Nënshkrimi i kapitullimit të Wehrmacht-it gjerman në kuartierin rus në Berlin- Karlshorst, 8 maj 1945, nga Gjenerali Wilhelm Keitel
8 maji është dita në të cilën mori fund një nga katastrofat më të mëdha të njerëzimit. Me kapitullimin e Gjermanisë përfundoi Lufta e Dytë Botërore, e cila kërkoi 55 milionë të vrarë. Pjesë të tëra të kontinentit u kthyen në rrënoja dhe hi. Por armët heshtën.
Qytetet gjermane ishin shkatërruar në pjesën më të madhe, miliona njerëz u larguan nga shtëpitë prej dëbimeve dhe ikjeve. Mijëra vetë, ndër të cilët shumë baballarë u kthyen në robër lufte. Forcat aleate e ndanë Gjermaninë në zona influence. Gjermania u mposht ushtarakisht, politikisht dhe moralisht. Bashkimi Sovjetik ishte vendi që derdhi më shumë gjak ndër kundërshtarët e Hitlerit. 27 milionë qytetarë të Bashkimit Sovjetik humbën jetën në luftën kundër nacionalsocializmit. Ishte Ushtria e Kuqe që mundi vehrmaht-in në frontin e lindjes dhe i dha fund vrasjeve në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Por, fitorja e Bashkimit Sovjetik betonoi dhe zgjeroi pushtetin e Stalinit, prej të cilit vuajtën në vitet që pasuan vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.
Më 25 prill 1945, amerikanët dhe rusët u takuan në Torgau, në brigjet e lumit Elbë. Më 2 maj Berlini i rrethuar kapitulloi. Dy ditë me parë Hitleri kishte bërë vetëvrasje në bunkerin e tij. Në kuartierin e gjeneralit amerikan Eisenhower, në qytetin francez Reims, Koloneli Jodl dhe admirali von Friedeburg nënshkruan dokumentin e kapitullimit pa kushte. Komanda e vehrmaht-it gjerman u detyrua të ndërpriste të gjitha luftimet dhe i dorëzoi Shtabit të Përgjithshëm të forcave aleate të gjitha forcat ushtarake gjermane tokësore, ajrore dhe ujore.
Me dëshirën e Stalinit, kapitullimi u përsërit në kuartierin kryesor të forcave sovjetike në Berlin-Karlshorst në natën e 8 duke gdhirë 9 maji. Fundit të fashizmit iu vu kështu vula. Shumë gjermanë e vlerësuan kapitullimin katarstrofë. Vetëm me demokratizimin dhe themelimin e Republikës Federale u zhvillua një vetëdije e re historike. Shprehje e këtij këndvështrimi të ri historik ishte fjalimi i Presidentit Richard von Weizsäcker më 8 maj të vitit 1985, i cili e quajti çlirim përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Më 8 maj 1945 Wehrmacht-i gjerman kapitulloi pa kushte. Me fitoren e aleatëve gjermanët u çliruan nga regjimi nazist. Megjithatë, shumë njerëz në Gjermani e kishin të vështirë ta quanin humbjen çlirim.
8 maji – ditë çlirimi
Një nga fjalimet më të rëndësishme dhe më të suksesshme me rastin e 8 majit e ka mbajtur ish Presidenti gjerman Richard von Weizsäcker në vitin 1985 – 40 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Weizsäcker, i ati i të cilit i ka shërbyer deri në vitin 1943 regjimit nazist, duke punuar si sekretar shteti në ministrinë e Jashtme, tha në Parlamentin Gjerman se 8 maji nuk është për “ne gjermanët ditë feste”. Ai e përshkroi periudhën e pasluftës si kohë “me të kaluar të errët dhe me të ardhme të paqartë”. Por, kryetari i shtetit nxorri pastaj në pah rëndësinë shumë të madhe të kësaj date historike: “8 maji ishte ditë çlirimi. Kjo ditë na çliroi ne të gjithëve nga sistemi çnjerëzor i sundimit nacionalsocialist”.
Kaq qartë, me kaq siguri nuk ishte folur kurrë nga ndonjë politikan i lartë perëndimor për këtë datë. „Fjalimi i tij theu tabutë”, thotë historiani Jörg Morré për fjalimin e Richard von Weizsäcker-it. Jörg Morré është drejtor i Muzeut ruso- gjerman në Berlin-Karlshorst. Një vend historik me rëndësi krejt të veçantë. Në këtë ndërtesë të ngritur nga nazistët si kazino për oficerët, u bë kapitullimi pa kushte i Wehrmacht-it nga Gjenerali Wilhelm Keitel.
Në kohën e RDGJ-së, sovjetikët hapën në këtë ndërtesë “Muzeumin e kapitullimit pa kushte të Gjermanisë fashiste në luftën e madhe atdhetare”, shkurtimisht Muzeumin e Kapitullimit. Një emër i përshtatshëm, mendon historiani Jörg Morré.
Perceptime të ndryshme të 8 majit
Eksperti i Evropës Lindore, Morré, i cili ka hulumtuar shumë në Moskë tregon për perceptimin e ndryshëm të 8 majit në Gjermaninë e ndarë. Ndërkohë që në Gjermaninë Federale, aleate e aleancës perëndimore zgjati shumë kohë deri sa fundi i luftës u quajt akt çlirimi, në Gjermaninë lindore (RDGJ) kjo u bë që prej fillimit. Vetëdija antifashiste nuk ishte e vështirë për regjimin komunist, për më tepër që ishte aleate e rëndësishme e Bashkimit Sovjetik.
Pas tërheqjes së trupave aleate nga Gjermania e ribashkuar, Muzeumi i Kapitullimit u quajt (më 1995) Muzeumi ruso- gjerman. Ai drejtohet nga një shoqatë, që financohet prej të dyja vendeve. Konmpozim i pashembullt, fitues dhe të mundur kujtojnë së bashku në një vend historik një ngjarje historike, 8 majin e 1945-ës. Ata e bëjnë këtë me një eksponatë të përhershme, që i kushtohet përfundimit të luftës, me diskutime, seri filmash, koncerte, lexime dhe takime shkencore.
Komentet