Anita Take është ngjitur në skenë para 50-vjetësh, por akoma vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë njohur atë. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Kjo tregon se këngëtarja e madhe Anita Take me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.
E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë. Ajo ka mbi 50 vjet, që ka kënduar dhe vazhdon të këndojë edhe sot, sa herë që e thërrasin. Debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind këngët e shekullit”, ku duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën, e mallëngjyen pa masë.
Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Por, ndonëse ajo është shumë e gëzuar për profesionin e saj, pengu i vetëm për të, është se nuk ka arritur të filmohet, duke kënduar në vitet e saja më të mira. Ndër çastet më të bukura të jetës së saj, ajo veçon ditën kur u bë për herë të parë nënë, si dhe çastin kur bashkëshorti i saj, Agim Prodani i tha: “Të dua”. Ajo ka vendosur të mos ndahet kurrë nga kënga, ndaj krahas debutimeve në skenë gjatë përgjatë tre viteve të fundit dhe tek “Këngët e Shekullit”, po përgatit edhe albumin e saj të dytë me këngët më të mira. Albumin e parë e ka publikuar para një viti, i cili është pritur shumë mirë në publik.
Znj. Take, tashmë emri juaj është gdhendur në librin e historisë së muzikës shqiptare, çfarë mund të na thuash më shumë në lidhje me arritjet e tua artistike në këtë fushë? Arritjet e mia artistike mund t’i përmbledh vetëm me tre fjalë. Punë, punë dhe vetëm punë. Mendoj se nuk mjafton vetëm pasioni dhe talenti për të bërë diçka në një fushë të caktuar, por natyrisht në lidhje me suksesin, ka të bëjë këmbëngulja, serioziteti dhe qëllimi që i ke vënë vetes.
Gjithashtu, ka të bëjë edhe kontrolli ndaj vetes. Kur them kontroll, kam parasysh spektatorin, i cili të kontrollon në çdo hap që hedh në këtë drejtim. Nisur nga kjo, unë këtë e kam pasur si pikëvëmendje në jetën time skenike, muzikore dhe familjare.
Ndonëse jeni një zë i fuqishëm i muzikës shqiptare, ju keni marrë pjesë shumë pak në festivalet, që janë zhvilluar nga Radio-Televizioni Shqiptar, përse ka ndodhur kjo me ju? Është shumë e vërtetë kjo që thoni ju, por ndonëse nuk kam marrë pjesë në festivale të këtij lloji, aktiviteti im në fushën e muzikës ka qenë tepër i dendur. Kjo më ka penguar të marr pjesë në aktivitete të tilla. Megjithatë, mendoj se festivalet që janë zhvilluar nga Radio-Televizioni Shqiptar, kanë qenë evenimente shumë të bukura kulturore, me shumë emocione dhe me një lloj konkurrence. Por, ndonëse këtë konkurrencë unë e kam dashur, qëllimi i misionit tim ka qenë të dal në skenë dhe të këndoj bukur për publikun, si dhe të them atë çka dua të them nëpërmjet këngës dhe nëpërmjet vargjeve. Gjithashtu, kam preferuar të kem korrektesën time profesionale dhe qytetare përballë spektatorit, pasi të dyja janë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Nisur nga kjo, edhe pse unë kam marrë pjesë shumë pak në festivalet e organizuara nga Radio-Televizioni Shqiptar, gjithmonë e kam ndjerë veten shumë mirë edhe jashtë tyre, pasi kam marrë pjesë në aktivitete të tjera, po aq të rëndësishme dhe më pranë publikut.
Sa vjet keni që këndoni në skenë?
Jeta ime në skenë përmbledh një epokë 50-vjeçare. Në këtë këtë periudhë të gjatë unë kam jetuar si këngëtare dhe vazhdoj të jetoj akoma duke kënduar.
Cilat nga këngët më të dashura për ju?
Unë kam shumë këngë të dashura, ndaj nuk mund të veçoj ndonjërën prej tyre. Për mua, si këngë më të dashura, janë këngët me tematikë shoqërore dhe ato me tematikë të dashurisë intime. Pra, këngë që kanë pasur melodi të thjeshta. Kënaqësia dhe arritja ime ka qenë se, këto këngë, ndonëse kanë kaluar 50 vjet, vazhdojnë të këndohen edhe sot nëpër festat familjare nga brezat e rinj dhe të moshuar. Duke parë rezistencën e këtyre këngëve dhe interesimin e njerëzve për t’i kënduar ato, mendoj se kjo është arritja më e madhe për mua dhe krijuesit e këtyre këngëve.
Të ka rastisur të dëgjosh ndonjë nga këngët e tua dhe si të është dukur intrepretimi nga këngëtarët e tjerë? Ka pasur shumë raste, kur unë kam dëgjuar këngët e mia të kënduar nga këngëtarë të tjerë. Kjo nuk më kanë lënë ndonjë shije të veçantë, përveçse kënaqësisë që kënga ime jeton. Unë gëzohem jashtëzakonisht shumë, kur dëgjoj këngët e mia të këndohen nga të tjerët dhe nuk rrëmbehem nga i mendimi, që ata i kënduan, i kënduan më mirë, ose më keq se unë. Për mua nuk ka rëndësi kush i këndon, por ka rëndësi të jetojë kënga dhe ajo të përcillet ndër breza. Kjo mendoj unë është arritja më e madhe për një këngëtar, apo krijues. Këtu unë nuk kam parasysh çmimet e marra nëpër festivale, por çmimin e madh që të jep publiku, duke i duartrokitur dhe i kujtuar ato këngë. Pra, unë mendoj se kënqësinë më të madhe nuk ta japin çmimet, por ta jep publiku dhe jetëgjatësia e këngës, duke u transmetuar brez pas brezi.
Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?
Këto janë momente që natyrisht nuk harrohen. Kam qenë shumë e re kur jam ngjitur në skenë. Ka qenë viti 1949. Në atë kohë, kam qenë si amatore në Shtëpinë e Oficerave, pasi atëherë nuk kishte festivale, nuk kishte as skena, ku ne mund të dilnim lirshëm, siç dalin sot këngëtarët, nuk kishte as televizione për të shpalosur talentin tone.
Si ju lindi pasioni për këngën?
Kënga ishte një ndjenjë që lindi siç duket bashkë me qenien time. Në këtë rrugë më ka përkrahur shumë edhe mamaja ime, e cila e donte shumë artin. Më pas, nga kënga në këngë, nga debutimi në debutim, arrita deri në skenën profesioniste, kohë kjo kur mblidheshin talentet.
Çfarë të kujtohet nga periudha, kur ju hodhët hapat e para në rrugën e muzikës? Në kohën kur unë nisa rrugën e këngës, kishte pak këngëtarë dhe kompozitorë në Shqipëri. Në atë kohë ishte një bërthamë e vogël këngëtarësh dhe kompozitorësh, që kishin studiuar jashtë Shqipërisë, si në Austri dhe në Itali. Unë i përkas atij brezi, që dolëm si luledelet, që dalin pas një shiu në pranverë. Ashtu filluam të dalim edhe ne katër, apo pesë këngëtarë, ku më pas vitet bënë që të dalin qindra e qindra këngëtarë, të cilët debutuan dhe vazhdojnë të debutojnë me shumë dinjtet brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Nga familja juaj ka pasur ndonjë që merrej me art?
Prindërit e mi kanë qenë shumë artdashës, por nuk e kanë ushtruar në jetë këtë profesion. Babai im ka pasur një vegël frymore, që i binte në shoqërinë “Vatra” në Amerikë, ku ai kishte emigruar. Edhe nëna këndonte bukur. Pra, ka qenë edhe ambienti familjar, që më ka ndihmuar.
Ruani ndonjë moment, kur jeni mallëngjyer në skenë?
Po. Ky çast prekës më kujtohet edhe tani dhe lidhet me periudhën kur më kishte vdekur nëna ime. Për ta larguar dhimbjen dhe për të qëndruar larg zakoneve, unë isha larguar posaçërisht nga Shqipëria për një turne në Evropë. Pasi qëndrova më shumë se tre javë larg Shqipërisë, më bëjnë një telefon dhe më ftojnë për të marr pjesë në Festivalin e Pranverës. Në këtë festival unë do të merrja pjesë si e ftuar. Erdha dhe këndova pikërisht këngën e nënës, ngaqë në atë kohë ne ishim në prag të festës së 8-Marsit. Teksa këndoja këtë këngë, befas mu kujtua nëna ime, që kishte dy javë që kishte vdekur. Nisur nga kjo, unë u mallëngjeva shumë, saqë shpërtheva në lot. Mu trash edhe zëri dhe nisur nga kjo i kërkova falje spektatorit, që kishte mbushur sallën. Më pas mora frymë thellë, e përsërita këngën dhe papritur pashë që edhe spektatori i prekur thellë dhe i emocionuar nga ajo që më ndodhi mua, shpërtheu në duartrokitje të zjarrta. Në ato momente mua mu duk sikur e pata të gjallë nënën time.
Si kanë qenë marrëdhëniet e Anita Takes me kolegët dhe, a takoheni tani shpesh për të kujtuar dhe hequr mallin e atyre viteve? Marrëdhëniet e mia me kolegët kanë qenë shumë të mira, madje do të thoja më shumë se të mira. Në atë kohë, duke qenë se ishim shumë pak këngëtarë dhe krijues, qëndronim shumë më afër njëri-tjetrit. Unë kam pasur partnere dhe partnerë në skenë, me të cilët ruaj kujtime shumë të bukura. Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më, por unë i kujtoj akoma me respekt. Kujtoj me respekt edhe ata që jetojnë dhe kur mblidhemi nëpër festa të ndryshme, kujtojmë me shumë nostalgji periudhën që kemi kaluar bashkë, si dhe arritjet dhe zhgënjimet në fushën e muzikës.
Krahas arritjeve në këngë, një moment i rëndësishëm për çdo artist është edhe periudha bashkëshortore, çfarë mund të na thuash më shumë në lidhje me këtë, kur dihet që bashkëshorti juaj, Agim Prodani është një ndër themeluesit e muzikës së lehtë shqiptare? Me bashkëshortin tim, Agim Prodani, jam njohur nëpërmjet këngës, meqë ai ishte kompozitor. Ndoshta, zëri më bëri që unë të njihem me një personalitet të muzikës shqiptare, që natyrisht në atë kohë ai ishte i ri dhe nuk e kishte krijuar atë imazh aq të bukur që ka sot.
Këtë njeri unë e kam vlerësuar shumë. Ai më kishte piketuar mua si një këngëtare, si një kolege, që më respektonte dhe unë pronto në çdo moment. Me kalimin e viteve, ne u njohëm më shumë me njëri-tjetrin, nga ku më pas na lindi edhe ajo e shkretë dashuri si i thonë, pasi kjo ndjenjë njerëzore nuk ka asnjë recetë dhe vjen në një moment, kur ti ndoshta dhe nuk e pret. Jeta ime në familje ka qenë shumë e ngrohtë dhe me një mirëkuptim, të cilin ia uroj çdo njeriu.
Cila ka qenë pika juaj kyçe në këtë lidhje bashkëshortore?
Pika jonë kyçe ka qenë, që ne e njohëm shumë mirë njëri-tjetrin para se të binim në dashuri. Mendoj se kjo ka qenë një arritje madhe në jetën tonë bashkëshortore. Nga kjo martesë na kanë lindur dy djem.
Fëmijët tuaj, a kanë marrë profesionin e prindërve të tyre?
Po. Ata janë shumë të talentuar. Më i madhi, Kujtim Prodani, është kompozitor dhe kantautor. Djali i dytë, Florian Prodani ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë, në degën inxhinieri ndërtimi, por nuk e ka ushtruar fare këtë profesion. Më pas ka studiuar për informatikë. Edhe atij i pëlqen shumë muzika dhe për këtë vazhdon të punojë në piano, në shtëpinë e tij.
Tani që jeni në një moshë të thyer, a do të këndoni, nëse nga publiku do t’ju vijë një ftesë? Patjetër që do të këndoja. Unë publikut shqiptar i kam shumë borxhe, ndaj sa të kem frymë do të këndoj për të, pasi ka qenë pikërisht ky publik, që gjithmonë më ka përkrahur, më ka mbështetur dhe duartrokitur, sa herë që kam dalë në skenë. Në këto tre vjetët e fundit, unë kam kënduar dhe nuk jam ndarë nga kënga, megjithë moshën time të madhe. Nisur nga kjo, mendoj se unë po jetoj për të kënduar.
Kur keni kënduar për herë të fundit?
Për herë të fundit kam kënduar tek “Këngët e Shekullit”.
Si t’u duk ajo natë?
Ajo natë për mua ka qenë një mrekulli. Ndaj uroj të mos e kem natën e fundit. Unë u befasova, që ato këngë të vjetra dhe me një tekst, që ndoshta nuk janë dhe aq të përshtatshme me realitetin e kohës, akoma pëlqehen dhe duartrokiten nga publiku.
Aktualisht, a keni ndonjë dëshirë, që mendoni ta realizoni së shpejti? Aktualisht po mendoj të realizoj albumin tim të dytë, me këngët e mia më të zgjedhura.
Po ndonjë peng të parealizuar? Më vjen shumë keq, që nuk pata fatin të filmohem në jetën time si këngëtare. Cilat mendoni se janë çastet më të bukura në jetën tuaj?
Si çaste më të bukura në jetën time, mund të veçoj çastin kur unë u bëra nënë për të parën herë. U gëzova shumë kur më thane: “Të ka lindur djalë”. Gjithashtu, çast tjetër i bukur për mua, është edhe çasti kur bashkëshorti im, Agim Prodani më tha: “Të dua”. U gëzova shumë, pasi kjo fjalë u shqiptua fort nga ai dhe jo sa për të kaluar radhën. (Qesh).
Njohja me kompozitorin Agim Prodani, sa të ka ndihmuar në jetë? Më ka ndihmuar shumë. Ndaj, për këtë unë falenderoj shumë profesionin tim, i cili më njohu me njeriun, që më ka ndihmuar dhe më ka përkrahur pa masë në rrugën time artistike. Ai gjatë gjithë jetës sime mbeti për mua, jo vetëm një bashkëshort i mirë, por edhe një shok dhe koleg shumë i mirë.
Bashkëshorti juaj ka qenë një kompozitor dhe kompozues i shumë prej këngëve të tua, të gjitha këngët e dashurisë, Agimi t’i ka kushtuar ty? Jo, të gjitha këngët e mia, që flasin për dashurinë janë kompozime të bashkëshortit tim, por disa nga këngët më intime, të cilat unë i ruaj akoma, janë kompozuar nga ai. Tematika e këngëve të tij ka qenë shumë e larmishme, por disa nga më pikantet, kur ka qenë temperatura 40 gradë, mi ka kushtuar mua, ndërsa të tjerat jo.
Mentor HOXHA
Marrë nga parajsa.com
ANIDA TAKE
Agim Prodanin nuk ma zëvendëson dot askush
Emri i saj në fakt nuk është Anita siç shumë kush mund të jetë mësuar ta thërrasë, por Anida. Kjo ishte surprizë edhe për mua, pasi këtë e mësova vetëm nga biseda me të. Në trinitetin e saj si artiste nënë dhe bashkëshorte, Anida përcillet në këtë intervistë në lartësinë e një gruaje që me të vërtetë e ka merituar suksesin dhe respektin. Udhëtojmë në jetën e saj mes të kaluarës dhe të sotmes dhe njohim jo vetëm recetën e një modeli femëror të suksesshëm, por dhe të një gruaje që i ka mbijetuar kohës, që ka gëlltitur dhimbjen fizike dhe ka prekur lumturinë njerëzore. Ashtu e bukur, e respektueshme, e ëmbël, e mençur me emocionin dhe turpin e saj akoma vashëror Anida mbetet krenari në plejadën e femrave shqiptare.
Zonja Anida, si e jetoni muzikën tani?
-Nuk mund ta kuptoj jetën pa muzikë. Kam lindur duke kënduar dhe do vdes duke kënduar. Kur kam oferta për të kënduar, kurrë nuk i refuzoj, ndërkohë që intervistat i kam pak të zorshme.
Sa rëndësi i keni dhënë punës, në jetën tuaj?
-I kam dhënë rëndësi të madhe. Nëse kam arritur të bëhem diçka në jetë, kjo ka qenë vetëm nëpërmjet punës, punës dhe punës.
Keni qenë shumë aktive si në profesion dhe në marrëdhëniet me familjen. Sa ju ka kushtuar gjithë ky përkushtim?
-Unë nuk kam qenë vetëm këngëtare në jetë. Së pari kam qenë një kolege me një partner të vështirë. Kur them të vështirë, dua të them se ai ka qenë maniak pas të përkryerës, dhe bashkëpunimi me të, ka qenë i vështirë, por i suksesshëm. Nëse unë kalova disa vite si kolege me Agimin, në një marrëdhënie profesionale dhe shoqërore, theksoj se kanë qenë marrëdhënie shumë korrekte pa interes mashkulli për një femër, besoj se rolin kryesor e ka luajtur korrektesa dhe përkushtimi për punën. Këtë gjë, ai ma ka përsëritur shpesh kur ishim të martuar. Kur e kujtonim kohën tonë të punës në bodrumet e radios, ai më thoshte:”Ndjehesha shumë në siklet kur vija me vonesë, dhe të gjeja duke më pritur gjithnjë e rregullt dhe në orar”. Kjo ishte arsyeja që i fitova zemrën, atij djali të edukuar dhe të talentuar, që gjithnjë ishte i rrethuar nga këngëtare shumë më të bukura se unë, shumë më tërheqëse se unë. Unë e kam respektuar gjithnjë veten. Kështu e fitova Agimin, pa bërë asnjë përpjekje. Duke respektuar veten, duke u mbrojtur kur duhej, e urtë, punëtore, kokulur, dhe pa dyshim dhe me seriozitet.
Kjo do të thotë se duke i patur këto karakteristika individuale, tuajat, ja u lehtësuan jetën?
– Nuk më kanë kushtuar shumë. Unë u bëra bashkëshorte e Agimit, por siç thotë populli “ i vura shpatullat shtëpisë”. Sepse Agimi, duke qenë krijues, kishte nevojë për kushte dhe lehtësime në familje. Unë, e dobët kam qenë, por e fuqishme, dhe e kam adhuruar familjen, shtëpinë. Më ka pëlqyer gjithnjë ambienti familjar, dhe harmonia. I jam dhënë familjes me mish e me shpirt. Fëmijët nuk i çoja në çerdhe sepse kisha frikë se më sëmureshin, dhe nuk mi mbanin mirë edukatoret. Por unë punoja, dhe më duhej të shkoja në estradë dy herë në ditë. Në mbrëmje ne kishim shfaqje dhe më duhet të dilja para spektatorëve. Spektatori nuk do t’ia dijë për problemet dhe punët që ka këngëtari në shtëpi, kështu që shumë herë vija kompresa me ujë të ftohtë në sy, për të larguar lodhjen dhe për të më kthyer shikimin. Agimi ka qenë shumë i lidhur me shtëpinë. Pianoja, cigarja dhe Anita kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së tij. Gjatë gjithë jetës kam qenë organizatore e punëve, sepse më duhet të mendoja për ushqimin, pazarin, gjellën, tavolinën, fëmijët. Por ka qenë diçka që unë e kam pëlqyer, dhe nuk e kam ndjerë si rëndesë.
Nuk ndjeheni e lodhur nga gjithë këto përpjekje?
-Jam e lodhur, por e bëj përsëri. Tani jetoj me djalin dhe përsëri merrem me këto punë. I shërbej shumë. E kam kënaqësi ti shërbej njerëzve.
Ta kanë vlerësuar këtë përkushtim Agimi dhe fëmijët?
– Tani më ngacmove shumë. Pasi jetuam 31 vjet së bashku dhe rregulluam kushtet tona, pra, u sistemuam me shtëpinë që jemi sot, ndërsa po hanim drekë me djemtë dhe unë ndjehesha e lodhur, Agimi u tha atyre: “Dëgjoni djema, unë gruan dhe ju nënën tuaj të themi të drejtën e kemi shfrytëzuar pak. Sot e tutje, do marrim angazhim që ta ndihmojmë. Ti Flori do të hekurosësh, ti Kujtim do bësh pazarin, dhe unë në shtëpi do bëj sa të mundem.” Unë i dëgjoja, dhe u lumturova, dhe pse me mendjen time përsërisja që përsëri do i bëja vetë, sepse e kisha në natyrë këtë gjë. Atë ditë u nisa për në Elbasan dhe kur u ktheva e gjeta të vdekur Agimin.
E ndjeni shumë humbjen e bashkëshortit?
-Mos më thoni! Dje kam qenë në varreza dhe jam akoma me velin e trishtimit. Ndërsa flas, jam e ngarkuar me kujtimet e mia. E kam ndjerë shumë, por e kam marrë me filozofi sepse jeta është ndërtuar në këtë mënyrë, ikën një njeri, lind një tjetër, rritet, vdes. Por ndiej mungesën e tij si shok, si mikun më të mirë që pata. Jam përpjekur që ta kompensoj, duke krijuar me njerëzit marrëdhënie miqësore, duke qenë një nënë e lumtur, por dhe vjehrre e lumtur. Nuk jam besimtare, por çdo mëngjes them: “O zot, faleminderit!”
Anida si vjehrrë. Si janë raportet me nusen tuaj?
-Nuk e ndjej veten vjerrë. Unë nuk kam vajzë, por dhe po ta kisha nuk mendoj se do kisha dashur më shumë dhe do kisha më shumë konfidencë se kam unë me Gentën. Ndjehem shumë e plotësuar me të. Dje që isha në varreza shkova tek varri i nënës së Gentës dhe i thashë: “Nuk të njoha asnjëherë, por ti e linde, e rrite, për ta gëzuar unë!” Genta është më e mirë seç të gjithë e njohin. Shkoj çdo të shtunë, që ajo ka ditën e pushimit, dhe drekoj me djalin dhe nusen. Ky është një ligj me të cilin nuk mund të luhet.
Po ju keni patur vjerrë?
-Foton e vjerrës akoma e mbaj mbi kokën e krevatit tim. E kam dashur shumë vjerrën, dhe kemi qenë bashkë deri në fund të jetës. Më kujtohet që Agimi më thërriste lule, ndërsa ajo lulishte ( Më thoshte:Je më shumë se një lule). Edhe sot, ky emër më ka mbetur tek njerëzit e shtëpisë.
Cilat janë këshillat tuaja për një grua, që të jetë e lumtur dhe e suksesshme në jetën e saj?
-Të jetë vetvetja. Të jetë e sinqertë me partnerin dhe me fëmijët. Duke qenë kështu ka harmoni në familje dhe pa dyshim lind dhe respekti, dhe ajo familje nuk do të përjetojë probleme të rënda.
Por nëse një grua ka kontradikta me bashkëshortin. Çfarë mendimi keni për rebelimin e saj dhe për divorcin?
-Në momentin që nuk ka riparim marrëdhënia dhe partneri ka probleme, unë mendoj se gruaja duhet të kërkojë zgjidhjen e kësaj lidhjeje. Kur në familje ka dhunë, ajo duhet të rebelohet. Unë po ta kisha patur në jetën time, nuk do e kisha toleruar. Gjithnjë duke iu referuar korrektes sime personale. Nuk ka pse të sakrifikojë gruaja gjithë jetën për hir të fëmijëve, ose për hir të një interesi mbijetese. Ajo duhet të zgjedhë rrugën e saj në jetë. Nuk jam pro tradhtisë në familje. Por mbasi njeriu e ka zgjidhur martesën, jam dakord dhe me një martesë të dytë dhe të tretë. Dhe më duket se kështu ka ardhur koha tani. Familja është tepër e shenjtë dhe do mbrojtur, por gjithnjë kur ajo është e shëndoshë. Mendoj se elementi kryesor është kujdesi dhe zgjedhja e partnerit. Sot lidhjet bëhen shumë shpejt. Unë i vë rëndësi shumë njohjes paraprake. Unë me Agimin kam kaluar shumë kohë njohjeje, para se të vendoseshim të lidheshim. Njohja pa piksynime është e rëndësishme. Femra intrigon kollaj. Pikërisht për këtë shkak sot vihemi përballë historish të çuditshme dhe këto na bëjnë që meshkujt ti shohim me sy të keq. Pavarësisht se këtu kanë pjesë dhe femrat.
Çfarë ju bën ju sot, të ndjehemi mirë me veten tuaj?
Unë ndihem mirë se jetoj. I kam fëmijët mirë me shëndet, dhe njerëzit që më rrethojnë janë mirë. Ndihem një nënë e përkëdhelur.
Shtatzënia ime e parë më ka lënë 9 muaj në shtrat
Thatë që keni patur dy lindje shumë të vështira. Si ka qenë ardhja e fëmijëve të tu në jetë?
– Fëmija i parë erdhi në momentin e duhur, pas gjashtë vjetësh që ne ishim lidhur. Por shtatzënia ime e parë ka qenë shumë e vështirë. Kam kaluar në fëmijëri sëmundjen e brucelozës, dhe më kujtohet që kam bërë mbi dy mijë inxheksione për të mbajtur fëmijën, sepse rrezikoja abortin. Kam kaluar shumë kohë në spital dhe personeli mjekësor më ka mbajtur në pëllëmbë të dorës. Më kujtohet që ndërsa arrinte momenti i ardhjes së fëmijës, doktor Glozheni u thotë punonjësve të tij “Gati i keni enët e gjakut!”Kur dëgjova profesorin, mendova se situata ishte e rrezikshme dhe unë perceptova që mund të humbja djalin. Atëherë kam menduar: “Nëse do zbres ato shkallët e maternitetit pa djalë, do hidhem nga shkallët!” Nuk është mirë që e them, por atëherë e mendova me të vërtetë. Unë nuk mund ta kuptoja dot jetën, pa fëmijën. Mendoni që, vetëm pas tre muajsh, kam mundur të ngrihem në këmbë e të eci. Kur kam dalë nga spitali kisha shtuar 28 kile, flokët më ishin zgjatur dhe babai mezi më njohu. Më kujtohet që nuk më bënte asnjë veshje dhe unë kam marrë një copë kambrike që e përdrodha në trup si veshjet indiane, deri sa formova gardërobën time të re. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, ka mbetur në historinë e maternitetit, fakti që, kam ndenjur 9 muaj në shtrat, deri sa realizova ardhjen e fëmijës tim në jetë.
A ndjeheni një nënë e shpërblyer nga fëmijët e tu?
-Për sa i përket marrëdhënieve të tyre me mua, absolutisht po. E kam pak peng djalin e madh që vazhdon të jetë beqar, por kështu e sheh ai jetën e tij, dhe mua më duket vetja e pafuqishme të ndërhyj në zgjidhjet e tij. Do dëshiroja shumë që sa të jetoja ta shihja dhe atë të sistemuar me familje, por nuk është e mundur të realizohet gjithçka që do zemra e një nëne.
Në familje jo gjithçka shkon në mënyrë perfekte. Ka dhe të meta që duhet të suportohen. Ju keni përtypur ndonjë të metë të bashkëshortit tuaj?
– Nuk them se ishte një e metë e dëmshme, por Agimi nuk dilte nga shtëpia. Unë si grua e re që isha, e dashuruar marrëzisht pas tij, do doja që ai të më shoqëronte. Me përjashtim të dy viteve të para kur ishim të fejuar, më pas ai nuk më shoqëronte as në shëtitje, as në vizita. Unë u mësova me këtë gjë, dhe e mirëkuptova. Për mua ishte e rëndësishme që ai nuk ndërronte partnere. Edhe kur shkonim nëpër mbrëmje atij nuk i pëlqente të kërcente, mua po. Nuk është se më ndalonte të kërceja me partnerë të tjerë, por unë e ndjeja që atij i vinte keq ti hidhesha në qafë një mashkulli tjetër, dhe unë nuk e bëja. Pra ka patur gjëra të vogla, të këtij lloji. Agimi më thoshte gjithnjë: “Jam menduar se kë mund të vija në vendin tënd, por nuk e kam gjetur kurrë një zëvendësuese”. E njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua. Kur kam qenë në Austri, para disa vitesh, njerëzit rreth e rrotull, me të cilët krijuam miqësi i thoshin djemve: “Kjo e ka humbur shokun prej vitesh. Tani ka nevojë për një friend, një shok”. Me atë gjermanishten time të çalë u thosha: “Nuk kam mundur kurrë të gjej, njeri më të mirë se atë që kisha. Nuk më bën përshtypje që kam 20 vjet pa të”.
Realisht si e jetoni lidhjen me të?
-E mendoj ditë dhe natë. Ai është pjesë e jetës sime. Shumë herë ndalem, afër fotografisë së tij mbi piano, dhe i them:”Ah more Agim, kështu është jeta, pas pak do vij tek ty dhe unë”. Flas me të. Pastaj gjëja që më ngushëllon është fakti që për të flitet shumë. Kjo më sjell kënaqësi. Nuk është në këtë moment duke pirë kafe me mua, por është në një shoqëri që e kujton, në respektin, në vlerësimet dhe superlativat e njerëzve. Me rastin e 45 vjetorit të festivalit kalova një moment shumë të vështirë. U bë një homazh për artistët që nuk jetojnë më, dhe duke parë secilin prej tyre në sallë, mendoja se çdonjëri ishte një kolloz, shihja fotot dhe u shkëputa nga realiteti duke u futur në botën e të vdekurve. Më pas drejtuesi i festivalit thirri emrin tim, por unë e ndjeva që këmbët më ishin bërë kallkan dhe pasi i dhashë një shtytje trupit dola në skenë, dhe më kaloi gjithçka. Unë e kam këtë gjë:po të jem para publikut, tjetërsohem.
Thatë që e përjetuat dhimbshëm parakalimin e kolosëve të muzikës. Keni frikë nga vdekja?
-Jo shumë, sepse më ka përgatitur Agimi. Ai fliste shumë për vdekjen. Në një periudhë lodhjeje profesionale, unë kalova një lloj depresioni ku e kisha frikë vdekjen e Agimit. Dhe ai punoi shumë me mua. Ai gjithnjë e thoshte që unë do jetoja më shumë. Edhe pse kishim vetëm 7 vjet diferencë. Ai ishte shumë i lodhur dhe jeta e puna që bënte, e sfiliti. Vuante nga pagjumësia dhe gjithë natën vetëm krijonte. Flinte në mëngjes, atëherë kur ripërtërihej jeta. Ajo që për mua ka qenë e rëndë, ka qenë mënyra se si u ndava me të. Nuk isha e përgatitur dhe nuk u gjenda aty, ti rrija pranë, të më linte një amanet. Por humbjet duhen gëlltitur, sepse mua më takon të ruaj dinjitetin e bashkëshortit, të fëmijëve të mi dhe të familjes. Me kalimin e kohës njeriu mëson të jetojë me humbjen. Ndaj dhe grave që kanë humbur bashkëshortët, u them se duhet t’ia lënë kohës. Mos ta sfilitin veten, ashtu siç bëra unë.
Im shoq kishte një xhelozi pozitive ndaj meje
Duke kaluar tek kënga, pasioni juaj i madh ju dhe vetë e thatë që i harroni të gjitha dhimbjet.
-Flas për Agimin sikur e kam diku aty. Ndonjëherë tregohem e kujdesshme, se mos i mërzis njerëzit, por ai ka qenë dhe është shumë i pranishëm në jetën time profesionale. Para katër vjetësh kam qenë në Kosovë, në një eveniment shumë të bukur dhe elitar. Kisha 50 vjet pa shkuar në Kosovë dhe mezi prisja të kisha një ftesë. E ndërsa këndoja para të pranishmëve flisja dhe për Agimin dhe bëja me kokë. Më dukej sikur diku do ta shihja. Dhe u dërgova dhe të pranishmëve puthje me dorë. Dhe pastaj mendova për atë gjest, se si do i dukej Agimit. Në fakt shumë vjet më parë, ndërsa isha rreth të 50-ave, në një koncert recital, u kam dërguar puthje me dorë spektatorëve dhe ai ishte mbrapa perdes dhe më ndiqte. Më kujtohet që menjëherë sa e takova e pyeta:”Mos bëra gabim?” Dhe ai më tha:”Jo Anida, është e drejta e moshës. Ndaj mos u rezervo!”
Ka qenë xheloz ndaj jush?
-Jo xheloz, në kuptimin negativ të fjalës, por ka qenë. Unë e kuptoja, dhe rezervohesha.
Keni qenë shumë e kujdesshme, atëherë?
-Kam patur një natyrë të ekuilibruar. Në moshën time të duket sikur jeta është e shkurtër. Por në fakt e gjithë koha që jetova me Agimin, dhe e sotmja pa praninë e tij reale por me praninë shpirtërore, përbën një cikël të pandashëm, sepse kemi jetuar dhe folur kaq shumë, sa për shumë momente gjej ngushëllim tek fjalët e tij.
Zonja Anida, para tre vjetësh ju keni promovuar dhe një album të ri. Në moshën 70-vjeçare i keni dhuruar publikut këngët e të paharruarës Take. Nga buron ky vitalitet?
-Nga dashuria. Dashuria për këngën, për punën, për njerëzit sepse kam dashur që ti dhuroj gjithçka atyre.
Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.
Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës hyn sot në ditën e 109-të, me qytetarët dhe aktivistët që pritet të mblidhen sërish në Tiranë për të vijuar atë që e kanë cilësuar si revoltë të pandërprerë.
Tubimi i sotëm vjen pas një dite të ngarkuar protestash në kryeqytet. Në ditën e 108-të, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas marshuan nëpër rrugët e Tiranës, me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës.
“Shqipëria po bën revolucion”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”, “Ju erdhi fundi” dhe “Arrestoni Ramën” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin.
Protestuesit iu drejtuan gjithashtu SPAK-ut, duke kërkuar vijimin e hetimeve dhe arrestimeve ndaj zyrtarëve të lartë. Aktivisti Arben Kola përmendi kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun, ndërsa deklaroi se presioni qytetar duhet të vazhdojë.
“Veliaj në qeli dhe shqiptarët të lirë. Radhën e ka Rama me Belinda Ballukun. Ju ftoj çdo ditë në shesh të rrisim presionin popullor”, deklaroi Kola.
Protesta e së martës nuk qëndroi vetëm para Kryeministrisë. Pas marshimit në kryeqytet, pjesëmarrësit u drejtuan te Blloku i Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku kërkuan lirimin e protestuesve të ndaluar.
“Nuk jeni vetëm”, “Lironi shqipet” dhe “Gjithë Shqipëria është me ju”, ishin thirrjet e tyre para ambienteve ku mbahen të ndaluarit.
Ndërkohë, dita e 109-të pritet të shërbejë edhe si pararendëse e protestës së paralajmëruar për të enjten. Nga tubimi i një dite më parë u bë thirrje që qytetarët të mblidhen në orën 10:00 para Parlamentit, në kohën kur Kuvendi do të zhvillojë punimet.
“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte thirrja e bërë nga protestuesit, të cilët kanë paralajmëruar se aksioni nuk do të ndalet vetëm te tubimet e përditshme para Kryeministrisë. bw
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës rikthehet sot në Tiranë, me qytetarët që do të mblidhen për të 108-ën ditë radhazi në kuadër të qëndresës së nisur prej muajsh. Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës së 107-të, e cila u shoqërua me tensione, përplasje me policinë dhe arrestime të disa protestuesve gjatë paradites.
Gjatë mbrëmjes, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë denoncuan dhunën policore, duke e cilësuar atë si tejkalim kompetencash. Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke u ndalur edhe pranë institucioneve të drejtësisë dhe duke kërkuar lirimin e personave të arrestuar.
Sot, protesta pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes kërkesat e qytetarëve ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, kundërshtimi i korrupsionit dhe kërkesa për ndryshim politik pritet të shoqërojnë sërish tubimin.
Pas ngjarjeve të ditës së djeshme, pjesëmarrësit kanë deklaruar se arrestimet dhe përplasjet me policinë nuk do ta ndalin protestën, por përkundrazi do të shërbejnë si motiv për vijimin e saj. Mesazhi i përsëritur nga protestuesit është se qëndresa do të vazhdojë dhe se presioni qytetar ndaj qeverisë do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. bw
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
KOSOVË- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.
Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.
Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.
Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator. Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.
Shpallja e aktgjykimit në Hagë vjen katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Mesazhe nga Prishtina para vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së
Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.
Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet që të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999./REL
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës zhvilloi takimin e radhës, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet politike në Shqipëri, protesta që prej 106 ditësh vijon në rrugët e Tiranës, liria e medias, si dhe mënyra se si këto zhvillime po pasqyrohen në hapësirën mediatike shqiptare.
Në fokus të takimit ishte veçanërisht roli i medias në një periudhë të tensionuar politike. Unioni theksoi se e vërteta, objektiviteti, paanshmëria dhe profesionalizmi janë domosdoshmëri për informimin korrekt të publikut. Media, duhet të jetë e pavarur nga çdo pushtet politik apo ekonomik, të verifikojë faktet dhe t’i japë publikut informacion të plotë, të saktë dhe të balancuar.
Gazetarët Shqiptarë Profesionsitë të Diasporës u shprehën kritikë ndaj atyre mediave që e trajtojnë protestën e vazhdueshme në Tiranë si një zhvillim dytësor, duke i kushtuar hapësirë të kufizuar ose duke e anashkaluar në raportimin e përditshëm.
Sipas Unionit, është problematike që një protestë që ka hyrë në ditën e 106-të dhe që ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë të mos trajtohet me seriozitetin dhe standardin profesional që kërkon një zhvillim i tillë. Në vend që të analizohen kërkesat e protestuesve, të verifikohen faktet dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve, protesta, sipas diskutimeve, shpesh reduktohet në një lajm periferik.
Unioni ngriti shqetësimin edhe për ndikimin e presioneve të qeverisë, politike, ekonomike apo institucionale mbi mediat dhe gazetarët, veçanërisht në rastet kur raportimi përmban qëndrime kritike ndaj qeverisë.
Në diskutim u përmendën gjithashtu kufizimet apo bllokimet e dhjetëra profileve që përcjellin zërat e protestës, denoncimet ndaj skandaleve dhe korrupsionit në qeveri, si dhe postimet, videot dhe fotografitë që përmbajnë kritika të forta dhe fakte në kundërshtim me qëndrimet e qeverisë.
Unioni vlerëson se çdo kufizim i pajustifikuar i qarkullimit të informacionit cenon të drejtën e publikut për t’u informuar dhe krijon rrezik për deformimin e realitetit publik.
Reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe zgjedhjet e vitit 2027
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua reformave ligjore dhe institucionale, veçanërisht reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.
Sa i përket reformës zgjedhore, Unioni theksoi nevojën për një reformë zgjedhore në shërbim të standardeve të demokracisë, të funksionimit të drejtë të sistemit zgjedhor dhe të rikthimit të besimit të qytetarëve te procesi demokratik. Sipas Unionit, reforma duhet të garantojë transparencë, konkurrencë reale dhe standarde të barabarta për të gjithë aktorët politikë.
Vëmendje iu kushtua edhe reformës territoriale, për të cilën u ngrit shqetësimi se mund të favorizojë interesa elektorale të partisë në pushtet. Diskutimi u përqendrua te mënyra se si ndarja aktuale territoriale ndikon në përfaqësimin e komuniteteve, decentralizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.
Në fokus ishte edhe perspektiva e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Një prej pikëpyetjeve të ngritura ishte pjesëmarrja e forcave opozitare në këtë proces dhe, në mënyrë të veçantë, nëse ato do të pranojnë të hyjnë në garën elektorale përballë mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.
Unioni vlerëson se vendimi i forcave opozitare për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje do të jetë një prej faktorëve që mund të ndikojë ndjeshëm në klimën politike të vendit dhe në mënyrën se si do të zhvillohet përballja elektorale.
Protesta dhe nevoja për një përfaqësim më të qartë
Protesta që vijon prej 106 ditësh në Tiranë ishte një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit.
Unioni shprehu interes për mënyrën se si kjo lëvizje do të vijojë dhe nëse do të ketë një forcim të saj përmes formave të ndryshme të mosbindjes civile.
Në këtë kuadër u ngrit edhe nevoja për një përfaqësim më të qartë të protestës. Sipas Unionit, organizatorët duhet të kenë një strukturë apo përfaqësi që të mundësojë komunikim të rregullt me median, publikun dhe institucionet, duke bërë të qarta kërkesat, objektivat dhe hapat e ardhshëm të lëvizjes.
Një përfaqësim i tillë, sipas Unionit, do të ndihmonte median dhe opinionin publik të kuptojnë më mirë synimet e protestës, mënyrën se si ajo do të vijojë dhe strategjinë që organizatorët synojnë të ndjekin.
Në përfundim të takimit, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës bëri të ditur se do të vijojë ndjekjen e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Në kuadër të këtij angazhimi, Unioni do të kontaktojë dhe intervistojë figura politike, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë, analistë dhe personalitete të tjera që, përmes qëndrimeve dhe analizave të tyre, ndikojnë në debatin publik dhe në zhvillimet aktuale në vend.
Qëllimi është që publiku shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë të ketë akses në informacion të plotë, profesional dhe të verifikueshëm, duke dëgjuar këndvështrime të ndryshme dhe duke krijuar hapësirë për një debat publik të bazuar në fakte.
Për Unionin, ky është pjesë e misionit të gazetarisë profesionale: të ndjekë, të analizojë, të pyesë dhe të informojë, duke ruajtur pavarësinë editoriale dhe duke mos u vendosur në funksion të interesave të asnjë force politike.
Takimi u përmbyll me mesazhin se e vërteta dhe interesi publik duhet të qëndrojnë mbi interesat politike, ndërsa objektiviteti, profesionalizmi dhe pavarësia editoriale duhet të jenë bazat mbi të cilat ndërtohet besimi i publikut te media.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje rivalëve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se do të ishte “e pafalshme” që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sërish për shkak të kësaj çështjeje.
Kuvendi i Kosovës e rizgjodhi Kurtin kryeministër për herë të katërt të dielën, por dështimi për ta zgjedhur presidentin e ri do ta çonte vendin ne zgjedhje për herë të katërt në dy vjetët e fundit.
“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj… u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara”, tha Kurti në mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar të hënën.
Në fund të gushtit, Kurti arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, e cila ka 18 deputetë, për ta mbështetur Bekim Sejdiun për president të ri të Kosovës.
Megjithatë, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta përfillin vendimin e liderit të partisë së tyre, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha sfida me të cilën duhen të përballen është qëndrimi gjashtë deputetëve të LDK-së, “të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi bisedimesh jo te lehtë të autorizuara nga kryesitë e partive tona”.
Dy partitë e tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për Sejdiun.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
Nuk është e qartë se kur do të mblidhet Kuvendi për të votuar për presidentin e ri.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri, atëherë vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.
Thirrja e Kurtit për bashkëpunim vjen në ditën e njëjtë kur PDK-ja i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë punën e Kuvendit të ri, derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.
Kuvendi u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.
Duke folur për media pas dorëzimit të ankesës të hënën deputeti Arian Tahiri tha se “është e rëndësishme që të vendoset masë e përkohshme fillimisht, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme e situata ma të rënda në kuptim juridik dhe institucional”.
Pezullimi i punës së Kuvendit do të nënkuptonte se ai nuk mund të votojë për presidentin e ri gjatë periudhës së pezullimit.
Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë në zemër të krizës politike në vend dhe shkaktoi zgjedhje të reja parlamentare në qershor.
Emigracioni i shqiptarëve drejt Bashkimit Europian ka mbetur sërish me ritme të larta në 10 vitet e fundit, dhe gradualisht po tejkalon valët e forta të largimeve të dy tre dekadave më parë, kur vendi ishte në një gjendje shumë më të keqe ekonomike, pas kalimit nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut në fillim të viteve ’90-2000.
Në 18 vjet, nga 2008-a deri në 2025-n, vendet e BE-së kanë dhënë rreth 1.1 milionë (1,082,224) leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave të Eurostat.
Për periudhën 2008-2016, u dhanë gjithsej rreth 509.5 mijë leje qëndrimi. Shifra e lartë është e lidhur me periudhën 2008-2010, me rreth 70-100 mijë leje në vit, kur ata që ikën në dekadën e mëparshme filluan të stabilizoheshin dhe të merrnin leje qëndrimi, kryesisht në Itali dhe Greqi. Të dy këto shtete së bashku dhanë gati 90%% të lejeve për periudhën (37% Greqia dhe 53% Italia).
Ndërsa u duk se emigracioni po stabilizohej pas vitit 2012, me numrin e lejeve që u përgjysmuan, një valë tjetër nisi pas 2016-s, që u përshpejtua në dekadën e fundit.
Për periudhën 2017-2025 u dhanë edhe 573 mijë leje të tjera, duke ia kaluar dekadës së mëparshme. Shifrat tregojnë qartë se shqiptarët po vijojnë të ikin me ritme më të larta, sidomos nëse e llogarisim në raport me popullsinë, që sot është ulur në 2.3 milionë banorë, nga 3 milionë banorë në 2006-n.
Ndryshe nga dekada e mëparshme, kur Italia dhe Greqia ishin pritësit kryesorë të emigrantëve shqiptarë, gjeografia është zgjeruar vitet e fundit. Për periudhën 2017-2025, Italia dhe Greqia kanë dhënë së bashku 62% të lejeve totale (41% Italia dhe 21% Greqia).
Në skenë vitet e fundit ka dalë Gjermania, që po tërheq forcën punëtore të kualifikuar dhe ka dhënë 20% të lejeve për periudhën 2017-2025. Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka dhënë 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptare, duke u renditur e treta. Kryesimin vijon të mbajë Italia, me 500 mijë leje nga 2008-a, e ndjekur nga Greqia me 311 mijë.
Franca, ndonëse është destinacioni kryesor për azilantët jep shumë pak leje qëndrimi. Nga 2008-a, leje qëndrimi në Francë kanë marrë rreth 28 mijë persona, të ndjekur nga Belgjika me 14.3 mijë dhe Suedia 13 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë nga më pak se 10 mijë leje.
Rreth 20 mijë leje janë dhënë nga Mbretëria e Bashkuar për periudhën 2008-2018, ndërsa më pas të dhënat nuk raportohen. Gjatë dekadës së fundit Mbretëria e Bashkuara ka qenë destinacion i preferuar për shqiptarët, me kërkesat për azil që në 2022-n arritën në mbi 14 mijë, duke ia kaluar totalit të kërkesave në Be prej 13.2 mijë në atë vit.
Viti 2025, Gjermania kalon e dyta për lejet e qëndrimit
Sipas Eurostat, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 4% në krahasim me vitin e mëparshëm. Tendenca është e kundërt me 2024-n, kur lejet ranë me 14%.
Në 2025-n, Gjermania ishte e dyta në total për lejet e qëndrimit, me 17 mijë të tilla, përkundrejt 31.7 mijë Italia dhe 10 mijë Greqia. Pas tyre u rendit Franca me vetëm 2.4 mijë leje dhe Belgjika 1.3 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë më pak se 1000 leje.
Në 2025-m, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim, 29.4% për punësim./Monitor
Protesta kundër qeverisë vijon edhe këtë të hënë në Tiranë, duke hyrë në ditën e 107 të rezistencës qytetare. Pas tubimit të djeshëm, kthehen sërish sot në shesh për të vijuar protestën dhe kërkesat e tyre politike.
Në protestën e 106-të, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ndërsa pjesë e tubimit ishin edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.
Kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Fjalimet e protestuesve u karakterizuan nga thirrjet për vijimin e rezistencës. Një prej tyre deklaroi se protesta ka hyrë në një fazë të re, duke e krahasuar qëndrueshmërinë e qytetarëve me “pikën e ujit që gërryen shkëmbin”. Sipas tij, pas 106 ditësh kanë nisur të shfaqen edhe çarje brenda strukturave të pushtetit.
“Askush nuk e ka menduar që edhe pas 106 ditësh do të ishim me mijëra në sheshin para Kryeministrisë”, u shpreh një protestues, duke shtuar se qëllimi mbetet rrëzimi i qeverisë.
Në të njëjtën linjë, aktivisti Arben Kola u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që të rikthehen dhe të bashkohen me protestën.
Kola njoftoi gjithashtu se nga sot grumbullimi në sheshin “Skënderbej” do të nisë në orën 18:30, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt bulevardit që të çon te Kryeministria. Ai e cilësoi pjesëmarrjen e diasporës si të rëndësishme për protestën dhe deklaroi se “sot është koha, do të jetë vonë nesër”.
Në ditën e 107-të, protesta vijon me të njëjtën kërkesë kryesore të përsëritur gjatë javëve të fundit: largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e Edi Ramës. Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu përshkallëzim të qëndrimit të tyre përmes asaj që e kanë cilësuar si “mosbindje civile”.
Protesta, e cila nisi fillimisht e lidhur me kundërshtimet ndaj projekteve në zonën e Zvërnecit, Sazanit dhe zonave të mbrojtura, është shtrirë më pas në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë. Mes kërkesave të artikuluara ndër ditët e protestës janë largimi i qeverisë, ndryshime në kuadrin ligjor për investitorët strategjikë, anulimi i Paketës së Maleve dhe ndryshime në ligjet për zonat e mbrojtura.
Ndërkohë, prania e diasporës ka qenë një nga elementët e veçantë të protestave të ditëve të fundit. bw
Kur në një edicion lajmesh disa ditë më parë (10 Shtator), u qëndis mes disa titujve kryesorë ky plotësim: –“Turizmi duket se ka dhënë efektet pozitive në ekonomi… Paga mesatare në vend ka shkuar në 92 mijë lek të reja, pra në 1000€ duhe kaluar kështu edhe parashikimet e qeverisë për rritjen e nivelit të saj të 900 €,… thotë se ka një rënie të lehtë të papunësisë. Ndërkohë integrimi i pritshëm në BE mund t’i rrisë rrogat deri në 35% brenda 10 viteve”*, asnjë media e pavarur nuk do ta bënte më bukur edhe se orientimi zyrtar.
Ndaj vëmendja mbi propagandën duhet shtuar pasi publiku shqiptar ka nevojë të qartësohet dhe të kuptojë se si dhe nga duhet të marrë informacionet dhe faktin e vërtetë.
Të gjitha të dhënat sa më sipër qëndrojnë vetëm në mënyrën se si propaganda e koncepton, e shkruan dhe e paguan, e shtyn dhe e përcjell në rrjet. Është një aparat i tërë burokratik njerëzor e digjital i administratës së Rilindjes Socialiste që i ushqen dhe ku virtualiteti i gjithçkaje që mungon është kthyer në realitet.
Do ta lemë për në fund këtë shpjegim pa u shkëputur nga fokusi i asaj që sapo përmendëm. Ndoshta vetëm dy-tre shembuj do të mund ta plotësonin atë.
Pra flitet sot për një mesatare mujore 1000 € dhe kemi parasysh se 25,8 % e fuqisë punëtore në Shqipëri ka marrë një pagë minimale nga 40,00 deri në 50.000 Lekë ( nga 2025 deri në Janar, 2026). E pjesëtuar me kursin ditor të këmbimit po sot janë rreth 350 mijë persona nga fuqia punëtore vlerësohen me 543 €.
Ja se si del aritmetika e thjeshtë nga shënimet e ditës;
– Viti, muaji dhe dita; 10 Shtator, 2026.
– Rroga Mesatare Mujore= 92.000 Lek.
– Konvertuar në1000 €.
– Në 2030 synojmëBE-në (?!).
– Në 2036 Rroga mesatare mujore parashikohet se do të rritet me 35%.Pra Rroga mesatare mujore bëhet1350 €.
Por pas dhjetë vitesh do të kemi lekë dhe euro në përdorim apo vetëm euro?
Në qoftë se jo, mund të themi se tregu financiar mund të jetë optimist, por në se jo;-Sa i fortë do të jetë Lek-u ndaj valutave si € dhe $ në vitin 2036?!
Aktualisht rroga më e ulët në rajone të ndryshme të EU është për vitin 2026 nga 620 € deri në 2771 €.
I bëmë këto krahasime pasi në titujt e lajmeve kryesore në Shqipëri që prej 10 ditësh, kur Rilindja Socialiste ka nisur takimet në formatin ‘Prania Besnike’ (çdo të Premte sa të jetë në fuqi Rama/kryeministër), po zhvillohet fenomeni i njohur mediatik “echo chamber”. “Dhomës kumbuese” ose asaj që rilindësit e shohin si ora e deputetit me votuesin. Më pas media edhe pse e propagandon apo interesohet për ta mbuluar nuk të thotë ndonjë gjë ose diçka më shumë se çfarë ndodh me vetë procesin sepse janë vetë pushtetarët që e administrojnë narrativën, shënimet dhe problematikën.
Fillimisht emra të përveçëm nga rilindja dalin me statuse ose në panele mediatike duke rrëfyer përvojën personale duke numëruar sa takime, sa probleme dhe sa kohë dhe më pas për çështje të privatësisë, problematika bëhet jo vetëm transparente me fjalë, por edhe e përshkueshme tej e tej sa në fund asgjë nuk mbetet dhe asgjë nuk ndreqet.
PS po bën veç se një propagandë të rëndomtë parazgjedhore të pështjellë me “Praninë Besnike”… pa harruar çdo të Premte në orën 17:00, në të gjithë territorin.
Në se dikush e mendon se kjo analizë është paragjykuese pasi kanë kaluar vetëm më pak se dy javë nga prova, po tregojmë me fakte konkrete se ku jemi tani dhe ku ishim 4 vite më parë me premtimet e Rilindjes Socialiste.
‘BESA’, ‘Prania Besnike’, ‘Pasqyrë Albania’ dhe një tjetër e shtuar si ‘Flamingo Mirror’ që lidhet si një informacion transparent i qeverisë me protestuesit veçanërisht për “Zonat e Mbrojtura”.
Në tërësi paaftësinë e politikave të qeverisjes socialiste për shkak të krimit ekonomik e korrupsionit, nepotizmit dhe patronazhimit të institucioneve, kryeministri Rama e adresoi së fundi si një dobësi e punës së administratës dhe avancimit të teknologjisë. Shkurt “Shteti digjital në xhepin e qytetarit” ose e-Albania, zgjidhësja e besuar e çdo problemi.
Ndaj le të kujtojmë një episod interesant të Drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj në fund të muajit Prill të vitit 2022 finalizoi pjekurinë e e-Albania kur ndër katër pyetjet “shteruese”, diçka për t’u besuar që u ngrit për t’i mbushur mendjen njerëzve ose për t’i mashtruar ata përpara dy palë zgjedhjeve që po afronin. Zgjedhjet vendore të 2023 dhe të 2025-ës të përgjithshme në të cilat Rilindja Socialiste vetëm sapo i zgjeronte dhe po i thellonte më shumë pozitat e saj.
Ja se çfarë përforconte si risi Drejtoresha Karçanaj:–“Tashmë kemi kaluar pa letër në sistemin e akteve ku merret mendimi dhe kryhet gjithë procesi i inicimit dhe aprovimit të akteve të Këshillit të Ministrave. Çdo akt atje është pa letër, me nënshkrim elektronik. Sistemi i menaxhimit të dokumenteve është implementuar me shumë sukses në Kryeministri dhe në të gjitha ministritë e linjës. Është momenti që në dy vitet e ardhshme të përmbyllim punën e gjithë administratës. Të automatizohet dhe të kalojë pa letër. Nuk do të kemi asnjë letër të humbur më në postë. Nuk do të kemi më pesë ditë deri në dy javë vonesa. Do të kemi zero letër, zero bojë, zero printera apo letra që amortizohen”.
Ku jemi tani me praninë besnike rreth 4 vite e 1/2 më pas?
Kemi arritur në epokën e një formulimi të ri nga ana e kryeministrit Rama ku çdo deputeti apo ministri i kërkohet:-“Çdo të premte në të njëjtën orë, pa kamera, pa fotografi të pjesëmarrësve, pa fjalime dhe as kundërshtime, po vetëm me veshët hapur e me laps e letër për të shënuar çdo ankesë, kërkesë, shqetësim, ide apo propozim”. Në katër vite kjo administratë për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të parave të publikut kaloi nga njeriu dhe shkresat, tek shkarkimi digjital i dokumentacionit dhe i zgjidhjes së punëve. Tani që edhe këtu problemet janë mbivendosur po ndodh e kundërta. Rilindësit dëgjojnë dhe mbajnë shënime dhe kujdesen që të hidhen në sistem dhe problemet të zgjidhen(?!).
Tani është fakt se jo vetëm rrethi i konsideruar besnik pranë Ramës, por edhe rrathët e tjerë pas besnikëve të quajtur patronazhistë po riorganizohen deri në diasporë që të rikrijojnë lidhjet për të gjetur së paku numrat ose votuesin e 2025-ës (me 733,727 vota).
Në dukje kjo për rilindësit ngjan e arritshme, por ky rezultat edhe pse i zbuluar dhe i demaskuar për manipulimet ka dy faktorë kryesorë që e rrëzojnë skemën dhe e kanë bërë kryeministrin Rama të frikësohet.
Së pari, 83 mandatet e siguruara dolën nga pjesëmarrja e 42,16% e zgjedhësve në votime janë diferenca e pushtetit me kundërshtarët që u konsiderua deri në masën e 7.4% por aspak më të besueshme me praninë e qindra-mijë shqiptarëve në sheshet e Shqipërisë dhe Tiranës që prej 106 ditësh resht shprehin pakënaqësitë dhe kërkojnë dorëheqjen. Kjo tregon se me protestat e nisura në fund të muajit Maj, 2026, Rilindja Socialiste ka humbur konsiderueshëm mbështetjen edhe brenda rradhëve të saj si në Shqipëri edhe në diasporë.
Një perceptim i asaj që lajmi i vërtetë dhe informacioni i pastër nuk i shkon publikut, por manipulohet nga pushteti, ishte pikërisht loja me numrat e qeverisë këtë fund javë. Duke e ditur marshimin e diasporës, një propagandë me turizmin dhe remitancat ishin një gabim strategjik i Rilindjes Socialiste edhe tani në një kohë kur ka hapur probleme madhore me Reformën Trrritoriale përpara Zgjedhjeve Vendore.
Nga njëra anë prania besnike në gjithë territorin, nga ana tjetër Protesta në Ditën e 105 të saj me një pjesëmarrje të gjerë nga diaspora duke ngritur problemet dhe duke e rrethuar paqësisht kryeministrinë për mbi 4 orë.
Ajo që kishte ngjarë një ditë më parë në narrativën propagandistike dhe në lajmet e qeverisë, duke i bërë njëkohësisht dëm vetes shkruhej :-“Remitancat, 621 milionë euro në gjashtëmujorin e parë” e njëjta temë si në vitin 2018, pra para 8 vitesh me të njëjtin kryeministër:-“Të ardhurat nga emigrantët shënojnë nivelin më të lartë që prej vitit 2013″ (Remitancat u rritën në këtë periudhë të parë të vitit 2018, në vlerën e 147 milionë eurove).
Dallimi kryesor këtu është se në Shtator 2018 euro këmbehej me 126 Lekë, sot në Shtator 2026 euro këmbehet me 92.16 lekë, pra 33.84 lekë më pak.
Në se do të bëjmë diferencat me shumat vjetore që janë rritur prej atëherë remitancat në fund të 2025 shënonin në vlerat mbi 1.2 miliardë €, diferenca dhe deficiti që shohim janë jo se çfarë njëherë e një kohë është premtuar dhe çfarë nuk është bërë, por sot nuk e gjen dot përgjigjen se ku këto miliona lekë të premtuara si projekte dhe të pa realizuara nuk do të mund t’i gjesh se kua kanë përfunduar dhe cilët janë shtetarët përgjegjës.
Dy-tre shembujt që mund ta plotësonin atë siç e përmendëm më lart janë ato afera që në formën e ligjeve me porosi, partneritetit publik privat, dhënien për shfrytëzim të pronave publike, pasurive natyrore dhe Zonave të Mbrojtura me interes ndërkombëtar veç atij vendas, e të tjera afera dhe veprimtari si sterilizimi, arsimi, ndërtimi, energjia, ushtria, inceneratorët të bëjnë të mendosh se kur ato nuk i kthehen si mirëqenie taksapaguesve atëherë çdo sipërmarrje është e mbërthyer nga interesa të pushtetit dhe korrupsioni.
__________
*abc news albania
*“Echo-chamber”– (dhoma e kumbimit) vendi dhe gjendja ku njerëzit dëgjojnë vetëm mendjen e tyre. Nuk ka tjetër realitet. Mungon e vërteta.
13 Shtator, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Kuvendi i Kosovës e ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.
LVV-ja ka 53 deputetë në Kuvend, por Qeveria e re u mbështet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë – tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe.
Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Deputetët e Listës Serbe morën pjesë dhe votuan kundër.
Përbërja e kabinetit qeveritar mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë së tretë të drejtuar nga Kurti.
Kryeministër, Albin Kurti
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka
Ministër i Financave, Hekuran Murati
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re pasi që tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.
Kurti tha se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarve dhe mbrojtja e familjeve.
“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.
Ai premtoi gjithashtu investime të ndryshme kapitale, si për themelimin e një kompanie ajrore në pronësi publike dhe krijimin e një rrjeti të transportit publik në tërë vendin.
Si u konstituua Kuvendi?
Kuvendi u shpall i konstituuar më herët gjatë ditës, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.
Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”.
Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.
Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.
Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.
Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.
Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.
Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.
PDK-ja e kundërshton procesin
PDK-ja kundërshton interpretimin se Kuvendi është konstituuar pa nënkryetarin e saj.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që lejon, në rrethana të caktuara, funksionimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nuk mund të zbatohet në këtë rast.
Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën.
Ai tha se “askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet”, duke argumentuar se LVV-ja nuk mund t’i shkelë afatet për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të përdorë këtë situatë për t’ia mohuar PDK-së të drejtën për të propozuar nënkryetarin.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër, Kurti tha se kurdo që PDK-ja të jetë e gatshme të propozojë kandidatin e saj për nënkryetar, deputetët e LVV-së do ta votojnë.
Çfarë ndodh tani?
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, e ka interpretuar procesin e fundit si pjesë të një skenari që çon drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, 60 ditët për zgjedhjen e presidentit, së bashku me 45 ditët për mbajtjen e zgjedhjeve, çojnë pikërisht te 27 dhjetori.
Kjo datë përkon me periudhën e festave të fundvitit, kur një pjesë e diasporës së Kosovës kthehet në vend.
Data është veçanërisht e rëndësishme për LVV-në, e cila në zgjedhjet e qershorit 2026 mori përqindje dukshëm më të lartë të votave nga diaspora sesa nga votuesit rezidentë.
LVV-ja mori rreth 73 për qind të votave me postë dhe 83 për qind të votave në përfaqësi diplomatike, ndërsa nga votat e qytetarëve rezidentë mori rreth 43 për qind.
Edhe pse 62 vota i mjafton LVV-së për ta formuar Qeverinë e re, ato nuk mjaftojnë edhe për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se do ta mbështesnin kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.
Por kjo kandidaturë ka shkaktuar përplasje brenda LDK-së. Gjashtë nga 18 deputetët e saj kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin.
Revolta qytetare ndaj qeverisë ka hyrë sot në ditën e saj të 106-të radhazi, duke konfirmuar vijimësinë e një prej lëvizjeve më të gjata protestuese në kryeqytet.
Përballë godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, revoltës do t’i bashkohet sërish masivisht diaspora shqiptare, e cila ka udhëtuar nga vende të ndryshme të Evropës për të mbështetur protestën në terren.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar organizimin e një tjetër proteste masive me kërkesën e prerë për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Sipas përfaqësuesve të protestuesve, prania e emigrantëve shqiptarë sjell një impuls të ri për lëvizjen, ndërsa është bërë me dije se qëndresa qytetare do të vijojë pa ndërprerje deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike. bw
Një thirrje drejtuar tifo-grupeve shqiptare po qarkullon për ditën e sotme, 12 shtator, me kërkesën për bashkim dhe marshim në shenjë proteste kundër qeverisë.
Në thirrje u bëhet apel tifozëve që të bashkohen në protestën e sotme, duke e cilësuar këtë si një moment për të treguar unitet dhe vendosmëri.
“Thirrje për tifo-grupet e Shqipërisë Sot me dt 12 shtator të bashkohen dhe marshojnë deri në largimin e qeverisë tradhëtare. Është koha që vêrtetë të tregohemi një. Të mbrojmë pronen, familjen, atdheun, flamurin.Bashkë për një qëllim”. gsh
Komentet