Berisha dhe Karamanlis
Në një kabllogram të vitit 2010, Ambasada Amerikane në Tiranë trajton rrëzimin e Marrëveshjes së ujërave mes Shqipërisë e Greqisë. Ambasada ndalet në vendimin 9 me 0 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe citon një diplomat grek në Tiranë, i cili shprehet se Shqipëria është ende në pjatën e Greqisë. Diplomati shprehet se kjo çështje nuk do të mbyllej kaq lehtë. Më poshtë kabllogrami i plotë:
Më 26 janar, Gjykata Kushtetuese, në një opinion 9-0, vendosi që traktati i prillit 2009 ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në lidhje me bregdetin e Jugut ishte antikushtetues. Opinioni ende nuk është publikuar, por Gjykata tha në një deklaratë që gjeti probleme “materiale dhe procedurale” me Marrëveshjen. Mendimi 9-0 ishte befasues, pasi gjërat rrallë janë unanime në Shqipëri dhe qeveria shqiptare e kishte mbrojtur fuqimisht dhe publikisht traktatin kur u vu fillimisht nën kritikat e publikut. Një diplomat grek tha se ishte i “zhgënjyer” me vendimin dhe sugjeroi se pak “quid pro quo” do të vihet në punë, pasi Shqipëria ka ende nevojë për Greqinë për shumë nga çështjet që është duke u përpjekur të trajtojë. Më 26 janar, Gjykata Kushtetuese, në një opinion 9-0, hodhi poshtë Marrëveshjen e prillit 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë në lidhje me bregdetin Jugor të Shqipërisë. Traktati, i cili u nënshkrua prillin e kaluar në Tiranë, u arrit gjatë vizitës së parë të një Kryeministri grek në Shqipëri që nga viti 1992 dhe i vlerësuar nga grekët, siç ishte kritikuar nga media shqiptare. Pothuajse çdo ditë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes, “Gazeta Shqiptare”, e krahut të majtë, botoi artikuj që e dënonin Marrëveshjen, duke e etiketuar atë si të njëanshëm, të padrejtë, të paligjshëm dhe jokushtetues. Partia Socialiste e opozitës i kërkoi atëherë Gjykatës Kushtetuese shqyrtimin e Marrëveshjes. Gjykata Kushtetuese duket se u pajtua. Megjithatë, ajo nuk i ka publikuar arsyetimin e saj ende, duke thënë vetëm se çështje “procedurale dhe materiale” janë shkelur nga Marrëveshja. Shumica e vëzhguesve presin mendimin e Gjykatës, që do të publikohet javën e ardhshme. Një tjetër vëzhgues sugjeroi që Gjykata duhet të kishte pasur qartësimin nga Kryeministri Berisha për të marrë këtë vendim, pasi afatet e disa gjyqtarëve në Gjykatë përfundojnë së shpejti dhe ata nuk do të duan të rrezikojnë emërimet e të ardhmen nga Kryeministri, duke shkuar kundër vullnetit të Berishës. Një ekspert ligjor prej një kohe të gjatë i tha Ambasadës se një vendim 9-0 nga Gjykata kundër traktatit, “është i pakonceptueshëm”, përveçse nëse Gjykata ka marrë të paktën miratimin e heshtur nga qeveria shqiptare për refuzimin e traktatit. Murmuritje mbi traktatin janë dëgjuar edhe nga ushtria. Vëzhguesit kanë spekuluar shumë se traktati ishte një “quid pro quo” për mbështetjen greke për NATO-n dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Ioannis Vikelidis i Ambasadës Greke i tha Ambasadës Amerikane se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë “zhgënjyes”, duke shtuar se, nga pikëpamja e tij, grekët arritën një marrëveshje detyruese me Shqipërinë. Megjithatë, Vikelidis tha se grekët do të respektojnë vendimin e Gjykatës. Ai tha se negociatorët shqiptarë ishin “krem e kënaqësi” për Shqipërinë me ekspertë ligjorë, detarë, ushtarakë gjatë negociatave dhe për këtë arsye, në qoftë se një marrëveshje e re duhet të arrihet, grekët ka mundësi të këmbëngulin në një përbërje të re të palës shqiptare. Ai gjithashtu sugjeroi paksa një “quid pro quo” për Shqipërinë, duke theksuar se Shqipëria ka shumë çështje në pjatën e saj që kërkojnë miratimin dhe/ose ndihmën greke. Ai gjithashtu theksoi se pala shqiptare nuk e ka ratifikuar traktatin në lidhje me varrezat greke në Shqipëri, pavarësisht se ka pasur mjaft kohë për ta bërë këtë. (Shënim: varrezat do të jenë për eshtrat e ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore).
Ai gjithashtu u ankua për rolin e medias në proces, duke vënë në dukje se ajo i ka fryrë zjarrit të pakënaqësisë dhe ka raportuar e papërgjegjshme për këtë çështje. Ai gjithashtu priste që opinioni, që do të dalë pas disa javësh, një kohë e mjaftueshme, tha ai, për një “gatim” të publikut. Ai vuri në pyetje precedentin dhe shembullin që po jep Shqipëria, duke thënë se ajo duhet të respektojë marrëveshjet e saj. Ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, e cila ishte në këtë pozicion gjatë kohës së negociatave për traktatin, ka thënë publikisht se anulimi i traktatit ishte kërkuar nga grupe “ekstremiste” dhe se lideri i PS-së, Edi Rama, iu bashkua këtyre grupeve në kundërshtimin e traktatit dhe për këtë arsye mban një pjesë të përgjegjësisë për këtë vendim.
Në përgjigje të vendimit të Gjykatës, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, afirmoi respektin e qeverisë për vendimin e Gjykatës dhe synimin e qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjur argumenteve të Gjykatës pas lëshimit të vendimit të plotë. Sqarime të mëtejshme për kufijtë detarë me Greqinë dhe Malin e Zi mbeten një prioritet i lartë për qeverinë shqiptare, ndërkohë që ajo është një hap afër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, sipas Metës. Meta gjithashtu komentoi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke, duke thënë se Greqia mbetet një nga mbështetëset kryesore të integrimit europian të Shqipërisë dhe procesit të liberalizimit të vizave. Meta përmendi gjithashtu gati një milion shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe “mbështetjen e palëkundur” të Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Koment: Pranverën e kaluar u duk se grekët dhe shqiptarët i kishin sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet e tyre. Me vizitën e ish-Kryeministrit Karamanlis dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të detit dhe varrezave, dukej se një ditë e re kishte aguar. Dhjetë muaj më vonë, me një marrëveshje të deklaruar antikushtetuese dhe një tjetër të paratifikuar, të dyja palët duket se janë kthyer aty ku ato ishin më parë, të dyshimta dhe të pabesa ndaj njëra-tjetrës, por që kanë nevojë për njëra-tjetrën. Vendimi i Gjykatës 9-0 është një shfaqje e rrallë e harmonisë në këtë mjedis ndryshe nga ai i shfrenuari i përkrahjeve politike. Vëzhgues të shumtë i kanë thënë Ambasadës se qeveria shqiptare u kap në befasi nga reagimi publik kundër traktatit dhe mund ta ketë shtyrë lehtë Gjykatën Kushtetuese ndaj kundërshtimit të traktatit, si një mënyrë për të kufizuar dëmin e brendshëm politik, ndërsa në të njëjtën kohë kursen kohë për përballjen me Greqinë. Vikelidis ishte qartazi i inatosur gjatë takimit dhe toni i tij ishte ogurzi kur ai vuri në dukje se Shqipëria ka ende nevojë për Greqinë për shumë gjëra që është duke u përpjekur për të arritur. Se si do të luhet kjo në vazhdim, është e pasigurt tani, por duket se marrëdhëniet shqiptaro-greke janë kthyer sërish aty ku janë zakonisht: të tensionuara dhe të komplikuara.
WITHERS
Kabllogrami në Wikileaks
Withers: Gjuraj, njeriu i duhur si ambasador në Izrael
Në një kabllogram tjetër, Ambasada Amerikane flet edhe për Diplomacinë shqiptare, duke vlerësuar edhe ambasadorë të caktuar për punën e tyre. Duke vënë theksin te talentet e reja që po dalin në shoqërinë shqiptare pas rënies së komunizmit, Ambasada vlerëson ish-ambasadorin shqiptar në Izrael. “Personi i duhur, në kohën e duhur. Edhe pse me një popullsi të vogël, Shqipëria ka talente të reja që e nisën karrierën e tyre pas rënies së komunizmit dhe numri i tyre është në rritje. Një i tillë është ambasadori aktual në Izrael i Shqipërisë, Tonin Gjuraj. Ai është i aftë, sociolog me profesion, me doktoraturë në Universitetin e Tiranës dhe me master mbi shoqërinë dhe politikën në Universitetin e Europës Qendrore. Gjuraj ka paraqitur kohët e fundit për izraelitët rastin për pavarësisë së Kosovës, duke shpjeguar se kosovarët duan të krijojnë një shtet të pavarur, jo një shtet-komb mysliman, siç e paraqesin mediat”, thuhet në kabllogram.
Prokuroria: Verifikim kabllogrameve, jo hetim
Prokuroria e Përgjithshme “saktësoi” dje lajmet e përhapura në median elektronike dhe të shkruar në lidhje me kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë. “Duke iu referuar disa informacioneve të publikuara në disa media, Prokuroria shqiptare bën me dije se nga ana e këtij institucioni nuk është ngritur asnjë grup i posaçëm hetimor lidhur me kabllogramet e dhëna nëpërmjet ËikiLeaks-it e të pasqyruara në media”, thuhet në një deklaratë të dërguar dje nga Prokuroria e Përgjithshme me e-mail. Njoftimi i nisur pasdreke nuk thekson asgjë më tepër në lidhje me këtë çështje, ndërsa më tej, në material, Prokuroria gjen rastin të shprehë angazhimin e saj në përmbushjen e detyrave të saj kushtetuese dhe e fton median, si aleate natyrale dhe bashkëpunuese, në denoncimin e rasteve të korrupsionit e abuzimeve të ndryshme, të konfirmojë zyrtarisht informacionet që lidhen me aspekte të punës së institucionit të Prokurorisë. Dy ditë më parë, mediat elektronike dhe më pas disa media të shkruara raportuan fillimin e një hetimi mbi përmbajtjen e kabllogrameve të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Prokuroria sqaroi dje verbalisht, pas dërgimit të deklaratës me e-mail, se bëhet fjalë për verifikime të informacioneve të përhapura nga kabllogramet, dhe jo për një hetim mirëfilli penal.
13.09.2013
Komentet