fjalëpak, zëulët dhe i mbetur po i tillë, pa ndryshuar aspak deri tani.
Përherë rënduar nga mendimet se si të thur ndonjë varg, se si të përdorë ndonjë metaforë, se si të thotë ndonjë fjalë mjaltore për këdo që mund të takojë, qoftë dhe për ndonjë që, i ka krijuar lodhshmëri.Ai nuk dëshiron të përdori kurrë fjalën besdi, shqetësim, ngacmim, shpifje, trillime pas krahësh, pabesi, urrejtje sikur ato të mos ishin pjesë e fjalorit të gjuhës sonë.
Përdor vetëm: ngadalësi, urtësi, dashuri, dhembshuri, miqësi, vllazëri. Po me atë çapmatje të përhershme, pa ndryshuar aspak ritmin, zakonet, pa i shkuar aspak në mend sesi mund të tërheq vëmendjen e dikujt.
Le të themi që ka ca kohë që ajo çapngjitje u ka munguar shkallëve që të çojnë në sallën e katit të dytë, të Bibliotekës, por, që, më së shumti, u ka munguar miqve të sallës së leximit, të cilët, së paku, mua, nuk më ka rastisur të më pyesin aq shumë për mungesën e tjetërkujt se sa për mikun, Njeriun e Mirë, siç dhe e cilësojnë thuajse të gjithë ata të cilët më drejtohen sa vë këmbë e ulem në tavolinën ngjitur ku ai punonte, të mësojnë diçka për mungestarinë e cakohëshme të Mikut tonë të përbashkët.
Të gjithë pytësit, me merakimin e dalluar qartazi në sytë e tyre për mirëshëndetin e dëshirur, pas interesimit dhe marrjes së përgjigjes se ai është mirë shpejtojnë të shtojnë: “Është dhe mbetet Njeri, Njeri i rrallë, I veçantë. Na mungon shumë.Na ka marrë malli. Me zi e presim të bashkëshkëmbejmë nja dy fjalë.”
Dhe këto i dëgjon jo vetëm nga miq të tij të penës, shkrimtarë, poetë, studjues, që nga më të vjetrit e deri edhe tek më të rinjtë, por dhe nga çdo punonjës i Bibliotekës, duke filluar nga pastrueset, rojet, punonjësit e kafeterisë e duke vazhduar me çdo punonjës tjetër të administratës.
Dhe prej të gjithëve e njëjta shprehje: Njeri i mrekullueshëm!
Jeta dhe të ndesh me njerëzit, të përplasë, të bën të prishësh gojë, të ngresh zërin, të bërtasësh, mbase dhe të ulërasësh, të shfrehësh dufin tënd të grumbulluar në gjoks, por tek Ai as e kam ndeshur dhe as e ka ndeshur ndokush ndonjëherë një gjë te tille.
Aq më pak do ta dëgjosh të flasë ai për veten e tij, sikur veta e parë e numrit njëjës të mos egzistonte, kur bëhet fjalë për të të treguar diçka nga puna, përvoja, përpjekjet që ai ka bërë në më shumë se një gjysmëshekulli krijimtari. Vetën e parë do ta dëgjosh ta përdorë vetëm kur do të marrë dhe mbajë mbi shpatulla përgjegjësitë e plota. Qoftë dhe për një presje në korrekturë.
Po ju tregoj një detaj shumë të vogël rreth kësaj. Po punonim bashkë, në të njëjtën tavolinë në Bibliotekë, më pesë dhjetor të vitit 2009, krah njëri-tjetrit.
Papritur ai u ngrit ngadalshëm dhe m’u afrua qetësisht, si të ecte në majë të gishtave duke mos dashur të tërhiqte vëmendjen e kurrkujt dhe, me një fije letër të shkruar me bojë të zezë m’u drejtua që të lexoja nja dy fjalë në dy rreshta. Ishte një dorëshkrim i Isuf Luzit. U mundova po nuk po i kuptoja dot fjalët. Edhe pse, për shkak të profesionittim më se dyzet vjeçar si mesues gjuhe kisha lexuar shkrime nga më të ndryshmet, kësaj here nuk po i lexoja dot fjalët, edhe pse u përqëndrova gjatë mbi to, ndaj, pas pak u shpreha: “Nuk e lexokam dot Isuf Luzin. Nuk e lexokemi dot, qenka i vështirë”,- shtova në shumës aty për aty edhe për të treguar se sa e vështirë dhe e lodhshme, por fisnike, ishte puna që ai kishte bërë dhe vazhdonte të bënte me atë durimtarinë e tij prej titaniku.
“Unë nuk di ta lexoj shkrimin e tij,-ma priti.-Vetëm unë.E lexoj me shumë mundime për shkak të moshës. Dhe nëse nuk arrij ta lexoj aq mirë është puna ime jo e mjaftueshme, ndaj mos thuaj ne, po unë. Unë duhet të përpiqem ta lexoj sa më mirë. Ty ta dhashë ta shohësh që pas shumë vjetësh të thuash: lexova të palexuarën.”
Dhe ai ka bërë dhe bën një punë vërtet të pakarahasueshme duke na e sjell veprën e Luzajt sa më orgjinale duke e stërmunduar veten, por, siç dhe thotë shkrimtari Faruk Myrtaj në një letër të Tetorit 2011:
“Dhe, për fat të kërkuar gjithë jetën, Xhevat Beqarajt iu shfaq Isuf Luzaj tani vonë, si për t’u marrë deri në fund me gjëra të përjetshme.”
E, kokunjur ai nuk është tërhequr por, si ai minatori i galerive të thella, gërmon, kërkon, qëmton fjalë, grupe fjalësh, fjali, vargje, paragrafe, tekste për të na i sjellë në sytë tanë me atë thjeshtësinë, bukurinë, brilantizmin e gjuhës sonë, për ta lexuar cel tekst kushdo dhe kurdo.
Sa për ilustrim do të doja të sillja një fragment nga një letër e ardhur prej së largu, Kanadasë nga Njeriu tjetër i letrave, Faruk Myrtaj sepse përshkrimet e mia rreth këtij Nejriu do të ishin shumë e më shumë të mangëta. Ja çfarë shkruan ai:
“Mbase në letrat shqipe ka pasur shumë shkrimtarë të mençur dhe të suksesshëm, por nuk kanë qenë të shumtë shkrimtarët NJERËZ në ato kohë të vështira. Xhevati e ka shpëtuar veten si ato manushaqet poshtë ferrave, si ato lulet e gdhendura në shkëmbinjtë nën rrëpirat mbi ujrat e klatra të mesdheut, atje ku nuk e arrinte dot askush, atje ka mbajtur frymën miku ynë i rrallë, dhe të tjerëve vërtet ashtu u thoshte: shshshtt…, se shshsshshtt se…dhe…”
Ndërsa Murat Gecaj do të shkruante se: “me atë heshtjen e tij “olimpike” ai ka në mendje e në shpirt vetëm mirësi e poezi”.
Vetëm mirësi i ka buruar e buron nga thellësia e shpirtit.
Ai, Nejriu-Poet që ka qenë, është dhe mbetet më së pari NJERI, edhe në rini, në vitet e ngarkuar me shpifje, trillime, skena e prapaskena, me rrjetthurje merimangore, ka ndenjur me lloj-lloj njerëzish, se puna ia ka dshur të shoqërohet, ka dëgjuar mjaft bllabaritje, dikush dhe i ka falur pak gëzim, ndonjëri dhe e ka mërzitur, ka patur dhe që i kanë dhënë shpresë, ka ndodhur dhe që e kanë trishtuar, por kurrkujt s’i ka drejtuar qoftë dhe një gjysmë fjale të keqe, vetëm ndonjërit, që ia ka prurë në majë të hundës, ka vendosur thjesht të mos rrijë më me të, t’i largohet urtshëm, t’i shtëmanget butësisht, pa e vënë re ai tjetri, po jo ta nëpërgojojë me pastaj.
Ai tërë jetën ka nderuar e nderon dhe sot këdo aq sa meritonte e meriton dhe kurrë nuk i është përulur e përulet cilidoqoftë tjetri.
Kurrë s’i ka parë, sheh e vlerësuar njerëzit nga atje ku janë ulur dhe t’u shfaqet, duket përballë, dhe aq më pak t’u kokëvaret.Kurrë.Këdo e ka vlerësuare vlerëson nga ajo që bën.
Respektoje tjetrin aq sa të respekton, mos e vlerëso më shumë se ç’mendon se është për hir të karriges. Po as mos lejo të nëpërkëmbin ty, këshillon urtësisht.
Nëse të rastis të flasësh me të nuk ngopesh së dëgjuari teksa flet me urtësi, butësi, mençuri dhe qetësi, si për natyrën e bukur duke filluar që nga kujtimet e fëmijërisë, mbushur me rrjedhën gurgulluese të Vjosës së bukur, me fërfëritjene gjetheve të rrapeve në pranverë, me qilimin e artë vjeshtor të gjetheve të rëna, me cërritjen e zogjve mëngjeseve të bukura, për zërin zgjues të cilëve ndjen mall, dhe për gjithçka të bukur që ka natyra.
Natyra me gjithë bukuritë: me drurët, shkurret, barin, lulet, gjallesat e buta dhe të egra është aty në zemrën, sytë, shpirtin, fjalën e tij. Dhe është kjo natyrë që shfaqet në çdo varg, figurë letrare, strofë, poezi, përshkruar me shumë mjeshtëri, bukuri dhe dashuri nga poeti.
Ai, pa frikë mund të them, është një nga mjeshtrit e mëdhenj të përshkrimit mjeshtëror të natyrës.
Edhe në ato vite të vështira, kur shumëkush, jo për faj të tij por të kohës së vështirë që kaluam, shkroi me apo pa dashje vargje, strofa, poema, tregime, romane sipas asaj që ju kërkohej, Xhevati, në laboratorin e tij krijues, me rigorozitet, pa parë shkallëngjitjen, po artin e vlerave, nuk u përgjunj, nëpërkëmb, zvarrit, nuk bëri qoftë dhe njëherë të vetme kompromis në shkelje të vlerave të artit.
Jo.
Vargjet e tij, siç dhe vëren me të drjetë poeti dhe studjuesi Kosovar Xhevat Sylaj, të kujtojnë ato të Lasgush Poradecit, në poezinë për të rritur, kurse në poezinë për fëmijë ato të Vehbi Kikajt.
Unë do të shtoja, sikundër dhe thotë vet poeti,që letërsia s’ka pse ndahet në letërsi për fëmijë dhe të rritur, aq më pak poezia e Xhevatit nuk mund të ndahet si e tillë, sikundër vëren dhe Faruk Myrtaj:
“Xhevati është nga poetët më poet të letrave shqipe e ju që jeni akoma aty,… e ndani pastaj, po të doni, në letërsi për të mëdhenj dhe për fëmijë!”
Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Mjafton të lexojmë me vëmendje poezinë e tij dhe do të ndjehemi mirë mes metaforave të shumta, personifikimeve, krahasimeve, ngjyrave ylberore, të gjalla, të bukura, të ndezura me të cilat na vihet para syve natyra, personazhet, ngjarjet e shumta. Tek vargjet e tij gjejmë gjithçka të bukur të mbidheshme, do të thosha pa e tepruar aspak, që nga fija e barit, sythet e sapo bujisura të pemëve, lulet anash lumit, shelgjet mbi liqen, shegët, milingonat, zogjtë në fluturim apo tek këndojnë ciu-ciu-ciu me zërin si tinguj violinash, detin, burimet e pastra, pellgjet, ujin, shiun, borën, akullin, viçat, qingjat, kecat, por dhe ujqërit, ariun, elefantin, dhelprat, të gjitha të personifikuara, madje të katër stinët e vitit mbushur me lëngun jetësor që ndihet, lëviz, vlon në çdo rresht të poezisë së tij. Dhe me këtë natyrë sheh të shkrirë, njësuar, jo vetëm fëmijët po gjithë njerëzit ashtu siç dhe është në të vërtet. Vlon jeta me të mirat,të bukurat, por dhe të këqiat, të shëmtuarat.
Janë këto dhe shumë të tjera të cilat kanë bërë që poezia e këtij mjeshtri t’i qëndrojë kohës kaq bukur dhe do t’i qëndrojë përherë ashtu: e bukur, e freskët, e mrekullueshme.
Nëntor, 2015, Nju jorku letrar

Shaban Murati-Çmimi kombëtar “At Zef Pllumi” për publicistikë

Bashkia e Lezhës nën kujdesin e kryetarit Pjerin Ndreu organizoi edicionin e 8-te 2024 të konkursit letrar kombëtar “At Zef Pllumi”.
Çmimi letrar kombëtar “At Zef Pllumi” për publicistike iu dha publicistit Shaban Murati. Fituesit ia dorëzoi çmimin poeti dhe shkrimtari i shquar Rudolf Marku, i cili vlerësoi lart krijimtarinë e spikatun dhe figurën e autorit.
Në fjalën e tij të përshëndetjes Shaban Murati tha ndër të tjera:
“Ndihem i nderuar që mora një çmim, që mban emrin e madh të një publicisti të shquar, të një mendimtari të madh, të një iluministi të madh si At Zef Pllumi. Ndihem i nderuar që ky çmim vjen nga qyteti i Besëlidhjes së Lezhës, nga qyteti i pan-shqiptarizmit, që duhet të jetë flamur jo vetëm i besëlidhjes së vjetër, por edhe i besëlidhjeve të reja që ka nevojë kombi shqiptar”-

Meri File: “Livia in Wonderland” Metafora e Livias ne Boten e Çudirave kerkon te terheq vemendjen ndaj asaj qe eshte irracionale

 

Metafora e Livias ne Boten e “Livia in Wonderland” Metafora e Livias ne Boten e Çudirave kerkon te terheq vemendjen ndaj asaj qe eshte irracionaleudirave kerkon te terheq vemendjen ndaj asaj qe eshte irracionale, e paparashikueshme, dhe kondradiktore ndaj jetes se perditshme.

Simbolika e se ciles ai vend udhehiqet nga nje vajze si Livia ku pothuaj te gjithe bien dakort mbi ndryshimet e papritura dhe kthehen ne metafizike!

Ajo reflekton ne menyre komike nje analogji per ate qe eshte vertet e mundur kur kufizimet e ngurta te shoqerise jane lene menjane dhe forca e imagiinates dhe krijmtarise mund te lejohet te bredh ne liri..

Kete analize ben kuratorja Meri File ku thekson se:

Livia Koci lundron në botën e çuditshme dhe të paparashikueshme të Botës së Çudirave, ajo mëson të përqafojë cilësitë dhe pikat e saj unike.

Një nga temat më domethënëse ne Livia in Wonderland është rëndësia e përqafimit ndaj të vërtetës ku kujtimet nuk janë çelësi i së kaluarës, por i së ardhmes.

Fuqia e imagjinatës, kuriozitetit dhe krijimtarisë, jo vetëm në fëmijëri, por kur njeriu kalon nga adoleshenca në moshën madhore, kthen keto kujtime pas duke i vendosur si personazhe perralle.

Dashuria per natyren ku shpesh flen shpirti aventurier artistik..

Ekspozita prej 15 veprave ne tekniken mix do te çelet per here te pare ne Shqip Ville- Maison Culturelle Belgo – Albanaise, ne Bruksel me organizimin nga Ledja Canaj ne daten 5 Prill.

Sarandë- ‘Botimet Fishta’, promovoi librin “HEBREU I FUNDIT” të shkrimtarit Shkëlqim Hajno

Shtëpia butuese ‘Botimet FISHTA’, promovoi së fundi në Sarandë librin “HEBREU I FUNDIT” të shkrimtarit Shkëlqim Hajno.

Me kërë rast, në mjediset e kompleksit Hotel “DEMI” u organizua një sesion ku pjesëmarrësit, krijues, kritikë e studjues, intelektuale të fushave te ndryshme dhe dashamirës të letërsisë, ndoqën disa referime mbi krijimtarië e prozatorit Shkëlqim Hajno.

Për librin “HEBREU I FUNDIT” ligjëratën kryesore e mbajti Thoma Sterjopullo, prozator dhe pëkthyesi i Kadaresë në gjuhën greke. Referuesi u ndal ne ristitë dhe prurjen e këtij libri në tregimtarinë dhe novelistikën shqiptare, duke veçuar disa tregime si dhe novelën “Pushime në Bohotinë”.

Krijuesi Hekuran Halili në trajtesën e tij “Një libër sa një jetë dhe një jetë sa një libër” bëri një vështrin mbi mbi vlerat e 27 tregimeve dhe tri novelave që përmban vëllimi.

Studjuesja Natasha Lushaj (Spahiu) , redaktore e librit “HEBREU I FUNDIT” foli mbi veçoritë stilistike dhe dramat e personazheve, duke bërë një vështrim krahasues edhe me librin e parë të këtij autori: “Vjedhësi i viteve”, botuar ne vitin 1980, nga shtëpia botuese “N.Frashëri”.

Për aspekte te ndryshme të krijimtarisë së shkrimtarit Hajno dhe specifikat e librit “HEBREU I FUNDIT” folën edhe studjuesi dhe drejtuesi i entit botues “Botimet FISHTA”, Frano Kulli, gazetari dhe shkrimtari Thanas Dino, etj,.

Në eventin kulturor: promovim i librit HEBREU I FUNDIT”, pjesëmarrsit ndoqën me emocione të veçata interpretimin e regjisorit dhe aktorit të njohur Vangjel Agora, i cili solli me fjalen artistike atmosferën e tregimeve “Lotët e babait” dhe “Arhondi i Rexhinës”.

Veprimtaria e mësipërme u pëmbyll me një perfomancë buze detit të trompistit Rait Qendro, ardhur enkas për këtë aktivitet nga Athina si dhe nje duet solistik në violina përgatitur nga violonisti Zamir Brinja. /sarandaNews.al//

(VIDEO) Intervista- Botuesi Bujar Hudhri: Libraritë po mbyllen, shteti s’ka vëmendje, nuk shoh asnjë dritë

Një prej ngjarjeve më të rëndësishme letrare në Shqipëri është padyshim botimi i librit të fundit të nobelistit Gabriel Garsia Markez.

“Shihemi në gusht” është romani i fundit i autorit kolumbian, që tashmë ka njohur dritën e botimit në 30 gjuhë të botës e është prezantuar si premierë botërore më datë 6 Mars 2024 në ditën e lindjes së shkrimtarit gjenialë.

“Shihemi në gusht” që është shoqëruar me polemika, debate dhe  një zhurmnajë të gjerë mediatike, ngase porosia e fundme e Markezit ka qenë shkatërrimi i tij, është sjell në të njëjtën kohë me botën edhe në gjuhën shqipe, përmes përkthimit të Mira Meksit.

I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri Tv, botuesi i nobelistit në shqip, Bujar Hudhri, rrëfeu rrugën se si erdhi kjo vepër kaq e veçantë e krijimtarisë së Markezit në gjuhën shqipe, kalvarin e gjatë të blerjes së të drejtave të autorit, mezipritjen e lexuesit në botën mbarë për ta pasur në duar dhe raportin e lexuesit që po bjerret dita – ditës nga ikjet masive të shqiptarëve përtej kufijve.

Hudhri i tregoi gazetares Egla Xhemalaj, pse nobelisti qe i ndaluar të botohej në gjuhën shqipe.

Pjesë nga intervista

Bujar Hudhri: Shqipëria ka qenë te vendet e hequra nga agjencia, që administron të drejtat e botimit të Markezit. Pra, u arrit pikërisht kjo për hir të lexuesit shqiptar. Unë si botues tani që po bëj një farë bilanci për Markezin, që u shndërrua në një lajm botëror ky libër secila gjuhë, secili vend, shumë studiues, gazetarë komentojnë tani marrëdhëniet me Markezin, veprat e tij në përgjithësi këtë vepër në veçanti, kurse unë si botues doja t’i thoja shikuesit tuaj, pse vepra e Markezit ishte e palejuar të botohej në shqip.

Kjo është histori që fillon qysh në kohën e komunizmit, kur u botua libri i parë i Markezit i përkthyer në shqip nga Aurel Plasari, pastaj libri i dytë “Dashuria në kohërat e kolerës” i përkthyer nga Mira Meksi dhe gjatë viteve 1999-2000 pothuaj u përkthye krejt vepra e Markezit, u botua pa leje. Pa të drejtat e autorit, pa të drejtat e agjencisë.

Unë kam dashur që ta vija në vijë këtë punë. Më tepër jam marrë me autorët e letërsisë shqipe, ju e dini që kam autorët më të mirë të letërsisë shqipe. I kisha dhënë shumë hapësirë letërsisë së huaj sepse unë synoja majat e saj. Këto maja ishin të vështira të pushtoheshin, në pikëpamje të marrëdhënies tënde me agjencitë. Shqipëria tanimë ishte në demokraci dhe respektimi i pronës intelektuale, duhet ta pranojmë që ne nuk është se ia kishim idenë. Kjo ishte si një inerci e shoqërisë komuniste. Ky nuk ishte vetëm problem i Shqipërisë.

Dua t’u kujtoj ju që në vitin 1990 Markezi në vizitën e tij të parë dhe të fundit në Kinë, kur ishte në Pekin dhe në Shangai vërejti që libri i tij “100 vjet vetmi” ishte botuar dhe shitej në masë pa të drejtat e tij. Kinezët shumë të entuziazmuar asokohe, ngase vepra e tij ndikoj shumë në letërsinë kineze. Markezi u thotë: Po kujt i keni marrë leje?

Ato as që e mendonin që duhej marrë leje. Markezi e thotë këtë edhe në shtypin botëror. Është përmendur para disa ditësh, ku thuhej se Markezi u betua: Edhe 150 vjet mbas vdekjes sime nuk do ta autorizoj agjencinë, që ti japi të drejtën e botimit Kinës. Pra, të mendosh një popullsi 1 miliardë e gjysmë dhe vijmë tani te Shqipëria dy milionë a tre milionë banorë.

Agjencia nuk donte t’ia dinte, aq më tepër kur mori vesh që ishte botuar pa leje në Shqipëri. U desh një luftë e madhe. Unë kam komunikuar me agjencinë, nuk merrnim përgjigje, madje kam dërguar dhe njeri në Barcelonë. Kemi pasur kontaktet e sërish jo. Unë pata një rast fatlum do ta thoja e shfrytëzova në këtë rast, kur në vitin 2014, viti në të cilin ndërroi jetë Markezi (vdiq më 17 prill 2024), në shtator të atij viti unë mora vesh që agjencia e Markezit, me pronaren Carmen Balcells po bënte një bashkim kompanish me agjentin Enri Uaili të Ismail Kadaresë në Neë Jork. Ajo është agjencia më e madhe që ka bota dhe ka yjet e letërsisë botërore. Asokohe unë i thashë Kadaresë: A mund t’i shkruani ju agjentit tuaj që pse agjencia e Markezit nuk i jep të drejtat e botimit Shqipërisë? Çfarë arsye kanë?

Ja bëmë letrat, ia dërguam, megjithatë asnjë përgjigje deri në Marsin e vitit pasardhës, që i bie 2015. Mbaj mend që ka qenë 6 Marsi ditëlindja e Markezit, kur e telefonova vet agjencinë e Kadaresë seksionin e Londrës, ku ne kishim komunikim të përjavshëm për librat e Kadaresë dhe i thashë meqënëse sot është ditëlindja e Markezit, a ka ndonjë gjë të re? Nuk vonoi më shumë se pesë minuta, kur nga Barcelona më vjen një email, në të cilin thuhej, na jepni ju letrën të cilën ia keni dërguar Uailit. Më pyetën se çfarë problemi kishim ne, u thashë se problemin e kishin ata.

Unë kam paguar një farë dëmi që botuesit shqiptarë kanë bërë. E kam bërë këtë edhe për dinjitet përballë agjencisë, për të krijuar besueshmërinë e tyre, që kjo ishte një punë serioze, që unë isha një botues që kisha jo vetëm Kadarenë, po kisha synimin që të sillja në shqip letërsinë më të mirë e ta filloja me Markezin”, u shpreh Bujar Hudhri në “Odeon”.

 


Send this to a friend