Presidenti i zgjedhur Donald Trump, në përfundimin të turneut të falenderimeve – një seri mitingjesh për të festuar fitoren e tij zgjedhore muajin e kaluar – në një fjalim në Alabama shprehu pikëpamjen e tij se si gazetarë të pandershëm u përpoqën ta përshkruajnë atë si kandidat republikan i cili nuk mund të fitonte.
Para një audience prej disa mijëra njerëzve në qytetin Mobile me rreth 200.000 banorë, zoti Trump tha se fushata e tij kishte filluar me njoftime të padrejta.
Si edhe në mitingjet e mëparshme, Donald Trump përsëriti premtimet për të ndërtuar një mur në kufirin meksikan dhe për të rinegociuar marrëveshjet amerikane të tregtisë. Ai theksoi synimin e tij për të filluar vetingun ekstrem të emigrantëve, për të mos lejuar hyrjen e ekstremistëve.
Në tubimin e së shtunës organizuar nga Partia Republikane mori pjesë edhe senatori Jeff Sessions i shtetit Alabama, i emëruar nga zoti Trump për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së.
Të shtunën në mbrëmje, Donald Trump postoi në Twitter një mesazh ku e përshkroi Kinën, si vjedhëse të sondës për kërkime shkencore në Detin e Kinës Jugore.
“Ne duhet t’i tregojmë Kinës se nuk e duam dronin që e vodhi, le ta mbajë”, – tha zoti Trump në Twitter, disa orë pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte arritur mirëkuptim me Kinën për kthimin e dronit.
Sipas Pentagonit, sonda nënujore u kap të enjten duke mbledhur të dhëna shkencore në Detin e Kinës Jugore, territor që Kina thotë se është i saj.
Kina tha se ushtria e kapi sondën nënujore për të siguruar lundrim të sigurt të anijeve, por do ta kthejë atë.
Nuk dihet se çfarë efekti do të ketë mesazhi në Twitter i zotit Trump në marrëveshjen me kinezët.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë të tensionuara pas bisedës telefonike të presidentit të zgjedhur Trump me presidenten e Tavanit, Tsai Ing-wen më 2 dhjetor.
Zoti Trump tha se nuk ndjehej i detyruar për zbatimin e politikës së njohjes së një Kine të vetme, nëse SHBA nuk siguronte lëshime tregtare, ose përfitime të tjera nga Kina.
Kina e konsideron Taivanin si territorin e vet dhe thotë se do ta mbrojë me forcë, nëse e gjykon të nevojshme.
Nga Alabama, Donald Trump fluturoi për në Florida për t’u ribashkuar me familjen e tij, e cila arriti atje të premten për pushime me rastin e Krishtlindjeve.
Komentet