Nga Marçel Hila
Të zhdukur: Gjelosh Luli, Llesh Marashi. Gjelosh Luli ishte nip i Ded Gjò Lulit dhe i martuar me motrën e Kol Bibë Mirakës, duke u bërë një autoritet i padiskutueshëm në dy krahina të mëdha të Veriut të Shqipërisë. Idealist për çështjen kombëtare dhe antikomunist i bindur, ai ishte njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Malësisë së Madhe që mobilizoi mijëra burra për mbrojtjen e Veriut. Gjelosh Luli ishte njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, ku dhe u plagos rëndë. Në përpjekjet për t’a shpëtuar, diku, njëri nga shoqëruesit e mbyti, i rrëmbeu florinjtë që kish, i shkuli edhe dhëmbët dhe e groposi. Komunistët që kishin muaj të tërë në ndjekje të tij, kur morën vesh ngjarjen, shkuan e zhgroposën, i prenë kokën, i’a ngulën në një hu dhe i’a shëtitën në mes të qytetit të Shkodrës, duke mbjellë terror mbi njerëzit. Ende sot nuk dihet se ku përfundoi koka e Gjelosh Lulit.
Llesh Marashi – njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Malësisë së Madhe për luftë kundër fashizmit dhe për mbrojtjen e Veriut, gjithashtu luftëtar kundër komunistëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe. U kap nga partizanët në periudhën qershor-korrik të vitit 1946. I shoqëruar nga dy oficerë dhe disa partizanë, u ekzekutua me varje në mes të Shkodrës.
Dëshmon Fran Xhanaj, 91 vjeç, për luftëtarët Gjelosh Luli, daja i të atit, dhe Llesh Marashi, nuni i tij. Ku është koka e Gjelosh Lulit?
Komentet