LUSHNJË– Një vendim i Këshillit Bashkiak të Lushnjës për të dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” Gjergji Velon, një ish-drejtues në periudhën e sistemit komunist ka nxitur reagime të forta nga bota e politikës, por jo vetëm. Vendimi për dhënien e titullit qytetar nderi është më marrë më datë 19 tetor me firmë të kryebashkiakes Eriselda Sefa, ndërsa në relacion thuhet se propozimi u bë nga Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, dega Lushnjë, pasi Velo ka kontribuar në zhvillimin e qytetit.
Deputeti demokrat, Saimir Korreshi pyet se si mund t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” njerëzve që kanë firmosur për të persekutuar dhe internuar familje të tëra vetëm se nuk e duruan diktaturën. Të tmerrshme e quan ligjëvnësi demokrat, në një kohë kur e gjithë bota dënon krimet e komunizmit. Në një tjetër postim, ai shkroi se i është drejtuar me shkresë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për pastërtinë e figurës së Velos.
“E kam urryer Komunizmin që fëmijë pasi shikoja babanë tim tek vuante se sorollopi komunist nuk i dha një të drejtë studimi se e kishte xhaxhanë Ballist. Përpos pronave që na morën dhe shtëpive që na prishen. Sot më e rënda do duhet t’i shpjegoj fëmijëve të mi se mamaja e tyre e lindur në internim, që zgjati për 39 vite për familjen e saj që nuk gjen eshtrat e Gjyshit të saj të vrarë në hetuesi duhet të durojë të Glorifikohet persekutori. Tmerr që s’merr fund kurrë!
Po si mund të ndodhë kjo? Si mund të jepet qytetar nderi njerëzve që kanë firmosur për të persekutuar dhe internuar familje të tëra vetëm e vetëm se nuk e duruan diktaturën. Po si keni fytyrë ta bëni këtë kur e gjithë bota dënon krimet e komunizmit. Ju jeni të njëjtë me ata që sot u jepni tituj nderi, ju jeni po të njëjtët persekutorë si ata, veproni si ata vetëm se s’jan me Pardhine tuaj”, shkruan Korreshi.
Në një tjetër reagim, nga Fondacioni Kujto thuhet se Gjergj Velo në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Lushnjës, gjatë periudhës së diktaturës, ka firmosur internime dhe dëbime famëkeqe në Grabian dhe në zona të tjera të Lushnjës. Fondacioni Kujto shkruan se vendimi për shpalljen e tij “Qytetar Nderi” edhe me ceremoni zyrtare, përbën një fyerje të rëndë ndaj kujtimit të qindra familjeve të internuara dhe të gjithë atyre që vuajtën persekutimin politik në këtë qytet.
“Fondacioni Kujto shpreh indinjatën e thellë për vendimin e Këshillit Bashkiak të Lushnjës për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi” z. Gjergj Velos, personit që gjatë periudhës së diktaturës komuniste, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, ka firmosur internime dhe dëbime famëkeqe në Grabian dhe në zona të tjera të Lushnjës.
Ky vendim, i shoqëruar me ceremoni zyrtare në prani të kryetares së bashkisë dhe disa deputetëve, përbën një fyerje të rëndë ndaj kujtimit të qindra familjeve të internuara dhe të gjithë atyre që vuajtën persekutimin politik në këtë qytet.
Siç e dëshmojnë dokumentet e kohës Gjergj Velo ka qenë në vitet 1983-1989 kryetar i Komitetit ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Lushnjë. Në këtë cilësi propozonte edhe internimet për komisionin qendror në Tiranë.
Si i devotshëm, nuk ka mbledhur as komisionin vendor, por i ka propozuar drejtpërdrejt. Nderimi i autorëve të krimit, vetëm pak ditë pas ndjesës publike që Kuvendi i Shqipërisë kërkoi për permendjen e diktatorit Enver Hoxha si figure kombëtare, është një akt i papranueshëm që bie ndesh me vlerat demokratike dhe me përpjekjet për të ndërtuar një kulturë të kujtesës dhe drejtësisë historike. Fondacioni Kujto kërkon tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi të padrejtë dhe rikthimin e dinjitetit të qytetit të Lushnjës, qytetit të vuajtjes, të qëndresës dhe të kujtesës”, shkruan Fondacioni Kujto.
Edhe deputeti Bardh Spahia thotë se shpallja e një persekutori “Qytetar Nderi” është një tentativë për të çnderuar një qytet dhe mbarë shoqërinë. Spahia shkruan se glorifikimi i figurave të regjimit komunist nuk është kujtesë historike, por fyerje ndaj çdo njeriu të pushkatuar dhe internuar.
“Shpallja “Qytetar Nderi” i persekutorit injorant e barbar, Gjergj Velo, në Lushnje, një tentativë të ç’nderojë një qytet dhe mbarë shoqërinë. Nëse një shoqëri fillon të nderojë persekutorët e djeshëm, ajo shkel mbi viktimat e saj. Glorifikimi i figurave të regjimit komunist nuk është kujtesë historike, është fyerje ndaj çdo njeriu të pushkatuar, të torturuar, persekutuar apo internuar për liri. Është një ofendim për çdo viktimë të djeshme por dhe për çdo njeri të lirë sot!
Një komb që ngre në piedestal kriminelët e vet politikë, rrezikon të humbasë shpirtin dhe dinjitetin. Le ta themi qartë: nuk ka paqe me të kaluarën pa drejtësi. Nuk ka pajtim pa pendesë, nuk ka të ardhme të lirë pa e thënë të vërtetën për krimet e diktaturës. Respekt dhe mirënjohje përjetë për viktimat, përbuzje për persekutorët. Shqipëria nuk ndërtohet mbi harresë, por mbi kujtesë dhe të vërtetën”, shkruan Spahia.
Pas reagimeve të forta se u nderua një persekutor, ka pasur edhe një reagim nga Këshilli Bashkiak i Lushnjës, i cili thotë se i janë drejtuar me shkresë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe i ka konfirmuar pastërtinë e figurës për Gjergji Velon.
“Nisur nga interesi i opinionit publik dhe ai mediatik, por edhe qëndrimet e disa aktoreve politik në lidhje me vendimin e datës 29 shtator 2025 të Këshillit Bashkiak Lushnjë për të nderuar me titullin “Qytetar Nderi” të Lushnjës, z.Gjergj Velo, sqarojmë se vendimi me shumicë votash në Këshillin Bashkiak (kanë votuar kundër vetëm 2 Këshilltare Bashkiak) është marrë në fund të një procesi ku janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore.
Veç motivacionit për të nderuar z.Gjergj Velo për të gjithë angazhimin dhe kontributin e tij në zhvillimin urban të qytetit të Lushnjës, bashkia Lushnjë sikurse edhe në disa raste të tjera, i është drejtuar me një kërkesë për informacion në datë 9 tetor 2024 Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, në lidhje me verifikimin e pastërtisë së figurës për kandidatin e propozuar për marrjen e titullit të nderit, z.Gjergj Velo. Në përgjigjen zyrtare të kthyer më 27 nëntor 2024, “Autoriteti” konfirmoi pas verifikimit, pastërtinë e figurës së kandidatit të propozuar për titullin “Qytetar Nderi”.
Propozimi për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për z.Gjergj Velo u bë nga Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, dega Lushnjë, si dhe u mbështet nga bashkia Lushnjë. Propozimi kaloi me 4 vota pro dhe 1 kundër në Komisionin Këshillor për dhënien e Titujve te Nderit, ndërsa në Këshillin Bashkiak Lushnjë, në mbledhjen e datës 29 shtator 2025, propozimi u miratua me 21 vota pro dhe 2 kundër.
Këshilli Bashkiak Lushnjë në funksion të llogaridhënies dhe transparencës së plotë me publikun është i hapur në dhënien e informacionit të plotë dhe zbardhjen e procesverbaleve të mbledhjeve në punën e Komisioneve të Këshillit Bashkiak dhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak gjithashtu, institucione që kanë kryer funksionet e veta me rigorozitet dhe në përputhje të plote me rregulloret dhe dispozitat ligjore”, shkruan Këshilli Bashkiak i Lushnjës.



