Në një njoftim zyrtar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme bëhet e ditur se ligji është antikushtetues
PRISHTINË – Një gjyqtar i kolegjit të shkallës së parë i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, nga EULEX-i, dërgon ligjin për Trepçën në Gjykatën Kushtetuese për ta shfuqizuar atë. Ai pretendon se ky ligj është antikushtetues për dy arsye të ndryshme, që të dyja të bazuara në të drejtat themelore që e garantojnë pronën.
Në një njoftim zyrtar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme bëhet e ditur se ligji është antikushtetues meqë “Së pari, ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit, i cili është një kreditor i Trepçës. Vlera e padisë së tij ndaj Trepçës është reduktuar në zero, pasi Trepça ka mbetur pa burime si dhe e mbingarkuar me borxhe. Së dyti, shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim. Për këtë arsye, gjykata ka lëshuar një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese, e cila ka fuqinë ekskluzive të shfuqizojë ligjet”.
Duke u vënë në dukje se ligji e zvogëlon vlerën e padisë së paditësit në zero pa e kompensuar atë, në njoftim thuhet se “Ligji i nxjerrë asetet e vlefshme nga NSH Trepça dhe i bartë ato pa kurrfarë kompensimi te një shoqëri e sapo krijuar aksionare, nga të cilat 80 për qind e aksioneve janë në pronësi të shtetit, 20 për qind në pronësi private. Aksionerët i marrin aksionet falas. Shoqëria aksionare as nuk i merr përsipër obligimet që i ngarkohen NSH-së Trepça e as nuk garanton për to. Në formën e mbetur, NSH-së Trepça i hiqen asetet e saj pak para se të skadojë moratoriumi dhe kreditorët do të mund të tentojnë likuidimin që të realizojnë paditë e tyre. Por NSH-ja do të vazhdojë të përballet akoma me tërë borxhin e saj”.
Komentet